• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një takim i paharrueshëm me Nënë Terezen

September 2, 2016 by dgreca

 

1 SinanKamberaj-NeneTereza2

SinanKamberaj-NeneTereza4

SinanKamberaj-NeneTereza3Një fytyrë që rrezaton fisnikëri…/

Nga Sinan Kamberaj/

Sapo hapem zyrat e Gazetës Illyria, ra telefoni. Misioni Shqiptar në OKB na njoftoi se pas një kërkese që i kishin parashtruar zonjat dhe fëmijët e personelit të këtij Misioni,  zyrës së Motrave Misionare, për një takim të shkurtër me Nënë Terezën në Bronx, kishte arritur pëlqimi për takimin. Redaksia jonë kishte nderin dhe privilegjin të merrte pjesë në takim, gjë që ishte një kënaqësi e vecantë, e paharrueshme.

Takimi, në fakt, e kishte një të metë: nuk mund të bënim intervistë me Nënë Terezën, sepse Ajo ishte e lodhur nga puna që kishte bërë gjatë qëndrimit disaditor në Amerikë. Marrëveshja, si e tillë, duhej respektuar.

Kush do ta refuzonte këtë shans, pavarësisht nga ky kufizim? Do ta takonim Nënë Terezën, do të bënim fotografi bashkë, do të këmbenim ca fjalë, fundja, do ta përshëndesnim dhe do t’i thoshim shqip atë që duhej thënë: Lutu për ne!

E po, a nuk ishte ky një rast i rrallë?

Takimi u zhvillua gati ashtu siÇ e imagjinuam. Në një Shtëpi (të vogël) Misionare në St. Rita Church në Bronx, po na priste një Nënë e Madhe: Gonxhe Bojaxhiu  – Nënë Tereza.

“Do ta takoni pas pak Nënë Terezën”, tha Jenny, një ndihmëse e saj, e cila na priti ngrohtësisht para hyrjes së Shtëpisë.

U ngjitem shkallëve në katin e parë dhe sakaq u shfaq Nënë Tereza.

“Mirë se vini! Zoti ju bekoftë!”, përshëndet mysafirët Nënë Tereza dhe ulet në një karrike, në një dhomë të mobiluar fare thjeshtë.

“Është një nder për ne që e kemi Nënë Terezën në mesin tonë, krenarinë e kombit shqiptar dhe të gjithë njerëzimit” filloi të fliste ambasadori Pëllumb Kulla. “Kjo, me të vërtetë është një ditë e veÇantë për ne, që Ju takojmë këtu”, iu drejtua ai Nënë Terezës.

Ajo falënderonte për fjalët e mira dhe uronte pa ndërprerë. Fytyra e Saj rrezatonte ngrohtësisht mirësi dhe fisnikëri. Për një Çast pata ndjesinë se fytyra e saj ishte një mishërim i të gjitha fytyrave të nënave shqiptare. Fytyra e saj është vërtet një fytyrë tipike  e nënave tona, e atyre plakave fisnike, të cilat, sa më shumë që u rëndojnë vitet mbi supe, fytyrat e tyre bëhen gjithnjë e më ëngjëllore, duke rrezatuar ngrohtësi e butësi qiellore.

Në këtë Çast ajo uroi në gjuhën shqipe: “Zoti e baftë mirë”!

(Sa fotografi të Saj i kam parë të varura në muret e shtëpive shqiptare në Kosovë, në muret e klasëve në shkolla, sa këngë janë kënduar për Të në kopshte e shkolla, sa vizatime me fytyrën e saj, me të hequra vijash të sigurta, nga duar fëmijësh, sa vargje në faqet e shtypit shqiptar: “Nënëz-o, Nënëz-o!…)

Gonxhe Bojaxhiu ka shkruar edhe vetë poezi. “Po lë shtëpinë zemërfanar/ Vendlindje e farefis/ Po vete n’Bengalin dergjevarë/ Atje në të largëtin vis”. (Nga poezia: “Lamtumirë”, shkruar më 9 dhjetor 1928, gjatë udhëtimit për në Indi).

Dora e ngrohtë e saj prek butësisht duart tona. Gishtërinjtë magjikë përkëdhelin flokët e butë të fëmijëve mysafirë. Ata e shikojnë me kurreshtje dhe dashuri dhe sakaq edhe ne të rriturit, më bëhet se bëhemi si ata. Unë, për veten time – po. Me vinte t’i pyesja fëmijët: Si e ndjeni vetën kur, në Çastet e Çapkënërisë, pas ndonjë sherri të vogël, nëna ua ngre veshin? Ju dhemb? Jo, jo, ju “djeg“ ëmbëlsisht, sepse gishtërinjët e  nënës janë magjikë?

Kthjellohem kur Nënë Tereza fillon të flasë, qetë-qetë. Nuk mund të mos e përfytyrosh gurgullimën e Vardarit të Shkupit. Tek lutet, Ajo palos cepin e veshjes së bardhë, me vija ngjyrëkaltër të  Çelët, ndërsa ti përfytyron shkumëzat e bardha të Lumbardhit të Prizrenit, pas përplasjes me shkëmbin.

“Ma kanë punuar të sëmurët leprozë shqiptarë”, thotë ajo në anglishte.

Tek zë ngoje Shqipërinë, padashur të shkon ndërmend se dy lumnej – njëri i trungut familjar Bojaxhiu, ndërsa tjetri – i fëmijërisë së Gonxhes, rrjedhin në dy drejtime të ndryshme dhe derdhen në dy dete, poashtu të ndryshme: Lumbardhi – në Adriatik, kurse Vardari – në Egje.

Familja Bojaxhiu është e shpërndarë në disa vende të botës. Është e sigurt se familja e saj rrjedh nga Prizreni; një pjesë jeton ende aty, një pjesë në Shkup. Dega shkon deri në Egjipt.

Gonxhja u lind në Shkup, më 27 gusht 1910, nga babai Kolë Bojaxhiu, një tregtar i madh e i ndershëm, patriot i flaktë, si dhe nga nëna Drane, një grua fisnike e bujare.

Njëri nga studiuesit e jetës dhe veprës së Nënë Terezës, Dom Lush Gjergji, duke iu referuar rrëfimeve të vëllait të Gonxhes, Lazrit, thotë se “shtëpia e Kolë Bojaxhiut ishte gjithmonë krahhapur, si për miqtë, ashtu edhe për të varfërit. Ajo ishte një Çerdhe politike, kulturore, ndërtimtare…”.

Dom Gjergji shpalos kujtimin e Nëne Terezës për të jatin e saj, Kolën.”Bija ime, mos e le asnjë kafshatë buke pa e ndarë me të tjerët…”.

Lorenc Antoni, tashmë i ndjerë, një kompozitor i njohur nga Prizreni, bashkëkohanik dhe farefis me Nënë Terezën, thoshte se më 20 gusht 1928, duke u kthyer nga Kisha Katolike Shqiptare e Letnicës së Vitisë së Kosovës, Gonxhja i kishte thënë në besë: “Kam vendosur para Zojës së Letnicës të shkoj në misione dhe t’i kushtohem tërësisht Zotit për shëlbimin e shpirtërave…”

Që nga viti 1948 Nënë Tereza jeton në Kalkutë të Indisë, midis njerëzve të uritur.

Ajo, edhe pse mban mbi supe 85 vjet, ngrihet lehtësisht. Flet kulluar “Edhe pse po i mbushi 85 vjet, ndjehem mirë, sepse të gjithë luten për mua”, na thotë ajo në anglishte.

“Presidenti (Berisha) më ka ftuar të shkoj të jetoj në Shqipëri”. “Nëse dikush dëshiron të të vizitojë apo të bisedojë me Ty, le të vijë në Shqipëri”, më tha ai, – shton Nënë Tereza, duke qeshur. “Ndoshta do ta dëgjoj sugjerimin e Presidentit”.

Nënë Tereza e kishte nënën, vëllain Lazër dhe një motër në Shqipëri. Regjimi komunist i Tiranës nuk e lejoi ta vizitonte as varrin e së ëmës, as varrin e së motrës, deri në gusht të vitit 1988. Ky akt do t’i ketë shkaktuar dhimbje Nënë Terezës, por jo edhe zhgënjim. Dhimbjet e bëjnë njeriun të fortë, por akoma më të fortë janë ata që kaliten me vuajtje e dhimbje në fëmijëri.

Babain e Gonxhe Bojaxhiut, Kolën e kishin helmuar serbët në Beograd, në vjeshtë të vitit 1918, pas një mbledhjeje të rëndësishme të Parlamentit, ku ishte diskutuar për Çështje shqiptare. Kola ishte përfshirë në debat, duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve si deputet i Shkupit.

Vdekja e Kolës kishte shkaktuar dhimbje të madhe në familjen e tij, por edhe në mesin e shqiptarëve të këtij qyteti. Ishin pikëlluar veÇanërisht varfanjakët e shumtë të qytetit, të cilët i kishte mbajtur gjallë ai. Kola u varros me nderime të mëdha nga bashkëqytetarët e tij, në varrezat katolike në Shkup. Pas tërmetit fatal që goditi Shkupin, në vitin 1963, eshtrat e Kolë Bojaxhiut u zhvarrosën, bashkë me eshtrat e shqiptarëve të tjerë dhe u rivarrosen në periferi të qytetit të Shkupit.

Vitet e fundit Nënë Tereza ka qenë shumë herë në Shqipëri. Herën e fundit ishte më 25 prill 1993, ku bashkë me Papa Gjon Palin mori pjesë në ceremoninë madheshtore të inaugurimit të Katedrales së Madhe në Shkodër.

***

Është koha ta lëmë të qetë Nënë Terezën. “Rrnofsh sa malet!”, i thotë kolegu im, Isufi. “Ju kujtohet kjo uratë shqip?”, shton ai. “Ma përsërit ngadalë!”, thotë Ajo. “O, po, po!”, përsërit duke buzëqeshur. “Na rrnofsh sa malet”, – i themi edhe ne. “Edhe Ju”, thotë Ajo.

Nënë Tereza na përcjell deri te dera. I përqafon fëmijët, i ledhaton. Na uron rrugë të mbarë.

***

Pas ndarjes, nuk mund te mos meditosh për takimin. Si është e mundur që një komb i vogël, si ne shqiptarët, – bukur i pafat gjatë historisë, – t’i jepë botës figura kaq të mëdha, si Nënë Tereza. Nobelistja e Paqes, tashmë është, jo vetëm e shqiptarëve, por edhe e gjithë njerëzimit. Më 557 shtëpitë e saj në 126 vende të botës, Misionet e saj ndihmojnë qinda mijëra fëmijë e pleq, të vuajtur e të uritur, njerëz të sëmurë e të pastrehë. Nënë Tereza ka në Shqipëri tetë Shtëpi Bamirësie. Në Kosovë i ka dy Shtëpi të tilla.

“Në Kalkutë i kemi marrë nga rruga të gjithë njerëzit e uritur dhe të sëmurë, i kemi strehuar dhe nuk i kemi lënë të vdesin në rrugë”, reprodukoj në mendjë fjalët e sapothëna të Nënë Terezës në zyrën e Motrave Misionare në Bronx.

Në redaksinë e gazetës, nxjerr nga rafti një libër me kujtime të Nënë Terezës, të Dom Lush Gjergjit.

“Kemi qenë një familje e lumtur, plot hare e dashuri … Edhepse kam vijuar shkollën laike, së pari familja ime, e më vonë “Famullia e Zemrës së Krishtit”, më kanë dhënë një edukim të shëndoshë dhe të thellë fetar”, shkruan Dom Gjergji, t’i ketë thënë Nënë Tereza.

Ndërkaq, vëllau, Lazri e kujton të motrën: “Ishte vajzë normale, ndoshta pak e mbyllur… Qysh nga vitet e para të shkollës fillore hetohej talenti dhe shkathtësia e saj për mësim. Ishte nxënësja më e mirë në klasë, gjithnjë e gatshme për t’i ndihmuar të tjerët…”

Teksa filloj t’i shkruaj këto rradhë, më shfaqen para syve gishtërinjtë e këmbëve të Nënë Terezës, që dukeshin paksa të ndrydhur në sandalet e saj të grisura… Pastaj, gishtërinjtë magjikë të duarve që preknin faqet e skuqura të fëmijëve mysafirë, të këtyre vogëlushëve që u bënë sebep për këtë takim të paharrueshëm.

“Prej nga je Ti, vogëlush?”. “Nga Shqipëria”. “Po ti?”. “Nga Kosova”. “Zoti Ju bekoftë!”.

Ajo lutet për liri e paqe midis njerëzve. Atë do ta ketë bekuar Zoti, qëkur u lëshua në krahët e Tij. Ndaj, Ajo lutet edhe për të tjerët që t’i bekojë e t’i pranojë në Mbretërinë e Paqes së Përhershme.

“Nuk është popull i vogël ai që ka dhënë një Nënë kaq të Madhe”, ka thënë për Nënë Tërëzën kardinali i Kishës Katolike të Hungarisë, Paskal.

Ky reportazh eshte botuar ne gazeten shqiptare-amerikane “Illyria” nr. 411 (29 qershor – 1 korrik 1995) ne New York. Eshte ribotuar po ne kete gazete me 28 Nentor 20012.

NEW YORK, 28 qershor 1995

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Nene Tereza, Sinan Kamberaj, TAKIM I PAHARRUAR

TAKIM I PAHARRUAR ME NEXHMIJE PAGARUSHËN…

May 7, 2014 by dgreca

Në përvjetorin e lindjes/
Nga Prof. Murat Gecaj/
Tre vjet më parë, bashkë me kolegët Namik Selmani e Zyba Hysa, në përbërje të grupit të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, të cilin e drejtonte i ndjeri dr.Ibrahim Gashi dhe që vizituam Shkupin, Preshevën e Prishtinën, ishim pak kohë mysafirë edhe në banesën e këngëtares së madhe e të paparsëritshme të Kosovës e më gjerë, Nexhmije Pagarusha. Për në shtëpinë e saj na shoqëroi me kënaqësi kolegia e mikja poete nga Prishtina, Shefqete Gosalci. Ndërsa bashkudhatarët tjerë të grupit tonë do të bënin një vizitë të shkurtër, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ndërsa ne morëm udhën për në shtëpinës e znj. Nexhmije”. Për këtë fakt, si me shaka, poeti Selmani u shpreh:”…Ne, do të vizitojmë Akademinë Pagarusha”.
…E, si mund të trokisnim, për herë të parë dhe të shkelnim në shtëpinë e kësaj këngëtareje “bilbil të Kosovës”, pa patur një buqetë të stërmadhe me lule të freskëta ndër duar! Se kështu, sadopak, ne së bashku do të shprehnim nderimin, respektin dhe vlerësimin tonë shumë të madh, ndaj një zonje të madhe, që zërin e shpirtit të saj e nxori prej aty dhe pastaj e shpërndau fuqishëm, nëpër Kosovë e Shqipëri dhe në të gjitha trojet e stërlashta shqiptare dhe deri në disaporën e largët, ku bashkatdhëtarët tanë janë shpërndarë, si i thonë një shprehjeje, “si zogjtë e shqiponjës”. Shefqetja na kishte folur edhe se, ato ditë, Pagarusha nuk kishte qenë mirë me shëndet.
Pra, me këto ndjenja e me shumë mendime në kokën e secilit, trokitëm në portën e banësës së saj mikpitëse. Sakaq, vërejtëm si vezullimë dielli sytë e saj të shëndritshëm e të gëzuar, pamë që fytyra i mori pamje të kuqerremtë dhe i hapi krahët e na u hodh secilit në qafë, si një shqiponjë krenare, që pret vëllezër e motra nga Shqipëria. Nxituam që, secili nga ne, në këto çaste shumë emocionuese, të shkrepnim aparatet tona fotografike. Por, vallë, a mund të shprehej në ato foto, tërë ai mall, respekt e nderim, që kishim në zemrat tona për krenarinë e këngës mbarëkombëtare shqiptare? Sigurisht, që jo!…
Të pritur me dashamirësi dhe të gostitur nga znj.Meli, që i bënte shoqëri e miqësi Nexhmijes, zumë vend në divanët e saj të thjeshtë e të bukur. Ajo përsëri u ngrit dhe na përqafoi me mallëngjim, duke na uruar mirëseardhjen dhe duke na falënderuar për këtë vizitë të befasishme dhe shumë të mirëpritur prej saj. Secili nga ne, përpiqej të zinte vend pranë saj dhe të kuvendonte. Pastaj e ndërronte atë e ia lëshonte shokut, vendin e pëlqyr aq shumë, ku do të çmallej e do ta dëgjonte më nga afër atë zë, që dje, pardje…dhe sa e sa vite më parë, e kemi dëgjuar, po pse jo, dhe fshehurazi në Shqipërinë e rregjimit të shkuar. Në këtë “garë” për të biseduar me Pagarushën, e “fiton” radhën Namiku. Ai shpalos një libër të tij me poezi dhe nisë e lexon një nga ato, që dikur ia kishte kushtuar asaj plot nderim, respekt e mirënjohje. Vërej se këngëtaren e madhe e pushtojnë emocione të fuqishme. Pastaj, si për ta mbështetur krijimin e bukur të kolegut tonë, ajo çeli një dosje të trashë. Prej andej nxori disa poezi, që autorë të ndryshëm ia kanë kushtuar pikërisht asaj. Me duart e zërin, paksa të dridhur, ajo fillon e lexon disa vargje të tyre. Ndërsa ne shprehemi, se ajo meriton jo vetëm poezi të frymëzuara e të bukura, por dhe libra të tërë.
Në këtë mjedis, tashmë të gëzuueshëm, unë gjej rastin e i them Pasgarushës se, kohë më parë, ia kam patur “zili” këngëtarit tonë Ardit Gjebrea, kur e kisha parë në ekranet e TV, që janë takuar e përqafuar bashkë. Po kështu, i flas për kengëtaret e krahinës sime, Malësi e Gjakovës (Tropojë), për Fatime Sokolin, e cila u nda nga jeta në moshë të re; por dhe për Fatmira Breçanin, për të cilat ajo më tha se ua ka pëlqyer zërin dhe këngët e tyre. Por i tregova edhe se, para disa ditësh, “Artistja e Popullit” Vaçe Zela kishte patur ditëlindjen, që e festoi atje në Zvicër. Për këtë arsye, me ndërmjetësinë e mikut tim në Gjenevë, Alfred Papuçiu, i dërgova asaj një mesazh përshëndetjeje dhe urimi. Nexhmija më dëgjon me vëmendje për këto, që i flas dhe m’u drejtua se Vaçja është këngëtare e madhe dhe se është e udhës që mos të harrohen kengëtarët as artistët, të cilët, me zërin dhe shpirtin e tyre, iu përkushtuan Atdheut tonë të përbashkët.
Po edhe Zyba u tregua mjaft e emocionuar dhe, një e dy, e përqafonte fort Nexhmijen, si ta kishte nënë ose gjyshe të veten. I tregoi se kënga brilante dhe e fuqishme e saj pëlqehet shumë, deri në Vlorën e saj. Ndërkaq, Pagarusha nga shikonte ngultazi, me atë qetësinë e saj të admirushme dhe shprehej: “Që dje, unë u përmirësova pak nga shëndeti. Ndërsa sot, qebesa, jam e shëruar plotësisht, sepse më erdhët ju në shtëpinë time e më dhatë fuqi e gëzim. Por, ua jap fjalën, se nuk do të sëmurem, të paktën, edhe për një muaj!…” E vështronim atë në fytyrë dhe mundoheshim të depërtnim në botën e madhe shpirtërore të saj. Hidhnim sytë për rreth e kudo kishte një mjedis të thjeshtë, të pastër e të mirëmbajtur. Ajo na tregoi, me domethënie, se RTVP-ja i kishte lidhur një pension. Më pas, një pension tjetër i dha një fondacion gjerman. Prandaj, mori udhën e shkoi në drejtorinë e RTVP-së dhe u tha prerazi: “Tani, kam një pension të dytë dhe dua që ju të ma ndërprisni, se kështu mund të ndihmoni dikë tjetër. Ndërsa, ju falënderoj për atë pension, që më dhatë deri tani”. E, natyrshëm, kuptojmë se kështu veprojnë vetëm artistët e mëdhenj. Me mirësjellje, i kërkuam lejë Nexhmijes se duhej të ngriheshim, pasi na prisnin kolegët dhe se do të shkonim për një takim me rëndësi, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë së Kosovës. Por ajo sikur na lutej që të rrimë edhe pak, duke biseduar. Prandaj fjalën e kalonte, sa te Kosova e Shqipëria dhe te të gjitha trojet shqiptare. Se kishte dashuri e mall të pashuar që t’i shihte të gjitha përsëri dhe nëpër to të jehonte, pandërprerjer, zëri i saj i fuqishëm, frymëzues e optimist për një jetë më të mirë, në liri e demokraci, në paqe e lumturi të përbashkët.
…U nisëm ngadalë, që të dilnim nga dera e banesës së Nexhmije Pagarushës dhe na dukej se kishim qendruar vetëm pak minuta aty. E, secili nga ne dëshironte e shpresonte që përsëri do ta vizitojmë e takojmë atë. Ndërsa ajo shprehej, paksa e pezmatuar dhe e mallëngjyer nga ajo ndarje: “Faleminderit, që më vizituat…Ju pres të vini dhe të shihemi një herë tjetër!”
Nga shkallët e banesës së saj, e përshëendetëm plot respekt me duar atë dhe ajo na buzëqeshte, me ëmbëlsinë e një të moshuarjeje dhe artisteje të madhe. Ndërsa na ngjante se na shoqëronin, deri larg, tingujt e zërit të saj të papërsëritshëm.
Tiranë, 7 maj 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: ME NEXHMIJE PAGARUSHËN, Murat Gecaj, TAKIM I PAHARRUAR

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT