• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJYKATA SPECIALE KUNDËR PAVARËSISË SË KOSOVËS E DINJITETIT TË LUFTËTARËVE

December 7, 2020 by dgreca

Avdyl Krasniqi, Kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega Fushë Kosovë, në një rrëfim ekskluziv me gazetarin Sokol Paja, për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Gjykata Speciale po bën një spektakël të përgatitur nga qarqet ruse në bashkëpunim me serbët, për të njollosur dhe nëpërkëmbur Kosovën e Pavarur dhe luftën e shenjtë të UÇK-së. Akuzat e Speciales janë akuza të shpifura dhe të pabaza kundër krerëve të UÇK-së, kundër shtetit tonë, sakrificës sonë dhe dinjitetit tonë.

ARRESTIMET NJË SPEKTAKËL I SHËMTUAR

Arrestimet i kemi përcjellur me shumë  shqetësim. Zhvillime këto shqetësuese për çdokënd që e ndjen vetën shqiptar. Është një spektakël i përgatitur  nga qarqet ruse në bashkëpunim me serbët, për të njollosur dhe nëpërkëmbur Kosovën e Pavarur dhe luftën e shenjtë të UÇK-së. Pikësynim i kësaj Gjykate me iniciativën ruse ishte akuzimi i krerëve të UÇK-së për trafikimin e organeve njerëzore “Shtëpia e verdhë”, gjë e cila nuk u dëshmua se ka trafikim organesh njerëzore apo “Shtëpi të verdhë”, por kishte akuza të shpifura dhe të pabaza kundër krerëve të UÇK-së, kundër shtetit tonë, sakrificës sonë dhe dinjitetit tonë.

NJË PADREJTËSI NË DËM TË SHQIPTARËVE TË KOSOVËS

Mendoj që Evropa po bën shumë padrejtësi në dëm të shqiptarëve, duke filluar nga kushtet dhe kërkesat e vazhdueshme për lëvizjen e lirë dhe anëtarësimin në BE, faktorizimin e serbisë dhe fshehjen e krimeve, ku dihet se ende ekzistojnë shumë persona të pagjetur dhe përgjegjës për këtë është vetë shteti serb. Po kjo Evropë në krye me Dick Marty, ra nën ndikimin e iniciativës ruse ku me 25 janar 2011, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, aprovoi në formë të rezolutës raportin e Dick Martyt.

AKUZAT NDAJ UÇK TË PAVËRTETA

Lirinë dhe shtetin e kemi fituar falë qëndresës dhe luftës së shenjtë të UÇK-së, ndihmuar nga shtete aleate. Por, t’i akuzosh krerët e UÇK-së apo më meritorët e lirisë me akuzën “Ndërmarrje e përbashkët kriminale” dhe shumë shpifje dhe akuza të tjera të pabaza, e tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj Gjykate e cila është e njëanshme, e kundërligjshme, e drejtuar vetëm ndaj  luftëtarëve të UÇK-së. Këto aktakuza janë të pabaza dhe pa fakte të cilat janë përgatitur nga qarqet serbe dhe disa shqipfolës për të njollosur luftën e shenjtë të UÇK-së, luftë e cila mobilizoi faktorin ndërkombëtar në krye me NATO-n, duke ditur se ishte luftë e drejtë dhe e pabarabartë në raport me forcat serbe.

BARAZIMI I AGRESORIT ME VIKTIMËN NJË TURP

Barazimi i agresorit me viktimën jo vetëm që është e turpshme, por edhe shumë e rëndë për popullin dhe familjarët ku dihet se nga shteti serb nën komandën e paramilitarëve janë kryer mbi 400 masakra ndaj civilëve shqiptarë, kemi mbi 13000 civil të vrarë, 1392 fëmijë ku prej tyre 296 fëmijë nën moshën 5 vjeç, 1882 burra të vrarë mbi moshën 65 vjeç, mbi 20000 dhunime. Të gjitha këto janë kryer gjatë luftës në Kosovë dhe adresa e tyre është shteti agresor serb.

SITUATA SOT NË KOSOVË E RËNDUAR

Është një situatë e rënduar dhe një lëkundje e besimit ndaj shteteve evropiane, apo ndaj asaj Evropës së vjetër e cila na ndau dhe na copëtoi në shumë shtete. Reagimet e njerëzve ishin të ndryshme, por thirrja për qetësi dhe maturi e krerëve të shtetit ndikoi në uljen e gjakrave, por mllefi dhe kujtesa na çon në vitet e 90-ta të arrestimeve.

PROTESTA E PETICIONE

Është kohë e ndjeshme, për shkak të pandemisë ju kemi ikur protestave por nuk përjashtohet mundësia e protestës. Ne si OVL i kemi dorëzuar peticionet me mbi 230000 nënshkrime tek Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kundër raportit të Dick Martyt. Përgjegjësinë për zhvillimet e mëtejshme e merr Këshilli i përgjithshëm i OVL-së, rreth aktiviteteve të ardhshme.

Filed Under: Featured Tagged With: Avdyl Krasniqi, GJYKATA SPECIALE, Sokol Paja, UCK-ja

Gjykata Speciale nuk mund të marrë me vete Shtetin e Kosovës

September 29, 2020 by dgreca

-Rithemelimi i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë është emergjencë për të shpëtuar Shtetin e Kosovës-

– Meqë Mandati i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë i ka  mbaruar afati që në Gusht, ajo duhet të rithemelohet urgjentisht dhe t’i jepet një mandat i gjerë me ekspertë të Departmentit të Drejtësisë së Amerikës e me ndihmën e Presidentit Trump.

Nga Ajet Delaj- New York –

Arrestimi i gjygjtarve apo prokurorët që kanë pasur mundësi për ti nxjerrë nga gjykata speciale këto dokumente është domosdoshmëri pasi Gjykata Speciale nuk mund të marrë me vete Shtetin e Kosovës.

Të deklarohet nëse gjykata speciale ështe thyer fizikisht si ndërtesë ose të arrestohen ata që kanë abuzuar me detyrën nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar cfarë mund të shpëtohet.

Këtë duhet ta bëjnë institucionet e Kosovës pasi Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës e në këto kushte Gjykata  Speciale ka konflikt interesi. 

Nuk e kanë  detyrim ligjor organizata e veteranëve të luftës e as gazetarët që të ruajnë dëshmitarët e Gjykatës Speciale.

Zotërinj të Gjykatës Speciale po luani me fatet e Shtetit të ri të  Kosovës dhe këtë institucionet e Kosovës nuk duhet ta lejojnë.

Nëse Gjykata Speciale e Hagës në Kosovë nuk arreston abuzuesit e saj me detyrën  e shenjtë të dhënies së drejtësisë atëherë kjo Gjykatë nuk është e besueshme për askënd në vendimet e saj të mëtejshme.

Unë  i bëj thirrje institucioneve të Kosoves që në bashkëpunim me istitucionet Amerikane të rithemelojnë Gjykatën Speciale së bashku me korigjimin e nevojshëm jo si gjykata për krime etnike por për një gjykatë speciale për të gjitha krimet e ndodhura në Kosovë madje edhe para luftës pasi krime kundër njerzimit futen edhe helmimi i fëmijve të Kosovës .

Së bashku me rithemelimin e Gjykatës Speciale parlamenti i Kosovës të autorizojë Prokurorin e Përgjithshëm të Repuplikës së Kosovës që të fusin nën hetim të tërë stafin aktual të Gjykatës Speciale.

Kriminelët e luftës duhet të përballen me drejtësinë pamvarsisht  se të cfarë etnie janë dhe kur i kanë bërë krimet.

A ka krim më të madh kundër njerëzimit se masakrimi I familjarve të Adem Jasharit duke përfshirë gra e fëmijë.

Politikanë të Kosovës bëhuni serioz e dilni për Zot gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës, bëhuni avokatë të martirëve!

   Rithemelimi i Gjykatës Speciale për krimet e ndodhura në Kosovë  me mandat mësë pakti përgjatë 40 viteve të fundit është domosdoshmëri për të shpëtuar Shtetin e Kosovës por edhe për t’i treguar botës se kush janë kriminelët dhe krimet që kanë ndodhur në tokën e Kosovës. 

Gjaku i dëshmorve dhe i të gjithë të pafajmshmëve thërrasin për drejtësi.

Kosova ka nevojë për drejtësi e politika e Kosovës ja ka borxh popullit të Kosovës instalimin e sistemit të drejtësisë .

Do t’ju sugjeroja që t’i kërkoni ndihmë edhe Qeverisë Izrealite pasi institucionet Izrealite kanë një eksperiencë të pashoqe në ndjekjen e kriminelëve që kanë bërë krime ndaj njerëzimit.

 Rithemelojeni Gjykatën Speciale në  bashkëpunim me institucionet Amerikane larg manipulimeve të okupatorve serb e tërë atyre që i kanë larë duart me gjakun e të pafajshmeve, pavarësisht etnisë së kriminelëve.

Pa drejtësi nuk ka shtet demokratik e për shtetin ligjor të së drejtës kanë dhënë jetën djemtë e Kosovës .

Politikanë të Kosovës merrni përgjigjesitë për Kosovën e martirët e saj pasi kriminelët duhet të jenë pas hekurash,ata nuk munden e nuk duhet të përcaktojnë fatin e Kosovës.

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë duhet të rithemelohet me një mandat shumë më të gjërë në ndjekje të kriminelëve multietnikë për një periudhë më së pakti 40 vjeçare.

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë është një realitet që askush nuk duhet ta çojë në mendje se mund ta sabotojnë pasi Gjykata Speciale është pazgjithshmërisht me fatet e Shtetit të Kosovës.

Meqë mandati i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hage i ka  mbaruar afati që në Gusht është një lehtësi e madhe për ta rithemluar atë me mandate të gjerë e ekspertë të Departmentit të Drejtësisë së Amerikës e ndihmën e Presidentit Trump.

Kjo për mua është rruga e vetme për të korigjuar gabimet e së shkuarës e përcaktuar të ardhmen e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ajet Delaj, GJYKATA SPECIALE, Hage

“GJYKATA SPECIALE”, Ramushi ia kthen “Topin” Veselit

January 24, 2018 by dgreca

1 Ramushim Veseli

Frika nga pasojat e vendimeve eventuale ka bërë që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, ia kanë proceduar njëra-tjetrës dy nga çështjet më të rëndësishme, të cilat kanë ndikuar në raportet ndërmjet drejtuesve institucionalë dhe faktorëve ndërkombëtarë në vend, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ia ka proceduar Kuvendit të KosovësMarrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke ia bashkangjitur edhe raportin e Komisionit të ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka theksuar se është kundër ratifikimit të marrëveshjes aktuale.

Në anën tjetër, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, më 22 janar, kërkesën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që njihet si Gjykata Speciale, ia ka dërguar Qeverisë së Kosovës, për të dhënë mendimin përfundimtar.

Njohësit e zhvillimeve politike, veprimet e Qeverisë dhe Kuvendit, i kanë cilësuar si “lojë pingpongu” me dy temat, siç ikanë quajtur ata, më të nxehta politike.

Politologu Belul Beqa, profesor i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë që Qeveria dhe Kuvendi kanë frikë nga pasojat që mund t’i sjellin vendimet, çfarëdo qofshin ato, lidhur me të dyja çështjet.

“Loja e pingpongut është shprehje e pafuqisë për vendimmarrje, ngase edhe sikur të merrej një vendim për Demarkacionin, përkatësisht për shpërbërjen e Ligjit për Gjykatën Speciale, nënkuptohet se do të ketë pasoja imediate për ata që marrin vendime. Pasojat nënkuptojnë që duhet të shpërbëhet edhe koalicioni dhe të shkohet në zgjedhje të sërishme, për të cilat asnjëra palë aktualisht nuk është e gatshme. Prandaj, po bëjnë përpjekje që sa më gjatë që është e mundur dhe në mënyrë sa më dinake të shtyhet procesi i vendimmarrjes”, thotë Beqa.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Arton Muhaxhiri. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson që e gjithë kjo që po ndodhë ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit, është tentim për fajësim të ndërsjellë për mosmarrjen e vendimeve të mëdha.

“Nuk duan që të ballafaqohen me pasojat e atyre vendimeve. Ky është problemi kryesor dhe kemi një lloj frike, një lloj ikje nga përgjegjësia edhe nga Qeveria, por edhe nga Kuvendi i Kosovës. Të dyja këto institucione ikin nga obligimet e tyre politike dhe morale për të gjetur zgjidhje për problemet e mëdha, me të cilat ballafaqohet shteti i Kosovës dhe shoqëria kosovare në përgjithësi”, thekson Muhaxhiri.

Megjithatë, politologu Beqa beson që sido që të votohen të dyja këto çështje, pasojat janë të pashmangshme për vetë partitë politike në pushtet.

“Unë mendoj që pasojat janë të paevitueshme. Nëse shfuqizohet (Ligji për Gjykatën Speciale), pasojat do të jenë shumë më të mëdha edhe për Kosovën dhe qytetarët e saj. Dallimi është vetëm në faktin se a dëshirojmë të kemi pasoja të vogla apo të mëdha. Ndërkaq, dinakëria e tyre shkon në drejtimin e zgjatjes sa më të madhe të kohës, në të cilën do të jenë ata në pushtet. Kjo është e gjithë esenca”, vlerëson Beqa.

Analisti Muhaxhiri vlerëson se Qeveria dhe Kuvendi, duke i hedhur çështjet e caktuara te njëra-tjera, po blejnë kohë deri në momentin kur do të detyrohen të marrin vendime.

“Ky pingpongu bizar nuk mund të zgjasë në pakufi, pra, posaçërisht për sa i përket Gjykatës Speciale dhe Demarkacionit. Në momentin kur duhet guxim dhe vullnet për t’u ballafaquar me këto dy çështje madhore, Qeveria dhe Kuvendi luajnë pingpong dhe tentojnë që të blejnë kohë. Kjo bëhet në mënyrë tejet perfide dhe që të ketë një vazhdimësi në trajtimin e tyre e jo ndonjë ide për zgjidhjen e tyre konkrete, gjë që do të ishte tejet e dobishme për qytetarët e Kosovës dhe për vet Kosovën”, thotë Muhaxhiri.

Mosratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi mbetet një nga dy pengesat kryesore që kanë lënë Kosovën pa liberalizim të vizave.

Ndërkaq, nisma për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale, ka ashpërsuar raportet ndërmjet liderëve institucionalë të Kosovës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend, veçanërisht me vendet e Kuintit. Këto të fundit, madje kanë theksuar se në rast të shfuqizimit të këtij ligji, Kosova do ta humbë mbështetjen e vendeve, të cilat janë dëshmuar si partnere dhe aleate të saj.(RFL)

Filed Under: Politike Tagged With: "Topin" Veselit, GJYKATA SPECIALE, Ramushi ia kthen

Kosova, në pritje për goditjen nga Gjykata Speciale

December 10, 2016 by dgreca

Skenës politikë në Kosovë, së shpejti do t’i shtohetedhe një subjekt politik, me emrin Alternativa. Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lila, janë dy nga emrat që tash për tash dihen si pjesë e këtij subjekti. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ilir Deda flet në lidhje me fazën e themelimit të Alternativës, si dhe komenton zhvillimet aktuale në lidhje me demarkacionin, liberalizimin e vizave, zgjedhjet e lira si dhe efektet e Gjykatës Speciale për krime lufte, e cila do të nisë punën nga viti 2017.

1-deda

Ne Foto: Ilir Deda gjatë intervistës në studio për Radion Evropa e Lirë /

Radio Evropa e Lirë: Zoti Deda, që kur lëshuat Lëvizjen Vetëvendosje, ju patët paralajmëruar formimin e një subjekti të ri politik. Ku qëndrojnë, aktualisht, punët rreth themelimit të këtij subjekti apo partie politike?

Ilir Deda: Kur e kam lëshuar Lëvizjen Vetëvendosje, pata thënë se do të angazhohem në krijimin e një subjekti të ri politik, i cili do të nënkupton ri-rreshtim të njerëzve të politike dhe të atyre që nuk kanë qenë në politikë, me të cilët e ndajmë vizionin e njëjtë për shtet-ndërtim. Subjekti është në proces të themelimit. Emri është Alternativa. Tash jemi në fazën e krijimit të këshillave iniciues në nivel komunal.

Do të dalim në publik në atë moment, të cilin ne e konsiderojmë se është më i përshtatshëm për ne.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të flasim për emrat. Kush e përbën këtë Alternative të re politike?

Ilir Deda: Politika e emrave në Kosovë na ka sjellë në situatën, në të cilën jemi. Kjo është një temë e imponuar. Mendoj që neve na duhet një ndryshim rrënjësor politik, ku do të ketë njerëz me kredibilitet gjithandej dhe të dëshmuar në fushat e tyre. Këta njerëz janë duke ardhur apo janë duke u bërë pjesë e ndërtimit të subjektit të ri politik. Në fund të fundit do të jetë vizioni se si e shohim ne Kosovën. Kjo çështja e emrave pak është e tejkaluar, sepse shiheni edhe 17 vjet pas luftës ne kemi përfunduar në një kornizë të njëjtë të debatit me probleme, të cilat po thellohen.

Me një izolim të Kosovës, me humbje të shumë mundësive që i ka ofruar viti 2016 dhe koncepti i ri politik, mendësi të re politike dhe qasje tjetër në politikë dhe politikë-bërje. Kjo çështja e emrave është një kornizë, e cila është imponuar në Kosovë që prej pas luftës, sepse në fund të fundit, partitë politike nuk mund të jenë klub i njerëzve medial, por duhet të jetë besimi në vizionin e përbashkët, e sidomos në zgjidhjen e problemeve që i ka Kosova dhe kjo është ajo që do të na bashkojë të gjithëve në këtë fazë dhe fazat e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Cilit spektër politik i takon Alternativa?

Ilir Deda: Kjo do të definohet e gjitha në konventën kur do të prezantohet Alternativa. Është pjesë e konsultimit dhe vendimmarrja do të jetë e përbashkët. Nuk do të jetë qëndrim i imi apo i Mimoza Kusarit, apo dikujt tjetër. Do të jetë vendim i përbashkët.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë edhe në disa çështje aktuale… Si e shihni ju tani problemin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, i cili po ndikon drejtpërdrejt në vendimin për mosliberalizimin e vizave. Si e shihni zgjidhjen?

Ilir Deda: Gati një vit e gjysmë merremi me demarkacionin dhe Qeveria e Kosovës nuk ka sens politik dhe bllokimi i jetës politike në Kosovë me çështjen e demarkacionit është edhe bankroto i politikës aktuale, sepse humbja e liberalizimit të vizave sivjet, do të thotë që ne me vite nuk do ta kemi mundësinë për lëvizje të lirë. Kjo, kryekëput për shkak të paaftësisë së politikës së Kosovës që ta zgjidhë një problem çfarë është demarkacioni. Tash po del që kontestuese janë 2 mijë hektarë.

Unë nuk mund të besoj se si një qeveri nuk është e aftë që të ndërtojë konsensus për zgjidhjen e një kontesti, i cili i ka 2 mijë hektarë që të përfitojmë, sepse kjo është mundësia e fundit, faktikisht, për qytetarët e Kosovës që të marrin dhe gëzojnë të drejtën për lëvizje të lirë në kontinentin ku jetojnë.

Humbja e kësaj mundësie do të jetë bankroto i politikës së Kosovës dhe do të na fusë në një situatë ku ne nuk do ta dimë se kur do të kemi mundësi që të jemi afër liberalizimit të vizave. Në Evropë po ndodhin ndryshime të thella, të cilat nuk janë domosdo pozitive për Kosovën. Shkurtpamësia e qeverisë së sotme po na e humb mundësinë, për të cilën shumë e shumë njerëz kanë punuar që të jemi afër të drejtës që e gëzojnë qytetarët e tjerë në Evropë.

Radio Evropa e Lirë: Ku e shihni zgjidhjen, te konsensusi politik mes pozitës dhe opozitës?

Ilir Deda: Çdo problem ka zgjidhje. Edhe çështja e demarkacionit ka mundur të zgjidhet në konsensus ndërmjet qeverisë dhe partive opozitare. Nuk ekziston vullneti në anën e qeverisë që të vijë deri te një konsensus i tillë dhe ata, ose kryeministri në vend që ta kërkoj fajtorin tek opozita, ai duhet që fajin dhe përgjegjësinë ta marrë vetë.Ai nuk është i gatshëm që t’ia shtrijë dorën e pajtimit një pjese të popullit të vet që përfaqësohet nëpërmjet opozitës parlamentare që të zgjidhet ky problem, pra çështjen e demarkacionit.

Radio Evropa e Lirë: Sa herë që shtrohet çështja e mungesës së konsensuseve politike dhe pamundësia e marrjes së vendimeve për çështje të mëdha, ngrihen edhe dilemat nëse vendi ka nevojë për zgjedhje. Sa e shihni ju si zgjidhje opsionin e zgjedhjeve nëse nuk tejkalohen këto pengesa?

Ilir Deda: Çështja më brengosëse për ne, si shtet, dhe si popull në Republikën e Kosovës ka të bëjë me izolimin e shtetit të Kosovës, humbjen e kredibilitetit, me bankrotimin e politikës dhe me mundësinë e humbjes së popullit. Nëse e shohim se çka na pret vitin e ardhshëm, ne duhet të jemi shumë më shumë të mobilizuar si politikë për atë se si do të sillemi me procesin e Gjykatës Speciale. Ndërsa, një qeveri, e cila nuk është e aftë që t’i zgjidhë problemet e qytetarëve, duhet të dorëhiqet.

Nuk mund të ketë imponime të vullnetit politik në Kosovë. Edhe data e zgjedhjeve duhet të jetë rezultat i konsensusit politik.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët Gjykatën Speciale dhe efektet. Si duhet të sillet politika e Kosovës në raport me këtë Gjykatë, sipas jush?

Ilir Deda: Tash, këtu në opinion diskuton një lloj debati se kush do të jetë i akuzuar. Mendoj se nuk është me rëndësi se kush do të jetë. Ajo do të jetë një goditje e fortë në proces të marrëdhënieve ndërkombëtare, sepse ne nuk e kemi përfunduar shtetësinë në nivelin ndërkombëtar. Imagjinojeni se çfarë do të bëjë Rusia me disa vende tjera, me Serbinë, në momentin që të vijnë aktakuzat.

Për këtë është me rëndësi që të ekzistojë konsensusi politik se si do të sillemi si politikë gjatë aktakuzave që do të ngrihen vitin e ardhshëm. Si do ta menaxhojmë politikisht atë fazë dhe cili do të jetë mesazhi ynë si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës?! Por, kjo do të jetë konsensuale. Nuk mund të jetë mesazh i parcializuar. Këtë po e them unë se është shumë sfiduese, sepse luftërat dhe krimet në ish-Jugosllavi janë duke u harruar për vendet e tjera, kurse po hapet një kapitull kur një Gjykatë gjysmë ndërkombëtare do të merret kryekëput me Kosovën dhe vetëm me shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë dhe është një etnike, çka është jo pozitive.

Në këtë gjysmë izolimi, në të cilin jemi dhe me shtetësi të papërfunduar. Me politikë jo kredibile, unë nuk po them se do të goditet shtetësia e Kosovës, por do të jetë në nivel ndërkombëtar një goditje për ne dhe ne duhet ta kemi përgjigjen për këtë.

Për këtë arsye na nevojitet menaxhimi politik, sjellja e brendshme dhe jashtë Kosovës dhe mesazhi që dërgojmë janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Por, duke e parë nivelin e njerëzve, të cilët e udhëheqin Kosovën, nuk e shoh vullnetin tek ata që të ndërtojnë një konsensus të tillë.(Zijadin Gashi- REL) 

Filed Under: Interviste Tagged With: GJYKATA SPECIALE, Ilir Deda, kosova

Shtypi:GJASHTË DËSHMITARË TË GJYKATËS SPECIALE TRANSFEROHEN JASHTË KOSOVËS

October 10, 2015 by dgreca

GJASHTË DËSHMITARË TË GJYKATËS SPECIALE TRANSFEROHEN JASHTË KOSOVËS/

 Të paktën gjashtë dëshmitarë që do të dëshmojnë në Gjykatën Speciale tashmë janë larguar nga Kosova, shkruan sot Koha Ditore. Ata janë sistemuar në vende të ndryshme, në pritje të gjykimeve që do të nisin pas themelimit të Gjykatës Speciale, shto gazeta, e cila ka mësuar se këta dëshmitarë të mbrojtur janë nga rajoni i Drenicës, Lipjanit e Shtimes.

Ata konsiderohen dëshmitarë të rëndësishëm të Prokurorisë mbi dëshmitë e të cilëve pretendohet të vërtetohen krimet e supozuara të të akuzuarve të ardhshëm – pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet kosovare nuk janë të përfshira fare në transferimin dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Bile as që janë të njoftuar zyrtarisht se shtetas kosovarë janë larguar në drejtim të vendeve të tjera.

Në Task Forcën Speciale për hetimin e pretendimeve që dalin nga Raporti i Këshillit të Evropës kanë thënë se nuk e mohojnë e as nuk e pohojnë transferimin e disa dëshmitarëve nga Kosova, shkruan gazeta.

 DIPLOMATËT, TË PAMBROJTUR NË KOSOVË

Në seancën e së enjtes të Kuvendit, ku u hodh gaz lotsjellës, përpos deputetëve dhe gazetarëve, ishte i pranishëm edhe stafi diplomatik i akredituar në Kosovë. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se siguria e stafit diplomatik duhet të jetë në nivel më të lartë, duke kritikuar kështu drejtuesit e institucioneve vendore për dështimin në ofrimin e sigurisë.

Kuvendi i Kosovës në seancën e së enjtes, ku u hodh gazi lotsjellës nga deputeti i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, dështoi të ofrojë sigurinë e nevojshme jo vetëm për deputetët dhe gazetarët, por edhe për stafin e akredituar diplomatik në vend.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nëpërmjet një komunikate për shtyp, të enjten, ka theksuar se “sjellja e tmerrshme e anëtarëve të caktuar të Kuvendit nga radhët e opozitës, e cila çoi te kërkimi i kujdesit mjekësor për anëtarët tjerë të Kuvendit, si dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë personelin nga Ambasada e ShBA-ve”.

Zyrtarët e kësaj Ambasade kanë konfirmuar të premten për gazetën “Zëri” se siguria e punonjësve është prioritet i tyre. “Gjersa siguria e punonjësve të Ambasadës është prioriteti yni, ne nuk komentojmë mbi procedurat e sigurisë. Jemi të pikëlluar që dhuna e së enjtes në Kuvendin e Kosovës ka nxitur mediumet ta bëjnë këtë pyetje”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për gazetën.

KOSOVËS I DUHET NJË QEVERI EMERGJENTE

Njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj, i ka fajësuar pozitën dhe opozitën për gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Ai ka bërë thirrje për shpërbërje të këtij kuvendi dhe krijimin e një qeverie emergjente.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se kjo qeveri do t’i krijonte kushtet që pas një kohe të ketë një proces zgjedhor të shëndoshë. “Kosova duhet me ‘je legs specialis’ të bëjë moratorium në këto institucione me ndihmën e amerikanëve, por jo duke na ofenduar me zgjidhje ‘demokratike ala kuvertë’, por duke propozuar, në bashkëpunim me të gjithë, një trup kalimtar (qeveri emergjente), që do t’i krijonte kushtet pas një kohe për një proces zgjedhor të shëndoshë kur ata që janë sponsorët kryesorë të krizës, s’do t’i kenë pushtetin dhe fuqinë politike të cilën e kanë sot”, ka thënë Beqaj. Ai ka vlerësuar se do të ishte gabim shumë i madh shkuarja e menjëhershme në zgjedhje të reja. “Në këto rrethana, me këto subjekte, me kaq hasmëri, me këta liderë, nuk besoj se mund të ketë subjekte që do t’i pranojnë rezultatet e humbjes, ndërsa shumë është diskutabile se me çfarë pasoja mund të ishte i tërë procesi zgjedhor”, është shprehur ai.
Duke folur për seancën e së enjtes, ai ka thënë se ajo ka qenë produkt i ambicieve të paepura të njërës palë për të mbetur në pushtet dhe tjetrës për të ardhur në pushtet. “Kjo s’ka lidhje me veprimtari politike, sepse palët janë jashtë fushës politike. Ata do të përfundojnë domosdo në rrugë, ku mund të ketë pasoja për demonstruesit dhe policinë, ngaqë nga njëra anë po bëhet skenari i instrumentalizimit të qytetarëve, në anën tjetër të mekanizmave të pushtetit”, ka thënë ai.
Analisti Beqaj ka deklaruar se kjo qeveri nuk arsyetohet me asnjë kriter, sikurse nuk arsyetohen as sulmet primitive të opozitës ndaj saj. Ai ka paralajmëruar se, nëse vazhdohet kështu, do të arsyetohen edhe viktimat. “Besoj se kjo çfarë po ndodh përçon një imazh të papjekurisë politike. Nëse vazhdon kështu, me këto ‘standarde’ do të arsyetohen edhe viktimat, qoftë nga qytetarët apo policia si aksione simbolike apo demokratike. Ky kuvend duhet shpërndarë, ngaqë është shndërruar në gjenerues të krizës. Këta delegatë duhet të japin përgjegjësi para qytetarëve, e jo t’i ndërsejnë qytetarët”, është shprehur ai. /b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: 6 deshmitare, GJYKATA SPECIALE, largohen, Shtypi i Kosove

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Albania Fashion Week: Java zyrtare e modës shqiptare
  • Strukturat paralele në veri: Realitet i injoruar me pasoja për sovranitetin e Kosovës
  • Robert Lulgjuraj, një kandidat potencial shqiptar për në Kongres në Michigan
  • SPAÇI – PISKAMA QË NA THËRRET TË MBROJMË LIRINË!
  • Mbrëmje kulturore në Linc të Austrisë në 26 vjetorin e çlirimit të Kosovës
  • Amerika e sheh Kosovën si aleate, dhe jo si problem për t’u menaxhuar me heshtje diplomatike
  • Përmbyllja e suksesshme e vitit shkollor në Shkollën Shqipe të QKSHA-Struga
  • Mallkimi i diktaturave komuniste
  • Mesdheu – Gramatika e qytetërimeve dhe roli i Shqipërisë në hartën e trashëgimisë mesdhetare
  • Fatime Sokoli, kumbimi këndues i Dragobisë përmes zërit dhe shpirtit të një gruaje që erdhi t’i përkiste përjetësisë
  • Orët dhe orëndreqësit shqiptarë
  • Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë, detyrim kombëtar
  • A Festival to Remember – Celebrating Our Albanian Heritage
  • U PËRURUA LIBRI “ÇAMI, TEK GURI POLAR” 
  • KËSHILLI KOORDINUES I ARSIMTARËVE NË DIASPORË (KKAD) MBAJTI TAKIMIN E RADHËS DHE PREZANTOI PUNËN E SAJ NJËVJEÇARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT