Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Gusht 2015/ Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Guglielmo Luigi Miglietta, sot priti Komandantin e EUFOR-it, Gjeneralmajorin Johann Luif, në Kampin “Film City”, shtabin e NATO/KFOR-it në Prishtinë.
Gjatë vizitës, Gjenerali Luif, i cili në vitin 2011 ishte Zëvendëskomandant i KFOR-it, përgëzoi Gjeneralin Miglietta me rastin e emërimit prestigjioz si Komandanti i njëzetë i KFOR-it. Të dy Komandantët diskutuan gjendjen socio-politike në Bosnje e Hercegovinë dhe kërcënimet e përgjithshme në Ballkanin perëndimor, bën të ditur KFOR në njoftimin e dërguar.
Theksohet se, vizita është pjesë e takimeve të udhëheqësve kryesor, që mbahet rregullisht nga Komandanti i KFOR-it me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë autoritetet politike, ushtarake dhe civile në Kosovë dhe në Ballkan, me qëllim të ndarjes së informatave dhe harmonizimit të politikave që synon përforcimin e paqes dhe sigurisë.