• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIALOG 10 VJET, DREJT NJOHJES SË KOSOVËS NGA SERBIA

March 9, 2021 by dgreca

-Para 10 vitevefillimi me takim dyditësh 8-9 Mars 2011 në Bruksel i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian e me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasonte një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe historik për Kosovën:Në 22 Korrik 2010 Kosova doli fituese në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pas një ankese që Serbia kishte dërguar kundër shpalljes së Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008/

-Po para 10 viteve, në 10 Mars 2011,Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për dialogun me Serbinë/ 

???????????????????????????

-Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel në nivel të lartë pritet të vazhdojë pas konstituimit të institucioneve të zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021 në Kosovë. Presidenti Amerikan, Joe Biden: Ne mëzi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta  çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë…/

-Pas takimit të parë e historik në 3 e 4 Shtator 2020 në Uashington-Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vijuan dialogun në Bruksel/

-Historiku i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë…

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 9 Mars 2021/ Kuvendi i Kosovës miraton rezolutën për dialogun me Serbinë, raportoja para 10 viteve, në 10 Mars 2011 për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, derisa në Bruksel në 8 Mars dialogu kishte filluar dhe ishte mbajtur takimi i parë dyditësh  i bisedimeve Kosovë-Serbi për çështje praktike. Në raportimin që e botonte edhe Gazeta DIELLI e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA,  theksoja se, “Raundi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, por të panjohura reciprokisht, për çështje praktike u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Bruksel”.

Ky ishte raportimi i plotë:Kuvendi i Kosovës, në seancën plenare, miratoi me shumicë votash – 63 pro, 48 kundër e 1 abstenim, një rezolutë për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për çështje praktike.

     Rezoluta nuk u lexua në seancë me arsyetimin se atë e kishin deputetët, por siç u tha nga përfaqësuesi i grupit parlamentar të PDK-së, ajo “do t’i japë Parlamentit të Kosovës një të drejtë që të mbikëqyrë, përcjellë, rrjedhën e bisedimeve dhe të drejtën që për çdo rast të kërkojë sqarime në Parlament”.

     Kuvendi i Kosovës zhvilloi të hënën debatin parlamentar, sipas kërkesës së Qeverisë, lidhur me dialogun në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për çështje praktike, dhe në përmbyllje vendosi me shumicë votash që në seancën e sotme të nxjerrë në votim rezolutën lidhur me këtë.
     Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në seancën e kaluar të Kuvendit, pat paralajmruar hartimin e një dokumenti-rezolute nga përfaqësuesit e grupeve parlementare, bazuar në dy draftrezolutat e paraqitura nga partia në pushtet PDK dhe ajo opozitare Lëvizja Vetëvendosje, si dhe në fjalën e kryeministrit Hashim Thaçi para deputetëve, e cila përcaktonte edhe vijat e kuqe se çfarë mund të bisedohet e çfarë jo, si dhe në debatin e zhvilluar në seancë, ku kishte pikëpamje të ndryshme.(te plote lexoje ne Dielli online www.gazetadielli.com)

     Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, deputeti Adem Grabovci, tha sot në seancën e Kuvendit se “kemi bërë përpjekjeje që të gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe ky dokument të jetë i përbashkët, por grupet e opozitës, AAK, LDK dhe Vetëvendosje nuk e panë të udhës të nënshkruajnë këtë dokument”.

     Mësohet se shefat e grupeve parlamentare nuk kishin arritur t’i harmonizojnë qëndrimet për të paraqitur para deputetëve një rezolutë të përbashkët lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin paralajmëruar se do ta votojnë projektrezolutën për bisedime, nëse përfshihen edhe qëndrimet e tyre. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, e cila është kundër bisedimeve me Serbinë pa i plotësuar ajo disa kushte, kishte paralajmëruar se do të votojë kundër rezolutës.

     Edhe sot në “deklarime jashtë rendit të ditës” u prezantuan qëndrime të ndryshme rreth dialogut nga deputetë të pozitës dhe opozitës.
      Raundi i parë i bisedimeve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura, por të panjohura reciprokisht, për çështje praktike u zhvillua gjatë dy ditëve të kaluara në Bruksel. Burimet thonë se janë përafruar qëndrimet rreth kadastrave, regjistrit civil dhe trafikut ajror dhe se ka dallime të mëdha rreth vulave të Doganave të Kosovës.

BASHKIMI EVROPIAN DIALOGU MES KOSOVËS DHE SERBISË SHËNOI NJË FILLIM POZITIV

Mediat në raportimet nga Brukseli, Prishtina e Beogradi, theksonin:

Bashkimi Evropian e cilësoi një fillim pozitiv të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, takimin dyditësh të delegacioneve të të dyja palëve në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në një deklaratë të BE-së, u bëhet thirrje të dyja palëve, që të lënë anash çështjet e sovranitetit dhe të përqendrohen në përpjekjet për të mënjanuar pengesat që kanë ndikim në jetën e përditshme të njerëzve, të përmirësojnë bashkëpunimin dhe të përparojnë në rrugën evropiane.

Bisedimet e para ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, përfunduan të mërkurën në mbrëmje në një frymë që të dyja palët e cilësuan konstruktive. Lëvizja e lirë, dokumentat kadastrale, çështjet e doganave, hapësirës ajrore dhe të marrëveshjeve rajonale, ishin çështjet e para të diskutuara në këto bisedime, të cilat sipas shefes së delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, nuk do të ndërlidhen me statusin politik të Kosovës.

“Mendoj se, statusi është një kapitull i mbyllur. Ne jemi këtu për të provuar që të zgjidhi çështje praktike që mund të ndihmojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve, për të çuar përpara axhendën euroatlantike e mbase mund të normalizojmë edhe marrëdhëniet tona. Ndoshta, Serbia po ndryshon, po e rimendon qasjen ndaj Kosovës dhe ndoshta një ditë ajo do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por këto bisedime kanë të bëjnë vetëm me çështje teknike”, nënvizoi ajo.

Një vlerësim pozitiv për takimin e parë kishte edhe shefi i delegacionit të Serbisë, Borko Stefanoviç.

“Mendoj se po ndërtojmë ura mes nesh dhe mund t’ju them, se ka disa propozime shumë të mira nga të dyja palët dhe ne do të vazhdojmë të punojmë edhe për zbatimin e tyre kur të vijë koha. Por, më duhet të them, se ka disa çështje për të cilat ne po afrohemi më shumë sesa në disa të tjera”, tha shefi i delegacionit serb.

Përfaqësuesit e të dyja palëve pritet të shpeshtojnë takimet në muajt që vijnë dhe diplomatët ndërkombëtarë shpresojnë në afrimin e të dyja palëve dhe shkrirjen e marrëdhënieve të ngrira për shkak të refuzimit të Serbisë, që të njohë pavarësinë e Kosovës, të cilën deri tani e kanë njohur 75 vende të botës.

Çështja e këtyre bisedimeve ishte sërish dje temë debatesh në Parlamentin e Kosovës, i cili kishte paralajmëruar mundësinë që të miratojë një Rezolutë në mbështetje të bisedimeve. Kjo Rezolutë do të ishte edhe një përpjekje për të zbutur kundërshtimet e partive opozitare, të cilat hedhin dyshime në rezultatet që mund të sjellin ato për Kosovën.

DIALOGU PASONTE NGJARJEN HISTORIKE KUR KOSOVA PËRBALLË SERBISË DOLI FITUESE NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË 

Fillimi në Bruksel i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian e me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasonte një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe historik për Kosovën:

Para 11 vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Para 11 viteve, atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

NË PRITJE TË VAZHDIMIT TË DIALOGUT PAS ZGJEDHJEVE NË KOSOVË. PRESIDENTI AMERIKAN BIDEN URON DITËN E PAVARËSISË SË KOSOVËS…

Dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel në nivel të lartë pritet të vazhdojë pas konstituimit të institucioneve të zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021 në Kosovë – fituesit e të cilave Lëvizja Vetëvendosje do e udhëheqë Qeverinë me Kryeministër Albin Kurtin dhe më e votuara nga të gjithë kandidatët për deputetë Vjosa Osmani pritet të jetë Presidente e Kosovës.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar letër urimi u.d. Presidentes Vjosa Osmani për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku theksohet edhe dialogu Kosovë-Serbi dhe njohja  e ndërsjellë.

“Ne mëzi presim që të punojmë me Qeverinë e ardhshme për ta çuar Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Ka shumë punë për të bërë, përfshirë marrëveshjen gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë…”, theksohet, mes tjerash në letrën e Presidentit AmerikanJoe Biden dërguar ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

KOSOVA DHE SERBIA, PAS TAKIMIT HISTORIK NË UASHINGTON VIJUAN DIALOGUN NË BRUKSEL

Pas takimit të parë e historik në 3 e 4 Shtator 2020 në Uashington-Shtëpinë e Bardhë dhe marrëveshjeve të nënshkruara me praninë e garancitë e atëherëPresidentit Amerikan Donald Trump, Kosova e Serbia u takuan në Bruksel në 7 Shtator 2020 poashtu në nivel të lartë – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Me atë rast, Kryeministri i Kosovës tha se, bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 Korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga Presidenti Francez Makron dhe Kancelarja Gjermane Merkel, të hënën (7 Shtator 2020) në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura.

Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit”, theksoi Kryeministri Hoti.

Para takimit të dytë të 7 Shtatorit 2020, në 16 Korrik 2020 Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar për herë të parë në Bruksel, pas një takimi virtual nëpërmjet video-konferencës në 12 Korrik 2020, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në rifillimin e dialogut mes dy vendeve të ndërprerë para 20 muajsh, pas takimit të 8 Nëntorit  2018.

Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi takimi i parë i nivelit të lartë kryeminsitror është mbajtur në vitin 2012  në 19 Tetor, i cili pasonte dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011.

DIALOGU KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL – HISTORIKU:

Para rifillimit të takimeve në 16 Korrik 2020 të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takimi i fundit Prishtinë-Beograd në Bruksel, ishte zhvilluar në 8 Nëntor  2018, i cili, siç u deklarua atëherë  ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 Qershor 2018, ndërsa i dyti në 18 Korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 Shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, Presidenti i Serbisë Vuçiç nuk ka pranuar të takojë Presidentin e Kosovës Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008.

 Takimi i 8 Nëntorit  2018 ishte i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për Presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin Prill 2016, dhe Presidentin Vuçiç, të inauguruar në Qershor 2017, takimi i 8 Nëntorit  2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 Korrik e të katërtit në 24 Qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 Marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 Korrik e të dytit në 31 Gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 Shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 Janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë Presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 Janar dhe i fundit që nga i pari në 19 Tetor 2012.

Para tetë vitesh, në 19 Prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,  të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

Fishë teknike-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 Tetor
Raundi 2 – në 7 Nëntor
Raundi 3 – në 4 Dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 Janar
Raundi 5 – në 19-20 Shkurt
Raundi 6 – në 4 Mars
Raundi 7 – në 20 Mars
Raundi 8 – në 2 Prill
Raundi 9 – në 17 Prill
Raundi 10 – në 19 Prill
Raundi 11 – në 21 Maj
Raundi 12 – në 20-21 Qershor
Raundi 13 – në 8 Korrik
Raundi 14 – në 24 Korrik
Raundi 15 – në 27 Gusht
Raundi 16 – në 8 Shtator
Raundi 17 – në 7 Tetor
Raundi 18 – në 6 Nëntor
Raundi 19 – në 5 Dhjetor

Raundi 20 – në 13 Dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 Janar
Raundi 22 – në 12 Shkurt
Raundi 23 – në 31 Mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 Shkurt

Raundi 25 – në 21 Prill

Raundi 26 – në 23 Qershor

Raundi 27 – në 29 Qershor

Raundi 28 –  në 25 Gusht

Raundi 29 – në 13 Tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 Janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi – Nikoliç -2 takime

-1 Shkurt

-24 Janar

Thaçi – Vuçiç

-3 Korrik

-31 Gusht

Viti 2018:

-23 Mars

-24 Qershor

-18 Korrik 

-7 Shtator  (vetëm takime të ndara me Mogherinin)

-8 Nëntor 

Viti 2020:

Hoti -Vuçiç

-12 Korrik (takim virtual nëpërmjet video-konferencës)

-16 Korrik

-7 Shtator

Filed Under: Featured Tagged With: 10 vjet, 10 Vjet dialog, Behlul Jashari, Dialogu Kosovë - Serbi, Kosove-Serbi

Kosovë-Dialogu me Serbinë, përsëri në axhendën e Kuvendit

September 2, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës nis sesionin vjeshtor, të hënën e 3 shtatorit mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë:  “Kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës:  Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

1 Kuvendi-Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika/

PRISHTINË, 2 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Kuvendi i Kosovës nis sesionin vjeshtor, për të hënën e 3 shtatorit në orën 8:00 është ftuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë:

 “Kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës:  Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Në 29 gusht 2018 Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, siç theksoi, për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.

“Duke parë gatishmërinë e shumicës së grupeve parlamentare për të mbështetur këtë qëndrim, rezoluta do të aprovohet me mbi 80 vota”, u shpreh grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare.

Më tej shtoi se, nuk ka mekanizëm politik më të fuqishëm për të shprehur vullnetin e qytetarëve të Kosovës, përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të zgjedhur të qytetarëve. “Askush nuk duhet të ketë guxim të ndërmarrë hapa që bien në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërmuese të deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, thekson grupi parlamentar i LDK. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës është e obligueshme për të gjithë, vijon deklarata dhe shton se, nëse dikush vepron ndryshe, atëherë bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pasojat kushtetuese dhe politike janë të ditura.“Kjo rezolutë do të dërgojë tek miqtë tanë ndërkombëtarë, që kanë ndihmuar shtetin e Kosovës të arrijë në këtë pikë ku është tani, vullnetin e qartë të qytetarëve të Kosovës se nuk janë të gatshëm të negociojnë për territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata e grupit parlamentar të LDK.

Në 28 gusht 2018, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se e ka votën e tij rezoluta e paralajmëruar nga opozita  se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e kufijtë e Kosovës.“E ka votën time sot. Për të mos u ndryshuar kufijtë e territori e ka votën time sot e nesër e në çdo kohë”, u shpreh kryeministri Haradinaj pas një mbledhje të qeverisë, duke iu përgjigjur interesimit të medias se a do ta përkrahë partia që ai drejton, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një qëndrim të tillë të opozitës.

 

“Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit para datës 7 shtator 2018”, ka paralajmëruar të hënën e kësaj jave kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke theksuar mbështetjen nga dy partitë tjera opozitare – Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate.

“Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush.
Në ditët në vijim do të kërkojmë mbështetjen edhe të grupeve të tjera parlamentare, si dhe të shoqërisë civile”, është shprehur kryetari i grupit parlamentar të LDK.

 “E mirëpres mbështetjen që po i jepet kësaj rezolute edhe nga grupet e tjera parlamentare. Pres që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë rezolutë”,  ka shkruar Hoti në ‘facebook’, gjatë javës.

Sipas deklaratave nga opozita, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet në 4 shtator 2018. 

Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.

Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD,  shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.

Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për në 7 shtator.

 

PDK-Veseli: Nuk lejojmë cenimin e sovranitetit – opozita po ndjellë frikë

Në 31 gusht, në një konferencë për media, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit të Kosovës, i integritetit territorial të shtetit dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Rreth asociacionit, kryetari Veseli ka theksuar se për PDK-në, “asociacioni me kompetenca ekzekutive është i papranueshëm”.

Ja deklarimi i kryetarit të PDK Veseli para mediave:

Gjatë muajve të fundit, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje dhe ka ndërmarrë iniciativa konkrete për të përafruar qëndrimet politike dhe ndër-partiake, si dhe për të arritur konsensusin nacional.

Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, është konsistent dhe i qartë: Në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit të Kosovës, i integritetit territorial të shtetit tonë dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Asociacioni me kompetenca ekzekutive është i papranueshëm.

Kosovës i duhet konsensusi nacional për ballafaqim me Serbinë. Jo ndarja për ndarje mes vete dhe përfitime elektorale.

Seancë e jashtëzakonshme për ndarje e thirrur nga opozita është dëmi më i madh që i shkaktohet Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran dhe partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare.

Legjitimimi i temës së ndarjes në institucionin e Kuvendit pa fakte, pa argumente dhe me Kushtetutë të qartë është vetëm inskenim i lojës së papranueshme për ndarje, që është skenar jashtë Kosovës, SHBA-së dhe BE-së.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se ngritja e kësaj teme të rrezikshme në diskursin e brendshëm politik do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut, duke krijuar argumente pikërisht në favor të eksponentëve anti–Kosovë që dëshirojnë ndarjen e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës, si gjithherë deri më tash, është e pakompromis dhe e vendosur që ta luajë rolin e vet aktiv dhe konstruktiv për ta arritur këtë qëllim.

I sigurojmë qytetarët e Kosovës se si Parti Demokratike e Kosovës, do të jemi në krye të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore, për të fuqizuar edhe më tej shtetin tonë të pavarur dhe sovran, kundër asociacionit, etj.”

Pas kësaj fjale të Kryetarit Veseli, ai u përgjigj edhe në pyetjet tjera të parashtruara nga gazetarët e pranishëm rreth deklarimeve të ndryshme në medie, qasjes së Presidenti dhe ShBA-së ndaj çështjeve aktuale si dhe funksionimin e Qeverisë, etj./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Dialogu Kosovë - Serbi, Parlamenti

Dialogu Kosovë – Serbi, në udhëkryq

January 3, 2017 by dgreca

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, edhe gjatë vitit 2016 ishte një nga temat që ka dominuar skenën politike.Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, konsiderojnë se pavarësisht disa pengesave dhe vështirësive, dialogu ka dhënë rezultate.

1-serbi-kosove

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë se në kuadër të vizionit euroatlantik për shtetin e Kosovës dhe të politikave të fqinjësisë së mirë, si njëri prej kushteve themelore për integrimin evropian dhe euroatlantik, Kosova ka vazhduar angazhimet në dialogun ndërshtetëror me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga SHBA-ja.Ajo thotë se marrëveshjet e Brukselit dhe zbatimi i tyre kanë bërë të mundur vendosjen e kufirit ndërshtetëror me Serbinë, zhbërjen e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës si dhe, siç thotë Tahiri, ka ndikuar në rritjen e integrimit të pjesëtarëve të komunitetit serb në sistemin shtetëror të Kosovës.Si rezultat i dialogut të Brukselit, Tahiri pos tjerash përmend kodin telefonik që Kosova ka fituar në fund të vitit 2016.

“Kosova është bërë me kodin shtetërorë telefonik 383 të cilën ia ndau ITU-ja me aplikimin e Austrisë. Ne e konsiderojmë si një të arritur madhore, madje edhe historike, sepse për herë të parë shteti ynë është bërë më kodin e vet telefonik”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë.Ministrja ka thënë se si rezultat i dialogut të Brukselit dhe i plotësimit të standardeve të kërkuara evropiane, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në vitin 2016 dhe ka nisur dialogun zyrtar me BE-në për reformat evropiane që lidhen me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA).

“Kjo çështje ka rëndësi të madhe sepse Kosova edhe zyrtarisht është në procesin e integrimit evropian”, tha ajo.

Tahiri rikujton po ashtu se gjatë viti që lamë pas ishte arritur edhe marrëveshja për reciprocitet në tabelat e automjeteve si dhe ajo njohjen e certifikatave për mallra të rrezikshme.Dialogu gjatë vitit 2016, sipas Tahirit, ndihmoi që pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës ta mbështesin Kosovën në proceset integruese euroatlantike.

“Ato kanë mbështetur MSA-në për Kosovën, kanë mbështetur lidhjet zyrtare të Kosovës me NATO-n, si dhe mbështetën edhe kodin telefonik shtetëror për Kosovën”,theksoi Tahiri duke shtuar se Kosova gjatë këtij 2016 ka arritur të bëhet anëtare me të drejta të plota në disa organizata ndërkombëtare.Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka mirëpritur përparimin në dialogun Kosovë-Serbi, edhe gjatë vitit 2016. Ajo ka përshëndetur sidomos marrëveshjen për Telekomunikacionin.“Dialogu është mënyra me të cilën i afrohemi procesit të normalizimit”, ka thënë Mogherini.Kurse, analistët politik vlerësojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2016 ka qenë mjaftë problematik.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dy palët më shumë janë marrë me arritjen e marrëveshjeve për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, sesa që kanë arritur ujdi të tjera në të mirë të qytetarëve. “Këtë vit të dialogut e ka shënuar marrëveshja për telekomunikacionin. Mbetet të shihet si do të zbatohet në praktikë ajo dhe a është e dëmshme për vendin, siç po pretendojnë ekspertë të fushës. Por, ende ka ngecje në marrëveshjen për lëvizje të lirë ndërmjet dy shteteve dhe në atë për njohjen e diplomave. Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është temë më vete, ndërkaq ajo e urës së Mitrovicës, pas ndërtimit të murit, po kthehet në çështje të ndjeshme dhe problematike”, tha Mushkolaj.

Analisti Mushkolaj thotë së në viti 2017, përfaqësuesit e institucioneve duhet të mendojnë në ndryshimin e formatit të dialogut me Serbinë.

“Duke pasur parasysh se Beogradi në të shumtën e rasteve pengon zbatimin e marrëveshjeve dhe, ndryshe nga ideja për normalizim marrëdhëniesh, saboton shtetin e Kosovës, Prishtina duhet të mendojë ndryshimin e kursit, respektivisht modifikimin e dialogut. Po ashtu, Prishtina duhet të vendos reciprocitet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve”, tha Mushkolaj.

Në Qeverinë e Kosovës mendojnë se dialogu i Brukselit duhet të përfundoj me njohjen reciproke mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, para pranimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Ministrja Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se në viti 2017, dialogu do të ketë dy drejtime; një zbatimi i marrëveshjeve të pazbatuara dhe drejtimi i dytë siç thotë ajo ‘dialogu do të kaloj në fazën përmbyllëse’.

“Temat e tjera do të jenë njohja reciproke mes dy shteteve, demarkacioni i kufirit mes dy shteteve, kompensimi i dëmeve të luftës, reparacionit. Ndër temat e tjera do të jetë edhe çështja e të zhdukurve, kthimi i pensioneve, dëmshpërblime për luftën dhe gjenocidin që Serbia ka bërë në Kosovës e të tjera”, tha Tahiri.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas Bashkimit Evropian, ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin e komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës. Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve nga ky dialog, Kosovës dhe Serbisë, u është vënë si kusht në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Kosova dhe Serbia kanë filluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me lehtësim të Bashkimit Evropian që prej vitit 2011. (REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: Dialogu Kosovë - Serbi, në udhëkryq!

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT