*Kryeministri dhe ambasadorët, ceremoni në bunkerin antiatomik/
*Rama: Historinë e shkruajnë shkencëtarët/
TIRANË, 22 Nëntor /Pas 36 vjetësh nga inaugurimi në qershor të 1978-ës, sot u çel tuneli antiatomik i komunizmit, por këtë radhë i shëndërruar në një qendër historiko-artistike të quajtur “BUNK’ART”.
Hapësirat e parashikuara për mbledhjet e Byrosë Politike, dhomat ku mendohej të flinin ish-diktatori i komunizmit Enver Hoxha dhe ish-kryeministri Mehmet Shehu në rast rreziku, janë transformuar në art.
Nga sot deri në fund të dhjetorit, kushdo mund të shuajë kureshjen për këtë periudhë të historisë së Shqipërisë, duke vizituar bunkerin e kthyer në ekspozitë-muze.
Linja historike, muzeale dhe artistike, bëhen bashkë për të përcjellë tek vizitorët mesazhe të qarta për dy periudhat më të diskutuara të historisë tonë, periudhën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të regjimit komunist në Shqipëri
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e Kulturës, Mirela Kumbaro, shoqëruar nga ambasadori amerikan Alexander Arvizu, ambasadori italian Masimo Gajani, hapën dyert e këtij bunkeri që tashmë është shndërruar në një video-muzeale.
E organizuar nga kryeministria, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Mbrojtjes, kjo veprimtari e pazakontë zbulon përmes shumë formave shprehëse, mesazhet që janë përcjëllë brenda këtij bunkeri që simbolizon izolimin e Shqipërisë komuniste, por edhe përballjet e vazhdueshme mes bllokut komunist e perëndimit gjatë luftës së ftohtë.
Aktiviteti u organizua në përkujtim të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistët dhe 25-vjetorit të rënies së murit të Berlinit.
Objekti 0774 (vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm) me 106 zyra ndodhet në periferi të Tiranës pranë “Batalionit Mbështetës të Shtabit të Përgjithshëm”, njohur ndryshe si “Batalioni Diko Zeqo”, rruga e Shish-Tufinës, 1.5 km larg qendrës spitalore “Nënë Tereza”.
Brenda bunkerit ka disa ambiente interesante për vizitorët, të cilat janë kuruar me kujdes dhe pajisur si në kohën kur u ndërtua objekti. Secili ambient shoqërohet me histori për të orientuar dhe pajisur me informacione të nevojshme vizitorët. Në hyrje, në nivelin e pestë të bunkerit, pas pesë dyerve të blinduara, thuajse në fund të korridorit gjendet dhoma ku do të qëndronte Enver Hoxha në rast të ndonjë sulmi të mundshëm. Dhoma është pajisur me objekte origjinale të asaj kohe.
Po ashtu në këtë bunker që përmban 106 zyra, gjenden edhe mjaft ambiente të tjera me interes për vizitorët si dhoma ku do të qëndronte Mehmet Shehu, një sallë ku do të mblidhej Kuvendi i Shqipërisë në rast sulmi bërthamor, dhoma ku ishin vendosur pajisjet që do të pastronin ajrin ne rast të një sulmi me armë kimike, e shumë ambiente te tjera deri tek një bar-bufe që funksiononte në kohën kur bëheshin stërvitje ushtarake. Bari është rikthyer në funksion dhe në të do të shërbejë Natasha, e njëjta bariste që shërbente kafetë në periudhat e stërvitjeve ushtarake.
Për të përkujtuar 70-vjetorin e Çlirimit një pjesë e madhe në “Bunk’art” i është lënë ekspozitës që përkujton Luftën e Dytë Botërore, një ekspozitë e përgatitur nga historiania Sonila Boçi dhe gazetarja Admirina Peçi.
Ekspozita përfshin pragluftën dhe pushtimin italian, vitet e para të rezistencës, deri në kapitullimin e Italisë fashiste, për t’ia lënë vendin periudhës së pushtimit gjerman deri në çlirimin e vendit. Pushtimi i Shqipërisë dhe rezistenca kundër pushtuesve pati rrjedhoja jo të parëndësishme në historinë e shqiptarëve, prandaj ekspozita i ka dedikuar një hapësirë edhe këtyre ngjarjeve. Rezistenca e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore u njoh dhe u bë pjesë e Koalicionit të Kombeve të Bashkuara, kështu nuk mund të mos kishte një vend të veçantë edhe hapësirës kushtuar diplomacisë gjatë këtyre viteve.
Një hapësirë e kufizuar i kushtohet edhe regjimit komunist, e trajtuar kjo më shumë si simbolike se sa si histori mirëfilli e ku përballet ana e errët e regjimit me reformat për ndërtimin e ‘Shqipërisë së Re’. Linja muzeale në “BUNK’ART” trajton në detaje gjithë historikun e ushtrisë shqiptare, duke i dhënë një frymëmarrje dhe ripërtëritje të veçantë këtij objekti simbol të pozicionit të Shqipërisë komuniste gjatë Luftës së Ftohtë e duke i njohur vizitorët me historikun e plotë të këtij objekti.
Por mjaft ngacmuese për vizitorët e BUNK’ART” është edhe linja artistike, ku përmes videove dhe instalacioneve përcillen ide ngacmuese të artistëve të rinj shqiptarë e të huaj, dhe jepen mesazhe të forta për temat e trajtuara prej tyre.
Tuneli ka nisur të ndërtohet në shtator të vitit 1972. Pjesa strukturore e mureve u përfundua me 1 maj 1975, ndërsa u deshën dhe tre vite të tjera për të plotësuar përfundimin e impianteve dhe të sistemit të ndërlidhjes. Inaugurimi u bë me 25 qershor 1978. Sipërfaqja totale është 2685 metra katrorë, e shpërndarë në 5 nivele dhe përmban 106 zyra dhe një sallë Kuvendi-kinemaje.
Qëllimi i ndërtimit të këtij objekti ka qenë për funksione ushtarake, për të garantuar funksionimin normal të linjës së komandim drejtimit politik dhe ushtarak në kohë krize, duke garantuar kushtet për strehimin e gjithë lidershipit politik dhe ushtarak të vendit. Kjo është e vetmja strukturë që ka parishikuar një sallë ku do të mund të mblidhej Parlamenti shqiptar në rast lufte. Ideja lindi pas një vizite që krerët ushtarakë shqiptarë bënë në vitin 1964 në Korenë e Veriut, ku ishte traditë që tunelet të parashikoheshin të përshtatshme edhe për mbledhje të Kuvendit.
Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, direktiva e përgjithshme politike dhe ushtarake u drejtua për fortifikimin e vendit. Objektivi ishte: “Të ndërtohej një sistem i fortifikuar me një qëndrueshmëri maksimale ndaj përdorimit të armëve konvencionale dhe atyre bërthamore; të ishte në gjendje të siguronte në maksimum forcën e gjallë dhe teknikën luftarake nga zjarri i shumëllojshëm armik; të kishte masivitet për të rikuperuar kohën e humbur; të përgatitej me ritëm sa më të shpejtë”. Në total u projektuan 207 mijë bunkerë në të gjithë Shqipërinë dhe u ndërtuan 168 mijë. Projektuesit e strukturës ishin: Drejtoria e Xhenios, Byroja e Projektimit dhe Grupi i fortifikimeve në vartësi të Institutit të studimit dhe Projektimit të Veprave të Mbrojtjes.
Komandanti suprem i forcave të armatosura në epokën e ndërtimit të bunkerit (1972-1978) ishte Enver Hoxha. Kështu, kjo zyrë ishte më e madhe dhe më luksoze nga të gjitha dhe shërbente për të dhe bashkëshorten e tij. Zyra është e përbërë nga një paradhomë në të cilën qëndronte sekretari personal, një zyrë pune, një dhomë gjumi dhe një banjo. Mobilimi është esencial edhe pse nuk është i një luksi të veçantë, mbetet më eleganti se të gjithë mjediset e tjera. Vetëm në këtë dhomë, në atë të dedikuar për kryeministrin dhe në atë të Kreut të shtabit, ishte vendosur moket. Vetëm kjo dhomë ka mure të veshura në fibër (në atë kohë konsiderohej me vlerë të madhe). Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjëherë në këtë dhomë, edhe pse mori pjesë në dy stërvitje ushtarake pas inaugurimit zyrtar që u bë me 24 qershor 1978.
Këto dhoma ishin të rezervuar në projektin fillestar të kryeministrit. Në epokën e ndërtimit të bunkerit (1972–1978) kryeministër ishte Mehmet Shehu, që në cilësinë e ministrit të Mbrojtjes edhe e kishte surpervizuar gjithë ndërtimin e strukturës. Ky strehim, i përbërë nga paradhoma për sekretarin, dhoma pune, dhoma gjumi dhe banjo, është vendi i dytë më luksoz i gjithë strukturës; është e vogël vetëm pak metra në krahasim me atë të Enver Hoxhës. Ndërsa në dhomat e Enver Hoxhës muret janë të veshura me fibrën e shtrenjtë, muret në dhomat e Mehmet Shehut janë të veshur me dru.
Rama: Historinë e shkruajnë shkencëtarët/
Kryeministri Edi Rama e krahasoi sot muzeun “Bunk’Art”, të çelur aty ku dikur ishte bunkeri antiatomik i regjimit diktatorial, me muzeun e ‘Check Point Charlie’ në Berlin, aty ku siç tha Rama, dikur ndaheshin dy botët perëndimi dhe lindja.
“S’kam fjalë për të përshkruar ndjesitë e jashtëzakonshme që më krijoi hyrja në këtë pallat nëntokësor ku regjimi komunist synonte ti mbijetonte një sulmi atomik”, tha Rama.
Para disa kohësh, vijoi Kryeminsitri Rama,”kur vizituam Berlinin patëm mundësinë të kalojmë në muzeun e famshëm që është një godinë e rëndomtë aty ku dikur ndahej Berlini perëndimor dhe lindor, pak metra larg murit që mbajti të ndarë dy botët e Luftës së Ftohtë dhe që mbajti të izoluar përtej horizontit të lirisë gjysmën e botës. Një godinë e rëndomtë që pret çdo vit miliona e miliona njerëz ku është e pa mundur të kesh një minutë të vetme pa prekur trupin e dikujt tjetër për nga shpejtësia e vizitorëve. Godina e një regjimi të vjetër ku përmes vet mureve të godinës, objekteve, fotografive dhe dëshmive u jepet mundësia qytetarëve të botës së lirë të krijojnë një perceptim me atë që ishte bota ku jetonin qindra miliona njerëz dhe sot është e vështirë tua tregosh me fjalë gjeneratave të reja”, tha Rama.
“Këtu ka gjimnazistë që nuk e kanë jetuar atë kohë dhe nuk ua shpjegon dot me fjalë sesi Shqiperia e vogël mund të ishte një botë e tretë e izoluar nga dy botët e tjera që luftonte në mënyrë imagjinare me imperializmin amerikan dhe socialimperializmin sovjetik”, u shpreh Rama.
Sot, theksoi Kryeminsitri, “ne jemi dëshmitarë se kemi çelur derën e një thesari të kujtesë sonë kolektive. Një thesari ku pa as më të voglin dyshim mund të zbulohen qindra mijëra copëza të një mozaiku të madh, ngjarjesh, personazhesh, kontradiktash ku gjakderdhja ka bërë rëndom lëndën lidhëse dhe të cilin historianët dhe historia nuk na e kthjellojnë dot edhe sot. Nga një kujtesë që rëndom bëhet selektive. Çdo përpjekje qeveritare politike që niset qoftë edhe nga qëllimi më i mirë për ti dhënë fund diskutimit për historinë është e destinuar të dështojë dhe të prodhojë rrethin vicioz të një historie që nuk shkruhet dot deri në fund”.
Duke folur për historinë, Kryeministri Rama tha se, është koha për të treguar historinë, jo për ta rishkruar atë, por për t’i treguar gjithë anët e saj.
“Sot ne jemi dëshmitarë se kemi çelur derën e një thesari të kujtesë sonë kolektive. Një thesari ku pa as më të voglin dyshim mund të zbulohen qindra mijëra copëza të një mozaiku të madh, ngjarjesh, personazhesh, kontradiktash, ku gjakderdhja ka bërë rëndom lëndën lidhëse dhe të cilin historianët dhe historia nuk na e kthjellojnë dot edhe sot. Nga një kujtesë që rëndom bëhet selektive. Çdo përpjekje qeveritare politike që niset qoftë edhe nga qëllimi më i mirë për ti dhënë fund diskutimit për historinë është e destinuar të dështojë dhe të prodhojë rrethin vicioz të një historie që nuk shkruhet dot deri në fund. Përpjekja për ta vetëpikturuar vetveten në kontekst të zgjedhur politikisht ka rezultuar sa tragjike në të shkuarën e largët, sa qesharke në të shkuarën e afërt. Ne i takojmë një shkolle të re për Shqipërinë, ku histroinë e shkruajnë shkencëtarët. Nuk e shkruan, as Shtëpia e Bardhë, as Kongresi Amerikan, as qeveritë e vendeve europiane histroinë e vendeve të tyre, por historianët. Ne i përkasim shkollës së vendeve demokratike që nuk ia fshehin publikut misteret e së shkuarës.
Kryeministri Rama gjithashtu tha se, këto vende duhet t’i tregohen publikut pasi nuk ka arsye pse të mos tregohet e shkuara.
“A mund të më thotë njeri pse kjo godinë ruhej si sekret, jo vetëm nga ata që besuan se këtu do luftonin vërtetë me superfuqitë, por edhe nga ata të cilët gënjyen se bashkë me përmbysen e regjimit komunist, përmbysën edhe mendësinë e tij. Njëlloj si me misterin e së shkuarës, dosjet e sigurimit të shtetit, ku fshihen plot të vërteta të hidhura janë vazhdimsësi e së njëjtës shkollë, asaj të të sunduarit mbi tjetrin pavarësisht kosotove. Ne jemi këtu për të çelur një fazë të re raportesh me të shkuarën, jo për ta rishkruar historinë, por për të mos ta fshehur”, – theksoi kryeministri në fjalën e tij.