-Në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Avdullah Hoti ka falënderuar Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për vëmendjen e jashtëzakonshme që kanë për rajonin dhe për Kosovën dhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve në Ballkanin Perëndimor – Kosovës e Serbisë/
-Kryeministri Hoti: Shumë shpejt do të kemi në Qeveri edhe planin e punës për realizimin e marrëveshjes në Uashington, e cila ishte e suksesshme/
-Konferencë për shtyp – Kryeministri Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit hap i madh drejt njohjes reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 9 Shtator 2020/ Kryeministri Avdullah Hoti sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Uashington – marrëveshjen e nënshkruar nË 4 Shtator 2020 nË Shtëpinë e Bardhë në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe vizitën në Bruksel, si dhe për takimet e zhvilluara.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se marrëveshja në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi është një hap drejtë arritjes së marrëveshjes se gjithanshme finale mes dy shteteve.
Në aspektin ekonomik, marrëveshja identifikon projekte dhe financime miliardëshe për realizimin tyre, ndërsa në aspektin politik marrëveshja shënon edhe një hap në ndërtimin e identitetit diplomatik të shtetit të Kosovës me njohjen nga Izraeli.
Kryeministri Hoti ka rikujtuar se gjatë vizitës në Uashington janë zhvilluar edhe takime të tjera të rëndësishme me zyrtarë të lartë amerikan, duke veçuar takimin me sekretarin e shtetit Majk Pompeu dhe takimet në MCC. Kryeministri ka thënë para kabinetit qeveritar se shumë shpejt do të kemi në Qeveri edhe planin e punës për realizimin e marrëveshjes në Uashington, e cila ishte e suksesshme.
Kryeministri Avdullah Hoti ka njoftuar kabinetin edhe për vizitën në Bruksel dhe takimet që ka zhvilluar atje. Në Bruksel ka pasur takimin e nivelit të lartë më palën serbe për çka do të raportohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Gjatë vizitës në Bruksel janë zhvilluar takime me zyrtarët evropianë për temat që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike dhe për Agjendën e Reformave Evropian.
Gjatë vizitës në Bruksel, Kryeministri ka zhvilluar edhe një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku është vlerësuar bashkëpunimi i mirë gatishmëri e dyanshme për të thelluar këtë bashkëpunim në të mirë të paqes dhe sigurisë në rajon.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 29-të, në të cilën ka miratuar tri projektligje, pesë vendime për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik dhe disa vendime të tjera nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
KRYEMINISTRI HOTI: MARRËVESHJA E UASHINGTONIT HAP I MADH DREJT NJOHJES RECIPROKE NË MES KOSOVËS DHE SERBISË
Pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Avdullah Hoti, edhe në një konferencë me gazetarë ka njoftuar për vizitat zyrtare që ka zhvilluar në Uashington dhe në Bruksel. Fillimisht, kryeministri Hoti tha se tashmë është bërë publike në faqe të Kryeministrisë marrëveshja e arritur në Uashington, e cila është hap tepër i madh, hap i jashtëzakonshëm drejt marrëveshjes finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton njohje reciproke në mes të dy vendeve.
Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka falënderuar Shtëpinë e Bardhë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për vëmendjen e jashtëzakonshme që kanë për rajonin dhe për Kosovën dhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve në Ballkanin Perëndimor.
“Marrëveshja që është arritur i ka dy elemente kryesore: e para është pjesa ekonomike për të cilën kemi negociuar një kohë, ku përfshihen projekte infrastrukturore siç është autostrada Prishtinë-Merdar, hekurudha Prishtinë-Merdar, fizibiliteti për hekurudhën që lidh Prishtinë me Detin Adriatik, mbështetje financiare për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, investime në energjetikë përmes sjelljes së gazit në Prishtinë, ndërtimi i Termocentralit me gaz dhe rrejti shpërndarës i gazit në Kosovë”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se krejt këto janë projekte që do të mbështeten nga DFC dhe MCC, dy organizata të Qeverisë Amerikane, projekte këto që kalojnë mbi 1 miliard dollarë amerikan.
Po ashtu, kryeministri Hoti potencoi se është interes i madh i Shtëpisë së Bardhë që këto projekte të fillojnë së zbatuari menjëherë.
“Unë besoj që për disa muaj ju do të shihni punët konkrete që lidhen me këto projekte”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se tashmë është angazhuar Zyra për Planifikim Strategjik dhe se besonte se në mbledhjen e ardhshme do të jetë në rend të ditës një plan i veprimit, ku specifikohen detyrat konkrete për ministritë përkatëse dhe agjencitë e ndryshme në tërë sektorin publik për zbatimin e kësaj marrëveshje.
Shtylla e dytë e kësaj marrëveshje, sipas kryeministrit Hoti, është njohja nga Izraeli, të cilën ai e cilësoi si shumë të rëndësishme për shtetin e Kosovës.
“Çdo njohje është e rëndësishme, pa dyshim, por janë disa që janë vërtet të rëndësishme, për shkak të sinjalit që dërgojnë dhe kjo është njohja e parë në tri vjetët e fundit, që nënkupton se është thyer trendi negativ i njohjeve ndërkombëtare për shtetin e Kosovës”, tha kryeministri Hoti.
Më tej, kryeministri Hoti tha se kushdo që ka dyshime se kjo marrëveshje e cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës, ai beson se kjo pikë e marrëveshjes dhe njohja e arritur 22 minuta pas nënshkrimit të marrëveshjes në Zyrën Ovale, e nxjerr se e ka gabim, sepse, siç u shpreh ai, “me këtë marrëveshje fuqizohet sovranitet i shtetit të Kosovës”.
Po ashtu, kryeministri Hoti tha se ka pasur takime të rëndësishme në Uashington, duke veçuar takimin me Sekretarin e Shtetit Michael Pompeo, nga i cili ka marrë mbështetje të plotë si gjithmonë për orientimet dhe proceset euroatlantike të Kosovës. Kryeministri Hoti tha se Sekretarin Pompeo e ka informuar për procesin e dialogut që është duke ndodhur në Bruksel.
“Jo vetëm se ka koordinim të ngushtë në procesin e dialogut mes Uashingtonit dhe Brukselit, por ka koordinim të plotë në këtë proces dhe kjo neve na jep siguri që të ecim përpara në këtë proces, pa u hamendur fare duke ditur se ne do të shkojmë drejt një marrëveshje përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve për njohje reciproke dhe për stabilizim të plotë të regjionit dhe integrim të plotë euroatlantike”, tha kryeministri Hoti.
Para gazetarëve, kryeministri Hoti tha se ka pasur takim edhe me MCC-në, program ky i nisur nga Qeveria Mustafa për të investuar në punësimin e femrave në efiçiencë të energjisë dhe tash do të fillohet edhe me programin kompakt për të sjell gypin e gazit nga Maqedonia e Veriut në Prishtinë për të shpërndarë atë në familje dhe industri dhe për të ndërtuar termocentralin me gaz këtu në afërsi të Prishtinës, dhe pastaj me Korporatën Amerikane për Financim Zhvillimor, e cila do të financojë pjesën më të madhe të projekteve që janë pjesë e marrëveshjes.
“Unë pres që në javën e fundit të shtatorit të kemi përfaqësuesit e kësaj korporate në Prishtinë për të konkretizuar këto projekte. Bashkë me mua për të gjitha këto projekte në Uashington ka qenë ministri i Infrastrukturës, i cili ka prezantuar detajet teknike të këtyre projekteve para institucionet përkatëse në Uashington”.
Kryeministri Hoti njoftoi edhe për takimet në Bruksel, të cilat ai i vlerësoi të rëndësisë tepër të madhe.
“Ndjehem i kënaqur që brenda 3 muajsh të qeverisjes kemi arritur të konsolidojmë miqësitë e dëmtuara për një kohë dhe të kthehemi aty ku e kemi vendin, pranë partnerëve tanë, të marrim mbështetjen e tyre për hapat që po i bëjmë drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike”, pohoi ai.
Po ashtu, kryeministri Hoti tha se “është mbajtur takimi i nivelit të lartë me palën serbe si pjesë e procesit të dialogut për të draftuar marrëveshjen përfundimtare për njohjen reciproke, jo për diçka tjetër.
“Vlejnë parimet të cilat i kemi miratuar në qeveri dhe janë prezantuar gjerësisht para Kuvendit dhe para të gjitha palëve të interesuara sa i përket procesit të dialogut. Nuk bisedohet në asnjë tavolinë për integritetin territorial, nuk bisedohet në asnjë tavolinë për karakterin unitar të shtetit të Kosovës; bisedohet vetëm për marrëveshjen finale për njohje reciproke, për elemente të marrëveshjes finale”, tha kryeministri Hoti, duke theksuar se ka bërë kërkesë për të raportuar në Kuvendin e Kosovës, sapo të kthehet Kuvendi nga pushimi.
Përtej kësaj, kryeministri Hoti tha se në Bruksel është takuar edhe me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim. “Është hera e tretë që e takoj Komisionerin, i cili është përgjegjës për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Pritjet janë që në fillim të tetorit, javën e parë të tetorit të bëhet e qartë Pakoja për rimëkëmbje ekonomike e BE-së për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej disa miliarda eurosh dhe ne presim që brenda saj të financohen edhe disa projekte të mëdha infrastrukturore që i ka edhe Kosova, që i kemi dorëzuar para një jave me letër zyrtare te Komisioneri”, tha kryeministri Hoti.
Takim të rëndësisë së veçantë kryeministri Hoti e ka cilësuar edhe atë me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, duke thënë se për një periudhë të shkurtë në bazë të komunikimit që ka vendosur para disa javësh me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, e ka takuar dje në Selinë e NATO-s në Bruksel, duke vlerësuar rolin që ka NATO-ja në ofrimin e sigurisë në Kosovë dhe regjion, sepse prezenca e NATO-s përmes KFOR-it në Kosove jep elementin e sigurisë përtej Kosovës.
“E them me kënaqësi që sot Kosova është shndërruar në një bazë të NATO-s, që do të mbetet këtu përgjithmonë edhe atëherë kur Kosova të bëhet pjesë e NATO-s dhe kemi konfirmuar para tij zotimin tonë që të punojmë ngushtë me strukturat e NATO-s në planin për transformimin e FSK-së, ashtu siç është miratuar ai plan dhe zotimin tonë dhe interesimin tonë të palëkundur që sa më shpejt, posa t’i përfundojmë proceset politike nëpër të cilat jemi duke kaluar, të shkojmë me procedura për anëtarësim të plotë në këtë aleancë ushtarake dhe politike të Perëndimit”, tha kryeministri Hoti.