• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR NË SPANJË

December 11, 2020 by dgreca

Flora Andona Sallabanda, mësuese e gjuhës shqipe në Madrid, Spanjë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Spanjë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Flora Andona Sallabandën bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA. 

NGA SHQIPËRIA NË SPANJË

Unë u largova nga Shqipëria në mars të vitit 1997. Siç dihet, në atë periudhë situata u bë kaq e vështirë sa në Tiranë, ku unë jetoja, u vendos shtetrrethimi. Në atë periudhë bashkëshorti im kishte nënshtetësinë spanjolle meqenëse nëna e tij ishte me origjinë nga Spanja. Si pasojë e atyre rrethanave të krijuara, Qeveria spanjolle ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve me nënshtetësi spanjolle që të linin Shqipërinë e të shkonin në Spanjë. Jo vetëm kaq, por nëpërmjet Ambasadës së Mbretërisë së Spanjës në Romë, u organizua dhe u bë i mundur largimi ynë. Duke qenë se bashkëshorti im kishte familje në Spanjë, duke filluar nga vitet 90 të shekullit të kaluar, ne vajtëm disa herë atje për të njojtur familjen e tij. Në këtë mënyrë ne patëm mundësi të njohim diçka nga jeta në atë vend. Natyrisht, të shkosh për vizitë në një vend tjetër dhe të jetosh atje, janë dy gjëra të ndryshme. 

SHOQATA “PETRO NINI LUARASI GJUHA DHE KULTURA SHQIPTARE NË SPANJË”.

Me kalimin e viteve dhe për faktin se unë në Shqipëri punova si mësuese, më lindi dhe po më piqej ideja që të bëja diçka në mënyrë që fëmijët e qytetarëve spanjollë me origjinë shqiptare që kanë lindur këtu, të kenë mundësi të mësojnë gjuhën shqipe dhe të njihen me kulturën shqiptare. Për të materializuar këtë ide dhe në mënyrë që të shërbente si bazë për çfarë mendoja për të ardhmen, krijova Shoqatën “Petro Nini Luarasi Gjuha dhe Kultura shqiptare në Spanjë”. Si hap i parë dhe brënda aktiviteteve që do të zhvillonte Shoqata, me ndihmën e pakursyer të ambasadorit të Shqipërisë këtu, Zotit Gazmend Barbullushi, në Nëntor të vitit 2019 hapëm shkollën e parë shqipe në Spanjë. Nga ana tjetër, me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës, Qëndra e Botimeve për Diasporën na  mundësoi  dërgimin e materialeve shkollore të nevojshme për këtë fazë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË SPANJË

Proçesi mësimor është i ndërtuar mbi dy themele kryesore, mësimi i gjuhës shqipe duke përdorur si material bazë Abetaren dhe njohja e kulturës shqiptare nëpërmjet mësimit të vjershave dhe këngëve në shqip. Duke përdorur Abetaren, jemi përpjekur t´ju mësojmë fëmijëve jo vetëm se si shqiptohen gërmat në gjuhën shqipe por edhe fjalë të thjeshta të krijuara me ato gërmat të cilat ata mësojnë. Jemi përpjekur, gjithashtu, që ata të përpiqen të krijojnë fjali të thjeshta me fjalët e mësuara. Në kuadrin e kulturës shqiptare, në darkën e organizuar me rastin e festave të fundit të Vitit 2019, fëmijët kënduan këngë për Vitin e Ri dhe vallëzuan valle shqiptare. Këtë vit me rastin e 8 Marsit, ditës së mësuesit, organizuam një festë në selinë e shkollës. Fëmijët ishin protagonistët kryesorë të kësaj feste. Po kështu këtë vit, me rastin e ditës së Flamurit, u mblodhëm, përveç të tjerëve, me fëmijët e shkollës dhe kaluam një paradite të gëzueshme në parkun kryesor të Madridit. Situata e krijuar si pasojë e COVID-19, na detyroi që përkohësisht ta kemi të mbylluar dhe presim që autoritetet spanjolle të na lejojnë të vazhdojmë normalisht atë që nisëm në Nëntor të vitit të kaluar. 

SHQIPTARËT NË SPANJË

Hapja e shkollës u prit me entuziazëm nga prindërit e fëmijëve të lindur në Spanjë, të cilët me kënaqësi dhe dedikim filluan ti sillnin në shkollë. Përveç kësaj prindërit janë pjesëmarrës aktivë si në aktivitetet e lidhura me mësim dhënien ashtu dhe në ato që kanë të bëjnë me kulturën shqiptare. Grupmoshat e regjistruara janë nga 4 deri në 13 vjeç. Shoqëria spanjolle reagoi pozitivisht ndaj kësaj nisme. Në këtë kuadër autoritetet zyrtare të Njësisë Bashkiake Tetuán, na ofruan gratis një ambjent në qendrën e tyre kulturore. Shumë nga miqtë tanë spanjollë kanë dëshirë të mësojnë gjuhën shqipe, pavarësisht se e kanë të vështirë ta shqiptojnë atë, si dhe të njohin historinë dhe kulturën shqiptare. Roli dhe pesha në Spanjë e shqiptarëve është mjaft e vogël për faktin se komuniteti shqiptar, sipas të dhënave zyrtare, përbëhet nga më shumë se 3000 persona.

NJË VLERËSIM PËR SHQIPTARËT E AMERIKËS

Duke u bazuar në ato që unë di, Diaspora shqiptare ne SHBA është shembull për nivelin e organizimit dhe përkrahjes që ju ofron shqiptarëve. Shkollat për të mësuar shqip dhe aktivitetet e ndryshme që organizon përbëjnë garancinë e nevojshme për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Po ashtu, për fëmijët e lindur atje, shërbejnë për tju kujtuar se rrënjët e familjeve të tyre ndodhen në Shqipëri.

Filed Under: Featured Tagged With: Flora Andona Sallabanda, gjuha shqipe, Sokol Paja, Spanje

EUROPA TË HETOJË DHE DËNOJË KRIMET SERBE NË KOSOVË…

December 10, 2020 by dgreca

LUFTA E UÇK E DREJTË DHE E PASTËR/

Enver Hajdari, kryetar i degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK në Drenas, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Ngucati, Nasim Haradinaj e Salih Mustafa dhe çdo pjesëtar i UÇK-së do të jenë fitimtarë ashtu siç ishin në luftë. Sipas Enver Hajdarit, akuzat e Prokurorisë janë bazuar mbi dëshmi të rreme të sponsorizuara nga lobi sllav. Europa sipas Hajdarit duhet të hetojë si fillim krimet e tmerrshme të serbëve në Kosovë. 

ARRESTIMET SKANDALOZT TË KRERËVE TË SHTETIT TË KOSOVËS DHE TË LUFTËS 

Arrestimet e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Prokuria Speciale, kanë qenë të pa pranueshme dhe skandaloze. Kjo që po ndodh, është e papranueshme, kjo është edhe një tentim  për të barazuar kriminelin dhe Çlirimtarin. Ne si çdo popull luftuam për liri, prandaj aktakuzat e tilla, janë të pa drejta, janë thjeshtë politike, akuza të pa baza, janë akuza të dirigjuara nga Beogradi e fatkeqësisht të zbatuara nga disa gjyqtarë e prokuror ndërkombëtar. Këto arrestime nga kjo e ashtuquajtur “prokurori” sepse si të tillë nuk e njohim ne dhe nuk do e njohim asnjëherë, sepse ne e konsiderojmë që gjykata speciale është një etnike dhe nuk ka qëllim tjetër vetëm të barazojë kriminelin me Çlirimtarin. Ushtria Çlirimtare ka dalë nga gjiri i popullit për ta mbrojtur popullatën e pafajshme, për ne lufta si e tillë na  është imponuar, sepse nuk kemi pasur deshirën për të luftuar sepse njerëzit normal nuk i duan luftrat por paqen e zhvillimin. Serbia e ka dëshmuar edhe në të kaluaren se ajo është shtet i cili ka nxitur luftra dhe njëherazi e ka përdorur makinerinë shtetërore për të vrarë gra, fëmijë e pleq dhe për të debuar qytetarët dhe kryer masakra çnjerëzore si në Kosovë.  Prandaj me bindje të plotë deklaroj se UÇK-ja nuk ka bërë krime, sepse kjo nuk ka ekzistuar në kauzën dhe udhëheqjën e UÇK-së, ideja për të kryer krime, misioni i jonë si pjestarë të UÇK-së ka qenë çlirimi i Kosovës. Dhe ne kemi qenë kundër pushtimit, ne kemi zhvilluar luftë kundër makinerisë pushtuese çetnike serbe, dhe ballafaqimi i jonë ka qene me armikun gjakatar serb. Asnjë, ama asnjë civil të pambrojtur serb ose cili do qoftë ai, UÇK-ja nuk ka ushtruar as dhunë ose presione, ballafaqimi ynë ka qenë në front të luftës. 

EUROPA, NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Evropa, dhe kushdo që ka ushtruar presion mbi Kosovën për themelimin e gjykatës speciale, ka berë një padrejtësi të madhe. Evropa padrejtësi ndaj Kosovës ka berë edhe në të kaluarën, mirëpo kjo e fundit është e pafalshme dhe e pa drejtë. Sepse, gjatë luftës Ushtria Çlirimtare e Kosovës i kishte aleatë të Çlirimit edhe ShBA-të, NATO-në dhe një pjesë të Evropës, por si duket Kosova, do ballafaqohet ende me padrejtësi për ti kënaqur orekset e Rusisë dhe Serbisë. Arrestimet dhe akuzat i shoh si një padrejtësi që po i bëhët Kosovës. Sepse që nga çlirimi i Kosovës përgjegjësinë për gjyqësinë në Kosovë e kanë pasur evropianet me misionet e tyre në Kosovë, Unmiku, Eulexi e shumë misione ndërkombëtare.

AKUZAT NDAJ UÇK ME DOSJE FALSE DHE GËNJESHTRA TË NDYRA

Akuzat janë krejtësisht të paqëndrueshme dhe ta pa baza, akuza të fabrikuara nga Beogradi, dhe një tentativë për barazimin e çlirimtarit me agresorin. Agresori në Kosovë ka qenë serbia, ajo ka kryer masakra në Kosovë, ajo ka dhunuar gra në Kosovë, ajo ka dëbuar shqiptarë, ajo ka vrarë fëmijë, gra e pleq. Por, me bindje të plotë e them se pjestarët e UÇK-së dhe krerët e saj, do të kthehën faqebardhe dhe do të dalin fitimtarë nga kjo betejë politike. Besoj që ju e dini se kjo gjykatë është themeluar në bazë të një raporti të sponzorizuar nga Beogradi, tashmë ekzistojnë edhe dëshmi për këtë gjë, raporti i përpiluar nga Dick Marty është komplet i sponzorizuar nga Beogradi me dosje false. Kur e lexojmë aktakuzën sot që i’u është ngritur udhëheqjës së UÇK-së, aty as nje pikë nuk është përmendur ai raport sepse është totalishtë i pa vërtetë, por, edhe këto akuza do të hidhën poshtë, sepse janë të fabrikuara dhe të pa qëndrueshme.

BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN, NJË TURP I MADH

Turpi më i madh i botës është që të tentohet të kemi barazim të agresorit me viktimën, një gjë është e sigurtë se ushtarët e UÇK-se, në sytë dhe vedijën e popullit janë çlirimtarë, po ashtu edhe në sytë e aleatëve tanë kemi qenë dhe do mbesim çlirimtarë.  Tentimi për barazim në mes një agresori dhunuesi me viktimën nuk do mund të arrihet sepse shokët tanë do ia bëjnë të qartë gjithë botës së janë çlirimtarë dhe do dalin të pafajshëm. Beogradi dhe Rusia, vetëm një qëllim e kanë pasur që të ketë balanca në mes agresorit dhe viktimës, mirëpo kjo nuk do arrihet asnjëherë sepse ende i kemi deshmitë e freskta të masakrave që i ka shkatuar pushteti kriminal sllavë.

SITUATA NË KOSOVË E PAQËNDRUESHME  

Situata në Kosovë është jo fortë e kënaqshme dhe e paqëndrueshme sepse mungojnë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mungojnë udhëheqësit shtetërorë. Kjo situatë nuk është aspak e qëndrueshme. Që nga tentimi për themelimin e gjykatës speciale ka pasur kundërshtime, kundërshtimi më i madh ka ardhur nga organizatat e luftës, për këtë jam në ngjarje me gjitha përjekjet që janë bërë pasi jam kryetar i degës së OVL-së në Drenas dhe anëtar i kryesisë qendrore të OVL-së, e kemi kundërshtuar me gjitha mjetet të cilat i kemi pasur në dispozicion, kemi qenë atëhere kundër dhe do vazhdojmë të jemi kundër dhe mos ta njohim këtë gjykatë. Gjykata dhe Prokuroria janë një etnike, kemi të bëjmë vetëm me hetimet e krimeve të supozuara nga UÇK-ja, është shumë e pa drejtë, ne jemi për hetime të çdo krimi, por krimet kanë ndodhur nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, kriminelit të ballkanit. 

PROTESTA, PETICIONE, ORGANIZIME MBARËPOPULLORE KUNDËR GJYKATËS SPECIALE

Ne jemi koordinuaar se bashku si OVL e UÇK-së, po ashtu kemi organizuar një protestë me datën 9 korrik 2020 në çdo komunë nga 99 veta, ku kjo ka pas simbolikën e saj, po ashtu kemi zhvilluar biseda me deputet e kësaj legjislature për të dërguar këtë gjykatë për interpretim kushtetues, sepse konsiderojmë se i ka skaduar mandati. Gjithashtu kemi mbledhur nënshkrime e peticione kundër kësaj gjykate, janë derguar në kuvend. Po ashtu më 25 janar 2011 nga delegacioni i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, sekretarit të përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i është dorëzuar peticioni me mbi 230 mijë nënshkrime kundër raportit të Dick Marty. Mirëpo ne duke pasur parasyesh rrethanat aktuale që gjendet bota dhe Kosova, në këtë kohë pandemie me virusin COVID-19, ende nuk kemi organizuar ndonjë protestë gjithëpopullore, po presim që kjo të kaloj, dhe nuk përjashtojme një opsion të protestës si shenjë revolte lidhur me këto arrestime e gjykime. Por, dijeni një gjë se : Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Ngucati Nasim Haradinaj e Salih Mustafa dhe çdo pjestarë i UÇK-së do të jeni fitimtar ashtu siç ishit në luftë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Enver Hajdari, Europa, Sokol Paja

GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR NË ITALI

December 8, 2020 by dgreca

Dritan Mashi, mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Gjergj Fishta” në Trento, Itali, ish-nënkryetar i LMSHI dhe aktualisht anëtar i Këshillit të Mësimit Shqip në Diasporë (KMSHD), rrëfen ekskluzivisht për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Itali nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Dritan Mashin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA…

FUNKSIONIMI I MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË ITALI

Duke pasur parasysh që Shqipëria nuk bën pjesë në BE, që të mundësohet mësimi i gjuhës amtare për pakicat kombëtare dhe duke ditur që Italia nuk ka një ligj të mirëfilltë që të mundesojë organizimin dhe zhvillimin e mësimit të gjuhës përkatëse të pakicave që jetojnë në vend, mësimi i gjuhës shqipe është bërë e mundur në shumicën dominuese nga shoqatat kulturore në formën e kurseve. Janë këto shoqata që bëjnë të mundur funksionimin, zhvillimin, krijimin e kushteve, ambjenteve,bazën materiale, gjetjen e mësuesve ose të mësimdhënësve, si dhe propagandimin në komunitet të funksionit të kursit shqip. Deri para pak vitesh këto kurse kanë funksionuar në menyrë të pavarur dhe individuale, gjë që ka sjellë edhe komunikimin me institucionet shtetërore të shteteve tona (Shqipëri-Kosovë), që ka qënë i rezervuar dhe i ngushtë. Shtimi dhe nevoja për zgjerimin e mësimit shqip në komunitete bëri që numri i këtyre shkollave të rritej dhe nevoja për mësues ishte më e madhe. Lindi nevoja që këta mësues dhe mësimdhënës duhej të trajnoheshin dhe të përditësoheshin. Ndihmë të madhe ka dhënë qeveria e Kosovës dhe më pas ajo e Shqipërisë me seminaret e organizuara në Itali dhe në Shqipëri, si dhe me bazë materiale, abetare, fletore pune, libra të ndryshëm për fëmijë dhe “Doracaket”. Të gjitha këto bënë të mundur që të fillojë konkretizimi dhe ndërgjegjësimi i një fillese më serioze e mësimit shqip. Në shumicën derrmuese këto kurse apo shkolla funksionojnë një herë në javë me 2-3 orë dhe në 2-3 grupmosha, gjë që ka vështirësitë e veta në sistemimin dhe organizimin e orëve të mësimit. Duhet të theksojmë që mësuesit dhe mësimdhënesit, me punën e tyre vetmohuese, përkushtimin dhe dëshiren e madhe që brezi i ri që rritet në dhe të huaj të marrë informacionin e duhur për atdheun dhe gjuhën mëmë. Numri i madh i kurseve bëri që të shtohej edhe numri i mësuesve dhe mësimdhënesve të cilët kishin nevojë të ishin më të organizuar dhe të informuar, gjë q çoi në formimin e Lidhjes së Mësuesve Shqipëtarë të Italisë. Kjo nuk pati funksionin e duhur për shkak të keqdrejtimit dhe personalizimit të direktivave për të cilat shumë mësues të nderuar dhanë kontributin e tyre. Kjo do të thotë që mbi 60% të mësuesve dhe ndihmësve informohen në mënyrë të pavarur ose rajonale.

ORGANIZIMI NË QYTETE, MËSIMDHËNIA DHE KURRIKULA QË PËRDORET

Mësimi i gjuhës shqipe i ka fillimet në vitet ‘90 me disa grupime të vogla nxënësish dhe qytete të vogla, por një zhvillim dhe perkushtim më të gjërë ka marrë në dhjetë vjeçarin e fundit, ku rolin kryesor e luajtën shoqatat kulturore. Duhet të themi se mësimi shqip zhvillohet në të gjithë territorin italian, por duke u bazuar në fluksin emigrator dhe dendësinë e komuniteteve shqiptare, numri më i madh i kurseve të gjuhës shqipe është i përqëndruar në qendër dhe në veri të Italisë si: Lombardi, Veneto, Trentino – Alto-adige, Emilia Romagna, Piemonte etj. Metodat dhe materialet e përdorura deri para pak vitesh ishin ato që silleshin privatisht nga Kosova dhe Shqipëria, pa pasur një udhëzues të metodës dhe mënyres së veçante të kësaj mësimdhënieje. Megjithatë, në këto 3-4 vitet e fundit, interesimi i institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë ka qënë i dukshëm dhe për pasojë është bërë e mundur bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi. Kjo ka bërë që në pothuajse të gjitha shkollat në Itali të përdoret Kurrikula e përbashkët e ministrive të arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR TË SHQIPTARËVE NË ITALI

 Duhet të theksojmë se mësimi i gjuhës shqipe nuk është vetëm me të folurin nëpër ambientet shtëpiake. Kjo mënyrë e të mësuarit të gjuhës shqipe është vetëm një pjesë e formimit paraprak dhe prejardhjes sonë si komb. Pjesa më e rëndësishme, kjo edhe sipas statistikave dhe për më shumë sipas mësuesve të parë dhe martireve të mësimit të gjuhës shqipe, që gjuha e shkruar është forma më e përshtatshme e ngulitjes së gjuhës tek personi. Duke e shkruar, nxënesi do e përmirësojë atë çka ka mësuar në ambjentet familjare, duke e ilustruar me historinë do mësojë kush jemi dhe cila është prejardhja, duke parë dhe përdorur veshjen tradicionale në vazhden e mësimit dhe veprimtarive që shkolla ka në programin e saj, komunikimi dhe angazhimi në orën e mësimit me traditën dhe doket, gatimit, instrumentet, vizatimin me tematikat tradicionale, do kemi krijuar një formacion të mundshëm dhe të programuar për një imazh funksional të përgatitjes së brezit të ri me identitetin dhe prejardhjen e kombit tonë. Megjithatë, kjo do ishte maksimumi duke parë statistikat. Aktualisht në Itali janë në funksion rreth 100 kurse ose shkolla. Kjo është një shifer jo e mjaftueshme për numrin e madh të komunitetit shqiptar që ndodhet në Itali (rreth 1.000.000 shqipfoles). Me një fjalë, duhet të bashkohemi, të gjejmë rrugën e duhur, të veprojmë me më shumë përgjegjësi dhe profesionalizem, si nga ana e shteteve tona përkatëse, si nga ana jonë si profesionistë t gjuhës shqipe. Themelet janë, duhet vetem të veprojmë me më shume këmbëngulje që të ndërgjegjësojmë komunitetin tonë që e vetmja rrugë që vërteton identitetin tonë është t’i mësojmë brezit të ri gjuhën e shenjtë dhe të bukur shqipe. Nga ana jonë si mësues ka marrë rrugën e duhur që me formimin e Këshillit të Mësimit Shqip në Diaspore (KMSHD), do të mundesojë unifikimin e mësimit shqip në të gjithë diasporen. Gjë që vlen edhe për mësimin e gjuhës shqipe, si formë e ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar. 

SI PRITET MËSIMI SHQIP NË ITALI NGA SHOQËRIA ITALIANE

Duhet të theksojmë që populli italian ka qënë në shekuj një popull emigrator. Kjo ka ndikuar pozitivisht në organizimin dhe zhvillimin e mësimit shqip në të gjitha aspektet, si në frymëzimin emocional ashtu edhe material. Kemi marrë përgezimet më të sinqerta për iniciativen, gjithashtu kemi marrë edhe ndihmen materiale kur ka qënë e nevojshme, ambjente ose bazë materiale.

 ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË ITALI

Komuniteti shqiptar në Itali është nder më të rëndesishmit në shoqerinë italiane. Kjo ka të bëjë edhe me numrin e madh të shtetasve shqiptarë të emigruar ndër vite. Duhet theksuar se integrimi ynë ka qënë i shpejtë dhe i natyrshëm. Kemi të bëjmë me një krah pune të dobishëm për ekonominë italiane, por edhe intelektuale. Kjo është vërtetuar me rezultatet, arritjet dhe suksese si në fushat profesionale dhe ekonomike, por edhe në ato politike. Nuk janë të paktë personazhet që pothuajse i njohim të gjithë. 

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPOREN NË SHBA

Jemi të vetëdijshëm që diaspora shqiptare në SHBA është ndër më të vjetrat dhe më frytdhënëse, ndër më patriotiket dhe më të frymëzuarat në çështjen kombëtare të ruajtjes së gjuhës, traditave dhe dokeve të kombit shqiptar. Duke qënë kaq larg nga toka mëmë dhe duke qënë aq afër me zemër, jemi krenarë që ju vëllezër na jepni një motiv më shumë që të angazhohemi me shpirt e zemër që të mbrojmë me fanatizëm emrin SHQIPTAR. Kemi tre gjërat më të bukura në botë: GJUHËN, FLAMURIN dhe TRADITAT. T’ua lëmë trashëgimi fëmijeve tanë dhe brezave të ardhshëm. Zoti e bekoftë Shqipërinë etnike dhe shqiptarët.

Filed Under: Featured Tagged With: gjuha shqipe, Itali, Sokol Paja

GJYKATA SPECIALE KUNDËR PAVARËSISË SË KOSOVËS E DINJITETIT TË LUFTËTARËVE

December 7, 2020 by dgreca

Avdyl Krasniqi, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega Fushë Kosovë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale po bën një spektakël të përgatitur nga qarqet ruse në bashkëpunim me serbët, për të njollosur dhe nëpërkëmbur Kosovën e Pavarur dhe luftën e shenjtë të UÇK-së. Akuzat e Speciales janë akuza të shpifura dhe të pabaza kundër krerëve të UÇK-së, kundër shtetit tonë, sakrificës sonë dhe dinjitetit tonë.

ARRESTIMET NJË SPEKTAKËL I SHËMTUAR

Arrestimet i kemi përcjellur me shumë  shqetësim. Zhvillime këto shqetësuese për çdokënd që e ndjen vetën shqiptar. Është një spektakël i përgatitur  nga qarqet ruse në bashkëpunim me serbët, për të njollosur dhe nëpërkëmbur Kosovën e Pavarur dhe luftën e shenjtë të UÇK-së. Pikësynim i kësaj Gjykate me iniciativën ruse ishte akuzimi i krerëve të UÇK-së për trafikimin e organeve njerëzore “Shtëpia e verdhë”, gjë e cila nuk u dëshmua se ka trafikim organesh njerëzore apo “Shtëpi të verdhë”, por kishte akuza të shpifura dhe të pabaza kundër krerëve të UÇK-së, kundër shtetit tonë, sakrificës sonë dhe dinjitetit tonë.

NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Mendoj që Evropa po bën shumë padrejtësi në dëm të shqiptarëve, duke filluar nga kushtet dhe kërkesat e vazhdueshme për lëvizjen e lirë dhe anëtarësimin në BE, faktorizimin e serbisë dhe fshehjen e krimeve, ku dihet se ende ekzistojnë shumë persona të pagjetur dhe përgjegjës për këtë është vetë shteti serb. Po kjo Evropë në krye me Dick Marty, ra nën ndikimin e iniciativës ruse ku me 25 janar 2011, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aprovoi në formë të rezolutës raportin e Dick Martyt.

AKUZAT NDAJ UÇK TË PAVËRTETA

Lirinë dhe shtetin e kemi fituar falë qëndresës dhe luftës së shenjtë të UÇK-së, ndihmuar nga shtete aleate. Por, t’i akuzosh krerët e UÇK-së apo më meritorët e lirisë me akuzën “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe shumë shpifje dhe akuza të tjera të pabaza, e tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj Gjykate e cila është e njëanshme, e kundërligjshme, e drejtuar vetëm ndaj  luftëtarëve të UÇK-së. Këto aktakuza janë të pabaza dhe pa fakte të cilat janë përgatitur nga qarqet serbe dhe disa shqipfolës për të njollosur luftën e shenjtë të UÇK-së, luftë e cila mobilizoi faktorin ndërkombëtar në krye me NATO-n, duke ditur se ishte luftë e drejtë dhe e pabarabartë në raport me forcat serbe.

BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN NJË TURP

Barazimi i agresorit me viktimën jo vetëm që është e turpshme, por edhe shumë e rëndë për popullin dhe familjarët ku dihet se nga shteti serb nën komandën e paramilitarëve janë kryer mbi 400 masakra ndaj civilëve shqiptarë, kemi mbi 13000 civil të vrarë, 1392 fëmijë ku prej tyre 296 fëmijë nën moshën 5 vjeç, 1882 burra të vrarë mbi moshën 65 vjeç, mbi 20000 dhunime. Të gjitha këto janë kryer gjatë luftës në Kosovë dhe adresa e tyre është shteti agresor serb.

SITUATA SOT NË KOSOVË E RËNDUAR

Është një situatë e rënduar dhe një lëkundje e besimit ndaj shteteve evropiane, apo ndaj asaj Evropës së vjetër e cila na ndau dhe na copëtoi në shumë shtete. Reagimet e njerëzve ishin të ndryshme, por thirrja për qetësi dhe maturi e krerëve të shtetit ndikoi në uljen e gjakrave, por mllefi dhe kujtesa na çon në vitet e 90-ta të arrestimeve.

PROTESTA E PETICIONE

Është kohë e ndjeshme, për shkak të pandemisë ju kemi ikur protestave por nuk përjashtohet mundësia e protestës. Ne si OVL i kemi dorëzuar peticionet me mbi 230000 nënshkrime tek Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kundër raportit të Dick Martyt. Përgjegjësinë për zhvillimet e mëtejshme e merr Këshilli i përgjithshëm i OVL-së, rreth aktiviteteve të ardhshme.

Filed Under: Featured Tagged With: Avdyl Krasniqi, GJYKATA SPECIALE, Sokol Paja, UCK-ja

PSE VAKSINA E KOMPANISË MODENA ËSHTË MË EFIKASE?

December 5, 2020 by dgreca

PSE VAKSINA E ZHVILLUAR NGA KOMPANIA BIOTEKNOLOGJIKE MODERNA ËSHTË MË EFIKASE?/

-FLET PËR GAZETËN”DIELLI” MJEKU INTERNIST, I TRAJNUAR NË EPIDEMIOLOGJINË KLINIKE, ASISTENT PROFESOR NË MJEKSINË KLINIKE NË CORNELL UNIVERSITY –NEW YORK, DR.SKËNDER MURTEZANI-

Dr. Skënder Myrtezani, mjek internist, i trajnuar në epidemiologjinë klinike, asistent profesor në mjeksinë klinike në Cornell University – New York, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol Paja, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon vaksinat anti -Covid, situatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjëndjen në shtetin e New Yorkut, situatën e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut në përballje me pandeminë globale. Gjithashtu Profesor Murtezani shpjegon edhe fenomenin e vetvrasjes te individët e prekur nga Covid-19. Me doktor Skender Myrtezanin bashkëbisedoi gazetari i DIELLIT, Sokol Paja. 


ERDHI VAKSINA E SHUMËPRITUR

Vaksinat kundër covid-19  janë në numër të madh, janë 58 vaksina sot që duan ta marrin rrugën e të arrijnë deri tek njeriu por nga një analizë që kam bërë, 2 vaksina janë më të mirat Moderna dhe Pfizer Biontech. Moderna për mua është një vaksinë më komplete sepse fillimi i bërjes së vaksinës është në Janar të këtij viti, i kanë bërë fazat në mënyrë shkencore dhe nën mbikqyrjen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Phizer e ka perdor bërë me të njëjten metodë, përdorimin e asaj pjese të virusit që është mRNA. Kjo është vaksinë gjenetike, pra ky “messenger” urdheron qelizën e gjalle të prodhojë proteinën që është e njëjtë me atë te virusit, dhe trupi ndërton antitrupa, pra e përgatit trupin tonë në rast se bie në kontakt me SARS COV 2 te fitoje luften me virusin ne kete rast SARS CoV 2 pa simptoma ose me shum pak simptoma. Vaksina e Oksfordit është e mirë por nuk e kam studiuar me detaje atë por vetëm vaksinat e Amerikës.

NJERËZIT TREMEBN, A KA EFEKTE ANËSORE TEK INDIVIDËT VAKSINA?

Janë tre faza qe fillojne pas fazes paraklinike në qelizat invitro dhe ne kafshe, ku studjohet  nëse prodhojnë proteinë apo jo, pastaj prej studimit te aftesise se qelizave te prodhojne proteinen e Covid 19 in vitro, vazhdohet invivo por tek kafshet konkretisht tek numri me i madh i studimeve esht me majmunin Rhesus macaque ku ka treguar që mund të prodhohen antitrupa pra hapet rruga qe studimet te behen ne njerez. Vaksinë Moderna është aplikuar në 30 mijë vullnetarë, po ashtu edhe Phizer e ka aplikuar në 30 mijë vullnetarë ne fazen e tretë te studimit te efikasitetit te vakcines. Nga të dyja vaksinat nuk kemi asnjë rast vdekje, nuk kemi asnjë rast të ndonjë komplikimi serioz qe lene vaksinat gjate hulumtimeve klinike para se te dalin ne mbrojtje te publikut.   Kur bëhet faza e tretë krahasohet vaksina me vaksinën e rrejshme që quhet placebo. Është parë që deri në fund të studimit te vakcines Moderna nga 30 mijë kanë gjetur 95  të sëmurë nga covid 19 ku 90 kanë qënë nga grupi placebo dhe 5 nga grupi që kanë marrë vaksinën e vërtete, por asnjëri nga këto të 5 nuk ka kaluar me sëmundje kritike. Pra duke mare vaksinen per Covid 19  edhe nëse e merr semundjen, nuk e merr atë formën që të merr jeten, pra ka efikasitet esht shum i larte. Un per vete dhe per familjen time e kisha mare njeren nga keto dy vakcina pa u menduar dy here. Mendohet, sipas dr. Faucit  që diku në mars apo prill do fillohet aplikimi i vaksinës duke ndjekur prioritetet qe keto dite esht duke i percaktuar CDC (qendra për  kontrollin e sëmundjeve NE Atlanta Gorgia), pra do ti ofrohet personelit mjekësor, punetoreve ne sherbim publik popullates qe jane banojne ne shtepite e pleqeve, grupeve më të rrezikuara dhe me rradhe. Shpresojmë që në shtator të arritet të vaksinohet e gjithë popullsia.

AMERIKA PËRBALLË COVID-19, SITUATA NË NEË YORK 

Situata është e larmishme sot, Amerika është vendi i demokracisë, nuk është e lehtë të kalosh nga një kulturë   s’me intereson asgjë,( I don’t care) apo (Dont tell me what to do” të kalosh tek kultura e re e pandemisë që kërkon sakrificë nga çdo njëri për ta fituar luftën. Kjo është gjendje e nje lufte biologjike por per fat te keq  nuk është trajtuar si e tillë. Duhet trajtuar si luftë biologjike dhe çdo vend të ketë qëndrime, edukim të popullatës, marrje të masave që ta fitojmë betejën me virusin. Këtë sukses e kemi në Indokinë, Vietnam, Tajvan, Australi, Zelandë të Re. Problemi është se nuk kemi studiuar mjaft sesi penetron virusi. Deri tani e dimë që fillon tek hunda, tek goja, tani mendohet edhe tek sytë dhe duhet të mbajmë edhe syze ideja esht që mos ti japim rast CORONES 2 të shumohet. Problemi më i madh është që virusi do njeriun që të mbijetojë, në qoftëse ne nuk i japim rast ai do vdesë. Maska është e vetmja alternativë, tani CDC propozon maskë me dy shtresa, janë maska të reja dhe mendoj që çdo person që punon me industrinë e shëndetësisë duhet të kenë maska N95 ose M3. Amerika asnjëherë nuk ka qënë në top listen e vdekshmerise, por Amerika ka bërë testimet me numer me te madh ne bote, prandaj edhe vendët e tjera të kishin bërë aq testime do dilnin me shume raste pozitive. Nuk është me rendësi ne vendet me ekonomi te ulet të kapen sa me shume raste, por esht shum me rendesi mos të na ikin personat me simptoma që jane grupi qe transmetojnë virusin, ata dyhet te observohen nga qeveria ti izolohen dhe raster e kategorise kritike te transportohen në spital.  Problemi në vendin tonë ka qënë tek kujdesi për ata me covid 19, duhej ne moment të izoloheshin per 3 jave pastaj te ritestohen sipas protokolit.

 Situata sot ne NY, është më mirë se në çdo shtet tjetër te SHBA. NY pasi e pësoi DHE kishte vdekshmërinë më të madhe në botë, pasi nuk u morën masa që fillim ne janar shkurt prandaj marsi e prilli kanë qënë të kobshme per NY. Që nga mesi i marsit unë vazhdova ta promovoj fuqishëm përdorimin e maskës dhe të gjitha mjetet që kisha në dispozicion,qe mendoja se mund te stabilizojne sistemin e imunitetit qe te mos kalojme ne kategorine kritike te semmundjes po edhe po te kolojme te kemi gjasa te te mire te shpetojme. E kame filluar ne faqet e mija te facebook-ut e me vone prej ne 24 marsit me intervista dhe me materiale shtesë informative nga zyra ime ne Queens, i shpërndava masivisht me qëllim që qytetarët të ndërgjegjësohen për rrezikun e madh që kishim në horizont. Sot situata në New York është e shkëlqyer nëse iu referohemi shifrave të mëparshme. Por ky kohezion rrezikohet shumë nga lëvizjet masive të popullsisë për festa e raste, demonstrata kundër qeverisë apo pro qeverisë, festat e ndryshme që rrisin kontaktet mes njerëzve e të tjera si këto do na rrezikojnë shumë nëse nuk kihet një kujdes i madh. Në klinikën ku unë punoj ka disa shqiptarë të infektuar. U bëj thirrje që sidomos komunitetit tone të ketë kujdes të shtuar. Ata duhet të kuptojnë momentin, virusin, fuqinë e tmerrshme te virulences qe esht shkatërruese per trupine e njeriut i lus  të jenë shum’ të kujdesshëm. Nuk bëhet shaka me këtë virus të tmerrshëm, jemi në gjendje lufte dhe ashtu duhet të sillemi, me kujdes ekstrem dhe jo me neglizhencë. Flitet kohët e fundit sipas studimeve se virusi mund të qëndrojë deri në 3 orë në ajër, ndaj duhet maska dhe distanca rigoroze dhe mbi të gjitha vetëdijësimi njerëzor për fuqinë shkatërruese të virusit. 

SHQIPËRIA, KOSOVA E MAQEDONIA PËRBALLË COVID-19

Sjellja e bashkëkombasve tanë gjatë pandemisë ka qenë pak e tepruar ne aspektin e injorimit te masave mbrojtse. Qasja që kemi ndaj njëri-tjetrit dhe marrëdhëniet e ngrohta si shoqëri në vendet tona ka bërë që jo vetëm mos ta frenojmë virusin por ti japim një hov edhe më të fuqishëm shumimi. Vizitat e tepruara familjare, përqafimet, mos mbajtja e distances, mos mbajtja e maskës dhe neglizhenca ka bërë që situata të përcepitojë frikshëm në vendet tona sidomos sot që flasim Maqedonia është me keq se vendet tjera te Balkanit. Në qasjen ndaj virusin duhet të ndryshojmë kulturalisht. Është një domosdoshmëri. Duhet të kemi më shumë disiplinë. Në vendet tona maskat mbahen nën mjekër, në xhep, në makinë apo në dorë. Duhet një fushatë më e fuqishme mediatike dhe duhet më shumë edukim të popullatës me të gjitha mjetet e komunikimit masiv. Duhet një bashkëpunim më i madh mes mjekut, pacientit, institucioneve shtetërore, mediave e çdo indivi që është pjesë e zinxhirit të luftës kundër virusit global. Duhet të punohet fort që popullata të jetë e shëndoshë, ti parandalojmë që të mos sëmurën e të mos perfundojne në spital. Përhapja masive e sëmundjes na rrezikon kapacitete pritëse dhe na çon në kolaps te sistemit shendetsor. Në çdo spital shtetëror dhe privat duhet të ketë të paktën 2 kate të specializuar dhe të gatshëm për të luftuar Covid-19. Shtetet duhet të investojnë më shumë dhe duhet të kenë strukturë të fuqishme përballimi. Sot jemi në një luftë biologjike dhe qeveritë e sidomos partitë politike në vendin tonë duhet të jenë të bashkuara dhe të qëndrojnë në një front përballë të kësaj të keqe globale. Sot duhet të jemi të bashkuar. Vetëm kështu gjithmone do fitojmë ndaj së keqes. 

PSE PO VETVRITEN NJERËZIT E PREKUR NGA COVID-19?

Vetvrasja në spitale dhe sidomos te pacientët e prekur me covid-19 nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Është e turpshme. Aty ku vetvriten njerëz nuk ka menaxhim dhe nuk ka siguri. Nuk mundet që pacienti i sëmurë më covid të bëjë xhiro në katet e spitalit të planifikojë e shikojë me detaje se ku do të vetvritet. Ku janë strukturat spitalore? Çdo pacient që vjen në spital duhet lexuar dhe intervistuar me detaje se nëse ka shfaqje të problemeve të rënduara psikologjike a psikiatrike. Duhet shikuar dhe mbajtur nën vëzhgim çdo pacient që shfaq probleme. Psikiatri duhet të ndërhyjë menjëherë sapo merr informacionin nga infermieri nëse ka donjë depresion apo psikozë te pacientët. Çdo pacient që ka probleme duhet të mbikëqyret nga punonjësit e spitalit që të shikojë dhe sinjalizojë ndryshimet te ky individ. Në Amerikë quhet “one to one” pra çdo të sëmuri me tendence per vetevrasje vendoset që ta mbikqyrë një i shëndoshë, pjesë e ekipit ndihmës të spitalit do te benin pune te mire ne evitimin e vetvrasjeve.  Përveç kësaj që thashë më lart, njerëzit vetvritën nga mungesa e besimit se do ta kalojnë virusin, nga frika e vdekjes, nga paniku që u shkakton virusi, humbja e shpresës, besimi te Zoti do te luante rol positiv. Problemi duhet parë ne kompleksitetin e saj.  Në vendet tona 9 në 10 persona nuk duan më të jetojnë në atdheun e vet, duan te largohen ne perendim. Ka një depresion kolektiv. Në vendet tona Kosovë, Shqipëri, Maqedoni shoqëria është në një depresion te perhershem si pasojë e humbjes së shpresës dhe dëshirës për të gjetur pune qe do e mbaje nje familje dhe me perkushtim do te jetoj aty ku esht gurri i rende në vendin e tyre. Gjendja shoqërore është e rëndë. Situata është komplekse në vendet tona. Për tu kthyer të problemi, duhet që çdo mjek të ketë një kujdes të shtuar te pacientët që marrin ilaçe të forta apo që shfaqin simptome te depresionit, gjëndjen e rënduar apo shenja per ti bere dem vetes. Një gjë që duhet pasur parasysh është që edhe familja dhe spitali ti mbajë në kontakt të vahzdueshëm të sëmurët me depresion, biseda te shpeshta dhenja e kurajos dhe informimi i mjekut nese gjendja nuk permiresohet.. Ajo i çliron dhe i bën të ndjehen mirë pacvientet me gjendje psikiatrike. Ata nuk janë vetëm. Ata janë të gjithëpërfshirë dhe kurajo e miqëve e familjarëve i ndihmon shumë psikologjikisht të sëmurët. Morali i ulët dhe dëshpërimi, depresioni i thelle është fatal për të sëmurët Psiqiatrik. 

KOHA QË MIQTË NDËRKOMBËTAR TI NDIHMOJNË SHQIPTARËT

Situata në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nuk është ajo që secili nga ne duam. Njerëzit janë të lodhur nga qeverisjet e këqija, shpresa për ndërtim të vendit dhe mungesa e tregut të punës. Miqtë tanë ndërkombëtarë duhet ta ndihmojnë vendin tonë duke ndërtuar si fillim një industri të mjaftueshme që ajo fuqi punëtore ta gjejë vetveten në shtetin amë. Bashkimi Europian dhe Amerika duke pas bashkpunimin tone ne cdo sfere nuk e ka veshtire të ndërtojë një industri apo një sketor punësimi masiv për qytetarët e vendeve tona. Ka një shpopullim të frikshëm. Është e trishtueshme ku 9 në 10 perona duan ta braktisë vendin tonë. Po iku rinia, fuqia vitale e punësimit, vendi mbaron, plaket, shkatërrohet. Qoftë qeveritë, qoftë miqtë tanë ndërkombëtar duhet ta na ndiohmojnë. O sot o kurrë. Europa duhet ta ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve. Nuk është aspak e vështirë që Europa të ndërtojë dy industri të thjeshta me treg punësimi deri në 3 milion banorë në mënyrë që shqiptari të mos punojë në Europë por të qëndrojë në shtëpinë e tij duke u paguar njësoj si në Europë. Vendit tonë po i ikën pjesa më e mirë, më e përgatitur, më e aftë. Ky është një shkatërrim për shtetet dhe kombin tonë. Duhet një strategji mbarë kombëtare sesi të ndalojmë shpopullimin e vendit tonë, gjetjen e një tregu pune konkurues dhe mbi të gjitha njerëzit të ndërtojnë jetën dhe shpresën në vendin e tyre. 

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Skender Murtezani, Sokol Paja, Vaksina e Modenes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT