• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLA SHQIPE TE “ZËRI ATDHEUT”, NË MONTEBELLUNA TË ITALISË

July 24, 2023 by s p

Raimonda Deda, mësuese e gjuhës shqipe pranë shkollës shqipe të “Zëri Atdheut”, në Montebelluna të Italisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Treviso, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me Raimonda Dedën bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

SITORIKU I SHOQATËS PATRIOTIKE “ZËRI ATDHEUT” QË MBËSHTET SHKOLLËN SHQIPE

“Zëri Atdheut”, që ushtron veprimtarinë e saj në Montebelluna të Italisë. “Zëri Atdheut” themelohet më 3 Shkurt të vitit 2018 nga një grup patriotësh nga Kosova të udhëhequr nga Z.Isuf Zenelaj e Z.Besnik Veselaj, dy veprimtarë të hershëm të çështjes shqipëtare dhe pjesëmarrës në luftën çlirimtare që çoi pastaj në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Rritja e komunitetit shqiptar në zonën tonë e bëri të domosdoshëm ndërtimin e një strukture të mirëfilltë e funksionale që ky komunitet të mos shkëputej nga rrënjët etnike e historike të tij. Ishte ai momenti kur shoqatës i bashkangjitet edhe figura ime si mësuese vullnetare. Ndonëse pa eksperiencë në fushën e mësimdhënjes, pasionin dhe dashurinë për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare po mundohem ti përcjell tek filizat e rinj, shqiptarët e të ardhmes, fëmijët tanë. Siç thotë edhe i madhi Gjergj Fishta:

“Pra mallkue njaj bir shqyptari

Qi ket gjuhe te perendis

Trashigim qi na e la i pari

Trashigim si a len aj fmis ”

VAZHDOJMË TË RESPEKTOJMË E KULTIVOJMË TRADITAT TONA

Kjo nismë krijoi një atmosferë mjaft shpresëdhënëse dhe numri i nxënësve nga viti në vit u shtua. Filloi krijimi i kontakteve me autoritetet politike vendase, të cilët vunë në dispozicion të shkollës shqipe sallen ku mësimdhënja të zhvillohej në mënyrë dinjtoze. Raporti që është krijuar me këto autoritete është jashtë mase miqësor ndaj janë gjithmonë të pranishëm në festat tona dhe shikojnë me admirim faktin që ne vazhdojmë të respektojmë e kultivojmë traditat tona. Ndërtimi i kontakteve me shoqatat e tjera që bashkojnë komunitetin shqiptar kudo në Itali dhe ndërtimi i urave lidhëse me autoritetet politike në Kosovë, Shqipëri dhe me organizma të tjerë qeveritarë, të cilët çdo vit bëjnë të mundur mësimin e gjuhës shqipe duke dërguar materialin didaktik.

TË RINJTË TË ANGAZHUAR ME GRUPIN E VALLEVE DHE GRUPIN E INSTRUMENTISTËVE

Shoqata “Zëri Atdheut” sot numëron rreth 200 të anëtarësuar, të cilët me familjet e tyre janë terësisht të angazhuar në veprimtaritë e shoqatës. Përveç veprimtarisë së shkollës me fëmijet, në gjirin e shoqatës janë të rinjtë me grupin e valleve dhe grupi i instrumentistëve që po hedh hapat e para në ruajtjen e traditave tona si instrumentale ashtu edhe me këngët e sofrave e legjendat e përcjella ndër breza. Gjithashtu është krijuar edhe një skuadër minifutbolli e cila merr pjesë çdo vit në turneun e organizuar nga shoqata, për nder të Epopesë së UÇK. Sivjet u regjistruan 16 skuadra në këtë event. Edhe kjo veprimtari si të gjitha veprimtaritë e tjera të shoqatës sonë u mundësua terësisht me kontributin e komunitetit, gjë që na bën të ndihemi jashtë mase krenarë me bashkatdhetarët tanë.

AKTIVITETE NË NDERIM TË SHTETIT E KOMBIT SHQIPTAR

Tani më lejoni t’ju shpalos disa nga aktivitetet e shoqatës sonë: Muaji i Nëntorit i është dedikuar terësisht flamurit ku shqiptarët mblidhen dhe festojnë shqiponjën dykrenare. Muaji i Shkurtit i dedikohet Pavarësisë së Kosovës ku shpalosen simbolet tona kombëtare. Muaji Mars i kushtohet kujtesës, ku kryesisht aktivitetet janë të përqëndruara mbi figurën e Gjergj Kastriotit, Ati i Arbërve dhe komandantit legjendar Adem Jashari ,shpirti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Muaji Qershor i dedikohet fëmijëve, ku bëhet mbyllja e vitit shkollor dhe shpërndarja e çertifikave e cila shoqërohet me një shëtitje të organizuar nga shoqata. Gjithashtu shoqata “Zëri Atdheut” organizoi prezantimin e librit dokumentar “TERRORI I SERBISE PUSHTUESE MBI SHQIPTARET” të Prof.Doc Nusret Pllana dhe mundësoi depozitimin e këtij dokumenti në biblotekën e Vatikanit. Në këtë moment shoqata po mundëson perkthimin dhe botimin në gjuhën italiane të romanit “ESKADRONET E VDEKJES” me autor Prof.Bardhyl Mahmuti.

MËRGATA SHQIPTARE E AMERIKES ËSHTË MË I FUQISHMI ZË I SHQIPTARISË

Mërgata shqiptare e Amerikes është më i fuqishmi zë i shqiptarisë, në radhet e të cilës kanë ligjërua e punua personazhe të klasit të parë të cilët i përkasin edhe historisë politike e sociale të vendit tonë. Ndonëse një largësi gjeografike e madhe, sytë gjithmonë nga atdheu, shpesh e pamundura behet realitet falë angazhimit të mërgatës shqiptare përtej oqeanit. Amanetet e të parëve, gjuhën, kombin, historinë, ju i ruajtët ndër vite brez pas brezi e ne kemi pse krenohemi me ju, çdo shqiptare ka pse krenohet me ju.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

LETËRSIA SI MJET REVOLTE NDAJ PADREJTËSIVE, DHIMBJEVE E VUAJTJEVE…

July 19, 2023 by s p

Angela Kosta, përkthyese dhe autore e disa librave në prozë e poezi, në një rrëfim dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpalos veçoritë e krijimtarisë letrare, përkthimet në gjuhën italiane, krijimtarinë si mjet revolte ndaj fenomeneve e ngjarjeve shoqërore, gjuhën shqipe dhe ndikimi në letërsinë që konsumojmë sot, bashkëpunimet mediatike etj.

LETËRSIA SI MJET REVOLTE NDAJ PADREJTËSIVE, DHIMBJEVE E VUAJTJEVE…

Kohët e fundit kam në dorë romanin tim të ri në gjuhën italiane, i cili flet për sëmundjen fantazmë të shekullit “depresionin”. Gjithashtu (gjëja më e rëndësishme kjo për mua), po përfundoj një libër me përmbledhje poezish të cilin dëshiroj ta botoj në Shqipëri. Në këto poezi shpreh realitetin dhe aktualitetin: përmbytjet e emigrantëve në kërkimin e shpresës së madhe nëpër dallgët e detit fatkeqësisht dhe shpesh herë triumfues mbi fatin e tyre tragjik. Në vargjet e mia bën pjesë gruaja e ditëve të sotme, jo më e përkëmbur por e fortë në sfidat e jetës me të cilat përballet pa u mposhtur dhe pa u dorëzuar kurrë. Në vargjet e mia rrjedhin lotët e përgjakura e të ngrira të holokaustit dhe dënimi human i ligjeve raciste; kam thurur poezi për urinë dhe mjerimin që po pllakos botën. Në këto poezi ka vargje gjithashtu për Mëmëdheun tim të shtrenjtë, për të cilin brenga dhe malli nuk më shuhen kurrë: pas 28 vitesh në emigrim, vazhdoj ta ndjej veten si një pemë e çrrënjosur shekullore, rrënjët e të cilës do të mbeten përjetësisht midis Atdheut tim dhe vendit ku tashmë jetoj. Në poezitë e mia nuk mungojnë vargjet për familjen e as ato për lulëzimin dhe të ardhmen e jetës: fëmijët; shkruaj per magjepsjen e dashurisë dhe bukuritë mahnitëse të stinëve që Zoti na dhuroi nëpërmjet natyrës.

SHQIPTARËT NË UMBERTIDE, PERUGIA, ITALI…

Në qytetin e vogël në Umbertide ku unë jetoj, ne si Komunitet Shqiptar organizonim dhe merrnim pjesë me guzhinën tradicionale shqiptare në panairin tre ditor të guzhinës multietnike, organizonim gjithashtu festimin e 28 – 29 nëndorit dhe festën e abetares. Fatkeqësisht pas epidemisë Kovid – 19, asgjë nga këto nuk është përsëritur më.

GJUHA NË LETËRSINË E SOTME…

Me dhimbje shpreh dhe them se cilësia e letërsisë shqipe është me të vërtetë mjaft zhgënjyese. Nëpër librat e disa shkrimtarëve të rinj, shumëherë më ka ndodhur të ndeshem në shumë gabime ortografike, lexoj poezi pa thelb poetik, nëpër portalet e shumta lexoj dhe ndeshem madje në shumë fjalë të huaja të gjuhës shqipe, ashtu sikurse i dëgjoj në kanalet televizive nga gazetarë apo opinionistë dhe analistë. Ndjej me të vërtetë keqardhje, sepse gjuha shqipe duhet të mbetet e pastër, dhe nuk ka aspak nevojë për rinovim me fjalë, të cilat e dëmtojnë dhe e shtrembërojnë atë. Nuk duhet të harrojmë kurrë sa luftë, sa gjak dhe sa djersë u derdh për mbijetesën e gjuhës sonë mëmë.

PËRKTHIME NË SHËRBIM TË KULTURËS KOMBËTARE…

Në gazetën italo – shqiptare “Le Radici – Rrënjët”, bëj përkthime në të dyja gjuhët të historianëve, studiuesve albanolog, si edhe atyre italian të cilët janë artikuj që i përkasin: historisë së lashtë së prejardhjes së vendit tonë, kulturës dhe traditave etnike, aktualitetit të komuniteteve arbëreshe, etjer. Kjo gazetë shpërndahet falas prej 20 vitesh në: Shqipëri, Itali, Australi, Belgjikë, Kanada, Gjermani, Greqi, Francë, SHBA dhe Zvicër. Përsa i përket letërsisë shqipe, nuk kam mundur të përkthej autorët tanë sepse, fatkeqësisht në Shqipëri siç e dimë, ligji mbi të drejtat e autorit nuk ekziston ende.

BASHKËPUNIMET MEDIATIKE…

Përveç kësaj gazete të cilën e përmenda më sipër unë bashkëpunoj dhe përkthej poezi të autorëve të famshëm italianë në gjuhën shqipe si: Cesare Pavese apo Luigi Pirandello. Këto i kam botuar në Gazeta Destinacioni dhe portalin Alb – Spirit, ashtu sikurse edhe në Revistën Internazionale të Artit dhe Kulturës “Muzat”. Gjithashtu bashkëpunoj me gazetën “Nacional” apo Revistën Letrare “Orfeu”, në të cilat kam përkthyer disa poetë të huaj. Në Revistën “Psikologjia” kam shkruar disa tekste të sociologjisë, jam autore në “Përqasje Italo – Shqiptare”, “Sprint News Al”, “Tekste Shqip”, “Fjala e lirë”, “Versi – Vargje”, “Capoverso – Kryevarg”, bashkëpunoj me: gazetarë, shkrimtarë, poetë, piktorë, fotografë tek: “Scrigno di Pandora – Kutia e Pandorës”. Botimet e mia në Itali jam munduar t’i kthej edhe në shërbim kundrejt atyre të cilët kanë nevojë. Në fakt, në vitin 2008 përfitimin e librit ia dhurova Shoqatës ONLUS për kërkimin shkencor ndaj Skleroza Laterare Amiotrofika (SLA), ndërsa në vitin 2020 përfitimin e librit me përralla: “Ylberi dhe Sara e vogël” me vizatimet e realizuara nga Kristiana Sterjo, vajza e shëruar nga Leuçemia ia dhurova pikërisht Shoqatës ONLUS Komitetit Daniele Chianelli për kërkimin shkencor ndaj Leuçemisë, Limfomave dhe Tumoreve tek fëmijët dhe të rriturit.

“MOS E HARRONI GJUHËN TONË TË ËMBËL SHQIPE”

Mesazhi im për të gjithë ju kudo që ndodheni, në Amerikë apo gjithkund tjetër: Mos e harroni gjuhën tonë të dlirë e të ëmbël shqipe, përhapeni sa më shumë atë, përcilleni brez pas brezi tek fëmijët dhe nipërit tuaj, bashkë me jehonën e këngëve tona të bukura, bashkë me flamurin tonë me shkabën dykrenare, sikurse traditat dhe zakonet tona të pastra, të pasura dhe të lashta. Të ndjehemi kudo dhe kurdo krenarë që jemi shqiptarë dhe i përkasim e rrjedhim nga një vend etnik i pellazgëve në zemër të Evropës dhe të Ballkanit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

VATRA U TAKUA ME DIPLOMATIN AMERIKAN GABRIEL ESCOBAR

July 19, 2023 by s p

Sokol Paja/

Uashington, 18 Korrik 2023 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA u takua me diplomatin e lartë amerikan z.Gabriel Escobar. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i shoqëruar nga shefi i kabinetit Dr. Pashko Camaj dhe veprimtari i çështjes kombëtare z.Anton Raja zhvilloi një bisedë të shkurtër dhe informuese me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Gjatë bashkëbisedimit z.Berisha e ftoi për vizitë në Vatër z.Escobar dhe i garantoi se Federata Vatra do të luajë rolin e saj konstruktiv te institucionet e shtetit të Kosovës me qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, shtensionimin e situatës së tensionit, ndërtimin e një klime paqe, zhvillimi e bashkëpunimi reciprok. Nga ana tjetër diplomati i lartë amerikan z.Gabriel Escobar siguroi se në vjeshtë do të vizitojë Vatrën dhe falënderoi z.Berisha dhe Vatrën si institucion në angazhimin dhe rolin e tyre në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi me qëllim që të dy vendet dhe mbarë rajoni i Ballkanit të prosperojë drejtë paqes, zhvillimin dhe integrimit euroatlantik. Kryetari i Vatrës z. Berisha e falënderoi z.Escobar për punën e shkëlqyer dhe i theksoi se Vatra beson vetëm te zgjidhja amerikane për Kosovën.

Delegacioni i Vatrës mori pjesë në seancën dëgjimore të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, ku z.Escobar raportoi mbi rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Pashko camaj, Sokol Paja

“BLIFF ORGANIK” NJË MARKË KOMBËTARE NË KËRKIM TË TREGJEVE NDËRKOMBËTARE

July 15, 2023 by s p

Sokol Paja/

Erëblina Avdijaj, themeluese e kompanisë “Bliff Organik” në një rrëfim dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, tregon suksesin e një marke shqiptare udhëhequr nga një patriote e lindur në Zvicër dhe e kthyer në Kosovë për të zhvilluar ekonominë vendase, punësimin, fuqizmin e gruas në shoqëri dhe eksportimin e produkteve shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare. “Bliff Organik” ofron produkte shqiptare finale të bimëve mjekësore aromatike dhe çajrave në filter, të çertifikuara me standardin Organik XK-BIO-161 të akredituar nga Bashkimi Europian. Kuptimi i “Bliff” është bashkim i inicialeve të Erëblinës dhe motrave të saja.

Themeluesja e kompanisë Erëblina Avdijaj tregon për “Diellin” se: duke qenë se kompania eksporton mbi 95% në shtete të ndryshme, ideja lindi pikerisht këtu, pse mos të kemi edhe ne produkte me përpumim final Organik, për tregun vendorë, produkte autentike nga toka shqiptare”. Erëblina Avdijaj na kujton se: “Bliff Organik u lançua në treg në nëntor të vitit 2019, fillimisht lançuam 7 lloje të produkteve filter, dhe pas një viti të suksesshëm, në vititn 2020 lançuam edhe linjën me produkte refuz, ndërsa sot kemi gjithësej 17 lloje të produkteve, duke punuar vazhdimisht në shije te reja, dhe linje të re.

Ajo çka e bën të veçantë “Bliff Organik” dhe cilësinë e produkteve tregon Erëblina Avdijaj është percjellja zingjir nga kultivimi e deri ne përpunim final. Bimët pranohen të freskëta në kompani ku më pas bëhët tharja përpunimi selektimi dhe pastaj bimet pranohen në hallen e “Bliffit” ku bëhët procesi final, pra përpunimi në filter dhe paketim final. Afati i qëndrueshmëris së produkteve është 3 vite, mirëpo avantazhi tjetër i “Bliff” është se ato gjithmonë prodhohen të freskëta në sezonin e produktit vit për vit, garanton Erëblina Avdijaj. “Bliff Organik” vit pas viti vazhdoi zhvillimin, rriti kapacitetet prodhuese, zgjeroi llojshmërinë në produkte, dhe përveç shtrirjes në tregun vendor tashmë produktet e “Bliff Organik” gjenden edhe në shtetet europiane si Zvicër, Gjermani, dhe Austri, rrëfen për Diellin e Vatrës Erëblina Avdijaj.

“Bliff Organik”, përveç prodhimit të çajërave organik, tashmë ka zgjeruar përpunimin e bimëve mjekësore aromatike në shkopinjë me veti qetësuese dhe relaksuese, të cilat eksportohen jashtë Kosovës. Gratë e punësuara, me shkathtësitë e tyre po krijojnë të ardhura për veten dhe familjet e tyre, e gjithashtu edhe po ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të komunitetit. Qëllimi i biznesit kur fokusohet jo vetëm te marka por edhe ndikimi i drejtëpërdrejtë në shoqëri e bëjnë edhe më fitimprurës por edhe më të dobishëm për individin, shoqërinë dhe shtetin.

“Bliff Organik” u themelua nga një femër dhe ka për qëllim ti ndihmojë, ti integrojë e fuqizojë gratë. Në vitin 2022 arritëm ti punësojmë 15 gra dhe planifikojmë që ky numër të vazhdojë të rritet pasi “Bliff” këtë vit po ashtu u bë pjesë e panaireve ndërkombëtare, duke prezentuar prodhimet e çajrave të Kosovës, dhe duke krijuar partneritet ndërkombëtar, na tregon Erëblina Avdijaj. Nëse nuk do kishte përkrahjen e organizatave partnere, suksesi nuk do të ishte i njëjtë. Themeluesja Erëblina Avdijaj në përmbyllje të bisedës me editorin e “Diellit” shprehet se “Bliff Organik është shumë falenderues ndaj të gjithë atyre të cilët besuan fillimisht në idenë dhe vendosën ta përkrahin këtë iniciativë biznesi, duke filluar nga Organizatat ndërkombëtare si USAID, PPSE, e deri te kompanitë të cilat e japin shtytjen finale në tregun vendor, dhe atë të huaj sikur R&B company” citoi ajo.

Sipërmarrësja Erëblina Avdijaj ka lindur më 28.06.1990 në Luzern të Zvicrës, ekonomiste me profesion. Sipërmarrëse dhe aktiviste për fuqizimin e grave në shoqërinë shqiptare. Në vitin 2000 pas përfundimit të luftës në Kosovë, prindërit e Erëblinës vendosen të riktheheshin përfundimisht në vendlindje ku ajo vazhdoi shkollimin në Istog, dhe përfundoi studimet e larta në drejtimin Ekonomik, Financa. Pas diplomimit vazhdoi të ushtrojë detyrën e saj si Ekonomiste në kompaninë Agroproduct shpk. Në vitin 2016 Erëblina themeloi një ide biznesi e cila paraqitej si degë e shkëputur nga kompania e babait të saj Halit Avdijaj themelues i kompanis Agroprodukt sh.p.k, kompani kjo lidere në rajon dhe më gjërë për grumbullimin e bimëve mjekësore aromatike dhe frutave malore si lëndë e parë. Në vitin 2022 Erëblina u shpall edhe Ambasadore për paqe, nga Federata e paqes Universale në Kosovë. Në vitin 2023 u botua në librin “ Shijet e Dukagjinit“, libër ky i përzgjedhur me histori të sukseseve dhe frymë të ndryshimëve në shoqëri.

Filed Under: Politike Tagged With: Erëblina Avdijaj, Sokol Paja

MEDIA SHQIPTARO-AMERIKANE NË PEISAZHIN MEDIATIK AMERIKAN

July 14, 2023 by s p

TV “ALBA LIFE” TELEVIZIONI I SHQIPTARËVE TË NEW YORK-UT/

Qemal Zylo, themeluesi i Televizionit TV “Alba Life” në një rrëfim ekskluziv dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpjegon për audiencën e gjërë shqiptaro-amerikane historinë e televizionit TV “Alba Life”, televizioni si arkiv dhe memorie digjitale e komunitetit, televizioni si trashëgimi mediatike, kulturore e kombëtare e mërgatës shqiptare në Amerikë.

HISTORIKU I TV “ALBA LIFE”

Pas emigrimit në Amerikë në vitin e mbrapshtë të luftes civile në Shqipëri, më 1997 dhe studimeve e punësimit në Bramson ORT Kolegj dhe Institutit të Teknilologjise në Manhatan si dhe specializimeve e lincencimeve pranë SI CTV së bashku me bashkëshorten Keze Kozeta Zylo e familjen time morëm nismën dhe krijuam, më 2007 TV “Alba Life”. Kjo nismë ishte për të promovuar kulturën dhe aktivitetet tona në këto kolegje, e më vonë të shkollave shqipe që hapëm si dhe te pasqyrimit të aktiviteteve të ndryshme të Komunitetit Shqiptar.
Hapja e TV “Alba Life” ishte nje vendim i vështirë, por shume i rëndësishëm kombëtar, sepse pati për qëllim t’i shërbente Pavarësisë së Kosovës per te cilen shfaqëm emisionin e parë në CTV në Staten Island dhe në Brooklyn. Qëllim tjetër kryesor ishte të luftonim asimilimin e Gjuhës Shqipe duke hapur disa shkolla me program pas mësimit në shkollat amerikane për të cilat TV “Alba Life” ishte një instrument ndihmës.
TV “Alba Life” është një media tejet serioze që me profesionalizëm dhe përkushtim nga stafi i tij me drejtor të programeve z. Amir Suka e gazetare Kozeta Zylo ka bërë vit pas viti një progres të dukshëm. Mirenjohës gjithashtu Stafit të TV Alba Life, Odise Salillarit, Andrea Lole, Miri Mehmeti, gazetarit Valon Gërbeshi, bashkëpunëtores Kendra Duli, kameramaneve Bujar Sadikaj, Agron Ceka e Fatmir Kallaba si dhe Hermes Meka që na është bashkuar vitin e fundit.
Në arkivin 16 vjeçar të TV “Alba Life” janë aktivitetet më të rëndësishme, kulturore, politike dhe bamirëse të organizuara nga shoqata të ndryshme në Diasporë: si 20 Vjetori i gazetës “Illyria” pervjetore te Pavarësisë së Shqiperise dhe Kosovës, 100 dhe 110 vjetori i Vatrës, shumë aktivitete nga shoqata “Ana e Malit”, 70 Vjetori i Zërit të Amerikës në Washington, 15 vjetori i Nakut, përvjetoret e shoqatës së Shkrimtarëve, Betimet e e aktivitete e ndryshme te Mark Gjonaj si Ansambleist dhe Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut, 20 vjetori i shoqatës “Dibra”, “Rrënjët Shqiptare në të gjitha paradat dhe 15 Vjetorin e saj”, festime dhe 20 vjetori i TV “Kultura Shqiptare” aktivitetet nga shoqata “Devolli”, Fondacioni Dom Filipaj, Festivalet e organizuara nga Kisha “Zoja e Shkodrës”, Zëri i gruas, Çamëria, 20 vjetori i Bashkimit Kombëtar, Rugova, “Forumi për Demokraci”, Mbrëmja Gala për “Historitë e suksesit të shqiptaro amerikanëve”, Gala për “Zonjat Shqiptare në New York”, gjithë aktivitetet nga Shoqata Shqiptaro Amerikane e ish Ushtarakëve “Skënderbej” Inc. Fondacioni Plavë e Guci dhe shoqata “Kraja, Ulqini dhe Shoqata AA e SI, Festivalet e Shkollave Shqipe në Diasporë, ceremonitë për emërimin e rrugëve “Skënderbej”, Nënë Tereza, Bronx, dhe Ismail Qemali, Staten Island.
Në vitin e 100-të Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, TV “Alba Life” në bashkëpunim me një grup artistësh organizoi një koncert klasik madhështor në Manhattan, ku ish Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë Dritan Mishto hapi siparin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqiperisë dhe po ashtu hapi siparin e 10-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me koncertin e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që u organizua me rastin e 7 Marsit në Staten Island e miratuar nga ish Konsullja e Përgjithshme e Kosovës, Ambasadore Teuta Sahatqija.
Në repertorin e tij ka qindra intervista me figura të ndritura në botën e artit, shkencës, politikës dhe reklamës dhe ka qenë frymëzim për mjaft talente të reja në Diasporë. Në këtë moment gjejmë rastin të falënderojme bashkëpunimin e ngushtë me TV “Alb”, SICTV, gazetën “Dielli” dhe “Illyria” që ka publikuar dhe shkrimet me autorë të stafit tonë lidhur me këto ngjarje të rëndësishme në Diasporë.
TV “Alba Life” në pesë vjetorin e themelimit të tij është përshëndetur nga Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, bilionieri Michael Bloomberg. Gjatë viteve në vazhdim është nderuar nga politikane të lartë në New York si Mark Gjonaj, Senatori veteran Martin Golden, regjisori hollivudian Stan Dragoti dhe artistë të shquar të kalibrit botëror si Luisa Dushku, Toni Dovolani, Mike Dusi, Inva Mula, Saimir Pirgu, Ermonela Jaho dhe ne 15 Vjetorin e tij TV “Alba Life” u vleresua me mirenjohje nga Kongresistja Nicole Milliotakis, Senatorja Jessica Scarcella-Spanton, Asambleisti Charl D. Fall, Keshilltari I NYC David M.Carr dhe District Attorney Michael E. McMahon.

FOKUSI I PROGRAMACIONEVE KULTURORE-KOMUNITARE-KOMBËTARE

TV “Alba Life” ka në fokus veprimtaritë më të rëndësishme që zhvillohen në Diasporë dhe më gjerë. Ne jemi të ftuar nga shumë shoqata për aktivitetet e tyre dhe natyrshëm përzgjedhim vecanerisht kur kanë jubiletë festive ose programe shumë të rëndësishme pasi është e pamundur të marrësh pjesë në të gjitha. Në vemendjen tonë ka qenë cështja kombëtare duke filluar me Kosovën, Pavarësinë e saj, demonstratat e shumta gjer para Kongresit Amerikan, intervistat me politikanë të njohur që e donin Pavarësinë e Kosovës. Shqipëia gjithmonë ka qenë në qendër për zhvillimet e saj, përpjekjet dhe ka marrë pjesë kur kanë ardhur liderë të saj për t’u takuar me Diasporën. Demonstratat për shqiptarët e Malit të Zi, të Maqedonisë së Veriut si dhe për Camërinë kanë qenë në focus të saj dhe shumë speciale, pasi TV ynë jo vetëm që filmon, transmeton, por ka organizuar dhe aktivitete të ndryshme për 25 vjet shumë të vlerësuara nga Komuniteti në lidhje me cështjen Kombëtare.

TV SI FORMË E RUAJTJES SË KULTURËS DHE IDENTITETIT TË MËRGATËS SHQIPTARE NË USA

Nepërmjet transmetimeve në kanalin 27 në paketën digitale TV “Alb” duke trasmentuar në Gjuhën Shqipe emisione shumë serioze natyrshëm që TV “Alba Life” ka ndikuar dukshëm në ruajtjen e kulturës dhe të identitetit kombëtar. Shikues të shumtë na kanë falënderuar për këto emisione dhe disa prej tyre na kanë surprizuar duke ardhur pranë shkollave për të na takuar. TV “Alba Life” është nje media shqiptare në Amerikë që i shërben me kulturë dhe profesionalizëm Mërgatës Shqiptare.

TV SHQIPTAR NE PEIZAZHIN MEDIATIK SHQIPTARO-AMERIKAN

Që nga themelimi dhe deri tani Televizioni “Alba Life” ka dhënë emisione të përjavshme në qytetet e Nju Jorkut, TV ALB duke pasqyruar jetën dhe aktivitetet e komunitetit Shqiptar si dhe duke intervistiar personalitete të shquara të artit, kulturës e të biznesit në fusha të ndryshme. Gama e gjerë e emisioneve ështëzgjeruar pamasë dhe transmeton për 24 orë rresht në paketën digitale TV “Alb”. Prej disa vitesh TV “Alba Life” transmeton programe në studion televizive të CTV në Staten Island dhe ne Online ku TV “Alba Life” ushtron të drejten ligjore të shfrytëzojë mjediset e këtij institucioni mediatik. TV “Alba Life” është vlerësuar dy herë me çmimin “NOVA” SI CTV dhe me pllakë mirënjohjeje në 15-të Vjetorin e krijimit të saj.

TV SI MEDIE E KOMUNITETIT, HAPËSIRË, ORIENTIM DHE ZHVILLIM KOMUNITAR

TV “Alba Life” nëpërmjet transmetimeve të emisioneve të rëndësishme i jep mjaft hapësirë shoqatave, personaliteteve të shquara, Shollave Shqipe, Kombit, Diasporës për t’u njohur më shumë me punët cilësore që bëjnë dhe historitë e ndryshme të suksesit. Në program merr shumë rëndësi përvoja e mësimit te Gjuhës Shqipe, njohja me historinë dhe kulturën kombëtare, traditat e mrekullueshme, legjendat dhe luftërat nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Martirët e Gjuhës Shqipe, Heronjtë dhe shqiptaret e famshëm si dhe ata që kanë bërë histori në botë. Gjatë vitit akademik duke e pasur te pandare si TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” ka krijuar traditën kulturore të festojë me koncerte si: Ditën e Shenjtë të Flamurit Kombëtar, Festat e fundvitit, Pavarësinë e Kosovës, Ditën e Shenjtë të Mësuesit, pjesëmarres në Festivalin e Shkollave Shqipe si dhe koncert për mbylljen e vitit akademik shkollor. Të gjitha këto transmetime krijojnë hapësirë të pashoqe për shoqatat në Diasporë si medie e Komunitetit.

PËR LEXUESIT KUSH ËSHTË QEMAL ZYLO?

Qemal Zylo është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqiperise me titullin e lartë “Kalorës I Urdhrit Të Flamurit”. Po ashtu për punën dhe kontributin e tij, është vlerësuar me disa mirënjohje dhe proklamata nga Senati i shtetit të Nju Jorkut e Bashkia e Nju Jorkut, Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg si dhe nga insitucionet ku ka punuar dhe nga mjaft Shoqata të Komunitetit Shqiptaro Amerikan në Amerikë. Ka lindur në Arrëz të madhe të Tepelenës. Shkollën fillore dhe ate 7 vjeçare i kreu përkatësisht në Arrëz të Madhe dhe në Marricaj, Tepelenë me rezultate të shkëlqyera, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” po me rezultate të shkëlqyera, saqë në vitin e tretë gjatë Verës dha të gjitha provimet e vitit të katërt dhe të maturës, duke e mbaruar shkollën e mesme për tri vjet.
Z.Zylo vazhdoi studimet universitare në Fakultetin e Inxhinierisë dhe u diplomua në vitin 1974, Tiranë. Më vonë vazhdoi studimet për Doktoraturë, ku dha të gjitha provimet pasuniversitare dhe bëri dy referime të tezës, por në shkurt të vitit 1997 për shkak të trazirave politike emigroi në Nju Jork, USA.
Pas studimeve universitare në Tiranë 1974 ka punuar për rreth 10 vjet në punë të ndryshme si inxhinier duke filluar nga Instituti i Projektimit të Ushtrisë, Shef i Ofiçinës së Parkut të Transportit të Ushtrisë në Tiranë, në Brigadën e Xhenjos në Elbasan me detyrë për të drejtuar problemet teknike të Uzinës së Mjeksit ku udhëhoqi rikostroksionin e sistemeve të ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit së bashku me disa specialistë të huaj Suedez dhe me pas emërohet Shefi i Degës Teknike të Divizionit të Xhenjos në Tiranë.
Në vitin 1983 emërohet si shefi i Degës Teknike të Drejtorisë Autotraktore në Ministrinë e Mbrojtjes ku ishte përgjegjës për të gjitha problemet inxhinierike në shkallë ushtrie e më gjerë, probleme të cilat ishin të lidhura me mirëmbajtjen, e riparimin e teknikës si dhe prodhimin e furnizimin me pjesë ndërrimi nga vendi e importi dhe në vitin 1992 emërohet Shef i Katedrës së Transportit në Akademinë e Forcave Tokësore në Tiranë ku veç përgjegjësisë që kishte për të udhëhequr të gjithë pedagogët e katederës, ka dhënë mësim si Profesor i lëndëve inxhinierike që studjoheshin në Akademi, në të cilën dha mjaft mendime të vlefshme për përmirësimin e programeve të Akademisë në përputhje me programet e Akademive të tjera Ushtarake Botërore.
Në vitin 1995 largohet nga Ushtria dhe fillon punë në Korpusin e Paqes pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë si Shef i Transportit e Furnizimit të Korpusit të Paqes.
Në shkurt 1997 shkon në Amerikë për arsye të trazirave politike në Shqipëri dhe pas mbylljes së Ambasadës Amerikane dhe Korpusit të Paqes ku punonte, vendosi të qëndrojë përfundimisht në Amerikë.
Pasi vendosi dhe mori miratimin për qëndrimin në Amerikë, vazhdoi kualifikimin e tij të mëtejshëm në fushën kompjuterike dhe mori Diplomën si Programues kompjuteri në Bramson ORT College, të cilin e përfundoi ne vitin 2001 dhe u shpall studenti më i mirë i kolegjit (Valedictorian) dhe më 2001 për shkak të rezultateve të shkëlqyera e punësojnë pranë kolegjit. Çdo vit pranë këtij kolegji ka organizuar festën e Flamurit dhe ka udhëhequr konferencën për çështjen e Kosovës së bashku me ish Kongresistin Joe Dio Guardi. Në Bramson ORT College ka punuar deri në vitin 2006.
Në vitin 2003 krahas punës në Kolegj fillon punën si inxhinier në Departamentin Inxhinierik të Norwegian Christian Home and Health Center, Brooklyn, detyrë të cilën e ka kryer me sukses deri në shkurt 2020 për 17 vjet.
Në shtator 2006 deri 2008 ka punuar si professor kompjuteri në Globe Institute of Technology në Manhattan.
Z.Zylo vazhdoi studimet dhe kualifikimin pranë Televizionit në Staten Island, New York dhe në vitin 2007 merr licensën si Producent Televizioni. Ai themeloi Televizionin dhe Shkollën shqipe dhe është President i Alba Life Inc.
Z.Qemal Zylo ne të njëjtën kohë drejton Shkollat Shqipe ‘Alba Life” që janë shtrirë në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe ne Online. Per punën e saj të jashtëzakonshme dhe cilësore Shkolla Shqipe “Alba Life” u vlerësua në vitin 2019 nga shteti amë me cmimin “Ambasador i Kombit”
Në këto shkolla veç mësimit të gjuhes, nxënësit mësojnë për historinë, kulturën e traditat shqiptare, ndërkohë ka organizuar shumë aktivitete në bazë shkolle e më gjerë.
Z.Zylo është i martuar me znj.Keze Kozeta Zylo, shkrimtare dhe gazetare dhe ka dy vajza, Valbonën, e cila është profesore doktore për letërsinë spanjolle në universitet në Amerikë dhe Klodiana Halsted CPA, Director | Forecasting & Financial Analytics | Supply Chain Finance | Mergers & Acquisitions | Treasury and Capital Markets.

Filed Under: Politike Tagged With: Qemal Zylo, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin
  • NJË FESTË E BUKUR E SHKOLLËS SHQIPE NË BOSTON
  • Kosova mes diplomacisë pasive dhe rrezikut të izolimit të heshtur: a po humbet momenti historik i ingranimit në organizma ndërkombëtar?
  • LE SOIR ILLUSTRÉ (1934) / KUSH ËSHTË EKREM LIBOHOVA, AMBASADORI I RI I SHQIPËRISË NË BELGJIKË ?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT