• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U THEMELUA DEGA MË E RE E VATRËS NË CHICAGO

February 5, 2023 by s p

Sokol Paja/

Chicago, 4 Shkurt 2023 – Me entuziazëm dhe gëzim të veçantë, me pjesëmarrjen e drejtuesve kryesorë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA u themelua Dega më e re e VATRËS në Chicago. Patriotë, veprimtarë, shkrimtarë, aktivistë, biznesmenë, profesionistë të spikatur e studentë do të udhëheqin Degën e Vatrës në Chicago për ti dhënë një frymë edhe më të fuqishme përpjekjes shqiptare në mërgatën e Amerikës. Dega e Vatrës në Chicago do të udhëhiqet nga: Mirela Kanini- kryetare, Ernest Nasto- nenkryetar, Bledi Stefa -shef kabineti, Ardian Ruci -sekretar, Daniela Kaja- arketare dhe kryesia do përbëhet nga: Olsi Taho, Artan Nati, Angelo Maranda, Shkelzen Cakerri dhe Kastriot Fetahu. Në fjalën e mirëseardhjes kryetarja e Vatrës në Chicago shkrimtarja Mirela Kanini ndër të tjera u shpreh: “Është nder dhe privilegj për të gjithë ne që të jemi anëtarë të Vatrës si një nga organizatat patriotike më dinjitoze e prestigjioze e shqiptareve të Amerikës. Qëllimi kryesor i kësaj Federate dhe çfarë duam ne të arrijmë si degë në Chicago ështe bashkimi i komunitetit tonë dhe forcimi i identitetit shqiptar e vlerave tona kombëtare. Lexoj në sytë tuaj suksesin dhe forcën për të çuar përpara amanetin shekullor të Vatrës sonë historike” – u shpreh zonja Kanini. Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha në fjalën përshëndetëse deklaroi se: Vatra ka forcuar identitetin kombëtar shqiptar dhe ka insistuar historikisht që shqiptaret mos ta harrojnë ndjenjen kombëtare. Vatra ka vlera të veçanta në historinë e kombit shqiptar. Çdo shqiptar është krenar me Vatrën”- tha ndër të tjera z Berisha. Rreth misionit të Vatrës, rolit dhe kontributit në çështjen kombëtare, bashkëpunimin me institucionet më të larta të shtetit amerikan, marrëveshjet dhe memorandumet e bashkëpunimit ndërinstitucional, rreth sfidave me të cilat përballet Vatra, përpjekjet për transformimin rrënjësor, planet për zgjerimin, bashkëpunimin, lobimin dhe realizimin e objektivave afatgjatë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA folën nëkryetari z.Alfons Grishaj, përgjegjësi i degëve z.Mondi Rakaj, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj, Arketari z.Besim Malota dhe anëtari i kryesisë z.Tasim Ruko. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA rritet e pasurohet çdo ditë e më shumë me patriotë e intelektualë, aktivistë e veprimtarë që në themel të veprës së tyre kanë çështjen kombëtare dhe idealin kombëtar. Vatra është grupimi patriotik më serioz në të gjitha diaspora shqiptare në botë. Vatra është historia, identiteti dhe krenaria e kombit shqiptar në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

“Fijet”, kur shteti gjunjëzohet përballë krimit

February 3, 2023 by s p

Sokol Paja/

Operacioni “Fijet” me shtrirje në të gjitha Qarqet e Shqipërisë, tregoi shkërmoqjen e shtetit përballë krimit të organizuar.

Çmontimi i kamerave sekrete të instaluara nga bota e krimit në qytetet kryesore të Shqipërisë tregoi forcën e krimit dhe dobësinë e shtetit. Mijëra imazhe qytetarësh, grafika, lëvizje, të dhëna sensitive që duhet të mbroheshin me ligj, posedohen sot nga bota e krimit të organizuar.

Kamerat e paligjshme në rrugët e Shqipërisë sollën një fuqizim të pa imagjinueshëm në eksponentëve kriminalë me pasojë një zinxhir vrasjesh duke tronditur opinionin dhe sigurinë publike të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Çmontimi me spektakël i këtyre kamerave nga policia e shtetit shqiptar, i vonuar dhe qesharak, tregon pasigurinë në të cilën jetojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. I turpshëm ky reagim i shtetit pas që krimi mbaroi hesapet e tij. Shteti ka tradhëtuar besimin dhe detyrimin ndaj qytetarëve shqiptarë.

Kamerat e paligjshme regjistruan eksponentët më të tmerrshëm të botës së krimit që shkaktuan një sagë likujdimesh shpesh dhe të qytetarëve të pafajshëm në qytetet e mëdha të Shqipërisë. Shteti ka dështuar të ruajë, kontrollojë, sigurojë territorin. Gjithçka ka rënë në duart e mafies. Mafja ka depërtuar në çdo qelizë të shtetit. Shteti dhe qeveria e korruptuar ka bërë një aleancë të fshehtë me tyre. Për nga organizimi dhe funksionimi, mafia duket si shtet dhe shteti ngjason me një mafie të organizuar për mënyrën sesi vjedhin e abuzojnë me qytetarët shqiptarë. Instalimi i kamerave të paligjshme është një rast flagrant i cenimit të sigurisë kombëtare, një skandal i pa precedentë në historinë moderne të shtetit shqiptar. Një shtet anëtar i NATO-s që nuk kontrollon dot territorin, sjell pasoja të rënda për sigurinë e shtetit dhe rajonit. Në Shqipëri strehohen eksponentët më të rrezikshëm të mafies në Ballkan. Shteti ka rënë.

Mafia dixhitale ka shkërmoqur shtetin dixhital. Të gjitha të dhënat e qytetarëve shqiptarë janë në duart e botës së krimit. Asnjëherë më shumë se sot, shqiptarët nuk janë më të rrezikuar nga qeveria që i vjedh, tradhëton, braktis e poshtëron çdo ditë. Askush nuk jep llogari për asgjë. Askush nuk mban asnjë përgjegjësi për skandalet e njëpasnjëshme. Qeveria e Ramës nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë më në detyrë. Me përfshirjen e kryeministrit Rama në skandalin “Charles McGonigal” i vë vulën largimit të menjëhershëm të qeverisë që nuk përfaqëson më asnjë shqiptar. Qeveria Rama është një e keqe kombëtare që duhet larguar menjëherë. Nesër do jetë vonë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

DIELLI ME SHQIPTARËT E ITALISË / SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT”, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË ITALI

January 30, 2023 by s p

Alban Gjata organizator i shkollës shqipe, në një intervistë me Editorin e Diellit të Federatës Vatra në New York, Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Milano të Italisë.

SHKOLLA SHQIPE “DORA E PAJTIMIT” NË MILANO, ITALI

Mësimi i gjuhës shqipe në Milano organizohet dhe mbahet pranë Shkollës Dora e Pajtimit prej muajit dhjetor 2022. Pas vetëm një muaji kemi 35 fëmijë që ndjekin mësimet e, midis tyre, 5 janë nga familje shqiptare me origjinë nga Mali i Zi. Klasat janë formuar në bazë të grupmoshave dhe nivelit të njohjes së gjuhës shqipe nga fëmijët:
⁃ mosha parashkollore (4-6 vjeç)
⁃ Grupi 1’ (7-9 vjeç)
⁃ Grupi 2’ (10-13 vjeç)
⁃ Grupi 3’ (14-17 vjeç)
⁃ Grupi 4’ (mosha e rritur 18-99 vjeç me kombësi të tjera që dëshirojnë të mësojnë shqip). Oraret për fënijët: Çdo të shtunë 10:00-12:00 (parashkollor/grupi 1) dhe 14:00-16:00 (grupi 2/3). Të rritur: E martë 19:00-21:00.

STAFI PEDAGOGJIK DHE BASHKËPUNIMI ME PRINDËRIT E KOMUNITETIN SHQIPTAR

Stafi pedagogjik përbëhet nga 5 mësues të diplomuar dhe me eksperiencë. Programi mësimor që ndjekim është një kombinim i kurrikulës së bazuar në tekstin e botuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën dhe metodave që mbështeten në aktivitete të ndryshme që kanë në qendër nxënësin, si lojra e laboratore ndryshme, tema e aktivitete artistike. Një shembull: prezantimi i mullirit me gur që ndodhet në hapsirën e shkollës dhe tema lidhur me prodhimin e miellit e bukës. Fëmijët pregatitën shkronjat me brum buke dhe me to shkruan fjalë të ndryshme. I kushtojmë shumë kujdes punës së diferencuar brenda grupit sipas nivelit të secilit nxënës. Pjesë ndihmëse e stafit janë dhe artistë profesionistë që ndihmojnë për të bërë mësimin sa më tërheqës për fëmijët. Projekti për hapjen e shkollës lindi si një kërkesë e ndërgjegjshme e vetë komunitetit shqiptar në Milano. Shqiptarët në Milano respektohen e ndjehen pjesë e vendit ku jetojnë. Po jetojmë një kohë ku shqiptarët nuk shihen më vetëm si emigrantë ekonomik, ata janë ndër profesionistët më të mirë e plot energji në mjeksi, arte dhe sipërmarrje nga më të ndryshmet. Pra, promovimi i gjuhës dhe kulturës shqipe është një akt i vetndërgjegjësimit të komunitetit. Në mënyrë që projekti të ketë sukses duhet që të gjithë aktorët të luajnë rolin e tyre. Në radhë të parë familjet e më pas shteti shqiptar dhe organet lokale. Shoqata, në këtë kontekst, luan rolin e kordinimit dhe vënies në lëvizje të energjive pozitive.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ITALI

Fakti që u arrit të realizohej projekti i shkollës shqipe të Milanos, vetëm pas 30 vjetësh të lëvizjes së mbi 500.00 shqiptarëve në Itali, është tregues i kompleksitetit e vështirësive në realizimin e misionit tonë fisnik. Nuk kanë munguar dëshira dhe perpjekjet këto 30 vjet. Milano ka komunitetin më të madh shqiptar në Itali ( rreth 20.000 rezidentë). Arsyet janë të ndryshme se përse nuk është e thjeshtë tëhapej shkolla në Milano; ritmet e jetës e impenjimet personale, vetë autonomia ekonomike që të siguron Milano, për absurd, nuk ndihmon në agregimin e nje komuniteti (në qytetet e vogla është ndryshe e kanë më shumë nevojë për njëri-tjetrin), vetë distancat janë më të gjata për të qenë afër shkollës e kjo kërkon kohë e sakrificë nga prindët e shumë arsye të tjera që i njohim mirë. Doja të permend në fund se jo pa rëndësi është organizimi dhe hapësira e një ambjenti me karakteristikat e nevojshme dhe dinjitoze për një shkollë. Kjo në Milano ka edhe kosto ekonomike të konsiderueshme. Jemi të motivuar nga entuziazmi i fëmijëve dhe familjeve ti kalojmë vështirësitë.

MËSIMI SHQIP NË MILANO

Aktivitet tona zhvillohen në një kontekst dashamirës falë besimit që kemi krijuar në autoritet lokale dhe shoqërisë ku veprojmë. Përsa i përket njohjës së gjuhës shqipe në kurrikulën që fëmijët ndjekin në shkollat italiane, jemi ende në një fazë fillestare të këtij objektivi të rëndësishëm. Kjo pikë vendimtare zgjidhet vetëm në nivele bilaterale midis shtetit shqiptar e atij italian. Po bëhen përpjekje në këtë drejtim. Një model shumë i vlefshëm është ai i shkollës zviceriane ku mësimi i gjuhës njihet nëkurrikulën shkollre të nxënësit. Megjithatë Milano njihet si kryeqyteti i krijimtarisë dhe inkurajon çdo iniciativë krijuese të tillë siç e konceptojmë ne shkollën tonë.

AKTIVITETET PATRIOTIKE DHE KULTURORE TË SHOQATËS DORA E PAJTIMIT

Faktori shqiptar në Itali ndodhet në një fazë vendimtare. Integrimi i mirë individual, për absurd, shkon paralel me rrezikun e asimilimit të kulturës e gjuhës në brezin e dytë të shqiptqrëve. Ndaj kërkohet një ndërgjegjësim dhe organizim më i mirë i komunitetit tonë që të bëhet një faktor me peshën që i përket, në jetën sociale e politike, në dy anët e Adriatikut. Pak fjalë për Shoqtën tonë Dora e Pajtimit: Shoqata është themeluar e drejtohet nga Besmir Rrjolli. Më konkretisht, që nga viti 2007, DeP nuk ka rreshtur së implementuari projekte bashkzhvillimi socio-kulturore mes Italisë dhe Shqipëris duke synuar gjithmonë promovimin e vlerave të vullnetarizmit dhe të vlerave shqiptare. Që nga viti 2022, në bashkpunim me 2 organizata, Deafal dhe Isola Solidale, ka marrë në menaxhim nga bashkia e Milanos një ambient të cilin e ka trasformuar në një qendër kultuore. Hapësira, Slow Mill, është një pikë referimi per Diasporën shqiptare në Milano ku përvec shkollës shqipe Dora e Pajtimit organizohen takime, shfaqe, koncerte dhe gjithcka që është në shërbim të komunitetit Shqiptar në Itali. Qendra SlowMill karakterizohet nga prezenca e një mulliri guri jo vetëm për të promovuar drithërat integrale dhe bluarjen e avashtë të tyre por edhe për të simbolizuar ndaljen e ritmeve te shpejta te jetës milaneze për të krijuar evente domethënse dhe cilësore. Ne synojmë ta kthejmë në një pikë referimi për komunitetin shqiptar dhe më gjërë të kontekstit ku vepron në qendër të Milanos.

MESAZHI PATRIOTIK PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Misioni ynë është të vlerësojmë e të bëjmë të njohur vlerat e kulturës e gjuhës sonë të çmuar. Kemi shumë ç’të mësojmë nga ata që në historinë e kombit tonë kanë ditur, me pasion e sakrifica, të nderojnë figurën e shqiptarit nëpër botë, duke filluar nga arbëreshët e Italisë e deri tek Noli e Konica në Amerikë.

KUSH ËSHTË PATRIOTI DHE VEPRIMTARI ALBAN GJATA

Formimi im shkollor është një mix artistik e pedagogjik. Pas Liceut Artistik në Durrës, jam diplomuar në Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi. Në Milano kam frekuentuar kurset e Arkitekturës në Politecnico dhe Akademisë së Arteve Brera. Ndërkohë prej vitesh punoj në një nga Istitucionet më të njohura të teknologjisë botërore, STMicroeletronics. Aktivitetin tim në mësimdhënie e shoh si një mundësi për të falenderuar ato dhjetra mësues që janë kujdesur për mua gjatë jetës sime, duke filluar nga prindët e mi e të tjerë pjestarë të familjes edhe ata mësues të nderuar e rrespektuar. Personalisht ndjehem me fat që jam pjesë e këtij grupi të mrekullueshëm që arriti të realizojë hapjen e shkollës dhe të hapsirës kulturore në Milano e që më dha mundësinë të bëj atë që më pëlqen: promovimin e artit e kulturës në të gjtha format e tyre, me një fokus të veçantë bashkatdhetarët tanë. Dua të falenderoj koleget mësuese që me pasion e sakrifica realizojnë mësimin me fëmijët: Violeta Dërvishi, Ermira Bekteshi, Donika Zendeli, Fabiola Sali dhe Rozeta Zefi; kordinatoren për Diasporën Luljeta Çobanaj që nëpër vite është kthyer në pikë referimi për komunitetun shqiptar, sipërmarrësin Gjon Tucaj që realizoi punimet për Qendrën Sllowmill, Besmir Rrjollin e Shoqatës DeP që mundësoi hapësirën për shkollën dhe shumë miq pa ndihmën dhe entuziazmin e të cilëve nuk do realizonim këtë projekt madhor!

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVUAN 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT

January 30, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 29 Janar 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë promovuan në Selinë Qëndrore të Vatrës katër vepra shkencore dhe publicistike të Prof. Asoc. Dr. Besim Muhadrit, profesor në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Me pjesëmarrjen masive të vatranëve, shkrimtarëve, studiuesve, veprimtarëve të çështjes kombëtare, kryetarëve e përfaqësuesve të shoqatave kryesore shqiptare në New York e më gjërë, veprat:

1. “Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”;

2. “Profesor Rexhep Krasniqi-Një jetë në shërbim të Shqipërisë etnike”;

3. “Esencat e mendimit letrar” dhe

4. Studies on Albanian Literature and Ethnology, u priten me respekt, vlerësim, sukses dhe interes të madh nga publiku shqiptaro-amerikan. Nën prezantimin e Mëhill Velaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, fjalën përshëndetëse në emër të Vatrës e mbajti Dr.Pashko Camaj i cili theksoi rëndësinë historike dhe shkencore të botimeve që u promovuan në Vatër. Shpend Gjocaj lexoi një pjesë nga libri i Besim Muhadrit dhe falënderoi profesorin për punën e shkëlqyer dhe përpjekjet për lirinë e Kosovës. Në fillim të ceremonisë të pranishmit kujtuan me një duartrokitje ditëlindjen e 87-të të gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare. Ambasador Frymëzim Isufaj i ardhur ekskluzivisht nga Uashingtoni për promovimin ndër të tjera tha se veprat që promovohen sot, janë një punë e zellshme, një trashëgimi e madhe dhe e rëndësishme për letërsinë, historinë dhe shqiptarët e diasporës. Adnan Mehmeti Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë foli rreth vlerës së studimeve të Prof.Besim Muhadrit dhe botimet rreth Albumit të Nolit, Mëhill Velajt e Namik Selmanit. Dr. Bexhet Asani në kumtesën e tij u ndal te rëndësia e Kanunit të Lek Dukagjinit. Studiuesi Dr. Paulin Marku në fjalën përshëndetëse të lexuar nga Editori i Diellit u shpreh se Prof. Besim Muhadri është nje nder kërkuesit që ka bere një pune cilësore, kërkimore shkencore dhe parashtron një bibliografi te gjere për te trajtuar një periudhe te rëndësishme historike të përdorimit të kanunit të leke Dukagjinit. Pra, Muhadri bën nje analize të veprës “Kanuni i Leke Dukagjinit” për të bere të njohur në mënyrë të përmbledhur vlerat dhe risitë e këtij studimi. Kumtesa e Idriz Lamajt lexuar nga Editori i Diellit fokusohet te puna e jashtëzakonshme e Dr.Rexhep Krasniqit dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë” në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Studiuesja Valdete Dida Cenalia kumtoi rreth rolit të Rexhep Krasniqit për Shqipërinë natyrale. Kritiku letrar Pal Ndrecaj diskutoi rreth rëndësisë së krijimtarisë letrare dhe studimore të të katër librave të Prof. Besim Muhadrit. Studiuesja Arjeta Ferlushkaj i bëri një analizë cilësore dhe sasiore krijimtarisë së plotë të Prof. Muhadrit dhe u ndal te shikimi i Kanunit në disa perspektiva studimore. Shkrimtari Tom Paloka recitoi 2 poezi kushtuar Rexhep Krasniqit dhe Shtjefën Gjeçovit. Në fund të promovimit, piktori skenograf z.Astrit Tota i dhuroi një pikturë Prof.Besim Muhadrit në shenjëvlerësimi mbi krijimtarinë e tij në fushën e albanologjisë dhe historisë kombëtare.

Në fjalën përmbyllëse Prof. Besim Muhadri falenderoi organizatorët, referuesit, pjesëmarrësit dhe

shpjegoi në detaje peripecitë e punën voluminoze në përgatitjen e katër botimeve që u promovuan në Vatër. Ai falenderoi në mënyrë të veçantë studiuesin Idriz Lamaj dhe Ambasador Frymëzim Isufaj. Promovimi u mbyll me dhurimin e librave me nënshkrimin e autorit dhe një koktejl të përgatitur nga patrioti fisnik Toni Musaj. Vatra e Dielli shprehin mirënjohje dhe falenderim për gazetarët Adem Belliu, Halil Mula dhe Beqir Sina që ndjekin me profesionalizëm të lartë aktivitetet e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…

January 28, 2023 by s p

Sokol Paja/

Qëllon shpesh në bisedat e përditshme me miq e të njohur se si dëshirë e fundit e shumë bashkatdhetarëve është: të vdes në Shqipëri, trupin ma dërgoni në Shqipëri apo e kish lënë amanet që ta varrosnin në Shqipëri etj. Të ikur prej vitesh, mërgimtarët dëshirojnë të pushojnë aty ku sot po ikin të gjithë. Atdheu sot ngjan me një arratisje, me një vetmi, me një harrim, me një mërzi. Duket sikur po shkohet drejt një vetmie masive: Paqja e vetmisë së përjetshme. Fraza tragjike përmbledh dramën e kombit tonë: shpopullimin, ikjet, largimet, harresën, moskthimet. Kohë e dhimbshme. Kohë e tmerrshme. Kohë ikjesh. Kohë vetmie. Kohë dramash. Kohë tragjedie. Të gjithë ia kthyem shpinën Atdheut. Ca e harruan, ca mërguan, ca ikën, ca shkuan dhe sot ca zuzar me Atdheun bëjnë pazar. Toka ku “balta është më e ëmbël se mjalta” na ndjek si mall, si dëshirë, si vëgim, si amanet, si paqe, si dhimbje, si dramë, si përjetësi, si jetë, si vdekje. Atdheu sot shihet veç vend i dëshirës për të vdekur. Ne ikëm të gjithë, Atdheun e vramë, vendin tonë të bekuar, vetëm e lamë. Ikjet dihen gjithmonë, kthimet asnjëherë. Pa ne, Atdheu ka veç dimër e kurrë pranverë. Atdheu sot nuk na do të vdekur por të gjallë. Dhe pse të shkojmë rrallë, mjafton të shkojmë, të shuajmë një dhimbje, një lot, një mall. Të puthim një gur, një copë tokë, të ndërtojmë një urë, të thajmë një lot. Atdheu do ta vizitosh, të investosh, të marrësh pjesë, ti qash një hall, ti shërosh një plagë, të kontribuosh e kurrë mos ta harrosh. Atdheu është dashuri pa kushte, është sakrificë sublime, është palcë e kockave tona në mërgim. Shqipëria është e bekuar dhe bijtë e saj janë si bij drite. Atdhe, kurrë ske për t’u shuar, falë dhe bijëve që ti rrite.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT