• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“MARTESA E MBRETIT ZOG ME MBRETËRESHËN GERALDINA APPONY, PASQYRIMI NË FAQET E GAZETËS DIELLI 1938”

April 30, 2022 by s p

Sokol Paja/

Lajmi i martesës së Mbretit Shqiptar Ahmet Zogu me hungarezen Geraldina Appony ishte një lajm që për muaj të tërë mbizotëroi shtypin e shkruar shqiptar në Shqipëri dhe mediat e huaja ndërkombëtare. Jehona e kësaj ngjarje mbërriti deri në SHBA te gazeta Dielli- Organ Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Këtë ngjarje madhështore për Mbretërinë Shqiptare e popullin shqiptar u pasqyrua me detaje dhe me entuziazëm të plotë në gazetën Dielli. Gazeta i kushton në muajin Mars, Prill, Maj dhe Qershor të vitit 1938, hapsirën kryesore të faqes së parë më të rëndësishme, të editorialit të gazetës dhe shkrime e kabllograme që pasqyrojnë detaje nga ceremonia, urime, përshkrime të ndryshme të atmosferës festive, jetëshkrime të Mbretit dhe Mretëreshës dhe ndjesi e përceptime rreth ngjarjes së jashtëzakonshme për Mbretërinë Shqiptare. Gazeta Dielli në shkrimet Editoriale, Mbretëreshën Geraldinë e përshkruan teksa fitoi menjëherë zemrën e popullit shqiptar dhe e cilëson si : “Perëndeshë të dërguar prej qiellit”. Gazeta përshkruan me detaje ardhjen e Mretëreshës Geraldinë në Shqipëri teksa raportohet: “Posa shkeli në tokën shqiptare, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë u interesua më parë për të varfërit e vendit edhe për ngritjen e një Strehe për pleq”. Gazeta Dielli përshkruan e përpiqet të skicojë edhe personalitetin fizik e shpirtëror të Mbretëreshës teksa kujdeset për detajet: “Veç bukurive të dhurua prej natyrës, Madhështia e saj Mbretëresha Geraldinë ka edhe bukuritë e mëndjes, të karakterit, të virtyteve të larta, dhe është shumë zemërbardhë dhe shpirtmirë”. Gazeta Dielli e quan bashkimin në martesë të Mretit Zog me Mbretëreshën Geraldinë si fatbardhësi për Shqipërinë e shqiptarët. Është fat, shkruan gazeta Dielli, që Shqipëria drejtohet nga “Dy Sovranë të mençur edhe shumë shpirtmirë që e vështrojnë popullin e tyre me syrin e zemrës dhe jemi më shumë se të sigurtë që kombi shqiptar do të vejë mbarë nën udhëheqjen e Madhështive të tyre” thuhet në editorialin e gazetës Dielli të muajit Maj 1938. Në shkrimin Editorial të Majit, gazeta Dielli përshkruan me detaje kronologjike punën e madhe dhe transformimin që Mreti Zog i kishte bërë Shqipërisë dhe se gëzimi i madh i Mbretit ishte edhe gëzim i popullit. Mbreti Zog thuhet në gazetën Dielli: Ngriti në këmbë një shtet të shkatërruar, zhduku anarkinë, bashkoi popullin e ndarë nga propaganda dhe interest e shteteve të huaja, shpëtoi Shqipërinë nga aventurierët që punonin kundër interesit të Shqipërisë e shqiptarëve, i dhuroi shtetit fuqi, liri kombëtare, përparim e qytetërim. Gazeta Dielli bën një paralele historike të miqësisë që Shqipëria kishte me Hungarinë që në kohë të Skënderbeut dhe kjo martesë e Mbretit e forconte miqësinë dhe nderonte shtetin shqiptar. Kontesha Geraldine Apponyi sipas shkrimit të Gazetës Dielli i lumturonte shumë shqiptarët pasi “ka cilësira të bukura, ka kulturë të gjërë, është tepër fisnike, është zemërbardhë dhe shpirtmadhe. Nga bukuria e saj e rallë, nga virtytet e saj të mira, Kontesha Geraldine Apponyi ka fituar emrin e bukur: Trendafile e Bardhë e Hungarisë. Urojmë me gjithë zemër që kjo Trendafile e Bardhë të lulëzojë në kopshtin e bukur të Shqipërisë, dhe të jetë krahu i djathtë i Mbretit t’onë të Math për mirëvajtjen e Kombit shqipëtar” thuhet në gazetën Dielli të muajit Prill 1938.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mbreti Zog, Sokol Paja

“DITA E LIRISË SHQIPTARE”, DITË NDERIMI, HOMAZHI E FESTE NË WESTCHESTER – NEW YORK

April 25, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York më 24 Prill 2022- U celebrua me nderime e madhështi “Dita e Lirisë Shqiptare” në një ndër parqet më të bukura të New York-ut, në Kensico Dam Plaza – në Westchester. Nën prezantimin profesional të Sokol Smajlaj dhe Valbona Preldakaj, miq, familjarë, media, patriotë, vatranë, veprimtarë të dalluar të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë, e kthyen ditën e lirisë në një ditë homazh për qëndresën antikomuniste të familjes Mrnaçaj e të gjitha familjeve të persekutuara nga regjimi komunist në Shqipëri. Veprimtaria e organizuar nga Shoqëria  Kulturore – Artistike Kelmendi, Familja Mrnaçaj dhe Counti Ekzecutive Westchester si “Dita e Lirisë Shqiptare”, ishte mbresëlënëse për nga pjesëmarrja, temat e referuara, tematika aktuale e mos ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. “Dita e Lirisë Shqiptare”, shndërrohet vit për vit në një aktivitet patriotik, social, kulturor e përkujtimor, që i kushtohet, simbolit të demostrateve antikomuniste Nik Marash Mrnaçaj e familjes Mrnaçaj. Kjo ditë simbolike, e kthyer tashmë në Ditë – Kalendar për Lirinë dhe Flamurin shqiptar, solli në kujtesën e shqiptarëve të Amerikës qëndresën e nacionalistëve shqiptaro-amerikanë, që nuk i pushuan asnjëherë përpjekjet për ta sensibilizuar Amerikën për persekutimin që ushtronte shteti komunist shqiptar ndaj familjeve nacionaliste shqiptare. Takimi përkujtimor filloi me këndimin e himneve kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë nga Mikela Nonaj e Ylli Sufaj. Diakon Marash Shkreli bekoi festivalin dhe u lut për shpirtin e Nik Marash Mrnaçaj dhe apeloi për paqe, lutje e shpresë në zemrat e të gjithë të pranishmëve. Përgjatë fjalimit të Diakon Shkrelit u vlerësua dhe u përkujtua jeta dhe vepra e Marash Mrnaçaj si patriot, antikomunist dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Veprimtaria përkujtimore u pasua kënga kushtuar Nik Mrnaçajt kënduar nga Ylli Sufaj e Luigj Tinaj. Në fjalën e rastit Mark Gjonaj e vlerësoi sakrificat e Nik Mrnaçajt dhe  familjes si antikomuniste. Nik Mrnaçaj simbolizon shqiptarin e fortë, shqiptarin e mirë, idealet e tij, luftën për popullin e tij, për idealet e lirisë së popullit shqiptar, tha z.Gjonaj. Tubimi përkujtimor vazhdoi me çaste muzikore “Flamuri kuq e zi” kushtuar madhështisë së simbolit kombëtar nga Mikela Nonaj. Gjekë Gjonlekaj në fjalën e tij deklaroi se Mrnaçaj janë një familje e madhe dhe e nderuar si qendra e shqiptarëve antikomunistë të New York-ut dhe vlerësoi Nik Mrnaçajn për zellin dhe fuqinë e tij në demostratat antikomuniste në Amerikë. Ai vlerësoi Mrije Mrnaçaj per gatishmerine per te pritur e respektuar ne shtepi miqte antikomunistë e protestues per liri e demokraci qe shoqeronin Nik Mrnaçaj ne çdo demostratë. Ai kujtoi dhe persekutimin e Nikoll Mrnaçaj në Shqipëri. Ai kërkoi të vazhdohet kjo traditë e të përkujtohet ky njeri antikomunist dhe idealist. Të pranishmit i entuziazmoi këngëtari Bashkim Vushaj më këngën: “Shqipëri o nëna ime” duke e marrë fjalën Frank Shkreli i cili theksoi ndër të tjera se: Dita shqiptare e lirisë, vuajtja e familjes, persekutimi, qëndresa e shqiptarëve kundër komunizmit, vlerësoi përpjekjen e nacionalistëve shqiptarë në luftën kundër komunizmit në Shqipëri. Z.Shkreli apeloi mbi nevojën e shkëputjes urgjente nga mendësia komuniste dhe nostalgjikët komunistë, nevojitet përballje me të kaluarën komuniste, apeloi z.Shkreli. Politika amerikane duhet të dënojë krimet e komunizmit, lufta kundër komunizmit është luftë e kujtesës kundër harresës. Apelin e Frank Shkrelit e pasoi një melodi instrumentale me fyell nga Gjeto Tinaj, me cifteli Luigj Tinaj dhe Alfons Rexhaj, duke i dhënë ngjyra artistike të ndezura kënga e Lisa Bujaj “o Kelmendi më i bukuri vënd”. Programi artistik vazhdoi me këngë për Prek Calin kenduar nga Samuel Pllumaj, “Conju more cika” nga Mikela Nonaj, “O Kelmend i madhi emer” nga Klement Bujaj, “A t’kujtohet moj syzeze” nga Luigj Tinaj, Bashkim Vushaj dhe Ylli Sufaj duke sjellur shumë emocione për perfomancën dhe repertorin e zgjedhur muzikor. Themeluesi i “Fundjava Ndryshe” Arbër Hajdari në fjalën e tij përkujtimore u shpreh se Nik Mrnaçaj u sakrifikua për liri, rënia e komunizmit dhe liria e Kosovës është dhe produkt i punës së shqiptarëve të Amerikës. Vedat Gashi shqiptari i veçantë që po kandidon për Kongres i kishte dërguar Proklamatë vlerësimi familjes Mrnaçaj në shenjë respekti e nderimi për kontributin e dhënë në luftën kundër komunizmit. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha iu drejtua të pranishmëve duke thënë se familja e madhe Mrnaçajt ka dhënë ndihmë të spikatur për kombin në luftën kundër komunizmit. Sot është ditë për të respektuar dhe nderuar heroin e demokracisë shqiptare Nik Mrnaçaj. Ai ishte veprimtar i shquar i diasporës shqiptare në Amerikë, antikomunist, atdhetar, aktivist që i kushtoi ditët më më të bukura të jetës së tij çështjes kombëtare. Familja Mrnaçaj meriton respekt dhe nderim të veçantë prej shqiptareve të Amerikës si familje që frymëzoi shqiptarët në luftë kundër komunizmit. Vepra dhe puna e Nik Mrnaçaj për çështjen kombëtare do të jetë një frymëzim për brezat që vijnë, tha në fjalën e tij z.Elmi Berisha. Editori i Diellit Sokol Paja deklaroi se “Dita e lirisë” është një ditë homazhi e nderimi për përpjekjen e antikomunistëve shqiptarëve për liri dhe demokraci. Marije Nonaj, kushërira e Nik Mrnaçaj emocionoi dhe përloti të pranishmit me një poezi për kushëririn e saj në emrin e familjes dhe familjarëve për dhimbjen e largimit dhe mallin që ndjejnë për kushëririn e larguar fizikisht por kurrë shpirtërisht. I fundit që mori fjalën ishte djali i Nik Mrnaçaj, Majkëll Mrnaçaj i cili falenderoi pjesëmarrësit për nderimin e babait dhe gjyshit të tij Nik e Marash Mrnaçaj. Majkëll Mrnaçaj theksoi forcën dhe fuqinë mendore fizike e shpirtërore të Marash Mrnaçaj në luftën kundër komunizmit dhe dhimbjen e rritjes pa babain e tij të dashur. Pas përfundimit të fjalimeve, pjesëmarrësit u zhvendosën në Sheshin Qëndor në Kensico Dam Plaza – në Westchester ku u bë ngritja e flamurit tonë kombëtar duke shënuar një ditë të paharruar respekti, nderimi, lavdie e krenarie kombëtare. Nderim i veçantë për Adem Belliun e Televizionit Kultura Shqiptare i cili prej 25 vitesh i është gjendur pranë ngjarjeve të komunitetit në mbulim të detajuar në çdo rast. Ky aktivitet do të transmetohet i plotë së shpejti në kanalin 26 të platformës Tv Alb.

Filed Under: Featured Tagged With: DITA E LIRISË SHQIPTARE, Sokol Paja

“ALB-USA” PORTA SHQIPTARE PËRTEJ ATLANTIKUT

April 23, 2022 by s p

Sokol Paja/

Patrioti sipërmarrës e bamirës Ardian Golemi nga oficer në ushtrinë shqiptare e punonjës në fushën e radiologjisë në New York, është kthyer në një njeri shumë të rëndësishëm që mban gjallë lidhjet e bizneseve shqiptare me tregun amerikan dhe diasporën shqiptare të Amerikës. Një lidhje sa ekonomike por mbi të gjitha shpirtërore mes shqiptarëve përtej Atlantikut. “ALB-USA” është njësia e transportit ndërkombëtar të madhrave e produkteve të ndryshme nga Shqipëria në USA e cila prej 5 vjet funksionimi, është kthyer në një industri shërbimi e tregtie gjigande. Ardian Golemi familjarisht ka 17 vjet në USA dhe ka 28 pika furnizimi në Shqipëri dhe Kosovë duke ndihmuar fuqishëm tregtarët e prodhuesit shqiptarë që të eksportojnë prodhimet dhe produktet e tyre përtej Atlantikut. Tregtia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një mundësi e shkëlqyer për tregjet shqiptare e produktet shqiptare që jo vetëm të depërtojnë të konsumatori shqiptar në tokën e lirw e jo vetëm, por edhe të konkurojnë në cilësi e çmim produktet e huaja. Ardian Golemi aktualisht importon rreth 240 produkte tregtare nga Shqipëria dhe Kosova në USA duke qenë lider në transportin ndërkombëtar të tregtimit të madhrave shqiptare. Produktet që kërkohen dhe konsumohen më shumë nga shqiptarët në Amerikë janë: Vaji i ullirit, djathi, gogozharet, fasulet, jufkat, pijet shqiptare etj. Përveç shqiptarëve që janë konsumatorë besnikë, ka edhe amerikanë që blejnë produktet shqiptare që importohen prej sipërmarrjes “ALB-USA” të Ardian Golemit. Zhvillimi i kësaj sipërmarrjeje shqiptare ndër më të suksesshmet në Amerikë ka sjell një revolucion për qasjen e produkteve shqiptare ndaj konsumatorit e tregut të huaj. Sipas Ardian Golemit në fillim të importimit të produkteve shqiptare në Amerikë, 90% e produkteve i blinin veç shqiptarët, ndërsa tani raporti ka ndryshuar, 60% e konsumatorit është shqiptar e 40% tregu i huaj. Amerikanët, bullgarët dhe kryesisht ballkanas e vendet skandinave e baltike janë kthyer në konsumatorë të rregullt të ushqimeve e produkteve shqiptare. Sipas Ardian Golemit rritja e çmimeve globalisht ka krijuar shumë vështirësi në këtë tregti dhe transport ndërkombëtar.  Mbajtja e çmimeve në minimumin e rritjes, ka mbajtur konsumatorin besnik të produkteve shqiptare, por nëse vazhdon kështu shprehet z.Golemi, e ardhmja do jetë me shumë sfida të panjohura. Edhe pse mungojnë statistikat zyrtare shtetërore, sipas Ardian Golemit, ka të dhëna të qenësishme se tregtia në rritje dhe eksportimi i produkteve shqiptare në Amerikë, e ka ndihmuar biznesin shqiptar, për ta bërë edhe më të qartë diferencën, duhet përkrahje qeveritare sidomos nga Ministria e Bujqësisë në Shqipëri. Z.Golemi qorton bizneset dhe prodhuesit shqiptarë pasi shqiptarët në Shqipëri sipas tij, shesin shtrenjtë dhe nisen direkt nga ideja e pasurimit të shpejtë, në vend që të ndërtojnë një rrjet të fuqishëm shpërndarjeje dhe eksporti. Aktualisht, Ardian Golemi në sipërmarrjen e tij ka 6 punonjës të gjithë shqiptarë dhe ka pikë shpërndarje në disa shtete amerikane si: Florida, Chicago, North Carolina, New York, Connecticut, Boston, Wisconsin, Pennsylvania, me përqëndrim më të fuqishëm në dy pika në New York dhe Michigan. E ardhmja e kësaj industrie shërbimi e tregtie sipas Ardian Golemit synon në hapjen e një shërbimi të posaçëm për individët që dëshirojnë të marrin në vend produktet që importohen nga Shqipëria e Kosova. Përveç “ALB-USA” Ardian Golemi me familjen zotëron dhe njësinë tregtare të shërbimit “Argjiros Corner” si një mundësi jo vetëm tregtie por mbi të gjitha si ekspozim produktesh shqiptare, një mundësi atraktive për të njohur edhe të huajt produktet e Shqipërisë e Kosovës. Ardian Golemi na shpjegon për Diellin e Vatrës se në të ardhmen synohet një shtrirje edhe më e madhe në shumicën e shteteve amerikane dhe në Kanada ku do shihet në të vazhdim detaje nga legjislacioni vendas. Ardian Golemi është një shembull i shkëlqyer i patriotit bamirës. Ai çdo muaj ndihmon me shuma monetare dhe ushqime Shoqatën Duart e Hapura,  Qëndrën Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island, Qendrën Islame të Kulturës në New Jersey, Kishën Katolike në Queens e shumë individë në fatkeqësi, ndihma e bamirësi që i kalojnë vlerën 7 mijë dollarë në muaj. “Argjiros Corner” në adresën: 28-22 Astoria Blvd, Queens, NY 11102 dhe “ALB-USA Enterprises Inc” në adresën: 529 Bryant Ave, Bronx, NY 10474, përbëjnë një investim familjar dhe patriotik që mban gjallë e të fortë lidhjen mes Shqipërisë dhe Amerikës jo vetëm në tregti por në të gjitha llojet e shërbimeve të biznesit e transportit të madhrave. Sipas Ardian Golemit shteti shqiptar duhet të ndihmojë bizneset kur duan që këta prodhues qofshin të vegjël apo të mëdhenj të eksportojnë jashtë shtetit të përshtasë legjislacionin dhe kryesorja qeveria shqiptare duhet të ndihmojë bizneset dhe favorizojë prodhuesit e vegjël në bazë, jo paketuesit e mëdhenj, mbyll rrëfimin e tij të suksesit për gazetën Dielli të Vatrës, biznesmeni bamirës Ardian Golemit.

Filed Under: Opinion Tagged With: ardian golemi, Sokol Paja

VATRA PROMOVOI “DËSHMI E TRISHTË E NJË SHENJTORI” DHE “LARG ATDHEUT”

April 22, 2022 by s p

Sokol Paja/

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra promovoi më 20 Prill 2022 në Selinë Qëndrore dy libra: “Dëshmi e trishtë e një Shenjtori” – monografi kushtuar baba Bektash Aliaj figurë e lartë e besimit Bektashi dhe “Larg Atdheut” – një dorëshkrim të lënë pa botuar nga ish Editori i Diellit Xhevat Kallajxhi. Media, miq, vatranë, patriotë e veprimtarë të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë morën pjesë në këtë festë kulturore-letrare në Vatër. Nën prezantimin e Dr. Pashko Camaj, u mbajt 1 minutë heshjte në nderim të largimit në amshim të Zef Balajt, vatranit e patriotit të shquar. Fjalën përshëndetëse e mbajti Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj i cili theksoi rëndësinë e promovimit të këtyre botimeve dhe falenderoi Dervish Eliton Pashajn e Teqen Bektashiane Shqiptare të Michiganit për punën në dobi të kulturës, fesë e çështjes kombëtare. Dervish Eliton Pashaj u shpreh në fjalën e tij se libri “Dëshmi e trishtë e një shenjtori” i është kushtuar jetës dhe veprës së baba Bektash Aliajt, postmbajtës i teqesë së Golimbasit në Vlorë për dekada të tëra, dhe zë një vend shumë të rëndësishëm në bibliotekën e sotme bektashiane. “Në të vërtetë, duke marrë penën për të skalitur këtë personazh, kam menduar përpara së gjithash të hedh dritë mbi një periudhë shumë të vështirë të krejt zhvillimeve të feve në Shqipëri, siç është ajo e pas vitit 1944. Shpesh herë, kur flitet për luftën që diktatura në Shqipëri, i bëri fesë në përgjithësi, mendja na shkon tek viti i mbrapshtë 1967, atëherë kur u rrafshuan nga themelet kisha, xhami e teqe, kur klerikët u tallën, u nëpërkëmbën apo më keq akoma u internuan apo burgosën. Të gjitha këto janë të dhimbshme dhe të jetuara masivisht prej nesh” tha ndër të tjera Dervish Pashaj. Ky libër është një homazh i dhimbshëm për klerikët e vrarë e persekutuar nga diktatura komuniste në Shqipëri. Tonin Mirakaj në kumtesën e tij u ndal te figura e Xhevat Kallajxhiut dhe roli i tij në gazetën Dielli. “Gjate 10 viteve si Editor i gazetes “Dielli”, i ndieri Xhevat mundi të bashkëpunojë me shumë emra të njohur ne Mergaten Shqiptare ketu dhe ne Europe, te cilet me shkrimet e tyre e pasuruen dukshem gazeten Dielli. Editorialet qe shkruente Xhevati, paraqesnin mendime rreth ngjarjeve kombetare dhe nderkombetare, qe ne nje menyre apo tjeter, kishin te bejne me situaten e veshtire ne vendlindje, Kosove dhe vende te tjera te banuara nga Shqiptarë. Paraqesnin gjithashtu permbajtjen ne mbrendsine e gazetes, gje qe terhiqte lexuesin. Editorialet jane shpirti i gazetes, thoshte i ndieri Xhevat” kujtoi për të pranishmit Tonin Mirakaj. Sipas studiuesit Idiz Lamaj Xhevat Kallajxhiu mori në dorë drejtimin e gazetës Dielli, tre vjet pasi doli në pension, në vitin 1976. Po të shikohet me vemendje ajo përiudhë kujton Lamaj, Kallajxhiu u angazha në veprimtarinë e Vatrës dhe drejtimin e Diellit në një kohë mjaft të ndërlikuar. “Ndikimi politik i regjimeve komuniste të Tiranës dhe Beogradit (në dy mënyra të ndryshme), para se Kallajxhiu të fillonte detyrën e editorit të Diellit, ishte shumë i thellë në komunitetet shqiptare, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai lloj ndikimi infektues i të dy regjimeve në fjalë, i cili kishte mbjellur urrejtje të thell midis nesh, natyrisht kishte depërtuar edhe në radhët e Vatrës” kujtoi për të pranishmit Idriz Lamaj. Sipas Dalip Grecës Editor i Diellit 2009-2021, libri “Larg Atdheut” është edhe një burim autentik historik me fakte dhe dokumente që vërtetojnë krimet e Partisë Komuniste. Eshtë një rast i lumë që këtë libër e sjell sot në dritë,Selia e Shenjtë Bektashiane. “Me modesti, autori e ka cilësuar librin e tij roman historik, ndonëse ky, ngjason më shumë me një traktat historik, mbështetur mbi fakt jetsore e dokumente historike. Në qendër të librit është i riu nacionalist Pirro Skënderi,rreth të cilit shtjellohen ngjarjet. Subjekti nis me përshkrimin e rrugëtimit të refugjatëve politik shqiptar nacionalist të luftës së dytë botërore, të cilët mbarteshin me kamionë nga kampi i Santafarës, mbartjen e tyre drejt qytetit të vogël të Jugut të Italisë, Leuca” tha ndër të tjera z.Greca. Pas promovimit, Dervish Eliton Pashaj i dhuroi Vtarës 680 USD në shenjë respekti e mirënjohje për promovimin si dhe veprimtarinë e çmuar në dobi të çështjes kombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: eliton pashaj, Sokol Paja

TEDI KOTORI, NJË SHQIPTAR NË SKENËN POLITIKE TË PENNSYLVANIAS

April 22, 2022 by s p

Sokol Paja

Tedi Kotori, me moton e fushatës së tij politike “People over Party”, është një kandidat potent shqiptar i pavarur që kandidon për Këshilltar në shtetin e Pennsylvania në Distriktin zgjedhor 172 në verilindjen e Philadelphias. Angazhimi qytetar dhe komunitar i shqiptarëve në Philadelphia i jep shumë shpresë Tedi Kotorit për një përfaqësim dinjitoz. “Northeast Philadelphia ka nje numër të madh shqiptarësh, mbase 20,000 dhe deri sot nuk ka patur përfaqësues shqiptar në Harrisburg. Në qoftë se fitojmë, do jetë me të vërtetë një sfidë historike, dhe një nder i madh për mua të përfaqësoj komunitetin tim” – shprehet për Diellin e Vatrës z.Kotori. Në skenën politike të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës sa herë që zhvillohen zgjedhjet, shqiptarët janë dinjitozë me përfaqësimet e tyre e në shumë raste na kanë bërë krenarë duke marrë fitore të qënësishme. Në një thirrje për komunitetin shqiptar që të votojë masivisht, Tedi Kotori shprehet se ka ardhur momenti që njeri nga ne do jetë zëri i popullit shqiptar në shkallët më të larta të qeverisë Amerikane. Shqiptarët në Philadelphia duhet të regjistrohen për të votuar në mënyrë që mbështetja për Tedi Kotorin të jetë masive. “Në këtë moment kemi shans të mirë të fitojmë, sepse shumica e njerëzve janë të pa kënaqur me të dyja partitë kryesore. Sistemi demokratik amerikan kërkon pjesëmarrje nga të gjithë, edhe në rastin kur nuk voton, ti në fakt voton në mënyrë jo direkte, se çfarëdo që të propozohet, edhe sikur të mos jesh dakort, i ke dhënë të drejtën ta bëhet” shprehet i shqetësuar z.Kotori. Aktivizimi politik i Tedi Kotorit ka të bëjë pikë së pari me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët në qytetin e tij. “Fokusi im është për çështjet e cilësisë të jetës (quality of life issues) si shëndetësia, të sigurojmë për gjithë qytetarët opsione publike insurance me kosto të ulët. Arsimi, unë jam nga Korça ku eshtë hapur shkolla e parë të gjuhës shqipe, edhe e ndiej në mënyrë personale rëndësinë e një edukimi të plotë që prodhon qytetarë të edukuar edhe me aftësi të plota për të qenë sa më i suksesshëm në jetë, të cilat sot nuk jepen” citon në programin e tij elektoral Tedi Kotori. Me mbi 10 vite eksperiencë në menaxhim dhe formim, Tedi shprehet se: “Sot problemet janë të kostos së jetesës, të ushqimit, të energjisë, të karburantit, shëndetësisë, edhe qirasë. Këto kanë zgjidhje dhe të thjeshta, por edhe komplekse. Ne kemi të fatin që shteti ynë Pennsylvania ka një prodhimtari të lartë ekonomike, edhe si legjislaturë mund të luajmë një rol kyç për ta përmirsuar situatën” shprehet me bindje të plotë Tedi Kotori. “Komuniteti shqiptar është shumë entuziast që këtë 8 Nëntor mund të bëjmë histori duke zgjedhur të parin shqiptar në legjislaturën e Pennsylvanias. Deri më sot kemi ngritur mbi $10k”, shprehet me një siguri të admirueshme Tedi Kotori. “Organizata Bijtë e Shqipes dhe zoti Bujar Gjoka në veçanti, kanë qënë instrument i fuqishëm për fushatën tonë. Gjithashtu dua të tregoj mirënjohje edhe respekt për zotin Shpëtim Daku, një biznesmen këtu në Philadelphia, i cili më ka marrë nën krahun e tij,  ashtu dhe si ka ndihmuar vazhdimisht qytetarë të tjerë të komunitetit tonë” përfundon prononcimin për Diellin e Vatrës Tedi Kotori. Tedi ka ka lindur dhe është rritur në Korçë, familja imigroi në Amerikë në dhjetor të vitit 1999. Me prinder ekonomistë dhe inxhinjer ndërtimi, Tedi erdhi në mes të klasës të katërt në Philadelphia dhe mbaroi shkollën publike edhe baçelor në ekonomi nga Temple University edhe Master i Shkencës për Analizë Bisnesi. Në karrierë profesionale ka punuar në industrinë e reklamave nga blerja e vendit deri në prodhimin e reklamave në Bank of America, edhe sot në menaxhimin e aseteve reklamore të hekurudhës së Shteteve të Bahkuara të Amerikës. Të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin Tedi Kotorin duhet të bashkohen te “Tedikotori.com” për të mbështetur përfaqësimin e tij politik. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, TEDI KOTORI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 
  • Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë
  • Çfarë na ka mbetur nga trashëgimia e Ismail Qemal Vlorës?
  • Përkujtojmë në ditën e lindjes poetin, shkrimtarin dhe dramaturgun e shquar Viktor Eftimiu
  • 𝐖𝐢𝐧𝐬𝐭𝐨𝐧 𝐂𝐡𝐮𝐫𝐜𝐡𝐢𝐥𝐥 𝐝𝐡𝐞 𝐃𝐞𝐭𝐚𝐧𝐭𝐚 𝐋𝐢𝐧𝐝𝐣𝐞-𝐏𝐞𝐫𝐞̈𝐧𝐝𝐢𝐦
  • DËSHMI LETRARE E NJË KOHE TRAGJIKOMIKE  
  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT