Duket si befasues titulli i librit të ri të profesorit-gjeolog Hazbi M.Shehu: “Buzëqeshi jetës”! Në kopertinë figuron madje edhe një trëndafil i kuq, metaforë e ngjyrave të simbolit tonë kombëtar, por edhe simbolikë dhe paralajmërim i asaj çfarë të pret kur nis të shfletosh faqet e librit. Mesazhi i Profesor Shehut është i drejtpërdrejtë: me punë të vështirë e plot pasion në shërbim të shoqërisë dhe të përparimit, vjen gëzimi, vijnë buzëqeshjet dhe poezia.
Tek nisa të lexoj librin e Hazbi M.Shehut, m’u desh të përballesha me ndjesinë e të panjohurës, e cila buron nga fakti se nuk njihesha personalisht me autorin dhe nuk kisha lexuar më parë asgjë nga krijimtaria e tij. Por Profesor Shehu ja bën të lehtë çdo lexuesi zbulimin e mesazheve dhe të qëllimit fisnik që e shtyu të ulet për të hedhur në letër mendimet e tij, pas një jete të gjatë plot punë e pasion prej gjeologu.
Pak faqe pasi ke nisur të lexosh, fillon të marrësh me mend gëzimin që ndjen zbuluesi i pasurive të nëntokës, që vijnë si rezultat i punës së tij, i studimit të palodhur. Të duket sikur i sheh duart e tij të mbushen ethshëm nga ari i zi – nafta – që sapo shpërthen nga nëntoka ku ka qëndruar miliona vjet e fjetur.
Por e shkuara në librin “Buzëqeshi jetës”, qëndron e lidhur fort me të tashmen, me jetën e profesor Shehut, në një kontekst krejt tjetër nga ai maleve, hartave dhe çekiçit të punës së gjeologut. Në fakt libri nis me një reflektim shumë më të gjerë sesa profesioni i Hazbi M. Shehut. Një trajektore e gjatë ku ndërthuret filozofia me shkencën, kozmosin, fillesën dhe kuptimin e jetës në Tokë, atdheun, përjetimet personale dhe ndjesitë më private për njeriun, ku më e para qëndron dashuria për nënën dhe kujtimin e saj.
Qysh në parathënien e librit, autori na paraqet se ka ndërmend të marrë një sfidë të vështirë. Ai thotë se “jam përpjekur të shpreh egzistencën, lëvizjen dhe transformimin e materies së paraqitur në të gjitha format e saj në përgjithësi dhe të qenieve të gjalla në veçanti”.
Siç shihet, profesor Shehu e ka vendosur shumë lart “stekën” në materialin që i ofron lexuesit. Në 300 faqet që pasojnë, ai ja ka arritur në mënyrë të admirueshme të kombinojë dilemat e mëdha egzistenciale, me përjetimet më të thjeshta të jetës së përditshme, analizimin e fenomeneve më të mëdha të natyrës, me skutat më private e në dukje të parëndësishme të shpirtit njerëzor. Nuk është e rastit që brenda një vepre të qëndrojnë afër njëri-tjetrit, kapituj ku flitet për arsyet që i shtyjnë banorët e Nju Jorkut që të shetisin të shoqëruar nga qentë, me trajtesa të një natyre krejt të ndryshme, siç janë ato të të drejtave të shqiptarëve. Apo kur ngjarjet e moshës së re në qytetin e gurtë të Beratit, ja lenë vendin përsiatjeve për forcat që venë në lëvizje Universin, yjet dhe planetet.
E njëjta gjë vlen edhe kur ai prek tema të një dimensioni madhor, siç është lëvizja e kontinenteve apo formimi i vullkaneve, duke i trajtuar njëherësh me dramat personale apo familjare të specialistëve të naftës, nën diktaturën komuniste të pasluftës së Dytë Botërore.
A kishin faj inxhinierët e Institutit Gjeologjik të Naftës, që u burgosën si sabotatorë e armiq, pyet Hazbi M. Shehu. Dhe po vetë na e jep të qartë përgjigjen: …Sabotimi ka qenë i pamundur…jo vetëm unë, por edhe gjithë punonjësit e Institutit Gjeologjik të Naftës e dinë mirë se ata nuk ishin armiq. L.Nashi, B.Alia, P.Murataj, Th.Nasto etj ishin komunistë dhe familjet e tyre ishin të lidhura me partinë që në fillim. Më tej ai shton: Unë kam qenë bashkëpunëtor me ta në punë, në terren, në përpunimin e materialit…ata ishin njerëz të kulturuar dhe të edukuar…si mundet një njeri i dashuruar pas profesionit të tij, ta denigrojë, ta poshtërojë zanatin e vet?!
Siç shihet, autori ka arritur t’i mbajë këto nocione krejt të largëta mes tyre në hapësirë dhe në kohë, të lidhura nga filli i përjetimeve të tij për gjithçka që e rrethon, për gjithçka që ka qenë, që është apo që nuk është më. Ky është dhe aspekti që e bën të veçantë librin “Buzëqeshi jetës”, i cili është konceptuar me mjeshtëri nga Profesor Shehu si një rrugëtim, ku lexuesi hap njërën pas tjetrës dyer që e çojnë në botë krejt të ndryshme.
***
Hazbi M.Shehu i përket atij brezi të specialistëve shqiptarë që i bënë “radiografinë” tokës tonë. Ai i përket gjithashtu gjeneratës që u bë pararoja e zhvillimit ekonomik që e nxorri Shqipërinë nga gjendja gjysëm-feudale, gjatë gjysëm së dytë të shekullit të 20-të. Asnjëherë më parë Shqipëria nuk kishte pasur një elitë ekspertësh të përgatitur dhe të aftë për të shfrytëzuar pasuritë e mëdha të nëntokës – naftën, gazin, kromin, bakrin e dhjetra minerale të tjera të dobishme për progresin ekonomik të vendit.
Ky brez specialistësh të rinj e të devotshëm shpërfillën kushtet e vështira në të cilat ndodhej Shqipëria e kohës, ata shkelën mbi privacionet, paragjykimet dhe mungesat e panumërta. Ishte një kohë kur idealizmi sfidonte prapambetjen, ideologjitë dhe paragjykimet. Ngritja graduale e ekonomisë dhe industrisë kombëtare kanë vulën e sakrificave të panumërta të specialistëve si Profesor Shehu, të cilët vunë dijet e tyre në themelin e një epoke që, megjithë kufizimet e mëdha, solli progres e zhvillim ekonomik.
Gjeologjia është një profesion i vështirë për t’u përvetësuar dhe ushtruar. Më mirë se kushdo këtë e di Hazbi M.Shehu. Ai dhe moshatarët e tij bënë që gjeologjia shqiptare t’i japë vendit miliona e miliarda në të ardhura financiare. Nuk e teprojmë nëse themi sot, se gjeologët arritën t’i kthejnë thesaret e nëntokës, në lokomotivën e zhvillimit të vendit. Kontributi i tyre vazhdon të mbetet sot edhe i panjohur, edhe i shpërfillur nga një shoqëri sipërfaqësore, ku peshë ka forma, e jo përmbajtja.
Në sajë të angazhimit të këtyre specialistëve, u bënë të mundura zhvillimi i degëve të tëra të ekonomisë, lindën profesione të reja, u krijuan në hartë qytete të reja dhe u punësuan dhjetra mijë njerëz në të gjithë territorin e vendit. Gjeologjia shqiptare ja ndryshoi një herë e mirë faqen tokës shqiptare, duke transformuar edhe njerëzit, raportet sociale, mënyrën sesi ata e shihnin botën. Shqipëria hyri në hartën botërore të nxjerrjes dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore, e ky ishte shpërblimi më i madh i punës pasionante të gjeologëve, minatorëve e specialistëve të tjerë të nëntokës.
Libri “Buzëqeshi jetës” niset nga këto premisa bazë, për të hedhur disa mesazhe qëndrore, herë të pasqyrimit të natyrës së thellë njerëzore, herë të meditimit filozofik e herë të refleksioneve e kujtimeve që lidhen me ngjarje konkrete. Profesor Shehu ka ditur të jetë analitik pa qenë i tejzgjatur, ka ditur të ngacmojë, pa qenë deklamativ, ka ditur të përçojë ide dhe ndjenja, pa qenë kurrsesi i mërzitshëm e përsëritës në ato që shkruan.
Në rreshtat e librit të tij ndjehet pulsi akoma i gjallë i njeriut të punës, i ekspertit të nëntokës, i shqiptarit që sheh dhe që vuan. Një gjendje melankolie e dëshpërimi përshkon paragrafet dhe faqet ku Profesor Shehu flet për gjendjen e sotme të industrisë minerare. Është në fakt një qëndrim i dyzuar i autorit, teksa analizon të sotmen, duke e vendosur në antitezë therëse me të djeshmen. Vendburime nafte e gazi, miniera e qendra përpunimi të mineraleve, dikur faktorë me peshë vendimtare në ekonominë shqiptare, sot ose heshtin, ose janë kthyer në vatra zemërimi e zhgënjimi për punëtorët që ende vijojnë aty punën. Tjetërsimi dhe rënia në duar amatorësh e spekulantësh, i kanë transformuar ato në vatra të shuara zjarri, që nxijnë në vend që të përhapin dritë dhe ngrohtësi.
Janë braktisur objektet, galeritë dhe puset, janë braktisur gjithashtu edhe njerëzit që i krijuan ato. Ndërrimi i sistemit, në fillim të viteve ’90, i përmbledhur në termin e shumë abuzuar “tranzicion”, ka sjellë largimin e një numri të madh ekspertësh të nëntokës, të cilët e kishin shkelur, vrojtuar dhe studiuar atë në të gjitha anët e vendit. Libri i Profesor Shehut është një elegji e spikatur e kësaj drame shumëvjeçare, gjatë të cilës u bjerrën vlera, u harruan investime shumëvjeçare në përvojë e ekspertizë. Mesazhi i autorit të librit është se këto figura të shkencës shqiptare mund të japin ende edhe sot kontribute, megjithë moshën e thyer dhe flokët e bardha. Sepse sipas tij, shkëputja e “zinxhirit” të brezave, lënia në hije dhe pa punë e të “vjetërve”, madje pa e mbushur as moshën e pensionit, është një sfidë jo vetëm ndaj të shkuarës, por edhe ndaj të ardhmes.
Një minierë mund të vihet në funksion edhe brenda një pesëvjeçari, por për të përgatitur një inxhinier të zotin, duhet më tepër kohë. Autori i librit ve re me keqardhje: “në kohën e tanishme, qeveria shqiptare po e shet nëntokën tonë, burimet e naftës, gazit, kromin dhe bakrin. Drejtuesit e sotëm të shtetit duken të painteresuar për pasuritë kombëtare, të zbuluara e të pazbuluara akoma. Specialistët dhe skencëtarët tanë bredhin nëpër botë dhe ju shërbejnë të huajve”. Më tej ai vazhdon: “Këta që po drejtojnë gjatë këtij tranzicioni, nuk kanë punuar asnjë ditë në sektorin e naftës, prandaj edhe nuk e vlerësojnë si duhet”. “Ata e kanë lëshuar naftën tonë në duart e firmave të huaja, që shohin vetëm interesat e veta. Këto firma punojnë me shifrat dhe hartat tona, marrin prodhimin dhe pastaj nuk paguajnë (shpesh herë) as taksën që i detyron ligji sipas kontratës”. “Unë që po shkruaj kështu, jam autor i zbulimit të disa vendburimeve të naftës dhe të gazit në Marinëz, Bubullimë, Kolonjë, Cakran etj. Unë i kam rënë kryq e tërthorë gjithë territorit tonë. Prandaj më dhemb në shpirt kur shoh të shpërdorohen këto pasuri”, shprehet Profesori.
Specialisti me një karrierë dyzetetetëvjeçare në kërkim të mineraleve të dobishme, mbajtësi i kumtesave shkencore në disa universitete të Europës dhe Amerikës, udhëheqësi i dizertacioneve të dhjetra të rinjve universitarë, i bën thirrje rinisë së sotme të mësojë dhe të mos vrasë kohën kot, sepse vetëm atëhere mund të bëhen të vlefshëm për veten dhe vendin. Vetëm kështu mund ta bëjnë tokën “të flasë”, edhe shkëmbinjtë të hapin portat e thesareve.
Në librin që kemi përpara, shkencëtari i shquar shtron një pyetje që sot u intereson shumë lexuesve në Shqipëri e jashtë saj: A ka perspektiva vendi ynë për shtimin e vendburimeve të naftës e gazit?
Përgjigjen s’mund ta japë kush tjetër, më mirë se vetë Hazbi M.Shehu: Një “Po” e madhe! Ja si shprehet ai:
– Unë e shoh si detyrën time, të shpreh besimin e plotë për perspektivën që na pret. Madje jo vetëm për naftën e gazin. Unë kam punuar gjithmonë në terren dhe siç e kam thënë edhe në shkrime të tjera, në vendin tonë egzistojnë rezervuare të tëra naftëmbajtëse, jo vetëm në brendësi të territorit, por edhe në brezin detar. Po kjo mund të thuhet edhe për mineralet e tjera të dobishme. Duhet vetëm vëmendje, aftësi dhe patriotizëm!
Libri i Hazbi M.Shehut mund të konsiderohet jo vetëm si një manual i vlefshëm për kërkuesit e mineraleve, por edhe si një guidë e vërtetë e patriotizmit dhe dashurisë për Shqipërinë e shqiptarët. Të dyja këto, profesionalizmi dhe përvoja e shkencëtarit dhe në anën tjetër, vetëdija atdhetare e shqiptarit që merakoset për vendin e tij, janë dy shtylla që Profesor Shehu ka ditur t’i ngrejë dhe t’i mbajë në balancë gjatë gjithë librit “Buzëqeshi jetës”.
Në aspektin thjesht profesional, libri i Profesor Shehut sherbën edhe si një doracak i çmuar për ata që punojnë në sektorin e naftës dhe të gazit. Autori e ndan territorin e Shqipërisë në rajone të shkallës së parë, të dytë dhe të tretë, duke adresuar dhjetra zona naftë dhe gaz mbajtëse, si dhe duke saktësuar thellësitë e çpimit në çdo zonë. (fq.140)
Profesor Hazbi M. Shehu është një intelektual që e njeh botën. Ai nuk ka shëtitur si një vizitor i thjeshtë me aparat fotografik dhe hartën turistike ne xhep, por e ka shfrytëzuar kohën dhe hapësirën, për të krijuar imazhin e tij mbi botën, por edhe për të zgjeruar eksperiencat e tij profesionale. Profesor Shehu ka krijuar një perceptim të saktë mbi emigracionin shqiptar, sidomos brezin e shqiptarëve që emigruan pas viteve ’90 në shumë anë të botës. Vlen të përmendet fakti se njohja nga afër e jetës në vende të ndryshme dhe problemet me të cilat ndeshen emigrantët, e kanë nxitur autorin që të japë edhe disa gjykime interesante në libër.
E para gjë që bie në sy, teksa lexon mendimet e profesorit, është se atij nuk ja kanë errësuar aspak gjykimet shkëlqimi i universiteteve ku ka shkelur e ku ka dhënë leksione. As ndriçimet vezulluese të aeroporteve e qyteteve të mëdha ku ka udhëtuar e jetuar, nuk e kanë bërë më indiferent e shpërfillës për vendin e tij, siç ka ndodhur jo rrallë me një numër specialistësh apo edhe njerëzish të thjeshtë, që janë larguar prej vitesh nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë.
Hazbi M. Shehu ndjehet krenar që është shqiptar, kudo që ka jetuar dhe punuar. Ai jeton, mendon dhe merr frymë si shqiptar patriot. Në librin e tij, ai kujton me mall vendlindje, Teknikumin “7 nëntori”, shokët e miqtë e tij, pedagogun e tij të paharruar Gjergj Canco, rrugicat e vjetra të Tiranës, lagjet e gurta të Beratit ku lindi. Gjithçka rri e gjallë në kujtesën e tij, edhe kur ndodhet përpara një hoteli luksoz të Nju Jorkut.
Në një moment, i ndodhur në mesin e luksit e zhurmës së metropolit perëndimor, ai ëndërron: Ah sikur të vinte një pëllumb e të më sillte një ftesë për në Shqipëri! Simboli i zogut që sjell lajme të mira, është parandjenja e një lajmi nga vendlindja. Një lajm i cili një ditë erdhi. Ish-shokët e tij të klasës, i dërguan një ftesë për një takim në Tiranë, me rastin e 30 vjetorit të gjimnazit “Qemal Stafa”. Ajo ftesë ka lënë kujtime të paharruara tek profesor Shehu: “Gati të gjithë shokët e mi të klasës erdhën në atë takim dhe shumica prej tyre na treguan se kishin kryer shkollën e lartë, madje kishin marrë edhe tituj e grada shkencore…Secili prezantoi profesionin e tij. Disa prej tyre i kishin kryer studimet jashtë shtetit…Gjatë atij takimi, ashtu siç e kanë zakon të rinjtë, kujtuam edhe rregullat e forta dhe kërkesat e larta të pedagogëve, të cilët na dukeshin të rrepta, por që, më vonë, e kemi ndjerë se ato rregulla e kërkesa na ndihmuan në jetë, na përgatitën për të përballuar detyrat”.
Duke marrë shkas nga ai takim dhe nga bisedat me ish-bashkëpunëtorë e nxënës të tij, që tashmë kanë marrë rrugët e emigracionit, profesor Shehu e sheh largimin e të rinjve nga Shqipëria, si një plagë të rëndë, madje si një fatkeqësi kombëtare. Këta “gurë të çmuar”, në mjaft raste sigurojnë një të ardhur financiare për veten e tyre, por në të njëjtën kohë, paguajnë një çmim të madh: Ata vuajnë dhe do të vuajnë tërë jetën largimin e tyre nga mëmëdheu, nga njerëzit e tyre të afërt, nga shoqëria e fëmijerisë.
Ndonjëherë ata mblidhen dhe këndojnë këngë shqiptare, por ajo është tashmë një Shqipëri që e kanë braktisur. Në letërsinë tonë të vjetër dhe të re, në letësrinë e shkruar apo në folklorin tonë, nuk mund të gjendet as edhe një këngë e vetme apo poezi, ku të mos ndjehet vaji për kurbetin.
***
Studiuesi i pasionuar Hazbi M. Shehu është autor i shumë shkrimeve me karakter shkencor, në fushën e profesionit të tij – gjeologjisë. Edhe libri i tij i fundit (që urojmë të mos mbetet i tillë), i shtohet fondit të kontributeve të vyera që ai ka dhënë, për njohjen e nëntokës shqiptare. Këto kërkime do të mbeten një investim i çmuar edhe për brezat e ardhshëm, që do të kërkojnë të dinë për pasuritë e vendit të tyre.
Siç e përmendëm edhe në fillim të këtyre shënimeve, libri “Buzëqeshi jetës”, ka një mesazh të madh për ata që e marrin në duar. Ai është një himn për kujtesën, për të mos harruar dhe për t’i dhënë vendin që u takon kontributeve madhështore të brezave të tërë të specialistëve shqiptarë, të mjeshtrave dhe ekspertëve që ditën të vendosin gurët e themelit, në projektin e Shqipërisë moderne.
Përvoja e baballarëve dhe gjyshërve nuk është një relike e bezdisshme që i ka “zënë rrugën” brezave më të rinj. Ajo është një gur kilometrik që na provon sot e gjithë ditën se ky vend mund të bëhet, se jeta shqiptare nuk është vetëm kaos, keqqeverisje, korrupsion, krim dhe pesimizëm. Rinia duhet të kthejë kryet pas, për të parë atë pjesë racionale të punës dhe përpjekjeve të baballarëve e gjyshërve të tyre, të cilët zhdukën analfabetizmin, elektrifikuan vendin, ngritën ekonominë, investuan në shkencë e në art e kulturë, zhdukën sëmundjet dhe epidemitë, duke u përpjekur të shkelin mbi privacionet dhe vështirësitë nga të më ndryshmet. Brezi që sot po tërhiqet në emër të ligjeve të hekurta të natyrës, ka megjithatë shumë për t’i thënë pasardhësve të tij.
Lexoni librin e profesor Hazbi M. Shehut dhe do ta kuptoni më së miri këtë. Sepse siç e thotë proverbi i vjetër latin: E shkruara mbetet, fjalët i merr era!
Skënder Minxhozi
Tiranë, më 9 korrik 2016