Më shumë se 150 forca ushtarake shqiptare të batalionit të dytë të këmbësorisë, të quajtur ndryshe dhe “Zemërluanët”, po marrin pjesë në stërvitjen “Brilliant Jump 2016”, në Poloni. Stërvitja “Brillant Jump 2016”, (pjesa II), zhvillohet në periudhën 17-27 maj, në rajone të ndryshme stërvitore të Polonisë. Qëllimi i kësaj stërvitje është trajnimi i forcave të reagimit të shpejtë të NATO për një dislokim të shpejtë në zonën e caktuar të operacionit. Trupat shqiptare në këtë stërvitje marrin pjesë së bashku me ato angleze, spanjolle dhe polake. Stërvitja zhvillohet për të provuar Planin e Veprimit të Gatishmërisë së NATO-s dhe të gjitha elementet ushtarake që ajo ka si pjesë. Aftësia për t’u vënë në lëvizje në një kohë shumë të shkurtër, nëse kërcënohet sovraniteti i një shteti anëtar të NATO-s, eshte nje synim tjeter i kesaj stervitje. Kapiteni i trupanve shqiptare, Ervin Çaushaj u shpreh përpara stërvitjes se, “këmbësoria shqiptare është e lehtë, shumë fleksibël dhe e aftë për të vepruar në çdo terren dhe në çfarëdo kushtesh. Jemi plotësisht operacionalë dhe të aftë”. Stërvitja “Brilliant Jump 2016” (pjesa II “Stërvitje dislokueshmërie”), është stërvitja e tretë, nga katër stërvitje që do të zhvillohen në këtë periudhë në Poloni. Është paraprirë nga Brilliant Jump, (pjesa I-re, ”Stërvitje provë gatishmërie”) dhe stërvitja “Trident Joust”, të zhvilluara muajin e kaluar. Brilliant Jump II, do të pasohet nga stërvitja Brilliant Capability” (29 maj-03 qershor). Të gjitha këto stërvitje kanë si qëllim testimin e Planit të Gatishmërisë së Veprimit të NATO, (RAP), si një nga produktet kryesore të Samitit të NATO 2014 të Uellsit, i cili i parapriu Samitit të Varshavës që do të zhvillohet me 8 – 9 qershor 2016. {Sh.K}