• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Shpirtrat e Humbur” në Nju Jork, sukses i regjisorit Xhustin Kristian

August 2, 2017 by dgreca

Q&A Xhustin Kristian dhe Enkelejd Mezini Nju JorkXhustin Kristian dhe Isli Hoxha, Tapeti i Kuq Albanin Film WeekXhustin Kristian on set, shooting Moter e VellaXhustin Kristian Photo-Erald DedaXhustin Kristian Photo-Erald Deda 2

Xhustin Kristian ishte një nga yjet që shkëlqeu në tapetin e kuq të festivalit Java e Filmit Shqiptar në Nju Jork, për filmin e tij “Lost Souls”. Filmi “Shpirtra të humbur” pati interes të madh nga publiku dhe u shfaq te Producers Club Theaters në Maj 2017 në Nju Jork, ku regjisori ishte i pranishëm gjatë debatit Q&A.Xhustin Kristian ka filluar karrierën e tij artistike në Tiranë, Shqipëri ku është rritur dhe ka studiuar për “Drejtësi”. Mbasi diplomohet vendos ti përkushtohet pasionit duke ndjekur edhe trajnimet e para profesionale për “Aktrim” dhe “Teatër Fizik”.Daljet në skenat profesioniste datojnë në vitin 2012. Nga ai moment deri sot numëron disa role në skenat e Shqipërisë. I njohur për rolet kryesore: Franci në dramën teatrale “Premtimi” dhe Kalorësi i Zi në komedine satirike “Uraganet e Lirisë”. Gjithashtu në skenat e teatrit është parë si Blerimi në shfaqjen “Kur mungon fjala” dhe Rokisti ne shfaqjen “Çifti i shqyer”, me regji te Gjergj Menës. Prej vitit 2015 i dedikohet kinematografisë në aktrim dhe regji duke nisur hapat e para në filma artistikë (regjisori dhe aktori protagonist i filmit të tij të shkurtër “Shpirtra të Humbur” dhe seriale televizive Prifti në “Një dopio histori”. Ai ka qënë gjithashtu asistent regjie në filmat e shkurter “Motër e Vëlla” dhe “Faji është i qiellit”, me regji nga Ajola Daja.  Deri tani ka arritur ta zhvillojë karrierën e tij me sukses.Momentalisht Xhustin Kristian po punon si as. regjisor për filmin e ri “Emili” me skenar dhe regji të Ajola Dajës. Ndërsa në tetor 2017 do zhvillohet projekti filmik “Balkan’s Gate” në zonën e Prespës.

Intervista me regjisorin dhe aktorin Xhustin Kristian

Bisedoi Ermira Babamusta/

Na tregoni më shumë rreth vetes. Fillimet në fushën e aktrimit?

Xhustin Kristian: Aktrimi ka qënë një pasion i hershëm, i trashëguar ndoshta, e si i tillë kemi lindur sëbashku. Që në fëmijërinë time më ka shoqëruar gjithmonë në cdo aktivitet të mundshëm duke provuar kështu skenën e teatrit te Korçës, qytetit tim te lindjes që në moshën 8 vjecare. Edhe pse fillova studimet universitare në një fushë tjetër ky pasion nuk u shua kurrë, përkudrazi u forcua deri sa një ditë vendosa ti bashkohem rrugës së tij duke u trajnuar nga profesionistë të fushës. Daljen e parë në skenë, në shfaqje profesioniste e kam patur në shtator te vitit 2012, e mandej jam munduar ti qëndroj sa më afër saj. Teatri të fal emocione unike por edhe filmi është magji më vete. Kështu së fundi i jam dedikuar kinematografisë si një fushë që ka shumë nevojë për kontribut në vendin tonë.

Me cilat projekte po mereni tani? Për çfarë bën fjalë?

Xhustin Kristian: Projeki më i afërt do jetë “Balkan’s Gate” që do të zhvillohet në tetor të këtij viti në zonën e Prespës. Një platformë që do të bëjë bashkë për dhjetë ditë të rinj të kinematografisë nga vënde të ndryshme të Ballkanit duke u mundësuar realizimin e projekteve të tyre filmike. Eshtë një projekt në bashkëpunim me skenaristen dhe regjisoren Ajola Daja, një nga talentet e ketij brezi, të cilës i takojnë edhe meritat kryesore të kësaj nisme.

Me skenar dhe regji të Ajola Dajës gjithashtu po punojmë për filmin artistik “Emili” në të cilin më është besuar as.regjia. Jemi ende në fazën përgatitore.

Si po sjell produksioni diçka të re në këtë histori të filmit?

Xhustin Kristian: “Emili” ka zgjedhur të trajtojë një problematikë tepër delikate dhe bashkëkohore për realitetin e shoqerisë shqiptare. E pa trajtuar më parë kjo temë është totalisht një risi për kinematografinë shqiptare. Duke mos dashur të zbuloj më tepër jam i bindur se shikuesi do të gjejë veten në këtë film.

Si është lidhja juaj gjatë punës me regjisorin?

Xhustin Kristian: Kam patur përvoja shumë të mira gjatë punës me regjisorët. Bashkëpunimi i aktorit me regjisorin duhet të jetë gjithmonë mirëkuptues, tepër i ngushtë e reciprok. Kështu kanë mundësi të kuptojnë pikëpamjet e njëri-tjetrit dhe të arrijnë rezultatet e kërkuara. Ata duhet të ndajnë mes tyre vizion të njejtë të harmonisë emocionale të karakterit-personazh, kjo përbën dhe vështirësinë thelbësore. Gjithsecili duhet ta dashurojë atë që bën, të gjitha të tjerat vijnë mbas.

Çfarë do t’a befasojë publikun për këtë film?

Xhustin Kristian: Do të shkëpusja një elemen tepër të veçantë që filmi “Emili” trajton, dualitetin dashuri-urrejtie. Ti shohësh keto dy ndienja të bashkëjetojnë aq natyrshëm mes tyre për mua ka qënë emocionuese, besoj e tillë do jetë edhe për shikuesin.

Cili ka qenë filmi më i bukur ku keni marrë pjesë?

Xhustin Kristian: Shpresoj shumë që ai film të vijë. Puna ime ka qënë më tepër e fokusuar në skenë. Do të veçoja dramën “Premtimi” ku kam luajtur një nga rolet kryesore, Francin, për te cilin kam një dashuri të veçantë. Ai është një artist bohem, i destinuar në vetmi, që mbasi zhgënjehet duke eksperimentuar gati cdo argëtim sipërfaqesor të shoqërisë njerëzore kupton që dashuria dhe familja janë pasuria më e madhe.

Në cilat filma keni luajtur rolin kryesor?

Xhustin Kristian: Tregu i kinematografisë në Shqipëri është tepër i ngushtë dhe është vështirë për mundësi të tilla, madje qoftë edhe për audicione. Kam zgjedhur të luaj personazhin kryesor, Gabrielin, në filmin tim të parë “Shpirtra të Humbur”, me bindjen ndoshta sepse kam qënë shumë më afër karakterit të tij sesa dikush tjetër.

Çfarë lloje filmash ju pëlqen të jeni pjesë?

Xhustin Kristian: Diku në filmin “Hugo” të Martin Scorsese thuhet: “Filmat kanë fuqinë për të kapur ëndrrat”. Sa më ëndrrimtar të jetë një film aq më afër meje është; fantazi,aventurë,sci-fi…Personazheve komplekse dhe sureale të propozuara nga këto kategori nuk mund t’ju them kurrë jo.

Çfarë roli luan arti në shoqëri?

Xhustin Kristian: Ashtu si dhe historia tashmë ka vërtetuar, artin do ta vendosja në shtyllat themelore të edukimit të shoqërisë, përkrah me rëndësinë që i jepet familjes dhe shkollimit. Nga mënyra sesi depërton në brendësi të qënjes sonë merr vlera unike dhe i atribuoen potenciale të jashtëzakonshme. Besoj që arti në vetvete ka një mision shumë më sublim sesa thjesht krijimin e të bukurës dhe argëtueses. Ai duhet të jetë ambasadori i mesazheve humane, të paqes e dashurisë mes njerëzve, në vecanti në kohë krizash specifike të shoqerisë. Për sa kohë ndergjegjësohemi për pushtetin e jashtëzakonshëm të artit mbi masën dhe investojmë pastërtisht te ai, kemi kuptuar kështu celësin për të ndërtuar një shoqëri njerëzore shumë më të mirë nga sa e kemi sot.

Çfarë talente të tjera keni?

Xhustin Kristian: Aktrimi kërkon gjithmonë shumë kur bëhet fjalë për aftësitë e tua edhe në fusha të tjera të jetës dhe artit në përgjithësi. Kështu kam dhënë dedikimin tim maksimal për të njohur sa më shumë nga të gjitha. Do të vecoja kërcimin, këngën edhe pikturën.

Këshilla juaj për dike që dëshiron të ndjekë këtë karrierë?

Xhustin Kristian: Duhet të jetë i sinqertë me veten.Nëse ai është bindur që kjo është vërtet ajo çka dëshiron të bëjë, ushqimi i shpirtit të tij dhe motiv për jetën, të luftojë për ta arritur pavarësisht pengesave. Sigurisht do kërkojë shumë sakrifica por shpërblimi do të jetë unik.

Çfarë mund të presim nga ju për vitin 2017?

Xhustin Kristian: Përpiqem gjithmonë të jap më të mirën, sot më shumë nga dje. Më pëlqen të surprizoj veten, ashtu edhe ju. Jam besimplotë se produktet e këtij viti do jenë të suksesshme.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: "Shpirtrat e Humbur" në Nju Jork, Ermira Babamusta, i regjisorit Xhustin Kristian, sukses

FJALIMI QË DO TË KISHTE SUKSES….Aspiroj të jem deputet

March 16, 2015 by dgreca

ROBERTO ARLT (Argjentinë, 1900 – 1942)/
Ja teksti i fjalimit:
«Zotërinj! Aspiroj të jem deputet, sepse dua të vjedh sa më shumë dhe të “rregullohem” sa më mirë. Qëllimi im nuk është të shpëtoj vendin nga rrënimi ku e kanë zhytur paraardhësit, bashkëpunëtorët e mi të pacipë; jo, zotërinj, nuk është ky qëllimi im kryesor; unë, me lakmi dhe babëzi të papërmbajtur, dëshiroj të marr pjesë në veprimtarinë plaçkitëse për të boshatisur arkën e shtetit, aspiratë fisnike kjo, që ju duhet ta kuptoni se, për çdo kandidat për deputet, është më e fuqishme dhe më zjarrtë se mbajtja pastër e shpirtit të tij.
Zotërinj, të vjedhësh nuk është e lehtë. Për të vjedhur e grabitur nevojiten kushte të caktuara, që besoj se nuk i kanë rivalët e mi. Para së gjithash, nevojitet të jesh një cinik i përsosur, dhe ju siguroj se jam i tillë. Zotërinj qytetarë, mos e vini në dyshim këtë. Në radhë të dytë, duhet të jesh tradhtar, dhe unë i tillë jam, zotërinj. Duhet të dish të shesësh në kohën e duhur, jo në mënyrë të paturpshme, po në mënyrë “evolutive”. Jam i aftë të sajoj edhe termin që do të zëvendësojë fjalë tradhti, që është aq i nevojshëm në këto kohë; t’i shesësh vendin ofruesit më të mirë, është një punë sa e mbrapshtë aq edhe e vështirë, sepse e kam kuptuar, zotërinj, që pozicioni ynë, domethënë, pozicioni i vendit tonë është i tillë që nuk gjen dot blerës as për pesë lekë, sidomos në këtë moment historik dhe tejet të rëndësishëm, në të cilin ndodhemi. Kini besim, zotërinj, unë do të jem një hajdut, por, para se të shes vendin për një pjatë groshë, besomëni, preferoj të jem i ndershëm. Mbështetni madhështinë e sakrificës sime dhe do ta shikoni se unë jam kandidati më i përsosur për deputet.
Është e vërtetë se dua të vjedh, por, më thoni: cili nuk do të vjedhë? Më thoni, ju lutem, kush është ai i pafytyrë që në këto kohë të turbullta nuk dëshiron të vjedhë? Nëse më gjeni një njeri të tillë të ndershëm, unë do të vrasë veten. Edhe shokët e mi duan të vjedhin, këtë s’e luan as topi, por ata nuk dinë të vjedhin. Ata do ta shesin vendin për hiçgjë, dhe kjo nuk është e drejtë. Kurse unë do ta shes atdheun tim, ashtu siç duhet. Ju e dini se arka e shtetit është katandisur mosmëkeq, domethënë, ka mbetur pa një kacidhe dhe s’ka me se të paguhen borxhet e jashtme; epo, mirë, unë do ta nxjerr vendin në ankand për njëqind rroga mujore, që nga jugu në veri, dhe jo vetëm do të tregtoj shtetin, por do të bie në ujdi me biznesmenë të fuqishëm, me falsifikatorë ushqimesh e ilaçesh, me koncesionarë; do të siguroj armë të paefektshme për shtetin, gjë që është shumë efikase për të shmangur luftën, sesa kur ke armë ofensive, domethënë të efektshme; do të blej tagji të mirë për kalin e drejtorit të burgjeve dhe gjellë-lëtyrë për të burgosurit, do të blej afishe për spote, do t’u vendos taksa mushkonjave dhe qenve, taksa për tullat dhe kalldrëmet…
Po çfarë nuk do të vjedh unë, zotërinj? Ja, më thoni ju, zotërinj të nderuar, çfarë nuk do të vjedh unë. Nëse ju jeni në gjendje të më thoni qoftë edhe një gjë materiale të vetme që unë nuk jam i aftë ta vjedh, atëherë, unë “ipso facto” heq dorë nga kandidatura ime…
Mendojeni për një minutë, qytetarë të nderuar. Mendojeni. Unë di të vjedh. Jam një hajdut i madh. Dhe në qoftë se nuk besoni në fjalën time, shkoni në Drejtorinë e Policisë dhe kontrolloni dosjen time. Do të shihni se ç’performancë kam. Kam qenë i ndaluar për hetim bëmash të tilla nja tridhjetë herë; ndër të tjera për trafik armësh, që natyrisht nuk ishin të miat, po ashtu jam aktivizuar dhe kam kryer detyrën e konkurrentit të rremë në tendera e ankande, domethënë, duke ulur çmimin kot; kam bërë punën e sekserit, të lojtarit hileqar, të zhvatësit, të fshehësit; edhe kur më kanë hequr si zbulues apo hetues, kam bërë punën e ndihmës hetuesit apo ndihmës hileqarit; pastaj kam shkuar si agjent gjyqësor apo edhe si president i komitetit të famullisë, me kusht; kam shitur loto, ka pasur raste që kam qenë edhe baba të varfërish e nënë jetimësh; kam pasur biznes dhe kam dështuar, madje, kam qenë i akuzuar për djegie të qëllimshme të një klubi nate që pata…
Zotërinj, nëse nuk më besoni, shkoni dhe verifikoni dosjen time… dhe atëherë keni për të parë se jam i vetmi midis tërë atyre hipokritëve që duan të shpëtojnë këtë vend, absolutisht i vetmi që mund të shesë qoftë edhe pëllëmbën e fundit të kësaj toke… Kam ndërmend ta shes edhe Kuvendin, ndërsa Pallatin e Drejtësisë do ta kthej në një banesë kolektive apo hotel, sepse, po të mos ketë fare drejtësi, atëherë unë jam më i lirë, zotërinj qytetarë…»
Dhe keni për të parë se me një fjalim të tillë ose ju vrasin, ose ju zgjedhin në postin më të lartë të vendit.
Buenos Aires, 1936.
Perktheu nga Spanjishtja:BAJRAM KARABOLLI

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bajram Karabolli, Fjalimi, Robert Alt, sukses

Suksesi i artistit G4shi (Labinot Gashi) nga Drenica në New York

January 28, 2013 by dgreca

Nga Nora Kalaja, Prishtinë – New York

Labinot Gashi është një artisti i talentuar me aftësi të shumta si këngëtar, reper, shkrimtar lirikash, model, dhe themelues i grupit “Moxy”. Ka lindur në Afrikë nga dy prindër shqiptar nga Drenica e Kosovës, me 4 tetor, që shpjegon dhe pseudonimin artistik të tij “G4shi”. Familja e tij u shpërngul në Brooklyn, New York në vitin 1997.

“E konsideroj veten si një artist shqiptar që përfaqësoj Amerikën – New Yorkun. Si shqiptar familja më ka rritur me moral, tradita dhe respekt për të tjerët. Të gjitha vështirësitë që kemi kaluar si familje më kanë bërë ta vlerësoj më shumë jetën. Nuk bëj muzikë për famë ose pare, por sepse e dua. Besoj se mund të arrij një publik të gjerë nëpërmjet muzikës time. Të jesh në qendër të vëmendjes me jep mundësinë të sjell ndryshim për çështjen e Kosovës. 2013 është një kohë e re, ka ardhur koha për gjeneratën tonë të ngrihet dhe kontributojë për vendin tonë” tha i talentuari Labinot (Larry) Gashi.G4shi është një artist i pavarur, i cili ka arritur toplistat me këngët e tij. Si artist brilliant e dallon veten nga artistët e tjerë të së njejtës moshë dhe kohës së sotme. Njihet si një nga artistët më të famshëm të New Yorkut që po merr dhe famë botërore.

“Fansat e mi vijnë nga e gjithë bota, që nga Japonia, India, Anglia, Londra, Parisi, Austria, Gjermania dhe Austria. Por përkrahja më e fuqishme për muzikën time vjen nga fansat e mi besnik shqiptar. Ato kanë qenë me mua që në fillimet e karrierës time. Drenica njihet si vendi i hip hopit dhe jam krenar të vij nga Drenica dhe të arrij majat në Amerikë,”u shpreh G4shi.

Fëmijëria

Influenca e parë në muzikën e Gashi’t ka qenë legjenda Michael Jackson, kur Labinoti jetonte në Afrikë. “Artisti i parë që kam ndëgjuar në jetën time ka qenë Michael Jackson. Mbaj mend si fëmijë kam patur dëshirë të jem si ai dhe kërcej si ai,” tha Gashi. Pasi lëvizi në Amerikë, kur ishte në klasën e 3të të fillores, vëllai i tij Dre (Dre Gashi – Dj i talentuar në New York) e prezantoi me muzikën e hip hopit, me të cilën Gashi ra në dashuri. “Që kur kam dëgjuar hip hopin muzika u bë ëndërra e jetës time. Në shkollë të mesme kam kënduar majë tavolinave të mencës te shkolla dhe kur fillova universitetin vendosa ta marr muzikën seriozisht. Në këto vite muzika ishte pasioni im,” shtoi këngëtari.

Gashi ishte lojtar i shkëlqyer i futbollit amerikan në shkollë të mesme në Brooklyn dhe fitoi bursë të plotë për të luajtur futboll në universitet në shtetin e Massachusetts. Në vitin e dytë të shkollës të lartë, Gashi ndërpreu studimet dhe u mor vetëm me muzikë. Vitet që pasojnë hapin rrugën për Gashin si një histori suksesi dhe të një superstari ndërkombëtar.

Fillimet në Karrierën e Muzikës

Projekti i parë i Gashit u bë sukses i menjëhershëm. Në vitin 2010-11 G4shi u mor me inçizimin e mixtape-it të parë titulluar “Last of Rare Breed”,organizuar nga Don Cannon, famozi dhe nominuar nga American Grammy Award. CD-ja u prodhua në vitin 2011 dhe kishte bashkëpunime me repere të njohur si French Montana dhe Nipsey Hussle. Dy hite të kësaj cd-je janë: “Never Coming Back” dhe “Until the Day I Die”.
Gashi vendosi të largohet nga menaxhimi i tij dhe të vazhdojë një karrierë solo. Në 2012 G4shi themeloi grupin e tij me emër “Moxy”.

“Moxy nënkupton konfidencë. Në këtë grup dua të përfshij talente të ndryshme të artit si videografë, shkrimtarë, artistë, reperë, stilistë mode, piktorë etj. Për mua Moxy nënkupton një grup njerëzish me ëndërra të mëdha që kanë ardhur nga zeroja dhe synojnë majat. Dua të siguroj një strehim për ta. Nëse unë arrij sukses dua që dhe ato persona rreth meje të jenë të suksesshëm dhe të lumtur,” tha themeluesi i Moxy’t, G4shi.

G4shi është fitues i disa konkurseve dhe fitues i vitit për çmimit “First Time Performances”i edicionit “First Look Sessions” në 2010 dhe 2011. Në vitin 2011 G4shi kreu turneun me artistin Joe Budden nëWashington DC, Baltimore, Maryland dhe Virginia. Po në të njëjtin vit, hapi programin në koncertin për të famshin Wiz Kalifa nëConnecticut.

“Fansat dhe shfaqet e mija janë gjithçka për mua. Pa fansat e mi nuk kam asgjë. Mbi të gjitha vlerësoj njerëzit. Vlerësoj ato persona që ia dinë vlerën muzikës së mirë dhe kuptojnë identitetin tim artistik. Ato që flasin për mua e shpërndajnë muzikën timë më shpejt se parja. Pas performancës fansat komentojnë që nuk kanë parë ndonjë shfaqe si ajo e imja në jetën e tyre. Për këtë unë jetoj dhe falenderoj fansat për përkrahjen e jashtëzakonshme,” tha artisti i suksesshëm, G4shi.

Viti i Suksesi dhe Famës

Në vitin 2012 G4shi u njoh si artisti me sukses dhe famë në Amerikë. Me lançimin e këngës dhe videoklipit “Rocket” G4shi u bë emër i njohur në skenën muzikore. (http://www.youtube.com/user/thekidgash)

“Rocket është një vulë mode për stilin dhe muzikën time. Ne mund të veshim po të njëjtat rroba, por kur jam pranë teje unë bie në sy. Këtë e shfaq dhe në lirikën e këngës ‘I like it I cop it you can also cop it, but near yall I stand out like Yao when I rock it” që ka metaforën dhe kuptim e vet për lojtarin e Houston Rockets, Yao Mang,” tha superstari G4shi.

Stili, flow, lirika dhe luku i tij e dallojnë G4shin nga artistët e gjeneratës dhe kohës së sotme. Muzika, individualiteti dhe stili personal janë tepër të veçanta:

“Muzika është gjithçka për mua. Muzika është e vetmja gjë që më ka shoquar dhe qenë pranë meje kur të tjerët më lanë. Për mua muzika është ilaçi im – rrugdalja ime. Më pëlqen të përziej këndimin me repin. Preferoj beata të ndryshme dhe të krijoj melodi të bukura. E konsideroj veten të çuditshëm (weirdo). Më pëlqen çdo lloj muzike dhe ndëgjoj gjithçka përveç hip hopit. Edhe pse më pëlqen të bëj muzikë hip hop nuk e dëgjoj gjithmonë,” that këngëtari dhe shkrimtari i lirikave, G4shi.

“Kanye West është një nga frymëzimet e muzikës time. Ai ka ndryshuar industrinë që nga veshja, moda dhe muzika. Ëndërra ime është që bëhem pjesë e firmës së tij “Good Music”. Kur kam qenë në shkollë të lartë kam pas dëshirë të hyja në vëllazërinë me emër

Kappa Alpha Psi. Tani që merrem me muzikë mendoj se Kanye West dhe kompania e tij janë Kappa Alpha Psi e industrisë të muzikës sot,” shtoi Gashi.

Karriera në Modë dhe sfilada në New York

G4shi po krijon trende me veshjet dhe stilin e tij të veçantë dhe ka tërhequr vëmendjen e bizneseve dhe firmave të modës. Në vitin 2012 u zgjodh si fytyra dhe përfaqësuesi i firmës së rrobave “Problem Child NYC”, për të cilën ai edhe modelon nëpër sfilada në New York.

“Mendoj se stili dhe mënyra si prezanton veten janë kryesore. Kur më shikon mua dua të dish që jam rockstar. Më pëlqen të provoj rroba të ndryshme, më pëlqen xhinse të mira, një palë sneakers, bluze e gjatë, kapele e kuqe dhe dhëmë floriri. Të tjerët më konsiderojnë si krijues i trendeve të modës sepse nuk kam frikë ta çoj modën në një nivel tjetër. Nuk më shqetëson çfarë mendojnë të tjerët për mua. Jam konfident në zgjedhjet dhe stilin tim,”tha modeli dhe përfaqësuesi i firmës “Problem Child NYC”, Labinot Gashi.

“Do jem provë që mund të arrish çfarë duash edhe kur nuk ke asgjë. Hip hop është një stil jete për mua, kur shikon hip hopin më shikon mua në të, që nga mënyra e veshjes, stili dhe muzika ime. Stili im nuk është nga kjo botë. Mendoj se jam i pari emcee i bardhë që ka patur sukses edhe në modë,” shtoi G4shi.

Projektet e Fundit dhe Muzika e Re

Në vitin 2012 Gshi lançoi dy videoklipe. “Beautiful World” u prodhua nga grupi i G4shit, Moxy dhe“Rocket” me regjizor Mike D’Angelo u prodhua po në të njëjtin vit. Vitin tjetër në 2013, kënga “Lana’s Song” u bë një superhit ndërkombëtar, xhiruar nga

86th and 1/4th në New York.

Disa nga këngët famoze të tij të fundit përfshijnë: “Lana’s Song” dhe “Take My Time” prodhuar nga Success Beats, “Rocket” nga Dj Chew, “Beautiful World” nga Myles William, “Right” dhe “Topback” nga Smokie Morrison.

“Muzika ime ka ndryshuar me kohën. Kur fillova të merrem me muzikë fillimisht, kam qenë nën kontrollin e të tjerëve, që më thonin si t’ia arrija në kë fushë. Tani po merrem me atë që dua dhe bëj atë që dëshiroj. Muzika ime është nganjëherë miks me dub step, pak old school, dhe pak hip hop nga Houston Texas. Për mua Drenica është Teksasi i Kosovës, sepse është zemra e vendit. Për këtë arsye e ngadalësoj beatën në këngën time,” tregon i talentuari Gashi.Momentalisht G4shi po merret me mixtapin e ri që quhet “I’ll be right with you” që do lançohet në 2013, bashkë me albumin e tij të parë me titull “Didn’t Register”.

“Albumi im i parë ‘Didn’t register’ (nuk u regjistrova) do ketë muzikë të së ardhmes. Kur lashë shkollën e lartë prindërit më thanë të rikthehem dhe të regjistrohesha në klasa përndryshe nuk do ia dilja në jetë. Për mua plani parësor ka qenë gjithmonë muzika, e cila është pasioni im. Dua të jap mesazh dhe energji pozitive tek të rinjtë. Mesazhi im për gjeneratën e re është ky: Mos i ver kufi vetes. Në kohën e duhur, me njerëzit e duhur çdo gjë është e mundur. Nëse nuk po vjen shansi tani, mos u ndal, vazhdo pasionin tënd. Duaje veten tënde. Përshëndes dhe falenderoj z. Gashin për mundësinë e kësaj interviste në restorantin e tij fantastik në New York, me ushqim, atmosferë dhe staf të mrekullueshëm. Falenderoj motrën time Leonora si një mentore në jetën time dhe vëllain tim Dre që më ka prezantuar me hip hopin. Falenderoj të gjithë shqiptarët kudo për përkrahjen tuaj ndaj meje. Influenca më e madhe për mua është Manhattan – New Yorku, ku unë gjej veten me muzikën, stilin dhe veçantinë time. Fansat mund ta ndjekin artistin ne twitter @G4SHI,” tha talenti G4shi.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: artist, Drenica, Labinot Gashi, sukses

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT