-Koalicioni fitues i zgjedhjeve ka emrin, por jo numrat për kreparlamentar. Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh votat janë 60 me 60/
-Sipas paralajmërimeve jozyrtare, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vijojë në 7 shtator/
PRISHTINË, 24 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Dështon vijimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të ftuar për herë të gjashtë dhe ndërprehet pas replikave të liderit të VV Albin Kurti dhe liderit të PDK Kadri Veseli, e deklarimeve tjera, mes të cilave ishte ai i përfaqësuesit të koalicionit të LDK, Avdullah Hoti, i cili tha se sot vendi po hyn në një krizë edhe më të thellë institucionale, ndërsa paralajmëroi organizimin e tryezave konsultative në kërkim të zgjidhjes. “Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës” me të vetmen pikë në axhendë “Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit”, i ftuar për sot në orën 10:00, nga kryesuesi, deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, nisi me një minutë heshtje në nderim të kryeministrit të zgjedhjeve të para në liri Bajram Rexhepit, i cli u nda nga jeta këtë javë.Por, është i pamundur vazhdimi e përfundimi i seancës konstituive pasi përfaqësuesi i koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, Enver Hoxhaj, tha se e kanë emrin për kryeparlamentar, por nuk i kanë numrat, dhe u duhet edhe pak kohë, “më pak se dy javë e më shumë se 10 ditë”.
Koalicini fitues i zgjedhjeve vetë e kishte kërkuar datën 24 gusht për vazhdimin e seancës në takimin e tretë konsultativ të partive parlamentare mbajtur të mërkuren e javës së kaluar. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të para tre viteve vetëm fituesi i zgjedhjeve ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit.“Jemi duke bërë përpjekje që të jemi në seancë, por ekziston mundësia reale që as të mos mund të fillojmë”, ka deklaruar dje lidhur me vazhdimin e sotëm të seancës kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i nominuari për kryeministër i koalicionit fitues të zgjedhjeve.Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e nisur para tre javësh është ndërprerë pas dhënies së betimit të deputetëve dhe ka vijuar me disa dështime – pa e përmbyllur konstituimin me zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve.Seanca nisi në 3 gusht paradite me vonesë dhe vijoi me tre pushime dhe një ndërprerje në mesditë, pastaj e ftuar për në orën 15:00 për vazhdimin që u bë i pamundur nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, i cili sipas deklaratave të deputetëve tjerë nuk kishte votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.Në zhvillimet e seancës konstituive në 3 gusht, gjatë një votimi të propozimit për shtyrjen për dy orë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, u pa mungesa, të paktën edhe e një vote, pasi rezultati ishte rrëzim me barazim – pro 60 dhe kundër 60.
As në 4 gusht nuk vijoi seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës meqë vijoi mungesa e deputetëve të koalicionit fitues, ndërkohë që vetëm gjysma e tyre kishin ardhur në sallën plenare.Kuvendi i Kosovës edhe në 10 gusht gjatë vazhdimit të seancës konstituive nuk arriti të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, pasi përsëri nuk merrte pjesë koalicioni PDK-AAK-Nisma.
Më pas vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ishte ftuar nga kryesuesi-deputeti më i vjetër, për 14 gusht, por nuk u zhvillua në mungesë kuorumi, ishin të pranishëm vetëm 53 deputetë.Ndërkohë, mes këtyre zhvillimeve, në 4 gusht është mbajtur takimi i parë konsultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare lidhur me vazhdimin e seancës konstituive, ku vendos për mbajtjen edhe të takimit të dytë në 9 gusht, ku koalicioni PDK-AAK-Nisma ka kërkuar edhe një takim tjetër pas një jave dhe më pas thirrjen e seancës në 17 a 18 gusht.“Nuk pati konsensus lidhur me propozimin që vazhdimit të seancës t’i paraprijë një takim tjetër konsultativ të mërkurën e ardhshme, në 16 gusht 2017”, theksonte njoftimi dërguar nga Kuvendi.
Kryesusi i seancëse konstituive, i cili është nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte bërë një deklaratë se nuk do ftonte më takime konsultative të partive parlamentare, megjithate e ftoi.
Në 16 gusht përfaqësues të subjekteve politike parlamentare, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, janë mbledhur serish në takim konsultativ, të tretin, ku u vendos që seanca konstituive Kuvendit të Kosovës të vazhdojë të enjten, në 24 gusht, në orën 10:00.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në takimet konsultative duke theksuar se ato janë të panevojshme dhe se thirrja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit është në kompetencë të kryesuesit.Sipas paralajmërimeve jozyrtare, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vijojë në 7 shtator.Një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në 10 maj, Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.Në ndarjen e 100 vendeve për shqiptarët në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, ku PDK-AAK-Nisma ka 39 mandate, Lëvizja Vetëvendosje 32 dhe LDK-AKR-Alternativa 29, nuk i kanë dhënë numra të mjaftueshëm koalicionit fitues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, as nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re.Në votimet në konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, si dhe në vendimmarrje tjera parlamentare, pjesë e rëndësishme e procesit janë edhe 20 deputetët e komuniteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.Koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, që do ishin të dytat brenda vitit 2107, madje sipas disa analistëve do mund të mbaheshin edhe në një ditë me zgjedhjet lokale në 22 tetor.
ZGJEDHJET LOKALE 2017 DO MBAHEN NË 38 KOMUNAT E KOSOVËS
Për Zgjedhjet Lokale 2017, të cilat do mbahen në 38 komunat e Kosovës, është përmbyllur në mesnatën mes të martës e të mërkurës afati për aplikim të subjekteve politike për çertifikim për pjesëmarrje.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi përmbylljen e afatit për aplikim për çertifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, që do të mbahen në 22 tetor.Gjatë një periudhe dy mujore, prej 22 qershorit deri në 22 gusht, kanë aplikuar gjithsejt 91 subjekte politike: 35 parti politike, 1 koalicion, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash apo për këshilltarë të kuvendeve komunale.
NJOFTIMI NË FAQEN ZYRTARE TË KUVENDIT TË KOSOVËS:
Vazhdimi i seancës konstituive
E Enjte, 24.08.2017
Në shenjë respekti dhe kujtimi për ish kryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili kohë më parë ka ndërruar jetë, vazhdimi i sotëm i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga deputeti Adem Mikullovci, ka nisur me një minutë heshtje.
Më pas, në foltore është paraqitur përfaqësuesi i koalicionit PAN, deputeti Enver Hoxhaj, i cili shprehu vendosmërinë e këtij koalicioni për të jetësuar të drejtën e tyre kushtetuese për propozimin e kryetarit të Kuvendit. Por, për të arritur këtë, ai kërkoi ende kohë. Kërkojmë tha ai, më pak se dy javë dhe më shumë se 10 ditë kohë para se të paraqesim kandidatin e koalicionit për kryetar të Kuvendit.Në vijim fjalën e mori deputeti i VV-së Albin Kurti. Ai gjatë fjalës së tij foli për dëmet që i shkaktohen vendit me vonesën e konstituimit të organeve shtetërore. Kurti, po ashtu vlerësoi se, PAN-i pa humbur kohë duhet të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Në emër të koalicionit LAA, fjalën e mori deputeti Avdulla Hoti, i cili vlerësoi se me dështimin e seancës së sotme vendi është duke hyrë në një krizë edhe më të thellë institucionale, ndërsa bëri të ditur se ky koalicion zgjedhjen do ta kërkojë në tryezat konsultative që do të organizohen prej tyre.
Më pas fjalën e mori ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.Duke iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga deputeti Kurti, ish kryetari i Kuvendit Veseli, ndër të tjera tha: “Shumicën aktualisht nuk e ka siguruar as një nga subjektet politike”. Për më shumë, Veseli, duke iu drejtuar deputetëve deklaroi se, nëse VV do të sigurojë shumicën e kërkuar parlamentare, PAN do të mbështesë atë.Pas kësaj ndërmjet ish kryeparlamentarit Veseli dhe deputetit Kurti u zhvillua një replikë, pas së cilës kryesuesi ndërpreu seancën.Për vazhdimin e seancës së radhës, kryesuesi njoftoi se deputetët do të njoftohen me kohë.