STUDIUES, ANALIST DHE KRITIK I GUXIMSHËM, POR RRI LARG BASHKËPUNIMIT DHE SHPESH I PATAKT/
(Ese kushtuar studiuesit dhe analistit Spartak K. Ngjela)/
Spartak Ngjela, i cili mbushi pak kohë më parë 70 vjet, është një veprimtar energjik, avokat nga profesioni, studiues dhe analist i guximshëm, njohës i thellë dhe kritik i ashpër i sistemit politik të mbarë Europës Lindore e sidomos të Shqipërisë komuniste dhe paskomuniste. Pena e tij nuk ka kursyer dhe nuk kursen asnjë prej udhëheqësve të shtetit dhe partive politike të Shqipërisë së këtyre 75 vjetëve të fundit. Shkrimet e tij bien në sy për njohuri të thella profesionale juridike, për horizontin e gjerë kulturor, guximin qytetar, gjuhën e pasur e plot figura letrare, përdorimin e sentencave politike e filozofike, etj. Mirëpo në shkrimet e tij, sidomos në intervistat që ka dhënë e jep në TV bie në sy një prirje individualiste, mungesë dëshire për bashkëpunim dhe përdorim i një gjuhe pa takt, shpesh me fjalë fyese ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe kryeministrit të sotëm Rama.
Deri në vitin 2014 ai botoi tre volume të veprës së tij madhore Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptarebotim i Universitetit Europian të Tiranës (UET Press). Kjo vepër ka për të mbetur në historinë e shkencave historiko-politike shqiptare si një vepër ku analizohet me hollësi rruga e pushtetit dhe e politikës shqiptare e viteve 1957 – ’96. Me këtë vepër autori ka zenë një vend nderi midis studiuesve të historisë politiko-shoqërore shqiptare.
* * *
Spartaku dhe vëllai i tij Linzi u lindën e u rritën në një familje me prindër komunistë dhe funksionarë të shtetit diktatorial (babai, Kiço Ngjela, ishte Ministër i Tregëtisë, kurse nëna, Vera Pojani Ngjela, ishte Ministre e Shëndetësisë). Duke bërë një jetë ekonomikisht më të mirë se të tjerët, duke mësuar anglishten e italishten privatisht, duke parë emisione në kanalet e televizionit italian dhe duke lexuar disa libra autorësh perëndimorë, këta djem filluan të mendonin për të metat e diktaturës komuniste, të ndjenin dhe të shprehnin në biseda mes shokësh pakënaqësitë e tyre ndaj diktaturës.
Vlen të përmendim këtu se të rinj të tillë, që e ndjenin dhe e shprehnin pakënaqësinë ndaj ashpërsisë së sistemit diktatorial komunist përmes shakave e batutave kritike, përmes këndimit të këngëve italiane, pati dhe fëmijë të disa familjeve të tjera të nomenklaturës komuniste shqiptare. Të tillë ishin tre djemtë e Mehmet Shehut, dy djemtë e Josif Pashkos, djali i Todi Lubonjës, djali i Manush Myftiut e ndonjë tjetër, të cilët nuk e kishin për zemër shoqërimin me fëmijët e Enver Hoxhës e të Hysni Kapos dhe as me bijtë e bijat e familjeve servile të nomenklaturës. Këta të rinj, ndryshe nga bijtë e tjerë të shtresës së lartë, ecnin në një rrugë të vetën për të formuar një tip të ri të intelektualit liberal shqiptar, që përpiqej të mendonte me kokën e vet, ndryshe nga pjesa dërmuese e inteligjencës shqiptare që notonte në ujrat e konformizmit dhe servilizmit, ose të gojëkyçjes. Ata e admironin dhe përpiqeshin të kishin miqësi me Ismail Kadarenë të cilit ia vlerësonin hapur talentin e fuqishëm letrar dhe sidomos tiparet disidente që ai shprehte në veprat e tij.
Në një hulli të tillë pakënaqësie ecnin edhe disa të rinj të tjerë të Tiranës, të cilët nuk kishin lidhje, ose kishin pak lidhje me shtresën e privilegjuar të pushtetit, si Ardian Vehbiu, Jamarbër Marko (i quajturi Madu, djali i shkrimtarit Petro Marko) e disa të rinj të tjerë që mbidheshin anës rrugës së Dibrës pranë dyqanit MAPO, vend që ata e quanin “Broduej”. Me këta bashkohej shpesh dhe Spartak Ngjela. Egzistonte dhe një grup djemsh të rinj të pakënaqur në lagjen Laprakë midis të cilëve Astrit Lulushi, Dashnor Kokonozi, etj, të cilët ishin të revoltuar ndaj regjimit, madje Astriti u arratis me not dhe mbas peripecish të rrezikshme arriti një vapor me të cilin arriti në Itali e që atje shkoi në ShBA ku mundi të bëhej gazetar i zoti në Radio Zëri i Amerikës.
Dhe në disa qytete të mëdhenj të Shqipërisë kishte të rinj të pakënaqur, por pakënaqësia e tyre më shumë gjente shprehje brenda familjes. E përbashkëta e pakënaqësisë së të gjithë këtyre grupeve dhe të rinjveishte se ata nuk kishin lidhje midis tyre dhe nuk mendonin për krijimin e ndonjë organizate.Bijtë e shtresës së privilegjuar ushqenin për veten e tyre një ndjenjë superioriteti, e cila i mbante të izoluar nga të rinjtë e tjerë. Frika luante rolin e vet për ta mbajtur të izoluar pakënaqësinë brenda grupit ose familjes. Në Shkodër kjo pakënaqësi kishte një përhapje disi masive. Pakënaqësia e shkodranëve manifestohej dhe si reagim ndaj përndjekjes së ashpër që kishte ndërmarrë Sigurimi i Shtetit ndaj klerit dhe inteligjencës perëndimore.
Të gjithë këta të rinj, ndonëse ushqenin ndjenja pakënaqësie ndaj regjimit, nuk ishin për ndërrimin e regjimit, por për përmirësimin e tij. Vetë idoli i tyre, Ismail Kadareja në veprën Nga njëri dhjetor në tjetrintregon qartë se ai deri më 1990 nuk mendonte për përmbysjen e regjimit, por vetëm për libearalizimin, demokratizimin e tij.
Fatos Lubonja, Spartak Ngjela dhe Bashkim Shehu u arrestuan dhe u burgosën pasi diktatori Hoxha i shpalli armiq etërit e tyre. Për arrestimin e këtyre të rinjve u shfrytëzuan disa shprehje pakënaqësish të regjistruara prej Sigurimit. Mirëpo arrestimi, procesi i hetuesisë dhe jeta e burgut ku ata njohën drejtpërdrejt ferrin shqiptar, nuk i nënshtroi, por i revoltoi edhe më dhe i shtyu të ecnin më tej në formimin e tyre politik e shoqëror kundërkomunist. Në këto vite ata e kapërcyen stadin e shakave dhe batutave me të cilat synonin zbutjen e sistemit të ashpër diktatorial dhe dalngadal arritën të formonin një botëkuptim të vërtetë disident. Duke qenë të dënuar të ndërgjegjes, ata ngulën këmbë që të mos punonin si punëtorë krahu në ndërtim dhe as nëpër galeritë e minierave të burgjeve Spaç e Qaf-Bar. Por edhe pse në burg nuk provuan mbi shpatullat e tyre jetën e skllavit si Visar Zhiti, Maks Velo etj, ata ecën përpara drejt formimit të botëkuptimit kundërkomunist duke parë nga afër jetën plot vuajtje e sakrifica në burgjet shqiptare, duke lexuar shumë libra të filozofëve, historianëve dhe analistëve perëndimorë dhe duke zhvilluar biseda me intelektualë e klerikëve kundërkomunistë. Në ato vite ata formuan mendime radikalë me të cilët synonin jo më përmirësimin, por shëmbjen e atij regjimi, të cilin tashmë e shihnin si regjim kundërkombëtar dhe kundënjerëzor (antihuman).
Në vitet 1973-’75, pra para se të arrestohej, pata rast ta njihja Takun kur ai punonte në Institutin e Historisë, i cili ishte në të njëjtën godinë me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë ku punoja unë. Dukej si i papërqendruar dhe moskokëçarës ndaj kushteve jo të mira të punës që kishin institutet tona, sepse ai punonte më shumë në Arkivin e Shtetit, në Bibliotekën Kombëtare dhe në shtëpi. Mbas daljes së tij nga burgu dhe ndërrimit të regjimit nuk pata rast ta takoja ndonjëherë. Kurse në vitet 2013 – ’18 duke lexuar shumë shkrime të tij nëpër gazeta, duke dëgjuar disa intervista të tij, vura re se ai shquhej për kthjelltësi dhe pavarësi mendimi, se i formulon hapur mendimet e tij kundër klasës politike, dhe mbështet pa rezerva politikën amerikane ndaj Shqipërisë.
- Ngjela, B. Shehu dhe F. Lubonja janë një treshe që shkëlqejnë në jetën shqiprate paskomuniste. Ngjela si avokat e studiues, Lubonja si analist dhe Shehu si shkrimtar. Mua më shumë më intrigojnë shkrimet e Ngjelës, mirëpo në të njëjtën kohë më ka rënë në syse ai nuk ka bashkëpunëtorë dhe se përdor një gjuhë shpesh herë pa takt dhe fyese ndaj ish-kryeministrave dhe Kryeministrit aktual. Kërkova dhe i gjeta volumin e II-të dhe të III-të të veprës së tij Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare. Për mua, leximi i këtyre dy volumeve ishte me përfitim të madh, prandaj vendosa të shkruaj këtë ese mbështetur në analizën e shumicës së ideve të këtyre dy volumeve. Mendoj se ky shkrim mund t’i ndihmojë lexuesit e veprave të tij për t’i kuptuar më mirë vlerat e tyre, ndoshta dhe vetë autorin për të përmirësuar mënyrën e të shprehurit me takt dhe afrimin e bashkëpunimin e tij me politikanë të aftë e të ndershëm.
* * *
Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare Vol. II
Në këtë libërjepet me disa hollësira jeta e autorit në hetuesi mbasarrestimit të tij më 15 nëntor 1975, dhe vijon me jetën e burgut deri afër lirimit. Ana biografike në këtë vepër shpaloset në kapitujt e parë, ku juristi Ngjela ndeshet me hetuesa të ndryshëm. Kurse në kapitujt pasardhës vendin kryesor e zenë mendimet, meditimet dhe analizat e tij mbi karakterin e diktaturës shqiptare nën sundimin e Enver Hoxhës. Këto mendime dhe analiza janë të thella, të shprehura me një gjuhë të kuptueshme dhe figura letrare.
Përcaktimin e vet për karakterin e ashpër dhe çnjerëzor të diktaturës komuniste shqiptare ai e shpalos që në fillim: Diktatura komuniste shqiptare u përpoq që me anë të arrestimeve, burgimeve, internimeve dhe ia arriti të ngjallte tmerrin në mendjen e popullit, sidomos në zonat e Veriut, ku antikomuniazmi ishte më i fuqishëm(f. 11). Duke e marrë dhe rimarrë këtë temë, ai jep herë rrugët sesi arriti diktatori Hoxha ta nënshtronte popullin dhe të siguronte sundimin e tij e të familjes së tij me ata që i zgjodhi për besnikë. Izolimi dhe dezinformimi historik i popullsisë, një errësirë dijeje bashkëkohore dhe një mendim denigrues për të gjithë botën e zhvilluar(f. 582), shkruan ai nga fundi i librit.
Izolimi i popullit shqiptar, sqaron Ngjela, i kishte rrënjët te periudha e sundimit osman. Këtë izolim arriti ta zbatonte edhe E. Hoxha, por kohët kishin ndryshuar. Komunikimi i ideve gjatë gjysmës së dytë të shek. XX-të, sqaron analisti, realizohej me anë të emisioneve të radiove dhe televizioneve, me vajtje-ardhjet e njerëzve jashtë shtetit, sado të pakta e të kontrolluara që ishin këto lëvizje. Kështu që ky sundim nuk mund të vijonte gjatë.
Shumë prej nesh i kanë bërë pyetjen vetes: pse i shërbenin me aq devocion njerëzit regjimit komunist? Ngjela tregon se një shkak i rëndësishëm ka qenë fakti se pjesa dërmuese e shërbëtorëve të regjimit ishin njerëz të prapambetur, të sjellë nëpër qytete nga fshatrat e varfër ku u binte bretku duke punuar me shat, kazmë e lopatë dhe e quanin privilegj të madh të kishin nga një kobure në brez e të merrnin rroga disa fish më të mëdha se të ardhurat që mund të siguronin nga puna cfilitëse në kooperativë. T’i shpëtoje punës së rëndë të kooperativës bujqësore në ato vite, ishte si t’i shpëtoje bujkrobërisë në Mesjetë, sqaron ai, prandaj ishte një gëzim i madh që i shtynte së brendshmi të tillë njerëz t’i bënin çdo lloj shërbimi Partisë apo Sigurimit të shtetit (f. 109). Ai e zbërthen dhe juridikisht psikologjinë e bashkëpunëtorit servil të të tillë njerëzve: ti je mirë sepse dhe ti po sundon, prandaj duhet të mbrosh idealin, që të kesh dhe ti pushtet(f. 19).
Gjatë analizës së sundimit të diktatorit shqiptar, studiuesi jep këtë shpjegim: E. Hoxha… nuk kishte as doktrinë dhe as ideal që po sundonte në Shqipëri, por vetëm një pushtet të paligjshëm të një njeriu që vepronte pa një prospekt zhvillimi dhe kundër ngritjes së koshiencës së lirisë(f. 97). Duke hyrë thellë në zbulimin e shkaqeve pse ne shqiptarët kemi përjetuar gjatë historisë situata më të këqia se popujt fqinjë, ai sqaron:
Tri kanë qenë arsyet pse ne shqiptarët kemi kaluar gjithmonë situata që na kanë bërë të ndjehemi pa të ardhme:
Së pari, nuk kemi ditur të kooperojmë me njëri tjetrin as në politikë, as në ekonomi e as në jetën shoqërore;
Së dyti, nuk e kemi pasur traditën e sakrificës për vendin tonë;
Së treti, gjithmonë kemi pasur frikë nga pushtetet e paligjshme(f. 99).
Në vijim, ai u shton këtyre tre shkaqeve dhe një shkak tjetër kur shkruan se E. Hoxha e amplifikoi deri në ekstrem ndjenjën e vjetër të armiqësisë që kishin pasur shqiptarët.
Në Shqipërinë diktatoriale, sqaron juristi Ngjela, “armikun” nuk e seleksiononte gjyqi ose një proces gjyqësor, por Partia, pra shteti, më sakt Sigurimi i shtetit. E gjithë kjo gjendje, konkludon ai, nuk lejonte të kishte gjyqtarë, por rrogëtarë që bënin një punë të imponuar(f. 101).
Pikërisht tek kjo plagë e shoqërisë diktatoriale, Ngjela shikon dhe burimin e një të keqeje që e shoqëroi shoqërinë shqiptare pas shkërmoqjes së diktaturës:gjyqtarët ishin disa nga njerëzit më të korruptuar, prandaj mbas vitit 1991 ata u vunë në shërbim të fshehtë ndaj ish Sigurimit për të minuar çdo vendim e veprim demokratik të Partisë Demokratike(f. 101).
Gjatë jetës në burg ai pa nga afër se si të dënuarit punonin rëndë për ndërtimin e shumë veprave industriale dhe bujqësore dhe nga ato që dëgjoi prej tyre dhe nga studimet e veta arrin në konkluzionin:
Gjysma e veprave të planeve 5-vjeçare ishte realizuar me punën gati të papaguar të të burgosurve politikë, një e treta e popullit ishte e lidhur drejtpërdrejt me ta(f. 145).
Po ashtu gjatë jetës në burg ky njeri studioz njohu dhe disa priftërinj katolikë të dënuar, me të cilët kreu shumë biseda filozofike e fetare. Kështu prej At’ Aleks Baçit ai mësoi një nga arsyet pse shoqëria katolike Perëndimore ka shkuar përpara botës muhamedane Orientale.
Feja nuk e pranon gënjeshtrën, prandaj kena fut edhe rrëfimin [te prifti, ose te Zoti përmes lutjes – Th. Gj.]. Gënjeshtra asht mëkat prandaj duhet rrëfye nëse e ke përdorë(f. 192), i thotë Pader Baçi autorit të këtij libri. Ngjela duke e njohur në thellësi dallimin midis mendësisë europiane perëndimore nga ajo muhamendane orientale, shton se tek gënjeshtra ndahet Orienti nga Oksidenti dhe se ishte Krishtërimi ai që e kishte sjellë këtë novacion në mendësinë europiane perëndimore.Dhe duke u futur më tej në histori, shton:
Edhe filozofia greke e kishte futur shoqërinë në binarët e moralitetit(f. 193).
Ngjela, si njohës i historisë dhe i psikikës njerëzore, pranon se njeriu si qenie shoqërore e ka pasur dhe e ka në natyrën e tij të brendshme tendencën për ta përdorur gënjeshtrën kur gjendet në rrethana të vështira. Për këtë arsye ai e quan lutjen ndaj Zotit dhe rrëfimin te prifti një mënyrë të nevojshme, një lloj arti, për të mposhtur tendencën gënjeshtare që kemi brenda vetes sonë.
Pasionin që ka njeriu për lavdi e pushtet e kanë njohur edhe grekët e lashtë, të cilët ishin shprehur se historia ka treguar që njeriu mund të heqë dorë nga pasuria, por nuk ka treguar ndonjë rast se njeriu ka hequr dorë nga pushteti e lavdia. Këtë ide Ngjela e formulon në mënyrë më shkencore duke e quajtur pushtetin si një forcë të madhe graviteti së cilës nuk mund t’i bëjë ballë asnjë interes tjetër ideor (f. 205).
Spartak Ngjela intelektual me formim materialist, njohu në burg edhe Pader Pjetër Mëshkallën, një klerik katolik shumë të përshpirtshëm dhe të kualifikuar, të cilin e admiroi për shumë mësime të vlefshëm, midis të cilëve ai sjell njërin prej tyre:
Identifikimi i ligësisë çon në konceptimin e së mirës, të moralshmes, prandaj dhe ligësinë duhet me e falë.
Me këtë mësim Atë Mëshkalla sqaronte se duheshin falur mëkatarët komunistë e sigurimsa, sepse, sipas tij, njeriu e ka ligësinë brenda vetesdhe kur ne ia falim të keqen që ka bërë e ndihmojmë që ai ta identifikojë atë dhe ndërkohë të konceptojë të mirën, të moralshmen dhe të kerkojë të falur. Pra falja sipas tij e ndihmon njeriun e keq që të braktisë të keqen dhe të konceptojë e të përqafojë të mirën. Mirëpo, të gjithë ne që po jetojmë këto 26 vjet mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, po shohim se mëkatarët komunistë e sigurimsa shqiptarë, nuk i identifikuan fajet e krimet e tyre, nuk kërkuan të falur dhe nuk i dënuan mëkatin e tyre, por ecën në rrugën e gabuar të justifikimit të bëmave të tyre të asaj kohe. Më e keqja është se edhe shumica e bijve të tyre po ecin në të njëjtën rrugë, në rrugën e justifikimit dhe jo të katarsës.
Shpesh herë njeriu mendon se për paaftësinë e tij ia kanë fajin të tjerët. Filozofi Ngjela e kundërshton këtë ide duke formuluar një shpjegim të prerë: Të gjithë ata që mendojnë se fajin për paaftësinë e tyre ua kanë të tjerët, gabojnë. Njeriu, konkludon ai, e bën vetë fatin e tij. (f. 225) Madje, ai shton se edhe shoqëritë (nënkupto edhe kombet -Th. Gj.), po ashtu e bëjnë vetë fatin e tyre.
Pasi jetoi jetën e privilegjuar si bir ministrash, edhe jetën me mungesa të mëdha e vuajtje si i burgosur i ndërgjegjes, Spartaku ka nxjerrë shumë mësime për mënyrën sesi duhet jetuar jeta për të qenë njeri me dinjitet dhe i nderuar nga shoqëria:
Njeriu vjen e ballafaqohet me çështjen: ‘të duhet një ekzistencë e rrezikuar me dinjitet, apo një ekzistencë normale pa rrezik dhe pa dinjitet’?(f. 234)
Që të jesh e të mbetesh njeri i ndershëm, pra njeri që të do e të respekton populli, sqaron Ngjela, duhet ndjekur mësimi që tha shkrimtari francez Albert Kamy në ceremoninë e marrjes sëçmimit Nobel: Dy janë zotimet tona, të mos gënjesh kurrë për ato që di dhe të kundërshtosh shtypjen. (f. 384-385)
Duke pasur parasysh kushtet e jetës nën diktaturë, kur deshëm apo nuk deshëm, të gjithë kemi gënjyer, sepse të trembur nga terrori i arrestimeve dhe dëbim-internimeve kemi thënë se jetonim mirë, kur në fakt jetonim në varfëri me tallona, ose se ishim të lirë, kur nuk guxonim të flisnim hapur as me shokët e afërt. Me një fjalë sipas Ngjelës, duke përjashtuar të dënuarit e ndërgjegjes, ne të tjerët duhet të pranojmë se kemi qenë fajtorë gjatë jetës nën diktaturë, sepse duke gënjyer nuk kemi luftuar shtypjen. Për ta përforcuar këtë mendim ai sjell sentencën latine: E vërteta të bën të lirë. (f. 308).
Kush i kupton këto mësime të analistit e filozofit Ngjela, nuk ka se si të mburret me jetën dhe bëmat e tij të kohës së diktaturës, kur në mbledhje, në shkrime letrare e publicistike, në poezi, studime, filma, piktura e skulptura, gënjente duke përsëritur mendime dhe ide ashtu si i donte partia shtet, për ta paraqitur jetën në sistemin socialist si të lumtur, si jetë që notonte në liri e bollëk. Përpjekjet e të gjithë njerëzve që i shërbyen diktaturës për të justifikuar veten se vepruan ashtu nga zori, ose se ishin të gënjyer, nuk janë gjë tjetër veçse mungesë ndershmërie e qytetarie. Mirëpo këtu duhet të pranojmë se edhe Spartak Ngjela e ka një dobësi. Si bir i një nëne që vuajti internimin e saj, të vajzës e të djalit të vogël dhe burgimin e djalit të madh e të bashkëshortit, ai ia pranon e nuk ia kundërshton justifikimin që ajo i shpreh në volumin pasardhës, se gjatë kohës kur ajo dhe Kiçua ishin pushtetarë, ishin pajtuar me gjendjen sepse ishin gënjyer dhe nuk e njihnin gjendjen e mjeruar të popullit.
Gjatë përpjekjeve për të analizuar ashpërsinë e diktaturës shqiptare, Spartaku arrin në mendimin se Enver Hoxha me Ministrin e Brendshëm dhe kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit kishin urrejtje kundrejt Perëndimit…dhe se urrejtja i kishte drejtuar kundër një qytetërimi, të cilin nuk e kishin pranuar sepse nuk ndjeheshin mirë përballë lirisë. Donin skllavërinë e individit dhe skllavopronarë të ishin ata. Donin luftën e klasave, por klasa superiore të ishin ata. (f. 461). Madje, shton, ai edhe ish-kuadro të lartë të Sigurimit e të Ushtrisë që jetonin me të në burg, vuanin nga kjo mendësi e sëmurë.
Me formimin e tij të gjerë kulturor, ky analist ka mundur të japë mendime të pjekura edhe për letërsinë dhe artet shqiptare të asaj kohe, që krijonin sipas metodës së realizmit socialist. Komunizmi në Shqipëri kishte ngritur një shkollë të unifikuar ku krijoheshin vlera intelektuale me edukacion uniform, sqaron ai, dhe me tej vijon: Ky ishte shkaku që letersia edhe arti nuk kishin karakter human. Individi nuk vlerësohej [nga partia shtet]; ai duhej të trajtohej si anonim, dhe kështu e trajtonte edhe letërsia. (f. 468) Për ta bërë më të kapshme këtë dobësi të letërsisë shqiptare të realizmit socialist që zhvillohej brenda kufijve të Shqipërisë londineze, ai kalon te letërsia shqiptare e Kosovës, e cila zhvillohej në tjetër shtrat metodologjik, në atë të realizmit: Letërsia kosovare jo, vijon ai, spikama e saj ishte shumë më individualiste dhe shumë më humane. Ajo ishte e gjitha e angazhuar me një çështje të madhe morale dhe prandaj nuk mund të harrote individin. ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’, e Rexhep Qosjes ishte një roman humanist e perëndimor që ngrinte lart fatin e njeriut të thjeshtë kosovar që dhunohej nga policia sekrete. Por kjo as që mund të mendohej nga romancierët e Shqipërisë sepse ndonëse e shihnin çdo ditë, nuk revoltoheshin për të shkruar, sepse ky ishte formati ideologjik që i kishte unifikuar duke i fundosur në pedantizmin ideologjik të një metode letrare, që vetëm metodë [krijuese letrare] nuk ishte. Kjo e rëndonte gjendjen, e bënte antiintelektualiste. (f. 468)
Duke dashur t’i zgjojë të gabuarit, studiuesi përmend se edhe bijtë e familjeve të E. Hoxhës, R. Alisë dhe të shërbëtorëve të tyre do të kuptojnë shumë shpejt se kanë punuar kundër interesave të tyre dhe historisë së familjes së tyre (f. 512).
Thënë shkurt, lidhur me pushtetin që krijoi e drejtoi diktatorit shqiptar, ai konkludon:
Enver Hoxha solli në pushtet njerëz që ishin ose të mashtruar, ose të liq. (f. 544).
Për t’u bërë më i besueshëm në idetë e veta për karakterizimin e komunizmit si një sistem i dëmshëm dhe për të tregua shkakun pse fitoi ideologjia komuniste dhe sistemi komunist, Ngjela sjell edhe mendime të filozofëve të ndryshëm si Bernard Rasëll:
Komunizmi është rrjedhojë e urrejtjes, varfërisë dhe konflikteve të brendshme të një shoqërie. Nëse duam ta frenojmë atë, duhet të zbutim urrejtjen dhe varfërinë në këto vende(f. 593). Kjo thënie sqaron faktin se varfëria e sotme dhe ushqimi i urrejtjes midis njerëzve që mendojnë ndryshe, janë ndër shkaqet që ndihmojnë për të mbajtur ende gjallë në Shqipëri një farë nostalgjie për kohën e diktaturës komuniste…
* * *
Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare Vol. III
Këtë volum autori ua ka kushtuar miqve të tij Gramoz Pashko dhe Azem Hajdari, të cilët u shquan për aktivizimin e tyre në lëvizjen studentore të dhjetorit 1990 dhe më pas në proceset demokratike. Autori pati me ta dhe me Arben Imamin shumë bashkëbisedime e mirëkuptime, sepse këta bënin pjesë në grupin e liberalëve brenda Partisë Demokratike, por rrethanat nuk i ndihmuan që të bashkëpunonin deri në krijimin e një force politike me anën e së cilës mund të ndikonin për një demokratizim të shëndetshëm të proceseve politike të viteve 1991 – ’96, vite kur shtrihen ngjarjet e këtij libri.
Spartak Ngjela u lirua nga burgu më 11 shkurt 1991 pas gati 15 vjetësh nga arrestimi i tij. Në këtë kohë ishte krijuar partia e parë opozitare, Partia Demokratike dhe kishte filluar botimi i gazetës së saj Rilindja Demikratike. Që në ditët e para duke kaluar me tren nëpër qytetin e Kavajës lexoi në një mur parullën ENVER – HITLER. Kjo i dha të kuptonte se frika ishte vrarë në Shqipëri dhe mendoi se tani e tutje asgjë nuk do të ndryshonte më për të të lejuar që të jesh vetvetja, dhe asnjë forcë nuk do të më ndalonte më që të tregohesha përpara shoqërisë sime ai që isha(f.17).
I sapodalë në jetën e lirë pasi kishte përjetuar nga afër shumë ligësi prej hetuesve, rojeve të burgut dhe prej disa të dënuarve që ishin thyer dhe bashkëpunonin si informatorë të Sigurimit, Spartaku ndjente një farë urrejtje për gjithë ish-pushtetarët e ish-bashkëpunëtorët e diktaturës. Ai e kishte të vështirë në ato ditë, të bënte dallim midis kategorive të ndryshme të njerëzve që i kishin shërbyer atij sistemi. Të gjithë pa dallim i dukeshin të liq. Sipas tij PPSH-ja kishte qenë një forcë djallëzore që kishte pushtuar gjithëçka dhe qe shtrirë në të gjitha hapësirat e jetës private përmes kontrollit, presionit dhe frikës që e ushtronte me anë të njerëzve që i kishte bashkuar ligësia. Këta punonin bashkë për një ndërmarrje të fëlligshtë kundër të gjithë shoqërisë, por që ishin të liq edhe kundër njëri – tjetrit. Spartaku i përcakton ata si krijesa jashtë qytetërimit dhe humanizmit, që ligësinë e kishin mjetin e jetesës së tyre (f. 20). Ai harron se nuk mund të futen të gjithë ish-pushtetarët, ish-komunistët, ish-sigurimsat, ish-artistët, ish-studiuesit dhe ish-nëpunësit e sistemit komunist në kallëpin e njeriut të lig. Kishte midis tyre që kishin hyrë në vallen e pushtetit të gënjyer në vitet e rinisë së tyre kur ishin pushtuar prej idealit të lirisë së atdheut nga pushtuesit e huaj, disa të tjerë më vonë ishin shtyrë nga ideali i mbrojtjes së lirisë së fituar me gjak, ose nga ideali i krijimit të një Shqipërie demokratike. Të tillë njerëz ishin viktima të atij regjimi, të gënjyer ose të trembur, të cilët gjatë kryerjes së detyrës nuk prireshin nga ndjenja e ligësisë. Vetë ky autor, në faqet e mëtejshme, përmend me respekt mjaft ish-komunistë si njerëz me virtute. Të tillë ai përmend prindërit e tij ish-ministra, kryetarin e Gjykatës së Lartë, juristin Kleanth Koçi, shkrimtarët Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli e shumë ish-komunistë, të cilët nuk i kishte bashkuar ligësia me regjimin diktatorial.
Ky intelektual i përndjekur, me bindje demokratike dhe jurist i formuar mirë, nuk iu afrua kryetarit të Partisë Demokratike për t’i vënë dijet e tij në shërbim të asaj partie. Ai u lidh së pari me Gramoz Pashkon, shokun e tij të rinisë, për të mësuar se çfarë mendonin anëtarët e kryesisë së asaj partie që mori përsipër ndërrimin e sistemit totalitar njëpartiak me ekonomi të centralizuar me sistemin shumëpartiak me ekonomi të tregut të lirë. Më tej ai u lidh dhe me Arben Imamin, nënkryetarin e partisëdhe me Azem Hajdarin, themeluesin e saj, etj. Gjatë bisedave me ta mësoi se Sali Berisha kishte qenë një ish-komunist ekstremist, që ishte futur në gjirin e asaj partie prej Ramiz Alisë dhe me manovra të ndryshme po mënjanonte nga kryesia e PD-së elementet liberalë me ide perëndimore për ta marrë ai kryesinë e partisë.
Nga aq sa e njihte Ramiz Alinë, Spartaku kishte krijuar bindjen se Ramizi nuk e kishte staturën e një burri shteti që mund të drejtonte qeverinë dhe shoqërinë shqiptare drejt reformave të nevojshme për të kryer ndërrimin e sistemit. Ramizi, shkruan ky analist, synonte që të gënjente Perëndimin për të siguruar ndihma financiare e ushqimore duke kryer disa reforma gjysmake lidhur me pluralizmin. Ai ndihmoi në krijimin e Partisë Demokratike dhe futi aty për ta drejtuar disa njerëz të tij si Sali Berisha, Neritan Ceka, etj, me qëllim që ta manipulonte veprimtarinë e kësaj partie në funksion të lojës së tij. Më vonë Ngjela mësoi se të këtij mendimi ishin dhe mjaft demokratë të tjerë, ish të përndjekur si At’ Zef Pllumbi, etj (f. 91).
Ngjela nuk u shqetësua nga fakti që Berisha ishte një i futur i Alisë në PD. Në fillim ai i këshilloi Pashkon, Imamin dhe Hajdarin që të këmbëngulnin që partinë e re, kundërshtare të regjimit komunist, të mos e drejtonte një ish-komunist. Sipas tij drejtimin e Shqipërisë demokratike, pra postin e kryeministrit duhej ta merrte një intelektual me backgraound (të kaluar) kundërkomunist si Isuf Vrioni. Kurse si President të parë të Shqipërisë demokratike ai sugjeronte shkrimtarin e talentuar Ismail Kadare, i cili me veprat e tij ishte bërë një figurë botërore dhe gazonte më shumë se kushdo respektin e popullit shqiptar. Me të tillë intelektualë në postet kryesore, sipas tij, Shqipërisë mund t’i hapeshin rrugët drejt demokracive perëndimore (f. 89).
Me aq pak sa kishte dëgjuar ai për sjelljet e Berishës kishte krijuar idenë se Ramiz Alia kishte zgjedhur Berishën për kryetar të PD-së sepse të dy ngjanin për nga mendësia orjentale dhe ishin kundërshtarë të mendësisë perëndimore dhe individualitetit intelektual. Ishte e njëjti motiv, që Enver Hoxha kishte zgjedhur Ramiz Alinë si pasardhës. Ngjela e formulon shqip: Ramiz Alia e kishte krijuar opozitën shqiptare për të neutralizuar revolucionin(f. 39), sepse ai e ndjente se populli ishte i revoltuar me politikën e tij mashtruese dhe se pas parullës O Ramiz o legen, ke 5 vjet që na gënjen, R. Alia ndjente rrezikun e shpërthimit të një revolte për ta përmbysur regjimin e tij.
Ndërkohë Berisha u tregua shumë më i shkathët se treshja Pashko-Imami-Hajdari, që konsultohej me Ngjelën. Ai përdori mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë, ku kishte shumicën, për ta mposhtur mendimin e Kryesisë së Partisë, ku kishte pakicën. Kështu ai realizoi emërimin e tij kryetar të PD-së, kurse më vonë zgjodhi për kryeministër ing. Aleksandër Meksin, me të cilin kishte parabërë pazar që ta zgjidhte në atë post, po të ishte i bindur ndaj tij.
Drejtuesit e PD-së, Ngjela i karakterizoi si njerëz që u mungonte formimi politik perëndimor, si kuadro që nuk dinin si të realizonin përmbysjen e sistemit monist. Ata pretendonin se kishin krijuar një parti të qendrës së djathtë, por në fakt përbërja e Këshillit Kombëtar të PD-së me njerëz me backgraound komunist dhe që kishin frikë nga Ramiz Alia, tregonte se partia e tyre ishte një parti e qendrës së majtë, pra një parti socilademokrate. Vetëm G. Pashkoja nuk ishte i tillë (f. 32-37).
Si njohës i historisë politike të Europës, Ngjela parandjeu se dalja në lojën politike e Sali Berishës si kryetar i PD-së do të sillte shumë shpejt transformimin e tij nga njeri i Ramizit në kundërshtar të tij. Se shumë shpejt do të kishte përplasje midis tyre derisa Berisha të delte si forcë politike e pavarur kundërshtare e PPSH-së e më pas e Partisë Socialiste. Dhe ashtu ndodhi, ndonëse në zgjedhjet e marsit 1991 Partia Demokratike humbi rëndë duke fituar shumë pak vota, sepse ajo nuk kishte depërtuar në fshat, ku jetonte më shumë se 65 % e popullsisë e paçliruar nga frika e Sigurimit dhe e PPSH-së.
Pas këtyre zgjedhjeve, të cilat u vlerësuan prej vëzhguesve të huaj si zgjedhje të lira, Ramiz Alia siguroi mbijetesën e pushtetit të tij dhe të PPSH-së sepse iu dhanë mjaft ndihma nga bota perëndimore. Përpëlitjet e R. Alisë dhe të së vesë së diktatorit Hoxha, për të zgjatur sadopak mbijetesën e sistemit të vjetër, Ngjela i quan paaftësi të tyre për të qenë reformistë për të shpëtuar veten dhe popullin e Shqipërisë nga shkatërrimi tërësor që i priste (f. 43).
Lidhur me arsyet dhe shkaqet e ndryshimeve në Shqipëri në vitet 1990 – ’91 studiuesi shprehet shkurt e qartë: koha kishte bërë përpara për të ndryshuar kahun e saj të lëvizjes shoqërore, por ky ndryshim kishte ardhur jo nga presoni shoqëror, por nga falimentimi i regjimit politik(f. 66). Pra ndryshimet në Shqipëri nuk erdhën se u bë ndonjë presion nga forca të caktuara shoqërore brenda vendit, por sepse regjimi kishte kapitulluar si sistem politik dhe ekonomik. Kurse dëshirën e shqiptarëve për të marrë nga sytë këmbët, për të ikur në masë nga atdheu, ai e shpjegon me thënien e filozofit kinez, Konfuci, sipas të cilit një popull që është poshtëruar shumë prej qeverisë së tij, do që ta braktisë atdheun. Populli shqiptar kur mbaroi koha e poshtërimit dhe e varfërimit prej regjimit komunist e gjeti rrugën e shpëtimit, jo me ndihmën e ndonjë Mojsiu si Judenjtë e lashtë, por vetë, duke emigruar në masë drejt Europës Perëndimore dhe jo drejt Turqisë. Dhe kjo zgjidhje, sipas Ngjelës, dëshmonte tharmin perëndimor që ishte ngjizur në genet e këtij populli që nga koha e poliseve të lashta të Butrintit, Apollonisë, Durrësit, Lezhës, etj dhe më pas gjatë jetës në Perandorinë Romake e atë Bizantine. Kërkesës së të vëllait për t’u larguar prej Shqipërisë, Spartaku iu përgjigj negativisht. Ai vendosi të qendronte në atdhe, duke dëgjuar dhe këshillën e të atit, se duhej të luftonte në atdhe për një të ardhme më të mirë për vete dhe popullin shqiptar, të cilit ia kishte borxh investimin që kishte bërë në rininë e tij për shkollimin.
Koha, thotë Ngjela ishte shumë e favorshme për shqiptarët: po shkërmoqej Perandoria Sovjetike, shpejt do të shpërbëhej edhe Federata Jugosllave, politika amerikane, ashtu si dikur politika austro-hungareze, kishte interesa në Ballkanin Perëndimor, mirëpo shumica e shqiptarëve nuk po e kuptonim se pa bashkimin e popullit shqiptar në një shtet kombëtar, nuk mund të kishim një shtet vetefiçient. Sa kohë të mbetej Shqipëria në formatin londinez, shqiptarët do të ishin të varfër dhe gjithmonë do ta sundonin juntat, ashtu siç kishin sunduar (f. 46).
Duke synuar të përgjithësojë përbërjen e Partisë Demokratike në atë kohë, Ngjela vë në dukje se kjo parti ishte krijuar kryesisht nga grumbullimi spontan i njerëzve të moralshëm, të cilët në thelb e dëshironin ndryshimin, por shumica absolute e tyre nuk e dinte se çfarë ishte ndryshimi që duhej realizuar, ata nuk kishin mendim për një demokraci të institucionalizuar dhe kenaqeshin me të drejtën për të folur për ato që ndjenin. Fatkeqësia e tyre ishte se ishin bashkuar me Sali Berishën, i cili në brendësi të tij udhëhiqej nga një ndjenjë ligësie dhe nga një urrejtje ndaj çdo gjëje të mirë (f. 86). Ky shpjegim, për mendimin tim, bën pjesë në ato shprehjet pa takt dhe fyese të Ngjelës, sepse Berisha gjatë jetës së tij të deriatëhershme kishte qenë një mjek humanist dhe aspak një njeri i cili udhëhiqej nga një ndjenjë ligësie dhe nga një urrejtje ndaj çdo gjëje të mirë. Dobësitë e Berishës si politikan e burrë shteti duhen parë në formimin e tij familjar patriarkal, në ambicjen e tij të tepruar për pushtet, në mungesën e formimit të tij juridik e politik, etj.
Rënien e Partisë Demokratike në dorë të S. Berishës, Ngjela e interpreton edhe si dobësi të G. Pashkos, i cili nuk ia dëgjoi këshillën që i dha ai për të grumbulluar rreth vetes në PD gjithë botën akademike, njerëzit e iluminuar, që kishte Shqipëria e asaj kohe. Pashkoja nuk i afroi këta njerëz, madje i luftoi, si luftoi së pari Edi Ramën, të cilin e detyroi të largohej nga kryesia e PD-së kur i tha se intelektualët ishin me Ramiz Alinë e nuk duheshin afruar.
Me shumë interes është përpjekja e Ngjelës për të zbërthyer karakterin dhe forcën e brendshme lëvizëse të Sali Berishës, liderit të PD-së. Për këtë qëllim ai ndalet te rasti kur studenti Shinasi Rama, një nga krerët e lëvizjes studentore, në një mbledhje para se të shpallej pluralizmi, ku ishin të pranishëm shumë studentë e pedagogë, pasi dëgjoi Sali Berishën u ngrit dhe e kritikoi ashpër, madje e feu shumë rëndë dhe kërkoi që Berisha të delte jashtë nga mbledhja. Doktor Berisha u ngrit dhe pa folur bëri të delte, por nuk doli nga salla, shkoi në fund të sallës dhe u ul. Analisti Ngjela jep shpjegimin e vet për këtë sjellje të Berishës si një sjellje: që mbante me vete ose një qëllim shumë të madh, të kërkuar si shërbim nga një ‘forcë madhore’, ose pastaj ishte karakteri i një njeriu me personalitet të dyfishtë, që mbrohej kundrejt fyerjeve dhe sharjeve me anë të patologjisë së tij të brendshme, e cila e mësonte sesi t’i bënte ballë asaj që kishte vendosur ta pushtonte(f. 86).
Gjatë librit autori, duke shkruar për vendimet e gabuara që merrte lidershipi i PD-së shton se ato ai i bënte i shtyrë nga padija dhe ligësia e tij e brendshme, ose i shtyrë nga ndonjë forcë armiqësore e jashtme. Kjo pjesa e fundit është pa bazë, sepse mungojnë faktet dhe si jurist autori nuk duhej ta kishte formuluar.
Ngjela në ato vite gaboi me qëndrimin e tij mënjanë, me mosafrimin ndaj Sali Berishës dhe me mosbashkëpunimin me të për zbutjen e dobësive të këtij politikani të ri që po shquhej për intuitën, forcën e fjalës dhe pasionin kundërkomunist. Detyra e një intelektuali të përvojtur me formim të shëndoshë teorik në fushën e jurisprudencës, për hir të nevojave që kishte shoqëria shqiptare, ishte të afrohej e të bashkëpunonte me liderin politik, i cili mori mbi vete detyrën e vështirë të ndërrimit të regjimit duke qenë një diletant në politikë, pa formimin e nevojshëm. Koha kërkonte që diletantizmi i Berishës të ndihmohej dhe jo të luftohej prej të diturit Ngjela. Berisha dhe Partia Demokratike atëhere dhe më vonë kishte një kundërshtar shumë të egër dhe të fuqishëm, Partinë e Punës së Shqipërisë, që brenda një dite ndërroi emrin në Partia Socialiste dhe duke trashëguar pasuritë e shumta ekonomike dhe njerëzore, parlamentarët e shumtë të PPSh-së dhe punonjësit e bashkëpunëtorët e Sigurimit të shtetit, zhvilloi një luftë kundërdemokratike ndaj partise kryesore opzitare dhe drejtuesve të saj. PPSh-ja, luftoi pa mëshirë si kuçedra e përrallave për të mbytur mendimin dhe veprimin opozitar. Ajo mbrojti me forcë idenë se Enver Hoxha dhe sistemi socialist ishin pozitiviteti i Shqipërisë gjatë viteve 1944-1991.
Pra, mund të themi se prej karakteristikës negative, që Ngjela ia njeh popullit shqiptar si popull që e ka të vështirë bashkëpunimin midis vedit, vuanin edhe vetë intelektualët G. Pashko e S. Berisha, që nuk afronin intelektualët e shquar në PD, por edhe vetë juristi S. Ngjela, që nuk luftoi të hynte në PD e të luante rolin e vet në atë parti opozitare. Futja e tij në PD do të forconte krahun liberal në atë parti dhe do të zbuste shumë difekte të S. Berishës.
Në libër nuk lihet pa u karakterizuar dhe Ramiz Alinë, për të cilin, si thamë mëlart, autori e quante një përfaqësues të forcave osmaniste kundërperëndimore, si një pushtetar që nuk ishte burrë shteti sepse nuk ishte lejuar kurrë të mendonte e vepronte si politikan e pushtetar i pavarrur. Duke zbuluar shkakun kryesor të falimentimit të R. Alisë, Ngjela shkruan: Realisht ai nuk diti se çfarë të bënte me figurën e Enver Hoxhës, dhe ishte pikërisht kjo që e falimentoi plotësisht si politikan, por, që i dha mundësi forcave retrograde që, në një mënyrë tjetët, jashtë tij, dhe në kundërshtim me të, të krijonin sërisht një pushtet, i cili ndonëse në një pluralizëm fiktiv, ishte realisht një tirani. (f. 127) Mirëpo në vitet 1991-’96 që analizohen në këtë libër nuk mund të quhen vite tiranie, sepse, pavarësisht nga gabimet, në ato vite, madje dhe më vonë, njerëzit kishin të drejtë të krijonin parti politike, të organizonin mitingje e demostrata paqësore, të votonin kë të donin, gëzonin të drejtën e fjalës e të shtypit të pavarur, të lëvizjes, të komunikimit e informimit, etj.
Një problem me shumë rëndësi që ngre Ngjela në këtë libër është kalimi i shoqërisë shqiptare në kapitalizëm. Kapitalizmi është garë dhe gara kërkon moralitet, thotë ai, dhe vijon, Por moraliteti do të vendosej [në Shqipëri] nëse do të ndëshkohej krimi 45-vjeçar. Ndëshkimi i krimit nuk duhej të ishte në asnjë mënyrë politik, por vetëm moral dhe juridik. Dhe më tej shtron disa pyetje: Po si? Kush do ta drejtonte reformën në sistemin legal? Kush do ta identifikonte krimin? Kush do ta gjykonte krimin dhe më në fund, kush do të ishte akuzatori?Këtyre pyetjeve Ngjela u jep shpjegimin e vet, duke theksuar se Partia Socialiste nuk donte ta dënonte krimin, kurse Partia Demokratike dhe shtresa e të përndjekurve nuk kishin kuadrin e nevojshëm për ta shtruar e zgjidhur këtë problem aq të rëndësishëm.
Qartë i artikulon Ngjela shkaqet e humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e para të lira më 31 mars 1991. Ai thekson disa nga shkaqet, si shpallja e ditës së zgjedhjeve shumë afër kohës kur u shpall pluralizmi dhe partitë opozitare nuk ishin konsoliduar, mungesa e të ardhurave financiare nga ana e partive të reja opozitare, mosshtrirja e tyre në zonat fshatare, mosshfrytëzimi i televizionit nga ana e këtyre partive, etj. Ky moslejim i kundërshtarit për të luajtur gjatë fushatës së zgjedhjeve sipas të njëjtave rregulla, sipas Ngjelës, dëshmoi ligësinë dhe djallëzinë e Ramiz Alisë, i cili nuk donte të largohej nga pushteti (f. 147).
Përmbysjen e qeverisë socialiste të Fatos Nanos me anën e grevës së përgjithëshme që organizuan Sindikatat e Pavarura në maj 1991, Ngjela e quan me të drejtë shpërthim të konfliktit midis qeverisë puniste dhe popullit(f. 210).
Më 5 qershor 1991 u krijua Qeveria e Stabilitetit. Ishte koha që intelektualë të përvojtur si S. Ngjela, M. Velo, V. Zhiti, F. Lubonja njerëz të mirëformuar të futeshin në Partinë Demokratike e në bashkëpunim me grupin liberal properëndimit të Gramoz Pashkos, Arben Imamit, Zef Brozit, Eduard Selamit, Shinasi Ramës, Pjetër Arbnorit, Teodor Kekos, Sokol Olldashit, Perikli Tetës, Mitro Çelës, Preç Zogajt, Shahin Kadaresë, Natasha Lakos, etj të forconin veprimtarinë e këtij krahu brenda PD-së. Bashkimi dhe bashkëpunimi i të tillë intelektualëve me stafin drejtues të PD-së do të sillte përshpejtimin e krijimit të një klase politike serioze dhe profesionale, ose, si këshilloi shqiptari nga Bruxelle-s Idriz Basha, këta elementë duhej të krijonin një parti të re për ta mposhtur frymën orientale të grupit Berisha.
Mirëpo, Ngjela me shokët e tij jopartiakë qëndruan mënjanë si të pavarur, gjë që nuk ndihmoi as për mposhtjen e grupit të Sali Berishës dhe as për ta evoluar këtë grup drejt zbutjes. Berisha duke qenë i lirë e shfrytëzoi me shkathtësi rastin për të forcuar krahun e tij duke mënjanuar pjesëtarët e grupit liberal, sidomos pas marrjes së pushtetit mbas zgjedhjeve të marsit 1992. Ky mosangazhim i Ngjelës në politikën e kohës, ishte në fakt në kundërshtim dhe me mësimin që ai ka dhënë vetë në këtë libër: Politika nuk është sentiment pranimi apo mospranimi i atyre që drejtojnë politikën aktuale, por është pragmatizëm për të parë sesi mund të shpëtosh nga një e keqe që mund të bllokojë vendin dhe vetë shoqërinë.(f. 249)
Qëndrimi mënjanë individualist i Ngjelës, i këtij juristi të përgatitur shkencërisht gjatë viteve 1991-’92 mendoj se përbën në jetën dhe veprimtarinë e tij një gabim të rëndë politik, shoqëror dhe moral. Gabim të ngjashëm me të bënë dhe shumë intelektualë anëtarë të PD-së, të cilët pasi panë se Berisha po e forconte krahun e tij otomanist kundërliberal, u larguan nga kjo parti, në vend që të mobilizoheshin për të forcuar grupin liberal duke shkruar e botuar shkrime kritike në faqet e shtypit të lirë të kohës për të kritikuar gabimet e kryesisë së PD-së. Kjo tregonte se demokratët e asaj kohe nuk kishin formim politik, nuk kishin ideale për të cilat duhej të luftonin, ata ishin bashkuar me PD-në për të shprehur pakënaqësinë ndaj zullumeve të PPSh-së.
Qeveria e Stabilitetit ishte një marrëveshje midis PS-së dhe PD-së për sundim të përbashkët, e cila nuk po bënte përpjekje për ndërtimin e një shteti të drejtë funksionues nëpërmjet ligjit, vëren Ngjela. Këtu ai gjen rastin të paralajmërojë, se nëse nuk sundon dot nëpërmjet ligjit, patjetër që do të sundosh nëpërmjet krimit(f. 231). Në kohën e Qeverisë së Stabilitetit, Ngjela bëri një gabim tjetër: nuk pranoi postin e Kryetarit të Komisionit të Privatizimit, detyrë të cilën ia propozoi Kryeministri Ylli Bufi dhe ai mund ta kryente me shumë sukses.
Moskrijimi i një shteti ligjor gjatë qeverisë së Stabilitetit dhe më vonë pasi erdhi Berisha në pushtet, ishte arsyeja themelore që e shtyu këtë ish-komunist ekstremist, që në vend të qeveriste sipas ligjit sundoi nëpërmjet krimit. Dhe Shqipëria e pagoi dhe po e paguan shtrenjt moskrijimin e shtetit ligjor.
Krahas mprehtësisë, edhe guximi është një tipar i Ngjelës. Ai nuk nguron të kritikojë dhe Departamentin e Shtetit Amerikan lidhur me përkrahjen e madhe që i dha Sali Berishës, të cilin pa e verifikuar mirë, e mbështeti dhe e konsideroi kampion të demokracisë në Ballkan(f. 255). Mirëpo Ngjela pati mundësi dhe u bë mik i afërt me ambasadorin amerikan William Edwin Ryerson (f. 274), por ai nuk punoi me të për ta bindur se Sali Berisha nuk meritonte të përkrahej aq fort prej qeverisë amerikane dhe t’ia numëronte dobësitë dhe gabimet politike të liderit shqiptar, gjë që do të ndreqte shumë veprime në politikën shqiptaro-amerikane.
Ngjela e ka parë me syze krejt të errëta Sali Berishën si politikan dhe qeverinë e parë demokratike të viteve 1991 – ’96. Ai nuk justifikon asnjë nga gabimet e saj të kryera nën presionin e vështirësive të mëdha me të cilat ky pushtetar pa shkollë politike bashkë me qeverinë e parë demokratike u ndeshën për ta nxjerrë Shqipërinë nga gjendja e komës ku e kishte katandisur sundimi i gjatë i diktaturës komuniste. Ngjela nuk e kritikon si e sa duhet luftën e ashpër armiqësore që i bëri opozita socialiste ndaj çdo hapi e vendimi që merrte Presidenti Berisha dhe qeveria Meksi. Këtë politikë armiqësore të opozitës socialiste, Ngjela nuk e ka dënuar si një politikë, e cila si dikur lufta e klasave, ushqente armiqësinë midis bijve të popullit shqiptar. Lufta e klasave dhe lufta partiake e këtyre viteve ishin të ngjashme me luftën që kishin mbjellë gjatë sundimit osman Porta e Lartë e Stambollit dhe Patrikana Greke midis shqiptarëve myslimanë dhe shqiptarëve të krishterë. Në atë kohë populli ynë, luftës fetare ia kishte gjetur zgjidhjen përmes tolerancës fetare, kurse kësaj luftës së re politike nuk po ia gjente dot zgjidhjen dhe tifozllëku partiak u kthye në një plagë shoqërore. Armiqësia politike midis anëtarëve dhe simpatizantëve të PS-së dhe PD-së vinte duke u ashpërsuar, në një kohë që Shqipëria kishte nevojë për kritika tolerante, për diskutime që shpinin drejt pajtimit kombëtar dhe jo drejt ashpërsimit e mospajtimit. Në këtë proces duhej të ishte angazhuar fort njeriu i formuar Ngjela me njohuritë e tij politike, filozofike e juridike.
Ndërkohë duhet të themi se autori i librit ia mban anën shokut të tij Gramoz Pashko dhe nuk e kritikon për premtimin e çekut të bardhë, që ia ngriti mendjen popullit shqiptar dhe e hodhi në luftë për shkatërrime. Shkakun e shkatërrimeve Ngjela ia vesh Sali Berishës (f. 330). Eshtë rasti këtu të them se analisti e studiuesi Ngjela vuan dhe ai nga mungesa e ndjenjës së autokritikës. Në këto dy volume dhe në intervistat e tij nuk kam hasur asnjë shprehje të tij se i njeh vetes ndonjë gabim dhe askund nuk gjendet përpjekje për korrigjim të veprimeve dhe mendimeve të veta. Pra mund të themi se deri diku Ngjela edhe pse ka një formim kulturor e profesional të ngritur, vuan nga një ndjenjë mendjemadhësie.
Më tej vlen të ndalem në analizat që ky studiues i ka bërë diktatorit Hoxha dhe diktaturës. Shumë vëzhgime të tij për këtë problem janë të sakta, por prej tij prisja më shumë. Gjatë takimit me nënën e tij, në ditët e para të mbaslirimit nga burgu, Spartaku dëgjoi opinionin e saj për regjimin e Enver Hoxhës: Regjim i urryer nga gjithë shoqëria. Historikisht i urryer(f. 23), dhe ai nuk e kundërshtoi as atëhere e as më vonë edhe pse nëfaqet e mëtejshme të librit, arsimin dhe armatën ushtarake shqiptare të kohës së diktaturës iquan të fortë. Jeta e këtyre 27 vjetëve ka treguar se Enver Hoxha dhe sistemi i tij diktatorial nuk po urrehet nga e gjithë shoqëria jonë, ka ende nostalgjikë që më 5 maj shkojnë te Vorrezat e Dëshmorëve me foton e tij. Kurse shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë vijojnë ta simpatizojnë si burrë shteti që krijoi e udhëhoqi një shtet të zhvilluar e të pavarur. Kjo vjen nga fakti setë metat, gabimet dhe krimet e atij diktatori dhe të atij sistemi nuk u shpjeguan shkencërisht nga studiues seriozë. Kurse kur u shpjeguan prej disa intelektualëve të përndjekur, mendimet e tyre nuk u pranuan nga ish-kuadro të formuar gjatë kohës së diktaturës. Kjo tregon se dukuria e sistemit totalitar shqiptar dhe e diktatort Hoxha ka qenë shumë më e komplikuar sesa është shpjeguar deri sot prej atyre që e bënë objekt studimi, qoftë dhe prej studiuesitNgjela…
Aftësitë organizative të Spartak Ngjelës u shpalosën gjatë vitit 1992 me formimin e Partisë Aleanca Demokratike, me kryetar Neritan Cekën. Avokati Ngjela luajti rolin kryesor për organizimin e asj dhe hartimin e statutit. Shumë i zoti si politikan Ngjela u shfaq në Beograd kur shkoi atje me delegacionin e partisë të tij dhe shpalosi elokuencën, atdhetarinë dhe guximin e tij të lartë gjatë takimeve me personalitete jugosllave të cilë i vuri me shpatulla për muri lidhur me të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës. Midis këtyre personaliteteve përmendim Predgar Simiç, drejtor i Institutit Ndërkombëtar të Politikave dhe Ekonomisë të Beogradit, dhe Vladimir Jovanoviç, Ministër i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, i cili në fakt ishte zëvendësi i Sllobodan Milosheviçit (f. 376-390).
Me interes është shpjegimi që Ngjela i bën arrestimit dhe burgimit të Fatos Nanos. Sipas tij akuza për vjedhje që i bëri gjykata e ngarkuar prej S. Berishës ishte e padrejtë. Ishte e padrejtë sepse ndihmat italiane në kohën e akuzës nuk ishin nisur ende nga Italia dhe sepse kompaninë italiane të ndihmave e kishte zgjedhur qeveria italiane dhe jo F. Nano (f. 436-’37).
Zgjedhjet e vitit 1996 u manipuluan, thotë Ngjela, dhe Berisha me këto zgjedhje fitoi pushtetin, por humbi përkrahjen e qeverisë amerikane, sepse u kuptua karakteri i tij diktatorial.
Pavarësisht se viti 1996 kur mbyllen ngjarjet e librit, ishte vit kur po trokiste revolta e popullit të revoltuar prej firmave piramidale, libri mbyllet me një ndjenjë optimiste, për të ardhmen e Shqipërisë e të populit shqiptar, sepse ky autor nga natyra është njeri optimist. I tillë shfaqet Ngjela edhe sot në shkrimet dhe intervistat e tij…
* * *
Shprehje të mençura të Spartak Ngjelës.
Studiuesi, politologu, analisti Ngjela duke qenë një jurist i mirëformuar, që ka lexuar shumë vepra shkencore e letrare, që ka jetuar jetën e një murgu nëpër burgjet e diktaturës shqiptare dhe ka përjetuar shumë ngjarje të dhimbshme, ka një bagazh kulturor që bie në sy në veprat e tij. Midis tjerash ai shquhet dhe për përdorimin e shumë shprehjeve të mençura në veprat e veta. Këto sentenca janë disi të ndryshme nga ato që nxorëm nga veprat e gazetarit e filozofit Astrit Lulushi, të cilat me karakterin e tyre filozofik, moral e shoqëror të kujtojnë Solomonin e Judenjve të lashtë. Kurse Spartak Ngjela shquhet për sentenca që lidhen me të menduarit juridik, politik e filozofik.
Shprehje të mençura të Spartak Ngjelës, mbledhur në Vol. II.
– Tmerri është frika nga një vdekje e shpejtë që mund të të vijë nga ato forca që të imponojnë jetën tënde. (f. 11)
– Trishtimi në fakt është injorancë, sepse të kap atëhere kur ti nuk je në gjendje të kuptosh fenomenin. (f. 11)
- Komunizmi, krimi dhe sekreti(mbajtja sekret e krimeve, Th. Gj) ishin bashkudhëtarë të pandarë derisa ranë të tre(f. 151).
- Rrëfimi dhe lutja janë arti për të mposhtur tendencën gënjeshtare që kemi brenda vetes(f. 193).
- Pushteti është gravitacion i madh, aq i madh sa që lëkund çdo interes tjetër ideor (f. 205).
- Të biesh në mërzitje mbas një zhgënjimi është dobësi që vjen nga moszotërimi i vetes. (f. 205)
- Njeriu duhet të jetë mësuar me rastin e keq dhe të gjejë forcë morale për të mos u përkulur. (f. 205)
- Njerëzit e mëdhenj e kuptojnë se për të shpëtuar veten, duhet të shpëtosh më parë gjithë shoqërinë. (f.225)
- Dinjiteti është dije e thellë që ka të bëjë më shumë me lirinë sesa me ekzistencën. (f. 234)
- Ligësia nuk është sjellje, ajo është veprim(f. 236).
- Shoqëritë e pazhvilluara kanë nevojë të brendshme të urrejnë shoqëritë e zhvilluara. (f. 461)
- Njeriu në Amerikë jeton me rrezikun, ai rrezikon për të fituar më shumë para [dollarë], më shumë liri. Amerikani synon të jetojë të tashmen, kjo është parajsa për të, kurse njeriu i socializmit jeton duke sakrifikuar për një të ardhme, për një ëndërr. Pra amerikani jeton me realitetin, me të vërtetën, [njeriu i socializmit] me përralla. (f. 516-517)
Shprehje të mençura të Spartak Ngjelës, mbledhur në Vol. III.
– Mendimi është në fakt epiqendra e asaj që ne i themi jetë, dhe ky mendim gjithmonë na detyron që ta shohim jetën në aspekte të ndryshëm. (f. 14)
– Asnjë kafshë nuk di të shohë realisht se çfarë ndodh me të në botën ku jeton, sepse nuk ka aftësinë e të menduarit. (f. 16)
– Enver Hoxha kishte ngritur urrejtjen njerëzore në sistem dhe e kishte bërë gjenerim të brendshëm të vetë politikës dhe pushtetit(f. 16)
– Kurrë mos u bashko me poshtërsinë dhe kurrë mos u mundo t’ia falësh vetes nëse ke qenë i gënjyer dhe i ke shërbyer padrejtësisë shoqërore. (f. 23)
- Frika është e vetmja e keqe e madhe që ka pllakosur gjithmonë shoqëritë e pazhvilluara, dhe këtu kanë qenë të përqendruara të gjitha pushtetet tiranike.(f. 24)
– Tirania [e Enver Hoxhës] që u duk në fillim se kishte nisur e mbështetur në eleminimin fizik dhe në persekucionin e gjatë dhe masiv të një klase shoqërore, erdhi më pas dhe u bë e tillë për të gjithë shoqërinë dhe madje edhe për vetë fitimtarët e luftës që e kishin futur këtë frymë tiranike në Shqipëri nëpërmjet ligësisë Hoxha (41).
- Për sa kohë nuk është shkatërruar tirani I vjetër, gjithmonë do të ketv një tiran të ri (f.59).
- Demokracia është proces dhe jo produkt (f.73).
- Një tirani si ajo e Enver Hoxhës nuk kishte nevojë për shumë ligje, sepse shoqëria dhe individi nuk kishin aspak të drejta. Ligj do të thotë shprehje e koncentruar e asaj që përcakton se ku mbaron e drejta jote dhe ku fillon e drejta e tjetrit, ose ku fillon e drjta jote dhe ku mbaron e drejta e shtetit(f. 87).
– Në të vërtetë , politika nuk i pyet fare aleancat [e individëve]… sepse, pavarësisht nga fillimi ose gjeneza, politika është interes dhe pasion për pushtet (f. 93).
– Historia mund të futet në absurd dhe të ecë në drejtim edhe më të rëndë sesa pushtimi i huaj, për ata popuj që kanë zëvendësuar një tirani të huaj me një tirani kombëtare (f. 95).
- Bota dhe kombet, shoqëritë dhe popujt, janë të grupuar sipas tendencave patriotike (atdhetare) të nocionit të atdheut, por jo të gjithë atdhetë në këtë rruzull e kishin fituar koshiencën e drejtimit të shoqërisë në mënyrë të barabartë. (f. 109)
- Njeriu i thjeshtë [i kohës së diktaturës] ishte mësuar me mite dhe mite po kërkonte [edhe pas shkërmoqjes së diktaturës](f. 111).
- Që të arrish në caqet e burrit të shtetit, duhet që patjetër të jesh njeri i pavarur. (f. 121)
- Ekonomia nuk është një ‘perepetum mobili’, por një lëvizje permanente që kërkon të furnizohet me emrgji që të prodhojë. (f. 121).
- Nëse nuk ke logjikën racionale të gjërave, nuk di të përballesh realisht me kaosin. (f. 127)
- Arsyeja është pikërisht ai moment kur koshienca njerëzore di që, me anë të intelektit, të sistemojë kaosin, për të ndëtuar një sistem apo një rend. (f. 127)
- Demokracia është liberalizëm në sensin e pranimit të së kundërtës, dhe, menaxhim, në sensin e shtetit si politikë dhe të tregut si ekonomi.(f. 131)
- Kur e njeh një fenomen të keq, nuk duhet të qahesh për të, por ta frenosh.(f. 137)
- Kapitalizmi është garë dhe gara kërkon moralitet.(f. 140)
- Nëse atdheu i një populli është pronë e një njeriu, ky popull realisht do të jetë i skllavëruar dhe kurrë nuk do të ketë lidhjeme atë vend. (f. 151)
- skllevërit nuk kanë atdhe, por punojnë në mënyrë rropatëse për atdheun e të tjerëve: skllavopranarëve të tyre. (f. 151)
- Nuk ka gjë më të rëndë për një popull, sesa kur e ndien që, ndonëse pushteti shtypës nuk ka më forcë për të vepruar, shoqëria nuk e beson. (f. 161)
- Progresi para së gjithash është ndjenjë, mendim dhe pastaj besim(f. 188).
- Drejtësia dhe fjala e lirë përbëjnë në fakt natyrën e shtetit liberal. (f. 195)
- Shoqëritë e pazhvilluara, kurrë nuk e kanë ndierë drejtësinë si kërkesë imediate, ose të domosdoshme, sepse më shumë kanë menduar për bukën egojës, sesa për fjalën e lirë(f. 196).
– Kur shoqëria është e paralizuar nga pamundësia e aksionit qytetar, dhe kur vetë shteti është produkt i kësaj shoqërie, tirania është i vetmi sistem politik që triumfon. (f. 197)
– Vrulli popullor për ndryshim është frymë dhe jo arsye(f. 221).
- Nëse nuk sundon dot nëpërmjet ligjit, patjetër që do të sundosh nëpërmjet krimit. (f. 231)
- Antiintelektualizmi ka gjithmonë karakter patologjik në lidhje me pamundësinë e arritjes së niveleve të larta të qytetërimit. (f. 232)
- Varfëritë që vijnë nga tiranitë dhe diktaturat ideologjike janë më të tmerrshmet(f. 233).
- E veçanta e komunizmit ishte se, të gjithë ishin të varfër, po asnjëri nuk e dinte këtë. (f. 233)
- Besimi nuk është një ndjenjvë që vjen me anë të frikës, por me anë të bindjes. (f. 242)
- Politika nuk është sentiment pranimi apo mospranimi e atyre që drejtojnë politikën aktuale, por është pragmatizëm për të parë sesi mund të shpëtosh nga një e keqe që mund të bllokojë vendin dhe vetë shoqërinë.(f. 249)
- Kur një vullnet vjen dhe mposht të gjithë të tjerët, jo me lojë politike, por me forcë, atëhere këtu fillon starti i një tiranie (f. 249).
- Koha politike nuk është e barabartë me kohën normale të jetesës së rëndomtë, sepse ajo ecën realisht vetëm nëpërmjet akteve. Politika esencialisht është akt, sidomos për opozitën që pretendon për të ardhur në pushtet. (f. 263)
- Koha ngandonjëherë është e pamëshirshme dhe ndihmon atë që di të veprojë me kurajë. (f. 267)
- Kapja që i bëjnë vullnetet e veçanta frymës së kohës, pa dyshim është aftësi e individëve(f. 269, 271)
- Politikat kurrë nuk janë spontane, sidomos kur ato vijnë dhe trajtohen nga shtabe të superfuqive, të cilat mbajnë në tryezat e tyre ekuilibrat e mëdhenj botërorë. (f. 274)
- Nuk ka mundësi kurrë që të dominosh situatën politike në kohët moderne nëse nuk ke një mendim të konsoliduar për zhvilimin e shoqërisë sate. (f. 280)
- Urrejtja e individit nxitet gjithmonë nga pasiguria dhe frika e zgjatur në kohë.( f. 295)
- Kurrë nuk mund të jetojë gjatë një regjim i padrejtë me një gjykatë të drejtë dhe kurrë nuk mund të ketë drejtësi kur krimi shtetëror i paraqitet shoqërisë si drejtësia më e kulluar. (f. 299)
- Ligësia nuk është doktrinë, përkundrazi, doktrina mund të kthehet në ligësi nga natyra e tiranit, diktatorit ose peshkopit. (f. 309)
- Barbaria institucionale është njëgjendje primitive e drejtimit shtetëror, ku institucionet janë krejt fiktive dhe drejtohen, jo për interes shoqëror, por për interes individual. (f. 311)
- Politika hakmarrëse nuk ka asnjë lidhje me modernitetin, me demokracinë dhe humanizmin; sepse ajo është një politikë mesjetare dhe totalitare. (f. 317)
- Dominimi i një vullneti të vetëm i kishte kthyer të gjitha revolucionet në terror, dhe të gjitha përmbysjet në tirani. (f. 319)
- Demokracia është një sistem që nuk mund ta pranojë as prioritetin e një shtrese shoqërore kundrejt një tjetre, dhe as kartën morale superiore të një strese kundër të gjithë shoqërisë. (f. 319)
- Kohët moderne e kishin zgjidhur ndërkohë se cila duhej të ishte shpresa e njerëzimit: KRIJIMI ishte pa dyshim shpresa moderne e njeriut të kohëve të reja. Domethënë…. SHKENCA dhe ARTI. (f. 336)
- Njeriu shpesh nuk e pranon atë që nuk e dëshiron, dhe nuk mund të heqë dorë nga ajo që shpreson. (f. 339)
- Sentimenti popullor, sidomos ai nacionalist, ështënjëproces historik i cili edukohet me shekuj. (f. 365)
– Shëmtimi dhe ligësia që ndesh në drejtimin e një shoqërie gjithmonë ta errëson të ardhmen. (f. 412)
- Historia kurrë nuk ecën spontanisht edhe kur ajo të është dukur ashtu, po kështu edhe ngjarjet nuk mbeten në histori të palidhura(f. 434).
- Kurrë nuk mund të ketë vjedhje në grup pa bashkëpunim. (f. 437)
- Akt politik të paqëllimtë nuk mund të ketë. (f.440)
Në vend të konkluzioneve
Me studimet, analizat, intervistat e tij, Spartak K. Ngjela bën pjesë ndër intelektualët më aktivë shqiptarë që ka sjellë e sjell ndihmesë të ndjeshme në formimin e një mendësie të guximshme për përmirësimin e jetës politike dhe shoqërore të popullit shqiptar.
Kystudiues e analist i mirëformuar është mirë të largohet nga fryma individualiste dhe të afrohet e të krijojë lidhje bashkëpunimime forcat përparimtare shqiptare kudo ku ato jetojnë e punojnë brenda e jashtë Shqipërisë për të realizuar një bashkëpunim të frutshëm për të nesërmen e botës shqiptare. Gjithashtu ai duhet të heqë dorë nga përdorimi i fjalëve fyese që ka përdorur deri sot ndaj A. Meksit, S. Berishës, E. Ramës, dukuri kjo që nuk përputhet me kulturën e tij të gjerë dhe formimin e lartë profesional.
Atdheun nuk e bëjnë të fortë e të begatë bukuritë natyrore, numëri i madh injerëzve qofshin këta dhe të pasur, as madhësia territoriale, por njerëzit e ndershëm, sidomos politikanët e qeveritarët që punojnë me përkushtim dhe sakrifica për të krijuar vepra të ndryshme me nivel të lartë moral, politik, etj.
Pikërisht puna dhe veprat e intelektualëvetë lirë e të pavarrur si Visar Zhiti, Maks Velo, Veton Suroi, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Elez Biberaj, Frank Shkreli, Ruben Avxhiu, Jozef Radi, Lek Pervizi, Ilia Karanxha, Fotaq Andrea, Pëllumb Kulla, Astrit Lulushi, Zef Simoni, Ilia Ballauri, Bashkim Shehu, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela e shumë të tjerë, përbëjnë shtyllat e qëndrueshme mbi të cilat po ndërtohet bazamenti politik, kulturor e artistik i shtetit shqiptar kombëtar i së nesërmes, i cili do të jetë shtet i qendrueshëm dhe konkurues me shtetet fqinjë në bashkësinë europiane.