• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE BETEJA E SHTETIT MALAZEZ NDAJ COVID-19

October 24, 2020 by dgreca

Dr. Arlind Lika, mjek në Urgjencën e Ulqinit, rrëfen nga Mali i Zi ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e pandemisë globale në Mal të Zi, masat e ndërmarra nga autoritetet malazeze, gjëndja e shqiptarëve në Mal të Zi, ecurinë e infektimeve dhe trendin e shifrave në rritje. Me Dr. Arlind Likën bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË MAL TË ZI, MASAT E AUTORITETEVE. 

Sipas të dhënave të fundit në Mal të Zi ka një trend të rritjes së menjëhershme të shifrave të të infektuarve me SARS CoV-2, sidomos në muajin e fundit. Të dhënat nga Instituti Shëndetësor i Malit të Zi japin shifrat e 16259 të të infektuarve në total, 3913 të infektuar aktiv, 285 të hospitalizuar, 253 të vdekur, 12093 të shëruar, 2485 persona nën vëzhgim. Sot (dje) nga 837 mostra kanë rezultuar 190 qytetarë si raste të reja pozitive ku më së shumti janë kryeqyteti Podgorica me 121 raste pastaj Ulqini me 15 raste, Budva me 10 raste e kështu me radhë. Siç e dini ne kemi qenë në një situatë “Corona Free” disa muaj më parë, ndërkohë tani kemi arritur në një ndër vendet më të prekura në Evropë. Autoritet e Malit të Zi përkatësisht “Trupi Kordinues Nacional” në rang vendi i ka shtrënguar masat duke bërë kështu kufizime të ngjashme me valën e parë të përhapjes së virusit. Kësaj radhe restriksionet i ka ndarë në katër kategori apo zona sipas përqindjes së të infektuarve në secilin qytet. Duke filluar me restriksione më të lehtë për zonat e gjelbërta dhe të verdha, deri tek restriksionet më të rënda te zona portokalli dhe e kuqe ku në disa qytete si për shëmbull Ulqini, Zhablaku, Kollashini, Cetina kanë ndalur shërbimet e kafeterive, kanë ndaluar grumbullimet në rastet e dasmave, rasteve të vdekjeve përveç për familjarët e afërt. Edhe pse restriksionet janë goxha të mëdha, vërehet një rritje e madhe dhe e hovëshme e rasteve të reja të infeksionit.

NDIKIMET E COVID NË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR

Sigurisht për sa i përket shëndetit mendor në të gjithë popullatën duke filluar që nga fillimi i pandemisë në vend ka patur ndikim të madh negativ, duke shkaktuar kështu tek një pjesë e mirë e popullsisë çrregullime ankthi, depresion, çrregullime të gjumit e kështu me radhë. Ndërkohë sa i përket statistikave në lidhje me divorcet, dhunën në shoqëri apo të tilla, nuk kemi akoma studime të sakta e serioze në lidhje me këto çështje.

NDIKIMI I COVID-19 NË EKONOMI DHE TURIZËM NË MAL TË ZI

Ashtu si edhe shumica e vendeve të botës edhe Mali i Zi është prekur ekonomikisht nga pandemia globale, duke u humbur shumë vende të punës, duke u vënë në vështirësi të vazhdueshme bizneset e rangjeve të ndryshme. Ndërkohë sa i përket turizmit në Mal të Zi mund të themi që thuajse nuk ka ekzistuar fare.

SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË MAL TË ZI

Komuniteti shqiptarë në Mal të Zi është i ndarë në komuna të ndryshme, si në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Tivar, Rozhaje. Aktualisht më e prekura nga pandemia është komuna e Ulqinit, dhe është komuna me restriksione strikte përsa i përket masave të ndërmarra nga Trupi Kordinues Nacional. Në Ulqin vërehet ndryshim rrënjësor në jetën e qytetit, aktualisht kemi kufizime, janë të mbyllura restorantet, kafeneti, muzetë etj. Ndërsa në lidhje me turistët në  Ulqin, qyteti ka vuajtur në sezonin veror duke regjistruar humbje të mëdha ekonomike, e të mos flasim për tani.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Uroj që pandemia të kalojë sa më shpejt, deri atëherë kujdesuni për të afërmit tuaj duke mbajtur distancën, duke pastruar duart dhe sigurisht duke mbajtur maskat.

Filed Under: Politike Tagged With: Mali i Zi, Sokol Paja

TURIZMI BREGDETAR MES KOLAPSIT DHE RIMËKËMBJES….

October 20, 2020 by dgreca

Dritan Sterkaj, menaxher në fushën e turizmit dhe në industrinë e Hoteleri-Resorteve pranë “Divjaka Resort” analizon ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën ekonomike në industrinë e hoteleri – turizmit në Shqipëri dhe skanon masat e dështuara ekonomike dhe keqmenaxhimin shtetëror ekonomik të vendit çka e ka çuar industrinë e turizmit bregdetar drejtë rrënimit të plotë. Me Dritan Sterkajn bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

TURIZMI BREGDETAR DHE INSTUSTRIA E HOTELERISË NËN EFEKTIN E PANDEMISË GLOBALE

Kriza globale që shkaktoi pandemia e COVID-19 ka dëmtuar rëndë turizmin në Shqipëri, ashtu si edhe në çdo vend të botës dhe në ekonominë shqiptare po ndjehen efektet e menjëhershme. Prenotimet që ishin bëra nga shtetasit e huaj u unulluan pothuajse të gjitha. Kjo çoi industrinë e turizmit bregdetar në kolaps. Një rol negativ këtu luajti edhe vendimi i BE-së për të mos hapur kufijtë me Shqipërinë duke e bërë krizën edhe më të madhe. Përveç turistëve nga Evropa perëndimore, vitet e fundit kemi pasur një bum turistik nga vendet e lindjes së Evropës si Ceki, Poloni, Hungari, Rumani etj. Pandemia ka krijuar një krizë totale dhe pasiguri të madhe për të ardhmen e turizmit kryesisht bregdetar dhe industrinë e hotelerisë. Ne këtë vit nuk kemi punuar me staf të reduktuar dhe kapacitetet akomoduese të restortit që ne menaxhojmë nuk u plotësuan as në 20 përqind të tyre. Pra, ta themi troç, nuk po punojmë më për fitim por për mbijetesë.

SI PARASHIKOHET E ARDHMJA E SEKTORIT TË TURIZMIT NË SHQIPËRI

Turizmi në Shqipëri është një ndër faktorët kyç të zhvillimit të vendit pavarësisht kujdesit të pakët nga ana qeverisë, sepse i jep zhvillim vendit dhe zonës ku ushtrohet turizmi. Vetë industria e turizmit në vetvete ndërthur një zinxhir të madh të zhvillimit sepse punëson banorët e zonës por edhe nxit ekonominë lokale të furnizimeve. Natyrisht, që turizmi ka të ardhme në Shqipëri por kërkohet ndërhyrje e madhe në infrastukturë dhe kujdes i veçantë nga qeveria. Shteti nuk duhet ta shohë industrinë e turizmit vetëm për të vjelur taksa por duhet ta fusë në strategjinë kryesore të zhvillimit të vendit. Qeveria duhet ta shikojë si aleatë industrinë e turizmit jo si një plaçkë që ti sulë ushtrinë tatimore. 

QEVERIA E PAAFTË NË MENAXHIMIN E KRIZËS DHE QËNDRUESHMËRINË EKONOMIKE TË VENDIT

Zyrtarisht kemi 7 muaj në pandemi globale dhe qeveria ka qenë shumë e dobët në menaxhimin e krizës dhe shumë e paaftë që të ruajë stabilitetin ekonomik të vendit. Me dhjetëra biznese që falimentojnë çdo ditë, me qindra të papunë çdo ditë, me rritje të lartë të borxhit publik, me rritjen e pesimizmit dhe vdekjen e shpresës se ky vend do kthehet një ditë në binarë. Keqmenaxhimi qeveritar i pandemisë ishte ekonomikisht rrënuese për çdo shqiptar dhe sidomos për bizneset, hotelet, resortet që punësojnë mijëra qytetarë në këtë industri shërbimesh. Qeveria nuk nxiti punësimin. Qeveria frikësoi qytetarët dhe sipërmarrësit. Qeveria pasuroi dhe ndihmoi vetëm oligarkët. E keqja më e madhe sot për shqipërinë dhe shqiptarët nuk është pandemia, por qeveria që zhytet në korrupsion dhe varfëron qytetarët e pambrojtur. Shoqëria shqiptare, insdustria shqiptare, bisnesi shqiptar është i dërrmuar dhe lufton në kushtet e mbijetesës. Mijëra biznese mbyllen çdo ditë, qindra të papunë çdo ditë dhe qeveria vazhdon propagandën neveritëse. Në menaxhimin e fatkeqësisë Qeveria nuk mori masat e duhura, por improvizoi akte normative në kundërshtim me ligjin dhe shpesh herë edhe me vetë ekspertët e komitetit teknik. Qeveria iu kundërvu bizneseve dhe qytetarëve me mjete represive, dhunë policore, inspektore, propagande dhe gjuhë kërcënuese gjobash apo privim i lirisë ekstreme nëpërmjet burgosjes. Qeveria shqiptare nuk ka një strategjitë antikrizë. Ndërhyrjet me paketa lehtësuese dhe mbështëse për të papunët, të varfërit dhe biznesin rezultuan të pa studjuara mirë, të pa kordinuara dhe ta pa harmonizuara çka jo vetëm që nuk rezultuan pozitive por thelluan krizën ekonomike dhe sociale. Qeveria u vonua të implementonte paketa financiare funksionale për të garantuar likujditetet shtesë në ekonomi. Shqipëria varfërohet çdo ditë, qeveria krekoset përballë humbjeve të jahstëzakonshme në ekonomi, industrinë e turizmit dhe nuk ka një plan për shpëtimin e kolapsit ekonomik të shtetit dhe qytetarëve. 

PSE PUSHUESIT DUHET TË VIZITOJNË PARKUN KOMBËTAR TË DIVJAKËS

Pushuesit duhet ta vizitojnë Divjakën sepse nuk ofron vetëm turizëm detar por edhe atë natyror, atë të  vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj. Ne operojojmë gjatë gjithë vitit duke u mbështetur në këto karakteristika që të ofron Divjaka. Divjaka Resort ndodhet në mes të Parkut Kombëtar dhe vizitorët që vijnë tek ne do të gjejnë një ndërthurje të turizmit, ata mund të çlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër. 

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, Turizmi bregdetar

NËNË TEREZA SHENJTORJA SHQIPTARE, NË 17 VJETORIN E LUMTURIMIT NGA VATIKANI

October 19, 2020 by dgreca

NGA SOKOL PAJA-DIELLI-

17 vjet më parë Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobël për Paqen në vitin 1979, u lumturua nga Papa Gjon Pali i Dytë. Nënë Tereza tashmë e shpallur e Shenjtë nga Vatikani më 4 Shtator 2016 në Sheshin Shën Pjetër nga Papa Françesku, sot është një simbol i paqes botërore dhe dashurisë së pashtershme, Nëna shpirtërore e të varfërve, të braktisurve, të sëmurëve, jetimëve. Një Nënë universale, që nuk rreshti për asnjë moment, me qëllimin e vetëm ti përkushtohej botës dhe shërimit të shoqërisë. Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare është një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar. Me Nënë Terezën, Shenjtore, kombi shqiptar i dha botës një mesazh të fortë dashurie për njeriun, një dashuri aktive, të cilën as vetë nuk e kishte ndjerë ta merrte aq shumë nga bota, duke kapërcyer kufijtë shtetërorë dhe largësitë kontinentale, fetë, racat, orjentimet e ndryshme apo dhe interesat. Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare është shenjti i gjallë, lapsi i Zotit në shëmbëlltyrën njerëzore. Gonxhja shqiptare e dashurisë së pashterrshme u shndërrua në gjuhë, fjalët e së cilës njeriut i thanë dhe i provuan se dashuria është e mundur. Shembulli i Nënë Terezës për botën është universal. Misionarja shqiptare, Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Ajo u bë Misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit për njerëzit.  Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare iu përkushtua të gjithë familjeve të botës. Nënë Tereza e mahniti botën me luftën e saj unike në zhdukjen e varfërisë, plagëve të shoqërisë dhe më kryesorja, në dobi të respektit dhe dinjitetit të qenies njerëzore. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është pa dyshim bijë dhe nënë e gjithë njerëzimit. Ajo përballoi e vetme me forcën e mbinatyrshme të Perëndisë garën me të keqen që shfaqej në padrejtësitë ndaj të braktisurve, të sëmurëve, të pastrehëve e të pashpresëve. Nënë Tereza është pjesë e krenarisë kombëtare, pjesë e identitetit tonë kombëtar shqiptar. E gjithë bota do të ketë nevojë gjithmonë për Nënë Terezën, për mesazhet e një jete, që ushqeu me dashuri dhe shpresë jetën e njerëzve, të cilëve u mungonte dashuria, shpresa e besimi. Nënë Tereza me atë ç’ka i ka dhënë universalizmit është një figurë e shquar edhe kombëtare ku futet pa dyshim në kolonën e njerëzve më të rëndësishëm të kombit shqiptar. Me veprimtarinë e saj, Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është mbrojtësja më e guximshme dhe më e madhe e jetës, kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. Nënë Tereza u përket vlerave universale të njerëzimit. Kryetari i çmimit Nobel të Suedisë, profesor Xhon Sanes, pati deklaruar në ceremoninë e nderimit teksa qe shprehur me fjalë prekëse: “Veçoria e punës së saj ka qenë respekti për njeriun, për vlerat dhe dinjitetin e tij. Më të mjeruarit, më të vetmuarit, fatkeqët që po vdesin, lebrosët e braktisur janë pranuar nga ajo dhe motrat e saj me dashuri dhe ngrohtësi, pa përbuzje por të mbështetura mbi respektin për Krishtin te njeriu”. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza edhe pse prej shumë kohësh nuk jeton pranë nesh, jeton e gjallë vepra e saj. Ajo na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Nënë Tereza ishte një misionare, me të cilën shqiptarët identifikohen kudo në botë. Shqiptarët duke u identifikuar me Nënë Terezën, identifikohen edhe me vlerat e saj, me humanizmin, empatinë dhe zemërgjerësinë. Nënë Tereza, për shqiptarët, mbi të gjitha është një shenjtore e vetëmohimit, e dashurisë për njeriun, që me veprën e saj humane i ka shërbyer mbarë njerëzimit, por edhe e ka nderuar emrin e kombit shqiptar. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është një simbol i bashkimit të kombit tonë dhe identifikimit të shqiptarëve në botën e vlerave universale.

Filed Under: Featured Tagged With: NËNË TEREZA, Sokol Paja, Vatikani

EPISKOPI MITROPOLIT I BOSTONIT, AMERIKËS DHE KANADASË ILIA KETRI DHE SHOQËRIA ATDHETARE BESA- BESË, MYSAFIRË NË VATËR

October 18, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI-

Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri i shoqëruar nga Guri Stefani, President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë, Petrit Alibeaj si zëvëndës President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë dhe Epitropi i Kishës së Bostonit Aleko Dhima vizituan Vatrën dhe shprehën urimet më të ngrohta të detyrës dhe bashkëpunimit kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha. Në fjalën e hapjes së takimit mikpritës, kryetari i Vatrës Elmi Berisha deklaroi: “Hirësi i dashur dhe shumë i nderuar. Është kënaqësi, nder dhe privilegj që jeni sot mes nesh. Është një emocion i madh të bashkohemi në Vatrën që themeluan shqiptarët e Amerikës në Boston. Ju e ndezët këtë zjarr atdhedashurie dhe ne e përcjellim ndër breza e gjeneratat që vijnë. Për mua nuk ka nder më të madh sesa prezenca juaj sot këtu. Jemi shumë të gëzuar dhe të emocionuar ne si kryesi e Vatrës dhe si komunitet vatran që ju kemi në mesin tonë. Ky është një bekim i madh për Vatrën e gjeneratave që do vijnë. Ky është një bekim jo vetëm për Vatrën por edhe për Diellin, vatranët e gjithë komunitetin shqiptar. Vatra është në diasporë një institucion moral, politik e atdhetar. E kërkojmë bekimin e Kishës me qëllim që jo vetëm ne por të gjitha proceset kombëtare të shkojnë përpara. U jam mirënjohës për këtë vizitë në kushte të jashtëzakonshme pandemie. Kjo vizitë na lidh edhe më shumë shpirtërisht, moralisht dhe atdhetarisht.Falenderime e mirënjohje edhe shoqërisë Besa- Besë. Qofshi faqebardhë gjithmonë” përfundoi z.Berisha.

     Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri e cilësoi këtë vizitë në Vatër si historike pasi ai vinte për herë të parë:“Lavdi Zotit që na solli në këtë ditë shumë të rëndësishme. Jam i mbushur plot me emocione që ndodhem midis jush në Vatër. Jam i emocionuar që në këtë sallë shoh fotografitë e shqiptarëve që dallohen për patriotizëm të veçantë, për punën dhe sakrificat. Çdo gjë në këtë jetë arrihet me sakrifica të mëdha.

-Zoti President i Nderit Agim Rexhaj, Zoti Kryetar i Vatrës Elmi Berisha, të nderuar bashkëatdhetarë e vatranë të dimrit e beharit, ndjehem i përulur përballë jush. Ne jemi këtu sot falë sakrificave të paraardhësve tanë. Ata krijuan këtë realitet që ne po e gëzojmë sot. Veprimtaria e Vatrës ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për zhvillimin e kombit shqiptar. Shqiptarët e diasporës dhe veçanarisht të Amerikës kanë ndihmuar me të dyja duart për mirëqënien dhe zhvillimin e Shqipërisë. Shqipëria mbijetoi jo vetëm me punë por edhe me lutje. Ne si Kishë Ortodokse lutemi gjithmonë për shtetin, për kombin, për shtetarët dhe qeveritë cilatdo qofshin ato. Kisha lutet për të gjithë shqiptarët. Si Kryefetar i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe Kanada punojmë përditë që të bëjmë meshën në shqip, të ketë çdo kishë priftin shqiptar, të lëvrojmë gjuhën shqipe, të gjendemi pranë për të gjithë shqiptarët që vijnë nga Shqipëria apo që jetojnë këtu. Të mësojmë gjuhën e nënës, historinë dhe të ndihmojmë në zhvillimin e kombit tonë, të jemi krenar për prejardhjen tonë. Perendia më ka bekuar me prindërit që më mësuan shqip, me besim dhe me patriotizëm. Më edukuan që ti shërbej komunitetit shqiptar që në vogli që të bëhem prift e deri Episkop Mitropolit. Vatra si Federatë Panshqiptare duhet ta ketë kurdoherë parasysh që për të arritur qëllimet e saj duhet të bashkojë qëllimet e reja të njerëzve të lindur në Amerikë dhe atyre që vijnë. Duke qenë të bashkuar do arrijmë të jemi më patriot dhe do kemi një të ardhme më të ndritur dhe më të shkëlqyer për të gjithë shqiptarët në diasporë dhe në viset shqiptare. Faleminderit e mirënjohje për mikëpritjen tuaj. Jam shumë i gëzuar. Ju përgëzoj për arritjet që bëni çdo ditë. Jam tepër i emocionuar që e bëj këtë vizitë për herë të parë në Vatër, një emër i madh që nderon komunitetin e shqiptarët kudo në botë. Gëzuar nga mot e shumë bekime” përfundoi mesazhin e tij hyjnor e patriotik hirësia e tij Episkop Ilia Ketri.

           Presidenti  i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj u shpreh në këtë takim  se: “Hirësia juaj mirë se erdhët në Vatër. Jemi të nderuar me praninë tuaj dhe të bashkëvëllezërve tuaj që ju shoqëruan në Vatër. Zoti ju dhëntë shëndet e mirësi. Na lumturon shumë kjo vizitë e vëllezërve tanë nga Bostoni në New York. Që fëmijë e kam dashur Bostonin. Vatra ishte në Boston dhe Kisha e Shën Marisë dhe kujtohen në vendlindjen tonë me shumë respekt. Është nder i madh kjo vizitë e sotmja. Zoti ju bekoftë juve dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Kjo vizitë ka një domethënie shumë të madhe. Qofshi të bekuar e të nderuar gjithmonë” citoi z.Rexhaj.

          Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu u shpreh në këtë takim: “Hirësi, fjalët tuaja të bekuara sot na bëjnë mirë të gjithëve. Tek fjalët tuaja sot ne gjejmë atë që kemi nevojë. Ju folët shqip edhe pse keni lindur në USA, ky është një mësim i mirë edhe për shqiptarët që kanë ardhur e lindur në Amerikë. Nënat duhet tu mësojnë shqip fëmijëve të tyre. Fjala juaj që të mos harrojmë gjuhën e nënës duhet të jetë melhem për plagët tona. Shqiptarët janë të përkëdhelurit e botës përsa i përket harmonisë fetare. Kjo është një krenari për çdo shqiptar. Ju falenderoj për bekimin që na bëtë sot. Të bekosh Vatrën në gjuhën e nënës, është një gjë madhështore. Vatra u përket të gjithëve. Duhet t’ua lëmë trashëgim të gjithëve. Nga zemra mirënjohje e falenderim për bekimet dhe vizitën tuaj” përfundoi ajo.

          Guri Stefani, President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë u shpreh për vizitën në Vatër: “Në emër të shoqërisë Besa- Besë ju përshëndes nga zemra të gjithëve. Zoti kryetar Elmi Berisha ju uroj për vlerësimin Honoris Causa të dhënë në Tiranë nga Universiteti Luarasi. U gëzova dhe u emocionova shumë për ju. Vatra që ju drejtoni dhe shoqëria Besa- Besë do të bashkëpunojnë në të ardhmen. Të gjithëve ju uroj shëndet e jetë të gjatë. Lumturi në familjet tuaja. Ardhjen për vizitë në Vatër e pritëm me lumturi shumë të madhe dhe gëzim të veçantë. Ju jemi shumë mirënjohës për këtë pritje dhe respektin që na bëtë” citoi ai.

                    Petrit Alibeaj zv. President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë deklaroi se: “Ndjehem shumë i emocionuar që jam sot mes jush. Sa herë vij në këtë derë kam emocione të forta. Qëllimi i ardhjes sonë në Vatër sot është të urojmë për detyrën kryetarin e Vatrës zotin Elmi Berisha këtu në shtëpinë e tij. Kemi ardhur me besimin që Vatrën do ta çojmë edhe më lart. Kemi ardhur me besimin për një bashkëpunim të shkëlqyer në të ardhmën. Bostoni kërkon degën e Vatrës. Kam besim të plotë se me ardhjen tuaj në Vatër edhe në Boston do ringrihemi si Vatër e si komunitet shqiptar. Vatra është një emër i madh. Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim. Pandemia për ne tani e tutje nuk do të ekzitojë pasi ne sot erdhëm dhe morëm ilaçin e Vatrës. Do shërohemi me këtë ilaç. Ju faleminderit që na pritet. Qëllimi i përbashkët dhe vizioni i përbashkët është që të bashkojmë kokat, mendjet e trojet shqiptare” uroi ai.

              Epitropi i Kishës së Bostonit Aleko Dhima u shpreh: “Përfitoj nga rasti për herë të parë që vizitoj Vatrën si Federatë që ka bashkuar vëllezërit e motrat tona. Vatra ka si qëllim unitetin ndërmjet shqiptarëve. Të na cilësojnë ne shqiptarëve për harmoninë fetare, na bën krenar të gjithëve. Kjo tolerancë na bën të veçantë. Falenderoj nga zemra dhe përshëndes Elmi Berishën si kryetar të Vatrës dhe për unitetin e vëllezërve e motrave tona në USA, këtë vend të bekuar e të dashur për të gjithë ne. Zoti e bekoftë Amerikën, Shqipërinë dhe Vatrën” përfundoi ai.

             Zef Balaj, Anëtar i Kryesisë së Vatrës u uroi mirëseardhjen miqve nga Bostoni dhe Hirësisë së tij Ilia Ketri duke u thënë: “Mirë se u pruni Zoti në Vatër, në vatrën tuaj. Është kënaqësi që ju kemi në mesin tonë. Me bekimet tuaja Hirësi, ne do të shkojmë më përpara dhe Shqipëria do shkojë përpara. Këto bekime do na çojnë më tej, më të fortë e më të bekuar. Zoti ju bekoftë e Zoti ju ndihmoftë. Ndjehemi shumë të respektuar prej jush sot, për ardhjen në Vatër si vend të bekuar. Me bekimin tuaj Hirësi, ditë më të mira do kemi në të ardhmen. Zoti ju rrittë pushtetin e shumë faleminderit për ardhjen tuaj mes nesh. Zoti na bekoi me ardhjen tuaj në mesin tone” citoi z.Balaj.

                  Arkëtari i Vatrës Marjan Cubi u shpreh: “Hirësia juaj faleminderit shumë që keni ardhur. Jemi shumë të gëzuar që keni gjetur kohë për ne. Jam krenar që jam në Vatër tash 41 vjet. Jam shumë i gëzuar e krenar që ju jeni në Vatrën e gjithë shqiptarëve. Rroftë Amerika, rroftë Vatra, rroftë Kombi Shqiptar. Anton Raja, Anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh: “Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj. Është shumë kënaqësi t’ju kemi këtu sot. Zoti ua priftë mbarë ju dhe të gjithë shqiptarëve. Në gëzime u takofshim gjithmonë”.

            Nënkryetari i Vatrës Besim Malota u kujtoi miqve Nolin në Boston: “I nderuar dhe i respektuar Hirësi. Faleminderit që keni ardhur në mesin tonë në Vatër. Bekimi nga ju Hirësi është shumë domethënës për të gjithë ne. Kur Noli erdhi për herë të parë në Amerikë takoi shqiptarët në Boston dhe i pyeti se nga ishin dhe ata të tërë ishin nga Korça, kur ata e pyetën Nolin nga ishte edhe ai u tha se ishte atë ditë nga Korça. Ndaj edhe ne sot jemi të gjithë nga Bostoni aty ku Vatra u themelua. Ardhja juaj na nderon. Besa-Besë ishte themeli i Vatrës. Faleminderit edhe një herë për ardhjen tuaj.

              Mark Mrnaçaj, Anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh: “Faleminderit Zotit Hirësi që na u dha mundësia të takohemi me ju. Faleminderit Zotit që ju ua dha mundësinë të jeni mes nesh. Shëndet e punë të mbarë. Bekime për ju. Zoti ju rrittë pushtetin” përfundoi Mrnaçaj.

           Ilir Cubi, Anëtar i Këshillit të Vatrës u shpreh: “Mirë se erdhet në Vatrën tonë dhe tuajën. Që 2 vjeç më ka zier gjaku për Vatrën. Mbaj mend çdo zhvillim dhe shndërrim të Vatrës sidomos që kur ndihmoja Arshi Pipën e deri sot që jemi së bashku. Nderime dhe respekte për këtë vizitë”.

    Sokol Paja, Anëtar i Këshillit të Vatrës dhe gazetar i Diellit u shpreh: “Jemi të bekuar që ju kemi mes nesh Hirësi. Bekimet tuaja shenjtërojnë Vatrën, qëllimin, punën dhe kombin tonë. Në këto kohë të vështira këto bekime do të thonë shumë. Ju jemi mirënjohës për vizitën dhe bekimet e shenjta. Së bashku do të bëjmë më të mirën për interes te komunitetit dhe të kombit tonë. Bashkë jemi më të fortë, më të bashkuar dhe më të bekuar. Zoti ju rrittë pushtetin Hirësi. Bekime e nderime për ju”.

    Editori i Diellit Dalip Greca mirëpriti miqtë nga Bostoni duke u shprehur se: “Është një ditë e veçantë, është një ditë historike për Vatrën, jo se nuk kanë ardhur klerikë të tjerë para jush; kanë ardhur klerikë nga të gjitha skajet. Edhe me rastin e 100 vjetorit Vatra arriti që t’i bashkojë të gjitha trojet kombëtare edhe në kuptimin fetar, të gjithë klerikët e të gjitha besimeve u mblodhën me 28 dhe 29 Prill 2012 në New York në 100 vjetorin e Vatrës. Por sot vërtetë ndjej diçka të veçantë, ka një lloj hije ardhja e numrit një të Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Vatra siç e ka thënë edhe Imzot Noli, pa kishën nuk do të kishte bërë dot hije. Vatra e ndezi zjarrin e vet pasi e ndezi Besa-Besë(1907), “Kombi” para saj që më 1906, pastaj shqiptarët patriot ngritën Kishën. Vatrën me Besa –Besë, ashtu si edhe me kishën, i bashkon Imzot Noli. Ai ishte krijuesi i Besa-Besës, në janar 1907, si edhe krijues dhe pagëzues i gazetës Dielli me emrin e bukur” Dielli”, dhe pastaj Vatra, por ne gazetarët e historianët, do të vazhdojmë të “grindemi” ca kohë nëse emrin “Vatër” e gjeti Konica apo Noli. Përse? Sepse nga fansat e Nolit, kumbar i Vatrës ishte Imzoti,  por Konica shkroi në Diellin e 31 Marsit 1922 se:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpirtën e parë të VATRES , jam responsiblë unë…Po e drejta Eshtë që VATRA, të cilën un’ e lashë cilimi shtatë muajsh, u rrit, u madhua, u bë një force nga Fan S. Noli dhe Vatranët e  Amerikës më 1915-1919, dhe n’atë zhvillim unë s’kam patur pjesë.”…

Faik Konica në ditëthemelimin e Federatë u shpreh: Eshtë shprehur se tani që organizatat e vogla, soqatat e katundeve u bashkuan në Vatër, çështja shqiptare është në rrugë të mbarë. Dhe në fakt në këtë apel të tërthortë që mos tu mbetet qejfi organizatave të tjera, është e mira që t’ua themi në kuptimin e butë, ato duhet të federohen në Vatër, duke ruajtur individualitetin e tyre. Ardhja e Besa-Besës sot këtu ka një kuptim simbolik.Unë besoj se ata nuk erdhën thjeshtë për të na dhënë “Besën” se do të bashkëpunojnë me Vatrën, por ata erdhën për të risjellë në kujtesë të shkuarën jo shumë të largët para 100 vitesh, kur Besa-Besë ishte në themelet e Vatrës. Nuk është fare logjike që pas shpërnguljes së qendrës së Vatrës nga Bostoni në Nju Jork, në vendlindjen e Vatrës të mos ketë degë?! Fjala e ngrohtë dhe e pushtetshme e Kryepeshkopit, e Hirësisë do ti hapë rrugën Vatrës për tu rikthyer atje ku lindi. Faleminderit që ishit me ne, ishte shumë kënaqësi” përfundoi fjalën e tij editori i Diellit Dalip Greca.

Presidenti i shoqatës Besa-Besë z. Guri Stefani dhe zëvendësi i tij, Petrit Alibej, u anëtarësuan në Vatër dhe u zotuan për një bashkëpunim të ngushtë me Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri i dhuroi kryetarit t Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri Vatr Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Katre,idhuroi kryetarit t Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri Vatrës librin “Shën Kolli 2012”.

Mysafirët shprehën vlerësime për Vatrën  dhe mbresat për vizitën në librin e vizitorëve në Vatër.

 Vizita historike në Vatër e Episkopit Mitropolit Ilia Ketri dhe Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë u përfundua me një drekë bujare në Vatër dhe u shoqërua me anëtarësimin në Vatër të Guri Stefanit, President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë dhe Petrit Alibeaj zëvëndës President i Shoqërisë Atdhetare Besa- Besë.

Filed Under: Featured Tagged With: Amerikës dhe Kanadasë, Episkopi Mitropolit i Bostonit, Ilia Ketri, Sokol Paja

PALOK VUSHAJ, NGA INTERNIMI I PËRJETSHËM TE AGU I LIRISË

October 16, 2020 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI-Palok Vushaj sot është 77 vjeç dhe kujton çdo detaj të internimit të familjes së tij nga Selca e Kelmendit për në fshatin Nënshatë të nën Shkodrës. Edhe pse kanë kaluar 46 vite nga ajo kohë e tmerrshme, Paloka rrëfen me detaje persekutimin, dëbimin, internimin, konfiskimin  e pasurisë dhe luftën e tmerrshme të klasave në internim. Familja e Palok Vushajt prej 26 anëtarësh u internua nga muaji Tetor 1974 deri në Prill të vitit 1991. Pas arratisjes së vëllait të Palokës, Gjeto Vushajt nga fshati Selcë për në ish-Jugosllavi më 27 Shtator 1974, mbi këtë familje do ushtrohej një terror i paparë prej organeve të Sigurimit të Shtetit, Ushtrisë e Policisë. Një përndjekje që do i tmerronte për 17 vite derisa do përmbysej diktatura dhe familjarisht fituan lirinë e privuar padrejtësisht. Paloka kujton se para arratisjes së vëllait ai punonte në Pyjore, ndërsa kthehej në shtëpi një ditë më pas, katër ushtarë e ndaluan, i drejtuan armën dhe filluan ta godasin për arsyen e arratisjes së vëllait. Në të gdhirë të ditës kujton Paloka, shtëpia jonë u rrethua nga Sigurimi i Shtetit, ushtria kufitare dhe policia. Meshkujt e familjes dhe prindërit u çuan në qendër të Kelmendit në Tamarë. I rreshtuan para Postës Ushtarake. Pasi i morën në pyetje nën dhunë e kërcënim, kur erdhi radha e marrjes në pyetje të Palokës, Oficeri i Sigurimit e etiketoi kriminel, tradhëtar  dhe të poshtër se pse nuk kishte raportuar arratisjen e vëllait. Shtëpia e familjes u ruajt me armë dhe nën rrethim policor e ushtarak kujton Paloka. Gratë e shtëpisë i lanë në fshat, meshkujt e shtëpisë e prindërit u internuan në Mjedë në një ndërtesë si tip burgu ku qëndruan për 2 javë të burgosur, të kequshqyer e me ruajtje të armatosur duke u shkaktuar terror, frikë e panik. Pas dy javëve të tmerruar, e të dhunuar fizikisht e psikologjikisht u shpallën organet policore vendimin e internimit të përjetshëm në Nënshatë. Jetesa aty ishte shumë e rëndë. Një dhomë  shumë e vogël me kushte skandaloze për një familje të madhe siç ishim ne kujton Paloka. Policia e ushtria dolën në fshatin Selcë dhe boshatisen shtëpinë, morën me dhunë gratë e fëmijët dhe i bashkuan të gjithë në internim në Nënshat ku jetuan në kushte ekstreme për vite me radhë nën kërcënim e frikë. Pas internim-dëbimit nga fshati, Paloka kujton se ndaj familjes iu bë konfiskimi i pasurisë dhe vjedhja prej komunistëve të fshatit. Përgjatë kohës së internimit, familja e Palokës, anëtarët një për një duheshin që të paraqiteshin tri herë në ditë te roja i posaçëm që ruante të internuarit. Çdo javë vinte operativi i Sigurimit nga Shkodra dhe bënte mbledhje në fshat duke i instruktuar fshatarët dhe kuadrot komunistë kryesisht sesi të na ruanin e paraqisnin raporte kundër familjes Vushaj me qëllim burgosjen e tyre tregon Paloka. Pra regjimi nuk njihte limit ligësie, agresiviteti e represioni ndaj familjeve që komunizmi i quante armiq të popullit e klasës punëtore. Familjeve të internuara në komunizëm i jepeshin punët më të rënda të koperativës. Paloka kujton se punonin si familje në një perimetër të caktuar për afro 20 metra nën kërcënim se nëse largoheshin nga ato pak metra katrore, do vriteshin me plumba. Komunistët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit herë pas here e provokonin në kampin e punës Palokën dhe familjarët e tij, madje dhe duke i vajtur në shtëpi për ta provokuar në biseda kundër regjimit me qëllim prangosjen e tij dhe të meshkujve të shtëpisë. Paloka tregon se komunikimet me të afërmit ishin të kufizuara, letërkëmbimet i lexonte Sigurimi dhe i griste. Ata jetonin të izoluar prej botës që i rrethonte. Të internuarit, të përndjekurit e regjimit ishin skllevër në një botë rrethuar me tela me gjëmba. Paloka tregon një episod ku vëllai i arratisur Gjeto Vushaj u shkroi nga Amerika një letër dhe kjo desh i kushtoi burgosjen familjarisht. Vëmëndja e Sigurimit dhe Spiunëve sa shtohej dhe më shumë. Popullsia vendase siç ishin komunistët në koperativë në rangje shtetërore drejtuese dhe spiunët e sigurimit në koperativë ku punonin i mallkonin, shanin e ofendonin si armiq, tradhtarë dhe kriminelë. Paloka tregon me dhimbje se ishim të padëshiruar për kohën, për sistemin dhe popullsinë vendase. Punonim dy herë më shumë se të tjerët, paguheshim dy herë më pak, s’kishim asnjë të drejtë lëvizjeje. Çdo ditë komunistët shkruanin letra kundër nesh. Jo vetëm për çdo fjalë por edhe për çdo mendim, jetonim me frikë se mos keq interpretohej e na fusnin në burg. Me trishtim, Paloka kujton se në internim nëse një ditë nuk dilnim në punë, Sigurimi na hiqte bukën. Kafja, sheqeri e buka ishin me racion. Jetonim në kushte të tmerrshme tregon Paloka, ku përveç mungesës së lirisë na mungonte gjithçka tjetër. Jeta çdo ditë që kalonte na bëhej edhe më e pamundur. Fëmijët në shkollën fillore i urrenin, edhe pse mësonin shumë mësuesit komunistë nuk u jepnin hakun dhe bashkëmoshatarët e tyre instruktoheshin prej organeve të sigurimit ti shanin, ti ofendonin e të mos u flisnin. Një luftë e tmerrshme klasash tregon Paloka, që ngjan si një film i frikshëm kur e rikujton. Sapo erdhi demokracia, vëllai i Palokës, Gjeto Vushaj vizitoi Shqipërinë. Paloka i kujton ato ditë me lumturi e trishtim, veç qanim e flisnim ditë e natë. Nuk na besohej se ishim ende gjallë. Ky ritakim pas afro 20 vitesh  dukej si një ëndërr kujton Plaoka, ishte takim me jetën, me vuajtjen, me lirinë, me vetminë, me tmerrin që përjetuam për gati 20 vjet. Një takim çmallës. Një përlotje për jetën në vuajtjet e pamerituara në një sistem diktatorial që prodhoi mjerim, viktima e shkatërrim. Pengu më i madh familjar kujton Paloka ishte vdekja e prindërve në internim dhe dëshira për të parë djalin e arratisur para se të mbyllnin sytë përgjithmonë. Në Selcë, pas shëmbjes së komunizmit, kur familja Vushaj u rikthye në fshat, e gjetën gjithçka të rrënuar e shkatërruar dhe ndërtuan jetën në Shtoj të Shkodrës. Paloka rrëfen se edhe pas vuajtjeve të tmerrshme ku humbën gjithçka, ndjehet mirë se ka shtëpinë plot, por ato vuajtje dhe sot e tmerrojnë dhe i duken absurde e të pabesueshme. Komunizmi ishte mallkimi më i madh për shqiptarët, mbyll rrëfimin e tij për jetën në internim Palok Vushaj.

Filed Under: Histori Tagged With: Palok Vushaj, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT