TIRANË, 5 Maj /ATSH- I. Vata/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha me përfaqësues të PD-së dhe simpatizantë të saj, në praninë e familjes Hajdari, bënë sot homazhe pranë memorialit të Azem Hajdarit, ku kanë vendosur dhe kurora me lule me rastin e 5 maj, ditës së dëshmorëve.
Kryetari i PD-së, Basha në fjalën e tij tha, “nderojmë Azem Hajdarin dhe Besnik Carën, që janë frymëzim i lirisë dhe i demokracisë për çdo shqiptar dhe demokrat. Ne vijmë sot këtu në këtë ditë me nderimin për heronjtë tanë për simbolin tonë, por dhe me vendimin se përsëri do ta mundim krimin e veshur me uniformën e shtetit dhe shtetin e veshur me vesin e krimit, për t’u dhënë shqiptarëve një Shqipëri demokratike të lirë dhe evropiane siç edhe e endërruan studentët e dhejtorit dhe kryedëshmori i demokracisë Azem Hajdari. Nderim për jetë dëshmorëve të demokracisë. Lavdi për jetë Azem Hajdarit”.
Ndërsa, ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se “sot në ditën e të rënëve të kombit jemi këtu për të nderuar njeriun që pas gjysëm shekulli, solli te shqiptarët ditën e gjenëzës së lirisë së tyre. Nderojmë Azem Hajdari që në dhjetor të viti 90-të do ngrihej për të bërë shqiptarët të lirë dhe bashkë me shokët e tij studente do të vijonin betejën për liri”.