• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FLET NGA FRANCA EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN DIELLI DR. VEDAT ELJEZI

May 4, 2020 by dgreca

SHQIPTARËT NË FRANCË DHE MASAT QË MORI SHTETI FRANCEZ NË BETEJËN NDAJ COVID-19/

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dr. Vedat Eljezi mjek anestezist-reanimator në Qëndra Klinike Universitare Clermont Ferrand, Francë, dhënë gazetarit Sokol Paja./

       Në betejën ndaj Covid-19 shteti francez renditet i katërti në botë me të infektuar dhe viktima si shkak i pandemisë botërore. Si Francën po ashtu edhe shumë shtete evropiane, vala e pandemisë i gjeti të përgjumur dhe reagimi me vonesë solli viktima dhe gati sa nuk solli kolaps shëndetësor total. Të dhënat e pasakta nga Kina dhe mosmarrja me seriozitet e valës së shpërthimit të Covid-19 bëri që pasojat në Europë të ishin katastrofike. Sistemi shëndetësor francez sot përballet me mungesa në bazë materiale, në personel shëndetësor, buxhet të pamjaftueshëm për shëndetësinë, mjete mbrojtëse,veshje, maska, pajisje respiratore etj. 

SITUATA NË FRANCË

Mjeku shqiptar, anestezist-reanimator, Doktor Vedat Eljezi tregon se si trajtohen pacientët e prekur me Covid-19 në shtetin francez dhe se nga Franca më në fund vjen një dritë jeshile. Edhe pse ka rritje të numrit të të vdekurve, mund të themi se Franca e ka kaluar tani më pikun e sëmundjes dhe spitalet po zbrazen nga pacientët me Covid-19, çka ka rezultuar me rënie të dukshme të numrit të pacientëve në reaminacion dhe numrit të pacientëve të hospitalizuar. Franca arriti kulmin e pandemisë dhe të krizës shëndetësore më 8 prill. Izolimi ishte dhe është arma më efikase në luftimin e pandemisë. Në valën e parë të madhe të epidemisë së virusit, izolimi ishte një masë e padiskutueshme. Në Francë izolimi si masë, u mor ndoshta pak me vonesë pasi aksush nuk i besoi valës dhe përmasave të jashtëzakonshme të pandemisë. Sipas statistikave, transmetimi i virusit falë izolimit është ulur me 80%. Izolimi në Francë mundësoi shpëtimin e mbi 60 mijë jetëve njerëzore. Me kalimin e ditëve ne po fitojme njohuri të reja mbi virusinCovid-19. Pavarësisht rrethanave te krijuaranga pandemia,  jeta duhet të vazhdojë, njerëzimi nuk mund të rrijë në izolim total për kohë të pacaktuar. Kjo nuk do të thotë që ne duhet ta ulim kujdesin, po përkundrazi, pas daljes nga karantina duhet shtuar vëmëndja dhe kujdesi në nivel akoma më të lartë.

Izolimi në formën e tij strikte nuk duhet të vazhdojë për kohë të gjatë të paktën për tre arsye :

  1. Pasojave ekonomike negative për çdo shtet dhe individ,  
  2. Gjëndjes së rënduar psikologjike te njerëzit, 
  3. Rritjes së dhunës dhe agresivitet në familje. 

Sistemi shëndetësor francez ishte në krizë përpara se të fillonte pandemia botërore. Reduktimi i buxhetit të shtetit për shëndetësinë, reduktimi i personelit shëndetësor, mbyllja e disa reparteve të reanimacionit, mbyllja e disa spitaleve te periferike sollën sistemin shëndetësorë francez në situatë aspak të favorshme. Goditja e fortë nga vala e pandemisë e nxorri këtë krizë akoma më mirë në shesh. Mirëpo sistemi shëndetësor francez nuk ra, falë punës së palodhëshme të personelit mjekësorë i cili diti të adaptohet në mënyrë të përkryer në këtë situatë të jashtëzakonshme. Megjithëse situata me furnizim me materiale dhe barna ka filluar të përmirësohet jemi akoma larg normalizimit të plotë të situatës. Dua të theksoj edhe problematikën e lënies pas dore të mjekimit të sëmundjeve tjera jo covid, sikurse pacientët që janë në listë të pritjes për tu operuar apo për të marrë mjekim tjetër. Kjo është një listë e gjatë e pacientëve që janë në pritje. Mungesa me materiale dhe barna na bëjnë të jetojmë me ankthin e përballimit të mundshëm të situatës nëse do kemi një valë të dytë të pandemisë nga Covid-19 në javët e ardhshme.

SI KANË REZULTUAR PROTOKOLLET E TRAJTIMIT 

Trajtimi i Covid-19 vazhdon të ngelet simptomatik, pra ne mjekojmë vetëm pasojat që jep infeksioni viral. Aktualisht ne nuk kemi një armë të fuqishme për të bërë trajtim etiologjik, pra të godasim virusin në mënyrë direkte. Aktualisht janë mbi 300 studime klinike kërkimi në botë që provojnë trajtime të ndryshme. 

Dua të theksoj se asnjë trajtim deri tani nuk ka dhënë efekte mjekimi të mjaftueshme për tu konsideruar si mjekim bazë dhe referent për Covid-19. 

PREKJA E SHQIPTARËVE QË JETOJNË NË FRANCË NGA COVID-19

Nuk kam informata të sakta mbi numrin e shqipëtarëve qe jetojnë në Francë që janë të prekur nga infeksioni viral Covid-19. Grumbullimi i këtyre të dhënave është i pamundur në një popullësi 65 miljonëshe sikurse është Franca. Në qendrën ku punoj unë nuk ka pasur asnjë rast me pacient shqiptarë që ka pasë nevojë për reanimacion. Kam patur vetëm disa konsultime nga larg, nga shqipëtarë që jetojnë ne vende të ndryshme të Francës dhe që janë të prekur me Covid-19. 

KONTRIBUTI I FEDERATËS SË MJEKËVE SHQIPTARË EUROPIAN

Federata e mjekëve shqiptar europian me qëllim të ardhjes në ndihmë dhe informimit të të gjithë shqiptarëve kudo ato ndodhen ka vendosur një platformë on-line në ueb faqen e saj. Mjekët shqiptarë të shpërndarë kudo në europë ju dalin në ndihmë dhe ju shërbejnë vëllëzërve e motrave tona kudo ata ndodhen. Personalisht si mjek kam zhvilluar deri në 5 kosulta në ditë me bashkëkombas për probleme që lidhen qoftë me pandeminë e Covid-19 qoftë edhe për probleme të natyrave të ndryshme mjekësore. 

MASAT E SHTETIT FRANCEZ DHE PËRDORIMI I MASKAVE

Edhe pse me masa të vonuara, prapë se prapë shteti francez e rimori veten dhe tani mund të themi se situata po shkon drejt normalizimit dhe kjo sidomos falë masava të izolimit. Ruajtja e masave barrierë, e ndër ta përdorimi i gjerë dhe i drejtë i maskës, janë një domosdoshmëri për të shmangur një valë të dytë të pandemisë. Mbajtja e maskave dhe kujdesi rigoroz duhet të na shoqërojë me çdo kusht deri në zhdukjen përfundimtare të pandemisë. Çdo gabim apo neglizhim i këtyre masave ka shumë shansë të rezultojë me ripërhapje të gjerë dhe të shpejtë të infeksionit në kushtet e daljes nga karantina ku edhe kontaktet janë të shtuara. Mbajtja e distancës ndër personale dhe përdorimi i maskës është mjet i pakontestueshëm i parandalimit të përhapjes së virusit. Shteti francez do sigurojë maska për ata që s’kanë mundësi ti blejnë dhe kjo maskë do jetë e detyrueshme për ata që frekuentojnë ambjentet e transportin publik, për nxënësit nga klasa e pestë e lart dhe profesionet që kanë kontakte direkte me fëmijët e vegjël. 

TESTET SEROLOGJIKE NË LIDHJE ME COVID-19 

Gjithçka që na mundëson të kuptojmë më shumë per këtë pandemi është e mirëseardhur. Testet serologjike jane diçka shumë interesante dhe për mendimin tim do kenë rëndesi shumë të madhe për të ndjekur ecurinë pandemisë dhe për të kuptuar gjëra që ne akoma nuk i dijmë. Me lejoni të shpjegoj me dy fjalë çfarë janë realisht dhe për çfarë do të shërbejnë. 

Pas kontaktit me virusin, organizmi jonë fillon të mbrohet duke prodhuar antikorpe që është çelësi i mbrojtes sonë imunitare, diçka e përkryer si sistem. Për tu mbrojtur nga agjentët patogjen, organizmi jonë prodhon antikorpe apo me emër tjetër njihen si imunoglobulina. Imunoglobulinat janë dy llojesh, IgM që zhvillohen të parat në fazën akute dhe IgG që zhvillohen më vonë. Këto antikorpe do të na mundësojnë të kuptojmë kush ka qenë në kontakt me virusin (i sëmurë apo asimptomatik); si do evoluojë imuniteti i një të prekuri në kohë; a do zhduken këto imunoglobulina pas disa muajsh gjëqë mund të mundësojë kthimin e infeksionit. Duhen afërsisht 15 ditë që titri i imunoglobulinave të jetë i mjaftueshëm që testi të jetë plotësisht i besueshëm. Testi serologjik nuk e zëvendëson aspak RT-PCR që ka për qëllim zbulimin e gjenomit të virusit, pra prezencen e virusit te nje person simptomatik apo asimptomatik. Ne këtë fazë prodhimi i imunglobulinave ndoshta akoma nuk ka filluar. Të dy këto analiza janë komplementare të njëra tjetrës. Testet stereologjike janë diçka fantastike për të vëzhguar ecurinë e pacientit 15 ditë pasi që është prekur me virusin Covid-19.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BASHKATDHETARËT NË SHBA

Të dashur bashkatdhetarë, njeriu është në vazhdimësi në luftë me sëmundjet. Ne nuk duhet të jetojmë me frikën dhe panikun e sëmundjeve por duhet të kujdesemi dhe të jemi të vëmendshëm ti largojmë ato sa më shumë. Mesazhi im është:“mbrojeni vetëveten dhe të tjerët nga Covid-19 duke respektuar në mënyre strikte masat kundër përhapjes së virusit dhe kthehuni jetës normale. Kontribuoni sa më shumë në ngritjen tuaj intelektuale dhe profesionale, jepni shembullin më të mirë të një shqipëtari të vlefshëm dhe bëni çmos për të ndihmuar bërjen e vendit tonë një shtet te fuqishëm në çdo aspekt. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Vedat Eljezi, France, Sokol Paja

SUKSESI I GJERMANISË NË LUFTËN NDAJ COVID-19. ROLI I MJEKËVE SHQIPTARË

May 3, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e bashkëshortëve mjekë Dr. Learta Pervizaj-Oruqaj dhe Dr. Gani Oruqaj, të cilët punojnë në Giessen Gjermani, dhënë gazetarit Sokol Paja./

Gjermania është shteti evropian më i suksesshëm në luftën ndaj covid-19. Masa e menjëhershme të qeverisë gjermane dhanë sukses në ngadalësimin e përhapjes së COVID-19, në mbrojtjen e popullatës së rrezikuar, rritjes së kapaciteteve mjekësore dhe uljen e numrit të vdekjeve në përgjithësi. Masat e ndërmarra në fillim ishin strikte, mirëpo më të lehta se në vendet tjera. Shoqërimi maksimal me jo më shumë se 2 persona, përveç nëse janë të së njëjtës familje, mbajtja e distancës prej 1,5m, mbajtja e higjienës personale, dezinfektimi në supermarkete, mbajtja e maskave në institucione shëndetësore, ndalimi i vizitave për të moshuarit, ndalimi i vizitave familjare tek të sëmurët në klinika përveç përjashtimeve të caktuara te fëmijët ose personat me nevoja të veçanta sipas bashkëshortëve mjekë Dr. Learta Pervizaj-Oruqaj dhe Dr. Gani Oruqaj dha një sukses të madh. Shoqata e mjekëve shqiptarë në Gjermani ka marrë një nismë që nga fillimi i pandemisë, si dhe ka mbledhur gjithë mjekët shqiptarë në Gjermani nën një kulm për t´u vënë në shërbim të pacientëve shqiptarë përmes fushatës sonë në Facebook, krijimit të grupeve të punës dhe mjekëve në dispozicion për landet në Gjermani për konsultime rreth COVID-19. Personat të cilët kanë shqetësime rreth simptomave, mund të kontaktojnë mjekët në dispozicion të paraqitur në linkun e shoqatës në Facebook.

SITUATA NË GJERMANI

Aktualisht në Gjermani gjendja është në përmirësim e sipër. Numri i përgjithshëm i të infektuarve është 164478, numri i të sëmurve kritik është 2105, ndërsa i të shëruarve  129000, dmth. mbi 78% janë shëruar nga COVID-19, ndërkaq vdekshmëria ka një trend të vogël të rritjes rreth 4 %, ashtu edhe si pritej nga ekspertët e Institutit Robert Koch, por është shumë më e ultë në krahasim me vendet tjera të prekura. Numri i personave të shëndoshë që infektohen nga një person i infektuar është nën 1, i cili ishte edhe qëllimi i Institutit Robert Koch, pasi që dihet se një person i infektuar mund të infektojë 2-3 persona të tjerë. 

SUKSESI I MODELIT GJERMAN

Testimi i popullatës është shumë me rëndësi. Gjermania ka testuar deri tani mbi 2,5 milion, mbi 30000/1 milion banor, pacientë me simptoma apo persona të kontaktit. Ekzistojnë disa faktorë për suksesin e Gjermanisë, numër 1, mendoj që masat parandaluese ishin në kohë dhe vetëdijësimi i qytetarëve për të respektuar këto masa ishte në nivelin e duhur. Arsyeja numer 2, numri i testimeve është bërë tek njerëzit e grupmoshave më të reja, mosha mesatare rreth 49 vjeç, dhe kështu është shkëputur zinxhiri i përhapjes së infeksionit tek grupmoshat e rrezikut, si psh. personat me sëmundje kronike, sëmundje kardiovaskulare apo respiratore, sëmundje me imunitet të dobësuar, diabet, adipizitet apo me kimioterapi tek pacientet me tumore. Dhe numër 3, faktori kyç gjithashtu është përgatitja e sistemit shëndetësor duke rritur kapacitetet e veta, angazhimi i mjekësisë primare dmth. mjekësisë familjare përmes testimit të pacientëve me simptoma dhe karantimit të tyre pastaj, si dhe rritjes së kapaciteteve në kujdesin intenziv duke anuluar operacionet elektive, dhe duke ofruar personel shëndetësor shtesë dhe material shpenzues gjatë pandemisë.  

MASAT QË NDËRMORI SHTETI GJERMAN

Masat preventive të ndërmarra nga shteti gjerman kanë dhënë sukses në ngadalësimin e përhapjes së COVID-19, në mbrojtjen e popullatës së rrezikuar, rritjes së kapaciteteve mjekësore dhe uljen e numrit të vdekjeve në përgjithësi. Masat e ndërmarra në fillim ishin strikte, mirëpo më të lehta se në vendet tjera. Shoqërimi maksimal me jo më shumë se 2 persona, përveç nëse janë të së njëjtës familje, mbajtja e distancës prej 1,5m, mbajtja e higjienës personale, dezinfektimi në supermarkete, mbajtja e maskave në institucione shëndetësore, ndalimi i vizitave për të moshuarit, ndalimi i vizitave familjare tek të sëmurët në klinika përveç përjashtimeve të caktuara te fëmijët ose personat me nevoja të veçanta. 

SHQIPTARËT NË GJERMANI

Shoqata e mjekëve shqiptarë në Gjermani ka marrë një nismë që nga fillimi i pandemisë, si dhe ka mbledhur gjithë mjekët shqiptarë në Gjermani nën një kulm për t´u vënë në shërbim të pacientëve shqiptarë përmes fushatës sonë në Facebook, krijimit të grupeve të punës dhe mjekëve në dispozicion për landet në Gjermani për konsultime rreth COVID-19. Personat të cilët kanë shqetësime rreth simptomave, mund të kontaktojnë mjekët në dispozicion të paraqitur në linkun e shoqatës në Facebook. Unë kam pasur disa pacientë në konsultim, të cilët i kemi ndihmuar për diagnostifikim apo udhëzime të mëtejshme, në lidhje me masat që duhet marrur për pacientet në fjalë.

KTHIMI I GJERMANISË NË NORMALITET

Masat parandaluese kanë filluar për momentin tani të zbuten, mirëpo mbeten akoma në fuqi masat, si shoqërimi maksimal me 2 persona, përveç nëse janë të së njëjtës familje, mbajta e distancës prej 1,5 m, si dhe tani nga java e kaluar mbajtja e maskës së thjeshtë në vendet publike. Dyqanet deri në 800 m2 janë të hapura, përpos hoteleve dhe restauranteve të cilat do të mbeten të mbyllura edhe për një kohë të pacaktuar. Rreth hapjes së shkollave ekziston një diskutim akoma se te cilat grupmosha duhet filluar mësimi, grupi i parë mendon që higjiena të nxënësit e shkollës së mesme do të ishte më e mirë dhe të fillohet me ato klasa njëherë, mirëpo nuk ka pajtueshmëri për momentin në mes të landeve dhe do të vendoset ashtu që secili land të marrë vendimin ndaras.  Pushimet dhe udhëtimet jashtë shtetit me gjasë janë të ndaluara deri në qershor ose korrik. Ndërsa, organizimet me numër të madh të pjesëmarrësve do të mbeten të ndaluara deri në verë. Nëse të gjithë bashkëpunojmë, mund të jetojmë të lirë, të vazhdojmë punën pa masa të rrepta dhe orë policore, dhe gjithashtu do të mund t´i themi Good bye COVID-19. 

E ARDHMJA E GJERMANISË

Kurba e të infektuarve tani është në rënie, ka gjithnjë e më pak raste të reja me COVID-19, shkaqet e vdekjes janë sigurisht pneumonia virale me shok septik, koinfeksion bakterial apo dhe distres akut respirator (ARDS), zakonisht te pacientët me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive apo imunitare. Fundi i pandemisë është i panjohur edhe për ekspertët në Gjermani, do të shpresohet në zbulimin e shpejtë të vaksinës, apo imunizim të personave përmes kalimit të sëmundjes. Trendi i paraqitjes së rasteve parashikohet të vazhdojë dhe për një kohë, apo në rastin më të keq do të ketë një valë tjetër të pandemisë, gjatë sezonës së dimrit. Vaksina përveç që duhet të jetë efikase dhe e sigurtë, duhet testuar gjithashtu që të kalojë dhe testin e imunigjenitetit dhe të krijimit të antitrupave te personat e vaksinuar. Dhe këto tre faza testuese të vaksinës mund të marrin kohë 6-12 muaj. Përderisa, terapi specifike për virusin nuk ka ende, por vetëm medikamente në testim për të ndaluar futjen e virusit në qelizat alveolare, apo terapi antivirale dhe antiinflamatore, duke bllokuar interleukine të caktuara, si dhe studimi me Imunoglobuline nga personat të cilat kaluar sëmundjen. Remdesivir, nje bër i inhibimit të RNA virale ka treguar sukses në prognozën e sëmundjes.  Suksesi i disa tjerave medikamente në shumë studime është kundërthënës. Prandaj mbetet të shihet në grupe më të medha të studimeve për suksesin e tyre. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BASHKATDHETARËT NË USA

Mesazhi jone për lexuesit është, që të kenë durim në kalimin e pandemisë. Kujdes duhet shtuar distancimit fizik, prevenimit, higjienës personale, të shmangim kontaktet me personat e grupit të rrezikut, dhe vetëm kështu do të pengojme eskalimin e situatës dhe vetëizolimit tonë, pasi që institucionet e shtetit do të jenë të detyruara të marrin masa më të rënda, në rast të rritjes së numrit të të infektuarve, të cilat do të kishin vështirësuar edhe mëtej jetën e qytetarëve. Rregullat strikte preventive duhet të mbeten nëpër institucione shëndetësore si psh. klinika, shtëpi për përkujdesje të të moshuarve, si dhe duhet bërë rivlerësim i gjëndjes në mënyrë permanente. Institucionet tjera si shkollat, kopshtet e femijëve duhet t´i kthehen në mënyrë graduale normalitetit duke bërë rivlerësime të situatës kohë pas kohe.

KUSH JANË ÇIFTI I BASHKËSHORTËVE MJEKË ORUQAJ

Dr. Laerta Pervezaj Oruqaj.

Dr.sc. Learta Pervizaj-Oruqaj, Ka mbaruar doktoraturën në Justus Liebig Universität, Gießen në 2016. Masterin në Analiza bio-farmaceutike në Universitetin e shkencave të aplikueshme në Idstein Gjermani, dhe studimet bazë në Farmaci në Universitetin e Marmaras në Stamboll. Punon aktualisht si Postdoc në kërkime shkencore të distresit akut respirator-ARDS, të shkaktuar nga virusi Influenza. Instituti i kërkimeve shkencore për semundje infektive pulmonale, Universiteti Justus Liebig, Giessen.  Dr. Gani Oruqaj, MD, PhD është doktor i shkencave mjekësore, i cili ka mbaruar doktoraturën – PhD për sëmundjet e mushkërive përkatësisht fibrozën pulmonale në Justus Liebig Universität Gießen më 2016, është i specializuar në Biologji Molekulare dhe Mjekësi e Mushkërive (Molecular Biology and Medicine of the Lung Graduate Program), specialist i mjekësisë interne dhe urgjente, punon në Klinikën Universitare të Giessen, në pneumologji dhe kujdesin intenziv internistik te pacientët me Covid-19. 

Filed Under: Featured Tagged With: Mjeket shqiptar ne Gjermani, Sokol Paja

RIHAPJA E ITALISË, ENIGMA DHE PRITSHMËRITË NË BETEJËN NDAJ COVID-19

May 2, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dr. Julian Balla, mjek në Istituto Clinico Citta di Brescia, Itali, dhënë gazetarit Sokol Paja.


Pas javëve të tmerrit duket se Italia po futet në rrugën e kthesës edhe pse të ngadaltë. Treguesit në shifra duket se u kanë dhënë të drejtën autoriteteve që të ndërmarrin hapat për rihapjen graduale të ekonomisë dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve, lehtësim ky që do të shoqërohet me shumë të panjohura si vetë zhvillimet dhe specifikat e Covid-19. Situata në Itali sipas Julian Ballës, mjek në Istituto Clinico Citta di Brescia, Itali, ka rreth një javë që ka filluar të përmirësohet. Kurba ka filluar zbritjen dhe ky trend po konsolidohet dita-ditës. Jo me ritme aq të shpejta sa shpresonim, por po fillon të ulet trysnia mbi spitalet çka sipas doktor Ballës ëhstë një tregues i qartë i ktheësës. Ulja e numrit të infeksionit dhe e vdekshmërisë si dhe e ulja e numrit të pacientëve në terapi intensive jep më në fund dritë jeshile nga vendi më i goditur në Evropë.
SITUATA NË ITALI
Me qëllim minimizimin e pasojave dhe menaxhimin e rasteve në betejën ndaj Covid-19, qeveria italiane kishte ka rreth 6 javë që kishte mbyllur të gjitha aktivitetet që nuk janë jetësore për ekonominë, dhe kjo në rang kombëtar. Ndërsa sipas Julian Ballës, mjek në Istituto Clinico Citta di Brescia, Itali, krahas tjerash është bërë me detyrim perdorimi i maskave në rrugë dhe në ambiente publike si dhe mbajtja e distancës sociale me detyrim. Shkaqet e vdekjes së pacientëve në spitalet italiane sipas doktor Ballës kanë qenë kryesisht dy: insufficience respiratore, dhe tromboemboli polmonare. Të dyja këto patologji shkaktohen nga Covid-19. Mosha mesatare e viktimave është 81 vjeç dhe një raport meshkuj-femra 3:1. Në lidhje me të ardhmen e shtetit italian pas shkatërrimit prej Covid-19, Julian Balla, mjek në Istituto Clinico Citta di Brescia, Itali, shprehet se të bësh parashikime për vijëmësinë e pandemisë është shumë e vështirë. Të dhënat që vijnë nga Kina nuk janë të besueshme ndaj është e pamundur të japësh një panoramë të qartë. Këtë e them me keqardhje. Shpresojmë mos të kemi një valë të dytë në vjeshtë sipas doktor Ballës. Rihapja e aktiviteteve në Itali do bëhet në mënyrë graduale duke filluar nga data 4 maj. Të flasim për normalitet duket si herezi sepse është e mbushur me plot të panjohura e ardhmja në rang global. Normaliteti do arrihet atëherë kur të kemi një vaksinë efikase kundër virusit, shpjegoi për gazetën Dielli, Julian Balla, mjek në Istituto Clinico Citta di Brescia, Itali.
SHQIPTARËT NË BRESCIA

Normalisht që edhe shqiptarët janë përfshirë nga vala e koronavirusit. Nuk ka asnjë statistike të saktë për etnite e viktimave apo të të infektuarve por në dijeninë time janë diku rreth 15 viktima me kombësi shqiptare. Në spitalin ku punoj unë kanë qenë shtruar 6 shqiptarë, një prej tyre infermier, por që fatmirësisht janë shëruar informoi për gazetën Dielli, Julian Balla, mjek në Istituto Clinico Citta di Brescia, Itali. 
MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT
Në këtë kohë pandemie botërore, me qëllim menaxhimin e fitores ndaj virusit vdekjeprurës, është shumë e rëndësishme mbajtja e një protokolli strikt sigurie dhe ndjekja e disa këshillave rigoroze nga specialistët. Këshillat e Julian Ballës, mjek në Istituto Clinico Citta di Brescia, Itali, janë të thjeshta dhe aspak të jashtëzakonshme sipas tij: ndiqni udhëzimet e autoriteteve mjekësore. Përdorni maska, ruani distancat e sigurisë (qëndroni 1m larg personave). Dhe ju lutem mos dëgjoni këshillat e jo eksperteve apo lajmet në internet. Për çdo dyshim kontakto me mjekun.

Filed Under: Histori Tagged With: Interviste, Itali, Sokol Paja

ITALIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE SITUATA E SHQIPTARËVE NË BARI

May 1, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Dritan Hila, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), dhënë gazetarit Sokol Paja./

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), Italia po tregon hapa të rëndësishëm pozitiv në luftën ndaj covid-19. Ulja e numrit të infeksionit dhe e vdekshmërisë si dhe e ulja e numrit të pacientëve në Terapi Intensive ka bërë që shteti italian të fillojë në ditët në vazhdim rihapjen e ekonomisë dhe sektorëve jetik për zhvillimin e qendrueshmërinë e vendit. Sipas doktor Hilës, kjo pandemi dëmtoi edhe shumë shqiptarë të cilët nuk e fituan dot betejën ndaj covid-19. Rihapja ekonomike dhe leja për aktivitete të rëndësishme tregtie në fillim të muajit maj duket se do i japë një tjetër frymë Italisë. Sipas doktor Dritan Hilës, kujdesshmëria më e lartë në kontaktet inter-personale, mbajtja e mjeteve mbrojtëse (maskat) dhe ngrohja e motit do të bëjë që virusi të vijë drejt uljes së intensitetit të tij dhe bota do ta fitojë këtë betejë të tmerrshme.

SITUATA NË SHTETIN ITALIAN 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), aktualisht situata në shtetin italian paraqitet nën kontroll, ku kemi ulje të numrit të infeksionit nga virusi Covid-19 dhe ulje të vdekshmërisë. Një lajm i rëndësishëm për sistemin shëndetësor në Itali ëshë dhe ulja e numrit të pacientëve në Terapi Intensive. Në kuadër të menaxhimit të situatës që ka krijuar pandemia botërore covid-19, masa më e rëndësishme sipas doktor Hilës ishte izolimi social. Nga data10 mars 2020 e deri më tani i gjithë vendi është i izoluar si e vetmja rrugë për mbajtjen nën kontroll të përhapjes së virusit. Njerëzit mund të shkojnë nga një vend në tjetrin për arësye shëndetësore ose për motive pune e shoqëruar nga një autocertifikatë.  Aktivitetet që janë lejuar në këtë kohë izolimi janë supermarketet, dyqanet e ushqimit, dhe farmacitë. 

SHQIPTARËT NË ITALI 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), aktualisht situata në shtetin italian e bashkatdhetarëve shqiptarë ka qenë e rëndë. Si e gjithë popullata që jeton në Itali dhe shqiptarët janë infektuar nga virusi Covid-19 dhe për fat të keq një pjesë ka humbur dhe jetën. Aktualisht nuk kemi një numër të shqiptarëve të infektuar. Në raport me ditët e rënduara sipas doktor Hilës, fatmirësisht kurba e të infektuarve është në ulje. Në rajonin e Pulja-s (Puglia) ku unë jetoj ka një rënie të theksuar të rasteve të reja por duhet thënë që në përgjithësi jugu i Italisë ka qenë më pak i prekur nga virusi.

SI PARAQITET E ARDHMJA 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), e ardhmja duket premtuese dhe se shkaqet e vdekshmërisë që lidhen me virusin covid-19 kanë qenë mbi të gjitha kryesisht pulmonare. Pacientët kanë humbur jetën kryesisht për insuficiencë respiratore dhe insuficiencë multi-organore. Pandemia është në rënie të vazhdueshme dhe ky përbën një lajm të mirë për popullatën. Parashikimet jane të vështira për tu bërë në kohë të gjatë, por mendoj që kujdesshmëria më e lartë në kontaktet inter-personale, mbajtja e mjeteve mbrojtëse (maskat) dhe mbase ngrohja e motit do të bëjë që virusi të vijë drejt uljes së intensitetit të tij. Siç dhe e thashë dhe më parë situata tashmë është nën kontroll dhe izolimi social ka dhënë rezultat të dukshëm në uljen e infeksionit nga virusi covid-19. Në Itali me datë 04/05/2020 do të rifillojë hapja graduale me përjashtim të disa kategorive si lokaleve, restoranteve, kinemave, palestrave etj që do të rihapen në një moment të dytë. Kjo fazë lirimi të masave shtrënguese do jetë e shoqëruar me vazhdim të masave personale  si psh mbajtja e maskës e cila është kthyer e detyrueshme për çdo qytetar në ambiente të përbashkëta.

KËSHILLA PËR LEXUESIT E DIELLIT 

Sipas Dritan Hilës, mjek kardiokirurg në Spitalin Anthea të grupit Villa Maria (GVM) Bari (Itali), në këtë moment të vështirë të përballjes me covid-19, këshilla kryesore është ajo e izolimit social, sidomos në moshat mbi 50 vjeç, dhe jo vetëm më të huajt por dhe me njerëzit e rrethit familjar pasi shpeshherë ky virus nuk tregon shenja të sëmundjes dhe kështu i heshtur mund të kalojë nëpër individë pa u kuptuar (rastet asimptomatike). Është e domosdoshme sipas doktor Hilës, në mënyrë që pandemia të kalojë pa pasoja, duhet të ruajmë largësinë nga njëri-tjetri (të pakten 1.5 m). Shumë me rëndësi është përdorimi i maskës në ambientet e përbashkëta pasi është vënë re që përdorimi i maskës e ulën ndjeshëm mundësinë e infeksionit nga ky virus vdekjeprurës. Po kaq rëndësi sipas doktor Hilës ka dhe larja e shpeshtë e duarve sidomos mbasi kemi prekur objekte që ndodhen në ambiente të përbashkëta me njerëz të cilët nuk janë rrethi ynë i ngushtë familjar. Duhet të evitohet prekja me duar e fytyrës e mbi të gjitha të pjeseve të mukozës (goje, sy) pa larë së pari duart. 

Dr. Dritan Hila gjate nje operacioni…

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Dritan Hila, Interviste, Sokol Paja

BETEJA E ITALIANËVE KUNDËR SARS-COV-2 NË LOMBARDI DHE ROLI I SHQIPTARËVE

April 28, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Albert Trocit, mjek kirurg në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali, dhënë gazetarit Sokol Paja. /

Kirurgu Albert Troci një mjek shqiptar që punon e jeton prej dy dekadash në Itali, rrëfen me detaje dhimbjen e vuajtjen në betejën që po zhvillon sot shteti Italian për të menaxhuar pasojat e tmerrshme nga Covid-19. Si drejtues i shëndetësisë në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali, doktor Alberti nuk lë pa përmendur edhe xhestin human të shqiptarëve që kanë ofruar shërbime restoranti e picerie për të gjithë punonjësit e shëndetësisë në Milano duke dhënë një kontribut human për ekipet e palodhura të shëndetësisë, në një betejë që goditi pa mëshirë sidomos Italinë. Lombardia krahinë e veriut të Italisë ishte i pari vend perëndimor liberal që u godit nga pandemia botërore.

SHPËRTHIMI I VIRUSIT NË LOMBARDI

Doktor Alberti tregon se në fillim shpërthimi i virusit i gjeti të papërgatitur italianët edhe pse nga Kina po arrinin informacione rreth këtij virusi vdekjeprurës. Numri i viktimave që në këtë pikë të pandemisë  ka arritur shifrën e tmerrshme 26.644,  është nga ndër më të lartët në botë pas SHBA-së. Për fat dhe si rrjedhojë e masave të marra,  në momentin që po shkruaj, kemi një trend në ulje të pacientëve të ri që preken nga virusi sars-cov-2 dhe tensioni në spital është ulur shumë. Sipas Doktor Albertit, jemi akoma me masa shtrënguese të lëvizjes së qytetarëve dhe po përgatitemi për fazën e 2-të falë indikatorëve pozitivë që po vërejmë ditët e fundit. 

MASAT E MARRA NGA QEVERIA

Nga data 8 mars e këtij viti, na shpjegon doktor Albert Troci, nga shteti italian u morën masa shtrënguese me mbylljen e të gjithë aktiviteve jo esenciale si bllokimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve, pezullimi i aktiviteteve didaktike, të ceremonive, spektakleve dhe kompeticionet sportive. Ky lockdown është ndër më të zgjaturit në kohë pas 77 ditëve të Wuhan-it në Kinë. Këto masa, sipas doktor Trocit pas kaq shumë kohe po shtypin egër indin social dhe ekonomik të vendit, por ishin të domosdoshme për të evitur skenarë edhe më tragjikë. Në spitalin ku punoj, rrëfen doktor Alberti, që nga identifikimi i rastit të parë me Covid-19 nisi riorganizimi i shtretërve. U përcaktua korridori që ne i quajme ”biokontenimento” se si të trajtohen këta pacientë nga momenti i arritjes në spital e deri tek trasferimi sipas nevojës në reanimacion. Jeta jonë si specialistë rrëfen doktor Alberti ndryshoi totalisht si brenda dhe jashtë spitalit. Unë  si shumë kolegë me specialitete të tjera, nga Kirurg, u shëndërrova në mjek që trajton pacientë me COVID-19. 

SHQIPTARËT NË LOMBARDI

Ashtu sikurse dihet tashmë, Italia ka një ndër komunitetet shqiptare me numrin më të lartë jashtë atdheut. Të gjithë shqiptarët sipas doktor Trocit, ju janë përgjigjur në mënyrë ekselente masave dhe urdhrave ekzekutivë të shtetit italian. Në luftë me pandeminë botërore shqiptarët në Milano sipas doktor Albertit u treguan shumë fisnikë. Në shumë raste shumë shqiptarë që kanë aktivitete shërbimi si restorante dhe piceri u kanë ofruar ndihmë punonjësve të spitaleve në shenjë falenderimi për punën e bërë në betejën kundër Covid-19. Një xhest shumë human që është duartrokitur dhe ka lënë një shije të jashtëzakonshme te qytetarët italianë në Milano. Një tjetër problem sipas doktor Albertit janë pezullimi i fluturimeve dhe mbyllja e kufijve. Ka patur edhe plot shqiptare që në momentin që u ndaluan udhëtimet, të cilët ndodheshin në Itali për motive të tjera, kanë mbetur fatkeqësisht të bllokuar dhe po presin që të kthehen në Shqipëri.  

KURBA E TË INFEKTUARVE NË LOMBARDI

Po të analizojmë kurbën e Italisë, sipas doktor Albert Trocit, tani jemi në ulje të bindshme të të prekurve të ri dhe R0 (R me zero) që është indeksi i infeksionit të coronavirusit është ulur nën shifrën <1 dhe ndodhet ndërmjet 0.2 dhe 0.5. Ky indikator bashkë me indikatorë të tjerë si numri i pacientëve të shtruar në spitale dhe atyre që kanë nevojë për terapi intensive (thembra e Akilit e shumë sistemeve shëndetësore në botë)  po ulet gradualisht. Indikatori që do të ulte më vonë se të tjerët është numri i vdekjeve ditore i cili në ditët e fundit edhe pse me shifra të larta po jep një lloj frymëmarrjeje. Mbetet akoma e lartë përqindja e letalitetit (d.m.th. raporti ndërmjet vdekjeve dhe rasteve pozitive) që është akoma mbi 13%.  Personat aktualisht pozitivë janë 106.103, të shëruarit 64.928. Nga personat e infektuar kemi 21.372 të shtruar në spital me simptoma dhe 82.722 ndodhen në vetëizolim në shtëpitë e tyre.

RIHAPJA DHE RIMËKËMBJA E EKONOMISË

Përgatitja për kthimin në jetë normale në Lombardi sipas doktor Albert Trocit ka hasur shumë vështirësi për të cilën qeveria ka krijuar task forcë “ad hoc”.  Jeta jonë, sipas doktor Albertit, ka qenë në këtë periudhë e pezulluar si në limbon e famshme të Dante Alighierit. Këtë radhë në vend të Virgilios ndodhet Kryeministri Giuseppe Conte i cili po mundohet të nxjerrë vendin nga ky rreth. Plani i pasqyruar është ndarë në faza. Me datë 4 maj do të nisë faza e dytë ku është e detyrueshme mbajta e maskave sa herë që ndodheni në ambjente të mbyllura ose në prezencë të personave të tjerë. Mund të vizitosh të afërmit por nuk lejohet kryerja e festave publike dhe private. Lejohet aktiviteti fizik. Më e rëndësishmja është se do të rihapet shumica e industrisë së rëndë dhe të lehtë.  Distancimi social do të mbetet pika kyce në të gjitha fazat. Mjetet publike do të kenë sinjale për distancimin dhe mënyrën e uljes duke e ulur kapacitetin për të ruajtur distancimin social. Më 18 maj, nqs, nuk do të ketë ringritje të kurbës do të ketë lehtësira të tjera masash. Do vërehet me shumë kujdes sjellja e kurbës dhe nëse në disa zona do të regjistrohet rritje të numrit do të krijohen mini zona të kuqe. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT

Në këtë luftë botërore që nuk e zgjodhëm ne, e cila na u prezantua në jetën tonë si një mik i padëshiruar, kundër këtij armiku të padukshëm dhe tinzar, sipas doktorit  Albert Troci  nuk duhet të ulim asnjëherë nivelin e kujdesit deri në fitoren përfundimtare. Është sëmundje reale dhe jo fantazi apo çmeduri kolektive. Kur shikon pacientë edhe në moshe jo të thyer që vdesin në vetmi pa praninë e të afërmeve dhe që përcillen në banesën e fundit në një qetësi shurdhuese të thyhet  zemra. Shpresoj që ky hall botëror të nxjerrë njerëz më të mirë. Të kuptojmë se kush janë idealet e rëndësishme që duhet të ndjekim  në jetë, deklaroi për gazetën Dielli, Albert Troci, mjek kirurg në spitalin “Luigi Sacco” në Milano, Itali. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dr.Albert Troci, Interviste, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës zhvilloi mbledhjen përgatitore të Kuvendit të 25 Prillit 2026
  • “Thinking of You”
  • Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike
  • NGA AMERIKA ME SHPIRT E ZEMËR PËR EPOPENË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
  • Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë
  • Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
  • Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?
  • Një monument letrar për viktimat e diktaturës…
  • Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar
  • Muhamet Kërpaçi, ambasadori i artit shqiptar
  • 𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢
  • Mësuesit çamë, ata që u sakrifikuan me dashuri për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe
  • Në ditëlindjen e 94 të shkrimtarit Naum Prifti
  • E ARDHMJA ESHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE
  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT