• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA NË PËRBALLJE ME PANDEMINË GLOBALE COVID-19

November 10, 2020 by dgreca

Dr. Blerim Myftiu, neurolog, asistent profesor ne degën e Neuropsikiatrisë Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, Klinika e Neurologjisë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, rrëfen Kosovën në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, mjeku Myftiu analizon mjekësinë në Kosovë dhe shprehet se numri i diagnozave të çrregullimit të ankthit, të çrregullimit të stresit posttraumatik dhe i depresionit ka shënuar rritje gjatë kësaj periudhe.  Me Dr. Blerim Myftiun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

KOSOVA NË PËRBALLJE ME PANDEMINË GLOBALE

Kosova po kalon në një situatë të rënduar sa i përket pandemisë së koronavirusit të ri (SARS-CoV-2). Sikur që numri i të të infektuarve dhe i të të shtrirëve në spitale në mbarë rajonin dhe Evropën është në rritje, ashtu edhe në Kosovë shifrat janë duke u rritur. Krahasuar me muajt e parë të pandemisë ku raportoheshin deri në 250 raste të reja të infektimeve në ditë, tani kjo shifër ka arritur në mbi 600 dhe nuk do të ishte befasi po qe se arrin edhe numra katërshifrorë. Kjo rritje e numrave mund të arsyetohet deri diku me shtimin e numrit të testeve (nga rreth 400 që bëheshin në mars e prill tani në mbi 1600), por kjo nuk është i vetmi aryetim. Ka ditë që çdo i treti i testuar del pozitiv. Pra gjithsesi kemi rritje absolute të numrit. Apo thënë ndryshe, po të bënim shumë shumë teste, do të kishim edhe numër më të madh. Gradualisht me këtë, dalëngadalë po shënohet edhe rritja e pacientëve të shtrirë nëpër spitale rajonale dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë. Tanimë kapaciteti i Klinikave Infektive dhe të asaj të Sëmundjeve të Mushkërive është mbushur, prandaj nga mesi i kësaj jave edhe pjesë të Klinikës Interne kanë filluar të mbuhen apo të destinohen për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Kosova nuk ka numër të madh të shtretërve të Kujdesit Intensiv. Përkundër paraqitjeve të mëhershme mediale të zyrtarëve shtetërorë se janë siguruar me dhjetëra respiratorë, realiteti në terren gjatë valës së parë ka qenë ndryshe. Ngase për funksionalizimin e respiratorëve na duhet furnizimi i tyre me kapacitet të mjaftuehëm të oksigjenit, si edhe nevojitet një numër i caktuar i anesteziologëve që do të operojnë me këto aparatura. Uroj të gabohem, por duket e afërt dita kur pacientët në nevojë për intubim apo ventilim mekanik nuk do të kenë një respirator apo një mjek të trajnuar që ta bëjnë këtë. Sa u përket masave të Qeverisë, ajo e jona po tregohet më e përmbajtur në imponimin e ndonjë mase të shprehur kufizuese në drejtim të mbylljes apo imponimit të kufizimit të lëvizjes. Kufizimi i punës së restoranteve dhe të qendrave tregtare deri në 21 më duket se është masë më tepër kozmetike dhe e padobishme, ngase nuk shoh ndonjë dallim në punën e tyre deri në 21 apo 24. Së fundmi Qeveria gjatë vikendit e ka ndalur punën plotësisht të restoranteve dhe qendrave tregtare. Megjithatë, autoritetet shtetërore janë treguar të paaftë që bizneset me frekuencë të lartë takimesh dhe njerëzish, siç janë restorantet, baret, qendrat tregtare t’i edukojnë, qoftë edhe me gjoba, që të tregojnë kujdes për masat sanitare, higjienike dhe numrin e përgjithshëm të vizitorëve. 

ÇRREGULLIMIT TË STRESIT POSTTRAUMATIK DHE I DEPRESIONIT KA SHËNUAR RRITJE

Ekzistojnë raportimet kudo në botë që dy fenomene kanë shënuar rritje gjatë mbylljes së imponuar të pandemisë. Fenomeni i parë ka qenë rritja e dhunës në familje dhe numri më i madh i raportimeve të dhunës sidomos ndaj grave në stacionet policore dhe institucionet tjera përkatëse. Nga ana tjetër, po ashtu në bazë të raporteve të shteteve më të zhvilluara, numri i diagnozave të çrregullimit të ankthit, të çrregullimit të stresit posttraumatik dhe i depresionit ka shënuar rritje. Kësisoj edhe përshkrimi i barnave antidepresive dhe anksiolitike ka shënuar shtim gjatë periudhës së pandemisë.

PANDEMIA GLOBALE DHE PROBLEMET NEUROLOGJIKE

Rreth 35 shtetër të Klinikës së Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shërbyer gjatë korrikut dhe gushtit si njëra prej reparteve ku janë trajtuar pacientët me Covid-19. Ajo ka qenë një periudhë ku në mënyrë alternative gjysma e neurologëve të Klinikës u ka shërbyer këtyre pacientëve, derisa kapaciteti i shërbimit për sëmundjet neurologjike është përgjysmuar. Gjatë asaj periudhe intensive të punës me pacientët neurologjikë dhe me Covid-19, po ende edhe tani, shohim që infeksioni me koronavirusin e ri po shoqërohet me disa probleme neurologjike. Çrregullimi i vetëdijes, koma, humbja e orientimit, dobësimi i komunikimit, pastaj infarktet apo gjakderdhjet akute trunore janë zakonisht simptomat neurologjike nga të cilat pacientët me Covid-19 po vuajnë. Për shkak të problemeve mushkërore dhe metabolike, shumë çrregullime të tilla janë të dukshme. Por nga ana tjetër, edhe rastet që në shikim të parë janë raste “të pastra” neurologjike (p.sh. me infarkt në tru) që në paraqitje apo brenda disa ditësh shprehin simptoma infektive të cilat na bëjnë të dyshojmë për Covid-19 dhe pas testimit del që janë të infektuar, duke na shtyrë të mendojmë nëse vallë manifestimi neurologjik ka qenë në të vërtetë i nxitur nga infeksioni i cili ka qenë i heshtur apo në prapaskenë. Rehabilitimi nga komplikimet neurologjike të Covid-19 po paraqitet i vështirë. Këtë e tregojnë edhe raportimet ndërkombëtare të cilat tregojnë që pacientët me çrregullime njohëse apo intelektuale, ata që bëhen për respirator dhe asistim në frymëmarrje, kanë më pak mundësi që të rehabilitohen apo ta rikthejnë gjendjen e tyre neurologjike apo njohëse para infektimit. Dua të cek këtu që pacientët neurologjikë, si edhe të gjithë të tjerët, kanë vuajtur nga një dozë e moskujdesit të paqëllimshëm gjatë pandemisë. Duke qenë se fokusi i sistemit shëndetësor dhe i punëtorëve të tij ka qenë i orientuar nga pacientët me Covid-19, shumë ambulanca specialistike dhe shërbime elektive nuk kanë funksionuar diku 4-5 muaj në tërësi gjatë vitit 2020. Pas adaptimit në rrethanat e reja, që prej shtatorit si Klinikë e Neurologjisë duam të tregohemi të vendosur që përkundër të gjitha sfidave, pacientëve neurologjikë të vazhdojmë t’u ofrojmë shërbimin bazik të kujdesit. E kam fjalën këtu sidomos për aktivizimin e Qendrës së Sëmundjeve Cerebrovaskulare për trajtimin e infarktit trunor dhe projektin tjetër kombëtar të vlerësimit dhe të trajtimit të pacientëve me sklerozë multiple.

 FRIKË EKZISTENCIALE NË PRISHTINË

Ekziston një qetësi e përgjithshme në Prishtinë. Në kohën e represionit më të madh serb në vitet 1997-1999, dhe sidomos kur afrohej por dihej saktë fushata ajrore çlirimtare e NATO-s, ekzistonte një atmosferë heshtjeje dhe zymtësie ku jeta të dukej se rridhte shumë ngadalë, ku dendësia e njerëzve në sheshe e rrugë ishte shumë e ulët, kurse pas errësimit vështirë dalloje dikë jashtë. Tani nuk është se nuk sheh njerëz nëpër rrugë apo se ekziston një frikë ekzistenciale, por është një mungesë e përgjithshme e shijes apo e gjallërisë së mësuar. Shërbimet tash për tash funksionojnë, restorantet sikur që ceka në fillim po punojnë me orar të kufizuar. Shkollat në varësi të numrit të nxënësve apo të mësimdhënësve të infektuar varirojnë nga mësimi fizik deri te ai online. Jeta vazhdon me një ritëm më ndryshe.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Si rrallëherë, po ballafaqohemi me një problem universal. Tashmë jemi mësuar me idenë e zgjatjes së pandemisë edhe së paku disa vite. Kemi një program vaksine i cili nuk është i sigurt nëse do të rezultojë me një vaksinim efektiv. Prandaj, gjatë kësaj kohe, përveç kujdesit për shëndetin, mbajtjes së maskës, shmangies së takimeve dhe të tollovive të panevojshme, nuk duket se kemi diçka më tepër në dorë, si njerëz të zakonshëm të kësaj bote.

Filed Under: Featured Tagged With: kosova, Sokol Paja

LUFTA E UÇK E DREJTË DHE E PASTËR. GJYKATA SPECIALE SHEMBI SHTETIN E KOSOVËS

November 9, 2020 by dgreca

Komandant i UÇK Hajdin Balaj i njohur me nofkën (Bokseri), vëllai i dëshmorit të Atdheut Milazim Balaj, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Klinë, Kosovë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se populli i Kosovës nuk do ta njohë kurrë Gjykatën e padrejtë Speciale. Një gjykatë sipas tij kundër luftës dhe kundër interesit kombëtar të shtetit të Kosovës. 

Komandant (Bokseri) Hajdin Balaj, vëllai i dëshmorit të Atdheut Milazim Balaj, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Klinë, Kosovë, pas konfirmimit të aktakuzave ndaj ish ushtarëve të UÇK-së, presidentit të vendit, Hashim Thaçit, ish kryeparlamentareve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqit dhe deputetit të Kosovës, Rexhep Selimit, ka kundërshtuar me forcë si qytetar i Republikës së Kosovës, si luftëtar që shtetit të Kosovës i ka dhënë dëshmorë në familje, si pjesëmarrës në luftë për liri dhe pavarësi, aktin e pashembullt të Gjykatës me mandate të përfunduar. Komandant Balaj edhe si anëtar i kryesisë së Organizatës së Veteranëve në nivel Kombëtar ka theksuar se arrestimet janë fundosje jo e individëve por një shkatërrim me themel i institucioneve të Kosovës. Sipas z.Balaj konfirmimi i aktakuzave është një padrejtësi e madhe që po i bëhet luftëtarëve të UÇK-së të cilët janë simbol i lirisë dhe sakrificës sublime për Atdhe.


Komandant Balaj deklaron se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër dhe se Serbia erdhi e bëri krime të pashembullta në Kosovë dhe jo shqiptarët e Kosovës shkuan e luftuan në Serbi.

Kryetari i OVL UÇK në Klinë, Hajdin Balaj, ka denoncuar se bashkësia ndërkombëtare me veprimet e fundit po bën një tradhti të ndyrë ndaj shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, nuk po bën asgjë më shumë veçse po organizon komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila është e pastër si drita e diellit. Sipas komandant Balaj, Gjykata akuzon padrejtësisht se UÇK ka kryer krime mbi katolikët e Kosovës të cilët ne i kemi vëllëzer dhe kemi luftuar bashkarisht në mbrojtje të territorit e simboleve tona kombëtare. Kjo është një akuzë përçarëse dhe e poshtër. Ne kemi vetëm një komb. Ne kemi qënë dhe do të jemi gjithmonë bashkë në luftë për liri, dinjitet dhe prosperitet të popullit tonë. Armiku ynë ka qene Serbia jo vëllezërit tanë katolikë. Kjo tentativë ndasie në mes qytetarëve të Kosovës është një ndyrësi e rëndë. Tentativa e poshtër e ndërkombëtarëve sdo na përçajë dot. Komandant Hajdin Balaj thotë se Gjykata Speciale ka mandat të përfunduar dhe se procedurat e arrestimit të udheheqësve të luftës nuk janë asgjë më shumë veçse rrënimi i simboleve të luftës së UÇK dhe shkatërrim i shtetit të Kosovës. Është totalisht në shkelje të të drejtave të njeriut si procedurë. Është një tradhti. Është një pabesi e flliqtë. Sipas Balajt kanë mbledhur 150 mijë firma të qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilat janë dërguar në Bruksel, të cilët kundërshtojnë këtë Gjykatë e cila është një maskaradë në dëm të shtetit dhe të popullit të Kosovës. Sipas Balajt UÇK nuk kreu krime, por mbrojti popullsinë civile të pafajshme nga dhuna e represioni e genocidi serb. Lufta e UÇK ishte për vetmbrojtje dhe se çdo veprim ka ardhur si nevojë e domosdoshme dhe urgjente për të mbojtur kombin, shtetin e popullin e pambrojtur të Kosovës prej ofensivës dhe masakrave serbe. Sipas Hajdin Balajt specialja do të dështojë në këtë drejtim të dërrmimit të institucioneve, vjedhjes së qytetarëve të Kosovës, rrëmbimit të dhunshëm e të padrejtë të individëve dhe se të gjithë luftëtarët e UÇK-së, përfshirë Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, Mustafën, Ngucatin e Haradinajn, do të dalin të pastër dhe faqebardhë në përballje me drejtësinë e padrejtë ndërkombëtare.

Filed Under: Featured Tagged With: Hajdin Balaj, Sokol Paja

MARK QEHAJA: A PO PËRJETON KOSOVA PABESI NDËRKOMBËTARE?

November 7, 2020 by dgreca

Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare, i diplomuar në Akademinë e NATO-s, aktualisht kryetar i Shoqatës Shqiptaro – Amerikane “Skenderbej” Inc, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli të VATRËS – New York, ka kundërshtuar me forcë dhe dënuar ashpër shoqërimin në Hagë në Dhomat e Gjykatës Speciale të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish kryeparlamentareve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqit, deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi dhe veteranët e UÇK Mustafës, Ngucatit e Haradinajt. Gjykata Speciale me mandat të skaduar nuk ka asnjë të drejtë të arrestojë krerët e shtetit të Kosovës dhe luftës në Kosovë. Drejtësia ndërkombëtare po bën një padrejtësi të pafalshme ndaj shtetit të Kosovës.

Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare ka deklaruar se arrestimi dhe konfirmimi i aktakuzave ndaj krerëve të institucioneve të shtetit të Kosovës si Presidentit  të vendit Thaçi, drejtuesve politik të institucioneve në Kosovë, deputetëve dhe veteranëve të luftës, janë një dëshmi se ndaj shtetit të brishtë të Kosovës po bëhet një lojë shumë e padrejtë dhe e pabesë ndërkombëtare.Viktima po trajtohet si persekutor dhe persekutori si viktimë. Kjo sipas  Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare, është shumë qesharake për botën e civilizuar. Mbajtja e Kosovës pa liberalizim vizash, veçimi si një ishull i vetmuar në Ballkan dhe më së fundmi arrestim i krerëve të shtetit, janë hapa mbrapa në forcimin e themeleve të institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës. Këto ngjarje janë shumë kthim pas. Janë një përpjekje e poshtër për të mpleksur kriminalisht luftën e pastër dhe të drejtë të udhëheqësve shqiptarë të Kosovës në mbrojtje të lirisë e vatanit.

Lufta e UÇK sipas Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare, është ndër luftrat më të drejta, më të ndershme, më të pastra dhe më të domosdoshme për kombin tonë. Një popullsi civile u gjend nën genocidin e pashembullt serb për vite rradhë. Drejtësia ndërkombëtare nuk mund të veprojë me dy standarte. Si fillim duhet të zbardhë krimet e agresorit më pas duhet të merret me krimet e supozuara të UÇK. Mark Qehaja, ish-Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare deklaron se: shprehi bindjen  e thellë se lufta për liri e pavarësi e popullsisë shqiptare në Dardani nuk do të njolloset në asnjë mënyrë nga asnjë Gjykatë Ndërkombëtare që funskionon mbi bazën e ligjeve dhe të normave të shkruara e gjithëpranuara ndërkombëtarisht. Ky sulm që po bëhet në Kosovë, sipas z.Qehaja është një sulm jo ndaj individëve që udhëhoqën luftën, por ndaj institucioneve të shtetit.

Ky sulm i pabesë është një sulm dinak, i egër, i poshtër dhe i sponsorizuar nga qarqet të caktuara antishqiptare. Gjaku i të rënëve për liri, dëshmorët e gjallë të Kosovës, varrezat e Jasharëve, të masakruarit e Reçakut nuk e meritojnë kurrë këtë poshtërim. Z. Qehaja apelon që ndaj kësaj padrejtësie dhe pabesie ndaj popullit shqiptar të Kosovës duhet të ndërhyjnë institucionet më të larta ndërkombëtare për të ndalur këtë maskaradë. Qëndresa e Jasharëve, nderimi dhe respekti për 56 familjarë të vrarë të Jasharëve e mijëra të vdekurve e të humburve pa varr në përpjekje për liri e pavarësi në Kosovë nuk meritojnë barazimin me kriminelë të luftës. Veprimi i Gjykatës Ndërkombëtare është një veprim i pamoralshëm nga këto isntitucione drejtësie ndërkombëtare me mandate të skaduar.

7 milionë shqiptarë janë sot krenar sipas z.Qehaja dhe përulen në nderim dhe respekt të luftës heroike dhe patriotike të UÇK në mbrojtje të trojeve të shenjta shqiptare. Arrestimet e funksionarëve të lartë të shtetit dhe të luftës është një përpjekje për të kontribuar në shpërbërjen e shtetit të Kosovës dhe njollosjen e luftës së UÇK-së. Sipas z.Qehaja Kosova nuk mund të trajtohet si kanibale europiane por si një shtet me të drejta të plota dhe vlera të larta në bashkësinë evropiane.

Nga kjo gjykatë po vjen një sulm i pamoralshëm për atë që Kosova ka arritur deri më sot. Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare ka një ftesë dhe thirrje për të gjithë Shqiptarët në të gjithë hapsirën mbarë shqiptare në Ballkan dhe diaspora kudo në botë, që në këtë moment të padrejtë që po u bëhet vëllëzërve tanë në Kosovë, duhet të jemi të bashkuar dhe të solidarizuar ndaj kësaj pabesie që po luhet në kurriz të shqiptarëve. Sot më shumë se kurrë duhet unitet dhe vëllazëri.

Sipas z.Qehaja, hasmi ndërkombëtar po kërkon të përçajë kombin tonë dhe të shkatërrojë vlerat vëllazërore dhe kombëtare të kombit shqiptar. Asnjë veprim ndërkombëtar i padrejtë nuk duhet të përçmojë dhe ulë vlerat e një luftë me jehonë ndërkombëtare dhe kauzë ndërkombëtare. Këto arrestime sipas z.Qehaja bien ndesh me frymën e mbështetjes amerikane dhe NATO në Kosovë dhe luftës së denjë e të drejtë për lirinë e pavarësi. Nëse Gjykata e Hagës e ka njohur një herë pavarësinë e Kosovës, nuk mundet asesi që po kjo gjykatë apo çdo lloj gjykate e drejtësie e supozuar ndërkombëtare të vërë në dyshim Kosovën, Luftën, UÇK-në dhe mbi të gjitha popullin e kombin shqiptar në Ballkan, përfundon deklaratën e tij për gazetën Dielli të VATRËS z. Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare. 

Filed Under: Featured Tagged With: Mark Qehaja, Pabesi Nderkombetare, Sokol Paja

ZIHNI ABAS KANINA HAMZARAJ, FIRMËTARI I PAVARËSISË QË FLISTE 6 GJUHË TË HUAJA

November 5, 2020 by dgreca

Piktori i mirënjohur Arben Morina rrëfen gjyshin e tij Zihni Abas Kanina Hamzaraj, firmëtarin e Pavarësisë së Shqipërisë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York.

JETA E PATRIOTIT TË SHQUAR ZIHNI ABAS KANINA

Zihni Abas Kanina Hamzaraj lindi në 30 Dhjetor 1885 në Kaninë të Vlorës në një familje të pasur fisnike, e njohur për traditat e saj patriotike në shërbim të kombit. Mësimet e para i mori në Mejtepin e Kaninës, ndërsa studimet e mesme e të larta i kreu në Galatasaray të Stambollit, Turqi. Në vitet shkollore u lidh me rrethet patriotike, ku bashkëpunoi me Ismail Qemalin, Dervish Himën, Mulla Xhaferr Drashovicën, Ekrem Vlorën dhe atdhetarë të tjerë. Me përfundimin e studimeve nga viti 1906, u emërua Konsull në Konsullatatat Turke të Greqisë, Maltës, Bejrutit (Liban) dhe Tbilisit (Gjeorgji). Zotëronte në nivel të lartë gjuhët e huaja frengjisht, italisht, greqisht, turqisht, arabisht, persisht. Që në moshë të re u mor me përkthime të autorëve të shquar francezë, persianë e grekë. Në kujtesën e tij mbeti i gjallë Naim Frashëri, të cilin e vizitonte shpesh në shtëpinë e tij në Stamboll, ku i çonte edhe studentë dhe patriotë shqiptarë. I ati i Zihni Hamzaraj, Abas Nuri Hamzaraj, me nismën e tij dhe së bashku me disa atdhetarë të tjerë, në 14 Janar 1902 krijoi “Shoqatën e Gjuhës Shqipe” në Kaninë, kryetar i së cilës u zgjodh Abas Nuri Hamzaraj dhe po atë vit, vëllai i Zihniut, Isuf Abas Hamzaraj, bashkë me patriotë të tjerë, hapi shkollën e parë shqipe në Kaninë, e cila më vonë mori emrin e tij Isuf Abazi. Në vitet 1908 – 1909 kishte korrespondencë me atdhetarë të kolonive shqiptare të Egjiptit, Selanikut, Bukureshtit dhe Stambollit, nga të cilët merrte libra dhe gazeta në shqip dhe i shpërndante në trevën e Vlorës. Pushtuesit Osmanë i gjetën në shtëpinë e tij në Kaninë libra dhe gazeta në gjuhën shqipe dhe për këtë shkak e burgosën dhe e internuan në Çanakkale. 

KONTRIBUTI ATDHETAR NË VENDLINDJE

Në pranverë të vitit 1911 u kthye në vendlindje, ku mori pjesë aktive në lëvizjen kombëtare. Në Korrik 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës në mbështetje të Memorandumit të Gerçes. Në Nëntor 1912, së bashku me atdhetarët vlonjatë, ishte në Komisionin Organizator të Pavarësisë së Shqipërisë. Në Kuvendin e Vlorës mori pjesë si delegat i Vlorës dhe nënshkroi dokumentin e pavarësisë me firmën “Zihni Abbas Kanina”. Në 13 Janar 1913, në shtëpinë e madhe të Hamzarajve në lagjen “Madhaj” në Kaninë, pas shpalljes së pavarësisë u përcaktua platforma e Qeverisë së Vlorës për mbrojtjen dhe milicinë shqiptare nga ushtaraku Mehmet Pashë Drralla dhe u krijua Garda dhe Milicia Qeveritare prej 200 – 300 vetash ku u përzgjodhën  djem nga Kanina, Vlora dhe trevat e tjera shqiptare. 

POSTI KYÇ NË QEVERINË E VLORËS

Në Qeverinë e Vlorës u ngarkua me detyrën e Sekretarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku bashkëpunoi me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin dhe Abdi Toptanin, dhe mbulonte postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Postave. Sipas gazetës “Përlindja e Shqipnisë”, në Dhjetor 1913 Zihni Kanina (Hamzaraj) u emërua Sekretar për gjuhën frënge në Drejtorinë e Punëve të Brendshme. Në Qeverinë e Princ Wied-it u emërua Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Këshillin Ministror. Në vitet 1918, 1919, emri i tij shënohet krahas adhetarëve të tjerë vlonjatë në protestat dhe memorandumet dërguar Fuqive të Mëdha kundër synimeve shoviniste të Shteteve fqinje ndaj vendit tonë. 

AKTIVITETI SHTETËROR NË TIRANË

Në vitin 1925 u emërua Sekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Ishte njëri nga themeluesit e Shkollës Tregtare në Vlorë, ku në vitet 1927 – 1928 dha mësim dhe në 1928 – 1929 mbajti postin e Drejtorit të shkollës. Në vitet 1930 – 1940 zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike dhe kulturore së bashku me atdhetarët Qazim Kokoshi, Aristidh Ruci, Ali Asllani, Murat Tërbaçi, Beqir Sulo dhe Dhimitër Konomi. Në vitin 1931 u emërua nga Kryetarja e Arteve të Bukura të Shqipërisë, Princesha Ruhie Zogu, Kryetar i Shoqatës Krahinore Artistike në Vlorë. Në fillim të viteve 1940 u caktua Drejtor i Bankës Shqiptare në Romë. Në vitin 1951 u burgos nga regjimi në fuqi për motive politike. Vdiq në 26 Maj 1959 në Tiranë.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, ZIHNI ABAS KANINA HAMZARAJ

MESHA E LIRISË

November 4, 2020 by dgreca

Shkruan : Sokol PAJA – 30 vjet më parë Dom Simon Jubani pasi kishte vuajtur padrejtësisht 26 vjet në burgjet komuniste celebron meshë për herë të parë pas 23 vitesh ateizëm zyrtar në Shqipërinë pa Zot. Mesha e parë e lirisë në Shqipërinë komuniste më 4 nëntor 1990 në Kapelën e Varrezave të Rrmajit në Shkodër, shënoi pluralizmin fetar dhe fillimin e fundit të regjimit ateist që sundoi në Shqipëri për  afro 50 vjet. Mesha e parë e lirisë ishte një hap i guximshëm i klerikut Dom Simon Jubanit dhe besimtarëve katolik që u pasua 2 javë më vonë me faljen në Xhaminë e Plumbit, duke shënuar rikthimin e besimit të  mohuar padrejtësisht nga diktatura komuniste. Mesha e lirisë ishte një rikthim edhe më i fuqishëm institucional, shpirtëror, fetar dhe ideologjik në zbraztirën që shkaktoi ateizmi në Shqipërinë totalitare. Me ardhjen në pushtet komunistët shqiptarë ushtruan një terror dhe raprezalje fizike dhe institucionale ndaj klerit të gjitha besimeve në Shqipëri. Institucionet, faltoret, kuvendet, shtypshkronjat, mediat dhe drejtuesit më të lartë fetar u persekutuan në mënyrë të pashëmbullt. Mesha e lirisë ishte një thirrje mbarë popullore për liri dhe vetëdijësim patriotik për Shqipërinë dhe lirinë që do vinte më pas. Humnera ateiste po mbushej me frymën dhe shpirtin e Zotit të shpallur armik  për më shumëse dy dekada në Shqipërinë moniste. Meshtari i lirisë Dom Simon Jubani lindi në Shkodër më 8 mars 1927 dhe ndërroi jetë më 12 korrik 2011. U burgos dhe u përndoq nga regjimi diktatorial me 26 vjet burg duke vuajtur në burgjet më të tmerrshme të diktaturës shqiptare. Dom Simon Jubani, ishte prifti i guximshëm Jezuit, atdhetar e shqiptar i madh që e donte shumë lirinë, përparimin e zhvillimin e kombit e shtetit pa diktaturë por me liri, progres e zhvillim. Dom Simon Jubani sfidoi regjimin ateist shqiptar me kremtim të Meshës së Shenjtë në varreza të Rrmajit në Kapelën e Shenjtë në një kohë kur ende Sigurimi  i Shtetit vazhdonte e përndiqte këdo që shfaqte prirje jo vetëm fetare por  gjithçka që binte ndesh me diktaturën komuniste. Në moshën 16-vjeçare Dom Simoni filloi seminarin në shkollën Jezuite në Shkodër. Në vitin 1958 mori urdhërat e meshtarisë dhe u dërgua në Mirditë si famullitar. U lirua nga burgu më 13 prill 1989. 

DOM SIMON JUBANI DHE PREDIKIMI NË MESHËN E LIRISË 

“Vllazën dhe Motra! Le t’i kujtojmë për një minutë në heshtje të gjithë këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë ata Vllazën e Motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme. Në vitin 1443, kur Heroi i ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë: “Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta midis jush!” Unë, i padenjë për këte mision po ju tham: Se, fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja! Shkodra qytet me një histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës e Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë gjithë Shqipnisë tonin moral kulturor, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkoder asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtarët e Gjergj Balshës së madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësit e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedjës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu në këto troje Shqiptare, të gatshëm me e ripërtri edhe njëherë traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.”.

DOM SIMON JUBANI NGA “MESHA E PARË” TE “BURGJET E MIA”

Dom Simon Jubani i la lexuesit shqiptar një trashëgimi të jashtëzakonshme kryeveprat e tij : “Mesha e parë” dhe “Burgjet e mia”. Në këto dy libra Dom Simoni rrëfen çdo detaj të ferrit komunist  që kaluan jo vetëm klerikët fetarë por mbarë populli shqiptar për gjysmë shekulli. Në librin “Mesha e parë” Dom Simoni shprehet se: “gjatë diktaturave, askush nuk e din vedin të sigurtë sepse nuk e din cilin ke pro e cilin kundra, orë e çast i ban analizë ndërgjegjes së vet: mos ja kam prishë humorin sovranit, mos fola me ndokënd pak si tepër, mos kam ngjallë dyshime me ndonji llafe të pa matun, me dy kuptime, mos i buzqesha pak, duhej të më shkonte buza vesh më vesh prej servilizmit, mos nuk u tregova i rreptë sa duhet me armikun e klasës”. Në lidhje me  ridënimet e të burgosurve brenda burgjeve e kampeve të punës në librin “Burgjet e mia” Dom Simon Jubani shpjegon zinxhirin e spiunëve dhe shprehet se: “Mbas zyrës së përkthimeve, vijshin spijujtë tjerë pa shkollë: kuzhinieri, pastruesi, marangoni, këpucari, rrobaqepësi, llogaritari, magazinieri. Këta na delshin dishmitarë, kur duhet të dënoheshin rishtaz”. Dom Simon Jubani te kryevepra e tij “Burgjet e mia” thotë se në diktatura ishte e domosdoshme rebelimi ndaj nënshtrimit diktatorial.  Prifti Jezuit shpjegon ankthin e tmerrshëm në diktaturë: “Ndër regjimet diktaktoriale, ma mirë se kushdo, jeton ai që rebelohet, që nuk i dhimbet jeta. Të tjerët, që nga ma i randësishmi, deri te ma i mbrami shërbëtor i diktatorit, jetojnë të gjithë në ankth, pa e dijtë ke kanë mik e kë anmik, tue pritë kur po ngrihet trekambëshi e po bahet gati stoli. E sigurisht s’i bjen kurrë ndër mend me marrë pjesë ndër komedinat që kemi luajtë gjithë zell e qejf në birucat e burgut. Sepse, qyqarët, lejnë e desin në skenën e tragjedisë”. Dom Simon Jubani në kryeveprën e tij “Mesha e parë” arsyeton persekutimin e kishës katolike prej komunistëve: “Komunistat donin ta shembnin tue vra, tue burgosë, tue internue, suprimue të gjitha institucionet kristiane në Shqipëri. Këta ndërtuen qindra institucione dhe shkolla ateiste por s’mundën të zëvendësonin kristianizmin me fletushkat e Marksit. Komunizmi na bani edhe ma të famshëm se na shtoi numrin e martirëve” arsyeton tragjizmin dhe persekutimin ndaj klerit fetar në Shqipëri, në librin e tij kryevepër, Dom Simon Jubani.

Filed Under: Featured Tagged With: Dom Simon Jubani, MESHA E LIRISË, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT