• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

111 VJETORI I PAVARËSISË, VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

November 29, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 28 Nëntor 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA bashkoi patriotët shqiptarë nga të gjitha shtetet e Amerikës duke festuar me madhështi e hijeshi 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Në një ceremoni festive që bashkoi veprimtarë të çështjes kombëtare, mësues, vatranë, përfaqësues nga shoqat shqiptare në New York, luftëtarë të UÇK, diplomatë e aktivistë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, folësit falënderuan Vatrën për punën e shkëlqyer në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Festa e flamurit kombëtar është festa më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e popullit e kombit shqiptar. 28 Nëntori 1912 është dita e lirisë së përjetshme dhe e pavdekshme të popullit shqiptar dhe hedhja e themeleve të shtetit modern shqiptar. Flamuri është simboli më i çmuar i një populli e kombi. Flamuri kuqezi është krenaria jonë kombëtare, identiteti ynë, frymëzimi ynë. Në themel të pavarësisë është gjaku, mundi, djersa, sakrifica, lufta, përpjekja e patriotëve, heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve e çlirimtarëve shqiptarë që dhanë jetën për komb, për flamur, për atdhe.

Darka gala e Vatrës në Bronx filloi me këndimin e himneve kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u ekzekutuan mjeshtërisht nga tenori Julian Gjojdeshi. Në nderim të heronjve të kombit dhe vatranit Ukë Gjonbalaj u mbajt një minutë heshtje.

Dom Nikolin Përgjini bekoi darkën e flamurit ndërsa kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shpalosi para të pranishmëve sukseset dhe arritjet e Vatrës në vitet e fundit duke rreshtuar vizat zyrtare, memorandumet institucionale, punët e jashtëzakonshme lobuese në Uashington në dobi të kombit e çështjes shqiptare. Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe deputeti Driton Selmanaj vlerësuan rëndësinë historike të Nëntorit si festë pavarësie, ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK Adem Jashari, daljen zyrtare publike të UÇK dhe punën e madhe të Vatrës në mërgatën e Amerikës.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati dhe z.Ferit Hoxha në Kombet e Bashkuara uruan Festën e Pavarësisë, dhanë mesazhe bashkimi e bashkëpunimi në dobi të çështjes shqiptare në Amerikë ku Vatra ka pasur rol historik.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi z.Nikollë Camaj foli rreth rritjes dhe fuqizimit të peshës së shqiptarëve në Mal të Zi e kudo në viset shqiptare në Ballkan, ndërsa diplomati Fatmir Zajmi përshëndeti darkën e Vatrës në emër të Konsullatës së Kosovës në New York.

Veprimtari i komunitetit z.Mark Gjonaj tha i ekzaltuar se Vatra bashkon rreth vetes shqiptarët më të suksesshëm dhe festa e bashkimi i shqiptarëve për të gëzuar e festuar suksese të kombit tonë është diçka madhështore. Ambasadorja e Vatrës zonja Emina Çunmulaj emocionoi të gjithë të pranishmit me mesazhe atdhedashurie për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës autentike shqiptare.

Kryetari i komisionit organizativ të festës së Flamurit z.Ilir Cubi shprehu mirënjohje për pjesëmarrësit dhe renditi rëndësinë që ka Vatra për shqiptarët në Amerikë. Festa e Flamurit u mbyll me dekorimin nga Vatra të mësuesit të shquar nga Kosova z.Demë Malota për kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e mësimit shqip në Kosovë, zhdukjen e analfabetizmit, qëndresën ndaj okupatorit serb dhe kultivimin e vlerave më të larta edukative e atdhetare ndër breza. Nga Kalifornia ish-nënkryetari i Vatrës Ahmet Xhafo dergoi nje urim te ngrohte per te gjithe patriotët. Nën tingujt e magjishëm të muzikës autentike shqiptare kënduar nga Greta Tafa, tenori Julian Gjojdeshi, Hermes dhe i madhi Bashkim Alibali, mbrëmja festive vazhdoi deri në orët e vona.

Në kalendarin historik të lavdisë së kombit tonë, Vatra ka meritë historike pasi e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, i priu mbrojtjes së shtetit shqiptar, organizoi diplomacinë, pagoi ambasadorë dhe luftoi fort për të mbrojtur territoret e Shqipërisë nga copëtimi.

Vatra është nderi i kombit shqiptar. Vatra është historia, identiteti, krenaria dhe trashëgimia me e çmuar historike, shpirtërore dhe atdhetare e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

PAVARËSIA E SHQIPËRISË DHE MIRËNJOHJA PËR KLERIN FETAR SHQIPTAR

November 28, 2023 by s p

Sokol Paja/

Festa e flamurit kombëtar është festa më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e popullit e kombit tonë. 28 Nëntori 1912 është dita e lirisë së përjetshme dhe të pavdekshme të popullit shqiptar dhe hedhja e themeleve të shtetit modern shqiptar. Flamuri është simboli më i çmuar i një populli e kombi. Flamuri kuq e zi është krenaria jonë kombëtare, identiteti ynë, frymëzimi ynë. Në themel të pavarësisë është gjaku, mundi, djersa, sakrifica, lufta, përpjekja e patriotëve, heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve e çlirimtarëve shqiptarë që dhanë jetën për komb, për flamur, për atdhe. Vendosmëria, diplomacia dhe këmbëngulja e plakut të urtë të Vlorës Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Lef Nosit, Dom Nikollë Kaçorrit, Vehbi Dibrës, Iljaz Vrionit, Mit’hat Frashërit e shumë patriotëve solli lirinë e shumëpritur. Pavarësia e Shqipërisë përbën ngjarjen më të madhe, unikale dhe të lavdishme në historinë e dhimbshme dhe të mundimshme të kombit shqiptar gjatë shekullit të kaluar. Në këtë ditë pavarësie mirënjohje e veçantë shkon për klerin fetar shqiptar të cilët kanë qenë në ballë të çdo përpjekjeje për zhvillim kombëtar, bashkim kombëtar, përparim kombëtar e pavarësim kombëtar.

Binomi për fe dhe atdhe udhëhoqi veprimtarinë patrotike dhe klerikale në shërbim të popullit, shtetit e kombit shqiptar. Festat kombëtare janë një moment refklektimi se çfarë duhet të bëjmë më shumë për atdheun tonë, për kombin tonë, për njëri-tjetrin, për bijtë e shqipes kudo në botë. Festat kombëtare janë një moment për të shprehur falenderim e mirënjohje të thellë secilit që ka dhënë për flamur e për komb. Pa dyshim kleri fetar i të katër besimeve në Shqipëri e meriton më shumë se askush tjetër vlerësim e mirënjohje. Kleri fetar shqiptar i të katër besimeve fetare ka luajtur rolin më të rëndësishëm në mbrojtje të interesave të atdheut dhe në shërbim të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, gjithashtu edhe në mbrojtjen e konsolidimin e shtetit shqiptar.

Historia e shtetit e popullit shqiptar do të ishte shumë e varfër pa kontributin e jashtëzakonshëm të klerit fetar shqiptar i cili qenë ndër mbrojtësit më të zjarrtë të kombit dhe ka merita të mëdha në fushën e kulturës, arsimit, historisë, enciklopedisë e atdhedashurisë. Vuajtjet pa fund që provoi kombi shqiptar nga valët e njëpasnjëshme të pushtuesve të huaj, e pushtuesve të brëndshëm, diktuan kurdoherë nevojën e qëndresës për të mbijetuar, gjë që i dha shkas dhe hov atdhetarizmit shqiptar me në krye klerin fetar. Kleri fetar shqiptar ndihmoi në mënyrë të ndjeshme bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, krahine, rreth idesë kombëtare ku në të gjitha proceset historike kombëtare klerikët kanë qenë të pranishëm në role kryesore shtetformuese.  Edhe pse vuajtën mizorisht barbarinë e genocidin komunist, kleri fetar shqiptar pas rënies së komunizmit ndërtoi një botë fantastike shpirtërore për besimtarët duke kultivuar dashurinë për atdheun dhe njëri-tjetrin.

Kleri fetar shqiptar përgjatë historisë ndihmoi në forcimin e lëvizjes për liri e pavarësi, rriti atdhedashurinë në popull, nxiti frymën patriotike, forcoi harmoninë fetare e kohezionin e brëndshëm shoqëror, hodhi bazat e kombit shqiptar në ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor shqiptar duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në emancipimin dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në përgjithësi. Shpallja e Pavarësisë në Vlorë përfaqëson fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare dhe vazhdimin e amanetit për bashkim kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo festë pavarësie na rikujton nevojën e domosdoshme të ndihmës që atdheu kërkon prej çdo patrioti breda dhe jashtë atdheut: Duaje vendin tënd, investo në vendin tënd, mos e harro vendin tënd, kthehu në vendin tënd, fol gjuhën e bukur shqipe, angazhohu dhe ndihmo në veprimtaritë që lartësojnë kombin, shtetin dhe çdo shqiptar kudo ku lulëzon e përparon.

Kleri fetar shqiptar ka qenë gjithmonë një shtyllë e kombit për të krijuar një shtet të konsoliduar dhe të emancipuar si çdo shtet tjetër i zhvilluar perëndimor. Klerikët historikë si At Gjergj Fishta, Dom Nikollë Kaçorri, At Anton Arapi, At Gjon Shllaku, Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Dom Ndre Mjeda, Imzot Vinçens Prendushi, Imzot Jak Serreqi, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Frano Gjini, Patër Zef Pllumi, Kardinal Mikel koliqi, Kardinal Ernest Troshani, Imzot Zef Oroshi, Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Sabri Koçi, Vexhi Buharaja, Sali Myftia, At Fan Noli, At Kristo Negovani, At Stath Melani, At Kristofor Kisi, Baba Rexhebi, Baba Ahmeti, Baba Myftari, Baba Reshati e shumë e shumë klerikë të tjerë të shquar janë në themelet e historisë së kombit shqiptar. Dashuria për atdheun, kombin e njëri-tjetrin, konsolidimi i shtetit shqiptar, ngritja e institucioneve dhe zhvillimi e përparimi i shtetit e shoqërisë shqiptare ishin ndër meritat kryesore që kleri fetar na trashëgoi duke na bërë krenar si komb. Kleri fetar veproi drejtpërdrejtë në zhvillimin moral, kulturor dhe shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe kombit shqiptar. Përjetë falenderues, përgjithmonë mirënjohës.   

Filed Under: Analiza Tagged With: Sokol Paja

MËSIMI SHQIP NË ABRUZZO, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE  TË ITALISË

November 20, 2023 by s p

Silvana Muço Dogani, mësuese e shkollës shqipe në Orsogna, Abruzzo e Pescara në Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Orsogna, Abruzzo e Pescara në Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Silvana Muço Dogani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË ORSOGNA, ABRUZZO E PESCARA NË ITALI

Shkollën e parë e kam hapur në vitin 1999 në Orsogna (Abruzzo Itali), ku jetoj edhe sot, nëse nuk gaboj rezulton shkolla e parë shqipe e hapur në Itali. Motivi i cili më shtyu të marrë këtë iniciativë ka qenë eksperienca personale, e cila  më ka përballur shumë herë me gjyshër apo dhe familjar që  kur vinin për vizitë nga Shqiperia kishin vështirësi në komunikimin me nipërit, pasi këta të fundit nuk flisnin shqip. Ky fenomen sidomos në vitet e para të emigracionit  ku përveç vështirësive materiale dhe ekonomike  u përballëm  me opinionin negativ që kishin për shqiptarët në ato kohë i cili na rrënonte psikologjikisht, aq sa  iu përkushtuam më shumë përpjekjes për integrim dhe përmirësim imazhi, duke i dhënë përparësi mësimit të gjuhës së vendit pritës pa e kuptuar se po braktisim gjuhën e tonë amtare. Duke studiuar historinë e emigracionit të mëparshëm italian, frymëzimin tim të parë e pata nga shembulli i tyre, pasi  u ndeshën vetë me të njëjtin problem, ata kishin hapur shkolla italiane në vendet pritëse përkatëse. Ky shembull më mbeti gjatë në mendje dhe më rikthehej gjithnjë e më i gjallë, sa herë, me keqardhje të madhe, gjendesha përballë situatave në të cilat ishte mjaft e dukshme humbja e traditës sonë gjuhësore dhe bashkë me të edhe ajo kulturore, pra po humbisnin “rrënjët tona”. Si ish-mësuese në Shqipëri, mora guximin dhe hodha hapat e parë, duke iu drejtuar administratës lokale, veçanërisht kryetarit të bashkisë së Orsogna-s në atë kohë, Fabrizio Montepara. Nuk e mohoj që shpresat e vendosura në suksesin e projektit ishin minimale, por çuditërisht, ndryshe nga sa prisja, mora mbështetje të menjëhershme konkrete. Kështu nisi ky rrugëtim i gjatë i mbrojtjes dhe promovimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Falë punës sime si ndërmjetëse kulturore ( të kryer në bashki të ndryshme të zonës) e cila më mundësoi të njoh komunitetet e huaja dhe vështirësitë e tyre (veçanërisht atë shqiptare që është shumë e pranishme në territorin tonë), kam hasur në të njëjtat vështirësi dhe nevoja në territore të tjera fqinjë dhe kështu vendosa, jo pa vështirësi, të eksportoj shembullin e shkollës shqipe të Orsogna-s në komunat e tjera të Abruzzo-s. Kështu u hap shkolla në Tollo në vitin 2004, e ndjekur  nga ajo e Ortonës sërish në provincën e Chietit në 2021, derisa mbërriti në provincën e Pescara-s në vitin 2022 me shkollën e parë në qytetin e Pescara-s. Në vitet e mëparshme kisha pasur disa kërkesa dhe interesa nga prindërit me banim në këtë krahinë, por largësia dhe vështirësitë logjistike e kanë vonuar këtë hapje. Megjithatë, kërkesat e prindërve gradualisht u bënë më të shpeshta jo vetëm tek unë, por edhe tek institucionet shqiptare si ASCAP e  Qendra e botimeve për diasporën, të cilat më raportuan këto kërkesa tek unë. Ndaj vendosa të ndërmarr këtë sfidë të re, edhe më kërkuese. Me pamaturinë e zakonshme që më dallon, dhe kësaj radhe pa shpresuar shumë për realizimin aktual, i bëra thirrjet e para dhe fatmirësisht edhe kësaj radhe me habiti dhe më dha kënaqësi të pamasë që mora përkrahje të fuqishme si nga administrata komunale ashtu edhe nga kolegët, mësuesit e italishtes dhe shqipes, duke arritur të finalizojë këtë objektiv.

KURRIKULA MËSIMORE DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDERIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR

TEMA : Të mësojë regullat, të tregojë përgjegjësi, në realizimin e tyre në mjedise të ndryshme. Objektivat:  Në përfundim të orës mësimore nxënësi do të jetë në gjendje. Të shpjegojë me fjalët e veta kuptimin e konceptit rregull, duke përdorur burime të ndryshme informacioni. Të përpilojë rregullat për mjedise të ndryshme duke u bazuar në kërkesat e veçanta të këtyre mjediseve. Të diskutojë për rëndësinë e rregullave, me anë të argumentave dhe shembujve që mbështesin qëndrimin e tij. Mjetet:  Fletore, laps, stilolaps, kompjuter. Në përfundim të çdo ore mësimore vijnë prindërit për të marë fëmijët dhe u shpjegojmë atyre  ecurinë e tyre dhe  detyrat që duhet të kryejnë në shtëpi (detyrat e shtëpisë janë të thjeshta ) për faktin se janë  të zënë me shkollën publike. Prindërit në zonën tonë janë prezent në çdo aktivitet që krijojmë për integrimin, e për të çuar përpara traditat e kulturën tonë e cila ka ngjallur interesin e vendasve këtu.

SI REAGON SHOQERIA ITALIANE DHE SI PRITET MËSIMI SHQIP

Në shkollat tona pothuajse gjysma e nxënësve janë nga Kosova e Maqedonia e Veriut shumë fëmijë të cilët janë më të përkushtuar se të tjerët, përveç tyre ne kemi një grup të moshës 60-70 vjeç, komunitet arbëresh që quhet “VILLA BADESSA” ku para disa muajsh erdhi dhe Presidenti i Shqipërisë Shkëlqesia e tij Z.BAJRAM  BEGAJ. Përsa i përket organeve shtetërore ne jemi të përkrahur në çdo aspekt, kjo falë dhe integrimit tonë, këtu kemi krijuar një marrëdhënie të ndërsjelltë respekti dhe një përshtypje të mirë dhe është kënaqësi të dëgjosh se komuniteti shqiptar është më i integruar se të tjerët. Kemi krijuar një rrjetë komunikimi me  gjithë shoqatat shqiptare në Itali e jo vetëm, kjo falë dhe SH.GJ.SH – Lidhja –Shkollat e Gjuhës Shqipe në Itali, ku hera-herës on-line ose fizikisht takohemi e shkëmbejmë mendime, metodat e mësimdhënies etj…

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTIRËSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GHUHËSI

Kompiuteri është për ne një mjet i cili  na ndihmon në shpjegim duke vendosur dhe me figura për fëmijët me dy gjuhësi. I kemi ndarë në 3 grupe nxënësit sipas njohurive që kanë, duke krijuar nivelin bazë/mesatar dhe të përparuar.  Problemi ynë madhor është se kemi shumë fëmijë e pak mësues profesionist, kam bërë kërkesë në  media sociale, shpresojmë të na vijnë në ndihmë kush mundet.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Dëshira për të mësuar gjuhën shqipe ka lindur nga prindërit,  fillesat kanë hasur pak probleme sepse siç e kam parashtruar në vitin 1999 ishin akoma vitet e para ku dhe vet shqiptarët nuk ishin integruar siç duhet, e ishte një gjë  jo me shumë interes, pak nga pak u ndërgjegjësuan dhe kërkuan që fëmijët e tyre të mësonin gjuhën amë, ka patur fëmijë që nuk kanë dashur të vijnë në fillim, ju thosha prindërve mos i detyroni nese nuk duan, do vijnë vetë kur ta mendojnë se është momenti, dhe kur kanë ardhur për të parë nga kurioziteti kanë qenë po ata fëmijë që nuk mungojnë në asnjë orë mësimore, dhe kjo ka qenë “sfida” e cila u fitua tashmë ata kërkojnë vetë të vijnë.

KUSH ËSHTË MËSUESE  SILVANA MUÇO DOGANI?

Jam lindur e rritur në Vlorë. Studimet i kam filluar në këtë qytet ku jam diplomuar në Pedagogji e më pas ne universitetin e Perugies në Itali për gjuhën italiane, në vazhdim me kurset e specializimit si Ndërmjetese Gjuhësore Kulturore (Mediatore linguistico-culturale). Falë këtyre titujve të studimeve kam filluar punë që prej janarit të vitit 2004 e deri sot në zyrën e emigracionit të qarkut të Chietit (Itali) ku përmblidhen 10 bashki.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

SHQIPËRIA ZYRTARISHT NË KAMPIONATIN EUROPIAN TË FUTBOLLIT GJERMANI 2024

November 18, 2023 by s p

Sokol Paja/

Kombi shqiptar në festë. Kombëtarja e futbollit arriti për herë të dytë në historinë e saj kualifikimin në Kampionatin Europian të Futbollit Gjermani 2024. Një ekip i shtetit amë që është kthyer në një kombëtare të një kombi me talente prej të gjitha viseve shqiptare në trojet etnike. Kombëtarja ka bashkuar kombin. Futbolli është kthyer në promotorin më të madh ndërkombëtar të kombit tonë. “Magjistari” Sylvinho ka bërë një revolucion sportiv dhe filozofik në skuadër, ka kthyer shpresën, besimin, dinamizmin, magjinë dhe konceptet e futbollit të shpejtë, të bukur e modern. Ekipi ka pësuar një rritje të pa imagjinueshme. Një ekip i vogël që luan si një skuadër e madhe. Zemërluanët kuq e zi i treguan gjithkujt se pasioni, ëndrra, mundi e talenti e kanë gjithmonë një shpërblim. Suksesi i kombëtares ka gëzuar mbarë kombin. Suksesi historik ka ngjallur një shpresë në trojet tona. Ka frymëzuar talentet dhe kurorëzuar mundin e punën e bërë prej të gjithëve. Kombëtarja jonë është në nivele të jashtëzakonshme tekniko-taktike. Barazimi në Moldavi 1-1 që siguroi matematikisht Euro 2024 do pasohet me festën në Air Albania ndaj Ishujve Faroe. Për një kombëtare që na ka dhuruar shumë emocione, falenderim të posaçëm meritojnë dhe tifozët kuq e zi që e kanë ndjekur ekipin në çdo hap. Zoti i nderoftë djemtë tanë kuq e zi. Zoti e bekoftë kombin tonë.

Filed Under: Sport Tagged With: Sokol Paja

SHKOLLAT SHQIPE NË VIERSEN DHE MONCHENGLADBACH, RUAJTJA E GJUHËS DHE IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË GJERMANISË

November 7, 2023 by s p

Adem Shala, mësues i shkollës shqipe në Viersen dhe Monchengladbach të Gjermanisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Viersen dhe Monchengladbach, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesin Adem Shala bisedoi Editori i “Dielli”-t Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE NË VIERSEN

Shkolla shqipe në Viersen ka filluar punën për herë të parë me 2 gusht 1999 me mësues Adem Shala. Vitin e parë kishte mjaft vështirësi në organizimin e shkolles shqipe, mirëpo falë pervojes, energjisë dhe vullnetit që të kontriboj në mësimin e gjuhes amëtare dhe ruajtjen e kultures dhe traditave tona të çmueshme kombëtare për brezin e ri në Qarkun e Viersenit, e më vonë edhe në Grevenbroich (Qarku i Neussit) dhe më vonë në qytetin e Mönchengladbachut. Në vitin 1999 caktoj një takim me drejtoreshen e Entit Arsimor për Qarkun e Viersenit, me zonjen Wulf dhe i shprehi gadishmërinë time që të filloj punën me nxënësit shqiptar. U zhvillua një bisedë ( intervistë) në muajin maj 1999 afër një orë dhe u dakorduam që të njoftohem pas disa dite. Mirëpo unë u njoftova pas pushimeve verore,por tash zonja Wulf ishte pensionuar dhe kishte ardh një drejtor i ri dhe ai më ofroi vetem gjysem norme që të punoj me nxënës shqiptar. Mi dha tri ditë që ti kthej pergjigje, sepse unë ku isha duke punuar në punë tjera jasht profesionit tim fitoja më shumë se sa këtu me gjysem norme.

Duke e pasur parasysh sakrificen që kisha bërë për shkollen shqipe në atdhe me gjithë familjen time, vendosa të sakrifikoj kafshaten per tre fëmijët e mi vetem e vetem që mos ti lë fëmijët shqiptar pa mësuar gjuhen e nënës, kulturen dhe traditen tonë kombëtare. Kështu, me 2 gusht unë fillova me 15 orë mësimi, mirëpo gadishmëria ime, pervoja me njerëz dhe autoriteti që gëzoja te bashkatdhetarët, bëri që pas dy jave unë të dorëzoj një listë të nxënësve me 104 nxënës dhe në gjysemvjetorin e dytë punoja me normë të plotë. Mësimin e mbaja në Viersen para dhe pasdite, kurse në qytetet tjera pasdite, si në St.Tönis, Kempen, Vorst, Kaldenkirchen e më vonë edhe në Oedt, Grefrath, varësisht se nga lëviznin familjet e nxënësve.

Statusi i familjeve kur kam filluar shkollen shqipe ka qenë 90% i pa zgjidhur, kështu që dita dites pritej kthimi për në atdhe.Mirëpo ne jemi popull punëtorë, e gjermanë i duan punëtorët dhe nderkohë familjet zgjidhen statutin dhe u stabilizu qendrimi i shkolles shqipe. Edhe pse këto janë qytete të vogla, shkolla shqipe në Qarkun e Viersenit ka qenë dhe është një nder shkollat shembull për numrin e madh të nxënësve dhe për aktivitetet e shumta kulturore dhe sportive. Një bashkëpunim shembull i mësuesit me prinder dhe bashatdhetarë. Cdo vit kam pasur mesatarisht mbi 150 nxënës të ndara në grupe.Në qytetet ku ishte numri më i madh formoheshin grupet klasa 1-4 dhe klasa 5-10, ndersa në qytete më të vogla grupi i perzier nga klasa 1 deri 10 ( mësim i diferencuar).

Përveç mësimit të rregullt nxënësit angazhohen edhe në aktivitete kulturore dhe sportive. Çdo vit kremtojmë Festat e Nëntorit dhe pas shpalljes së Pavarësisë edehe në muajin shkurt kremtojmë Pavarësinë e Kosovës. Shkolla shqipe e Qarkut të Viersenit e ka organizuar Festivalin e parë (dhe të vetem) të shkollave shqipe, ku kanë marrë pjesë 22 shkolla shqipe mysafir special ka qenë Ansambli i Brukselit në vitin 2003. Në këtë festival janë prezentu nxënësit me këngë dhe valle popullore dhe në fund të gjitha shkollave iu janë ndarë MIRËNJOHJE dhe dhurata. Shkolla shqipe e Viersenit si nikoqir i ka siguru dhuratat dhe ushqimet dhe pijet për të gjithë të pranishmit gratis, ku mësuesi e ka organizu Këshillin e Prindërve; që të ofrojnë një ambient sa më të mirë dhe kushte të mira dhe të ofrojmë mikëpritje ashtu si na kanë mësuar paraardhësit tonë.

Shkolla shqipe e Qarkut të Viersenit ka marrë pjesë në Kampionatet e Diturisë të shkollave shqipe, të cilat i organizon KASH “Naim Frashëri“ në Gjermani, ku ka arritë suksese të jashtëzakonshme, ku 10 herë ka qenë fitues i garave në nivel të Gjermanisë dhe dy herë fitue i garave që i organizonte Mistria e Jashtme dhe Diasporës në RTK, si dhe shumë medalje në gatat sportive individuale në vrapime dhe ekipore në futboll për djem dhe vajza. Grupet e vallëzimit të shkolles shqipe të Qarkut të Viersenit dhe tash në Mönchengladbach janë të njohura në gjithë Gjermaninë, sepse në shumë aktivitete kulturore dhe në dy Festivale në Berlin kanë marrë pjesë me shumë sukses. Në Mönchengladbach është viti i gjashtë i imi që punoj në këtë shkollë, sepse më parë ka punuar një mësues i cili kur u pensionua erdha unë dhe atëherë ishin vetem 6 orë mësimi me një numer simbolik të nxënësve, diku rreth 20 nxënës, por me të marrë këtë grup fillova punën dhe fillova aktivitetet kulturore që kurrë më parë nuk kishte pasur në këtë qytet dhe pas një viti u rrit numri i nxënësve mbi 100 nxënës, prandaj Enti Arsimor rriti fondin e orëve nga 6 në 18 orë mësimi. Pasi unë kisha nevojë këtu vetem për 6 orë, 12 orë i mori mësuesja e re Ersa Mani (4 vite), pastaj erdhi mësuesja Kaltrinë Shabani Neziri.

Shkolla shqipe ka ndiku shumë në si në aspektin mësimor, po ashtu edhe në permirësimin e imazhit të shqiptarëve ndaj komunitetit vendas dhe ka qenë një ofertë e njohjes së komunitetit shqiptar dhe ta njohin kulturen dhe traditen tonë si në aspektin e kultures, mikëpritjes dhe të njohin ushqimet tona tradicionale, ku çdo herë janë nda shumë të kënaqur dhe shumë falenderues. Ata tash na thirrin special me grupet tona të vallëzimit të paraqiten në aktivitete kulturore që organizohen me komunitetet që jetojnë këtu.

KURRIKULA MËSIMORE E PREGADITUR NGA ENTET ARSIMORE NË NIVEL TË LANDIT

Kurrikula mësimore këtu është e pregaditur nga Entet Arsimore në nivel të Landit dhe atë duhet zbatuar në punën tonë me nxënës. Çdo vit organizohen seminare të shumta për punën dhe zbatimin e kurrikulave mësimore. Natyrisht aty lihet edhe një hapsirë që ti pershtatet specifikave të seciles gjuhë. Natyrisht temat janë të caktuara për të gjitha gjuhët, por ne e fusim si projekt Diten e Flamurit, apo Pavarësinë e Kosoves, njohjen e Atdheut tonë. Edhe ne kolegët e gjuhës shqipe shpesh takohemi dhe bisedojmë dhe pregadisim tema që janë në interes të shkolles shqipe. Shkollat ku mbajmë mësim na ofrojnë të gjitha mjetet e nevojshme mësimore që mësimi të jetë sam a kualitativ, sepse kjo formë e mësimit e ndihmon nxënësin edhe gjuhen gjermane. Nxënësit për pjesëmarrje n ë mësimin e shkolles shqipe marrin notë në gjysemvjetorin e parë dhe dëftesen me notë në gjysemvjetorin e dytë. Në klasen e dhjetë nxënësi është i obliguar ti nenshtrohet provimit dhe në bazë të notes i caktohet edhe niveli i pervetësimit të gjuhës shqipe (A1, A2,B1 apo B2).

BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT ËSHTË I SHKËLQYER

Bashkëpunimi me prindërit është i shkëlqyer. Çdo vit zgjidhet kryetari dhe nënkryetari i aktivit të prindërve në qytet ku mbahet mësimi, e pastaj këta së bashku e formojnë Këshillin e Prindërve, të cilët e marrin përsipër të ndihmojnë shkollen shqipe dhe i ndajnë detyrat në të gjitha aktivitetet e shkollës shqipe, i zbatojnë me përpikmëri dhe pas aktivitetit ulen dhe e bëjnë analizen e punës, rrjedhes së aktivitetit dhe suksesit. Në krye të punës dhe organizimit është mësuesi dhe krah i djathtë janë prindërit. Organizimi i mirë ka bërë që mbi 97% të nxënësve janë të perfshirë në mësimin e gjuhës, kultures dhe traditës shqiptare.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË GJERMANI

Në Gjermani përfshirja e nxënësve në shkollen shqipe per fat të keq është shumë e ultë. Në bazë të numrit të madh të bashkatdhetarëve tonë, mbi 400 000 në shkollën shqipe janë 2-3 % të nxënësve që vijojnë mësimin rregullisht. Këtu prinë Landi i NRW-së ku janë 27 mësues, Nidersachsen 3 mësues, Hamburg 1 mësuese, ndersa në Landet tjera si në Bajern, Baden Würtenberg organizohen kurse në grupe të vogla dhe në kushte të vështira. Patjeter se shkolla shqipe ka rëndësi në ruajtjen e identitetit kombëtar, për atë ne mësuesit japim shumë nga vetëvetja që gjeneratat e reja të rriten me gjuhën shqipe, me këngën dhe vallen shqipe, të njohin të kaluaren tonë me personalitete të njohura historike të nivelit botëror si Nënë Tereza, Skënderbeu, Aleksander Moisiu, këngëtarë, artist, piktor etj. Që kur i prezentojnë nxënësit tonë para komuniteteve tjera ndihen shumë krenarë dhe ua kann lakmi të tjerët. Me nxënës kam pregaditur edhe komedinë “Vëllazëri e interes“ dhe një dramë nga lufta e Kosovës, “Gjysh e gëzofshim lirinë së bashku“, skenarin e kam shkruajtur unë por edhe regjinë e kam bërë unë.

SI REAGON SHOQËRIA GJERMANE NDAJ MËSIMIT SHQIP

Për të qenë krenarë nxënësit tonë, në të gjitha programet tona vijnë shumë mysafir jo shqiptar që me kënaqësi marrin pjesë poashtu edhe mbajnë fjalime rasti dhe thonë:“Nuk e paskemi ditë çfarë pasurie paska pasur qyteti jonë, por meqë tani po e dimë, jemi me fat“. Mësimi i gjuhes shqipe këtu pritet jashtëzakonisht mirë. Bashkëpunimi me drejtoritë dhe me koleget e gjuhes gjermane është shumë i mirë dhe për çdo gjë konsultohemi dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Shkolla shqipe ka bashkëpunim të mirë me shoqatat gjermane, por edhe me institucionet tona shtetërore me Konsullatat dhe Ambasadat e Shipërisë, Kosovës, por edhe me Konsujt shqiptar nga RV e Maqedonisë.

MËSIMDHËNIE PËRMES TEKNOLOGJISË, VËSHTËRSITË NË MËSIMDHËNIE ME FËMIJËT ME DY GJUHËSI

Për organizimin e mësimit të gjuhës shqipe shteti gjerman na i siguron kushtet e punës, por edhe tekstet shkollore pa pagesë. Gjatë pandemisë ne jemi detyruar që të organizojmë mësimin në distancë- online, prandaj për organizimin e kësaj forme është dashtë me i pas edhe mjetet shkollore. Shkolla na ka pais me iPad si neve mësuesit, por edhe nxënësit dhe çdo gjë ka rrjedhë mirë duke pasur parasysh rrethanat. Ne kemi vështërsi në raste të veçanta kur nxënësi është nga prindër binacional, nese ata nuk flasin në shtëpi shqipe, atëherë vështërsitë janë evidente. Me të tjerët nuk kemi kurrfarë vështirësie.

EFEKTI QË KA PASUR TE FËMIJËT NË RRITJEN E NDJENJËS PATRIOTIKE MËSIMI I GJUHËS SHQIPE

Mësimi i gjuhës shqipe dhe pjesëmarrja në mësimin e gjuhës shqipe i ka bë shumë të lumtur këta fëmijë e tash edhe disa prej tyre që janë bë prindër dhe i sjellin fëmijët e tyre në shkollen shqipe. Njohja e gjuhës i ka tërheq me shkua më shpesh në atdhe, me kontaktu me familjar dhe me shok e shoqe në atdhe, ku kjo ka ndiku edhe në martesa mes nxënësve shqiptar, me vizita të shumta në Atdhe, ku i kanë mbajt në mend kur ju kam thënë apo e kam pershkru Shqipërinë dhe Kosovën me bukuritë e shumta dhe nga atje më shkruajnë: “Mësues kemi ardhë dhe po e shijojmë bukurinë shqiptare, ate që na keni thënë gjatë orëve mësimore, faleminderit”!

KUSH ËSHTË MËSUES ADEM SHALA?

Adem H. Shala, u lind me 24.03.1959 në fshatin Sllatinë e Madhe, Fushë Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, pastaj shkollen e mesme në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë dhe studimet në FSHN – seksioni i kimisë, i diplomuar në vitin 1982 me titullin Profesor. Si mësimdhënës për herë të parë ka filluar në vitin 1982 në gjimnazin “ Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë, deri në dhjetor 1986, pastaj për tri vite me rradhë drejtor i shkollës fillore “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe. Nga viti 1989 u punësua në MC të Kosovës si bashkëpunëtor i lartë profesional i MRBK, deri në korrik 1989, kur e larguan me dhunë nga vendi e punës, përshkak të përkrahjes haptas të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut. Pas largimit nga puna u angazhua vullnetarisht në mbajtjen e mësimit në gjimnazin “Hivzi Sulejmani” të Fushë- Kosovës nëpër shtëpitë shkolla, gjithashtu në shkollën ekonomike në Vragoli , si dhe në kordinimin e sigurimit të lokaleve – shtëpive për mbajtjen e mësimit nxënësit e shkollës fillore “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe pasi që regjimi serb i largoi nga objekti shkollor. Nga viti 1991, në muajin maj u angazhua në Shtabin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, i formuar me urdhër të Komandantit Suprem të Republikës së Kosovës – Dr. Ibrahim Rugovës, ku i ngarkuar për të koordinuar punët ishte Dr.Fehmi Agani. Kjo veprimtari zgjati deri në shtator 1993, kur një pjesë e shtabit u arrestu nga regjimi serb, ndërsa një pjesë u arratisën, prandaj ai arriti të arratiset në Shqipëri. Pas përfundimit të luftës, ky shtab e avancoi me gradën e Nënkolonelit. Në Shqipëri qendroi deri në shtator 1995, kur emigroi për në Gjermani, ku edhe jeton sot. Në Gjermani nuk qëndroi kot, mori iniciativen për organizimin e mësimit shqip për nxënësit shqiptarë në rrethinen e Magdeburgut, por pasi që u transferua në Landin e NRW, me iniciativen e tijë, me 2 gusht 1999 filloi punën e shkolla shqipe në Qarkun e Viersenit – në Viersen, Vorst, Kempen, pastaj në St.Tönis, Oedt, Grefrath, Kaldenkirchen, Lobberich dhe dy vitet e fundit edhe në Grevenbroich- Enti Arsimor i Neuss-it dhe në Mönchengladbach. Kontributi i tij në KASH “Naim Frashëri” në Gjermani është i madh, si me ide organizative, profesionale, prandaj dy mandate u emërua si nënkryetar dhe Kryetar i KASH “ Naim Frashëri” ishte në mandatin dhjetor 2008 – dhjetor 2010. Në këtë mandat me inicitivene tij Kampionati i Diturisë “ Berlini 2009” u mbajt nën patronatin e Ambasades së Republikës së Kosovës, ku kjo ishte një nder dhe respekt për Ambasaden tonë dhe Shtetin tonë. Në këtë mandat bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë edhe me Ambasaden e Republikës së Shqipërisë, Konsullin shqiptar të Republikës së Maqedonisë, por edhe me Konsulaten e Rep. së Kosovës në Shtutgart. Me qëllim që të avancohet akoma puna e KASH-it vullnetarisht tërhiqet që të hap rrugë për të tjerët, por gjithmonë i gatshëm të jep kuntributin e tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: adem shala, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Komisioni Përgatitor i Kuvendit të Vatrës zhvilloi mbledhjen përgatitore të Kuvendit të 25 Prillit 2026
  • “Thinking of You”
  • Kosova mes krizës politike dhe sfidës së pjekurisë demokratike
  • NGA AMERIKA ME SHPIRT E ZEMËR PËR EPOPENË E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS
  • Narcizoidizmi, adoleshenca dhe arroganca politike, pengesat kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë
  • Një jetë në shërbim të historisë shqiptare
  • Kush do ta zgjedhë liderin e Iranit?
  • Një monument letrar për viktimat e diktaturës…
  • Familja Qiriazi, Shtylla Historike e Arsimit Shqiptar dhe e Formësimit të Identitetit Kombëtar
  • Muhamet Kërpaçi, ambasadori i artit shqiptar
  • 𝐆𝐞̈𝐳𝐮𝐚𝐫 𝐃𝐢𝐭𝐞̈𝐧 𝐞 𝐌𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐢𝐭𝐡𝐞̈ 𝐦𝐣𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞̈𝐫𝐯𝐞 𝐬𝐡𝐞̈𝐫𝐛𝐞̈𝐭𝐨𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐯𝐞̈𝐫𝐭𝐞𝐭𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐤𝐞̈𝐭𝐢𝐣 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢
  • Mësuesit çamë, ata që u sakrifikuan me dashuri për shkronjat dhe fjalën e ëmbël shqipe
  • Në ditëlindjen e 94 të shkrimtarit Naum Prifti
  • E ARDHMJA ESHQIPËRISË VARET NGA PUNA E MËSUESVE
  • “Dilema e Ismailit”, një film sfidë e kinematografisë shqiptare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT