nga Jozef Radi/
Sot, Lazër Radi ka të 97 vitin të jetës së vet dhe n’at shenjtninë e tij solemne, sigurisht do t’falenderonte këdo që do ta kujtonte, e njiherësh do t’i përshëndeste edhe ata që s’patën fatin ta njihnin, gja t’cilën po përpiqem ta bëj unë sot, sepse Lazër Radin s’e kam pa dhe as s’e shoh thjesht si djali i tij, po në nji tjetër përmasë: në atë tridimensionale të Njeriut, Idealistit dhe Intelektualit!
Lazër Radi mbetet shoku im ma i mirë i ditve të vështira, ai që s’më shiti asnji herë; ai mbetet mësuesi im i papërsëritshëm, kur shplamja e truve ishte në stinën e luleve; ai mbetet kundërshtari im ma leal, që m’lejoi gjithnji të zgjidhja unë i pari armët e polemikës; ai mbetet strategu të cilit unë asnjiherë s’doja t’i bindesha verbërisht; ai mbetet filozofi që më fliste me orë pafund mbi parimet, që kurrë mos t’ua drejtoja gishtin të tjerëve, po të merresha me veten; ai mbetet pedagogu që e pati tejet të vështirë të ma dhuronte ledhen, po kurrë s’e la veten të rrëzohej tek ndëshkimi; ai mbetet shenjtori për të cilin unë do të falem gjithë jetën; po mbi të gjitha ai mbetet fati im, i mirë dhe i keq, për të cilin as jam ankue dhe as jam trishtue ndonjiherë… dhe vetëm mbas kësaj i jap të drejtë vetes të thotë pa drojë: po Lazër Radi është edhe IM ATË!
Kalvari i Lazër Radit s’dihet kur ka nisur!
Prej masakrës në Bishtazhin të Gjakovës ne fillim të shek. XIX, në deportimin nga Prizreni në1929, prej 23 nëntor ’44, kur ishte 27 vjeç deri te Rrëzimi i Murit kur ishte 74 vjeç ai kaloi plot 46 vjet 163 ditë, burgje, interrnime, kampe!!
Po qëndroi ne kambë dhe i paepun!
E pikërisht 75 vjeçar, Ai rishfaqet dhe e rinis andrrën e vet si të mos kish ndodhë asgja në jetën e tij! Atje ku ia kishin këputë Ai rishfaqej: hijerandë dhe krenar… I gatshëm me dëshmue jo vetën se ishte gjallë po se kishte edhe energji të mjafta për me e çue deri në fund at andrrën e lanun përgjysëm…
U shfaq si nuk e priste kush: Dr. Lazër Radi dhe Avokat Lazër Radi! Si ishte e mundun të dilte nji Doktor, e nji Avokat nga skëterra e burgjeve dhe kampeve komuniste? Si asht e mundub!!! E pra Ai doli!!! Si sfidë e tërbimit kuqalash që e dinin të vdekur e të kallur! Dhe nisi nji valë sulmesh të ulta e të paprincipta të cilave krahas përgjigjive dinjitoze dhe stoike, Ai qetesisht u çonte kopjen e Doktoraturës në Sapienca me 110/110 dhe at Licencën e Avokatisë, që aq shumë ia pat urrye komunizmi!
Lazër Radi s’pat kohë të merrej me diktaturën, shihte diku ma larg e ma nalt, edhe pse se kurseu asnjiherë denoncimin e krimeve të saj… “Merru ti! – më tha – Mjafton të tregosh ti të vërtetën tande, dhe ke rrëfye gjithçka edhe për mue…!”
Ai, ishte ndër të parët e zbritun prej kampeve që shkroi për Fishtën, Koliqët, Prennushin, Musine Kokalarin, Ivanajn, për Mëshkallën, dom Shtjefën Kurtin, për Gjyqin Special, për Shantojën, për Ndre Zadejën, Gjeçovin, për Rugovën e plot të tjerë… Do të ishte themeltar i Lëvizjes për Bashkimin e Shqiptarëve, në Partinë e Unitetit Kombëtar, antar nderi i Partisë Demokristiane, themelues i Shoqatës Katolike, botues i 52 numrave të gazetës “Bashkimi i Shqiptarëve”, përkthyes i poemës mbi krimet e Stalinit, përkthyes i Platonit, autor i 15 librave, i qindra artikujve, intervistave në RD, ZR, Kombi, Rilindja, Republika, Liria dhe në mjaft programe televizive… Shtëpia e tij në Tiranë u ba vend pelegrinazhi i gazetarëve, regjizorëve, artistëve, shkrimtarëve, deputetve, muzikantëve po edhe miqve të vjetër, njerzve të thjeshtë që hynin e dilnin lirshem në shtëpinë dhe shpirtin e këtij njeriu…
***
Lazër Radi ishte mjaft kristian dhe pak politeist, mjaft sokratian dhe pak komunist, mjaft zhanvalzhan dhe pak donzhuan, mjaft filozof dhe pak oportunist, ishte mjaft kosovar (që për të nënkuptonte patriot – i gatshëm për çdo kompromis që Kosova të ishte Shqipëri), po mbi të gjitha e mbi gjithçka ishte dhe mbeti njeri: shumë Njeri!
Lazër Radi vdiq kur vendosi vetë të vdiste… sepse ai s’mund ta pranonte vegjetimin… S’pranoi as doktorë, as kura e as këshilla… e la veten të shuhet ngadalë si nji qiri, i bindun se e kish dhanë gjithë dritën dhe energjinë e vet… Natën e ekuinoksit të vjeshtës, me 22 shtator 1998, mbasi u përpëlit gjatë në krahët e mi, shpirti i tij u ngjit në qiell… Fjetëm ashtu bashkë në at përqafje të fundit: jeta dhe vdekja, njeriu dhe andrra, besimi dhe shpresa… Kjo është e vërteta e këtij njeriu që kushdo e ka njohur e ka dashur, po që edhe kundërshtarët e tij ma të rreptë i ulën armët… Sot në të 97 vit të jetës, Ai mund të kujtohet edhe ashtu thjesht si njeriu që s’u lodh së mësuari të tjerët që ta donin jetën dhe ta dashuronin pa u epur lirinë…