Më 2 Nëntor 2013, Ambasada e Republikës së Shqipërisë organizoi një takim me fëmijët më të talentuar të shqiptarëve me banim në Londër. Takimi kishte për synim të evidentojë talentet e reja të kësaj bashkësie të re të vendosur në ishullin britanik dhe të nxisë të tjerët për të përparuar në fusha të ndryshme ku fëmijët ndihen se janë të talentuar. Në fjalën e hapjes Ambasadori Mal Berisha vuri theksin në domosdoshmërinë e promovimit të këtyre talenteve të reja në fusha të ndryshme të jetës, që po konkurojnë denjësisht në mjediset britanike, duke ruajtur vlerat e mrekullueshme shqiptare.
Ai u ndal veçanërisht në vlerën e madhe që bashkësi të tilla kanë për vendin e origjinës, si pjesë e kombit e cila i zhvillon aftësitë e veta në troje tjera duke promovuar vlerat që kam, por edhe për vendin që i pret duke u bërë pjesë e larmisë së zhvillimit të kulturave shumë-kombëshe e shumë-dimensionale.
Z. Berisha theksoi rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur diaspora shqiptare historikisht duke marrë si shembull arbëreshët e Italisë, të cilët nga njëra anë i dhanë Italisë burrështetas të mëdhenj si Francesko Crispi, por nga ana tjetër u bënë themeluesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në Letërsi me De Radën, Gavril Darën, Zef Seremben, etj. Ai premtoi se Ambasada do të vazhdojë të jetë shtëpia e shqiptarëve të Britanisë, sidomos për promovimin e talenteve të reja.
Këtë radhë veprimtaria kishte në qendër shkrimtarin e ri 13 vjeçar, Arlind Malat i cili ka shkruar tre libra deri tani në gjuhën angleze, dy prej të cilave janë botuar. Ato titullohen The time Machine dhe The Old Bagger’ s Two Presents. Bir i dy emigrantëve nga Shqipëria të vendosur në Londër në vitin 1999, ai u lind dhe u rrit si një fëmijë që në shtëpi dëgjon vetëm gjuhën shqipe e përreth atë angleze.
Në kopertinën e njërit prej librave të tij ai shkruan: “Unë besoj se një ditë do të jem një Shekspir tjetër në letërsi”.
Shkrimtari Arlind Malat iu tregoi të pranishmëve për eksperiencën e tij si shkrimtar në mesin e bashkëmoshatarëve të tjerë britanikë, si dhe emocionet që ka patur ndërsa ka publikuar librat e parë si dhe planet e tij të ardhshme për krijimtarinë letrare.
Në emër të Ambasadës atij iu dha një Çertifikatë Merite me motivacionin:
“Për veprimtarinë e tij të shquar si një shkrimtar i vogël në moshë, por që premton që nesër të bëhet i madh. Arlindi është një djalë i talentuar, i cili ka filluar të botojë libra në gjuhën angleze që në moshë fare të re, duke u kthyer në një model për tërë brezin e vet të shqiptaro – britanikëve.
Ambasada i uron atij dhe tërë nxënësve, bij e bija shqiptarësh, suksese në jetën e tyre shkollore dhe krijuese”.
Një çmim tjetër iu dha edhe nga kryetari i shoqatës Nënë Tereza z. Esat Braçe, anëtar i së cilës është edhe Arlindi, ndërsa veprimtaria u moderua nga gazetari dhe botuesi Petrit Kucana.
Në këtë veprimtari fëmijët e talentuar shqiptare si Amanta Berberi, violinistja Malvina Karajani 13 vjeçare, pjanistet Anisa Karajani 5 vjeçare, Gloria Koliqi 9 vjeç, Gloria Pitomina, Rina Kryeziu, interpretuan pjesë në violine dhe pjano, si dhe recituan poezi në gjuhën angleze dhe shqipe. Veprimtaritë kulturore në Londër vazhdojnë për të kulmuar me koncertin e madh të datës 16 dhjetor 2013, me artistet e mëdha shqiptarë të skenës botërore