• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Saimir Maloku, një rrëfim për tmerrin dhe ferrin komunist

May 21, 2020 by dgreca

Nga Sokol PAJA/*

 “Të arrestohet menjëherë. Është armik i poshtër”. Ky shënim i Mehmet Shehut në kartelën personale në degën e Sigurimit të Shtetit, do ti ndryshonte jetën përgjithmonë tragjikisht Saimir Malokut dhe familjes së tij. Nga ky shënim i kryeministrit komunist do të fillonte një kalvar vuajtjesh e persekutimi i pashëmbullt.

Saimir Maloku sot përbën një dëshmi të gjallë të vuajtjes dhe mbijetesës në ferrin komunist shqiptar. Maloku me ekzistencën dhe tregimin e ferrit të tij, përpiqet të na rrëfejë e dëshmojë  mizorinë e komunizmit, pashpirthmërinë, ligësinë, çmendurinë, paligjshmërinë e sistemit, torturën e dhunën dhe mbi të gjitha ashpërsinë e egersinë deri në kafshëri të sistemit komuniste që tmerroi shqiptarët për 50 vjet. Saimir Maloku u akuzua prej regjimit komunist si spiun i 17 vendeve kapitaliste dhe agjent i anglezëve në veçanti. Me profesion inxhinjer elektronik në ushtri, Saimir Maloku u përndoq, u hetua, u shantazhua nga 120 spiunë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe 9 hetues të regjimit. Saimir Maloku vuajti 9 vjet në burgjet më të egra dhe më të frikshme të diktaturës. Përveç dënimit, Maloku familjarisht vuajti po kaq vite survejim, gjurmim, përgjime dhe inskenime nga Sigurimi i Shtetit, bisha e tmerrshme që mbante në këmbë diktaturën staliniste nëpërmjet frikës, panikut, përndjekjes, dhunës, arrestimeve dhe tmerrit që ajo shkaktonte ngado.  Pas gjyqit të fals, Saimir Maloku u mbajt për 200 ditë nën tokë, nën ujë e baltë i fshehur prej komunistëve, në një kohë që familja e kërkonte në të gjitha burgjet e Shqipërisë. 

Fatin e keq të Saimir Malokut e patën shumë shqiptarë të cilët edhe për 1 fjalë goje të pathënë dhe dy dëshmitare të sajuar, dergjeshin burgjeve e kampeve të punës me 10 vite në birucat e frikshme të regjimit diktatorial.  Saimir Maloku u burgos për 9 vite nga ish-Sigurimi i Shtetit nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës për shkak të shpikjes së një pajisjeje Kanoçe që shërbente si antenë televizioni për të parë stacione të huaja për të cilat komunizmi i ndalonte rreptësisht. Në komunizëm duhej parë dhe ndjekur vetëm ato që thoshte partia e punës. Çdo tentativë tjetër të dërgonte direkt në burg. Nëse nuk i bindeshe partisë, ishe armiku më i poshtër i klasës dhe pushtetit, partisë e popullit. Komunizmi kontrollonte gjithçka e çdo gjë deri edhe te shijet e njerëzve. Gjithçka që nuk mirtohej nga partia-shtet shpallej e ndaluar, e rrezikshme dhe e dënueshme. 

Pjesën kryesore të dënimit politik Saimiri e kaloi në kampin politik të minierës së Spaçit dhe më pas të Burrelit e Ballshit. Drama e Saimir Malokut nuk mbaron këtu: për të njëjtin “krim” i arrestojnë dhe të atin Reshit Maloku por Sigurimi i Shtetit e anulloi dënimin me burg për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore pasi Reshiti ishte i paralizuar dhe në pamundësi lëvizje. Absurdi në familjen Maloku qëndron në faktin se u terrerizua e gjithë familja dhe se i ati edhe pse kishte 2 vite që kishte vdekur, prapë se prapë ndiqej nga Sigurimi i regjimit komunist me dosje speciale.  Komunizmi u shëndërrua në një një mallkim që të ndiqte edhe në varr. Për një krim që nuk e kishte kryer asnjëherë, Saimir Maloku u gjend në një gjyq komunist teatral pa flet akuzë, pa familjarë të pranishëm, pa avokat dhe ndërsa torturohej pak para fillimit të gjyqit i thuhej të firmoste dhe të pranonte çfarëdo ishte shtruar në dokumentat gjyqësorë se ndryshe do vritej ai dhe do i zhdukej familja. Mes vuajtes mizore, prapë se prapë Saimir Maloku qëndroi duke mos u dorëzuar asnjëherë. Me orë të tëra Saimiri u mbajt i lidhur këmbësh e duarsh. Qëndroi me orë të gjata i lidhur teksa goditej mizorisht prej hetuesve. Maloku nuk pranoi akuzën dhe për këtë fakt hetuesit e rrahën barbarisht duke i thyer nofullën, dhëmbët, gjymtyrët dhe gjaku më shpërtheu gjithndej- rrëfen Saimir Maloku në librin e tij. Katër ishin gjërat më të dhimbshme e më të tmerrshme në burgjet komuniste sipas Saimir Malokut: dhuna, tortura, uria dhe shkëputja më familjen. Mes dhimbjesh dhe vuajtjesh, Saimir Maloku tregon se lehtësim prej Zotit, mes tmerrit komunist, në burg kishim disa nga priftërinjtë dhe klerikët më të mëdhenj të Kishës Katolike të cilët ishin profesorët tanë, baballarët tanë që na drejtonin, orjentonin e këshillonin sesi të silleshim në burg dhe të ruheshim nga provokimet e Sigurimit në burgje, miniera, galeri e kampet e punës së detyruar. Bashkëvuajtës të Saimir Malokut ishin Dom Simon Jubani, At Zef Pllumi, Imzot Frano Ilia, Dom Ndoc Sahatçija, Kardinal Ernest Simoni, Kardinal Mikel Koliqi, Dom Nikollë Mazreku etj. Dëshmi persekutimi në ferrin komunist si e Saimir Malokut e shumë shqiptarëve që vuajtën padrejtësishtm janë pasyrë e errët e tmerrin dictatorial. Nxjerrja në dritë e kësaj errësirë makabre është një çlirim jo vetëm për shpirtin e atyre që vdiqën por edhe të atyre që qëndruan heroikisht si Saimir Maloku e mijëra bashkëvuajtës të kohës.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Ferri komunista, mbijetesa, Saimir Maloku, Sokol Paja

PËRKUJTOHEN DITËT E QËNDRESËS ANTIKOMUNISTE NË SHKODËR, SPAÇ E QAFË BAR

May 20, 2020 by dgreca

Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në një intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare VATRA, New York, deklaroi: “Të dënohen krimet e komunistëve dhe komunistët që janë ende në pushtet” /

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë në bashkëpunim me Fondacionin Drejtësi dhe Paqe dhe Bashkinë Shkodër organizuan një ceremoni përkujtimi në Shkodër, në qytetin më antikomunist të Shqipërisë, në nder të qëndrestarëve ndaj regjimit komunist. Takimi u zhvillua pranë memorialit që i kushtohet të njëjtës ditë, në nder e respekt të të gjithë shqiptarëve që u persekutuan nga regjimi komunist. Në data 20-21-22 maj për çdo vit përkujtohen “Ditët e Qëndresës“ antikomuniste në Shqipëri. Ky është një aktivitet që synon të përkujtojë qëndresën antikomuniste të popullit e kombit shqiptar gjatë diktaturës. Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë  u shpreh se “Kemi zgjedhur datat 20 dhe 21 maj që janë edhe fillimin e dy revoltave antikomuniste nga më të guximshmet të  burgosurve politike në burgjet e Spaçit dhe Qafë Barit që tronditet themelet e reagimit komunist. Kemi zgjedhë Shkodrën së pari se ka një memorial dinjitar kushtuar qëndresës sonë antikomuniste dhe si një nga qytetet e krahinat ku qëndresa ndaj komandimit ishte dhe është më e fortë se kudo në Shqipëri. Nga kryengritja e Malësisë, Postribës deri tek hedhja në erë bustit të Stalinit dhe maskara komuniste e 2 prillit janë me qindra ngjarje mijëra protagoniste martirë të pushkatuar, të burgosur, internuar, vrarë në kufi për shkak të qëndresës ndaj diktaturës më gjakatare në Evropë”- shpjegoi z.Çika.   

DEDIKIM PËR QËNDRESTARËT

Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë “ditët e qëndresës i kushtohen të gjithë shqiptareve që i qëndruan diktuarës  në mënyra nga më të ndryshmet duke sakrifikuar për ketë veten e familjen. U kushtohet të vrarëve me dhe pa gjyq, të burgosurve politike, të internuarve sidomos atyre të kampeve të shfarosjes në Tepelenë, Kamëz, Krujë etje, të dëbuarve politikë, kulakëve dhe të gjithë të tjerëve që pësuan forma nga më të ndryshme persekutimi. Përkujtojmë me respekt nënat, gratë e vajzat që me sakrificë përballuan të persekutimin duke ndjekur në burgje bijtë e bijat e burgosura, vëllezërit e burrat e tyre ndërkohë që me mundim e nën presion  duhet të ushqenin e edukonin fëmijët që jo në pak arrestuar u vdisnin nga vuajtjet e uria të gjitha këto, vetëm e vetëm pse nuk iu përkulën të keqes me të madhe të popullit e kombit tonë, komunizmit. Slogani jonë është: Ne nuk harrojmë. Dhe në këto ditë ne kujtojmë krimet e komunizmit dhe drejtojmë gishtin tek autorët e tyre që jo vetëm nuk u ndëshkua kurrë por edhe janë në pushtet në nivelet më të larta të tij”. 

KRIMINELËT E DIKTATURËS ENDE NË PUSHTET

Nebil Çika, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë lëshoi alarmin për kriminelët komunistë që ende bëjnë drejtësi në 30 vite demokraci. Ai bëri thirrje për hetime dhe pastrime prej komunistëve të sistemit drejtësisë, qeverisë dhe hallkave të tjera të administrimit të pushtetit në Shqipëri. “Në parlament në qeverie, drejtësi, siguri kombëtare e civile etje. Të bindur që nëse nuk do të ketë drejtësi shpirtrat e martireve tanë nuk do të mund të qetësohen por edhe për faktin së autorët e krimeve të komunizmit ende në pushtet mund dhe vazhojnë të kryejnë krime duke përdorur pushtetin shtetëror ne e  theksojmë mos ndëshkimin e krimeve të komunizmit si problemin më të madh historik e aktual të vendit. Demokraci, liria, prona të tjera të drejta themelore të njeriut janë fiktive e të kërcënuara vazhdimisht deri sa autoret e shkeljes së tyre dje dhe sot janë jo vetëm të pa ndëshkuar por edhe në pushtet”- u shpreh Nebil Çika Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë. 

TË DËNOHEN KRIMET E KOMUNIZMIT

Dënimi i krimeve të komunizmit është shëndërruar në një betejë pa kthim për antikomunistët shqiptarë. Sipas Nebil Çikës, Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë: “Fatkeqësisht çdo përpjekje jonë juridike për të dënuar krimet e komunizmit është bllokuar nga drejtësia drejtuesit e së cilës janë në konflikt interesi pasi ata vetë ose prindërit e tyre autorë krimesh të komunizmit. Prokuroria ka bllokuar hetimin disa kallëzimeve penale për krim kundër njerëzimit dhe gjenocid ku mund të përmend Masakrën e Bombës në Ambasadën Sovjetike dhe ndaj ish drejtorit të Burgut të Qafë Barit Edmond Caja. Në këto kushte beteja jonë ka qenë dhe mbetet poetike, mediatike e historike pa asnjë kompromis me komunistët persekutorë. Ne në këto ditë përkujtojmë martirët tanë dhe këmbëngulim që ata të jenë modelet  e brezit të ri dhe jo kriminelët e njeriu i ri që u imponon si model shkolla dhe propaganda në Shqipëri. Nderim në jetë të jetëve qëndresës sonë antikomuniste dhe martirëve tanë” – deklaroi z.Çika.

MEMORIALI…

TË MOS HARROJMË TË SHKUARËN

Voltana Ademi, Kryetarja e Bashkisë Shkodër në aktivitetin për “Ditët e qëndresës”, mbajti këtë qëndrim institucional: “Ditët e Qendresës” në Shkodrën simbol të antikomunizmit, simbol të përballjes me diktaturat dhe neodiktaturat. Një vit nga kthimi i një borxhi për të persekutuarit dhe të përndjekurit, një vit nga vendosja e Memorialit kushtuar persekucionit dhe sakrificave të shkodranëve e shqiptarëve në 45 vite diktaturë. Në fund të një viti të vështirë për Shkodrën e Shqipërinë, që sot rrezikohen më shumë se kurrë në këto 30 vite të humbasin atë çfarë kanë arritur me shumë sakrifica e mund: Lirinë dhe Demokracinë. Sot, një ditë simbol dhe si thirrje për bashkim për të mos harruar të shkuarën, që fëmijëve tanë t’u lëmë një Shkodër e Shqipëri jo si ajo që përjetuam ne. Përpjekja e nisur në 1990-ën me etërit, duhet të vazhdojë me largimin e bijve për të zhbllokuar edhe rrugën tonë drejtë Europës së Bashkuar” – përfundoi Ademi.

Filed Under: Featured Tagged With: Nebil Cika, Qafe-Bari, Sokol Paja, Spaci

SI SHPËTOI AUSTRIA NGA SKENARI ITALIAN NË BETEJËN NDAJ COVID-19

May 18, 2020 by dgreca

Dr.med.univ.OA kryemjek Lekë Abdyli rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli New York, Austrinë në betejën ndaj Covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.

SITUATA E COVID-19 NË AUSTRI 

Situata në Austri është momentalisht stabile, lock-down i hershëm i shtetit më 15.3.2020 e shpëtoi Austrinë nga skenari i vendit fqinj Italisë. I gjithë shteti ishte i mbyllur, duke filluar hapjen graduale shkallë-shkallë. Mbyllja e fabrikave, industrisë, shkollave etj shpëtoi shumë jetë njerëzish në Austri. Shteti austriak deri më 17 maj numëronte:  16 mijë e 269 të infektuar me COVID-19, ndërsi numri i viktimave është minimal, 629 të vdekur. Në krahasim me Suedinë e cila nuk u mbyll, Austria korri megjithatë sukses të jashtëzakonshëm. Rënia ekonomike në Suedi shënohet më së paku 7,5%, ndërsa në Austri 5,5% e sa për numrin e të infektuarve dhe viktimave të  mos flasim të cilat janë shumë fish me të larta në Suedi. Tanimë janë hapur bizneset, restorantet prej 15.5.2020 dhe hotelet do të hapen në fund të majit. Shkollat fillojnë më 18.5.2020 me orar të reduktuar dhe në grupe të ndara. 

SHQIPTARËT NË AUSTRI

Për situatën e shqiptarëve për aq sa jam i informuar ka pasur raste por janë informata jozyrtare.  Kurba e të infektuarve është momentalisht 0,5 % infeksione të reja në ditë dhe diku 0,6 % kurba e të shëruarve në ditë. Shkaqet e vdekjeve janë pneumonia bilaterale por edhe trombozat, insultet në tru si dhe infarktet miokardiale. Sfidat në përballje me pandeminë globale janë të përditshme dhe të paparashikueshme, ka pacientë që janë negativ në testin e Covid-19 ngaqë virusi veçse ka depërtuar në mushkëri duke shkaktuar pneumoni bilaterale. Vazhdimësia e Pandemisë mbetet një e panjohur për të gjithë në ngase nuk e dimë si do të jetë numri i infeksioneve të reja pas hapjes graduale të kufinjëve më 15.06.2020. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT

Mesazhi im për lexuesit e gazetës së nderuar Dielli: mbani distancë më se paku 1 metër, lani duart me sapun dhe veshni doreza në ambiente më pak të njohura psh tek mbushja e makinës me derivate, në supermarket etj dhe mos u besoni informatave që thonë se kemi një medikament apo vaksinë të zbuluar. Do na duhet kohë për ta zhdukur virusin global. Përshëndetje të përzemërta për të gjithë ju dhe diasporën në USA.

KUSH ËSHTË DR.MED.UNIV.OA LEKË ABDYLI 

Dr.med.univ.OA kryemjek Lekë Abdyli jeton në Graz, qyteti i dytë i Austrisë për nga madhësia, qytet antik i cili të kujton shumë qytetin e lindjes së doktor Lekës Prizrenin si për nga ngjashmëria me kalanë e qytetit, me lumin përmes ashtu edhe për nga pozita gjeografike në jug të shtetit. Doktor Lekë Abdyli kreu studimet në Fakultetin e Renomuar të Mjekësisë në Graz, specializimin në Mjekësi Interne si dhe subspecializimin në Hematologji dhe Onkologji internistike i përfundoi poashtu në klinikën universitare në Graz të Austrisë. Doktor Lekë Abdyli është Oberarzt Kryemjek në departamentin e Mjekësisë Interne me Hematologji dhe Onkologji në Klinikën e Oberëart. Është përkthyes i licencuar i librit të Mjekësisë Interne nga gjuha gjermane e librit Herold Innere Medizin, literature kjo e cila shfrytëzohet në trojet shqiptare për përgatitjen e provimit të mjekësisë interne. Doktor Lekë Abdyli ka disa publikime dhe abstracte nëpër revista Internacionale në fushën e mjekësisë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Teatri Kombëtar si kështjella e fundit e lirisë

May 17, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol Paja /
Rënia e Teatrit Kombëtar është në vetvete rënia e shtetit në totalitarizëm, është rënia e demokracisë në gropë, është rënia e qytetarëve, është rënia e opozitës, është rënia e çdo shqiptari të ndershëm. Shëmbja e Teatrit ishte një paligjshmëri e ndyrë, varrosi lirinë e protestës, lirinë e së drejtës, lirinë e shprehjes, lirinë e veprimit. Shteti njollosi veten me turp. Kjo ditë e zezë do kujtohet gjatë në ditënetët e faqezinjve neokomunistë që pushtuan kryeqytetin më keq se komunistët në vitin 45’. Fitorja e një kauze është një hap drejtë lirisë dhe humbja e kauzës është një shkallë drejtë robërisë. Shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë do të jetë edhe për shumë kohë kryefjala e përplasjes mes pozitës, opozitës, shoqërisë civile dhe artistëve të dyzuar, të ndarë pro dhe kundër për rrafshimin e ndërtesës së ndërtuar nga italianët në 1941. Shëmbja e Teatrit Kombëtar nuk përfaqësoi vetëm një godinë, një ndërtesë, ajo përfaqësoi shumë më tepër, një kauzë qytetare që u mbrojt për më shumë se dy vjet e gjysmë nga artistët, natë e ditë në sheshin që mban të njëjtin emër. Teatri u kthye në një pikë vendimtare ku matën forcat të gjithë aktorët. Brutaliteti i shtetit, paligjshmëria dhe dhuna e uzurpatorëve fitoi. Mbrojtja nga vjedhja qeveritare e Teatrit Kombëtar ishte kauza më jetëgjatë në dekadën e fundit, kur për më shumë se dy vjet, artistë, intelektual, shoqëri civile, qytetarë të thjeshtë, patriotë të ndershëm, e shumë të tjerë,  e mbrojtën fizikisht nga reprezalja komuniste. Ashtu si në vitin 46’ në të gdhirë, në terr siç janë dhe veprat e zeza të komunistëve, rilindasit e betonit e shqyen Teatrin. Teatri ishte kështjella e fundit e lirë sepse: kauza e liqenit artificial ra, kauza e Astirit ra, kauza e taksës së kombit ra, zgjedhjet e lira ranë, parlamenti ra, drejtësia ra, opozita ra, vettingu ra, e vetmja kauzë e lirive që kishte mbetur ishte kauza e teatrit. Nëse vdes teatri, vdes liria. Qeveria është bërë gjithnjë e më arrogante duke shtypur çdo protestë, duke gjobitur masivisht shqiptarët, duke bllokuar lëvizjen e lirë, duke bllokuar mjete private, duke zaptuar prona, duke shfaqur një egërsi të paparë në komunikim dhe ndërveprim me qytetarët. 

Qeveria Rama ka përzënë më shumë se 500 mijë shqiptarë nga atdheu i tyre duke e bërë Shqipërinë një vend të pajtueshëm për njerëzit normal, duke e shndërruar një parajsë tropikale për oligarkët dhe njerëzit e lidhur me pushtetin politik. Shteti u zhvendos realisht në diktaturë, ashti si në vitin 1946, shteti nuk pyeti për Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohet çështja e Teatrit, nuk pyeti për SPAK ku po hetohet votimi i prishjes së Teatrit, por arbitrarisht i futi fadromat. Shteti vulosi diktaturën: ndryshimet në kodin penal, zgjatja pa arsye e gjendjes së emergjencës, ndërsimi dhe arroganca e ministrave, sulmi ndaj mediave, agresiviteti i shtuar i policisë, si dhe dhuna ndaj qytetarëve e kanë shndërruar pushtetin në një fytyrë diktatoriale, ku dhe vetë shteti kthehet në makinë shtypëse për gjithçka që bie ndesh me direktivat e partisë-shtet. 

Vendi ynë aktualisht gjendet pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, në proces Vettingu të kontrolluar politikisht, me ish funksionarë të regjimit në Parlament, në KLGJ, në KLP… etj,  ku trashëgimia komuniste shpaloset në të gjitha pushtetet. Qasja e të bërit shtet dhe administrimit të pushtetit është tipike si ajo e regjimit komunist. 

Baba i vetëshpallur Rama njësoj si Sekretari i Parë i Partisë së Punës, i cili ka vënë nën thundrat e tij gjithçka e çdo gjë në Shqipëri. Ai shfaqet në çdo medie apo mbledhje qeverie si shpëtimtar i komitetit të shpëtimit, ai të gjobit dhe po i njëjti që të fal gjobën, ai që të arreston, përsëri edhe të liron. Kryeministri Rama kontrollon gjithçka nëpërmjet edhe disa kukullave pa dinjitet dhe integritet moral e politik në qeveri. Fryma kundër arrogancës së pushtetit, qëndresa qytetare është oksigjeni që mban gjallë shoqëritë nga dekompozimi. Një vend quhet ende i lirë për aq kohë sa ka kauza që luftohet për to. Shembja e teatrit ishte shembja e pikës së fundit të lirisë, teatri duhet të qëndronte në këmbë si kauzë qytetare, si trashëgimi kulturore, si përpjekje e grupit të interesave të pastra të artistëve që pushteti nuk i bleu dot. Teatri duhet të qëndronte në këmbë  si revoltë ndaj pushtetit, si dinjitet i munguar i artistëve, si një monument që duhej të shpëtonte  dhe të qëndronte si teatër real për ti dhënë fund teatrit të absurdit që luhet ende në kurriz të qytetarëve shqiptar në 30 vjet të sistemit post-komunist. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Sokol Paja, teatri

ISH PRESIDENTI NISHANI: QEVERIA SHQIPTARE PALIGJSHMËRI DHE AFERË KORRUPTIVE ME TEATRIN KOMBËTAR

May 17, 2020 by dgreca

Bujar Nishani, President i Republikës së Shqipërisë 2012 – 2017, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Shqipërinë në përballje me pandeminë botërore covid-19, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja.


SHQIPËRIA DHE VALA COVID-19

Situata e krijuar nga Covid-19 edhe në Shqipëri u paraqit serioze dhe e rrezikshme, ashtu si në çdo vend tjetër të botës. Për fat të keq kjo situatë u vështirësua dhe u rëndua akoma më  shumë për qytetarët shqiptarë për shkak të një paaftësie të madhe të qeverisë aktuale dhe papërgjegjshmërisë së saj për të reaguar në përshtatje me rrethanat e Shqipërisë dhe në favor të interesit publik të qytetarëve. Tashmë mjekët seriozë, specialistë të vërtetë dhe me integritet qytetar po paraqesin prova mjekësore se virusi Covid-19 ka qarkulluar në Shqipëri që prej muajit Janar 2020. Kjo është tërësisht logjike duke patur parasysh që komunikimi fizik midis Shqipërisë  dhe veriut të Italisë që ishte vatra më e madhe dhe më agresive e infeksionit, ka qenë me mijëra qytetarë çdo ditë në hyrje-dalje. Përkundër kësaj situate reagimi qeverisë ka qenë inekzistent deri në 10 mars kur duket se sëmundja mori përmasa të  mëdha dhe qeveria për të mbuluar paaftësinë e saj dhe papërgjegjshmërinë e demonstruar ndërmori masa e veprime ekstreme ndaj qytetarëve shqiptarë duke dëmtuar rëndë  jetën e tyre personale, liritë e tyre themelore dhe ekonominë familjare të shqiptarëve si dhe ekonominë  e vendit në tërësi. Është normale që në situatë pandemie të tillë të merren masa të forta institucionale organizative, ligjore por edhe sociale e shoqërore. Për këtë arsye është  paraparë edhe kjo situatë dhe veprimet përballë saj edhe në Kushtetutën e vendit edhe në  legjislacionin përkatës. Filozofia, parimet, praktika dhe përballimi i saj ndërtohet mbi masat e jashtëzakonëshme shoqëruar me ndihmën dhe kompensimin social, ekonomik e shoqëror. Masa të  tilla pothuajse munguan. Qeveria shqiptare u angazhua vetëm në  izolimin ekstrem të  qytetarë ve dhe pezullimin e çdo njësie dhe aktiviteti ekonomik. Testet e pakta dhe shumë të izoluara kanë pamundësuar orientimin dhe qasjen e duhur mjekësore ndaj këtij virusi dhe përhapjes së  tij. Kjo do të na kushtojë shumë për një kohë  të gjatë duke mos e ditur realisht se ku duhen marrë masat ekstreme dhe çfarë masash duhen marrë në vatrat e mundëshme të infeksionit. Për fat të keq kjo situatë e rrezikshme për jetën dhe shëndetin e popullit është tentuar të shfrytëzohet për politikë ditore partiake nga qeveria. Kjo është  vërejtur edhe nga sulmet e saja ndaj opozitës dhe rolit e sjelljes konstruktive që opozita është përpjekur të ofrojë gjatë gjithë kësaj periudhe. Po përmend vetëm një fakt: Kryetari i opozitës në mënyrë të përsëritur ka kërkuar marrjen e masave të mbylljes së bisneseve të  fasonerisë  si terrene shumë  të rrezikshme për përhapjen e virusit. Reagimi i qeverisë  ka qenë tërësisht injorues ndaj këtij propozimi. Kjo vetëm për një arsye, pasi ai propozim vinte nga kryetari i opozitës. Sot rezulton se pikërisht këto bisnese dhe këto ambjente janë vatrat me infektimin më të madh dhe që vijojnë të përhapin virusin me agresivitet. Opozita nuk ka mekanizma ekzekutiv apo institucional që të ekzekutoj politikat dhe idetë e saja. Opozita përkundër sjelljes ekstreme të qeverisë është treguar e matur, konstruktive dhe e përgjegjëshme. Ka identifikuar problematikat reale, ka propozuar masa parandalimi për infektimin dhe masa ndihmëse për qytetarët, ka treguar rrugët institucionale dhe masat financiare të  nevojshme. Për fat të keq qeveria i ka injoruar ato vetëm për faktin se ato qëndrime të përgjegjshme vinin nga opozita. Padyshim, që për mua Covid-19,është një kërcënim real dhe i drejtpërdrejtë i sigurisë kombëtare jo vetëm në Shqipëri por një kërcënim serioz i paqes dhe stabilitetit në mbarë botën. Mbetet për tu parë se cili do të  jetë  reagimi për ta përballuar këtë  kërcënim. 

RIKTHIMI I SHQIPËRISË NË NORMALITET

Për fat të keq Qeveria Shqiptare nuk ka asnjë plan afatmesëm apo afatgjatë, nuk ka një  strategji për situatën. Ka ndërrmarë vetëm një hap thjesht represiv, të shtyjë deri në fund të  muaji qershor gjendjen e masave të jashtëzakonshme. Po deklarohet hapja e pjeseshme e aktivitetit ekonomik por nuk ka asnjë masë reale dhe efektive të ndihmës financiare e ekonomike ndaj bisnesit të vogël e të mesëm. Degët kryesore të ekonomisë së vendit si bujqësia, turizmi apo transporti rrugor e detar nuk kanë asnjë plan ndihme, madje asnjë  diskutim rreth tyre. Pra një kaos total që rrezikon ta zhysë vendin në një  krizë të thellë ekonomike. Po të shohësh aspektin e fokusit ekonomik përgjatë  kësaj pandemie dallon vetëm politikën e shpërndarjes së  milionave nga buxheti i shtetit për një  grup të vogël oligarkësh përmes të  famshëmve PPP dhe disa pagesa qesharake, të  përgjysmuara nga sa u premtua dhe për një grup të përzgjedhur qytetarësh.

SHTETI POLICOR DHE RAPORTI ME TË DREJTAT E NJERIUT

Liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në keqpërdorim maksimal të rastit të pandemisë  janë  dhunuar rëndë në Shqipëri. Ky ishte një rast ku menjëherë  u shfaqën reminishencat e sistemit monist ku Shqipëria vuajti për afro pesë dekada. Në Shqipëri qeveria shpalli formalisht “Gjendjen e Emergjencës për shkak të  Fatkeqësisë  Natyrore” por realisht  implementoi masa të  “Gjendjes së  Jashtëzakonëshme” që parashikohen në  Kushtetutën tonë vetëm në  rastet e shpalljes së luftës. Ka patur masa ekstreme të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, kufizim të  aktivitetit të mediave, mbyllje ekstreme të ekonomisë private dhe nga ana tjetër është  shfrytëzuar kjo situatë për prokurime sekrete për materiale krejt ordinere, ndërsa ndihma sociale e ajo ekonomike ka qenë pothuajse inekzistente. Shumë e rëndë ishte dalja nga kazermat dhe patrullimi në rrugët e kryeqytetit të forcave të  blinduara e me armatim të  rëndë  të  ushtrisë . Ky ishte një akt në shkelje të  rëndë të  Kushtetutës e ligjeve të vendit e për më tepër ndodhi në një vend anëtar të  NATO-s. Ka një  problem shumë  të  rëndë  ligjor me këto masa në Shqipëri. Sipas Kushtetutës tonë dhe ligjeve relevante vetëm Këshilli i Ministrave ka të drejtën e nxjerrjes së akteve normative me fuqinë e ligjit. Shumë prej masave ekstreme të  kufizimit të veprimtarisë së qytetarëve dhe medias janë  urdhëruar ose me akte administrative të ministrave (çka nuk e kanë fuqinë e ligjit) ose nga statuse në facebook e Kryeministrit. Kjo situatë është skandaloze dhe mund ta quash pothuajse një sjellje diktatoriale e shekullit 21.


QEVERIA, TEATRI KOMBËTAR DHE LIGJSHMËRIA

Tashmë në Shqipëri nuk mund të  flitet më për ligjishmëri apo kushtetutshmëri. Në Shqipëri ka rënë tërësisht mekanizmi i balancimit të pushteteve dhe kontrollit mbi to. Kemi një  parlament monist, për herë të parë që nga vendosja e pluralizmit në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk ekzistojnë prej tre vitesh, sistemi i drejtësisë penale është i kapur politikisht dhe me emërtesa antikushtetuese e antiligjore pikërisht për të  qënë  i kapur politikisht. Pra në Shqipëri sot ka një sistem anarkik ku përditshmëria e jetës rrjedh formalisht për shkak eksistence por pa rregulla, pa ligje, pa kode, pa garancira, pa mbrojtje, pa kontroll. Edhe rasti i sjelljes së qeverisë ndaj Teatrit Kombëtar zhvillohet në këto rrethana. Në gjykimin tim është një aferë e madhe korruptive ku janë përfshirë grupe kriminale të  pastrimit të parave të drogës përmes përdorimit të pushtetit politik i cili është tërësisht nën influencën e krimit të organizuar. Ky bashkëpunim midis pushtetit politik dhe krimit të  organizuar është provuar përmes disa rregjistrimeve audio të bëra publike prej shtypit gjerman.

SHQIPËRIA DHE KOLAPSI I DREJTËSISË

Shqipëria nga pikpamja ligjore dhe institucionale është  futur në  një  rreth vicioz  i cili nuk ka zgjidhje përpos një  terreni të ri politik. Imagjinoni nëse në SHBA do të ishte shkrirë  Gjykata Supreme prej tre vitesh dhe nëse Senati gjithashtu nuk do të funksiononte prej tre vitesh. Imagjinoni nëse në SHBA gjyqtarët dhe prokuroret do të ishin në frikën se qeveria do të  urdhëronte shkarkimin e tyre nga detyra? Shqiptarët kërkuan dhe mbështetën fuqishëm një  reformë në sistemin e drejtësisë çka ishte një nevojë e madhe në Shqipëri. Por vullneti qytetar u tradhëtua dhe sistemi i drejtësisë nga një sistem me probleme, me një grup gjyqtarësh e prokurorësh të korruptuar brenda tij, sot është asgjësuar totalisht dhe kontrollohet politikish në mënyrë absolute nga një  njeri i vetëm që është  Kryeministri vendit i cili përpos të tjerave ka problem të rënda me botën e krimit të organizuar. Në këtë situatë ne kemi një shtet në prag të asgjesimit të plotë në Shqipëri. Kjo që po ju them nuk është një shfrim politik nën emocione partizane por një realitet që mund të konfirmohet nga çdo gjykim normal e i pavarur human. Por unë  jam i bindur se populli shqiptar nuk do ta lejojë  këtë asgjësim të shtetit të tyre çka do të kishte pasoja të rënda edhe përtej kufijve të  Shqipërisë. 

MESAZHI I PRESIDENTIT NISHANI PËR LEXUESIT E DIELLIT, VATRËN DHE DIASPORËN NË USA

Ne jemi me fat që kemi një diasporë të  tillë sot në SHBA. Historikisht diaspora shqiptare në  SHBA ka qenë një bekim për kombin shqiptar. Për fat të keq neve në Shqipëri nuk jemi qasur e adresuar siç duhet tek kjo diasporë. Ajo ka potenciale të jashtëzakonëshme intelektuale, profesionale, ekonomike-financiare. Mund të flas shumë për këtë çështje por më mirë ta përmbledh me një  fjali. Ne jemi në borxh të madh tek kjo diasporë. Unë shpresoj dhe besoj se përfaqësues të saj do të jenë në të ardhmen e afërt pjesë e menaxhimit të punëve në  Shqipëri. Ju faleminderit. 

Filed Under: Politike Tagged With: Interviste, Presidenti Bujar Nishani, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • …
  • 104
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS, REPUBLIKA E SHQIPËRISË DHE REPUBLIKA E KOSOVËS – NJË ALEANCË E MIQËSI E PËRJETSHME
  • Shqiptarët në New York mund të votojnë në gjuhën shqipe
  • Në Këshillin e Qytetit të Nju Jorkut u nderua Ambasadori Blerim Reka
  • Revolucioni “Forca e të Vërtetës” – Fryma Perëndimore dhe Rruga drejt një Shqipërie Evropiane
  • 13 QERSHOR 1912, VATRA U NJOH NGA SHTETI AMERIKAN I MASSACHUSETTS
  • Kujtojmë me nderim albanologun e shquar francez Pierre Cabanes në ditën e ndarjes nga jeta
  • DRITA E PËRNDRITËSHME E SHÊJZAVE TË KOLIQIT
  • FAN NOLI, AT GJERGJ FISHTA, FAIK KONICA DHE AMERIKA NË 250-VJETORIN E SAJ
  • Fshirja e trashëgimisë kulturore dhe historike e Çamërisë dhe ndryshimet toponimike – shprehje e qartë e negacionizmit të qeverisë greke
  • KUR JETA BËHET DOKUMENT HISTORIE
  • SHQIPTARËT NUK DUHET TË LEJOJNË PËRMBYSJEN E SISTEMIT TË VLERAVE
  • TIRANA USHTON: POSHTË KOMUNIZMI!
  • Protesta “Made in Albania”…
  • JOHN FITZGERALD KENNEDY: PRESIDENTI QË E BËRI NJË BREZ TË BESONTE SE MUND TË NDRYSHONTE BOTËN
  • Gëzuar 114-vjetorin e VATRËS!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT