NGA HASAN KOSTRECI/
‘Nëqoftëse e fitoj luftën, historinë e bëj vetë’, shprehej Hitleri kur e akuzuan se do të dënojë historia për krimet që po bënte dhe sidomos për bombardimet nëpër qëndra sanitare, spitale etj. Pra, diktaturat vetëm kështu veprojnë dhe asnjëherë nuk pyesin për rregulla dhe ligje ndërkombëtare. Ato e deformojnë gjithashtu historinë, herojtë i bëjnë tradhëtarë dhe anasjelltas dhe si e tillë të njëjtën gjë bëri edhe regjimi komunist, i cili manipuloi, sipas interesit, të gjitha ngjarjet e zhvilluara si gjatë lufte, ashtu edhe më mbas. Ata nuk e quajtën dhe vazhdojnë akoma të mos e quajnë tradhëti prishjen e marëveshjes së Mukjes, e cila i ndau përfundimisht shqiptarët në dy grupe dhe shkaktoi atë luftë vëlla vrasëse, ose Luftë Civile, siç e ka përcaktuar edhe historiani Uran Butka në librin e tij. Ata patriotët e nderuar dhe me emër si Mehdi Frashëri, Lef Nosi e ndonjë tjetër, të cilët edhe nëqoftëse përkohësisht bashkëpunuan me pushtuesin, e bënë vetëm për interesa të kombit, por nuk bënë ndonjë tradhëti, siç e tillë mund të quhej marëveshja që bëri Enver Hoxha mbas lufte, që për interesa pushteti, deshi t’ia bashkëngjisë Shqipërinë Federatës Jugosllave. Por komunistët asgjë nuk pranojnë, bile as krimet e bëra gjatë dyzet e pesë viteve kur ata ishin në pushtet, të cilat nuk qenë pakë, por një masakër e pa ndërprerë dhe sistematike, e cila mbeti e egër dhe e pamëshirshme deri në fund.
Por mirë ai regjim ishte diktatorial dhe siç thamë, vetëm kështu dinte të vepronte, sepse ata nuk kishin as humanizëm, as besë dhe as moral, por ç’ndodhi në nëntëdhjetën dhe mbas shëmbjes së tij? Në Gjermani, përshëmbull ndaj nazizmit dhe kriminelëve të luftës u organizua Gjyqi i Nurenmbergut ku morën dënim me vdekje apo burgim sipas fajit, mjaft gjeneralë dhe oficerë të lartë, bashkëpuntorë të Hitlerit. Ashtu ndodhi edhe në Itali apo Japoni. Po a u bë një gjë e tillë edhe tek ne dhe pse jo? Sepse Partia demokratike e ardhur qysh në fillim në pushtet me shprehjen se të gjithë jemi fajtorë dhe të gjithë bashkëvuejtës, deshi që ta shperndajë atë tek gjithë shqiptarët dhe ky qe zhgënjimi i parë, sidomos e shtresës së persekutuar, e cila i kishte ende të freskëta pasojat e atij regjimi, si dhe kujtimin e familjareve të vrarë, të pushkatuar apo të vdekur nëper burgjet dhe kampet e internimit. Mashtruese është gjithashtu edhe shprehja e socialistëve, të cilët thonë se ne jemi ndarë njëherë e mirë me ish partinë e punës dhe nuk na lidh me të më asgjë, por në realitet që të dyja gënjëjnë, sepse jo vetem mentalitetin, por edhe veprimet që bëjnë, tregojnë se janë ende besnikë ndaj idealeve të baballarëve të tyre. Reagimi i menjëhershëm i një pjese nga ata ndaj dekororimit që presidenti i republikës u beri gjashtëdhjet e tetë të pushkatuarve nga M. Shehu gjatë periudhës së luftës në Lushnjë, është një shëmbull se ata nuk pranojnë kurrë t’u cenohen liderit e tyre shpirtërorë. ‘Po pse t’i fryhet edhe njëherë atij zjarri’, u shpreh për këtë ngjarje zoti Klosi dhe ai ka ndofta të drejtë, sepse ato veprime si hapja e dosjeve, dënimi i krimeve të komunizmit, kthimi i pronave etj, duhej të ishin kryer me kohë dhe deri sa nuk janë bërë, e quajnë atë kapitull të mbyllur. Po si ato mund të kryheshin, kur zyrtarët nëpër institucionet kryesore, në parlament, pedagogë si personi që përmëndëm pak më lart e deri historianët nga të cilët pritej të zbardhej historia, qenë me shkolla partie apo marksiste- leniniste. Duke i hedhur keto ngjarje për t’i diskutuar “Masat’, siç po shohim shpesh nëpër studiot televizive, është një tjetër mënyrë e vjetër dhe e trashëguar, e cila më shumë ka për qëllim t’i futë edhe njëherë shqiptarët me njëri me tjetrin në grindje, se të zgjidhin gjë. E ç’mund të pritet atëhere nga këta politikanë, që të flasin me seriozitet për ngjarje të ndodhura shtatëdhjet e ca vjet më parë, kur ka mjaft aktuale, po aq të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë e të Kombit Shqiptar dhe asgjë nuk po bëjnë. Por, që të mos mbetemi vetëm me argumenta dhe konkluzione, të cilat për lexuesin shqiptar janë bërë aq bajate dhe po aq të mërzitëshme, t’i përmbahemi edhe njëherë shprehjes së thënë në fillim të këtij artikulli, që historinë e bëjnë fituesit dhe fitues në realitet si në dyzet e katrën ashtu edhe në nëntëdhjetën, janë po e njëjta palë, me të njëjtin mentalitet dhe me pak modifikime, me të njëjtin program, prandaj shqiptarët, nëqoftëse e ndjejnë veten të zhgënjyer, të ofenduar apo edhe të mashtruar, demokracia ua jep atë të drejtë që të veprojnë, ndryshe kështu do vazhdohet edhe për njëzet e pesë vjet të tjera dhe të njëjtin histori që është shkruar këtu e shtatëdhjet e ca vjet përpara, do dëgjojmë.