Veseli nderon vëllezërit Bytyçi: Ta çojmë përpara amanetin e dëshmorëve/
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në New York, së bashku me ish-bashkëluftëtarët nga Batalioni “Atlantiku”, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule pranë varreve të tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së, vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi, të vrarë nga forcat serbe pas përfundimit të luftës në Kosovë.
Kreu i Kuvendit tha se vet përulja para këtyre tre heronjve, tregon se sa shumë është dashur të jepet për të arritur këtu ku jemi sot.
Veseli tha se liria është e shenjtë dhe e shtrenjtë, prandaj duhet punuar edhe më shumë për ta ruajtuar atë që është arritur dhe njëkohësisht për të vazhduar edhe më fuqishëm në kultivimin e partneritetit me SHBA-të, edhe për faktin se, siç tha ai, ky vend u ka dhënë mundësinë të gjithëve.
“Vetëm 19 vite më herët demonstronit, dilnit në mënyrë ushtarake për t’u nisur në drejtim të rrugëtimit të lirisë, luftës së UÇK-së dhe çlirimit të vendit tonë, Kosovës. Ne do të vazhdojmë këtë partneritet. Jemi falënderues ndaj SHBA-së, ndaj partnerëve tanë dhe do të vazhdojmë bashkarisht për fuqizimin e shtetit. Nuk ka kush që na ndalë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kryetari i Kuvendit tha se shteti ynë është i shenjtë, sikurse janë të shenjtë sovraniteti dhe integriteti territorial. Ai shtoi se do të punohet, së bashku me partnerët, që shtetin ta kemi edhe më të fuqishëm në aspektin ekonomik, demokratik dhe atë ligjor.
“Ju duhet të jeni krenarë për kontributin që keni dhënë për lirinë e Kosoves. Ata që na kanë ndihmuar dhe e kanë bërë të mundur që edhe ne që kemi qenë në luftë të luftojmë, duhet të jenë krenarë, për aq sa duhet të jemi krenarë edhe për kombin të cilit i takojmë”, tha Veseli.
Kreu i Kuvendit tha se duhet ruajtuar dhe çuar përpara amaneti i këtyre tre heronjve, të rënë në altarin e lirisë.
“Jam shumë krenar që sot, si bashkëluftëtar i tyre, bashkëluftëtar i juaji, vij në krye të institucionit të përfaqësuesve të popullit të Kosovës, Kuvendit të Republikës së Kosovës, të ndajë dhe të përkulemi bashkarisht para sakrificës së popullit tonë, para këtyre heronjve të lirisë. Lavdi heronjve të UÇK-së, lavdi sakrificës së popullit tonë”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.