• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PALOK VUSHAJ, NGA INTERNIMI I PËRJETSHËM TE AGU I LIRISË

October 16, 2020 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI-Palok Vushaj sot është 77 vjeç dhe kujton çdo detaj të internimit të familjes së tij nga Selca e Kelmendit për në fshatin Nënshatë të nën Shkodrës. Edhe pse kanë kaluar 46 vite nga ajo kohë e tmerrshme, Paloka rrëfen me detaje persekutimin, dëbimin, internimin, konfiskimin  e pasurisë dhe luftën e tmerrshme të klasave në internim. Familja e Palok Vushajt prej 26 anëtarësh u internua nga muaji Tetor 1974 deri në Prill të vitit 1991. Pas arratisjes së vëllait të Palokës, Gjeto Vushajt nga fshati Selcë për në ish-Jugosllavi më 27 Shtator 1974, mbi këtë familje do ushtrohej një terror i paparë prej organeve të Sigurimit të Shtetit, Ushtrisë e Policisë. Një përndjekje që do i tmerronte për 17 vite derisa do përmbysej diktatura dhe familjarisht fituan lirinë e privuar padrejtësisht. Paloka kujton se para arratisjes së vëllait ai punonte në Pyjore, ndërsa kthehej në shtëpi një ditë më pas, katër ushtarë e ndaluan, i drejtuan armën dhe filluan ta godasin për arsyen e arratisjes së vëllait. Në të gdhirë të ditës kujton Paloka, shtëpia jonë u rrethua nga Sigurimi i Shtetit, ushtria kufitare dhe policia. Meshkujt e familjes dhe prindërit u çuan në qendër të Kelmendit në Tamarë. I rreshtuan para Postës Ushtarake. Pasi i morën në pyetje nën dhunë e kërcënim, kur erdhi radha e marrjes në pyetje të Palokës, Oficeri i Sigurimit e etiketoi kriminel, tradhëtar  dhe të poshtër se pse nuk kishte raportuar arratisjen e vëllait. Shtëpia e familjes u ruajt me armë dhe nën rrethim policor e ushtarak kujton Paloka. Gratë e shtëpisë i lanë në fshat, meshkujt e shtëpisë e prindërit u internuan në Mjedë në një ndërtesë si tip burgu ku qëndruan për 2 javë të burgosur, të kequshqyer e me ruajtje të armatosur duke u shkaktuar terror, frikë e panik. Pas dy javëve të tmerruar, e të dhunuar fizikisht e psikologjikisht u shpallën organet policore vendimin e internimit të përjetshëm në Nënshatë. Jetesa aty ishte shumë e rëndë. Një dhomë  shumë e vogël me kushte skandaloze për një familje të madhe siç ishim ne kujton Paloka. Policia e ushtria dolën në fshatin Selcë dhe boshatisen shtëpinë, morën me dhunë gratë e fëmijët dhe i bashkuan të gjithë në internim në Nënshat ku jetuan në kushte ekstreme për vite me radhë nën kërcënim e frikë. Pas internim-dëbimit nga fshati, Paloka kujton se ndaj familjes iu bë konfiskimi i pasurisë dhe vjedhja prej komunistëve të fshatit. Përgjatë kohës së internimit, familja e Palokës, anëtarët një për një duheshin që të paraqiteshin tri herë në ditë te roja i posaçëm që ruante të internuarit. Çdo javë vinte operativi i Sigurimit nga Shkodra dhe bënte mbledhje në fshat duke i instruktuar fshatarët dhe kuadrot komunistë kryesisht sesi të na ruanin e paraqisnin raporte kundër familjes Vushaj me qëllim burgosjen e tyre tregon Paloka. Pra regjimi nuk njihte limit ligësie, agresiviteti e represioni ndaj familjeve që komunizmi i quante armiq të popullit e klasës punëtore. Familjeve të internuara në komunizëm i jepeshin punët më të rënda të koperativës. Paloka kujton se punonin si familje në një perimetër të caktuar për afro 20 metra nën kërcënim se nëse largoheshin nga ato pak metra katrore, do vriteshin me plumba. Komunistët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit herë pas here e provokonin në kampin e punës Palokën dhe familjarët e tij, madje dhe duke i vajtur në shtëpi për ta provokuar në biseda kundër regjimit me qëllim prangosjen e tij dhe të meshkujve të shtëpisë. Paloka tregon se komunikimet me të afërmit ishin të kufizuara, letërkëmbimet i lexonte Sigurimi dhe i griste. Ata jetonin të izoluar prej botës që i rrethonte. Të internuarit, të përndjekurit e regjimit ishin skllevër në një botë rrethuar me tela me gjëmba. Paloka tregon një episod ku vëllai i arratisur Gjeto Vushaj u shkroi nga Amerika një letër dhe kjo desh i kushtoi burgosjen familjarisht. Vëmëndja e Sigurimit dhe Spiunëve sa shtohej dhe më shumë. Popullsia vendase siç ishin komunistët në koperativë në rangje shtetërore drejtuese dhe spiunët e sigurimit në koperativë ku punonin i mallkonin, shanin e ofendonin si armiq, tradhtarë dhe kriminelë. Paloka tregon me dhimbje se ishim të padëshiruar për kohën, për sistemin dhe popullsinë vendase. Punonim dy herë më shumë se të tjerët, paguheshim dy herë më pak, s’kishim asnjë të drejtë lëvizjeje. Çdo ditë komunistët shkruanin letra kundër nesh. Jo vetëm për çdo fjalë por edhe për çdo mendim, jetonim me frikë se mos keq interpretohej e na fusnin në burg. Me trishtim, Paloka kujton se në internim nëse një ditë nuk dilnim në punë, Sigurimi na hiqte bukën. Kafja, sheqeri e buka ishin me racion. Jetonim në kushte të tmerrshme tregon Paloka, ku përveç mungesës së lirisë na mungonte gjithçka tjetër. Jeta çdo ditë që kalonte na bëhej edhe më e pamundur. Fëmijët në shkollën fillore i urrenin, edhe pse mësonin shumë mësuesit komunistë nuk u jepnin hakun dhe bashkëmoshatarët e tyre instruktoheshin prej organeve të sigurimit ti shanin, ti ofendonin e të mos u flisnin. Një luftë e tmerrshme klasash tregon Paloka, që ngjan si një film i frikshëm kur e rikujton. Sapo erdhi demokracia, vëllai i Palokës, Gjeto Vushaj vizitoi Shqipërinë. Paloka i kujton ato ditë me lumturi e trishtim, veç qanim e flisnim ditë e natë. Nuk na besohej se ishim ende gjallë. Ky ritakim pas afro 20 vitesh  dukej si një ëndërr kujton Plaoka, ishte takim me jetën, me vuajtjen, me lirinë, me vetminë, me tmerrin që përjetuam për gati 20 vjet. Një takim çmallës. Një përlotje për jetën në vuajtjet e pamerituara në një sistem diktatorial që prodhoi mjerim, viktima e shkatërrim. Pengu më i madh familjar kujton Paloka ishte vdekja e prindërve në internim dhe dëshira për të parë djalin e arratisur para se të mbyllnin sytë përgjithmonë. Në Selcë, pas shëmbjes së komunizmit, kur familja Vushaj u rikthye në fshat, e gjetën gjithçka të rrënuar e shkatërruar dhe ndërtuan jetën në Shtoj të Shkodrës. Paloka rrëfen se edhe pas vuajtjeve të tmerrshme ku humbën gjithçka, ndjehet mirë se ka shtëpinë plot, por ato vuajtje dhe sot e tmerrojnë dhe i duken absurde e të pabesueshme. Komunizmi ishte mallkimi më i madh për shqiptarët, mbyll rrëfimin e tij për jetën në internim Palok Vushaj.

Filed Under: Histori Tagged With: Palok Vushaj, Sokol Paja

FËMIJËT DHE DY GJUHËSIA, SFIDAT E FAMILJES SHQIPTARE NË EMIGRIM

October 14, 2020 by dgreca

FËMIJËT DHE DY GJUHËSIA, SFIDAT E FAMILJES SHQIPTARE NË EMIGRIM NË RUAJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR-

Merita Isufi, mësuese, themeluese e organizatë “Successful Mothers” nga Britania e Madhe, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, sesi ndikon te fëmijët dy gjuhësia dhe sfidat e familjes shqiptare në emigracion për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe si ka ndikuar teknologjia dhe pandemia globale në sjelljen e fëmijëve. Me Merita Isufin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

FËMIJËT DHE DY GJUHËSIA, SFIDAT E FAMILJES SHQIPTARE NË EMIGRIM NË RUAJTJEN E IDENTITETIT KOMBËTAR

Historia ka treguar se popullsia jonë me shekuj ka emigruar nga një vend në tjetrin. Ata  moren me vete kulturën dhe gjuhën shqipe, por kryesisht pranuan edhe kulturën e vendeve ku u  vendosen po ashtu edhe gjuhën e tyre, pa të cilën do kufizoheshin në maksimum.  Prindërit punuan dhe vazhdojnë të punojnë me përkushtim që fëmijët e tyre të kenë mundësitë shkollohen,  të kenë kushte sa më të mira në shtëpi dhe të arrijnë të plotësojnë dëshirat dhe ambicjet e tyre.  Në të njëjtën kohë dedikuan kohën e tyre për të dërguar fëmijët në shkollat shqipe, ku jo  vetëm mësuan të flasin më mirë, të shkruajnë më mirë por edhe të ndihen krenar për kush janë, pa  pasur frikë se çfarë të tjerët mendojnë. Sigurisht ka edhe nga ata prindër që jo  plotësisht kanë qenë të qartë në përpjekjet e ruajtjes së gjuhës shqipe, dhe kjo si rezultat ka ndikimet e veta në  identitetin e atij që nuk e zotëron këtë gjuhë hyjnore. Kjo ndoshta ka ardhur edhe nga orari i  gjatë i punës të cilën prindërit janë detyruar të ndjekin për arsye ekonomike, duke ua veshtirësuar kohën e lirë. Gjuha është e lidhur shumë ngushtë me identitetin. Identiteti dhe gjuha janë respekti për veten. Sa më mirë të zoterojmë gjuhën dhe kulturën e vendit nga  vijmë, aq më konfident ndihemi edhe në mësimin e gjuhëve të tjera. Kjo na ndihmon të tregojmë interes dhe respekt edhe për kulturat e komuniteteve të tjera. Të qënurit kurioz,  të respektueshëm dhe të interesuar për të njohur kulturat e tjera gjithmonë gjeneron një  përgjigje pozitive ndaj asaj që ne zotërojmë. Dua të ndaj një experiencë si në nënë vitet e para të emigrimit në Londër. Para 20 viteve mora një ftesë nga mësuesja e klasës së vajzës  time, të lexoj një tregim në gjuhën shqipe në shkollën angleze ku vajza ime mësonte. Kur  i shpjegova vajzës se do lexoja në gjuhën shqipe, ajo mu përgjigj se aty flitej vetëm Anglisht.  Prezantimi i tregimit me të cilin e gjithë klasa ishin të familjarizuar, por këtë herë e dëgjonin  në një gjuhë tjetër, jo vetëm  ju mësoj të tjerëve që egziston edhe një gjuhë tjetër e bukur dhe një kulturë,  por mësoj vajzën time ta shikonte si një gjuhë të veçantë, speciale, dhe me deshirë ta mësonte sa më rrjedhshëm. Këtë e përforcojë dhe mësuesja bashkë me drejtoreshën e  shkolles së sajë, të cilat treguan entuziazmin e tyre ndaj gjuhës tonë duke e  vlerësuar publikisht pasi i kushtuan orën e mësimit. Ky është inkurajimi dhe mesazhi që vazhdimisht u  është dhënë të gjithë prindërve nga profesionistët e shkollave angleze dhe  sigurisht atyre shqiptare këtu në Angli, sepse është e rëndësishme që me fëmijët të flisnin gjuhën e nënës e cila është edhe gjuha  e parë. Pranimi i identitetit brënda nesh na jep forcë të brëndshme dhe confidencë të perballemi  me të tjerët. Gjithashtu kam punuar për shumë vite në shkollat angleze si edukatore dhe  si mësuese në shkollat shqipe në Londër dhe e them me konfidencë se fëmijët që kishin  praktikuar gjuhën me prindërit në shtëpi, jo vetëm e kishin më të lehtë, por  ishin më të interesuar për ta mësuar edhe më mirë atë. Prandaj nënat dhe baballarët,  duhet të fillojnë të ju lexojnë rregullisht fëmijëve që nga mosha 6-muajshe libra me  përralla në gjuhën shqipe të shoqëruara me figurë, për të ndihmuar fëmijët të kuptojnë fjalën sepse fjala rigjeneron gjuhën.  Prindërit e kanë detyrë të bashkëpunojnë me shkollat, sepse krijimi i një raporti të mirë mes  mëuesve dhe prindërve është sigurues për fëmijët. Ky është kontributi kryesor në ruajtjen e identitetit kombëtar sepse gjuha është thelbi i kombit. 

TEKNOLOGJIA DHE PANDEMIA GLOBALE SI KANË NDIKUAR NË SJELLJEN E FËMIJËVE 

Sikurse e dimë përdorimi i internetit është dyfishuar në vitin e fundit në pjesët më të mëdha të globit. Kjo erdhi edhe nga arsyeja se fëmijët duhet të studjonin online – shkaku pandemia. Kjo  ka ndikuar në rritjen e rrezikut të ngacmimeve online. Corona virus ka krijuar një stuhi të përshtatshme përmashtruesit online për të joshur fëmijët që janë të vetmuar, të dëshpëruar dhe  që medoemos kërkojnë vlerësim nga të tjerët. Prandaj bisedat e hapura me fëmijët janë masa më e rëndësishme e sigurisë. Fëmijët kanë nevojë për garancinë e prindërve dhe se  të jenë të bindur që ata mund të flasin me ta në çdo kohë, për çfarë po përjetojnë në jetën e tyre online dhe me kë bisedojnë. Fëmijët duhet këshilluar që të mbajnë informacionet e tyre private online, sidomos nga të panjohurit. Duhet të jemi të vemendshëm, pasi fëmijët e ndikuar negativisht nga koha e  shpenzuar në internet janë të tërhequr nga aktivitetet familjare, të merzitur,  të fshehtë ose të dëshpëruar. Të gjitha këto mund të kenë lidhje nga të qenurit gjatë online, prandaj ne si prindër duhet të jemi të vemendshem per këtë dukuri, duke qenë të vetëdijshëm për masat e sigurisë si nga ana teknike, po ashtu edhe nga vënia re në kohën e  duhur të ndryshimit të sjelljeve të fëmijëve. Kur negocjojmë me fëmijët për kohën  në mediat sociale duhet të diskutojmë në atë mënyrë që të mos bëhet situatë konflikti midis nesh, por të krijohet një  hapsirë për lidhje më të afërt mes nesh. Pra ne si prindër duhet të kemi kufijtë shëndetshëm me  mediat sociale, atëherë guxojmë të përballemi me fëmijët që edhe ata të përdorin kohën online  duke pasur efekt pozitiv dhe duke reduktuar situatat e rrezikshme. 

ÇFARË DO TË THOTË PRINDËRIM POZITIV, SFIDAT E FAMILJES SHQIPTARE NË EMIGRIM

Prindërimi pozitiv është një qasje ndaj prindërve që synojnë të promovojnë zhvillimin e fëmijëve dhe të menaxhojnë sjelljen e tyre në mënyrë konstruktive dhe jo të dëmshme.  Është bazuar në komunikim të mirë dhe vemendje pozitive si mënyra më e mirë për të ndihmuar fëmijët (fokus adoleshentet) që të zhvillojnë aftësitë që ju nevojiten për tu rritur me  besim të fortë në veten e tyre. Sfida për prindërit është të mundësojnë ambjentet e shtëpisë me  atmosferë të përshtatshme që udhëzon dhe ndihmon fëmijët ndërsa përpiqen të bëhen të rinj të pavarur dhe të stabilizuar. Si prindër ne rregullisht duhet të reflektojmë në stilin e  prindërimit. Hulumtimet sygjerojnë rëndësinë e mjedisit të sigurt familjar si bazë themelore që ndikon direkt  në mirëqëniën e fëmijës dhe sjelljen pozitive. Kur prindërit komunikojnë mirë me  fëmijët ata së bashku mund ta përqafojnë dhe ta shijojnë sfidën e emigrimit, apo  çdo sfidë tjetër gjatë rrugës së jetës. Familja shqiptare ka dhënë dhe  vazhdon të japë ndihmesë shumë të madhe në edukimin e brezave të rinj në çdo vend të botës ku ata ndodhen.  Fakti që populli ynë trashëgon vlera të mëdha materiale dhe artistike dëshmone dhe edukatën familjare që kanë përcjellur te brezat e rinj ndër shekuj edhe pse të shprendarë anëmbanë botës. Shoqëria  jonë ka  pësuar transformime të vazhdueshme dhe ndryshime të shpejta, të cilat kanë berë të ndryshohet mënyra e punës, arsimit, kujdesit si dhe organizimit të jetës së përditshme familjare. Duke  i marr të gjitha këto parasysh, me bindje them se  familjet shqiptare janë përshtatur mirë në vendet ku jetojnë dhe gjithnjë janë përpjekur të edukojnë brezat e rinj të rriten të ndershëm, të respektojnë të rriturit, të arsimohen, të duan punën dhe ta ushtrojnë atë. Mund të them se akoma  ka mosbarazi midis djemve dhe vajzave që vazhdon të përcillet si traditë por kjo është diçka që kërkon vemendje nga të gjithë ne dhe gradualisht së bashku të ndërgjegjësohemi për ndryshim. Kemi edhe konfliktin mes brezave që ka egzistuar që nga lashtësia dhe do jetë i pranishëm edhe në të ardhmen. Këtu duhet një kombinim pozitiv i dypalëve, duke marrë përvojat e brezit të vjetër dhe vrullin, guximin dhe energjinë e  brezit të ri për të krijuar një të ardhme të këndshme për gjeneratat e reja. Balancimi i raporteve mes brezave dhe emancipimi në emigrim janë sfidat me të cilat shpesh përballen familjet shqiptare.  

ÇFARË ËSHTË PLATFORMA SOCIALE ‘SUCCESSFUL MOTHERS’ 

“Successful Mothers” është një organizatë e cila ju ofron nënave një hapsirë të sigurtë ku ato kuptohen, vlersohen dhe respektohen duke ju vënë në pah kontributin, aftësitë dhe potencialin e tyre pa i gjykuar. Kjo organizatë inspiron nënat të jenë version më i mire i vetes së tyre jo  vetem si nëna, por gjithashtu si gra, si shoqe, dhe si qytetare të këtij globi. Tre vite më parë e kam krijuar këtë  organizatë dhe tani me krenari them se ne po zgjerojmë partneritetin globalisht me individ profesional dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Bashkëpunimi me ekspert, Universitete dhe organizata të tjera po na udhëheq në formëzimin pozitiv të së ardhmes sonë. Filozofia që ndjekim është të ndihmojmë njëri-tjetrin duke  udhëhequr pozitivisht ndryshimet me të cilat përballemi në shoqëri. ‘Successful Mothers’ është një dritare e shpresës dhe e inkurajimit për çdo shtresë të shoqërisë. Ne besojmë në krijimin e atmosferës pozitive ku pjesëmarrësit respektohen dhe vlersohen duke u dëgjuar me  kujdes për tu kuptuar. Nënat kanë aftësi të tregojnë empati pa gjykime dhe  vetëm kështu hedhet dritë në shqetësimet individuale, të cilat po nuk u trajtuan bëhen probleme në shoqëri. Vetem në këtë menyrë jepet mundësi në formimin e suksesit tek çdo njeri që hyn në këtë mjedis. Ne si nëna jemi ato që besojmë dhe masivisht kontribojmë për një botë më të mirë, prandaj duam që zëri jonë të dëgjohet, jo duke bërë zhurmë, por duke i trajtuar shqetësimet dhe problemet nga rrënjet. Një nga parimet thelbësore të ‘Successful Mothers’ është të sigurojmë që të rinjëve u është dhënë zëri në të gjitha fushat e jetës, pasi nënat janë të parat në edukimin dhe zhvillimin e  gjeneratës së ardhshme. Pikërisht për të arritur këtë ne organizojmë workshope, seminare dhe evente të ndryshme ku njëkohësisht përfshijmë edhe baballarët dhe në disa nga këto edhe vetë fëmijët, sepse së bashku arrijmë sukses. Eventet me adoleshentet kanë qenë motivuese dhe  kanë lënë mbresa në jeten e tyre, prandaj këto do vazhdojnë sapo situata të normalizohet. Në vitin e fundit aktivitetet tona në përgjithësi janë zhvilluar online pasi po kalojmë një kohë pandemie. Ne përmes këtyre uorkshopeve ‘Successful Mothers’ flet drejtperdrejt jo vetëm me nënat, por  me të gjithë familjarët, për shembujt model, konfidencen dhe ambicjet.  Gjithashtu ndihmojmë komunitetin të kuptojnë më mirë problemet dhe shqetësimet, dhe të kuptojmë se si të ndergjegjësohemi ndaj fenomeneve negative me të cilat përballemi pikërisht në situatat e  emergjencës. Angazhimi i fortë për të eksploruar, shpjeguar dhe  korrigjuar problemet sociale është rruga që ndjekim në çështjet e përmirësimit shoqëror. Problemet Sociale janë faktori kryesor që ndikojnë dhe dëmtojnë shoqërinë, prandaj synimi jonë është të ju japim një vëmendje të veçantë. Duke kërkuar mundësitë krijojmë forcë përmes vështërsive, e bëjmë të mundur udhëzimin pozitiv në ndryshimet sociale. Udhëtimi jonë filloi me biseda duke ndarë ekperiencat tona dhe përballjen me sfidat të cilat na fuqizuan më shumë drejtë suksesit. 

WORKSHOPE, SEMINARE DHE EVENTE NË NDIHMË TË KOMUNITETIT 

Disa nga workshopet janë Prindërimi Pozitiv, Komunikimi me Adoloshentët, Zhvillimi i Përformancës Personale, Këshilla Financiare. Gjithashtu po theksoj workshopin e parë- Konfidencë skills (Aftësi besimi), kemi filluar aktivitetin tonë me këtë ëorkshop të rëndësishem me qëllim që të kemi një kuptim të qartë se si të zotërojmë konfidencën në jetën personale dhe  profesionale. Pa konfidencë jeta jonë personale dhe profesionale do të vuajë. Konfidenca fillon nga besimi tek vetja. Kjo është pika që duhet dhënë shumë rëndësi pasi ka  një peshë vërtetë  të madhe. Nëse ne nuk do besojmë në veten tonë, atëherë do jetë shumë e  veshtirë për të tjerët të besojnë tek ne. Ky është një ndër workshopet që duhet përsëritur rregullisht pasi ka impakt shumë të madh tek secili nga ne. Dua të ndalem pak më gjatë edhe tek workshopi i fundit që kemi bërë online – Understanding Online Grooming (Të kuptojmë mashtrimet online). Qellimi i këtij workshopi është që prindërit të vetëdijësohen dhe të informohen me të dhënat e  fundit të rrezikut që cenohet online gjatë përdorimit të përditshëm. Paisja me informacionet e duhura,  në bazë të hulumtimeve dhe të dhënave të fundit shkencore, ndikon pozitivisht në komunitet, pasi i ndërgjegjëson familjaret të marrin masat e duhura për tu bërë pritë rreziqeve të mundshme. Fokusi është veçanarisht në sigurinë e fëmijes në internet, duke theksuar rrezikun e  mediave dixhitale pikërisht në këtë kohë të jashtëzakonshme të pandemisë ku përdorimi i internetit u rrit 50% në pjeset më të mëdha të botës. Ka boshllëqe të konsiderueshme në kuptimin tonë në lidhje me teknologjinë dixhitale dhe se si ndikon në mundësitë, rreziqet dhe mirëqënien në të gjithë globin. Zëri i prindërve dhe fëmijëve duhet dëgjuar se si ata po  balancojnë përfitimet dhe rreziqet me të cilat përballen ndërkohë që zhvillojnë shkathtësitë dixhitale. Marrja e njohurive në kuptimin e diferencës mes gabimit dhe të drejtes, po ashtu dhe  edukimi na ndihmojnë të jemi antraktiv të shoqërise, duke marrë pjesë në ndryshimet dhe  zhvillimet e vazhdueshme. Me ëorkshopet ne kemi si qëllim të ndihmojmë fëmijët dhe prindërit të ndërtojnë mendime dhe të kenë pikpamjet/opinionet e tyre në fushat e ndryshme të jetës. Në këtë mënyrë ndihmojmë komunitetin të kuptojnë shqetësimet me të cilat përballemi dhe sëbashku të krijojmë një komunitet më të sigurtë dhe paqësor. Evente speciale vjetore organizohen edhe përfesten e nënës, po ashtu edhe takimet mujore me nënat ose ndryshe këto  takime i quajmë – ‘Çaji i mbasdites’ të cilat kanë dhënë impakt kaq pozitiv në komunitet. Për  shkak të COVID-19 shumë aktivitete kanë kaluar online derisa situata të normalizohet. 

Filed Under: Featured Tagged With: FËMIJËT DHE DY GJUHËSIA, Merita Isufi, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË KANADA DHE BETEJA E SHTETIT KANADEZ NDAJ COVID-19

October 12, 2020 by dgreca

Visar Berisha, Farmacist në Silver Fox Pharmacy, Ontario, Kanada  rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Kanadasë nga Covid-19, ecurinë e infektimeve dhe trendin e shifrave. Me Visar Berisha bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SITUATA E COVID-19 NË KANADA DHE MASAT E AUTORITETEVE. 

Kanadaja është një vend federal i përbërë nga 10 provinca dhe 3 territore. Ka 3 nivele të qeverisjes (nivel federal, provincial/krahinor dhe nivel komunal) ku secili nivel qeverisës ka përgjegjësite e veta. Në përgjithësi mund të them se ka pasur një koordinim të mirë midis niveleve të ndryshme të qeverisjes në menaxhimin e situatës me Covid-19. Qeveria federale ka ndërmarrë hapa për të siguruar që sistemi shëndetësor ka mjetet e nevojshme për t’iu përgjigjur rritjes së rasteve, ka siguruar mbështetje ekonomike dhe financiare për bizneset dhe njerëzit dhe ka për detyrë të menaxhojë kufinjtë. Që nga Janari 2020 e deri sot (10 Tetor 2020) në Kanada ka pasur 173,604 raste dhe 9,574 vdekje si pasojë e Covid-19.  Nga këto shifra, 81,914 raste dhe 5,906 vdekje janë nga provinca e Quebec-it.  Quebec-i është provinca më e prekur në Kanada nga Covid-19. Në provincen ku jetoj unë (Ontario), qeveria provinciale ka ndërmarrë masa të ndryshme për të siguruar që rastet të mbahen të ulëta dhe sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet. Disa nga këto masa kërkojnë që njerëzit të mbajnë maska të fytyrës ​​në vende ku distancimi nuk është i mundur. Është kufizuar numri i njerëzve në restorante dhe ka patur fushata ndërgjegjësimi se si të veprojmë në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e virusit. Së fundmi, shkollat ​janë rihapur për studentët me protokolle të rrepta, për të zvogëluar gjasat e shpërthimit të rasteve. Prindërit kanë mundësinë ti mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi dhe janë krijuar mundësi që shkollimi të ofrohet mes internetit dhe disa prindër e kanë zgjedhur këtë mundësi. Duhet thënë që jo gjithçka ka shkuar normalisht. Pas 3 muajsh me numër të rastëve relativisht të ulët, ne po fillojmë të shohim një rritje të rasteve në Ontario të ngjashme me ato në mes të Prillit 2020. Qeveria e Ontarios tashmë po flet për rikthimin e disa prej kufizimeve që patëm gjatë muajve Mars,Prill dhe Maj, nëse numri i rastëve vazhdon të rritet.

NDIKIMET E COVID NË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR

Sa i përket shëndetit mendor, përveç distancimit social, situata e krijuar nga Covid-19 mund të shkaktojë frikë dhe shqetësim për shëndetin tonë apo shëndetin e të dashurve tanë. Njerëzit gjithashtu shqetësohen për gjendjen e tyre ekonomike pasi shumë njerëz kanë humbur vendet e punës. Këto frikëra dhe shqetësime ndikojnë në cilësinë e gjumit, mënyrën e ushqyerjes, përkeqësimin e problemeve shëndetësore kronike dhe në ngritjen e përdorimit të alkoolit, duhanit apo substancave të tjera. Në një sondazh të kryer nga Centre for Addiction and Mental Health shihet se kishte një rritje të ndjeshme të ankthit gjatë muajit  Maj (kur numri i rasteve ishte akoma i lartë) krahasuar me muajt vijues. Disa nga këto frikëra dhe reagime burojnë nga kuptimi i vërtetë i rreziqeve, por shumë nga këto reagime ushqehen gjithashtu nga thashethemet dhe dezinformatat. Për këtë arsye rekomandohet që të qëndroni të informuar por shmangni ekspozimin e tepruar ndaj mbulimit mediatik të COVID-19. Kur keni nevojë për informata të sakta, vizitoni faqet e besuara si për shembull faqet e autoriteteve lokale të shëndetit. Për shqipfolësit, kemi krijuar një platformë (www.heda.al) inovative që ka si mision shpërndarjen e informacioneve të sigurta me qëllim promovimin e shëndetit të mirë e të sigurtë për të gjithë. Nëse ju apo një i dashuri juaj ka vështirësi me shëndetin mendor, Centre for Disease Control (CDC) ka përpiluar një listë të burimeve (https://www.cdc.gov/coronavirus/2019-ncov/daily-life-coping/managing-stress-anxiety.html) të cilat njerëzit mund të kenë qasje për të kërkuar ndihmë. Sa i përket ndikimit të Covid-19 në martesë, nuk ka studime të mirëfillta që tregojnë rritje të divorceve gjatë Covid-19. Megjithatë, ka pasur raporte të rasteve të divorcit si rezultat i Covid-19. Arsyeja themelore e këtyre divorceve ka qenë prezenca e dallimeve të mëdha midis të përfshirëve edhe para Covid-19 dhe se izolimi ka nxjerrë këto dallime në sipërfaqe. Çiftet që nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin këto dallime kanë arritur në përfundimin se divorci është e vetmja rrugë përpara.

SITUATA E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË KANADA

Komuniteti shqiptar në Kanada është ndikuar pak a shumë në të njëjtën mënyrë si Kanadezët e tjerë. Disa sfida unike që i përkasin komunitetit tone është se njerëzit nuk kanë qenë në gjendje të vizitojnë familjet e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe viset e tjera shqiptare për shkak të masave kufizuese për udhëtim. Përveç kësaj, ngjarjet e komunitetit që mbahen zakonisht gjatë vitit natyrisht që janë anulluar.  

A KA VALË TË DYTË COVID? SA TË RREZIKUAR JEMI BASHKË ME GRIPIN E STINËS?

Shumë epidemiologë pajtohen se do të kemi rritje të rasteve të Covid-19. Sipas të dhënave të fundit në Ontario, ku tani kemi mbi 700 raste në ditë, mund të argumentohet se vala e dytë vetëm ka filluar.  Parashikimet sugjerojnë që Ontario mund të ketë rreth 1,000 raste në ditë në gjysmën e parë të Tetorit. Këto shifra janë të ngjashme me shifrat e valës së parë. Rritja në raste mund të shpjegohet nga faktorë të shumtë. Së pari, ka një lodhje nga izolimi midis të rinjve që nuk u përmbahen rekomandimeve nga agjencitë lokale të shëndetit publik. Në Ontario, njerëzit e moshave midis 20-39 vjeç paraqesin rritjen më të madhe në rastet e Covid-19 kohëve të fundit. Përveç kësaj, të rinjtë besojnë se për shkak se nuk kanë sëmundje kronike nuk do të ndikohen negativisht nga Covid-19. Problemi është se këta njerëz ndihmojnë në përhapjen e virusit që mund të prekë të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike ku dihet se pasojat janë tepër të rënda. Faktorë të tjerë për rritje të rasteve kohët e fundit është se disa nga kufizimet nga vala e pare janë relaksuar. Megjithatë, Covid-19 vazhdon të jetë i rrezikshëm dhe për  këtë arsye është e rëndësishme që të vazhdojmë të ndërmarrim hapa për të parandaluar përhapjen e Covid-19, masa  si larja e duarve, mbajtja e distances nga njerëzit e tjerë, mbajtja e maskave të fytyrës në vende publike etj. Gripi i stinës  komplikon gjërat pasi disa nga simptomat e gripit sezonal janë të ngjashme me ato të Covid-19 dhe shkaktojnë panik tek ata që shfaqin simptoma të tilla. Mënyra më efektive për të parandaluar gripin sezonal është marrja e vaksinës kundër gripit. Kur vaksinoheni, ju zvogëloni rrezikun që të sëmureni me grip dhe ndoshta të  shtroheni në spital ose të vdisni nga gripi. Këtë sezon, marrja e një vaksine gripi ka përfitimin e shtuar të zvogëlimit të barrës së përgjithshme në sistemin shëndetësor dhe kursimit të burimeve mjekësore për kujdesin e pacientëve COVID-19. Aktiviteti i gripit fillon të rritet në muajt Tetor dhe Nëntor, arrin kulmin midis Dhjetorit dhe Shkurtit dhe mund të zgjasë deri në Maj. Pas vaksinimit, duhen mesatarisht 2 javë që trupi të krijojë imunitet (antitrupa specifikë) kundër infeksionit. Gjatë kësaj periudhe, vaksina e gripit nuk siguron mbrojtje ndaj virusit. Prandaj rekomandohet që vaksinimi të kryhet pak më parë se virusi i gripit të përhapet. Muajt ideal për tu vaksinuar janë Tetor – Nëntor, por vaksinimi mund të kryhet edhe më vonë. Për më shumë detaje rreth vaksinimit të gripit, kemi një artikull në faqen Heda ku lexuesit e Diellit mund të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth gripit sezonal dhe vaksinimit për mbrojtje nga gripi.  

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Mesazhi im për lexuesit e Diellit dhe Diasporën shqiptare është që të vazhdojnë ti përmbahen udhëzimeve të agjencive të shëndetit publik në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e Covid-19. Gjithashtu, unë do t’i rekomandoja njerëzit që të marrin vaksinen e gripit sezonal për arsyet që përmenda më lart.  Së fundmi, situata e krijuar nga Covid-19 ka shkaktuar shumë stres për shumë njerëz. Me këtë në mendje, ju lutem bëni kohë të kujdeseni për veten dhe ata përreth  jush. Gjeni kohë për të bërë ato gjëra që gjithmonë ju pëlqejnë t’i bëni. Kushtojini vëmendje llojeve të ushqimit që hani dhe përpiquni për të përfshirë ushqime të shëndetshme në dietën tuaj. Nëse keni vështirësi, kontaktoni ata që u besoni dhe kërkoni ndihmë dhe mos vuani vetëm.  Ju falendëroj përzemërsisht për vëmendjen tuaj. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Kanada, Sokol Paja, Visar berisha

FINLANDË, SHKOLLA SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR

October 10, 2020 by dgreca

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË-

Ragip Kçyku, bashkëpunëtor i jashtëm i Këshillit Kombëtar të Arsimit në Finlandë dhe si ish mësues i gjuhës shqipe në Finlandë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Finlandë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Ragip Kçykun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET DHE FUNKSIONON MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË

Sikur të gjitha vendet Skandinave përveç Islandës, mësimin e gjuhëve të minoritarëve emigrantë dhe të natyralizuar në shtetas të vendit ku jetojnë, mësimin e organizon shteti. Numri i nxënësve, dallon nga komuna, bashkia në bashki. Fillon nga grupi i detyrueshëm nga 5 nxënës për dy orë mësimi në javë, deri në grupin 10 nxënës. Mësimi zhvillohet ditëve të rregullta të punës në shkollat publike. Ky është një privilegj që kanë edhe shqiptarët si të gjitha kombet e tjera, të ardhur vonë dhe romët të ardhur para 200 vitesh. Edhe mësuesit janë të mbuluar nga shteti. Ky rregull vlen për Finlandën sa i përket të drejtës së numrit të domosdoshëm të nxënësve, ndërsa shtetet e tjera kanë rregulla të tjera. Psh. Në Suedi, çdo nxënës i ka të garantuara 15 min në javë gjuhë amtare dmth, nuk mbetet as një nxënës i papërfshirë po pati vullnetin prindi. 

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, NXËNËSIT DHE KURRIKULAT MËSIMORE

Mësimi shqip zhvillohet në disa qytete, por në jug të Finlandës janë më të përqëndruar shqiptarët: Helsinki, Espoo, Vanta, Kirkonumi, Hyvinka, Porvo, dhe në veri të Finlandës Vasa, Oullu dhe Usi Karleby. Kurrikulat janë bërë nga vetë mësuesit. Sillen modele nga Këshilli Kombëtar i Arsimit. Ne u japim frymën shqipe. D.m.th. Gramatikë, histori, gjeografi, edukim qytetar, dhe artet. Çdo gjë e kontrollueshme dhe më cilësore se plan-programet shqiptare-kosovare. Një racionalitet i skajshëm dhe në thelb del më kombëtare se kombëtarja shqiptare e dhënë në nivel shumë të ulët profesional (pedagogjik, didaktik dhe metodik). Ndërsa përfshirja sillet rreth 300- 350 nxënës që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Sipas përfshirjes në përqindje qëndrojmë në nivel të lakmueshëm në krahasim me vendet e tjera. Finlanda është mërgata më e re në Evropë dhe mezi kalojmë 10 000 shqiptarë nga i i gjithë gadishulli Ilirik. 

GJUHA SI IDENTITET KOMBËTAR DHE SHQIPTARËT NË FINLANDË

Po, i gjithë plan programi përfshin ne të tema nga gjuha, gjeografia, historia dhe kultura shqipe. Këtu janë edhe aktivitetet për e organizuara: mësues, nxënës dhe prind, me rastin e festave të ndryshme shtetërore dhe kombëtare. Ka shqiptarë të suksesshëm sidomos në fushën e biznesit dhe të sportit. Kemi tre-katër futbollistë që luajnë për ekipin shtetëror: Shefki Kuqi për disa vitte ka qenë qendërsulmues, pastaj vijnë vëllezërit Hetemaj, Aunor Zeneli, Lum Rexhepi etj. 

PROBLEMATIKA TË MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË

Si gjithmonë shqiptarë të ngathët. As me dashuri as me refuzim total. Dëmin më të madhin ia sollën grupet e xhihadit që i përpinë fëmijët tanë me prindër të paarsimuar. Si të tillë më parë preferojnë xhaminë sesa shkollën. Për ironi, shprehen se e dinë shqipen? Edhe lakmia për t’i bërë fëmijët të famshëm në sport, e ka dëmtuar në masë të madhe vijueshmërinë e mësimit shqip. “valla ka ushtrime djali në këtë kohë, nuk muj me prue”. Është më shumë një pretekst sa për të larguar turpin prej veti. Projektet që janë bërë: Më 1995 në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit  Finlandë, kemi realizuar projektin për dy fjalorë lëndorë  të vlefshëm për të gjitha nivelet, deri në universitet. Fjalorët finlandisht-shqip për matematikë dhe dykrahësh një fjalor për Histori, gjeografi dhe biologji në shqip-finlandisht. Projekti i dytë është “Ç’bend”, në kuptimin i bukur, i mrekullueshëm. Për shqiptarët me emrin “Qerdhja e shqiponjave”. Pesë përralla kombëtare në tri gjuhë: shqip-finlandisht-suedisht. Të lexuara shqip. 5 këngë për fëmijë të kënduara, të regjistruara në manjetofon, atëherë në “kaseta” dhe të botuara. Disa lojëra fëmijësh etj. Projejti i fundit para katër vitesh është mësimi elektronik për gjuhën shqipe. Projekti për shqiptarët quhet ditët e Dardanit. “Udhëtimi” fillon nga qendra e Tiranës, Sheshi Skënderbej. Ky është një projekt i Ministrisë së Arsimit të Finlandës. Me ilustrime dhe me lexim tekstesh të disa fushave leksikore, si leksiku urban,  arsimor, gjeografik, bujqësor, i kuzhinës, i shtëpisë etj.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Merrni mësim nga Konica, Noli dhe klasikë të tjerë. Diaspora e re e SHBA-ve është më e dobëta nga të gjitha diasporat e botës që atje jetojnë dhe veprojnë. Është diasporë tejet e ngathët. A nuk është për turp që përveç Dioguardit nuk kemi as një Senator. Tani nuk është as Dioguardi i madh. Madje ai nuk është prodhim i gadishullit Ilirik. Është i atij Apenin, sado që është një arbëresh që nuk di as dialektin arbëresh. Ky është barometri i pagabueshëm që ne shqiptarët nuk jemi fare të zgjuar as punëtorë. Në zgjedhjet e fundit votat i fituan dy afrikanë. Madje të diasporës më të re afrikame. Shqiptarët nuk kanë kohë, si duket zënkat mes vete ua martin kohën dhe energjinë. Si gjithkund shqiptarëve iu mjafton vetvetja me debate në kafene dhe si shikues në kazanet e pista të Tv-të e gjuhës shqipe. 

Filed Under: Featured Tagged With: Finlande, Shkolla shqipe, Sokol Paja

ELMI BERISHA: VATRA RESPEKTON INSTITUCIONET E ZGJEDHURA NGA SHQIPTARËT

October 9, 2020 by dgreca

-TIRANA E PRISHTINA ME AXHENDË TË PËRBASHKËT DIPLOMATIKE-

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elmi Berisha në një intervistë me gazetarin e DIELLIT  SOKOL PAJA, flet për vizitën e tij në Republikën e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai tregon për takimet e Prishtinës dhe të Tiranës, për Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës.

Po ashtu ai sqaron edhe takimin me Kryeparlamentarin socialist Gramoz Ruçi, ish Ministër i fundit i Diktaturës, i akuzuar për vrasjet e 2 prillit.

Z.Kryetar si ndjeheni pas kthimit të vizitave zyrtare në Kosovë dhe Shqipëri?

Mendoj se ishte një vizitë e jashtëzakonshme. Ndjehem shumë mirë dhe shumë krenar. Gëzohem për veten dhe për Vatrën. Kam hasur në një bashkëpunim dhe respekt të jashtëzakonshëm në kuadër të nismës që Vatra ka marrë për të qenë aktive dhe lobuese në dobi të shtetit të Kosovës e Shqipërisë dhe për të të mirën e shqiptarëve në krejt viset ku ata jetojnë e punojnë. Jam respektuar si kryetar i Vatrës prej të gjithë faktorit politik si në Shqipëri dhe në Kosovë, si  nga pozita dhe nga opozita.

Sa mendoni se e kanë përmbushur misionin politik, diplomatik dhe atdhetar këto dy vizita në Tiranë dhe Prishtinë?

Jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme të pandemisë globale. Gjithçka nuk funksionon normalisht. Gjatë gjithë kësaj kohe Vatra është munduar të përmbushë misionin dhe rolin e saj Kombetar, diplomatik në përmbushje të nevojave të Vatrës, komunitetit vatran dhe mbi të gjitha qytetarëve shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri. Jemi duke punuar fort dhe kemi një program dhe axhendë kombëtarë e ndërshtetërore për të ndihmuar reciprocikisht kryerjen e reformave si në Shqipëri dhe në Kosovë. Vatra po luan një rol jashtëzakonisht të madh në këto kohë edhe pse situata globale na ka kufizuar në veprimtarinë tonë. Koha në të cilën jetojmë na obligon fort të jemi sa më afër nevojave dhe rolit të pakursyer diplomatik e atdhetar në dobi të çështjes kombëtare e qytetarëve të kombit tonë. Mendoj se jemi në rrugën  e mbarë. Kemi shumë për të  bërë…

Cilat ishin mesazhet që ju përcollët në emër të Vatrës për shtetarët në Kosovë dhe Shqipëri?

Mesazhi kryesor i Vatrës për institucionet e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë tek liderët  e  skenës politike në të dy vendet ishte uniteti për çështjen Kombëtare, bashkëpunimi, qasja shtetformuese dhe ndihma e të gjithë faktorëve politik për zhvillimin e vendeve tona dhe roli i secilit institucion dhe individ  me peshë politike në kryerjen e reformave dhe në zhvillimin e vëndeve tona si në Shqipëri dhe në Kosovë.  Ndërtimi i një ekonomie të fortë, lufta e pakompromis ndaj krimit dhe fenomeve që ngadalsojnë avacimin dhe zhvillimin e reformave. Qasja diplomatike e përbashkët dhe qëndrimi i njëjtë në raport me dialogun me Serbinë dhe të qënurit bashkë në të gjithë proceset integruese me të cilat përballet shteti i Kosovës dhe Shqipërisë.Kordinim mbarëkombëtar mes dy  vendeve tona. 

Si i vlerësoni hapat e Shqipërisë dhe të Kosovës në proceset integruese euroatlantike?


Hapat e Shqipërisë dhe të Kosovës në proceset integruese euroatlantike janë të ngadaltë e për këtë nevojitet akoma më shumë lobim në Uashington dhe në Perëndim dhe në kancelaritë e vendeve të fuqishme perëndimore. Vatra ka ofruar gjithmonë dhe do të ofrojë eksperiencën, ekspertizën, personalitete profesionistësh te formuara në Amerikë dhe vatranët e spikatur në dobi të përmbushjeve  të reformave dhe të një ndihme më të specializuar në përmbushje të nevojave që kanë institucionet në  Shqipëri dhe në Kosovë. Qeveritë kanë akoma shumë për të bërë. Vatra do ta luajë shumë fort rolin e saj. Për asnjë moment ne nuk do ndalemi me qëllim që të shohim Shqipërinë e  Kosovën  përkrah shteteve më të zhvilluara në Ballkan e në Perëndim.

Roli diplomatik i Vatrës në Shtëpinë e Bardhë, Shqipëria e Kosova a janë më afër apo më larg Uashingtonit?


Roli diplomatik i Vatrës në Shtëpinë e Bardhë është historik. Si kurrë më parë gjatë kësaj periudhe  të ngjarjeve dhe zhvillimeve, Shqipëria e Kosova nuk  e kanë pasur një qasje të tillë në Uashington. Kombi ynë dhe shtetet tona janë më shumë  se ansjëherë tjetër më afër    Uashingtonit. Shqiptarët janë një faktor i paanashkalueshëm. Vatra ka asistuar dhe do të jetë  gjithmonë aty në proceset e mëdha diplomatike, politike  e  zhvillimore të shteteve tona Kosovë e Shqipëri. Ju garantoj se Vatra është shumë e pranishme  në Uashington dhe do të jetë aty me fuqinë e saj lobuese sa në të mirë dhe prosperitetit të Kosovës dhe Shqipërisë. 


Roli diplomatik e specifik i Vatrës në bisedimet Kosovë-Serbi në Uashington, çfarë u diskutua si u këshillua delegacioni kosovar në këto bisedime?

Vatra lëshoi prerazi këshillimin e saj për delegacionin e Kosovës që të jetë unik, që të veprojnë sëbashku si një trup i vetëm pozitë dhe opozitë. Vatra ishte kategorike që të mos preken kufijtë e Kosovës dhe që Kosova të jetë e pavarur dhe e paprekshme në kufijtë që u shpall pavarësia dhe në kufijtë që ajo është njohur botërisht.  


Çfarë përmban memorandumi i mirëkuptimit mes Vatrës dhe Ministrisë së Jashtme e të Diasporës së Kosovës, që ju dhe Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla nënshkruat?

Memorandumi i mirëkuptimit mes Vatrës dhe Ministrisë së Jashtme e të Diasporës së Kosovës në thelb është një strategji mbarëkombëtare intgeruese që identifikon të gjitha nevojat tona si komb dhe si shtete në mënyrë që të ofrojmë bashkëpunim dhe ekspertizë  me qëllim që  të  jemi dinjitozë dhe të zhvillojmë politika të përbashkëta zhvilluese në të mirë të kombit e qytetarëve që jetojnë në shtet tona Shqipëri e Kosovë. Qëllimi i këtij memorandumi është qëllimi i vullnetit të  mirë dhe bashkëpunimit e lobimit reciprok në proceset zhvilluese dhe integruese. Ne do të ofrojmë për shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë ekspertët tanë, akademikë, profesorë, kërkues shkencorë në përmbushje të nevojave që do të paraqiten në raport me nevojat dhe proceset zhvilluese. 
–A jeni konsultuar me Strukturat drejtuese të Vatrës, Kryesinë e Këshillin për axhendën diplomatike në Shqipëri dhe Kosovë?


Sigurisht që jam konsultuar me Strukturat drejtuese të Vatrës, Kryesinë e Këshillin për axhendën diplomatike në Shqipëri dhe Kosovë. Që pas ardhjes sime në krye të Vatrës axhenda e kryetarit dhe Federatës së Vatrës ka qenë në rakordim të plotë dhe e miratuar prej të gjitha strukturave drejtuese  të Vatrës. Asnjëherë nuk janë anashkaluar strukturat dhe gjithmonë do të pyetën. Për shkak të pandemisë globale dhe kushteve të jashtëzakonshme të fluturimit  dhe protokolleve  shtetërore të  masat parandaluese të Covid-19, kësaj herë kam udhëtuar i vetëm  në Shqipëri dhe Kosovë por në kushte normale gjithmonë do kem përfaqësinë më dinjitoze të Vatrës në çdo strukturë të saj në çdo takim politik, diplomatik dhe atdhetar. Kësaj herë udhëtova i vetëm sepse nuk doja të rrezikoja jetën e miqve, bashkëpunëtorëve dhe drejtuesve të Strukturave drejtuese të Federatës Vatra. Unë veproj si Institucion, unë veproj si Vatër, kudo ku kam shkuar kam paraqitur Vatrën. Por nevojat dhe rregullat strikte të autoriteteve ndërkombëtare shtetërore e shëndetësore më detyruan të mos kem me vete bashkëpunëtorët më të afërt dhe përfaqësuesit më të nderuar të  Vatrës.  Mesazhet në Prishtinë dhe në Tiranë kanë qenë mesazhet e drejtuesve dhe e strukturave të Vatrës dhe mesazhet publike atdhetare  e diplomatike që ka  anonçuar Vatra. Unë gjithçka e kampublike të deklaruar në Vatër. Nuk ka asgjë përtej publikes dhe nismave politike e diplomatike të Vatrës.     

Çfarë ju tha Doktor Sali Berisha në darkën e shtruar në nderim të vizitës suaj në Shqipëri?

Doktor Berisha shprehu vlerësimet maksimale për Federatën Panshqiptare Vatra. Ai u shpreh falenderues dhe entuziast për gjithçka ka bërë Vatra dhe projektet e saj në vazhdim. Unë e informova doktor Berishën për veprimtarinë dhe axhendën kombëtare që ka Vatra në vazhdim. Doktor Berisha ishte shumë i emocionuar dhe më shprehu përkrahje të jashtëzakonshme. Ishte në pajtueshmëri dhe në të njëjtën linjë veprimi diplomatike me veprimtarinë e Vatrës. Dua ta falenderoj doktor Berishën, Bashën dhe Partinë Demokratike në Shqipëri si mbështetëse dhe përkrahëse e fortë e filozofisë, punës, e misionit politik e diplomatik të Vatrës. 


Jeni takuar me Ministrin e fundit të Diktaturës shqiptare, kryeparlamentarin Ruçi, kjo ka shkaktuar zemërim te vatranët e përndjekur nga regjimi komunist, cili është shpjegimi juaj rreth këtij takimi?

-Ky ishte një takim diplomatik e kortezie. Unë jam kryetar i një organizate mbarëshqiptare. Unë nuk mund të veproj me dy standarte. Unë  si Vatër, si institucion takoj  institucione, jo individë. Ruçin  aty ua gjeta aty ua lashë. Unë respektoj ato institucione që janë zgjedhur me votë nga qytetarët  e  Shqipërisë dhe të Kosovës. Nëse ka pasur vatranë të prekur më vjen keq por këta Vatranë kanë mundësinë dhe duhet që të influencojnë në Shqipëri e Kosovë që familjarët dhe qytetarët e këtyre dy shteteve të zgjedhin një qeverisje më të mirë e më dinjitoze. Unë jam në  diplomaci që tash 30 vjet. Kurrë në parimet e mia nuk ka qenë standarti i dyfishtë në diplomaci apo veprimtaritë patriotike e atdhetare. Është koha të ecim përpara. Është koha për paqe dhe zhvillim. Është koha të ringrihemi nga e kaluara dhe të shohim përpara. Edhe unë kam 6 familjarë të vrarë e te zhdukur nga regjimi serb por kjo s’më pengon për tu ulur në bisedime  me Serbinë me qëllim prosperitetin dhe zhvillimin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Prezencën  e Vatrës në Uashington nuk  mund ta rrezikoj duke vepruar keq diplomatikisht. Vatra duhet të respektojë ato institucione që shqiptarët i kanë zgjedhur me votën  e tyre. Vatra nuk takon  individë, Vatra takon institucione. Vatra nuk saboton apo sulmon ato institucione që i ka njohur Uashingtoni apo Perëndimi. Vatra do të respektojë gjithmonë institucionet  e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë perderisa ato janë votuar nga qytetarët. Nuk është etike, diplomatike, patriotike dhe totalisht jo perëndimore dhe në frymën e Uashingtonit që të sulmojmë institucionet e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë pavarësisht se nga kush drejtohen. Vatra nderon e  respekton institucionet e votura. Nëse unë anashkaloj institucione të pranuara nga perëndimi dhe të votuara nga populli, kam bërë një hap fals në diplmaci. Kam 30 vjet në diplomaci aktive në Uashington.  Standartet e dyfishta janë të papranueshme në diplomaci. Unë dua të kuptohem dhe të mirëkuptohem për këtë axhendë si në Kosovë dhe në Shqipëri. 


Si e vlerësoni punën e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë në përballje me pandeminë globale Covid-19?


Ka  qenë një situatë shumë e rëndë dhe e vështirë për të dyja këto shtete. Kanë bërë maksimumin brënda kapaciteteve por  është dashur edhe më shumë. Shpresojmë që situata të normalizohet sa më shpejt dhe jeta të kthehet në shkëlqimin e saj si më parë. Sapo të kthehemi në normalitet Vatra do jetë aty me ekspertët e saj më të mirë në ndihmë dhe rimëkëmbje të instituteve dhe instucioneve shëndetësore e shtetërore.  


Si e vlerësoni përformancën informative dhe analitike të gazetës Dielli përgjatë pandemisë globale Covid-19?

Gazeta Dielli ka bërë një punë fantastike. Një performancë  ekslente. Na ka bërë të gjithëve  krenarë me atë që ka paraqitur në faqet e saj dhe formatin online. Si kurrë më parë në këtë periudhë mendjet më të ndritura dhe ekspertët shqiptarë më të spikatur në  botë  dhanë një  ekspertizë shumë të vyer për lexuesit dhe vatranët. Ne jemi shumë krenar për këtë. Ky ishte një moment krenarie për këtë gazetë shekullore. Kryeredaktori i saj z.Greca me bashkëpunëtorët e tij punuan e vepruan pa u ndalur. Ata meritojnë nderimet e mia më të thella dhe respektin e gjithë komunitetit e vatranëve. Dielli shëndriti kudo dhe këdo. Dielli na përfaqësoi në mënyrë brilante.

Jeni vlerësuar nga Universiteti Luarasi me  Titullin e lartë “Honoris Causa” dhe keni  nënshkruar një kontratë për sponsorizimin e kolanës së historisë së Vatrës në 5 vëllime , si ndjeheni pas këtij rezultati personal dhe vatran?

Ishte një surprizë jashtëzakonisht e këndshme. Nuk e kam pritur. Ndihem i respektuar dhe i privilegjuar. Do ta mbaj me krenari dhe dinjitet këtë nderim shumë të lartë. Ky është një titull që nderon Vatrën dhe kontributin e saj historik. Nënshkrimi me miqtë e mi sponsorizues dhe Akademikun e nderuar Prof. Dr. Beqir Meta për kolanën e historisë së Vatrës me 5 vëllime i jep një dimension të ri shkencor Vatrës, veprimtarisë, historisë dhe rolit e kontributit të saj historik në dobi të çështjes kombëtare shqiptare. Gjatë qëndrimit tim në Tiranë u mundësuan nga miqtë e mi 20 mijë dollarë për të përmbushur një detyrim të jashtëzakonshëm të botimit të historisë  së Vatrës. Suksesi  i Vatrës është një sukses për të gjithë shqiptarët. Sapo të kthehemi në normalitet së bashku me një përfaqësi të gjërë të Vatrës do të vizitojmë Tiranën e Prishtinën për të parë nga afër ecurinë e sukseseve, përparimin e vendeve tona dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Kjo është Vatra e shekullit të 21 që respekton qeveritë e zgjedhura me vota  demokratike. Ne do të lobojmë e influencojmë  në qëllim të mirë të axhendës kombëtare  patriotike  në Perëndim dhe Uashington.  

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Interviste, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT