Është fakt që në këto 26 vite, Marina e SHBA ka qenë partnerja dhe aleatja më e rëndësishme e Forcës Detare Shqiptare./
Nga Shefqet Kërcelli/ Gazeta”DIELLI”/
Kalaja e Vlorës /
Ishte koincidencë e bukur që kjo stërvitje u zhvillua në 242 vjetorin e krijimit të Marinës së SHBA, e cila ka ditlindjen e saj më 13 tetor 1775. Është fakt që në këto 26 vite, Marina e SHBA ka qenë partnerja dhe aleatja më e rëndësishme e Forcës Detare Shqiptare. Janë me dhjetra projekte bashkëpunimi të realizuara në këto vite midis dy Flotave mike, ku vecojmë ato për arësimimin, trajnimin dhe kualifikimin e personelit oficer e nënoficer të Forcës Detare, dhurimin e anijeve të tonazheve të ndryshme nga Pentagoni në vitet 1999, 2010, vizita të anijeve amerikane në portet e ujërat shqiptare, ku mijëra marinarë amerikanë kanë njohur Shqipërinë dhe bregdetin e saj, riparimi dhe mirëmbajtja e anijeve të dhuruara, imbarkimi i detarëve shqiptarë në anijet amerikane, etj. ndihma këto që të përkthyera në Dollarë $, kapin shifrën mbi 100 milion. Stërvitja “Imponimi-17”, u zhvillua në një ditë të bukur ku gjiri i Vlorës, Sazani dhe Karaburuni dukeshin qartë nga kalaja e Vlorës.
Të pranishëm në këtë stërvitje ishin dhe Zv.Ministri i Mbrojtjes, zoti Petro Koci, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralbrigade Bardhyl Kollcaku, Komandantët e Forcave e reparteve, Atasheu ushtarak i SHBA në vendin tonë, Kapiten i Rangut të II-të, Samuel G.Wartell dhe të vendeve aleate të NATO-s, Drejtorë në MM dhe Shtabin e FA, Kuadro të Shtabit të FD dhe Flotiljes Detare Pashaliman, etj. Fillimisht Zv.Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë, Subi Zenelaj i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe shpjegoi shkurtimisht objektivat dhe pjesmarrësit e stërvitjes. Në vijim të pranishmit ndoqën skenarët e stërvitjes nën shpjegimin e kordinatorit të saj, Kapiten i Rangut të III-të Ilirjan Kristo dhe bashkëdrejtuesve, Kapiten i Rangut të I-rë Engjell Sinanaj dhe Kapiten i Rangut të II-të, Dritan Seraj.
Stërvitja “Imponimi – 17”, është aktivitet kryesor stërvitor i Forcës Detare dhe u zhvillua si një stërvitje e përbashkët JOINT, në bashkëpunim me Forcat Ajrore dhe batalionin e Forcave Speciale. Si aktivitet i përbashkët stërvitor, “Imponimi-2017”, harmonizoi përdorimin e të gjitha kapaciteteve të Flotiljes Detare (Grupit të Bordimit dhe Grupit të I-rë Patrullues), të Forcave Ajrore dhe trupave të specializuara të batalionit të Forcave Speciale për zbatimin e ligjshmërisë në det. Stërvitja “Imponimi – 17”, u fokusua në trajnimin dhe stërvitjen e efektivave të anijeve për përdorimin e mjeteve dhe teknikave të reagimit ndaj shkeljeve të ligjit në det, në bashkëpunim me Forcat Speciale dhe Forcat Ajrore, me qellim bllokimin e mjeteve detare dhe trafikantëve, duke përdorur të gjitha proçedurat, pajisjet dhe personelin në organikë, konform legjislacionit në fuqi. Në stërvitje morrën pjesë: Flotilja Detare me 5 (pesë) anije, P-02, P-03, P-112, P-116, {të katër këto anije janë dhuratë e Departamentit të Mbrojtjes, P-133, {Lissus} bashkë me gomonen e saj dhe Grupi i Bordingut; Batalioni i Forcave Speciale me një Grup Special, Forcat Ajrore me 2 (dy) helikopter Helikopter, një COUGAR-633 dhe EC-145..
Qëllimi kryesor i kësaj stërvitje ishte rritja e ndërveprueshmërisë mes mjeteve e Forcave Detare, mjeteve e Forcave Ajrore dhe Forcave Speciale për kryerjen e operacioneve të ndalimit detar dhe zbatimit të ligjshmërisë detare, bazuar në skenarët e supozuar.
Stërvitja, krahas të tjerash aftësoi shtabet pjesëmarrëse në planëzimin e stërvitjeve të këtij niveli dhe zhvillimin e operacioneve të ndalimit detar dhe zbatimit të ligjshmërisë detare. Operacione të këtij niveli në situatë konkrete zakonisht drejtohen nga QNOD/Salla Operacionale, ndërsa gjatë stërvitjes u drejtuan nga Grupi i bashkëdrejtuesve të stërvitjes në tokë, (me vendodhje PSV Kalaja) dhe Task Force-17 në det (me vendodhje në anijen P-133 “Lissusi”). Ndërkohë Shtabi i Flotiljes Detare ishte pjesë integrale e procesit planëzues dhe zbatues të kësaj stërvitje.Gjithashtu stërvitje synoi aftësimin dhe kompaktësimin e veprimeve të shtabit dhe efektivave të anijeve,{praktikë LIVEX}, rritjen e ndërveprueshmërisë mes tyre, mjeteve të Forcave Ajrore dhe Forcave Speciale për kryerjen e operacioneve të ndalimit detar dhe zbatimit të ligjshmërisë detare.
Disa nga objektivat e stërvitjes ishin; Reagim i shpejtë i anijeve të Flotiljes Detare në rajon, Rritja e masave të sigurisë në zonën e Operacionit, Neutralizimi i veprimtarisë së paligjëshme në hapsirën detare të operacionit, Përmirësimi i aftësive për të drejtuar operacione në det sipas standarteve të NATO-s, duke përdorur eksperiencën e fituar në stërvitjet e përbashkëta të zhvilluara në vitet e kaluara, Aftësimi i drejtuesve në operacion (Anije – Q.Operacionale – Shtab drejtimi) në koordinimin me mjete dhe forca të tjera për kryerjen e veprimeve të sakta në operacionet e ligjshmërisë detare.
Stërvitja “Imponimi – 17”, si aktivitet kryesor stërvitor në det, harmonizoi përdorimin e të gjitha kapaciteteve të Flotiljes Detare (Grupit të Bordimit dhe anijet e Grupit të I-rë Patrullues) dhe institucioneve të tjera të përcaktuara me ligj dhe sipas misionit të Forcës Detare për zbatimin e ligjshmërisë në det.
“IMPONIMI-17”, u zhvillua sipas tre skenarëve :
Gjatë skenarit të parë, bazuar në informacionin e marrë, QNOD disponon të dhëna të sakta se një gomone e shpejtë me dy persona në bord ështe parë brenda Gjirit të Vlorës, në rajonin Kalaja-Moli i Radhimës. Gomonia ka kryer lëvizje të dyshimta përgjatë gjithë bregdetit në Gjiun e Vlorës, duke lundruar në gjire dhe vende të fshehta. Dyshohet se gomonia po përgatitet për marrje dhe transport lëndësh narkotike drejt vendeve fqinje. Nisur nga aktiviteti kriminal që pritej të kryhej dhe informacionet se kontrabandistët disponojnë armatim të lehtë, u gjykua se këta persona përbëjnë rrezikshmëri të lartë dhe mund të reagojnë me armë ndaj efektivave ligjzbatuese.
Kështu, anija e gatshme në Sazan (P-03), me urdhër të QNOD, niset menjëherë drejt rajonit ku është konstatuar mjeti i dyshimtë, me qëllim bllokimin dhe pengimin e daljes së mjetit të dyshuar nga Gjiri i Vlorës, ndërsa Grupi i Bordingut imbarkohet në anijen P-02, P-112 dhe P-133 në vendbazimin e Pashalimanit, të cilat nisen me shpejtësi drejt rajonit ku është konstatuar aktiviteti i jashtligjshëm. Nisur nga vecoritë e këtyre lloje operacionesh dhe informacionet e marra mbi shkallën e rrezikshmërisë së personave në bord, lindi nevoja e ndërhyrjes nga ajri me qellim zbulimin dhe mbajtjen e kontakteve gjatë ndjekjes për mundësimin e kapjes së mjetit dhe trafikantëve. Nisur nga situata e krijuar, QNOD jep urdhër për të marrë pjesë në operacion një helikopter i Forcave Ajrore dhe një snajper i Forcave Speciale.
Mjetet dhe forcat pjesmarrëse që vazhdojnë operacionin për konstatimin, kapjen dhe neutralizimin e trafikantëve në bordin e gomones, mbas 1 orë kërkimesh konstatojnë gomonen e dyshimtë të fshehur mes shkëmbenjve në brigjet e Ujit të Ftohtë, njoftojnë Sallën Operacionale/Grupin e Drejtimit të Stërvitjes dhe vazhdojnë operacionin për realizimin e detyrës.
Në kapjen dhe neutralizimin e gomones marrin pjesë të gjitha mjetet dhe forcat në operacion, mjetet detare dhe trupat e bordingut dhe mjeti ajror. Ato bashkërendojnë në vijimësi veprimet për realizimin e kësaj detyre.
Ndërsa gjatë skenarit të dytë u zhvillua një situatë tjetër, konkretisht,
Anija e transportit të mallrave “Ananasi” pasi ka dalë nga Porti i Vlorës është gjendur nën presionin e një grupi trafikantësh armësh, të cilët të ndihmuar nga dy efektiv të anijes (të rekrutuar më parë nga ana e tyre), kanë mundur të hipin në anije dhe nën presionin e armëve kanë urdhëruar kapitenin e anijes për të ndaluar anijen dhe më pas për të ngarkuar në të një sasi armësh dhe municionesh për trafikim. Mbas njoftimit të marrë nga Kapitaneria e Vlorës, QNOD nëpërmjet PGI të Forcave Detare jep urdhër për angazhimin e mjeteve detare në dispozicion dhe efektivit të Grupit të Bordingut për të penguar dhe neutralizuar grupin e trafikantëve të armëve dhe municioneve në anijen e mallrave “Ananasi” në Gjirin e Vlorës.
Salla Operacionale, Grupi i Drejtimit të Stërvitjes i dhanë urdhër anijes P-116, që ndodhej e gatshme në Ishullin e Sazanit të lundrojë me shpejtësi drejtë anijes së mallrave “Ananasi” dhe të bllokojë lëvizjen e mëtejshme të saj. Në të njëjtën kohë ju dha urdhër Flotiljes Detare Pashaliman, që anijet në dispozicion të imbarkojnë efektivin e Grupit të Bordingut dhe te nisen me shpejtësi në drejtim të rajonit të anijes së mallrave të marrë peng nga trafikantët. Mbas përpjekjeve të përbashkëta të grupit të bordimit dhe forcave speciale të lëshuara në bordin e anijes nga Helikopterët e F.Ajrore, trafikantët neutralizohen dhe arrestohen. Më pas anija “Ananasi” u shoqërua për në portin e Vlorës për veprimet e mëtejshme ligjore. Me bindje themi se, “Imponimi-2017” realizoi synimin kryesor për kompaktësimin e efektivave pjesëmarrëse në operacionet e reagimit ndaj personave dhe mjeteve që shkelin ligjin, duke përdorur të gjitha proçedurat dhe vënien në punë të pajisjeve dhe mjeteve për grupin e Bordingut.
Në fund të stërvitjes u zhvillua skenari i tretë, ku personeli, anijet dhe helikopterët bënë një paradë të shkurtër para drejtuesve e të ftuarëve të vendosur në Kalanë e Vlorës, ishKomanda e Distriktit të II-të Detar, Vlorë. Sigurimi i veprimeve në tokë u bë nga efektiva të Policisë Ushtarake. Në mbyllje, zoti Petro Koci, Zv.Ministri i Mbrojtjes, falenderoi të gjitha ata që bënë të mundur planifikimin dhe ekzekutimin e kësaj stërvitje, veçanërisht ata që ishin në aksione të drejtpërdrejta dhe në kushte shumë të rrezikshme, siç ishte procesi i bordingut nga deti edhe nga ajri. Zoti Koçi theksoi se, “Imponimi-2017”, ishte një stërvitje e cila arriti qëllimin e saj. Ai tha gjithashtu se, “Sigurisht që hapësira detare shfrytëzohet shpesh nga grupet kriminale dhe Forca jonë Detare në bashkëpunim me policinë kufitare por edhe me institucionet e tjera bashkëvepron për të ndaluar këto grupe dhe për të garantuar zbatimin e ligjshmërisë”. Duke parë nivelin e kësaj stërvitje, ku detarët shqiptarë shpalosën profesionalizmin e tyre në sajë të kualifikimeve të kryera në SHBA dhe vendet e NATO-s, si dhe përdorimit taktik të anijeve të dhuruara nga SHBA, me bindje themi se, realizimi i synimeve të kësaj stërvitje është frut i bashkëpunimit 26 vjecar të Marinës së SHBA dhe Forcës sonë Detare.
Në këtë mënyrë kjo stërvitje përpos të tjerave, justifikoi plotësisht ndihmën e pakursyer të Marinës së SHBA, në këtë 242 vjetor të krijimit të saj, e cila u përshëndet nga detarët shqiptarë nëpërmjet kësaj stërvitje mbresëlënëse.