*BARDHOSH MICI ZBULON VRASËSIT KOMUNIST TË VRANISHTIT TË VLORËS/
*Rreth librit të Bardhosh Micit “Vranishti përmes luftës së klasave 1943 – 1990”, Vlorë 2016/
Kur e pyetën Xhevit Lilën, që kishte qënë i sëmurë mendor, në se do të futej në kooperativë, ai u përgjegj:Kur u çmënda unë, fshati nuk më mori pas, tani që u çmënd fshati, unë s’kam pse t’i vete pas!/
Nga Enver Memishaj/
Bardhosh Mici, është një personalitet i njohur, ai spikat me aktivitetin shoqëror dhe shtetëror: arsimtar, drejtor shkolle, inspektor arsimi, luftëtar i vijës së parë për përmbysjen e diktaturës komuniste, i zgjedhur në organet e pushtetit lokal, por tani së fundi na shfaqet një anë e pa njohur e tij, ai spikat edhe si studjues me veprën: “ Vranishti përmes luftës së klasave 1943 – 1990”
Është një sfidë e re, jo pa sukses, që ai na bën, duke zbuluar vrasësit komunist të viteve të luftës të Vranishtit, vendlindjes së tij, si dhe luftën e klasave që projektoi e zhvilloi Partia Komuniste, luftë e cila e çau fshatin në dy grupe armiqësore për afro 50 vjet.
Elementët biografik, duken e perceptohen qartë në libër. Njerin prej personazhece simpatik të këtij libri, patriotin zëmadh Rrapo Meton autori e ka gjysh nga nëna.
Në këtë libër, autori na tregon zinxhirin e vrasjeve të pabesa, pas shpinë të bëra nga komunistët e vendlindjes së tij Vranishtit, që kanë në themel krimin çnjerzor, padrejtësinëm, pabesinë.
* * *
“Në shtator të vitit 1943, Neim Xhevit Hasanaj, i zuri pusi, te Ura e Xhame, në Vranisht, Hysni Totos dhe e vrau”, me këtë vrasje hapet libri i Bardhosh Micit.
Më tutje autori na tregon, plagosjen në korrit të vitit 1943, të Rrapo Metos dhe pushkatimin e tij në nëntor të po atij viti, nga Liri Gega dhe Mehmet Shehu.
Në dhjetor të vitit 1943, Murat Demua udhëtonte nga Vlora në Vranisht. Në Brataj e arrestoi një skuadër partizane, e shoqëron për në Ramicë dhe e ekzekutuan në pyjet e këtij fshati.
Siç dihet, komunistët nuk kënaqeshin vetëm duke derdhur gjak vëllai, me vrasje në prita, por akti më kriminal, më asbsurd, se vetë pushaktimet pa gjyq, ishte persekutimi barbar i pasardhësve, gruas, fëmijëve, vëllezërve, motrave, kushërinjëve etj., me arsyetimin absurd se ishin të afërt të armikut të popullit dhe të partisë.
Djali i Rrapo Metos, Dilaveri vuajti 40 vjet burgje dhe internime, fëmijët e tjerë të tij vuajtën përjetësisht persekucionin komunist. Fëmijët e Murat Demos nuk u lejuan asnjë të ndiqte arsimin e lartë, e kështu me radhë për të gjithë “armiqtë e popullit”!
Me shumë rëndësi në këtë libër është edhe zbulimi i së vërtetës së masakrës që bënë Gjermanët në këtë fshat në dhjetor të vitit 1943 dhe në shkurt të vitit 1944.
Këtë masakër e projektuan dhe e sollën komunistët e Vranishtit. Ata për të marrë rrobabat dhe armët, vranë një patrullë gjermane prej 10 ushtarësh në kohën që ishin ulur në një lëndinë të fshatit dhe po hanin bukë, prandaj gjermanët u hakmorën duke pushkatuar 58 fshatarë të pa fajshëm të këtij fshati.
E verteta e zbulimit të Bardhosh Micit, nuk mund të kundërshtohet, e pranohet lehtë po të
kemi parasysh se Gjermanët kur niseshin nga Vlora për të arritur në Vranisht përshkonin mes për mes disa fshatra: Babicën, Drashovicën, Vodicën, Kotën, Gjormin, Lepenicën, Bratin, Tërbaçin dhe në këto fshatra nuk prekën asgjë, por sapo mbritën në Vranisht për hakmarrje pushkatuan 58 fshatarë të pa fajshëm.
Pas pushkatimeve pa gjyq, që bënë komunistët gjatë luftës, ata u treguan më të egër, më çnjerzor, në kohë paqje. Në vitin 1953, me këmbënguljen e sekretarit të Komitetit të Partisë Ymer Veshit, në Vranisht u shpall kulak Beqir Mete Shkurti, ndëshkim prej të cilit vuajti deri sa vdiq në vitin 1975. Jo vetëm kaq, por në vitin 1955, Beqirit i pushkatuan djalin e tij Telha Shkurtin.
Makabre, janë spiunimet brenda familjes dhe fisit: Sigurimi kërkone Sali Azemin, pasi kishte dalë në arrati për një vrasje për çështje morali. Dajua i tij Hito Majko, bashkëpunoi me Sigurimin dhe e fton Sali Azemin në shtëpin e rrethuar. Ai doli jashtë për të pritur Sali Azemin, ndërkohë, babai tij plak, brenda, kollitet me të madhe, mirëpo kjo ishte shenja, parulla që Hitua kishte lënë me Sigurimin. Kështu që forcat e Sigurimit qëlluan dhe vranë vetë Hito Majkon, dajon e Sali Azemit.
Më von Sali Azemi u vetdorëzua dhe pabesisht e pushkatuan, sepse ai ishte nipi i Rrapo Metos dhe komunistët e Vranishtit i trembeshin hakmarrjes së tij, si trim i çartur që ishte.
* * *
Më tej autori trajton thellimin e luftës së klasave në kohë paqje, në periudhën 1960 – 1990. Ai me mënçuri evidenton një fakt historik: pas vitit 1960, Partia dërgoi në fshatrat e Lumit të Vlorë, oficerë të latë të Sigurimit të Shtetit, gjoja “vullnetar”, për të komanduar dhe thelluar luftën e klasave, të cilët u emëruan kryetar kooperative: në Kuç Avdul Hakiu, në Vranisht Maman Saliu dhe Cobo Shakaj, në Smokthinë Gilo Lamja, shoqërues i Mehmet Shehut për 20 vjet, në Brataj Hajredin Meçe, në Tërbaç Islam Gjondeda, përsërisim se të gjith këta ishin oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit.
Si mundet që këta oficerë, të drejtonin ekonomitë bujqësore? Kjo dihej se ata nuk merrnin vesh nga ajo punë, por krimineli Enver Hoxha e blindonte Lumin e Vlorës me besnikët e tij, për të thelluar luftën e klasave, e për të mbajtur fshatarsinë nën thundrën e tij kriminale. Autori thotë se “ishte frika e Enver Hoxhës, për shpirtërat e mijëra njerëzve të pushkatuar, që atij i ktheheshin në gjumë si fantazma në formë ujku…”
Në Vranisht thotë autori këta “vullnetarë” të Partisë “nxitën dhe organizuan një luftë klase të ashpër, duke tejkaluar përmasat e asaj lufte që u bë në zona të tjera, apo në gjith vendin, veçanërisht dsikriminuese qe organizimi i gjyqeve fshaçe!”.
Autori na përshkruan disa skena çnjerzore, tronditsese, kur demaskohej e dënohej “armiku i popullit” edhe pas vdekjes. Kështu thotë ai, për faktin se kulaku Beqir Metja, u varros me arkivol dhe pllaka betoni, dy “vullnetarët” e Partisë, ish oficerë të lartë të Sigurimit, vendosën të bëjnë demaskimin fshaçe të Beqir Metes, pas vdekjes, si dhe të afërmve të tij të cilët e kishin varrrosur kulakun me nderime! Duhet thënë se dy “vullnetarët” e kishin të afërt kulakun: njeri e kishte dajo, vëllan e nënës dhe tjetri e kishte dajon e gruas, por komunistët nuk e njohin familjen dhe gjaksinë, ata kanë “Partinë mbi të gjitha”, kështu kur e duan interesat e partisë ata dorëzojnë apo spiunojnë edhe familjen edhe dajon edhe xhaxhanë, siç bënë në këtë rast komunistët “vullnetarë” të Vranishtit.
Për të larë duart si Pillati, dhe që proçesioni çnjerëzor, të kishte efektin e duhur, “vullnetarët”, thirrën nga Kuçi Abdul Hakiun edhe ky “vullnetar” dhe oficer i lartë i Sigurimit. “Prokurori” nga Kuçi mblodhi gjith fshatin në dhomën e kulturës dhe filloi demaskimin, duke thirrur:
- Përse nuk e hodhët në përrua këtë kërmë?!
Demaskim publik iu bë nga vitet 80-të edhe fshatrit të ndershëm Azbi Lami sepse mbante fshehur tre
pula deti në katua të shtëpisë. Për këtë vepër, ata që dikur kishin akuzuar Ballin Kombëtar për
pula, tani po merreshin vetë me pulat dhe propozuan internimin e këtij armiku!
Në Vranisht thotë autori ishin 30 familje që ishin goditur nga lufta e klasave. Burrat e familjeve të
persekutuara u hoqën nga stërvitja ushtarake, po kështu edhe grave dhe vajzave të tyre nuk u jepnin
pushkë në çetat vullnetare, fëmijëve të tyre iu mohua shkollimi, etj.
Në vitin 1968, Mejdi Qerim Tartari nuk ishte futur në kooperativë. Për të treguar se kooperativa ishte
një “bashkim vullnetar”, kryetari i kooperativës A.M., dërgon tre tirma të tij, të cilët e lidhën Mejdiun
në trungun e një peme, pranë shtëpisë, i muarën qetë dhe i shpunë në stallën e kooperativës.
Kooperativat e Enver Hoxhës ishin mënyra më e mirë për t’i kthyer fshatarët në skllevër. Asnjë
tjetër nuk e bëri këtë eksperiment as fqinji ynë Titua, që Enveri e shau tërë jetë. Më mirë se të
gjithë, çmëndurinë e komunistëve për të bërë kooperativë e ka shprehur Xhevit Lila, një i sëmurë
mendor në Brataj të Vlorës. Kur e pyetën atë, në se do të futej në kooperativë ai u përgjegj:
- Kur u çmënda unë, fshati nuk më mori pas, tani që u çmënd fshati, unë s’kam pse t’i vete pas!
Kjo është shkurtimisht përmbajtja e librit të Bardhosh Micit.
Pas vitit 1990, vrasjet gjatë kohës së luftës 1943-1944, janë denoncuar si krime të pabesa, të pajustifikuara edhe nga vetë komunistët.
Kështu Maman Saliu, një nga drejtuesit e Partisë Komuniste të Vranishtit, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit shkruan: “Rrapo Metua mbeti një propagandist i palodhur i Ballit Kombëtar, jo vetëm në Vranisht, por dhe më gjerë. E vërteta është se fjala e tij kishte peshë, por asnjëherë nuk u pa te ai nxitje për krime e aq më pak të kryente vetë krime. Rrapo Metua qe një kundërshtar politik i vendosur dhe jo kriminel. Prandaj dhe pushkatimi tij nga forcat e Brigadës së Parë, nuk ishte i justifikuar. Po ashtu, i pajustifikuar qe edhe pushkatimi i Murat Demos, po nga forcat e Brigadës së Parë në Brataj në dhjetor të vitit 1943, pa i provuar asnjë krim që mund të kishte bërë”. (Shih: Maman Saliu “Trokitje në kujtesë”, Tiranë 2004, f. 68)
Të mos kuptosh sot përcaktimin e Maman Saliut se: “Rrapo Metua qe një kundërshtar politik i vendosur dhe jo kriminel?”, do të thotë të kesh mbetur skllav i Enver Hoxhës dhe Shefqet Peçit. Pra ky është gjykimi shkencor historik për Ballin Kombëtar se ishte një forcë kundërshtare e vendosur e Partisë Komuniste, një gjë krejt normale, në një vend normal dhe për gjykimin e njerzëve normalë.
* * *
Rëndësia e librit të Bardhosh Micit, qëndron në faktin se është një dokument i rëndësishëm dhe vjen si një mision, detyrë dhe provë për zbatimin e Rezolutës 1481 të vitit 2006 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë datë 30 tetoe 2006, “Mbi domosdoshmërinë për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.
Libri të lë përshtypje të thellë dhe mendoj se duhet nxjerrë në pah, për shkak të denoncimit të krimeve të komunistëve të Vranishtit, duhet të tërhiqet vëmëndja e lexuesit që vepra të marrë vëmëndjen që meriton jo vetëm prej lexuesit te thjeshtë, por edhe prej akademikëve.
Është një libër që lexohet me ëndje dhe interes nga të gjithë, prandaj nuk duhet ta lëmë të flejë në raftet e librarive.
Libri është variacion i së njejtës temë të krimeve të komunistëve. Kjo është një mënyrë shpalimi e asaj lemerie që vuajtën shqiptarët për shkak të luftës së klasave, atyre tmerreve që ngjanë gjatë luftës 1942-1944 dhe aq më keq në kohë paqje 1945 – 1990.
Kohët e fundit denoncimi i krimeve të komunistëve shqiptar po gjen nje shtrirje të gjerë, pavarësisht nga “mbrojtja” që u bëjnë krimeve komunistët e ditëve tona.
Në rastin e librit të Bardhosh Micit, kemi për bazë tregimin e historisë tragjike të fshatit Vranisht, të Vlorës, të treguar prej një intelektuali të atij fshati që ka lindur dhe është rritur atje dhe që i dhemb zemra jo vetëm për ato që ngjanë në kohë luftë, por edhe në kohë paqje, por më shumë për ata fshatarë të tij, apo komnistë te ditëve tona, që përpiqen që krimet t’i mbulojnë e justifikojnë, por jo të gjitha i mbulon gjethja e fikut.
Me ketë vepër Bardhosh Mici na paraqitet me nje penë të sigurt, sepse është mbështetur në dosjet e gjalla të vendlindjes së tij. E urojmë autorin për vepra të tjera më të mira.