• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT NË RUSI DHE DEBATI PËR VAKSINAT RUSE…

October 26, 2020 by dgreca

SHQIPTARËT NË RUSI DHE DEBATI PËR VAKSINAT RUSE ANTI- COVID-19 “SPUTNIK 5” DHE “EPI VAC CORONA”

Diana Dyrzi Tarasova, redaktore prej 18 vitesh e sektorit shqip pranë medias shtetërore “Zëri i Rusisë”, dhe aktualisht pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës (MGIMO), rrëfen nga Rusia ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e pandemisë globale në Rusi, masat e ndërmarra nga autoritetet ruse në betejën ndaj pandemisë globale, gjëndjen e shqiptarëve në Rusi, ecurinë e infektimeve, trendin e shifrave në rritje dhe mbi të gjitha hedh dritë mbi vaksinat ruse Anti-Covid “Sputnik 5” dhe “EpiVac Corona”. Me Diana Dyrzi Tarasovën bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË RUSI DHE MASAT E AUTORITETEVE NDAJ PANDEMISË 

Diana Dyrzi Tarasova.

Deri më sot, pra më 24.10.2020, në Rusi janë regjistruar 1. 497. 167 (+16. 521) raste të infektimit me COVID-19. Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga koronavirusi në Rusi për momentin është 25. 821 (+296) persona, ç’ka përbën 1.72%. Rastet e konfirmuara të shërimit të plotë nga koronavirusi COVID-19 në Rusi – 1. 130. 818 (+11. 567). Numri i testeve të kryera deri më sot: 56.7 milion. Testet e kryera në ditë: 0.5 milion. Aktualisht të sëmurë: 340 528 persona. Për të patur një ide më të qartë të këtyre treguesve e shikoj me vend të bëj me dije për lexuesit se popullsia e Federatës Ruse (në përbërjen e së cilës përfshihen 85 subjekte federale) në vitin 2020 numëron 146.748.590. Duhet thënë se shifrat e përmendura aktualisht janë shumë më të larta sesa në periudhën e pandemisë në pranverë dhe gjatë periudhës së verës. Dinamika e tyre po vjen duke u rritur dita-ditës. Situatën e komplikojnë dhe më shumë ftohja e ndjeshme e motit dhe gripi stinor. Për këtë arsye qeveria e vendit ka marrë masat vijuese: u përgatit sistemi i informacionit që do të lejojë mbajtjen shënim të qytetarëve që kthehen nga  vendet me situatë të pafavorshme sanitare dhe epidemiologjike si dhe kontrollin e atyre që janë në vetë-izolim dhe karantinë. Për këtë përdoret një portal i vetëm i shërbimeve shtetërore dhe komunale si dhe mundësitë teknike të operatorëve celularë. Në varësi të zhvillimit të situatës epidemiologjike subjektet federale të vendit marrin masat përkatëse parandaluese në mënyrë të mëvetësishme. Unë do të përqendrohem në masat e aplikuara në kryeqytetin e vendit, meqenëse këtu janë shifrat më të larta të të infektuarve me Covid. (Moska ka 12.678.079 banorë). Në Moskë dhe rajonin e Moskës qytetarët mbi 65 vjeç dhe moskovitët me sëmundje kronike duhet të ndjekin regjim shtëpiak. Atyre u janë bllokuar kartat për qarkullim në mjetet e transportit. Veprojnë rekomandime për biznesin moskovit për transferimin e punonjësve në punë në distancë. Masa tjetër janë kërkesat më të rrepta për transferimin e të paktën 30 përqind të punonjësve në punë në distancë. Sanksione të rënda mund të vendosen ndaj shkelësve. Punëdhënësit u inkurajuan të transferojnë punonjësit e moshuar në punë në distancë. Nxënësit e shkollës në Moskë nga 5 deri në 18 tetor u dërguan me pushime. Përveç kësaj, fëmijët u inkurajuan të dalin për një shëtitje vetëm në oborrin më të afërt dhe të mos vizitojnë qendrat tregtare për argëtim. Nga 19 tetori, nxënësit në klasat 6-11 të qytetit të Moskës kaluan në mësimin në distancë. Nxënësit e klasave 1-5 do të vazhdojnë mësimin si zakonisht. Vepron regjimi i mbajtjes së detyruar të maskave dhe dorezave në të gjitha mjetet e transportit, dyqanet dhe ambjentet e mbyllura. Për të hyrë në klubet e natës dhe në bare, që janë të hapura nga 00:00 deri në 06:00, vizitorët do të duhet të kalojnë përmes një check-in. Kjo është e nevojshme që në rast të zbulimit të njerëzve të sëmurë midis klientëve, lokalet të mund të njoftojnë të gjithë të tjerët me telefon. Situata në kryeqytet u vlerësua nga kryetari i bashkisë si afër asaj kritike. Dhe nëse nuk është e mundur të ndalohet rritja e sëmundshmërisë, atëherë do të merren masa edhe më të rrepta.

NDIKIMET E COVID NË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR 

Përveç problemeve shëndetësore serioze që ka sjellë COVID-19, për shumë e shumë njerëz ky virus gjeneroi tek një pjesë e madhe e tyre probleme me shëndetin mendor. Ndër simptomat më të spikatura janë depresioni, ankthet, frika, pasiguria. Dhe shoqëria ruse aktualisht po përballet si e gjithë bota me to. 

Sipas të dhënave zyrtare, numri i vetëvrasjeve në vitin 2020 në Rusi është rreth 2.000 persona, nga të cilët më shumë se 1/3 janë fëmijë dhe adoleshentë. Ky është një numër shumë i madh. Por shifra nuk ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me pasojat e pandemisë së koronavirusit. Ka plot shkaqe të tjera. Përkatësisht divorceve. Sot, në të gjitha vendet e zhvilluara të botës, familja si institucion shoqëror po përjeton kohërat jo më të mira. Askujt nuk i pëlqen kjo situatë, por sado që përpiqen autoritetet të ndikojnë në të, ka gjithnjë e më pak mbështetës parimorë të martesës së fortë, tradicionale. Ka shumë arsye për këtë gjendje: ekonomike, morale, fetare. Por të gjitha ato çojnë në një rezultat – numri i divorceve po rritet me një ritëm të frikshëm. Rusia ka një shkallë të madhe të ndarjeve mes çifteve, konkretisht rreth 50 për qind të martesave në vend përfundojnë në divorc. Dhe shkaktare e kësaj gjendjeje nuk është vetëm pandemia e Koronavirusit. Edhe pse ekspertët mendojnë se dhuna në familje dhe numri i kërkesave për divorc është rritur shumë që prej krizës së Covid-19, si pasojë e detyrimit të qytetarëve për të qendruar në shtëpi, fakt është se numri i divorceve në Rusi shënon tashmë rritje që prej tre vitesh.

NDIKIMI I COVID NË EKONOMI DHE TURIZËM NË RUSI

Ndikimi i pandemisë Covid-19 ka goditur ndjeshëm ekonominë dhe turizmin si dhe sektorë të tjerë të lidhur me të. Një faktor tjetër i rëndësishëm i ndikimit negativ është niveli i çmimeve të hidrokarbureve në tregun botëror. Parashikohet që në të ardhmen e afërt, çmimet mesatare vjetore të naftës nuk do të tejkalojnë shifrën 25 $, dhe, siç dihet, nafta është malli kryesor i eksportit rus. Ekspertët parashikojnë gjithashtu një rritje në daljen e kapitalit nga vendi. Historia tashmë ka provuar se gjatë çdo ngjarjeje krize në Rusi ndodh arratia e kapitalit për në ekonomi më të qëndrueshme si dhe në zona offshore. Deri në fund të vitit në vazhdim ekonomistët prognozojnë devalvimin serioz të rublës. Sipas parashikimeve kryesore, ekspertët presin që ekonomia ruse, e cila vitin e kaluar u rrit me 1.3 për qind, të zvogëlohet me 5 për qind këtë vit. Presidenti i Rusisë, duke deklaruar se pandemia e koronavirusit të ri ka shkaktuar një «shok» të vërtetë për kompanitë në Rusi, tha se ekonomia dhe kompanitë ruse ndodhen nën një presion serioz. Pasi nënvizoi se vështirësi po përjetohen si në ekonominë ruse ashtu dhe në atë globale, Putin vlerësoi «Ekonomia dhe kompanitë ruse ndodhen nën trysni serioze. Por kjo nuk duhet të krijojë një shok të ngjashëm për qeverinë. Pandemia e COVID-19 ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë negativisht në tregtinë dhe fuqinë punëtore. Por ne disponojmë mjetet dhe rezervat e nevojshme kundër krizës. Këto burime ne duhet t’i përdorim në mënyrën më efektive». Ja disa nga masat e marra për arritjen e objektivave të përcaktuara. Masat e mbështetjes së biznesit nga autoritetet e vendit: ulje e primeve të sigurimit; moratorium për inspektimet e biznesit; pushimet e kreditit рër biznesin; kreditë pa interes për pagat; pushimet tatimore; shtyrje e pagesave të qirasë; ndihmë për eksportuesit; subvencione falas; rinovim i licencave; mbështetje për ndërmarrjet unitare shtetërore; kredi të pakthyeshme. Masat mbështetëse shtetërore për turizmin: rimbursim për paketat turistike të paguara; rinovim i licencave; ndihmë për shtetasit rusë që u gjendën jashtë vendit; subvencionet shtetërore për kompanitë ajrore; rimbursimet ose transferimet e turneve dhe rezervimeve; rimbursimet për tarifat e pakthyeshme; anulimi i kontributeve në fondin “Turpomosch” (“Ndihma turistike”); mbështetje për kompanitë e transportit detar; tarifa të reduktuara për operatorët turistikë; rimbursim i shpenzimeve të udhëtimit për kthimin e turistëve në atdhe, etj. 

DEBATI MBI VAKSINAT RUSE ANTI-COVID

Fillimisht dua t’ju njoh pak me vetë vaksinat ruse, për të cilat është folur e debatuar kaq shumë. Në kohën kur bota po përjeton një garë fytafyt për vaksinën ndaj koronavirusit të ri, Rusia patenton dy vaksinat e saj: “Sputnik V” (“Sputnik 5”) zhvilluar nga Qendra Kombëtare e Kërkimit për Epidemiologji dhe Mikrobiologji me emrin e Akademikut të Nderit N.F. Gamaleya dhe “EpiVacCorona” përpunuar nga Qendra Shtetërore e Kërkimit të Virologjisë dhe Bioteknologjisë «Vektor». 

“Sputnik V” (u quajt kështu për analogji me lëshimin e satelitit të parë artificial të Tokës në 1957) e Qendrës «Gamaleya» u bë vaksina e parë e regjistruar në Rusi dhe botë. Presidenti Vladimir Putin njoftoi patentimin e saj në 11 gusht. Kjo është një vaksinë vektoriale. Është prodhuar ajo në bazë të adenovirusit, të padëmshëm për njeriun, në të cilin inkorporohet një gjen i vogël – pjesë e gjenomës së koronavirusit SARS-CoV-2. Si rezultat, ky virus i padëmshëm, i cili quhet vektor, domethënë mjet për shpërndarjen (transportimin) në qelizë, sjell proteinat e antigjenit SARS-CoV-2 në organizëm dhe provokon përgjigjen imune të tij.

Raportimet për dukjen e vaksinës ruse janë shoqëruar me shqetësime për sigurinë dhe efektin e saj, si dhe hamendësimeve që Rusia nuk i ka zbatuar të gjitha hapat e zhvillimit dhe testimit shkencor. Kritikët shprehen se Rusia nuk ka publikuar asnjë të dhënë shkencore mbi testimet për vaksinën dhe se këmbëngulja për prodhimin sa më të shpejtë të saj vjen pas presionit politik nga Kremlini, që kërkon ta portretizojë Rusinë si një fuqi botërore mjekësore. Kreu i Institutit «Gamaleya», ku ajo u zhvillua, hedh poshtë dyshimet e ngritura në Perëndim se “Sputnik V” nuk i ka kaluar të gjitha fazat për t’u konsideruar vaksinë e sigurtë. Puna mbi zhvillimin e vaksinës në fjalë u pasqyrua në mënyrë të detajuar në një artikull të akademikëve rusë. Recensuesit e The Lancet, duke qenë profesionistë, studiuan në mënyrë skrupoloze artikullin e shkencëtarëve rusë nga Qendra Kombëtare e Kërkimit për Epidemiologji dhe Mikrobiologji «Gamaleya» (website sputnikvaccine.com përmban informacion të azhurnuar dhe të paraqitur në 7 gjuhë në lidhje me vaksinën e parë ruse kundër infeksionit të koronavirusit), në lidhje me vaksinën vektoriale kundër COVID-19, dhe morën vendimin për ta botuar në këtë revistë serioze. Artikulli gjithashtu përmban përgjigjen ndaj pyetjes së skeptikëve – si është e mundur që vaksina u zhvillua kaq shpejt. Sepse ajo bazohet në të njëjtët vektorë viralë të përdorur në vaksinat kundër viruseve Ebola dhe MERS, siguria e të cilëve tashmë është studiuar mirë. Këto infeksione, ashtu si dhe COVID-19, shkaktohen po nga koronavirusi. Dhe, për këtë arsye, nga “Sputnik V” nuk pritet kurrfarë tinëzarie e re. Kjo vaksinë ruse formon antitrupa dhe imunitet të qëndrueshëm qelizor ndaj Covid-19.

Vaksina e dytë “EpiVacCorona” u patentua pak kohë më parë. Ajo është një “vaksinë rekombinante, e cila vjen jo nga një virus i gjallë, por nga proteina që kanë të ashtuquajturat “epitope”, ose vende që lidhen me virusin. Një epitop është pjesa e makro-molekulës së antigjenit që njihet nga sistemi imunitar. Deri tani ajo ka kaluar dy faza testimi, kurse faza e tretë është planifikuar për muajin nëntor.  

Shkencëtarët rusë pohojnë se fushata e vaksinimit të popullatës do të jetë 1-vjeçare. Pritet që vaksina ruse të hyjë në qarkullimin civil në 1 janar 2021.Të parët që pritet të vaksinohen janë punonjësit e shëndetësisë dhe mësuesit. Në vit do të lëshohen në qarkullim rreth 500 milion doza të vaksinës kundër Covid-19. Qendra “Gamaleya”, e cila mban autorësinë e saj, thotë se duhet të prodhohen 80 milionë doza për të arritur imunitetin e masës. Ministri rus i Shëndetësisë njoftoi se vaksinimi kundër koronavirusit do të jetë vullnetar.

MOSKA NË BETEJËN NDAJ COVID, QYTETI NUK ËSHTË MË SI MË PARË

Statistikat për avancimin e pandemisë së koronavirusit Covid-19 në Moskë rezultojnë të tilla: më 22 tetor 2020 janë të konfirmuara 391. 361 (+4.453) raste të infektimit me Covid-19. Fatkeqësisht, 6.312 (+63) njerëz kanë vdekur. Shërimi i plotë nga virusi në kryeqytetin rus sot shënoi shifrën 287. 910 (+2.639) njerëz. Kjo tabllo është tejet pikëlluese për këtë qytet mjaft dinamik me jetë të shumanshme e të larmishme ekonomike, sociale, kulturore. Intensiteti i fluksit turistik të jashtëm në Moskë ka rënë ndjeshëm gjatë periudhës së pandemisë. Më parë ishin turistët e shumtë të huaj që e vizitonin aktivisht atë kryesisht gjatë muajve të pranverës, verës dhe fillimvjeshtës. Ndërsa tani të zë syri më tepër turistë të ardhur nga rajone të ndryshme të vendit, i cili shtrihet në një sipërfaqe që përfshin 11 breza kohorë. Pra mund të thuhet se kufizimet pasuese për turizmin jashtë kufijve të vendit kanë stimuluar ndjeshëm turizmin e brendshëm. Dhe Moska vazhdon të mbetet mjaft atraktive me bukuritë e saj vërtetë përrallore. Por jeta kulturore është bërë më e kufizuar. Teatrot po shtyjnë aktualisht për kohëra më të mira shfaqjet, restorantet nuk kanë fluks të kënaqshëm klientësh, muzetë kanë numër të kufizuar vizitorësh, rrymat e njerëzve në metro nuk janë më aq të vrullshme si më parë. Moskovitët preferojnë tani të merren me sport në natyrë, me ecje aktive skandinave, të shëtitin nëpër parqet e shumta të bukura kryeqytetase. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë se çdo e keqe (koronavirusi) ka fundin e vet të natyrshëm dhe se së shpejti njerëzit kudo do të mund t’i rikthehen jetës normale. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DISPORËN SHQIPTARE NË USA

Së fundi dua të përshëndes përzemërsisht dhe ti uroj gjithçka më të mirë të mundshme stafit të Diellit në punën e tij të rëndësishme. Mbi të gjitha shëndet të fortë. I uroj prosperitet gazetës suaj, autonomi editoriale e profesionale, auditor në rritje kërkues, inteligjet e bashkëpjesëmarrës. Le të mbetet gazetë e dritës, e Diellit e mbushur me përmbajtje cilësore, profesionalizëm, paanësi, përkushtim dhe etikë mediale. Suksese në vazhdimësi në punën tuaj!

Urimet më të mira shpreh dhe për Diasporën shqiptare, e cila krijon kushtet e nevojshme për njohjen e bashkatdhetarëve me traditat kombëtare, vlerat shpirtërore, gjuhën dhe kulturën amtare, merr pjesë aktive në të gjitha fushat e jetës së vendit ku jeton. Jam e bindur se puna e vazhdueshme e Diasporës do të kurorëohet me suksese të reja. Shëndet, lumturi dhe prosperitet!

Filed Under: Featured Tagged With: Diana Dyrzi Tarasova, Shqiptaret ne Rusi, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE BETEJA E SHTETIT MALAZEZ NDAJ COVID-19

October 24, 2020 by dgreca

Dr. Arlind Lika, mjek në Urgjencën e Ulqinit, rrëfen nga Mali i Zi ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e pandemisë globale në Mal të Zi, masat e ndërmarra nga autoritetet malazeze, gjëndja e shqiptarëve në Mal të Zi, ecurinë e infektimeve dhe trendin e shifrave në rritje. Me Dr. Arlind Likën bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË MAL TË ZI, MASAT E AUTORITETEVE. 

Sipas të dhënave të fundit në Mal të Zi ka një trend të rritjes së menjëhershme të shifrave të të infektuarve me SARS CoV-2, sidomos në muajin e fundit. Të dhënat nga Instituti Shëndetësor i Malit të Zi japin shifrat e 16259 të të infektuarve në total, 3913 të infektuar aktiv, 285 të hospitalizuar, 253 të vdekur, 12093 të shëruar, 2485 persona nën vëzhgim. Sot (dje) nga 837 mostra kanë rezultuar 190 qytetarë si raste të reja pozitive ku më së shumti janë kryeqyteti Podgorica me 121 raste pastaj Ulqini me 15 raste, Budva me 10 raste e kështu me radhë. Siç e dini ne kemi qenë në një situatë “Corona Free” disa muaj më parë, ndërkohë tani kemi arritur në një ndër vendet më të prekura në Evropë. Autoritet e Malit të Zi përkatësisht “Trupi Kordinues Nacional” në rang vendi i ka shtrënguar masat duke bërë kështu kufizime të ngjashme me valën e parë të përhapjes së virusit. Kësaj radhe restriksionet i ka ndarë në katër kategori apo zona sipas përqindjes së të infektuarve në secilin qytet. Duke filluar me restriksione më të lehtë për zonat e gjelbërta dhe të verdha, deri tek restriksionet më të rënda te zona portokalli dhe e kuqe ku në disa qytete si për shëmbull Ulqini, Zhablaku, Kollashini, Cetina kanë ndalur shërbimet e kafeterive, kanë ndaluar grumbullimet në rastet e dasmave, rasteve të vdekjeve përveç për familjarët e afërt. Edhe pse restriksionet janë goxha të mëdha, vërehet një rritje e madhe dhe e hovëshme e rasteve të reja të infeksionit.

NDIKIMET E COVID NË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR

Sigurisht për sa i përket shëndetit mendor në të gjithë popullatën duke filluar që nga fillimi i pandemisë në vend ka patur ndikim të madh negativ, duke shkaktuar kështu tek një pjesë e mirë e popullsisë çrregullime ankthi, depresion, çrregullime të gjumit e kështu me radhë. Ndërkohë sa i përket statistikave në lidhje me divorcet, dhunën në shoqëri apo të tilla, nuk kemi akoma studime të sakta e serioze në lidhje me këto çështje.

NDIKIMI I COVID-19 NË EKONOMI DHE TURIZËM NË MAL TË ZI

Ashtu si edhe shumica e vendeve të botës edhe Mali i Zi është prekur ekonomikisht nga pandemia globale, duke u humbur shumë vende të punës, duke u vënë në vështirësi të vazhdueshme bizneset e rangjeve të ndryshme. Ndërkohë sa i përket turizmit në Mal të Zi mund të themi që thuajse nuk ka ekzistuar fare.

SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË MAL TË ZI

Komuniteti shqiptarë në Mal të Zi është i ndarë në komuna të ndryshme, si në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Tivar, Rozhaje. Aktualisht më e prekura nga pandemia është komuna e Ulqinit, dhe është komuna me restriksione strikte përsa i përket masave të ndërmarra nga Trupi Kordinues Nacional. Në Ulqin vërehet ndryshim rrënjësor në jetën e qytetit, aktualisht kemi kufizime, janë të mbyllura restorantet, kafeneti, muzetë etj. Ndërsa në lidhje me turistët në  Ulqin, qyteti ka vuajtur në sezonin veror duke regjistruar humbje të mëdha ekonomike, e të mos flasim për tani.

MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Uroj që pandemia të kalojë sa më shpejt, deri atëherë kujdesuni për të afërmit tuaj duke mbajtur distancën, duke pastruar duart dhe sigurisht duke mbajtur maskat.

Filed Under: Politike Tagged With: Mali i Zi, Sokol Paja

TURIZMI BREGDETAR MES KOLAPSIT DHE RIMËKËMBJES….

October 20, 2020 by dgreca

Dritan Sterkaj, menaxher në fushën e turizmit dhe në industrinë e Hoteleri-Resorteve pranë “Divjaka Resort” analizon ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën ekonomike në industrinë e hoteleri – turizmit në Shqipëri dhe skanon masat e dështuara ekonomike dhe keqmenaxhimin shtetëror ekonomik të vendit çka e ka çuar industrinë e turizmit bregdetar drejtë rrënimit të plotë. Me Dritan Sterkajn bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

TURIZMI BREGDETAR DHE INSTUSTRIA E HOTELERISË NËN EFEKTIN E PANDEMISË GLOBALE

Kriza globale që shkaktoi pandemia e COVID-19 ka dëmtuar rëndë turizmin në Shqipëri, ashtu si edhe në çdo vend të botës dhe në ekonominë shqiptare po ndjehen efektet e menjëhershme. Prenotimet që ishin bëra nga shtetasit e huaj u unulluan pothuajse të gjitha. Kjo çoi industrinë e turizmit bregdetar në kolaps. Një rol negativ këtu luajti edhe vendimi i BE-së për të mos hapur kufijtë me Shqipërinë duke e bërë krizën edhe më të madhe. Përveç turistëve nga Evropa perëndimore, vitet e fundit kemi pasur një bum turistik nga vendet e lindjes së Evropës si Ceki, Poloni, Hungari, Rumani etj. Pandemia ka krijuar një krizë totale dhe pasiguri të madhe për të ardhmen e turizmit kryesisht bregdetar dhe industrinë e hotelerisë. Ne këtë vit nuk kemi punuar me staf të reduktuar dhe kapacitetet akomoduese të restortit që ne menaxhojmë nuk u plotësuan as në 20 përqind të tyre. Pra, ta themi troç, nuk po punojmë më për fitim por për mbijetesë.

SI PARASHIKOHET E ARDHMJA E SEKTORIT TË TURIZMIT NË SHQIPËRI

Turizmi në Shqipëri është një ndër faktorët kyç të zhvillimit të vendit pavarësisht kujdesit të pakët nga ana qeverisë, sepse i jep zhvillim vendit dhe zonës ku ushtrohet turizmi. Vetë industria e turizmit në vetvete ndërthur një zinxhir të madh të zhvillimit sepse punëson banorët e zonës por edhe nxit ekonominë lokale të furnizimeve. Natyrisht, që turizmi ka të ardhme në Shqipëri por kërkohet ndërhyrje e madhe në infrastukturë dhe kujdes i veçantë nga qeveria. Shteti nuk duhet ta shohë industrinë e turizmit vetëm për të vjelur taksa por duhet ta fusë në strategjinë kryesore të zhvillimit të vendit. Qeveria duhet ta shikojë si aleatë industrinë e turizmit jo si një plaçkë që ti sulë ushtrinë tatimore. 

QEVERIA E PAAFTË NË MENAXHIMIN E KRIZËS DHE QËNDRUESHMËRINË EKONOMIKE TË VENDIT

Zyrtarisht kemi 7 muaj në pandemi globale dhe qeveria ka qenë shumë e dobët në menaxhimin e krizës dhe shumë e paaftë që të ruajë stabilitetin ekonomik të vendit. Me dhjetëra biznese që falimentojnë çdo ditë, me qindra të papunë çdo ditë, me rritje të lartë të borxhit publik, me rritjen e pesimizmit dhe vdekjen e shpresës se ky vend do kthehet një ditë në binarë. Keqmenaxhimi qeveritar i pandemisë ishte ekonomikisht rrënuese për çdo shqiptar dhe sidomos për bizneset, hotelet, resortet që punësojnë mijëra qytetarë në këtë industri shërbimesh. Qeveria nuk nxiti punësimin. Qeveria frikësoi qytetarët dhe sipërmarrësit. Qeveria pasuroi dhe ndihmoi vetëm oligarkët. E keqja më e madhe sot për shqipërinë dhe shqiptarët nuk është pandemia, por qeveria që zhytet në korrupsion dhe varfëron qytetarët e pambrojtur. Shoqëria shqiptare, insdustria shqiptare, bisnesi shqiptar është i dërrmuar dhe lufton në kushtet e mbijetesës. Mijëra biznese mbyllen çdo ditë, qindra të papunë çdo ditë dhe qeveria vazhdon propagandën neveritëse. Në menaxhimin e fatkeqësisë Qeveria nuk mori masat e duhura, por improvizoi akte normative në kundërshtim me ligjin dhe shpesh herë edhe me vetë ekspertët e komitetit teknik. Qeveria iu kundërvu bizneseve dhe qytetarëve me mjete represive, dhunë policore, inspektore, propagande dhe gjuhë kërcënuese gjobash apo privim i lirisë ekstreme nëpërmjet burgosjes. Qeveria shqiptare nuk ka një strategjitë antikrizë. Ndërhyrjet me paketa lehtësuese dhe mbështëse për të papunët, të varfërit dhe biznesin rezultuan të pa studjuara mirë, të pa kordinuara dhe ta pa harmonizuara çka jo vetëm që nuk rezultuan pozitive por thelluan krizën ekonomike dhe sociale. Qeveria u vonua të implementonte paketa financiare funksionale për të garantuar likujditetet shtesë në ekonomi. Shqipëria varfërohet çdo ditë, qeveria krekoset përballë humbjeve të jahstëzakonshme në ekonomi, industrinë e turizmit dhe nuk ka një plan për shpëtimin e kolapsit ekonomik të shtetit dhe qytetarëve. 

PSE PUSHUESIT DUHET TË VIZITOJNË PARKUN KOMBËTAR TË DIVJAKËS

Pushuesit duhet ta vizitojnë Divjakën sepse nuk ofron vetëm turizëm detar por edhe atë natyror, atë të  vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj. Ne operojojmë gjatë gjithë vitit duke u mbështetur në këto karakteristika që të ofron Divjaka. Divjaka Resort ndodhet në mes të Parkut Kombëtar dhe vizitorët që vijnë tek ne do të gjejnë një ndërthurje të turizmit, ata mund të çlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër. 

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, Turizmi bregdetar

NËNË TEREZA SHENJTORJA SHQIPTARE, NË 17 VJETORIN E LUMTURIMIT NGA VATIKANI

October 19, 2020 by dgreca

NGA SOKOL PAJA-DIELLI-

17 vjet më parë Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobël për Paqen në vitin 1979, u lumturua nga Papa Gjon Pali i Dytë. Nënë Tereza tashmë e shpallur e Shenjtë nga Vatikani më 4 Shtator 2016 në Sheshin Shën Pjetër nga Papa Françesku, sot është një simbol i paqes botërore dhe dashurisë së pashtershme, Nëna shpirtërore e të varfërve, të braktisurve, të sëmurëve, jetimëve. Një Nënë universale, që nuk rreshti për asnjë moment, me qëllimin e vetëm ti përkushtohej botës dhe shërimit të shoqërisë. Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare është një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar. Me Nënë Terezën, Shenjtore, kombi shqiptar i dha botës një mesazh të fortë dashurie për njeriun, një dashuri aktive, të cilën as vetë nuk e kishte ndjerë ta merrte aq shumë nga bota, duke kapërcyer kufijtë shtetërorë dhe largësitë kontinentale, fetë, racat, orjentimet e ndryshme apo dhe interesat. Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare është shenjti i gjallë, lapsi i Zotit në shëmbëlltyrën njerëzore. Gonxhja shqiptare e dashurisë së pashterrshme u shndërrua në gjuhë, fjalët e së cilës njeriut i thanë dhe i provuan se dashuria është e mundur. Shembulli i Nënë Terezës për botën është universal. Misionarja shqiptare, Nënë Tereza na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Ajo u bë Misionare e bamirësisë, “Nënë e të varfërve”, simbol i mëshirës për mbarë botën e dëshmitare e gjallë e dashurisë së etshme të Zotit për njerëzit.  Nënë Tereza, Shenjtorja shqiptare iu përkushtua të gjithë familjeve të botës. Nënë Tereza e mahniti botën me luftën e saj unike në zhdukjen e varfërisë, plagëve të shoqërisë dhe më kryesorja, në dobi të respektit dhe dinjitetit të qenies njerëzore. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është pa dyshim bijë dhe nënë e gjithë njerëzimit. Ajo përballoi e vetme me forcën e mbinatyrshme të Perëndisë garën me të keqen që shfaqej në padrejtësitë ndaj të braktisurve, të sëmurëve, të pastrehëve e të pashpresëve. Nënë Tereza është pjesë e krenarisë kombëtare, pjesë e identitetit tonë kombëtar shqiptar. E gjithë bota do të ketë nevojë gjithmonë për Nënë Terezën, për mesazhet e një jete, që ushqeu me dashuri dhe shpresë jetën e njerëzve, të cilëve u mungonte dashuria, shpresa e besimi. Nënë Tereza me atë ç’ka i ka dhënë universalizmit është një figurë e shquar edhe kombëtare ku futet pa dyshim në kolonën e njerëzve më të rëndësishëm të kombit shqiptar. Me veprimtarinë e saj, Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është mbrojtësja më e guximshme dhe më e madhe e jetës, kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë. Nënë Tereza u përket vlerave universale të njerëzimit. Kryetari i çmimit Nobel të Suedisë, profesor Xhon Sanes, pati deklaruar në ceremoninë e nderimit teksa qe shprehur me fjalë prekëse: “Veçoria e punës së saj ka qenë respekti për njeriun, për vlerat dhe dinjitetin e tij. Më të mjeruarit, më të vetmuarit, fatkeqët që po vdesin, lebrosët e braktisur janë pranuar nga ajo dhe motrat e saj me dashuri dhe ngrohtësi, pa përbuzje por të mbështetura mbi respektin për Krishtin te njeriu”. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza edhe pse prej shumë kohësh nuk jeton pranë nesh, jeton e gjallë vepra e saj. Ajo na lë testamentin e fesë së patundur, të shpresës së pamposhtur e të bamirësisë së jashtëzakonshme. Nënë Tereza ishte një misionare, me të cilën shqiptarët identifikohen kudo në botë. Shqiptarët duke u identifikuar me Nënë Terezën, identifikohen edhe me vlerat e saj, me humanizmin, empatinë dhe zemërgjerësinë. Nënë Tereza, për shqiptarët, mbi të gjitha është një shenjtore e vetëmohimit, e dashurisë për njeriun, që me veprën e saj humane i ka shërbyer mbarë njerëzimit, por edhe e ka nderuar emrin e kombit shqiptar. Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza është një simbol i bashkimit të kombit tonë dhe identifikimit të shqiptarëve në botën e vlerave universale.

Filed Under: Featured Tagged With: NËNË TEREZA, Sokol Paja, Vatikani

EPISKOPI MITROPOLIT I BOSTONIT, AMERIKËS DHE KANADASË ILIA KETRI DHE SHOQËRIA ATDHETARE BESA- BESË, MYSAFIRË NË VATËR

October 18, 2020 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI-

Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri i shoqëruar nga Guri Stefani, President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë, Petrit Alibeaj si zëvëndës President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë dhe Epitropi i Kishës së Bostonit Aleko Dhima vizituan Vatrën dhe shprehën urimet më të ngrohta të detyrës dhe bashkëpunimit kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha. Në fjalën e hapjes së takimit mikpritës, kryetari i Vatrës Elmi Berisha deklaroi: “Hirësi i dashur dhe shumë i nderuar. Është kënaqësi, nder dhe privilegj që jeni sot mes nesh. Është një emocion i madh të bashkohemi në Vatrën që themeluan shqiptarët e Amerikës në Boston. Ju e ndezët këtë zjarr atdhedashurie dhe ne e përcjellim ndër breza e gjeneratat që vijnë. Për mua nuk ka nder më të madh sesa prezenca juaj sot këtu. Jemi shumë të gëzuar dhe të emocionuar ne si kryesi e Vatrës dhe si komunitet vatran që ju kemi në mesin tonë. Ky është një bekim i madh për Vatrën e gjeneratave që do vijnë. Ky është një bekim jo vetëm për Vatrën por edhe për Diellin, vatranët e gjithë komunitetin shqiptar. Vatra është në diasporë një institucion moral, politik e atdhetar. E kërkojmë bekimin e Kishës me qëllim që jo vetëm ne por të gjitha proceset kombëtare të shkojnë përpara. U jam mirënjohës për këtë vizitë në kushte të jashtëzakonshme pandemie. Kjo vizitë na lidh edhe më shumë shpirtërisht, moralisht dhe atdhetarisht.Falenderime e mirënjohje edhe shoqërisë Besa- Besë. Qofshi faqebardhë gjithmonë” përfundoi z.Berisha.

     Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri e cilësoi këtë vizitë në Vatër si historike pasi ai vinte për herë të parë:“Lavdi Zotit që na solli në këtë ditë shumë të rëndësishme. Jam i mbushur plot me emocione që ndodhem midis jush në Vatër. Jam i emocionuar që në këtë sallë shoh fotografitë e shqiptarëve që dallohen për patriotizëm të veçantë, për punën dhe sakrificat. Çdo gjë në këtë jetë arrihet me sakrifica të mëdha.

-Zoti President i Nderit Agim Rexhaj, Zoti Kryetar i Vatrës Elmi Berisha, të nderuar bashkëatdhetarë e vatranë të dimrit e beharit, ndjehem i përulur përballë jush. Ne jemi këtu sot falë sakrificave të paraardhësve tanë. Ata krijuan këtë realitet që ne po e gëzojmë sot. Veprimtaria e Vatrës ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për zhvillimin e kombit shqiptar. Shqiptarët e diasporës dhe veçanarisht të Amerikës kanë ndihmuar me të dyja duart për mirëqënien dhe zhvillimin e Shqipërisë. Shqipëria mbijetoi jo vetëm me punë por edhe me lutje. Ne si Kishë Ortodokse lutemi gjithmonë për shtetin, për kombin, për shtetarët dhe qeveritë cilatdo qofshin ato. Kisha lutet për të gjithë shqiptarët. Si Kryefetar i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe Kanada punojmë përditë që të bëjmë meshën në shqip, të ketë çdo kishë priftin shqiptar, të lëvrojmë gjuhën shqipe, të gjendemi pranë për të gjithë shqiptarët që vijnë nga Shqipëria apo që jetojnë këtu. Të mësojmë gjuhën e nënës, historinë dhe të ndihmojmë në zhvillimin e kombit tonë, të jemi krenar për prejardhjen tonë. Perendia më ka bekuar me prindërit që më mësuan shqip, me besim dhe me patriotizëm. Më edukuan që ti shërbej komunitetit shqiptar që në vogli që të bëhem prift e deri Episkop Mitropolit. Vatra si Federatë Panshqiptare duhet ta ketë kurdoherë parasysh që për të arritur qëllimet e saj duhet të bashkojë qëllimet e reja të njerëzve të lindur në Amerikë dhe atyre që vijnë. Duke qenë të bashkuar do arrijmë të jemi më patriot dhe do kemi një të ardhme më të ndritur dhe më të shkëlqyer për të gjithë shqiptarët në diasporë dhe në viset shqiptare. Faleminderit e mirënjohje për mikëpritjen tuaj. Jam shumë i gëzuar. Ju përgëzoj për arritjet që bëni çdo ditë. Jam tepër i emocionuar që e bëj këtë vizitë për herë të parë në Vatër, një emër i madh që nderon komunitetin e shqiptarët kudo në botë. Gëzuar nga mot e shumë bekime” përfundoi mesazhin e tij hyjnor e patriotik hirësia e tij Episkop Ilia Ketri.

           Presidenti  i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj u shpreh në këtë takim  se: “Hirësia juaj mirë se erdhët në Vatër. Jemi të nderuar me praninë tuaj dhe të bashkëvëllezërve tuaj që ju shoqëruan në Vatër. Zoti ju dhëntë shëndet e mirësi. Na lumturon shumë kjo vizitë e vëllezërve tanë nga Bostoni në New York. Që fëmijë e kam dashur Bostonin. Vatra ishte në Boston dhe Kisha e Shën Marisë dhe kujtohen në vendlindjen tonë me shumë respekt. Është nder i madh kjo vizitë e sotmja. Zoti ju bekoftë juve dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë. Kjo vizitë ka një domethënie shumë të madhe. Qofshi të bekuar e të nderuar gjithmonë” citoi z.Rexhaj.

          Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu u shpreh në këtë takim: “Hirësi, fjalët tuaja të bekuara sot na bëjnë mirë të gjithëve. Tek fjalët tuaja sot ne gjejmë atë që kemi nevojë. Ju folët shqip edhe pse keni lindur në USA, ky është një mësim i mirë edhe për shqiptarët që kanë ardhur e lindur në Amerikë. Nënat duhet tu mësojnë shqip fëmijëve të tyre. Fjala juaj që të mos harrojmë gjuhën e nënës duhet të jetë melhem për plagët tona. Shqiptarët janë të përkëdhelurit e botës përsa i përket harmonisë fetare. Kjo është një krenari për çdo shqiptar. Ju falenderoj për bekimin që na bëtë sot. Të bekosh Vatrën në gjuhën e nënës, është një gjë madhështore. Vatra u përket të gjithëve. Duhet t’ua lëmë trashëgim të gjithëve. Nga zemra mirënjohje e falenderim për bekimet dhe vizitën tuaj” përfundoi ajo.

          Guri Stefani, President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë u shpreh për vizitën në Vatër: “Në emër të shoqërisë Besa- Besë ju përshëndes nga zemra të gjithëve. Zoti kryetar Elmi Berisha ju uroj për vlerësimin Honoris Causa të dhënë në Tiranë nga Universiteti Luarasi. U gëzova dhe u emocionova shumë për ju. Vatra që ju drejtoni dhe shoqëria Besa- Besë do të bashkëpunojnë në të ardhmen. Të gjithëve ju uroj shëndet e jetë të gjatë. Lumturi në familjet tuaja. Ardhjen për vizitë në Vatër e pritëm me lumturi shumë të madhe dhe gëzim të veçantë. Ju jemi shumë mirënjohës për këtë pritje dhe respektin që na bëtë” citoi ai.

                    Petrit Alibeaj zv. President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë deklaroi se: “Ndjehem shumë i emocionuar që jam sot mes jush. Sa herë vij në këtë derë kam emocione të forta. Qëllimi i ardhjes sonë në Vatër sot është të urojmë për detyrën kryetarin e Vatrës zotin Elmi Berisha këtu në shtëpinë e tij. Kemi ardhur me besimin që Vatrën do ta çojmë edhe më lart. Kemi ardhur me besimin për një bashkëpunim të shkëlqyer në të ardhmën. Bostoni kërkon degën e Vatrës. Kam besim të plotë se me ardhjen tuaj në Vatër edhe në Boston do ringrihemi si Vatër e si komunitet shqiptar. Vatra është një emër i madh. Sot më shumë se kurrë kërkohet unitet dhe bashkëpunim. Pandemia për ne tani e tutje nuk do të ekzitojë pasi ne sot erdhëm dhe morëm ilaçin e Vatrës. Do shërohemi me këtë ilaç. Ju faleminderit që na pritet. Qëllimi i përbashkët dhe vizioni i përbashkët është që të bashkojmë kokat, mendjet e trojet shqiptare” uroi ai.

              Epitropi i Kishës së Bostonit Aleko Dhima u shpreh: “Përfitoj nga rasti për herë të parë që vizitoj Vatrën si Federatë që ka bashkuar vëllezërit e motrat tona. Vatra ka si qëllim unitetin ndërmjet shqiptarëve. Të na cilësojnë ne shqiptarëve për harmoninë fetare, na bën krenar të gjithëve. Kjo tolerancë na bën të veçantë. Falenderoj nga zemra dhe përshëndes Elmi Berishën si kryetar të Vatrës dhe për unitetin e vëllezërve e motrave tona në USA, këtë vend të bekuar e të dashur për të gjithë ne. Zoti e bekoftë Amerikën, Shqipërinë dhe Vatrën” përfundoi ai.

             Zef Balaj, Anëtar i Kryesisë së Vatrës u uroi mirëseardhjen miqve nga Bostoni dhe Hirësisë së tij Ilia Ketri duke u thënë: “Mirë se u pruni Zoti në Vatër, në vatrën tuaj. Është kënaqësi që ju kemi në mesin tonë. Me bekimet tuaja Hirësi, ne do të shkojmë më përpara dhe Shqipëria do shkojë përpara. Këto bekime do na çojnë më tej, më të fortë e më të bekuar. Zoti ju bekoftë e Zoti ju ndihmoftë. Ndjehemi shumë të respektuar prej jush sot, për ardhjen në Vatër si vend të bekuar. Me bekimin tuaj Hirësi, ditë më të mira do kemi në të ardhmen. Zoti ju rrittë pushtetin e shumë faleminderit për ardhjen tuaj mes nesh. Zoti na bekoi me ardhjen tuaj në mesin tone” citoi z.Balaj.

                  Arkëtari i Vatrës Marjan Cubi u shpreh: “Hirësia juaj faleminderit shumë që keni ardhur. Jemi shumë të gëzuar që keni gjetur kohë për ne. Jam krenar që jam në Vatër tash 41 vjet. Jam shumë i gëzuar e krenar që ju jeni në Vatrën e gjithë shqiptarëve. Rroftë Amerika, rroftë Vatra, rroftë Kombi Shqiptar. Anton Raja, Anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh: “Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj. Është shumë kënaqësi t’ju kemi këtu sot. Zoti ua priftë mbarë ju dhe të gjithë shqiptarëve. Në gëzime u takofshim gjithmonë”.

            Nënkryetari i Vatrës Besim Malota u kujtoi miqve Nolin në Boston: “I nderuar dhe i respektuar Hirësi. Faleminderit që keni ardhur në mesin tonë në Vatër. Bekimi nga ju Hirësi është shumë domethënës për të gjithë ne. Kur Noli erdhi për herë të parë në Amerikë takoi shqiptarët në Boston dhe i pyeti se nga ishin dhe ata të tërë ishin nga Korça, kur ata e pyetën Nolin nga ishte edhe ai u tha se ishte atë ditë nga Korça. Ndaj edhe ne sot jemi të gjithë nga Bostoni aty ku Vatra u themelua. Ardhja juaj na nderon. Besa-Besë ishte themeli i Vatrës. Faleminderit edhe një herë për ardhjen tuaj.

              Mark Mrnaçaj, Anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh: “Faleminderit Zotit Hirësi që na u dha mundësia të takohemi me ju. Faleminderit Zotit që ju ua dha mundësinë të jeni mes nesh. Shëndet e punë të mbarë. Bekime për ju. Zoti ju rrittë pushtetin” përfundoi Mrnaçaj.

           Ilir Cubi, Anëtar i Këshillit të Vatrës u shpreh: “Mirë se erdhet në Vatrën tonë dhe tuajën. Që 2 vjeç më ka zier gjaku për Vatrën. Mbaj mend çdo zhvillim dhe shndërrim të Vatrës sidomos që kur ndihmoja Arshi Pipën e deri sot që jemi së bashku. Nderime dhe respekte për këtë vizitë”.

    Sokol Paja, Anëtar i Këshillit të Vatrës dhe gazetar i Diellit u shpreh: “Jemi të bekuar që ju kemi mes nesh Hirësi. Bekimet tuaja shenjtërojnë Vatrën, qëllimin, punën dhe kombin tonë. Në këto kohë të vështira këto bekime do të thonë shumë. Ju jemi mirënjohës për vizitën dhe bekimet e shenjta. Së bashku do të bëjmë më të mirën për interes te komunitetit dhe të kombit tonë. Bashkë jemi më të fortë, më të bashkuar dhe më të bekuar. Zoti ju rrittë pushtetin Hirësi. Bekime e nderime për ju”.

    Editori i Diellit Dalip Greca mirëpriti miqtë nga Bostoni duke u shprehur se: “Është një ditë e veçantë, është një ditë historike për Vatrën, jo se nuk kanë ardhur klerikë të tjerë para jush; kanë ardhur klerikë nga të gjitha skajet. Edhe me rastin e 100 vjetorit Vatra arriti që t’i bashkojë të gjitha trojet kombëtare edhe në kuptimin fetar, të gjithë klerikët e të gjitha besimeve u mblodhën me 28 dhe 29 Prill 2012 në New York në 100 vjetorin e Vatrës. Por sot vërtetë ndjej diçka të veçantë, ka një lloj hije ardhja e numrit një të Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Vatra siç e ka thënë edhe Imzot Noli, pa kishën nuk do të kishte bërë dot hije. Vatra e ndezi zjarrin e vet pasi e ndezi Besa-Besë(1907), “Kombi” para saj që më 1906, pastaj shqiptarët patriot ngritën Kishën. Vatrën me Besa –Besë, ashtu si edhe me kishën, i bashkon Imzot Noli. Ai ishte krijuesi i Besa-Besës, në janar 1907, si edhe krijues dhe pagëzues i gazetës Dielli me emrin e bukur” Dielli”, dhe pastaj Vatra, por ne gazetarët e historianët, do të vazhdojmë të “grindemi” ca kohë nëse emrin “Vatër” e gjeti Konica apo Noli. Përse? Sepse nga fansat e Nolit, kumbar i Vatrës ishte Imzoti,  por Konica shkroi në Diellin e 31 Marsit 1922 se:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpirtën e parë të VATRES , jam responsiblë unë…Po e drejta Eshtë që VATRA, të cilën un’ e lashë cilimi shtatë muajsh, u rrit, u madhua, u bë një force nga Fan S. Noli dhe Vatranët e  Amerikës më 1915-1919, dhe n’atë zhvillim unë s’kam patur pjesë.”…

Faik Konica në ditëthemelimin e Federatë u shpreh: Eshtë shprehur se tani që organizatat e vogla, soqatat e katundeve u bashkuan në Vatër, çështja shqiptare është në rrugë të mbarë. Dhe në fakt në këtë apel të tërthortë që mos tu mbetet qejfi organizatave të tjera, është e mira që t’ua themi në kuptimin e butë, ato duhet të federohen në Vatër, duke ruajtur individualitetin e tyre. Ardhja e Besa-Besës sot këtu ka një kuptim simbolik.Unë besoj se ata nuk erdhën thjeshtë për të na dhënë “Besën” se do të bashkëpunojnë me Vatrën, por ata erdhën për të risjellë në kujtesë të shkuarën jo shumë të largët para 100 vitesh, kur Besa-Besë ishte në themelet e Vatrës. Nuk është fare logjike që pas shpërnguljes së qendrës së Vatrës nga Bostoni në Nju Jork, në vendlindjen e Vatrës të mos ketë degë?! Fjala e ngrohtë dhe e pushtetshme e Kryepeshkopit, e Hirësisë do ti hapë rrugën Vatrës për tu rikthyer atje ku lindi. Faleminderit që ishit me ne, ishte shumë kënaqësi” përfundoi fjalën e tij editori i Diellit Dalip Greca.

Presidenti i shoqatës Besa-Besë z. Guri Stefani dhe zëvendësi i tij, Petrit Alibej, u anëtarësuan në Vatër dhe u zotuan për një bashkëpunim të ngushtë me Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri i dhuroi kryetarit t Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri Vatr Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Katre,idhuroi kryetarit t Episkopi Mitropolit i Bostonit, Amerikës dhe Kanadasë, Ilia Ketri Vatrës librin “Shën Kolli 2012”.

Mysafirët shprehën vlerësime për Vatrën  dhe mbresat për vizitën në librin e vizitorëve në Vatër.

 Vizita historike në Vatër e Episkopit Mitropolit Ilia Ketri dhe Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë u përfundua me një drekë bujare në Vatër dhe u shoqërua me anëtarësimin në Vatër të Guri Stefanit, President i Shoqërisë Atdhetare Besa-Besë dhe Petrit Alibeaj zëvëndës President i Shoqërisë Atdhetare Besa- Besë.

Filed Under: Featured Tagged With: Amerikës dhe Kanadasë, Episkopi Mitropolit i Bostonit, Ilia Ketri, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT