• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Parlamenti voton Pro shkarkimit të Presidentit Meta

June 9, 2021 by dgreca

Në Shqipëri parlamenti votoi sot në favor të shkarkimit të presidentit Iir Meta. Vetëm një numër i vogël deputetësh votuan kundër. Nisma për shkarkimin e kreut të Shtetit u ndërmorr nga socialistët të cilët e akuzuan atë për qëndrimet e mbajtura përpara dhe gjatë fushatës elektorale. Edhe Komisioni hetimor i ngritur posaçërisht arriti në përfundimin se zoti Meta ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Presidenti nga ana e tij e ka quajtur të paligjshme nismën e ndërmarrë nga parlamenti, Vendimi i parlamentit do të kalojë tani në duart e Gjykatës Kushtetutese.

Në favor të shkarkimit të të presidentit Meta votuan 104 deputetë, ndërsa 7 ishin deklaruar Kundër dhe 3 të tjerë kishin abstenuar. Për shkarkimin e zotit Meta, nevojiteshin, dy të tretat e parlamentit, ose 94 vota.

Në 30 vite pluralizëm në Shqipëri, vendimi sotëm shënon rastin e parë të shkarkimit nga ana e parlamentit të presidentit të vendit.

Procedurat e parlamentit u zhvilluan me shpejtësi dhe Komisioni hetimor e mbylli aktivitetin e tij për tre javë. Komisioni mori në shqyrtim të gjitha deklarimet publike të zoti Meta për të vërtetuar përfshirjen e tij në fushatën për zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas raportit të miratuar prej tij, Kreu i Shtetit rezulton të ketë kryer së paku 9 shkelje, duke nisur që nga betimi i tij si president të cënimi i procesit zgjedhor, i marrëdhënieve me partnerët strategjikë të Shqipërisë, imazhit dhe reputacionit të vendit, figurës së vetë institucionit të Presidentit apo dhe abuzim me kompetencat kushtetuese të Presidentit.

Të gjithë këto shkelje janë vlerësuar nga komisioni se “shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Në ndryshim nga ndërhyrjet e tij tejet të gjata në parlament, kryeministri Edi Rama foli shumë shkurt duke preferua të rendiste shkaqet që çuan në vendimin e sotëm: “Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ilir Meta ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ilir Meta ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë tonë parlamentare. Ilir Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri”, u shpreh zoti Rama.

Duke deklaruar se sipas tij zoti Meta i ka humbur shanset që i janë ofruar, kryeministri tha se Shqipëria nuk mund të mbajë më atë në kurriz.

Presidenti Meta nga ana e tij ka folur gjatë gjithë kohës për një “nismë ilegjitime të parlamentit”. Ai nuk u paraqit të mbronte pozicionin e tij as në Komisionin hetimor dhe nuk shfrytëzoi as të drejtën që i njihet për t’u paraqitur dhe në seancën e sotme. Si për të dëshmuar indiferencën e tij ndaj vedimmarrjes së sotme, ndërsa në parlamenti vijonte me diskutimet, ai organizoi në presidencë një aktivitet kulturor me këngë e valle nga Ansambli Folklorik i Dibrës “Hazis Ndreu”.

Menjëherë pas votimit, Presidenti Ilir Meta reagoi përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, duke përdorur tone të forta dhe akuza ndaj parlamentit. Në një postim në Facebook, të shoqëruar me një fotomontazh të sallës së parlamentit mbuluar nga mbeturinat, zëdhënësi shkruan se “nuk ka asnjë shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landifillit parlamentar monist”. Ai shton se “nuk ka asnjë surprizë nga tregtari I kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës”, duke ju referuar kështu Kryeministrit Edi Rama ndërsa thekson se “Presidenti Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojten e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre që prej vitesh punojnë kundër Shqipërisë”.

Nga ana e saj dhe Partia demokratike, përmes një deklarate, “e konsideron antikushtetues vendimin e parlmentit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetutese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit”, thekson deklarata e Partisë Demokratike.

Gjykata Kushtetuese, është ajo që do të thotë fjalën e fundit duke i dhënë të drejtë ose jo parlamentit.(Sinas Zerit te amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: Parlamenti, president, Shkarkon Ilir Meten

Kosovë-Dialogu me Serbinë, përsëri në axhendën e Kuvendit

September 2, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës nis sesionin vjeshtor, të hënën e 3 shtatorit mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë:  “Kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës:  Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

1 Kuvendi-Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika/

PRISHTINË, 2 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Kuvendi i Kosovës nis sesionin vjeshtor, për të hënën e 3 shtatorit në orën 8:00 është ftuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë:

 “Kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës:  Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Në 29 gusht 2018 Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, siç theksoi, për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.

“Duke parë gatishmërinë e shumicës së grupeve parlamentare për të mbështetur këtë qëndrim, rezoluta do të aprovohet me mbi 80 vota”, u shpreh grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare.

Më tej shtoi se, nuk ka mekanizëm politik më të fuqishëm për të shprehur vullnetin e qytetarëve të Kosovës, përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të zgjedhur të qytetarëve. “Askush nuk duhet të ketë guxim të ndërmarrë hapa që bien në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërmuese të deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, thekson grupi parlamentar i LDK. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës është e obligueshme për të gjithë, vijon deklarata dhe shton se, nëse dikush vepron ndryshe, atëherë bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pasojat kushtetuese dhe politike janë të ditura.“Kjo rezolutë do të dërgojë tek miqtë tanë ndërkombëtarë, që kanë ndihmuar shtetin e Kosovës të arrijë në këtë pikë ku është tani, vullnetin e qartë të qytetarëve të Kosovës se nuk janë të gatshëm të negociojnë për territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata e grupit parlamentar të LDK.

Në 28 gusht 2018, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se e ka votën e tij rezoluta e paralajmëruar nga opozita  se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e kufijtë e Kosovës.“E ka votën time sot. Për të mos u ndryshuar kufijtë e territori e ka votën time sot e nesër e në çdo kohë”, u shpreh kryeministri Haradinaj pas një mbledhje të qeverisë, duke iu përgjigjur interesimit të medias se a do ta përkrahë partia që ai drejton, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një qëndrim të tillë të opozitës.

 

“Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit para datës 7 shtator 2018”, ka paralajmëruar të hënën e kësaj jave kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke theksuar mbështetjen nga dy partitë tjera opozitare – Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate.

“Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush.
Në ditët në vijim do të kërkojmë mbështetjen edhe të grupeve të tjera parlamentare, si dhe të shoqërisë civile”, është shprehur kryetari i grupit parlamentar të LDK.

 “E mirëpres mbështetjen që po i jepet kësaj rezolute edhe nga grupet e tjera parlamentare. Pres që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë rezolutë”,  ka shkruar Hoti në ‘facebook’, gjatë javës.

Sipas deklaratave nga opozita, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet në 4 shtator 2018. 

Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.

Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD,  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.

Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për në 7 shtator.

 

PDK-Veseli: Nuk lejojmë cenimin e sovranitetit – opozita po ndjellë frikë

Në 31 gusht, në një konferencë për media, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit të Kosovës, i integritetit territorial të shtetit dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Rreth asociacionit, kryetari Veseli ka theksuar se për PDK-në, “asociacioni me kompetenca ekzekutive është i papranueshëm”.

Ja deklarimi i kryetarit të PDK Veseli para mediave:

Gjatë muajve të fundit, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje dhe ka ndërmarrë iniciativa konkrete për të përafruar qëndrimet politike dhe ndër-partiake, si dhe për të arritur konsensusin nacional.

Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, është konsistent dhe i qartë: Në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit të Kosovës, i integritetit territorial të shtetit tonë dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Asociacioni me kompetenca ekzekutive është i papranueshëm.

Kosovës i duhet konsensusi nacional për ballafaqim me Serbinë. Jo ndarja për ndarje mes vete dhe përfitime elektorale.

Seancë e jashtëzakonshme për ndarje e thirrur nga opozita është dëmi më i madh që i shkaktohet Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran dhe partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare.

Legjitimimi i temës së ndarjes në institucionin e Kuvendit pa fakte, pa argumente dhe me Kushtetutë të qartë është vetëm inskenim i lojës së papranueshme për ndarje, që është skenar jashtë Kosovës, SHBA-së dhe BE-së.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se ngritja e kësaj teme të rrezikshme në diskursin e brendshëm politik do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut, duke krijuar argumente pikërisht në favor të eksponentëve anti–Kosovë që dëshirojnë ndarjen e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, si gjithherë deri më tash, është e pakompromis dhe e vendosur që ta luajë rolin e vet aktiv dhe konstruktiv për ta arritur këtë qëllim.

I sigurojmë qytetarët e Kosovës se si Parti Demokratike e Kosovës, do të jemi në krye të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore, për të fuqizuar edhe më tej shtetin tonë të pavarur dhe sovran, kundër asociacionit, etj.”

Pas kësaj fjale të Kryetarit Veseli, ai u përgjigj edhe në pyetjet tjera të parashtruara nga gazetarët e pranishëm rreth deklarimeve të ndryshme në medie, qasjes së Presidenti dhe ShBA-së ndaj çështjeve aktuale si dhe funksionimin e Qeverisë, etj./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Dialogu Kosovë - Serbi, Parlamenti

Kaos dhe tymuese në parlamentin shqiptar, Opozita do nisë protestat

December 18, 2017 by dgreca

-Tiranë, kaos dhe tymuese në parlament, shumica zgjedh kryeprokurorin e përkohshëm./

1 Parlamenti tym

  • Opozita bëhet bashkë, nga janari nis vala e protestave masive kundër Ramës/
  • Rama falenderon Adriatik Llallën, i thotë PD e LSI-se: Sot latë namë!

Parlamenti në Tiranë sapo zgjodhi prokuroren e re të përgjithshme, Arta Marku, në një seancë të tensionuar nga protesta e opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit.Ajo u betua, ndërsa salla është plot me tymra shumëngjyrësh të hedhura nga deputetët e opozitës,njoftoi Zëri i Amerikës nga Tirana.

Kryetari i Parlamentit arriti të hedhë në votim pikën 5 të rendit të ditës për prokuroren e përgjithshme, megjithë rrëmujën brenda dhe jashtë ndërtesës.Një polic njoftohet se u plagos në kokë dhe një zonjë po ndihmohet për shëndetin e trazuar nga përplasjet.Opozita ka mbledhur mijëra përkrahës të saj në sheshin para parlamentit “për të protestuar kundër kapjes së prokurorisë nga kryeministri Rama”, si u shpreh kryetari i PD-së Lulzim Basha.

Deputetë të opozitës po flasin në shesh, ndërkohë që brenda në sallë plenare socialistët po përpiqen të ndjekin rendin e ditës.

Shumica votoi që zgjedhja e prokurorit të mbetet në rendin e ditës, por opozita tha se kjo është një nismë antikushtetuese e rrezikshme. Kryetari i parlamentit, Gramoz Ruci, tha se opozita mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe se ecuria e seancës është e rregullt.

LSI u bëri thirrje 3 kandidatëve për prokurorë që të tërhiqen nga kandidimi.

Protestuesit e opozitës hodhën fishekzjarre ngjyrues në oborrin e Kuvendit, ndërsa nisën të shtyhen me kordonat e policisë.

Deputetja e opozitës, Grida Duma, tha në tubim se protestuesit mezi po presin të hyjnë në sallën e Kuvendit, sepse “ajo është salla juaj dhe jo e socialistëve të korruptuar, që po rrëmbejnë drejtësinë”.

Ndësa deputeti socialist, Ulsi Manja, tha se kjo është hera e parë që prokurorin e përgjithshëm nuk e zgjedh Partia Demokratike, ndaj ata protestojnë.

“Kjo duhej të ishte një seancë normale dhe ligjet dhe rregullat janë të qarta. Pretendimet e PD-së nuk qëndrojnë dhe pjesëmarrja në tubim nuk është e madhe, sepse njerëzit u thirrën jo për hallet e tyre si papunësia” – tha ai.

Kuvendi ndërpreu punimet disa herë pasi deputetët e Partisë Demokratike zunë vend në foltore për të mos lejuar vazhdimin e seancës, ku pritet të votohet prokurori i përgjithshëm i përkohshëm. përgjithshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha fillimisht në një fjalë të shkurtër se sot është një nga ditët më dramatike të parlamentit, se shumica parlamentare po kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon si prokuroria.

“Kjo është një seancë antikushtuese. Socialistët po bëhen gati për një grusht shteti, po pushtetet duhet të jenë të ndara nga njëri-tjetri” – tha zoti Basha.

Ai theksoi se edhe reforma në drejtësi i sheh të ndara pushtetet ashtu si Kushtetuta.

“Binduni urdhërit popullor ose përballuni me pasojat” – tha zoti Basha.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se jemi bërë pjesë e një nisme humanitare në ndihmë të qendrs spitalore të Kosovës, duke u përpjekur ta futë seancën në një rrjedhë normale.

Deputeti Sali Berisha kërkoi të marrë fjalën, por u pengua nga punonjësit e parlamentit dhe foli shkurt pas një pushimi, duke denoncuar përpjekjet e shumicës për të uzurpuar postin e prokurorit të përgjithshëm.

Burime mediatke bëjnë të ditur se policia e kryeqytetit ka shoqëruar deri tani 5 përsna në lidhje me përplasjen me policinë para Kuvendit dhe tensionin që shoqëroi seancen ku u zgjodh Kryeprokurorja e Përkohëshme. Ndërkohë policia ka rrethuar me shirita të gjithë zonën ku ndodhi përplasja për të kërkuar objekte apo sende që mund të fajsojnë të ndaluarit.

Basha pas zgjedhjes se kryeprokurorit te perkohshem: Rama konsumoi pucin kushtetues

Pas votimit të kryeprokurores së Perkohshme nga maxhoranca Lulzim Basha deklaroi se sot u konsumua puci kushtetues.

Lulzim Basha: “Ky është reagimi i qytetarëve kur shkelet Kushtetuta,ky është reagimi i njerëzve kur kapet drejtësia,ky është reagimi  i popullit kur kriminelët marrin peng prokurorin për të mbyllur dosjet e krimit.

Sot parlamenti ka konsumuar një puç kushtetus.Edi Rama ka konsumuar dhunimin e Kushtetutës për të mbrojtur Sajmir Tahirin,Vangjush Dakon,Qazim Sejdinin, ministrat e tij të korruptuar dhe vetë veten e tij.

Opozita ka mbajtur qëndrimin e saj,qytetarët janë bashkuar dhe dua t’i përshendes,t’i përgëzoj dhe t’i falenderoj nga zemra. 

Sot i kemi treguar mbarë vendit dhe gjithë shqiptarëve dhe gjithë faktorit ndërkombëtar se ne,nuk jemi e nuk do bëhemi kurrë fasadë e autokracisë kriminale. Shpërbërja e krimit në pushtet dhe pushtetit lidhur me krimin sapo ka filluar dhe opozita do të vazhdojë me vendosmëri,me besim të madh këtë rrugë, në krye të qytetarëve të bashkuar pë demokraci dhe liri”.

Opozita bëhet bashkë, nga janari nis vala e protestave masive kundër Ramës

1 basha-1513603222

Partia Demokratike aleatët e saj dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të jenë bashkë në protestat masive që do të organizohen prej janarit të vitit të ardhshëm, (2018).

Pas mbledhjes në selinë PD, kryetari Basha bëri publik qëndrimin e opozitës: ” Opozita tregoi sot se nuk do të lejojë parlamentarizëm fasadë. Vendimi unamim është nisja e një vale protestash popullore për të ndalur cmendurinë e narkokryeminsitrit që sot është dhe kryeprokuror i vendit”.

Rama falenderon Adriatik Llallën, i thotë PD e LSI-se: Sot latë namë!

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për median i quajti përplasjet dhe tensionet e sotme përpjekje e dëshpëruar e opozitës për bllokimin e reformës në drejtësi. Shefi i qeverisë falenderoi Adriatik Llallën për punën e vështirë, duke theksuar se ai nuk u pengua kurrë dhe as u sulmua kurrë nga qeveria.

Rama i kujtoi opozitën se ishin ata që edhe në protestat e kaluara kanë tentuar të bllokojnë drejtësinë dhe zgjedhjet.

Ndërsa për LSI, Rama tha: Ishin po këta që sot gjuanin me tymuese, shishe, këpucë, por vetëm se atëherë disa bërtisnin në çadër dhe disa hidhnin gurin me qetësi dhe fshihnin dorën me dashuri, derisa i humbën edhe qetësinë edhe dashurinë edhe tepsinë.

Pjesë nga deklarata e Ramës

Edi Rama: “Dua ti kërkoj ndjesë sot gjithë shqiptarëve por edhe partnerëve për shfaqjen e shëmtuar për të bllokuar reformën në drejtësi. Shfaqjen e dha opozita, por faturën e kësaj shfaqje e merr e gjithë Shqipëria e cila është më afër  se kurrë çeljes së negociatave për anëtarësim me BE dhe nuk i meriton as baltën, as tymin dhe as dëshpërimin e kësaj opozite që prej dy vitesh udhëhiqet nga frika e reformës në drejtësi.

Bëra sa munda dhe nuk e di ca mund të bëja më shumë për të çelur dialogun me opozitën lidhur me zgjedhjen e prokrurorit të përkohshëm. As kërkesat e përsëritura të SHBA dhe BE për të gjetur një zgjidhje me mirëkuptim për ta sjellë opozitën në tryezën e dialogut.

Zgjedhja e prokurores së përgjithshme të përkohshme vetëm me votat tona ishte legjitime, e konfirmuar edhe nga misionet e SHBA dhe BE që asistojnë procesin e vështirë të reformës në drejtësi. Por nuk ishte zgjedhja e dëshiruar prej nesh.

Ne dëshirojmë një zgjedhje me mirëkuptim me opozitën të cilën e ftuan në dialog deri në fund. Për ne nuk kishte rëndësi thjesht të respektohej kushtetuta, por ishte me rëndësi që këtë detyrim ta përmbushnim me opozitën. Jemi në një moment të rëndësishëm dhe presim hapjen e negociatave me BE. Ashtu sikundër çdo shfaqeje uniteti në funksion të kushtetutës, ligjit dhe reformës në drejtësi është një pikë e fituar dhe çdo shfaqje si kjo e sotme është një pikë e humbur.

Opozita zgjidhi rrugën e dëshpëruar të baltës dhe tymit, ku nuk kurseu as përfaqësuesit e SHBA dhe BE duke akuzuar edhe vetë ambasadorin e SHBA

Prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla është i pari në 27 vjet që largohet nga detyra pa asnjë konflikt me shumicën qeverisëse.

Maks Haxhia, Arben Rakipi, Dhori Solloaku, Ina Rama u zgjidhën të gjithë me miratimin e Sali Berishës dhe që të gjithë gjatë kohës së tyre në detyrë u masakruan publikisht. U shanë, fyen nga po Sali Berisha dhe partia e tij sepse u munduan të bëjnë detyrën duke respektuar kushtetutën e ligjin.

Adriatik Llalla që dua ta falenderoj sot për punën dhe kontributin në një detyrë të  vështirë ku në më shumë se një rast prokuroria ka vepruar me hetime nuk u pengua kurrë dhe as u sulmua kurrë nga qeveria që unë drejtoj. Sepse ne jemi ndryshe dhe kurrë nuk e përdorim fuqinë e pushtetit për të bërë presione ndaj organit të akuzës.

Për ne nuk ka dy standarde, nuk ka dy drejtësi, nuk ka vija sjellje ndaj drejtësisë dhe përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor që përcaktohen nga na intereson politikisht apo sna intereson politikisht një veprim apo vendim në sistemin e drejtësisë.

Pavarësisht faktit se ai pushtet është i korruptuar deri në palcë dhe kërkon reformën që kemi nisur dhe nuk do ta ndalë askush as me balte dhe as me tym dhe as me thirrje për protesta kundër reformës në drejtësi.

Ka dy vjet që bëhemi gazi i botës si i vemti rast unikal në historinë e proceseve të integrimit ku opozita dhe jo shumica qeverisëse i kundërvihet reformës në drejtësi.

Në korrikun e vitit të shkuar u synua rrëzimi i qeverisë, për të bllokuar kalimin e paketës së parë të reformës në drejtësi që u kthye në betejë të pashembullet mes reformistëve dhe të tremburve  nga drejtësia e re. Ishin po këta që sot lanë nam me një sjellje histerike, veçse nuk ishin haptazi bashkë. Disa  ishin përballë në llogoren e frikës së tyre disa ishin pas shpinës sonë në llogoren e kolaicionit, ku i interesonte tepsia dhe Shqipëria.

Për tre muaj me radhë në gjysmën e parë të këtij viti u mor peng Bulevardi për të marrë peng reformën në drejtësi, duke kërcënuar shkatërrimin e zgjedhjeve.

Ishin po këta që sot gjuanin me tymuese, shishe, këpucë, por vetëm se atëherë disa bërtisnin në çadër dhe disa hidhnin gurin me qetësi dhe fshihnin dorën me dashuri, derisa i humbën edhe qetësinë edhe dashurinë edhe tepsinë.

Protestuesve të sotëm dua ti bëj një pyetje të thjeshtë: Po mirë qytetarë që nuk e doni këtë qeveri a mund të ketë ndër ju budallenj që të mendojnë se SHBA dhe BE të pranojnë që drejtësia të kapet përmes një puçi kushtetues.

A mund të ketë ndër ju budallenj që të besojë që ndërkohë që Shqipëria pret të çelë negociatat, SHBA dhe BE lejojnë marrjen e proceseve gjyqësore nga kryeministri?! Unë nuk besoj se ka të tillë budallenj qofshin mbështetës apo kundërshtarë të kësaj qeverie.

Koha do të tregojë edhe shumë më tepër sesa dimë për të tremburit, të kapurit, të zhyturit dhe të mbyturit në batakun e politikës apo drejtësisë së vjetër që është në gramat e fundit.

Ne sot bëmë detyrën që kjo kohë mos vonojë me tëpër deri kur ne, kjo forcë që sot qeveris Shqipërinë, PS mori përsipër të udhëheqë reformën në drejtësi.

Sot nuk e bëmë dot bashkë me opozitën zgjedhjen legjitime, edhe pse u përpoqëm deri në fund. Por kush i merr lutjet e mia për dialog ndaj kreut të PD për dobësi, janë përgjegjshmëri shtetformuese. Vullneti për ta përfshirë opozitën në çdo proces.

Ky vend nuk mund të jetë më përshesh në çdo shesh ku marrin fjalën ata që politikën e duan mjet për të ruajtur privilegjet e  tyre dhe jo për të luftuar për njerëzit.

Opozitën nuk e zgjedhim dot, opozita është ajo që kemi dhe ne do vazhdojmë të kërkojmë dialog.

Shtet, punë mirëqenie do të thotë së pari zbatim në çdo hap i reformës rrënjësore në drejtësi, me opozitën apo pa opozitën për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeprokurorja e perkohshme, Parlamenti, protestat e opozites, Tym e Kaos

Parlamenti Shqiptar- Kur kërkohej zi per Leninin, Wilsonin dhe Van Kosturin

November 7, 2017 by dgreca

Parlamenti 1924-kur J.Erebara kerkoi zi per Leninin, Fico shenje zie per Wilson, A.Kelcyra zi per Vani Kosturin/

1 parlamenti1924-300x180

Nga Gëzim Llojdia/ 

Bisedimet e Kuvendit kushtetues. Faqe 63-65.Mbledhja e VII. E hanë me 4 Fruer 1924.Ora 3 m.dr.
Në parlamentin shqiptar në vitin 1924 është mbajtur zi për tre  personazhe krejt të ndryshme me njëra-tjetrën. Reuf Fico sapo ka filluar seanca e pasdrekes ka kërkuar që të mbahen 5 minuta zi për vdekjen e  Presidentit amerikan Ëilson .Ndërkaq z.R.Fico ka kërkuar ti dërgohet një telegram në shenjë ngushëllimi familjes. Pas kësaj zie, parlamenti është mbledhur sërish. Jashar Erbera ka kërkuar që të mbahen edhe 5 minuta zi për vdekjen e Leninit. Duke e shqyrtuar këtë propozim me thëniet se Lenini  do të fliste më tepër për një Shqipëri të madhe. Ky propozim ka bërë që në sallë të dëgjohen të qeshura. Deputeti Avni Rustemi ka marrë fjalën ku midis të tjerave ka thënë se Shqipëria nuk duhet të jetë bolshevike, por sipas A.Rustemit,Lenini  ishte  i  pari që denoncoj traktatin e fshehtë të 1915 për copëtimin e Shqipërisë. Ndërhyrja e E. Vlorës kaironike : Për nderin e kaq mij shpirtrave që therri me duar të tija….replikoi ai.
Ndërhyrjet e deputetit A.Këlcyra ka qenë për të mbajtur 5 minuta zi për Vani Kosturin të cilët i ishin vrarë djali dhe nipi nga ushtritë  e huaja.

Tekësti i plotë

Bisedimet e Kuvendit kushtetues. Faqe 63-65.Mbledhja e VII. E hanë me 4 Fruer 1924.Ora 3 m.dr.

Z.Reuf Fico: Z. kryetar! Pa hy në bisedime të  rendit të ditës,dua të bëje një proponim..Me hidhërim muarrmë vesht se ish-kryetari i Shteteve të Bashkuara t’Amerikës Ë.Ëilson-i vdiqë. Duke marrë parasysh shërbimet e mbëdha që I kas bërë Shqipërisë, proponoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi edhe t’ i  hiqet një telegram ngushëllimi familjes së ndyerit.
Pranohet.
Bahen 5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mbështjellet prapë. Z. Jashar Erebara: para se të hymë në bisedim proponoj të bahen 5 minuta pushim edhe për Leninin, se në qoftë se Wilson do flitet për të mirën e Shqipnis,ma tepër do të flitte Leninin për një Shqipni të madhe.
Ilaritet.
Z. Avni Rustemi:Më vjen shumë keq Z. Kryetar, që kur përmendet emri  i Leninit, ndigjohen qeshje nga anë e disa përfaqësuesve të kombit. Nuk due që Shqipëria të jetë bolshevike, sepse gjendja dhe pozita e saj  nuk e don po për principet e larta njerëzore duhet që me një respect të zihet në gojë emri  i tij.E dini fare mirë zotërinj se qysh ay mproj  principet e larta të njerëzisë e se kje i  pari që denoncoj traktatin e mëçeft të 1915 që ishte për copëtimin e Shqipërisë. E dinja se proponini i bërë prej z Erebarës nuk do të pranohej,po neve  me gjithë atë e kemi për detyrë të proponojmë që të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi për vdekjen e tij.

Z.Eqrem Vlora:Për nderin e kaq mij shpirtrave që theri me duar të tija….

Z.A.Këlcyra: Z.Kryetar! Në ket rast që po nisim të bëjmë  5 minuta pushim për njerës të huaj më duket se  se do t’ishte më e drejtë të bëjmë 5 minuta pushim për ata që kanë derdhë gjakun për krijimin e Shqipërisë e që ketë tokë e kanë vaditur me gjakun e tyre .Mbasi sot po shkojmë nga jeta e armiqësisë e intrigave fqinjore, propozoj të bëhen 5 minuta  pushim për Vani Cico Kosturin të cilët i kanë dekë të vrarë i biri nga ana e Grekërve dhe nipi nga ushtrija turke dhe ti hiqet një telegram ngushëllimi familjes së tij.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, Parlamenti, Van Kosturin, Wilsonin, zi per Leninin

Kosovë-Dështon Kuvendi, nuk përmbylli seancën konstituive

August 24, 2017 by dgreca

-Koalicioni fitues i zgjedhjeve ka emrin, por jo numrat për kreparlamentar. Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh votat janë 60 me 60/

1 parlamenti Kosove

-Sipas paralajmërimeve jozyrtare, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vijojë në 7 shtator/

PRISHTINË, 24 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Dështon vijimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të ftuar për herë të gjashtë dhe ndërprehet pas replikave të liderit të VV Albin Kurti dhe liderit të PDK Kadri Veseli, e deklarimeve tjera, mes të cilave ishte ai i përfaqësuesit të koalicionit të LDK, Avdullah Hoti, i cili tha se sot vendi po hyn në një krizë edhe më të thellë institucionale, ndërsa paralajmëroi organizimin e tryezave konsultative në kërkim të zgjidhjes.  “Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës” me të vetmen pikë në axhendë “Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit”,  i ftuar për sot në orën 10:00, nga kryesuesi, deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, nisi me një minutë heshtje në nderim të kryeministrit të zgjedhjeve të para në liri  Bajram Rexhepit, i cli u nda nga jeta këtë javë.Por, është i pamundur vazhdimi e përfundimi i seancës konstituive pasi përfaqësuesi i koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, Enver Hoxhaj, tha se e kanë emrin për kryeparlamentar, por nuk i kanë numrat, dhe u duhet edhe pak kohë, “më pak se dy javë e më shumë se 10 ditë”.

Koalicini fitues i zgjedhjeve vetë e kishte kërkuar datën 24 gusht për vazhdimin e seancës në takimin e tretë konsultativ të partive parlamentare mbajtur të mërkuren e javës së kaluar. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të para tre viteve vetëm fituesi i zgjedhjeve ka të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit.“Jemi duke bërë përpjekje që  të jemi në seancë, por ekziston mundësia reale që as të mos mund të fillojmë”, ka deklaruar dje lidhur me vazhdimin e sotëm të seancës kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i nominuari për kryeministër i koalicionit fitues të zgjedhjeve.Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e nisur para tre javësh është ndërprerë pas dhënies së betimit të deputetëve dhe ka vijuar me disa dështime – pa e përmbyllur konstituimin me zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve.Seanca nisi në 3 gusht paradite me vonesë dhe vijoi me tre pushime dhe një ndërprerje në mesditë, pastaj e ftuar për në orën 15:00 për vazhdimin që u bë i pamundur nga mosardhja e deputetëve të koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, i cili sipas deklaratave të deputetëve tjerë nuk kishte votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.Në zhvillimet e seancës konstituive në 3 gusht, gjatë një votimi të propozimit për shtyrjen për dy orë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, u pa mungesa, të paktën edhe e një vote, pasi rezultati ishte rrëzim me barazim – pro 60 dhe kundër 60.

As në 4 gusht nuk vijoi seanca konstituive për zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës meqë vijoi mungesa e deputetëve të koalicionit fitues, ndërkohë që vetëm gjysma e tyre kishin ardhur në sallën plenare.Kuvendi i Kosovës edhe në 10 gusht gjatë vazhdimit të seancës konstituive nuk arriti të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, pasi përsëri nuk merrte pjesë koalicioni PDK-AAK-Nisma.

Më pas vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ishte ftuar nga kryesuesi-deputeti më i vjetër,  për 14 gusht, por nuk u zhvillua në mungesë kuorumi, ishin të pranishëm vetëm 53 deputetë.Ndërkohë, mes këtyre zhvillimeve, në 4 gusht është mbajtur takimi i parë konsultativ i përfaqësuesve të subjekteve politike parlamentare lidhur me vazhdimin e seancës konstituive, ku vendos për mbajtjen edhe të takimit të dytë në 9 gusht, ku koalicioni PDK-AAK-Nisma ka kërkuar edhe një takim tjetër pas një jave dhe më pas thirrjen e seancës në 17 a 18 gusht.“Nuk pati konsensus lidhur me propozimin që vazhdimit të seancës t’i paraprijë një takim tjetër konsultativ të mërkurën e ardhshme, në 16 gusht 2017”, theksonte njoftimi dërguar nga Kuvendi.

Kryesusi i seancëse konstituive, i cili është nga Lëvizja Vetëvendosje, kishte bërë një deklaratë se nuk do ftonte më takime konsultative të partive parlamentare, megjithate e ftoi.

Në 16 gusht përfaqësues të subjekteve politike parlamentare, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, janë mbledhur serish në takim konsultativ, të tretin, ku u vendos që seanca konstituive Kuvendit të Kosovës të vazhdojë të enjten, në 24 gusht, në orën 10:00.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në takimet konsultative duke theksuar se ato janë të panevojshme dhe se thirrja e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit është në kompetencë të kryesuesit.Sipas paralajmërimeve jozyrtare, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vijojë në 7 shtator.Një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.Në ndarjen e 100 vendeve për shqiptarët në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, ku PDK-AAK-Nisma ka 39 mandate, Lëvizja Vetëvendosje 32  dhe LDK-AKR-Alternativa 29, nuk i kanë dhënë numra të mjaftueshëm koalicionit fitues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, as nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re.Në votimet në konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, si dhe në vendimmarrje tjera parlamentare, pjesë e rëndësishme e procesit janë edhe 20 deputetët e komuniteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.Koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, që do ishin të dytat brenda vitit 2107, madje sipas disa analistëve do mund të mbaheshin edhe në një ditë me zgjedhjet lokale në 22 tetor.

ZGJEDHJET LOKALE 2017 DO MBAHEN NË 38 KOMUNAT E KOSOVËS

Për Zgjedhjet Lokale 2017, të cilat do mbahen në 38 komunat e Kosovës, është përmbyllur në mesnatën mes të martës e të mërkurës afati për aplikim të subjekteve politike për çertifikim për pjesëmarrje.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deklaroi përmbylljen e afatit për aplikim për çertifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, që do të mbahen në 22 tetor.Gjatë një periudhe dy mujore, prej 22 qershorit deri në 22 gusht, kanë aplikuar gjithsejt 91 subjekte politike: 35 parti politike, 1 koalicion, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetarë komunash apo për këshilltarë të kuvendeve komunale.

NJOFTIMI NË FAQEN ZYRTARE TË KUVENDIT TË KOSOVËS:

Vazhdimi i seancës konstituive

E Enjte, 24.08.2017

Në shenjë respekti dhe kujtimi për ish kryeministrin e parë të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili kohë më parë ka ndërruar jetë, vazhdimi i sotëm i mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga deputeti Adem Mikullovci, ka nisur me një minutë heshtje.

Më pas, në foltore është paraqitur përfaqësuesi i koalicionit PAN, deputeti Enver Hoxhaj, i cili shprehu vendosmërinë e këtij koalicioni për të jetësuar të drejtën e tyre kushtetuese për propozimin e kryetarit të Kuvendit. Por, për të arritur këtë, ai kërkoi ende kohë. Kërkojmë tha ai, më pak se dy javë dhe më shumë se 10 ditë kohë para se të paraqesim kandidatin e koalicionit për kryetar të Kuvendit.Në vijim fjalën e mori deputeti i VV-së Albin Kurti. Ai gjatë fjalës së tij foli për dëmet që i shkaktohen vendit me vonesën e konstituimit të organeve shtetërore. Kurti, po ashtu vlerësoi se, PAN-i pa humbur kohë duhet të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Në emër të koalicionit LAA, fjalën e mori deputeti Avdulla Hoti, i cili vlerësoi se me dështimin e seancës së sotme vendi është duke hyrë në një krizë edhe më të thellë institucionale, ndërsa bëri të ditur se ky koalicion zgjedhjen do ta kërkojë në tryezat konsultative që do të organizohen prej tyre.

Më pas fjalën e mori ish kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.Duke iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga deputeti Kurti, ish kryetari i Kuvendit Veseli, ndër të tjera tha: “Shumicën aktualisht nuk e ka siguruar as një nga subjektet politike”. Për më shumë, Veseli, duke iu drejtuar deputetëve deklaroi se, nëse VV do të sigurojë shumicën e kërkuar parlamentare, PAN do të mbështesë atë.Pas kësaj ndërmjet ish kryeparlamentarit Veseli dhe deputetit Kurti u zhvillua një replikë, pas së cilës kryesuesi ndërpreu seancën.Për vazhdimin e seancës së radhës, kryesuesi njoftoi se deputetët do të njoftohen me kohë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosove, Parlamenti, s'permbyll, Seancen Konstituitive

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Me besim në Zot, Atdhe dhe Shtet”
  • “Samiti Hagës, themelet e NATO së gjeneratës tjetër”!
  • Në fund të një viti me zemër shqiptare
  • Supermacioni i organizmave ndërkombëtarë ndaj sovranitetit relativ të Republikës së Kosovës
  • Në Zemrën e Arbërisë – udhëtim përtej kohës dhe kujtesës drejt Shën Mitër Korones
  • ZGJEDHJET, SISTEMET POLITIKE DHE SHTETFORMIMI NË HAPSIRËN SHQIPTARE
  • NJË YLL SHNDRITËS NË YLLËSINË E KOLOSËVE BOTËRORË…
  • VOTA E VJEDHUR E KTHYER NË ART…
  • Shkollimi i femrës shqiptare në vitet 1913–1939: përpjekje, pengesa dhe arritje
  • Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga “Fronti Europian në Frontin Kombëtar”. Çfarë mund të fshihet pas këtijë slogani?
  • Martin Camaj: “Unë jam i jueji e ju jeni të mijt…”
  • 34 vjet nga vizita e Baker. 500 mijë në shesh, tapet të kuq, makinën e ngritën në krah dhe në miting asnjë flamur shqiptar
  • Thank you Congressman George Latimer…
  • “Tre dritare dhe një varje” shpallet filmi fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Filmit Shqiptar “Fan S. Noli” në Boston!
  • Festivali Shqiptar në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT