PRISHTINË, 25 Shtator 2015/ Federata Aeronautike e Kosovës është pranuar anëtare me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Aeronautikës. Me këtë rast ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka uruar sot drejtuesit e Federates dhe aeronautikët e Kosovës.
“Lajmi për pranimin e FAK-ut me të drejta të plota në FAI, në konferencën e mbajtur në Roterdam të Holandës, është një arritje për aeronautikën e Kosovës dhe një ngjarje për sportin në përgjithësi”, u shpreh ministri Shala.Me këtë rast, ministri Shala përgëzon drejtuesit e kësaj federate dhe gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë sukses të rëndësishëm të aeronautikës së Kosovës.Ministri Shala, po ashtu u shpreh se, “në vazhdën e avancimit dhe pranimit të sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ky lajm, është tejet i rëndësishëm për sportin e Kosovës dhe një dëshmi se ai po ndërkombëtarizohet me hapa të shpejtë”.Ai ka siguruar se Ministria do vazhdojë të mbështesë në vazhdimësi sportin e Kosovës, sidomos në ngritjen cilësore dhe në afirmimin e tij në rrafshin ndërkombëtar./b.j/