Nga Reshat Kripa/*
Nata kishte kohë që kishte mbuluar gjithçka me vellon e saj të errët. Dritat e qytetit po shuheshin njëra pas tjetrës. Vetëm një dritë vazhdonte të qëndronte e ndezur. Nënë Sadien nuk e zinte gjumi. Jetonte e vetmuar në një shtëpi në periferi në majë të një kodre. Shtëpi i thënçin se në të vërtetë kishte qënë një hangar me mure qerpiçi që ishte adoptuar në shtëpi. Shtëpitë e tjera ishin pak larg saj. Përpara kishte një obor të vogël të rrethuar nga një gardh me tela me gjëmba ku kishin mbirë drethkëla që e kishin mbuluar gardhin. Nga prapa ishte një kopësht ku përveç disa pemëve mbilleshin edhe perime nga tregëtimi i të cilave si dhe nga një dhi race sigurohej jetesa.Lufta kishte gati një vit që kishte mbaruar, por për nënë Sadien ajo vazhdonte akoma. Burri i saj, një ish udhëheqës nacionalist, ishte arratisur jashtë shtetit dhe nuk kishte asnjë haber për të. Dy djemtë Luani njëzetepesë vjeç dhe Petriti tetëmbëdhjetë ndodheshin të arrestuar. Ishin dënuar me vdekje dhe natë për natë prisnin ekzekutimin e vendimit. Luani ishte i martuar, por mbas arrestimit të tij , e shoqja kishte ikur te prindërit e saj së bashku me djalin pesëvjeçar Skënderin. Petriti sapo kishte mbaruar shkollën tregëtare kur e kishin arrestuar.
Nënë Sadia qëndronte e ulur në një fron në obor e mbështjell me një shall të madh të leshtë. Ishte dhjetor por qielli ishte i kthjellët. Disa re tek tuk kishin filluar të dukeshin në horizont. Ishte vetëm dyzetepesëvjeçe, por hallet e këtij vitit të fundit e kishin plakur aq shumë sa pa frikë i jepje gjashtëdhjetë. Ndaj të gjithë e thërrisnin nënë Sadia. Ajo qëndronte ulur dhe vështronte qytetin e përgjumur. Nga prapa kodrës filloi të ngrihej lart hëna. Ishte hënë e plotë. Qyteti u ndriçua nga drita e saj. Nëna vazhdonte të vështronte. Ja silueta e sahatit nga kulla e të cilit u dëgjuan dy të goditura. Ja dhe godina e ish-konsullatës italiane. Aty pranë saj ishte godina e burgut ku ishin mbyllur bijtë e saj.
Atë ditë kishte qënë atje për t’u çuar disa ushqime, por nuk ja kishin pranuar.
– Nuk është nevoja. Tani mendojmë ne për ta, – i kishin thënë kur ajo kishte kërkuar shpjegim.
Edhe tani atë po mendonte. Iu kujtua se para pak kohe kështu i kishin thënë një mikes së saj një ditë para se t’i pushkatonin të shoqin. Një drithtërimë i përshkoi trupin.
– Jo, jo nuk është e mundur. Po përse nuk m’i pranuan vallë? Mendojmë ne për ta tani më thanë. Çfarë do të mendojnë ata? Korba unë si nuk më hiqen këto mendime nga koka. Djemtë e mi nuk kanë bërë asgjë. Luani sapo u kthye nga studimet në Itali dhe filloi punë si ekonomist. Ndërsa Titin e nënës e arrestuan në shkollë në kohën e ndarjes së dëftesave.
Nëna nuk kishte shkuar në atë ceremoni. Pas arrestimit të Luanit ajo nuk guxonte të shkonte në raste të tilla. Por disa shokë të djalit i treguan se në kohën kur drejtori po i dorëzonte një fletë nderi si nxënës i shkëlqyer, një zë thirri:
– Ndal! – dhe duke iu afruar pranë i tha:
– Në emër të popullit jeni i arrestuar.
Në emër të kujt populli e kishin arrestuar? Se nëna nuk kishte dëgjuar kurrë ndonjë gjë për djalin e saj. Të gjithë që e takonin i flisnin me admirim për të.
– Ai po, – mendonte nëna. E kishte fjalën për të shoqin, — Ai kishte marrë pjesë në luftën kundër komunistëve, ndaj edhe ishte arratisur. Mos duhej të paguanin për të fëmijët?
E hoqi vështrimin nga godina e burgut dhe filloi të vështrojë me rradhë godinat e tjera. Së fundi e ndali atë në një pikë që ishte ndonjë kilometër larg përballë shtëpisë dhe që nuk e di pse quhej Strofkulla e Djallit. Ndoshta në atë vend mblidheshin dikur djajtë dhe bënin kuvendin e tyre.
Papritmas iu duk sikur pa një grup njerëzish që ecnin në drejtim të atij vendi. Ishte një grup i veshur me uniforma ushtrie dhe të policisë. Në mes të tyre ishin edhe disa civilë. Ndërkaq hëna u zhduk prapa një reje që kishte filluar të pushtonte qiellin dhe pamja humbi nga syt e nënës. Ajo u trondit. Ç’kërkonin këta njerëz në këtë orë të natës në atë vend të shkretë? Zemra i ndolli një tragjedi. U ngrit dhe filloi të vrapojë drejt Strofkullës së Djallit. Kur mbërriti atje grupi i ushtarëve dhe policëve sapo kishte arritur. Civilët i kishin rreshtuar para një grope të hapur më parë. Ishin gjashtë vetë. Nëna qëndroi dhe u fsheh prapa një ulliri të madh.
Midis civilëve dalloi dy bijtë e saj. U drodh. Donte të thërriste, të ulërinte me zë të lartë që ta dëgjonte i gjithë qyteti. Donte t’u dilte përpara dhe t’i ndalonte të kryenin vepren e tmerrshme që kishin ndër mend. Por s’kishte fuqi. Zëri i kishte ikur, këmbët i ishin prerë. Ndjeu t’i priteshin fuqitë dhe u rrëzua pa ndjenja aty në rrënjët e ullirit pa nxjerrë asnjë zë
Ndërkaq të dënuarit qëndronin në pritje me kokat lart. Luani shikonte me përbuzje kundërshtarët e tij, ndërsa petriti qëndronte si i hutuar në heshtje.
– Fjala e juaj e fundit, — foli prokurori.
– Jemi të pafajshëm! – thirri Luani – Rroftë Shqipëria!
– I thoni nënës se e dua shumë – tha Petriti.
Folën edhe të tjerët. Një ushtar deshte t’u lidhte syt dhe i urdhëroi të kthenin shpinën. Ata nuk pranuan.
– Tradhëtarët qëllohen nga prapa dhe ne nuk jemi të tille – tha Luani
Prokurori bëri një shenjë dhe ushtari u tërhoq. Të gjashtë u kapën dorë për dore dhe qëndruan.
– Zjarr!.
Një batare u dëgjua. Ata ranë njëri pas tjetrit. Prokurori u afrua, nxorri revolverin dhe e qëlloi secilin edhe një herë në kokë. Pastaj u afrua një civil i vjetër që kontrolloi kufomat. Ishte mjeku. Pas konfirmimit të tij u dha urdhëri i varrimit. I kapnin nga krahët dhe këmbët dhe i hidhnin në gropë njëri pas tjetrit. I pari, i dyti, i treti, i katërti, i pesti ishte Luani, ndërsa i gjashti më i vogli Petriti. Pasi e mbuluan gropën dheun e tepërt e sheshuan rreth e qark që të mos mbetej asnjë shenjë varri.
*
* *
Nëna vazhdonte të qëndronte pa ndjenja prapa ullirit. Ishte gdhirë. Moti po rëndohej gjithmonë e më shumë. Një qen po kuiste duke lëpirë fytyrën e nënës. Ishte Popi, qeni i shtëpise. Nëna filloi të përmendej dalëngadalë. U ngrit dhe filloi të fërkonte sytë. Ku ishte kështu? Dalëngadalë filloi të kthjellohej. Para syve i dolën fytyrat e të bijve dhe shokëve të tyre para gropës së ekzekutimit. U afrua në vendin e ngjarjes. Dheu i shkrifët tregonte se aty ishte mbuluar diçka. U gjunjëzua, mbushi duart me dhe, e shkrifëroi dhe belbëzoi me zë të ulët:
– Lulet e nënës1 Zoçkat e nënës!
Lotët mbuluan fytyrën e saj. Ishin lot pa zë, lot dhimbje. Dikur pushoi. U ngrit dhe ashtu si somnambul u nis për në shtëpinë e saj. Atje nuk qau më. Kishte për të bërë punë. Pastroi dhe lau çdo cep të shtëpisë. Nxorri kostumet, këmishat dhe rrobat e tjera të djemve të cilat i hekurosi dhe i vendosi përsëri në dollap. Si i mbaroi të gjitha këto u ul përsëri në fronin e saj në oborr.
Nuk fliste asnjë fjalë. Vetëm mendonte dhe mendonte. Priste të vinte ora e caktuar. Po ajo po vononte. Asaj i dukej sikur nuk do të vinte kurrë. Qielli ishte i nxirrë krejtësisht dhe kishin filluar të binin flokët e parë të dëborës. Kishte vite që në atë qytet nuk binte dëborë. Më së fundi ora e qytetit tingëlloi dymbëdhjetë herë.
– Erdhi koha. – tha nëna.
Mori një lopatë dhe u nis drejt Strofkullës së Djallit. Si mbërriti në vend filloi menjëhere nga puna. Nuk kishte kohë për të humbur. Së shpejti dëbora do të mbulonte gjithçka. Dheu ishte i shkrifët dhe gërmohej lehtë. Punonte me kujdes mos dëmtonte kufomat. Dikur e la lopatën dhe filloi të gërmonte me dorë. Nuk vonoi shumë dhe dalloi fytyrën e Petritit.
— I vogli i nënës! – tha dhe u përkul për ta puthur në ballë. Vazhdoi punën deri sa
e zbuloi të gjithë. E ngriti në krah dhe e vendosi jashtë. Poshtë tij qëndronte trupi i Luanit.
– Trimi i nënës! – i tha dhe e puthi. Pasi e pastroi nga dherat e ngriti edhe atë dhe e vendosi pranë të vëllajt. Dy fytyra të tjera u dukën në thellësi të varrit.
– Prehuni në paqe! Po ju puth ashtu si do ju puthnin nënat tuaja.
Lopatën e vendosi në një anë të varrit dhe filloi ta mbulojë atë me duar. Dëbora vazhdonte të binte. Gjithçka e kishte mbuluar bardhësia e saj.
– Keni ftohtë bijte e mi? Do t.ju çojë nëna në shtëpi dhe do t’ju ngrohë.
Ngriti në krah trupin e Petritit dhe u nis drejt shtëpisë. Ecte me ngadalë. Ndonjëherë edhe pengohej dhe rrëshqiste, por ngrihej përsëri dhe vazhdonte të ecte. Si bëri rreth dyqind metra ndaloi për të marrë frymë. Trupin e djalit e uli mbi dëborë.
– Tani do të shkoj të marrë vëllanë.
U ngrit dhe shkoi në vendin ku kishte lënë Luanin. E ngriti në krah, por ai ishte më i rëndë. Me mundim e pruri pranë të vëllajt. Këtë cikël e përsëriti disa herë. Një herë trasportonte të voglin dhe pastaj kthehej dhe merrte të madhin. Ulesh pak minuta sa për të marrë frymë dhe pastaj vazhdonte përsëri. Kur nuk kishin mbetur veçse ndonja njëqind metra nga shtëpia ndjeu se po e linin fuqitë. Atëhere u gjunjëzua dhe iu drejtua Zotit duke iu lutur me duart përpjetë:
– O Zot ndihmomë! Mos më braktis në momentin e fundit. Lermë të mbarojë këtë detyrë, pastaj merrmë kur të duash.
Fliste dhe vështronte lart në qiell. Dëbora i binte mbi fytyrë por ajo vazhdonte të qëndronte ashtu me duart lart si e ngrirë. Papritmas e ndjeu veten të fortë. Mori në krah trupin e Petritit dhe e shpuri në shtëpi. Pastaj u kthye dhe mori edhe atë të Luanit.
– Mirseardhët në shtëpi djemt e mi! — u tha nëna duke u ulur në një kolltuk që i kishte mbetur nga e kaluara. Djemtë qëndronin të shtrirë mbi dy minderë.
Ndezi zjarrin dhe vuri një tenxhere të madhe me ujë për t’u ngrohur. Përkëdhelte bijtë e saj dhe bisedonte me ta. U fliste për fëmijërinë e tyre, për ëndërrat e tyre. Ndërkaq uji ishte ngrohur. Filloi të lante trupat e tyre. plagët e tyre. Luani kishte tre plumba në gjoks dhe dy në kokë, ndërsa Petriti dy në gjoks dhe një në kokë. Si mbaroi së lari i veshi të dy me rrobat që kishte hekurosur më parë. I vendosi në dy dyshekë në mes të dhomes dhe i mbuloi me një jorgan të madh atllasi të nusërisë së saj. I puthi përsëri në ballë dhe filloi t’i qajë sipas zakonit të vendit. I qau për dhimbjen e saj, për të shoqin e larguar kushedi se ku, Por i qau edhe për Skënderin e vogël që tani ndodhej shumë larg. Askush nuk e dëgjoi të qarën e saj. Shtëpitë e
tjera ishin shumë larg dhe me atë kohë që kishte filluar nuk guxonte njeri të dilte nga shtëpia.
U ngrit dhe doli përjashta. Kishte filluar të agonte. Dëbora vazhdonte të binte. Vështroi një herë rreth e rrotull se mos e shifte njeri dhe kur u sigurua u drejtua në një anë të oborrit ku filloi të gërmojë. Mori njërin pas tjetrit kufomat e të bijve dhe i vendosi në varrin e përbashkët njërin bri tjetrit. Në mes të tyre vuri një shishe të vulosur mirë ku kishte futur diçka. Pastaj e mbuloi varrin. Pas pak Dëbora mbuloi gjithçka.
*
* *
Kaluan tre vjet Nënë Sadia vazhdonte të jetonte e vetmuar. Mbi varrin e bijve të saj kishte mbirë një trëndafil i madh, i bardhë, të cilin ajo e vadiste vazhdimisht dhe i bënte të gjitha shërbimet e duhura. Kujdesej për të se i dukej sikur kujdesej për djemtë e saj. Askush nuk e dinte se çfarë fshihej nën rrënjët e atij trëndafili. Nëna donta t’ia tregonte dikuj, por nuk guxonte. Nuk kishte njeri që t’i besonte. Ishin kohë të vështira. Frika se mos e merrnin vesh e tmerronte. Vetëm Skënderit mund t’ia tregonte. Por ai ishte larg dhe për më tepër ishte akoma fëmijë. Kur të rritej me siguri që do t’ia tregonte. Prandaj vazhdonte ta mbante të fshehtë brenda vetes së saj.
Atë ditë si mbaroi punët e zakonshme të shtëpisë, u shtri në shtrat. E ndjente veten të lodhur. Një dremitje e lehtë i mbylli sytë. Filloi të ëndërroje. I dukej sikur ishte në një pyll duke kërkuar të nipin i cili herë çfaqej dhe herë zhdukej. Ajo i thërriste vazhdimisht por nuk e gjente dot. Papritmas hapi sytë. Iu duk sikur dëgjoi një trokitje në portë. Priti pak. E trokitura u përsërit. U ngrit dhe hapi portën. Para saj u çfaq një djalë i vogel mjaft i bukur. Për një çast iu duk se kishte para sysh Luanin e vogël.
– Nënë! – tha djali duke hapur krahet.
– Bir i dashur! – iu pergjigj nëna duke e rrokur në krahët e saj.
Ai ishte nipi i saj që ajo kishte kohë që e ëndërronte. Vetë Zoti po ia sillte si dhuratë. U përqafuan me mall. Ajo e pyeste dhe ai pergjigjej
– Kam vendosur të jetojë me ty. – i tha djali
– Po me mamin a ke biseduar? – e pyeti nëna.
Djali e vështroi me kujdes dhe mbasi heshti për pak kohë u pergjigj:
– Ajo ka gati një vit që është martuar. Kanë lindur dhe një fëmijë. Njerku nuk më donte. Ai kish djalin e tij. E bisedova me mamin. Ajo u detyrua të pranonte mendimin tim. Pastaj a nuk jam këtu në shtëpinë e babajt tim, në shtëpinë time?
– Po mor bir, kjo është shtëpia e jote. Ne do jetojmë së bashku.
Që atë ditë nëna u ringjall. Një pamje tjetër mbuloi fytyrën e saj. Jeta e saj kishte marrë një kuptim të ri. Ditët kalonin, djali rritej dhe nënës i dukej sikur në të përsëritej fëmijëria e Luanit. Një Luan e ri po fillonte jetën. Ky ishte Skënderi. Dhe zemra e nënës gufonte nga gëzimi.
Ditët rridhnin njëra mbas tjetrës. Djali rritej dhe mësonte, ndërsa nëna punonte. Në mbrëmje si mbaronte mësimet rrinin e bisedonin së bashku. Ajo i tregonte historira të mbushura me heroizma. Njëra nga këto i kishte mbetur në kujtesë djaloshit dhe donte ta dëgjonte vazhdimisht. Ishte historia e dy trimave, dy vëllezërve që luftonin kundër përbindëshit me tre koka. Kur i prisje ndonjërën prej tyre ajo ripërtërihej përsëri dhe përbindëshi bëhej prapë i fuqishëm. Lufta vazhdonte. Ata pri kokat e kuçedrës një nga një dhe ato rritu përsëri. Në këtë luftë pa fund, një ditë të dy trimat ranë në fushën e betejës. Trupat e tyre mbetën ashtu përjashta nën hijen e përbindëshit. Ai nuk i lejonte njerëzit që të varrosnin kufomat e tyre. Një trëndafil i bukur dhe i bardhë mbuloi trupat e tyre. Kaluan shumë vite. Një vigan tjetër i madh u çfaq që luftoi me përbindëshin e zi. Ai i preu atij të trija kokat njëherësh dhe ai ra për të mos u ngritur më. Atëhere njerëzit filluan të mbledhin eshtrat e të rënëve. Zbuluan edhe trëndafilin e bardhë dhe morën eshtrat e dy vëllezërve që i vendosën me madhështi në një varrezë të posaçme.
Një ditë , duke u kthyer nga qyteti ku kishte shkuar për të shitur perimet e mbledhura, nënë Sadia u përplas me një makinë. Goditja ishte e rëndë. Mbas dy ditësh mbylli sytë. Skënderi nuk kishte mbushur as trembëdhjetë vjeç. U detyrua të linte shkollën dhe të fillonte punë. Mësimet i vazhdoi në një shkollë të mbrëmjes. E ëma kërkoi ta merrte në shtëpine e saj, por ai refuzoi. Nuk donte të ndahej nga kasollja ku kishte lindur dhe ku kishte aq kujtime.
Ditët kalonin dhe djali rritej. U martua, lindi dhe fëmijë. Rregulloi shtëpinë ashtu pak e nga pak me fukarallëkun e tij. Mbi të gjitha fytyra e gjyshes nuk i hiqej nga sytë. Ajo i dilte vazhdimisht përpara dhe atij i dukej sikur ajo vazhdonte t’i tregonte historinë e dy vëllezërve dhe përbindëshit me tri koka.
*
* *
Kohët ndryshuan. Përbindeshi ishte rrëzuar. Atij i ishin prerë të trija kokat. Një jetë e re kishte filluar të lulëzonte. Njerëzit kishin filluar të mblidhnin ato që gjenin nga trupat e të rënëve. Në atdhe kishin filluar të ktheheshin ata që kishin ikur gati pesëdhjetë vjet më parë dhe kishin patur fatin të mbeteshin të gjalle. Midis tyre edhe një plak shumë i moshuar gati njëqindvjeçar. Fati ia kishte zgjatur jetën për të parë përsëri atdheun të lirë. Ishte gjyshi i Skënderit. Kthehej në atdhe mbas një kohe të gjatë, por në shpirt ndjente një dhimbje të thellë. Dikur kishte lënë këtu gruan dhe dy djem si diva që i donte aq shumë, kurse sot gjente vetëm të nipin që tani ishte mbi pesëdhjetë vjeç. Megjithatë ai i dha ngrohtësine që ai kërkonte.
Plaku kishte një peng. Nuk kishte një varr ku të derdhte dy pika lot për djemtë e tij. U interesua, pyeti gjithandej, por pergjigja ishte negative. Gërmoi në disa vende që i thanë se ndodheshin eshtrat, por asgjë. Asnjë shenjë nga trupat e djemve. Së fundi një plak rreth të shtatëdhjetave, një ish anëtar i togës së ekzekutimit, për të qetësuar ndërgjegjen e tij, i tregoi historinë dhe vendin ku ishin varrosur gjashtë viktimat në Strofkullen e Djallit.
Gërmuan në vendin e caktuar. Por aty gjetën vetëm katër skelete dhe një lopatë. Po dy të tjerët ku ishin? Dëshmitari u kishte thënë që kishin qënë gjashtë. Për t’u siguruar u morën analizat e ADN-së të katër kufomave dhe u dërguan në Itali. Përgjigja ishte se asnjëri prej skeleteve nuk i përkiste dy vëllezërve. Dëshpërimi mbuloi plakun e gjorë. E ndjente se po i vinte fundi dhe i vinte keq që do ikte pa plotësuar dëshirën e tij.
U kthyen në shtëpi dhe rrinin të heshtur. Vrisnin mendjen se ku mund të kërkonin përsëri. Skënderi vështroi rreth e rrotull dhe sytë i vajtën te trendafili i bardhë në oborr. Një mendim rrufe përshkoi trurin e tij. Iu kujtua legjenda që i tregonte e gjyshja dhe menjëherë i tha gjyshit:
– Duhet të gërmojmë nën rrënjët e trëndafilit në oborr. Gjyshja, ndjesë pastë shpesh më tregonte një legjendë. Atëhere unë isha i vogël dhe ajo nuk guxonte të më tregonte. Por tani jam i bindur se legjenda kishte lidhje me eshtrat e tyre
Plaku u mendua për disa çaste dhe më në fund vendosi ta provonte dhe këtë rast.
Filluan të gërmojnë menjëherë. Në fund të gropës dalluan dy skelete njëri pranë tjetrit. Në mes të tyre gjetën një shishe të vulosur. E hapën dhe brenda gjetën një fotografi të dy vëllezërve. Nga prapa saj nëna kishte shkruar:
‘’ Luani dhe Petriti, bijtë e bukur të nënës! Prehuni në paqe! ‘’
Rivarrimi u krye në mënyrë madhështore. Mori pjesë i gjithë qyteti. I vendosën pranë varrit të nënës së tyre. Mbas një muaji plaku mbylli sytë. E vendosën në varrin e së shoqes. Skënderi ngriti aty dy varroshe të bukur, një për prindërit dhe tjetrin për fëmijtë e tyre.
*Nxjerrë nga libri me tregime “Një tregim për mikun tim”. Mbështetur në motivet e ketij tregimi në vitin 2010 botova romanin “Sekreti i varrit të vetmuar”.