PRISHTINË, 15 Nëntor 2015 – B.Jashari/ Në Kosovë sot është ditë zie, e shpallur nga Presidentja e Republikës, në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në Paris dhe në solidarizim me popullin e Francës.
Me vendim të Presidentes Atifete Jahjaga, flamujt janë ulur në gjysmë shtizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit, shprehen drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës. Theksohet se, qeveria e Republikës së Kosovës qëndron fuqishëm përkrah koalicionit global në luftën kundër terrorizmit.
Para Ambasadës së Francës në Prishtinë janë vendosur buqeta lulesh në nderim të viktimave të sulmeve terroriste që ndodhën të premten në Paris.
Ambasadores franceze në Kosovë, Maryse Daviet, i janë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave, popullin dhe qeverinë e Francës, në këto momente të vështira.