Nga Eugjen Merlika/
Ka kaluar më se një e katërt shekulli nga rrëzimi I Murit të Berlinit që u bë emblema dhe simboli i dështimit të komunizmit si sistem ekonomik në nivel planetar e politik në atë evropian. Ndryshimet e mëtejme drejt sistemit të demokracive liberale patën zhvillime të larmishme në Vendet ish socialiste të Lindjes evropiane, në vartësi të forcës dhe qëndueshmërisë së dogmave e tabuve të rrënjosura në vetëdijen e shoqërive të ndryshme kombëtare. Këto dogma e tabu përcaktonin edhe forcën e vërtetë të klasave drejtuese pas komuniste, që diku mbetën të njëjtat me ndonjë makiazh të lehtë e diku u shndërruan në demokrate, nëpërmjet një ndërhyrjeje rrënjësore kirurgjikale.
Ndërsa ndryshimet në sistemin ekonomik qenë relativisht të shpejta ato në sferën e superstrukturës janë shumë të ngadalshme e diku diku ende të paqena. Në këtë drejtim vërehet se, në një pjesë të Vendeve evropiane, ekziston prirja për të ruajtur klishetë e interpretimit e paraqitjes së ngjarjeve historike në prizmin e së shkuarës së afërt, duke i a nënështruar kritikën historike një farë manikeizmi stereotip të bazuar në dogmat e “pakundërshtueshme” të traditës komuniste. Një prej këtyre është edhe një farë ligjërimi i sistemit në planin historik, duke heshtur mbi shfaqjet më të dënueshme të tij, si krimi shtetëror, e duke zbehur në maksimum pasojat dramatike të keq qeverimit dhjetravjeçar.
Sistemi i diktaturës së proletariatit i markës leniniste – staliniste në kongresin e XX-të të PKBS u dënua haptas, jo vetëm për mangësitë e theksuara në fushën ekonomike, por kryesisht, për frymën kriminale që e kishte përshkuar për gati tridhjetë vjet, një frymë që i shkaktoi Bashkimit Sovjetik rreth 20 miljon viktima të gjyqeve, gulagëve, urisë. Por çuditërisht, në Perëndimin e lirisë e të drejtave të njeriut, është ende e pranishme prirja për t’i zbehur pasojat tragjike t’asaj politike. Këtij zullumi të madh historiografia e majtë i ve përballë krimet e nazifashizmit, kryesisht Shoah, zhdukjen e hebrenjve. Në këtë ballafaqim të llahtarshëm nuk ka fitues, të gjithë janë të humbur, sepse humbëse është specia njerëzore, e aftë të prodhojë në vazhdimësi tmerre rrënqethëse.
Një krahasim objektiv, i paanshëm, i dy sistemeve kriminale të shekullit të shkuar do të kërkonte, së paku, një vlerësim të barazpeshuar të dëmeve që i janë shkaktuar njerëzimit në përgjithësi e, kryesisht, popujve që kanë pësuar në vetë të parë ato përvoja. Fatkeqësisht, për arsye ideologjike e politike nuk ndodh një gjë e tillë. Edhe përpjekjet dinjitoze të studjuesve të njohur të historisë bashkëkohore si Ernst Nolte, Renzo de Felice, Viktor Zaslavski, Elena Aga Rossi etj. për t’i trajtuar me të njëjtin këndvështrim krimet e nazifashizmit e të komunizmit, nuk kanë gjetur në sferën institucionale evropiane një përgjigje serioze. Kështu, për shembull, dhjetë vjet më parë, Parlamenti evropian hodhi poshtë, me shumicën e votave socialiste e komuniste, një rezolutë n’atë drejtim të eurodeputetit suedez Goran Lindblad, që kërkonte trajtim të barabartë, edhe përsa i përket nderimit shoqëror e zyrtar të viktimave të dy krahëve.
Por ajo që nuk ndodh, për shkaqe të njohura, në Shqipëri, Rusi, Sërbi, e në ish republikat sovjetike t’Azisë qëndrore, ka ndodhur në Shtetet Baltike e Vende të tjera ish socialiste t’Evropës, së fundi në Ukrainë. Në fillim të prillit, Verhovna Rada, Kuvendi ukrainas, miratoi me një shumicë dërmuese ligjin n. 2558 “Mbi dënimin e regjimeve totalitare naziste e komuniste në Ukrainë dhe mbi ndalimin e përhapjes së simboleve të tyre.”. Në një listë të gjatë që shkon nga partitë politike tek flamurët, nga emrat e shesheve e rrugëve tek monumentet, përkujtesat apo librat e kujtimeve e deri tek hymni i BS, është përmbledhur kuptimi i “propagandës” dhe “simboleve” të dy sistemevet. “Me këtë ligj regjimi totalitar komunist, që ka qenë në Ukrainë nga 1917 deri në 1991, njihet si kriminal që ka zbatuar një politikë të terrorit shtetëror” thuhet në një paragraf të ligjit. Ky ligj është në vazhdim të sivëllezërve të tij në Lituani më 2008 e në Letoni më 2013. Madje më 2010 një grup shtetesh, të kryesuar nga Lituania e të përbërë nga Letonia, Bullgaria, Hungaria, Rumania dhe Republika Çeke, kërkoi nga Evropa që kjo të trajtonte, në tërësinë e saj, “krimet e nazifashizmit e të komunizmit me të njëjtin standart”. Propozimi u hodh poshtë nga Komisioni Evropian.
Nuk arrij të kuptoj vendimin e Komisionit që i ndan viktimat e diktaturave në dy kategori. Këta zotërinj e zonja të nderuara të kontinentit, që nuk kanë provuar në veten e tyre terrorin shtetëror e mungesën e lirisë vetiake për asnjë çast të jetës së tyre, kanë kurajën dhe paturpësinë t’u a mohojnë këtë fakt të dhimshëm qindra milionë njerëzish që patën fatin e keq të jetonin nën perandorinë komuniste të Moskës, të sanksionuar nga aleatët e saj fitues të luftës së dytë botërore. Është një fakt i pashpjegueshëm, sepse bie ndesh jo vetëm me moralin njerëzor dhe besimet fetare, por edhe me të vërtetën historike e logjikën e saj.
Edhe këtë herë vendimi i Radës së Kievit u prit nga një orkestër kundërshtimesh, ku violina e parë i takoi Efraim Zuroffit, një historiani amerikan që është drejtor i Qendrës Viesenthal të Jeruzalemit. Kjo Qendër e cila, që nga viti 1977, ka mundur të zbulojë e t’i japë drejtësisë shumë ish nazistë të fshehur nëpër botë, madje edhe roje të thjeshta, për krimet e tyre të kryera në kampet e shfarosjes së hebrenjvet, duke i dhënë drejtësi viktimave të pafajshme të holokaustit, çuditërisht del në mbrojtje të xhelatëve të të tjerë viktimave. Zuroffi e quajti “poshtërues” vendimin e parlamentit të Kievit. Simbas tij ky ligj është “një gënjeshtër e madhe që kthen xhelatët në viktima”. “Ndalimi i nazizmit dhe i komunizmit ve në të njëjtin plan regjimin përgjegjës të genocidit më të madh të historisë njerëzore me atë që çliroi Auschwitz-in, duke ndihmuar t’i jepej fund mbretërisë së terrorit në Rajhun e tretë.”
Bën përshtypje njëanshmëria e këtij historiani, një dukuri që shkon deri në caqet e amoralitetit, mbasi kërkon të monopolizojë, në nivel planetar, viktimizmin, pa u njohur të tjerëve viktima të dhunës të drejtën për të patur të njëjtin trajtim, së paku në planin e kujtesës historike. Çfarëdo të pohojë Zuroffi dhe kolegët e tij të Qendrës Viesenthal, askush nuk mund të mohojë milionat e viktimave të komunizmit. Duhej t’ishte ai i pari, ai që me të drejtë çon në gjyq edhe sot gati njëqindvjeçarë ish policë të kampeve naziste, të ngrinte zërin për milionët e e viktimavet të babushka Stalinit, apo të bashkëpuntorëvet të tij në të gjitha shtetet komuniste. Por për të ata milionë nuk kanë të drejtë qytetarie, nuk meritojnë as lule, as emra rrugësh, as monumente, as kujtesë…. Nuk më duket se i bëhet një shërbim i mirë edhe holokaustit në këtë mënyrë, mbasi historiani amerikan nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga ata, jo të pakët, që sot në botë, kryesisht atë myslimane, venë në dyshim apo e kufizojnë shumë vetë atë dukuri.
Ligji i fundit ukrainas ka vënd për kritika, mbasi dënimi me pesë vjet burg për shprehjen e ideve, cilatdo qofshin ato, nuk është i përligjur në shoqëritë e lira. Neni famëkeq 55/1i Kodit penal të Shqipërisë komuniste ishte një shembull i gjallë i atyre lloj dënimevet që, në vitet e gjata të regjimit, çoi në kampet e punës së detyruar mijra qytetarë shqiptarë. Duke kritikuar këtë anë të ligjit, ai në vetvete ka në thelb një parim të drejtë e të lëvdueshëm. Janë pa asnjë bazë reale akuzat e Zuroffit se ligji merr në mbrojtje krimet nazifashiste, mbasi ai dënon pa dallim së pari ata e pastaj dhe ata komuniste.
Nuk është e rastit që këta ligje i miratojnë parlamente të Vendeve ish komuniste të Lindjes e i kundërshtojnë përfaqësues të demokracive të Perëndimit apo të demokraturave të Lindjes. Ata që e kanë provuar në lëkurën e tyre mizorinë e komunizmit nuk mund të pranojnë lirisht pallavrat e “qëllimeve të mira”, por të gabimeve vetiake të njërit apo tjetrit. Komunizmi i zbatuar në B.S., në Kinë, Shqipëri, Kore, Kamboxhia apo gjetkë ishte një sistem dhune aspak më i mirë, në mos më i keq se sa nazizmi i kampeve të shfarosjes së hebrenjve. Ai zgjati shumë më tepër si kohë përndjekjesh, u zbatua mbi vetë popujt e tyre, duke shkaktuar më tepër viktima. Këta janë faktet e njohura historike. Ligji ukrainas, ashtu sikurse sivëllezërit e tij të Vendeve të tjera, mban parasysh pikërisht këta fakte. Kundërshtimi i tyre është një mohim i këtyre fakteve e një përpjekje e dështuar për t’i shtrembëruar ata.
Ligji i fundit i Kuvendit të Shqipërisë, mbi hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, është një hap i mirë përpara, edhe se shumë i vonuar, në drejtim të zbardhjes së praktikavet kriminale të organit më besnik të diktaturës, por shfaqjet e ndryshme të hapura e të maskuara të mallit për këtë të fundit e drejtuesit e saj, janë dëshmi e një mendësie të vjetër e të ndryshkur, që e ka shumë të vështirë të pranojë ndryshimet e të ballafaqohet ndershmërisht me të vërtetën historike. Edhe në këtë fushë, ashtu si në atë të zhvillimit ekonomik, të integrimit evropian e të moralizimit të jetës së saj të mbrendëshme, klasa politike shqiptare është shumë e vonuar në ecjen e saj e nuk jep pothuajse asnjë shpresë për të arritur simotrat e saj në ish Vendet socialste të Lindjes evropiane.
Maj 2015