Boralda Petromilo Papajani, mësuese e gjuhës shqipe në Athinë, Greqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Athinë, Greqi, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Boralda Petromilo Papajani bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË ATHINË
Kursi pranë organizatës ”Jeta” në Athinë zhvillon këtu e katër vite mësimin e gjuhës shqipe, ҫdo të shtunë pasdite 2 orë. Vështirësitë janë kanë qenë të ndryshme si në aspektin e krijimit të klasave me fëmijët e emigrantëve shqiptarë dhe në aspektin e vazhdimësisë së ofrimit të kursit të gjuhës shqipe, jo vetëm në formën e kurseve që ofrohen nga shoqatat shqiptare në Athinë, por edhe kurset e gjuhës shqipe që organizohen si pjesë e aktiviteteve për fëmijët e emigrantëve në shkollat e sistemit parauniversitar. Kemi punuar me institucionet shtetërore në Athinë, kemi punuar me prindërit që të sjellin fëmijët, si dhe me fëmijët. Me fëmijët kemi punuar si në aspektin metodik për të organizuar orën e mësimit që të ishte tërheqëse, por dhe me qëllimin e krijimit të dashurisë për gjuhën shqipe dhe Shqipërinë. Kemi punuar me shumë përkushtim e këmbëngulje dhe mendoj se ja kemi arritur gjatë këtyre 4 viteve. Kemi hapur katër klasa dhe numri i nxënësve ka arritur në 60 fëmijë të moshave nga 5 vjeҫ deri në 18 vjeҫ. Me shumë krenari e them sivjet mësimin e zhvillojmë në mjediset e një shkolle publike.
KATËR MËSUESE SHQIPTARE NË NDIHMË TË FËMIJËVE SHQIPTARË
Thënë sa më sipër, mësimi e zhvillojmë në mjediset e shkollës publike ndërkulturore, në një nga zonat më të frekuentura në Athinë, në Omonia. Jemi 4 mësuese vullnetare. Kurikula përfshin tema mësimore të mësimit të gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqipe. Kurikula që ne përdorim është e ҫertifikuar nga Ministria e Arsimit në Shqipëri e cila rregullisht na dërgon tekstet me të cilat ne punojmë me fëmijët.
LIDHJA E MËSUESVE SHQIPTARË NË GREQI NË MBËSHTETJE TË MËSIMIT SHQIP
Do të doja ta filloja me rezultatin e një pune shumëvjeҫare, aspak të lehtë, por me krenari them që sot ne organizojmë kursin e gjuhës në një shkollë publike. Këtu dua të përshëndes ngrohtësisht dhe me shumë respekt, drejtoreshën e shkollës që na ka mirëpritur dhe na mbështet. Ka marrë vetë nismën për të komunikuar me prindërit e fëmijëve shqiptarë në shkollë dhe i ka ftuar e orientuar të frekuentojnë kursin e gjuhës shqipe. Kemi punuar në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës për t’i ndërgjegjësuar fëmijët dhe prindërit që mësimi i gjuhës amtare, ndjenja e kombësisë dhe identitetit shqiptar duhet parë si një vlerë për zhvillimin psikosocial të fëmijëve shqiptarë. Gjithashtu, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi na ka dhënë një mbështetjet të madhe në të gjithë këtë proces. Jam e informuar për eksperienca të hershme në shumë vende të tjera europiane që politikat e tyre janë të orientuara për të përfshirë në kurikulat e shkollës, gjuhën amtare për të gjithë fëmijët me origjinë të huaj. Kjo momentalisht nuk ndodh në Greqi. Po punohet shumë fort dhe me institucionet shqiptare dhe greke dhe me grupe pune për të aplikuar legjislacionin që lidhet me të drejtat e njeriut me të drejtën e mësimit të gjuhës amtare. Por kjo është ende në fazën e përpjekjeve individuale të mësuesve vullnetarë dhe të shoqatave të emigrantëve shqiptarë. Dëgjoj shpesh herë për vullnetarizmin si koncept, por realisht, gjithë kjo punë shumëvjeҫare që kemi bërë të gjithë ne si mësues të gjuhës shqipe, ka në thelb punë vullnetare, në një vend si Greqia, ku secili prej nesh (mësuesit) duhet të punojmë për të siguruar jetesën tonë dhe të familjeve tona. Sakrificë shumë e madhe e jona, e familjeve, e fëmijëve tanë për një pasion, për një dashuri të fortë të tashëguar nga prindërit tanë, për vendin, për gjuhën, për identitetin shqiptar.
ORGANIZATA “JETA” DHE ARSIMI SHQIP
Organizata “Jeta” është një organizatë dedikuar gruas shqiptare në emigracion që mbështet të drejtat e grave emigrante. Por një nga projektet e saj ambicioze dhe patriotike është pikërisht organizimi i kurseve të gjuhës shqipe me mësuesit vullnetarë. Për 3 vite rresht, kjo organizatë ofroi mjediset e saj për organizimin e këtyre kurseve. Vetëdija shqiptare dhe ndjenjat patriotike mes emigrantëve janë shumë të forta dhe kjo reflektohet me kontributin e secilit në qëllimin e përbashkët.
NJË SFIDË QË MBETET…
Mësimdhënia përmes teknologjisë nuk është e lehtë. Ndoshta e veshtirë për t’u aplikuar në kushtet e mënyrën si operojmë. Kurikula jonë aktuale nuk është konceptuar për t’u përshtatur me teknologjinë. Megjithëse në periudhën e Covidit ne kemi përdorur shumë platforma online për të vazhduar kursin e gjuhës por vetem kaq.
MËSIMI SHQIP RRIT PATRIOTIZMIN TE FËMIJËT
Fëmijët në emigracion janë fëmijë me dy gjuhë. Gjuha greke, me të cilën janë në kontakt në shumicën e kohës së tyre me shoket, në shkollë, në jetën e përditshme dhe gjuha amtare të cilën mund ta përdorin vetëm në mjedise familjare. Për ne është shumë i njohur dhe fenomeni që prindërit shqiptarë nuk komunikojnë me fëmijët e tyre në gjuhën shqipe. Kjo nuk ka lidhje vetëm me faktin se mund të ketë prindër që nuk duan të komunikojnë shqip, por një pjesë e mirë e tyre që sot janë prindër kanë ardhur në Greqi në moshë të re dhe nuk e njohin mire gjuhën shqipe. Mesimi i gjuhes shqipe sigurisht që ka patur efekt tek këta fëmijë, tek ndjenja e tyre e patriotizmit se që nga momenti që ata vinë, bëjnë cdo gjë për të mos e harruar gjuhën, se janë shumë të ngarkuar. Prindërit e tyre që në moshën 6 vjeçe i çojnë fëmijet e tyre në shumë aktivitete, megjithëse janë shumë të ngarkuar me jetën e përditshme, vijne çdo të shtunë për të mësuar gjuhën e tyre të bukur shqipe.
KUSH ËSHTË MËSUESE BORALDA PETROMILO PAPAJANI?
Kam mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës dega Gjuhe -Letersi. Kam ardhur në Athinë përpara 30 vitesh. Jam nënë e dy fëmijëve. Kam njohur diplomen time këtu në Athinë. Jam anëtare e Lidhjes se Mësuesve dhe anëtare në kryesinë e Lidhjes. Gjithashtu, jam regjistruar në regjistrin e QBD-së së mësuesve të diasporës. Jam mësuese vullnetare me dëshiren qe kam për t’u mesuar vogelushëve gjuhën e tyre të bukur shqipe, gjuhen e prinderve te tyre. Në misionin tonë si mësues vullnetarë qendron përkushtimi dhe dashuria për mësimdhënien e gjuhës shqipe.