• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA NË BETEJËN KUNDËR COVID-19 DHE RASTI I PODUJEVËS, FLET LIRIDONA MUSTAFA

April 28, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Liridona Mustafa, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë, dhënë gazetarit Sokol Paja.

Gazetari Sokol Paja.

Nga data 8 shkurt deri më 26 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, sipas Liridona Mustafës, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë, janë testuar gjithsej 6.479 raste të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre (763) raste, ndërsa gjithsej njëzet e dy (22) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Kosova është ndër vendet e fundit në Ballkan që është prekur me koronavirusin COVID-19. Më 13 mars 2020, Kosova konfirmoi dy rastet e para me koronavirus (Covid-19). Një shtetase italiane 20-vjeçare dhe një i moshuar 77-vjeçar shtetas kosovar ishin dy raste e para të cilat kanë rezultuar pozitiv me koronavirus (COVID-19) në Kosovë. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë (166) raste. Komuna me më së shumti raste të infektuar me covid -19 në Kosovë është Ferizaj me 98 raste, ku prej tyre 2 kanë vdekur dhe 3 janë shëruar. Komuna e Malishevës është komuna e dytë për nga numri i të infektuareve në Kosovë, ku janë 73 raste me covid-19, 1 prej tyre ka vdekur dhe 55 janë të shëruar dhe Komuna e Pejës me 72 raste, prej tyre 2 kane vdekur dhe 4 janë të shëruar. Java e dytë e muajit Prill kishte më së shumti raste, ku me datë 12 prill rezultuan 79 qytetarë  të infektuar me covid-19.

SITUATA NË PODUJEVË

Sipas Liridona Mustafës, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare- në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë, rasti i parë pozitiv me COVID-19 në Podujevë ka rezultuar më 15 mars. 62-vjeçari nga fshati Dumnicë e Epërme e Podujevës që tashmë është shëruar plotësisht, kishte ardhur nga Italia më 5 mars nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”. I njëjti kishte infektuar edhe prindin e tij 82-vjeçar dhe motrën 54-vjeçare nga fshati Bradash. 82-vjeçari më 22 mars ka vdekur, duke shënuar kështu viktimën e parë në Kosovë si pasojë e koronavirusit. Përveç infektimit, viktima vuante nga sëmunundjet kronike të zemrës dhe të mushkërive dhe në ditën e gjashtë të infektimit, ai kishte pneumoni masive në anën e majtë. Komuna e Podujevës deri më tani numëron gjithsejtë 9 të infektuar me Covid-19, prej tyre një i infektuar ka vdekur ndërsa tre të tjerë janë shëruar plotësisht. QKMF në Podujevë ka aktivizuar punktin shëndetësor në pikën kufitare-Merdarë gjatë 24 orëve me katër ekipe mjekësore, të cilat janë pajisur me mjetet e nevojshme dhe material mbrojtës, duke zbatuar kështu rekomandimet e dhëna nga IKSHPK për kontrollën e udhëtarëve në rast dyshimi për COVID-19 në mënyrë që të 

bëhet parandalimi dhe përhapja e sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës. Gjithashtu është krijuar ekipi kujdestar 24h çdo ditë, për triazhimin e pacientëve në QKMF-Podujevë për COVID-19. Komuna e Podujevës po ashtu ka siguruar hapësirën e duhur për ekipin psikologëve vullnetarë, i cili do të ofrojë shërbim psiko-social online për qytetarët e Podujeves të cilët kanë vështirësi në këtë periudhë të pandemisë COVID-19 për të menaxhuar mendimet, ndjenjat dhe emocionet e tyre, si dhe për ata që mund të përjetojnë stres të shtuar, ankth, panik apo edhe shenja dhe simptoma të depresionit.

MASAT KUNDËR COVID-19 NË KOMUNËN E PODUJEVËS

Nga ditët e para të shfaqjes së pandemisë, veçanërisht nga shpallja e emergjencës shëndetësore, sipas infermjeres Mustafa, jemi mobilizuar me tërë potencialin dhe mekanizmat që posedojmë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Në Komunën e Podujevës janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme preventive nga institucionet shëndetësore, policia, inspektorati komunal dhe organet e tjera, konform rekomandimeve të IKSHP, Ministrisë së Shëndetësisë dhe vendimeve të Qeverisë. Përveç mbylljes së institucioneve arsimore dhe apelit për reduktimin e lëvizjeve të qytetarëve, Këshilli i Bashkësisë Islame në Podujevë ka pezulluar të gjitha ritualet e faljes së namazit nëpër xhami. Me vendimin e KBI-së është pezulluar edhe e pamja në familjet që kanë raste të vdekje. Gjithashtu, gjatë periudhës së pandemisë, kërkohet që në rastet e vdekjeve, ceremonitë e varrimit të kryhen me një prani sa më të vogël të qytetarëve. Si masë preventive, po vazhdon dezinfektimi i hapësirave publike dhe pajisja e institucioneve shëndetësore me material mbrojtës. Eshte bërë furnizimi me mjete mbrojtëse dhe dezinfektuese edhe i institucioneve të tjera dhe ndërmarrjeve shërbyese-publike. Komuna e Podujevës, lidhur me masat për parandalimin dhe luftimin e Coronavirusit COVID-19, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në ndihmë qytetarëve në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike; vendimin për lirimin nga taksa komunale e të gjitha subjekteve afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 si dhe; vendimin për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës Komunale për vitin 2020. Inspektorët komunalë vazhdimisht janë në terren dhe po përcjellin zbatimin e vendimit të qeverisë, për mbylljen dyqaneve dhe lokaleve hotelierë. Nga qytetarët është kërkuar t’i shmangin lëvizjet e panevojshme, të marrin masat mbrojtëse si dhe të ruajnë qetësinë publike, kurse rastet e dyshuara të vetëizolohen dhe të kërkojnë asistencë profesionale shëndetësore.

TRAJTIMI I TË SËMURËVE

Në QKUK, në Klinikën Infektive po trajtohen 59 pacientë me COVID-19, prej tyre 9 po trajtohen me oksigjeno-terapi, kurse dy pacientë janë në gjendje të rëndë. Njëri nga ata është në kujdesin intenziv është intubuar, po ashtu eshte edhe një pacient tjetër që është në gjendje mjaft të rëndë duke përfshirë faktin që është edhe në dializë. Sa i përket kulminacionit të pandemisë në vendin tonë, sipas Liridona Mustafës, kjo varet nga disa faktorë, ndër të cilët më kryesorët janë: se sa i kanë respektuar rregullat dhe rekomandimet qytetarët, por edhe nga numri i testimeve që

Liridona Mustafa

realizohen për ditë. Tashmë jemi në javën e fundit të muajit prill, përndryshe java e shtatë nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, dhe nëse virusi sillet pak a shumë ngjashëm si në shumicën e shteteve tjera, atëherë mund të presim që deri në fund të këtij muaji të kemi numër të konsiderueshëm të rasteve, dhe të shpresojmë që gjatë gjysmës së parë të majit të marrim frymë më lirshëm. Ndikimi eventual i temperaturave të larta dhe rrezeve ultravioletë ndaj virusit, po ashtu mund të shihet si një faktor favorizues në këtë drejtim.

MESAZH PËR LEXUESIT E DIELLIT 

Qytetarë të nderuar, unë si personel shendetesorë, ju lutem që të respektoni masat e shpalluara të parandalimit nga Instituti Kombëtar dhe Ministria e Shëndetësisë! Ruajeni shëndetin tuaj! Pakujdesia kushton me jetë! Qëndroni në shtëpi, kjo ua shpëton jetën! Mbani distancë fizike për së paku 2 metra! Na ndihmoni pak që të ju ndihmojmë shumë, ishte apeli për gazetën Dielli e Liridona Mustafës, infermiere në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare- në shërbimin e Emergjencës në Komunën e Podujevës, Kosovë. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Liridona Mustafa, Sokol Paja

MJEKËT SHQIPTAR NË GJERMANI , FLET DR.ILIR ARIFI

April 27, 2020 by dgreca

MJEKËT SHQIPTAR NË GJERMANI NË NDIHMË TË BASHKËATDHETARËVE NË BETEJËN KUNDËR COVID-19 /

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Ilir Arifit, mjek në “Regiomed Klinikum- Hildburghausen”, Gjermani, dhënë gazetarit Sokol Paja. 

Gjermania është shteti europian model në luftën kundër Covid-19, përballimin e pasojave, menaxhimit të rasteve, masave të marra dhe planit të hapjes e rimëkëmbjes së ekonomisë. Ilir Arifi, Doktor i Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv që punon pranë ´´Regiomed Klinikum- Hildburghausen´´, Gjermani ka deklaruar për “Dielli”-n se situata në Gjermani po shkon drejtë normalizimit dhe fatmirësisht numri i shqiptarëve të prekur nga pandemia botërore ka qenë modest.

 SITUATA NË GJERMANI 

Doktor Ilir Arifi na shpjegon se duke parë trendin pozitiv të rënies së intensitetit të virusit dhe menaxhimit me sukses të situatës, Ministri i Shëndetësisë së Gjermanisë, Jens Spahn deklaroi se përhapja e virusit në Gjermani është bërë tashmë e menaxhueshme, si rrjedhojë qeveria gjermane ka vendosur t’i zbusë në mënyrë të kujdesshme masat kufizuese të jetës publike, edhe pse masat e vendosura nuk ishin ekstreme si në vendet e tjera të prekura me COVID 19. Aktualisht sipas doktor Ilir Arifit Gjermania është në një situatë shumë më të relaksuar se sa para 2-3 javesh, pasi është arritur qellimi kryesor i qeverisë në zbritjen e shkallës së riprodhimit të virusit, pra një person me COVID 19 infekton më pak se 1 person (0,7). Kjo përhapje mundëson imunizimin e kontrolluar të popullates pa e ngarkuar sistemin shëndetësor. 

E ARDHMJA 

Momentalisht në Gjermai sipas dokor Ilir Arifit numri i të sheruarve me COVID 19 (11000) është dyfish më i lartë sesa i të prekurve (45000), dhe vdekshmëria (5800) mbetet ende në shkallë të ulët në raport me të prekurit. Shkaqet e vdekjes janë kryesishtë pasojat që shkakton virusi në rrugët respiratore, por zakonisht virusi është me rrezikshmëri të ulët te pacinentët pa sëmundje shoqëruese. Personat e rrezikuar janë ata me sëmundje respiratore, duhanpirësit, sëmundje të zemrës, diabet dhe semundje që dobësojnë imunitetin. 

PLANI I RIMËKËMBJES 

Tashmë në Gjermani, na raporton doktor Arifi, ka filluar hapja e bizneseve të vogla, dalja në natyrë dhe për blerje ka qenë vazhdimisht e lejuar me kusht që të respektohet distanca 1.5 m dhe të mos levizin më shumë se 2 persona së bashku, me përjashtim të familjarëve. Nga 4 Maji sipas doktor Ilir Arifit, është planifikuar hapja graduale e çerdheve, shkollave fillore dhe të mesme, me kushte të rrepta të mbajtjes së distancës dhe higjienës dhe poshtu është bërë obligative vendosja e maskave në hapsirat e mbylluara. Gjatë periudhes së pandemisë, në Gjermani vendoset çdo dy javë për masat e mëtutjeshme. 

SUKSESI GJERMAN

 Në betejën e fituar nga shteti gjerman ndaj Covid-19 doktor Ilir Arifi rendit disa arsye: marrja me kohë e masave adekuate, sistemi shumë i avansuar shëndetësorë, në veçanti mjekimi intenziv modern, shtimi i mbi 10 mijë shtretëve të kujdesit intenziv, krahas 30 mijë ekzistues, numri i madh i testimeve, po ashtu zbulimi dhe menaxhimi i shpejtë i vatrave të infeksionit. Mbi të gjitha këtë sukses e ka mundësuar kultura e lartë e popullit gjerman në respektimin e masave të vendosura dhe ndërprerja e herëshme e kontakteve te të moshuarve me gjeneratat e reja, sidomos të gjysheve/gjyshërve me nipat dhe mbesat. 

PARASHIKIMI

 Sipas parashikimeve të Institutit Robert Koch vala e dytë e infektimeve me COVID 19 parashikohet në vjeshtë të këtij viti, e treta në pranverë të vitit të ardhshëm dhe e katërta në vjeshten e 2021. Vetëm atëherë do të arrihet infektimi i 60-70 % i popullatës, si rrjedhojë edhe imunuizimi. Ky imunizim sipas doktor Arifit do të realizohej më shpejt me zbulimin e Ilaçit apo vaksinës, e cila këtë javë ka filluar të testohet nga një Institut në Gjermani. SHQIPTARËT NË GJERMANI Në bazë të dhënave ka një numer modest të Shqipëtarve të prekur me COVID 19 dhe poashtu për secilin Land të Gjermanisë janë vënë në dispozicion numrat e telefonit dhe E-mailet e Mjekve Shqipëtarë që punojnë në Gjermani për këshilla dhe ndihmë të bashkatdhetarëve. 

MESAZH PËR LEXUESIT E DIELLIT

 Bashkëatdhetar të dashur në USA, si mjek i cili po përballet çdo ditë me pacientët me COVID 19, ju lutem mos e nënvlersoni këtë situate shumë serioze, respektoni rregullat e distancimit dhe higjienes, bëni durim edhe një kohë, qëndroni në shtëpi! Bëjeni këtë për veten tuaj, për familjarët tuaj më të moshuar, apo edhe të rinjë me sëmundje shoqëruese. Moskujdesi juaj mund të jetë fundi i më të dashurve tuaj, u shpreh për gazetën Dielli, Ilir Arifi, Doktor i Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv që punon pranë “Regiomed Klinikum- Hildburghausen” Gjermani.

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste, Sokol Paja

Shqipëria dhe Kosova të kthejnë sytë nga Presheva

April 26, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e Driton Salihut, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës dhënë gazetarit Sokol Paja. /

Doktor Driton Salihu, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës në kuadër të masave të marra për të luftuar COVID-19, ka apeluar për vëmëndje urgjente dhe ndihmë konkrete ndaj Luginës prej Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Për lexuesit e gazetës “Dielli” dhe gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë e në vecanti, ata nga Lugina e Preshevës që jetojnë në New York, New Jersey, Chicago, doktor Salihu siguroi se po bëhet një punë kolosale për ta mbajtur popullatën të paprekur.

SITUATA NË PRESHEVË

Në Preshevë, sipas doktor Salihut situata me pandeminë është nën kontroll. Falë punës së ekipeve të shëndetësisë edhe pse kanë kaluar 50 ditë gjëndja ka qenë e qetë. Deri tani Presheva për fat të mirë, nuk ka as të dyshuar dhe as të infektuar. Shteti serb sipas doktor Salihut po përjeton tani rënien e kurbës të infektuarve dhe po shpresojmë se ne po kalojmë më së miri këtë situatë të pandemisë botërore. Në luginë masat e karantinimit kanë qenë shumë strikte. Momentalisht sipas doktor Salihut qytetarët po përjetojnë orën policore nga dita e premte, ku Presheva është mbyllur nga dita e premte ora 18 dhe do të qëndrojë çdo banor nëpër shtëpi deri ditën e hënë ora 05:00. Tashmë në Serbi sqaron doktor Salihu, kanë filluar të lirohen masat, nga nesër do të hapen qendra e parukerisë, ato të bukurisë si dhe fitness qendrat, ndërsa pas festave të 1-2 majit pritet që të lirohen edhe më shumë, sigurisht nën masa të kontrollit kafiteritë, restoranet si dhe aerotransporti do të qëndrojë i kufizuar si rrezik për përhapjen e rasteve të reja.

MASAT KUNDËR COVID-19

Sipas doktor Driton Salihut, Shtëpia e Shëndetit në Preshevë ka ndërrmarë masat me kohë me rekonandime nga Ministria e shëndetësisë dhe Enti për shëndet publik. Ne kemi hapur CoVID ambulancën ku trajtohet vetëm pacientët me simptome febrile, si ata me tempetarurë, ethe dhe vështirësi në frymëmarje. Kjo ambulancë punon cdo ditë, 7 ditë në javë me orat 07-22 me mundësi të orarit deri në 24 orë.

Hapja e kësaj ambulance ka të bëj me ndarjen e pacientave tjerë që vijnë për të shkruar terapinë kronike. Pacientat tanë kanë mjekun e zgjedhur dhe te mjeku sipas mundësisë lajmërohen me telefon dhe mund ta shkruajnë terapinë e barnave pa ardhë fare të mjeku për 9 muaj. Sipas doktor Salihut përgjatë gjithë kësaj periudhe dihma e shpejtë funksionoi 24 orë në 24 për t’iu përgjigjur lërkesave të qytetarëve. Sa i përket materialit mbrojtës për stafin, sipas doktor Salihut ne jemi të pregaditur, si me maska, doreza, dezinfektimin e objektit, zyrave dhe oborrit çdo ditë dhe masa të tjera në mbrojtje nga virusi ku janë ndërmarë edhe disa aksione duke shpërndarë maska dhe doreza për qytetarët e rastit në këtë mënyrë të rritet vetëdijësimi i qytetarëve për masat mbrojtëse ndaj Covid-19. HARRESA KOMBËTARE Komuna e Preshevës sipas doktor Salihut, ka nevojë emergjente për mbështetje si nga shteti i Shqipërisë po ashtu nga shteti i Kosovës. Deri tani mbështetja e shteteve asmë ka qenë zero. Sipas doktor Salihut, vetëm ditët e fundit, qeveria Kurti në Kosovë ka premtuar 500,000 euro për Luginën e Preshevës për ta lehtësuar gjendjen me Corona virus, një ndihmë shumë e nevojshme, po para kësaj, tre vitet e fundit, Shtëpia e Shëndetit nuk ka marr asnjë ndihmë, duke krahasuar ndihmën me të cilën qeveria e Republikës së Serbisë sa po ndihmon komunitetin serb në Kosovë. Sipas doktor Salihut, qeveria e Republikës së Shqipërisë deri tani nuk ka ofruar asnjë ndihmë. Gjendja e shqiptarëve në Luginë të Preshevës është shumë e rëndë, andaj edhe çfarëdo ndihme për shqiptarët e Luginës do të jetë e mirëseardhur, deklaroi për gazetën Dielli, Driton Salihu, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, Presheva, Sokol Paja, Syte nga Shqiperia

NDIHME DHE SOLIDARITET

April 25, 2020 by dgreca

   Operacioni humanitar i Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës në zonën COVID-19 dhe zonat e dëmtuara nga termeti /

Intervistë ekskluzive për Gazetën “Dielli” e Drejtorit të Caritas Tirana Elidon Dodaj dhënë gazetarit Sokol Paja-  /

Kisha Katolike në Shqipëri dhe sidomos Caritasi Dioqezan Tiranë-Durrës po zhvillon përditë operacione humanitare bamirësie në zonën COVID-19 dhe zonat e dëmtuara nga termeti i nëntorit në Shqipëri. Ndihma në ushqime, në ilaçe, veshmbathje, mjete lëvizëse, çadra banimi, karroca me rrota për njerëzit me aftësi ndryshe etj.; janë një pjesë e punës së përditshme që misioni bamirës i Kishës ofron përditë në njerëzit në nevojë në këtë Dioqezë, pavarësisht besimit fetar.

       Drejtori Elidon Dodaj që drejton prej 4 vitesh Caritas Tirana na tregon për gazetën Dielli se nga kriza e termetit e deri deri tani në izolimin total çrej COVID-19 janë më shumë se 3 mijë familje që janë asistuar prej organizatës fetare-humanitare që ai drejton. NDIHMAT Sipas Elidon Dodaj drejtorit të Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës, vetëm brënda një muaji në sajë të punës së shkëlqyer të vullnetarëve, meshtarëve dhe murgeshave të famullisë janë shpërndarë për familjet në nevojë: 2500 kg miell, 1000 kg sheqer, 1000 kg oriz, 2000 kg makarona, 1000 kg vaj, 1000 kg fasule, 500 kg salce, 500 kg qumesht, djath, gjalp, caj, kafe,miseshte, 5000 kg detergjent, 500 kg sapun te lengshem, 1500 cope sapune 1000 kg embelsira e ndihma të tjera në veshmbathje duke lehtësuar jetën e vështirë të banorëve të prekur nga katastrofa natyrore.

                OPERACIONET

 Sipas Elidon Dodaj drejtorit të Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës operacioni humanitar në ndihmë të njerëzve në nevojë është shtrirë kryesisht në Tirane, Vore, Kamez, Bathore, Paskuqan, Sukth, Durres, Fushe Kruje, Mamuras, Thumane, Zheje, Lac e Milot zona këto të shkatërruara nga tërmeti i nëntorit por edhe të izoluara për shkak të COVID-19. ÇFARË ËSHTË CARITAS Caritas Dioqezan Tiranë Durrës është, organizatë baritore humanitare e Kishës Katolike që punon për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve më të varfër dhe më në nevojë në Arkidioqezen Metropolitane Tiranë Durrës. Në të gjitha veprimtaritë e tij, ka dy përfitues: Të varfëritë dhe komunitetin. Punonjësit e Caritas-it konsiderohen edukatorët e Bamirësisë dhe qëllimi i Caritas-it është që të përfshijë komunitetin për të rritur ndërgjegjësimin e të ndihmojë për të hapur sytë e tyre për vështirësitë që na rrethojnë. Misioni i tij kryesor nuk është një drejtimesh, domethënë i ndihmës direkte, konkrete, të menjëhershme për të varfëritë, por ajo është dykahesh dhe baritore: është një përvojë e jetuar nga takimi, bashkëndarja, pjesëmarrja, këmbimit të ndërsjellët që njerëzit dhe komunitetet të përfshihen dhe sensibilizohen ndaj nevojave të të varfërve. Misioni i tij gjithashtu është të përçojë vlerat e krishtera tek çdo individ, përkujdesje dhe ndihmë ndaj personave në nevojë duke përfshirë aspektet shpirtërore, sociale dhe materiale. Barazia ndaj çdo individi. Formimi i grupeve vullnetare.

              VLERAT 

Vlerat e Caritas Dioqezan Tiranë Durrë janë: Të jenë të frymëzuara nga besimi i krishterë: Bashkëndarje, përkujdes pa dallime; Besueshmëri; Transparencë; Dinjitet ndaj çdo personi; Bashkëpunimi; Miqësia. Nderko vizioni ynë është: Sensibilizimi i grupeve të arritura në promovimin e dashurisë së krishterë; Arritja e sa më shumë grupeve në nevojë; Bashkepunimi afatgjatë me entet lokale; Arritja e standarteve të përcaktuara. 

EMERGJENCA 

Dioqeza Tiranë Durrës në më pak se tre muaj u gjend para dy Emergjencash jashtë zakonisht të pa parashikuara. Në fund nëntorin 2019 një termet me magniturtë mbi 6.4 ballë përfshiu shumë zona të saj ku vatra e më e madhe ishin Laci, Thumani, Durrësi, Tirana dhe dhjetra zona të tjera urbane dhe rurale. Ndërkohë në fillim të marsit 2020 pandemia globale COVID19 fshin po ashtu Dioqezen me numrat më të mëdha edhe pse nisi me Durrësin qendra më kritike dhe me numrin më të madh sot është Tirana, e brënda dioqezes vijon me Krujën dhe Kurbinin. Qytete të fjetura. Gjumi letargjik i dimrit në këtë pranverë të thatë mesdhetare i ka kapluar të gjithe qytetarët. Jeta sikur ka ndaluar. Ka ndaluar në qytet, por edhe nëpër fshatra. Ndërkoha në zyrat tona në Caritas punohet cdo ditë. Punohet sepse sipas drejtorit Elidon Dodaj misioni ynë është për t’iu gjendur pranë të gjithë atyre që janë në nevojë. 

NGA EMERGJENCA NË EMERGJENCË

 Mbi 70 kontainer dhe qindra qadra, me qindra krevate, batanije, jorgane, dyshek, mijëra pako ushqimore e higjenike kudo nëpër dioqezë u shpërndanë gjatë muajit Dhjetor 2019 – Janar 2020 me ndihmën e Arqipeshkvit Imzot George Frendo dhe Caritas Shqipatar, por edhe me ndihmen e madhe të familjeve rregulltare të Kishes Katolike. Pasi në shkurt po punohej për vijimin e fazes së dytë të tërmetit cdo gjë stopoi. Coronavirus do mbërrinte edhe në trojet tona. Pacienti zero u zbulua në Tiranë, por direkt pas saj Durrësi e kështu me radhë. Vendi u kthye në shtet rrethim. Për disa ditë asnjë këmb njeri askund. Një moment edhe Caritas mbylli dyert, por për ti hapur direkt për tu qenë pranë gjithmonë e më shumë familjeve në nevojë. Sidomos të varfërve, të moshuarve të vetmuar, familjeve në nevoje e me persona me aftesi të kufizuar, nëna kryefamiljare, jetimëve. Larg cdo kamere e aparati fotografik, larg show e fondeve marramendëse. Por me aq sa bujaria e atyre qe nuk duan të di e majta cfare dha e djathta. Fale bashkëpunimit me Caritas Shqiptar dhe me Food Bank Albania nisem punën në terren me bashkëpunimin e meshtareve, motrave e vullnetareve duke shperndare kudo qytet e fshat pako ushqimore dhe higjenike të nevojshme, brenda jave 500 familje merrnin ushqimet e shportes se bashku me gjerat me te nevojshme e jetike. Përpos kësaj misionaret me shumë dashuri nuk i ndaluan vizitat edhe pse në distancë nuk i anuluan vizitat në familjet më në nevojë. 

FAMILJET NË NEVOJË

 Caritas vijon mbështetjen e familjeve ne nevoje me pako ushqimore e higjenike, por ne keto momente duam tu bejme thirrje qe te gjitheve sidomos bashkeatdhetareve tane qe te japin kontributin e tyre duke na mbështetur neve keshtu kemi mundesi tu vijme ne ndihme familjeve me te varfra ne Shqiperi. Ndërkohë që Caritas së bashku me Arqipeshkvine dhe me kongregat në muajt në vazhdim do të vijojnë të mbështesin familjet e përfshirë nga termetet. Ku mes të tjera mbështetjet konstatojnë në ndërtimet e shtëpive të banimit për familjet më të varfra, pagesa qerash, dhe mbështetja me bazë ushqimore nuk do të mungojnë asnjëherë derisa vendit ti kthehet jeta e zakonshme shpjegoi për gazetën Dielli, drejtori Elidon Dodaj.

Filed Under: Featured Tagged With: Caritas Tirana, Sokol Paja

Nga “dom Pali” te”Frat Engjëlli”- Kur Kinematografia Komuniste Sulmonte Klerin Katolik

April 16, 2020 by dgreca

NGA SOKOL PAJA/

Pas ardhjes në pushtet, komunistët shënjuan klerin fetar me qëllim nënshtrimin e tij dhe më pas eleminimin gradual. Regjimi komunist bazohej në diktaturën e proletariatit dhe në luftën e klasave. Në projektin ateist të partisë-shtet, ideologjia fetare nuk mund të mbijetonte në një sistem ku parimi bazë i funskionimit të shtetit ishte ideologjia marksiste-leniniste. Për shkak të nivelit të lartë të formimit intelektual të klerikëve dhe ndikimit që kishin në popull, kryesisht në veriun e Shqipërisë, regjimi komunist vë në qendër të sulmeve klerikët katolik. Propaganda shtetërore ateiste përdorej për të glorifikuar arritjet e regjimit që po instalohej dhunshëm në Shqipëri dhe për të përligjur politikat bolshevike në çdo sektor të organizimit dhe veprimtarisë shoqërore në shtetin diktatorial. Pas gjyqeve publike farsë në salla e kinematë e qyteteve ku kleri linçohej e akuzohej pa prova e fakte, pasi i pushkatoi, i burgosi dhe i internoi, pasi u konsfiskoi pronat, mediat, shkollat e shtypshkronjat, nevojitej linçimi propagandistik nëpërmjet artit, letërsisë e kinematografisë. Propaganda kundër klerit kaloi tashmë nga veprimet fizike dhe ligjore në kundërshtim me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, në shfaqje teatrale, skenike dhe kinematografike me qëllim bindjen e masave punonjëse për domosdoshmërinë e eleminimit të fesë. Komunistët, në kuadër të realizimit të “njeriu të ri” komunist dhe shoqërisë ateiste, nuk e pranonin dot zotin, pasi në projektin e tyre ideologjik, zoti po zëvendësohej me liderin e partisë shtet, diktatorin Hoxha. Cdo përpjekje për opozitë apo qëndrim kundër raprezaljeve shtetërore ndaj klerit, likujdohej me plumba.

Figura e klerikut katolik poshtërohet në kinematografinë shqiptare të kohës duke e nxjerrë si nëvojë jetike eleminimin që komunistët i bënë klerit dhe instucioneve fetare. Në filmin “Shembja e idhujve” prodhim i vitit 1977 nga “Shqipëria e re”, prifti i fshatit Kalcë, Kelmend, Malësi e Madhe, Frat Engjëlli paraqitet si zhvatës i pasurisë së fshatarëve, si ngatërrestar, si bashkëpunëtor i fashizmit, si mbështetës i politikës së Mbretit Zog, si parapërgatitës e mbështetës i pushtimit italian të Shqipërisë, fetarizimin e arsimit publik, pengues i zhvillimit arsimor e kulturor të vendit etj. Sa më shumë që të poshtërohej figura e klerikut në kinematografi aq më shumë krijohej ideja e komunistëve në masat punonjëse se eleminimi i fesë kishte qenë një domosdoshmëri jetike për regjimin e ri. Në filmin “Komisari i Dritës” i prodhuar nga “Shqipëria e re” më 1966 vë në qëndër Dom Palin një klerik katolik në malësinë e Mirditës i cili sipas propagandës ateiste pengonte zhvillimin komunist të Shqipërisë së asaj kohe duke bashkëpunuar me bajraktarët e zonës kundër vendosjes së regjikmit diktatorial. Dom Pali paraqitet në film si imoral, refraktar, nxitës i kryengritjeve kundër regjimit komunist, kundërshtar i thekur i regjimit, mbështetës i fashizmit, nxitës i vëllavrasjeve në malësi, mbajtjen e shoqërisë në prapambetje etj. Përveç kinematografisë që dha një ndihmëse të jashtëzakonshme në luftën e shtetit komunist ndaj fesë, në shërbim të aksionit ideologjik u vunë edhe letërsia e teatri, ku dramat dhe shfaqjet e ndryshme teatrale shënjestronin klerin dhe institucionet fetare si tradhtar dhe armiq të botëkuptimit materialist, bolshevik e marksist-leninist. Kinematografia në shërbim të propagandës ateiste duke ironizuar e sulmuar klerikët dhe institucionet fetare u dha një ndihmesë të çmuar komunistëve shqiptar në ndërtimin e njeriut dhe shtetit pa Zot. 

Filed Under: Histori Tagged With: diktatura komuniste, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 100
  • 101
  • 102

Artikujt e fundit

  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës zhvilloi mbledhjen përgatitore të Kuvendit të 25 Prillit 2026
  • “Thinking of You”
  • Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike
  • NGA AMERIKA ME SHPIRT E ZEMËR PËR EPOPENË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
  • Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë
  • Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
  • Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?
  • Një monument letrar për viktimat e diktaturës…
  • Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar
  • Muhamet Kërpaçi, ambasadori i artit shqiptar
  • 𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢
  • Mësuesit çamë, ata që u sakrifikuan me dashuri për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe
  • Në ditëlindjen e 94 të shkrimtarit Naum Prifti
  • E ARDHMJA ESHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE
  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT