• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të përndjekurit politikë dhe të drejtat e njeriut

July 4, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Në njerën nga frazat e tekstit të Deklaratës së Pavarësisë Amerikane thuhet:Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe Mundësia për të ndjekur suksesin dher lumturinë.

Mesazhi i kësaj fraze është se natyra dhe jo qeveria të gjithë njerëzve u ka falur të drejta themelore dhe të pamohueshme dhe se qeveritë krijohen prej tyre me të vetmin qëllim për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave. Sa më e afërt të jetë një qeveri me të drejtat e popullit të vetë, aq më demokratik do të jetë vendi.
Kjo aksiomë është një tregues i qartë i shkallës së demokratizimit të vendit. Më lejoni të paraqes disa mendime lidhur me mesazhet e kësaj fraze.
Para disa ditësh, më në fund, Komisioni Europian miratoi dhënien e Statusit Kandidat vendit tonë, vendim të cilin ne e përshëndesim sinqerisht. Ky ishte një vendim që në kushte normale duhej të ishte fituar me kohë, por ne jemi mësuar që të jemi të vonuar në të gjitha kohërat. U vonuam në shpalljen e pavarësisë në krahasim me komshijtë tanë. U vonuam në lidhje me përmbysjen e komunizmit në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore. U vonuam edhe tani me fitimin e Statusit kandidat për në Bashkimin Europian. Në rast se forcat politike, që drejtojnë vendin tonë, do të kishin mundur të gjenin gjuhën e përbashkët për një problem kaq madhor, atëherë ky status do të ishte fituar me kohë.. Nuk dua të akuzoj një forcë të caktuar politike apo një tjetër për këtë çështje, por dua të them se më së fundi fitoi vullneti i një populli të tërë që, për vite me rradhë, ka ëndërruar për një Shqipëri europiane dhe demokratike, për një Shqipëri ku të mbizotërojnë parimet e shprehura në Deklaratën e Pavarësisë Amerikane. Me kënaqësi ne sot mund të mburremi se më në fund, me fitimin e statusit, po realizohen parimet e shprehura në vitin e ndryshimit ta madh, kur populli i tërë thërriste: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo :E duam Shqipërinë si Amerika”.
Janë pikërisht këto parime për të cilat ky popull u sakrifikua për gati një gjysmë shekulli deri sa e shporri pergjithmonë kuçedrën e kuqe që e kishte zaptuar. Para syve te mi më dalin të rënët në këtë betejë të paparë në historinë e njerëzimit, më dalin mijrat e të burgosurve, internuarve, dëbuarve, më dalin burgjet dhe kampet e tmerrshme të punës së detyruar apo të internimit, më dalin qelitë e errëta të sigurimit të zi të shtetit komunist, më del humbja e personalitetit të njeriut dhe zëvendësimi i saj me të ashtuquajturin “Njeriu i ri socialist”, që sot është shndërruar në një politikan pa skrupull, në një trafikant femrash, fëmijësh, droge, në një vrasës me pagesë apo të tjerë tipa të kësaj natyre. Shkrimtari i madh amerikan Mark Tëain ka thënë:

Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tënd gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë vetëm kur ajo e meriton

Praktika e këtyre njëzetekatër vjetëve ka treguar se jo gjithmonë kemi qëlluar në shenjë. Një gjë e tillë bie në sy, më tepër, në premtimet që janë berë për çështjen e kthimit të pronave pronarëve të ligjshëm dhe sidomos në trajtimin e të përndjekurve politikë dhe dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist. Lidhur me këtë, në përgjithësi, në vendin tonë është ndjekur taktika e lënies në heshtje të së kaluarës së errët, në mënyrë që ajo të harrohet Në të kundërt, kohët e fundit kanë filluar të ndihen zëra që kërkojnë të rehabilitojnë sitemin e përmbysur. Rastet e shfaqura në ditën e dëshmorëve apo në përvjetorin e Kongresit të Përmetit ku, në sytë e pushtetarëve, u shfaqën portretet e dikatorit të rrëzuar, ku fëmijë të pafajshëm ishin instruktuar të nderonin me grushtin, simbolin e komunizmit dhe ku disa përfaqësues të lartë forcash politike predikonin për të ashtuquajturën “ditë e çlirimit”.
Përse ndodhin fenomene të tilla në vendin tonë? Kjo ndodh sepse, në kundërshtim me vendet e tjera ish socialiste, nuk është dënuar ideologjia komuniste. Madje, për më tepër ajo sapo vjen dhe po propagandohet më tepër. Një gjë e tillë është në kundërshtim me parimet demokratike të Deklaratës së Pavarësisë, që përkujtojmë sot.
Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës, miratoi rezolutën numër 1096 “Mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparëshme komuniste totalitare”, rezolutë e firmosur edhe nga delegacioni ynë në këtë asamble. Por, çuditërisht, mungoi publikimi i saj në shtypin shqiptar. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Më 25 janar 2006, me nismën e deputetit suedez Goran Lindblad, Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës, miratoi një rezolutë tjetër, atë me numër 1481 “Nevoja për ndëshkimiun ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” edhe kjo e firmosur nga delegacioni ynë. Më 30 tetor 2006 Kuvendi i ynë miratoi rezolutën përkatëse “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Çuditërisht deputetët socialist dolën nga salla në çastin e votimit të saj. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Kambanat e alarmit fillojnë të bien. Në muajin mars 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkon Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkojë dënimin e krimeve të komunizmit duhet që ai t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje dhe kjo njëzet vjet pasi Shqipëria pretendonte se kishte përmbysur komunizmin. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar ajo, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Për fat të keq, në këtë dokument mungonte firma e Ministrit tonë të jashtëm. Ministër i Jashtëm ishte Ilir Meta. Përse? Përsëri askush nuk përgjigjet.
Ç’duhet bërë? Përgjigja është një e vetme, ajo që përmendëm më sipër, zhdukja e pasojave të rregjimit komunist. Për sa më sipër shtroj pyetjet e mëposhtëme:
1. Kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët? Aq i vështirë qenka organizimi i kësaj konference, kur në vendin tonë organizohen me dhjetra të tilla për çështje që nuk mund të krahasohen me ato të të përndjekurve politikë si për shembull mbrojtja e të drejtave të romëve apo homoseksualëve?
2. Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve dhe të zhdukurve me ose pa gjyq për arsye politike? Kur familjarët e tyre do të kenë një varr ku të vendosin një tufë me lule apo të derdhin dy pika lot?
3. Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi, dhe
ekzekutuesi i sistemit më diktatorial të Europës Lindore?
4. Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist që shënojnë instalimin diktaturës komuniste? Kur do të hiqen këto data nga protokollet zyrtare shtetërore? Sa do të vazhdojë të qëndrojë në varrezat e dëshmorëve të kombit ylli komunist në një kohë kur gjembat e atij ylli vranë edhe martirët tanë që prehen atje? Dhe të tilla simbole, për fat të keq, i gjen në çdo skaj të atdheut tonë.
5. Kur do të hapen dosjet e ish bashkëpuntorëvë të sigurimit të shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara?
6. Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e regjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve?
7. Kur do të bëhet rishikimi i historisë dhe i teksteve të librave shkollore, në mënyrë që të mos helmohen më nga propaganda komuniste fëmijtë tanë? Kur do të hapen muzeumet, kthehen në muze burgjet e tmerrshëm, ngrihen memorialet në nderim të shqiptarëve që u vranë nga regjimi totalitar?
Të gjitha këto kërkesa janë pjesë të rezolutës së miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2006 që, për fat keq, ende kanë mbetur në letër. Atëhere çfarë pritet që të zbatohen? Mendoj se, sa më parë, duhet të gjenden rrugët për zbatimin e tyre. Ne sot paraqitemi në prokurori dhe në gjykatë për ndonjë problem dhe nuk janë të rralla rastet që para të gjejmë hetuesit tanë apo bijtë e tyre. Një fenomen i tillë ndodh edhe në disa institucione të tjera, ku ndeshim njerëz të këtij kallëpi. Madje farsa ka arritur deri aty sa një pjesë e tyre janë dekoruar nga presidentët e republikës për “merita të veçanta”.
Shoqata e jonë është anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin. Për çdo vit kjo shoqatë zhvillon kuvendet e saj, ku pjesëmarrësit vizitojnë burgjet dhe kampet e kthyera në muze. Në vitin 2009 ky kuvend u zhvillua në Tiranë por ne, në ndryshim me vendet e tjera, nuk kishim asnjë burg apo kamp ku t’i shpinim pjesëmarrësit.
Të nderuara zonja dhe zotërinj!
Sot jemi mbledhur për të përkujtuar 238 vjetorin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së. Në këtë ceremoni do të donim të kishim prezent ambasadorin e SHBA-së, zotin Alexandër Arvizu, por ai na njoftoi se agendën e kishte të zënë. Donim edhe ndonjë përfaqësues tjetër të asaj ambasade, por asnjë nuk u paraqit. Para syve të mi më del figura e ambasadorit amerikan të viteve të përmbysjes së madhe, të nderuarit zotit Ëilliam Rajerson, i cili gjendesh shumë pranë të përndjekurve politikë duke pirë kafe me ta në shtëpinë e ish kryetarit të parë të shoqatës tonë, të nderuarit Osman Kazazi. Unë kam besim se SHBA do të jenë gjithmonë pranë shtresës tonë.
Luftëtari i shquar i të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë i njerëzve me ngjyrë, Doktor Martin Luter King, ka thënë:

Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë.

Ndaj ne nuk duam të heshtim më.

Kumtesë mbajtur në konferencën shkencore mbi 238 vjetorin e shpalljes së Deklaratës
së Pavarësisë së SHBA-ve.

Filed Under: Opinion Tagged With: politikë dhe, reshat kripa, te drejtat e Njeriut, te perndjekurit

KORRUPSIONI DHE TË DREJTAT E NJERIUT

March 6, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Protestat dhe demonstratat anti-qeveritare të cilat shkaktuan dhunën dhe trazirat politike në Ukrainë gjatë disa javëve të fundit, e që  çuan në largimin nga froni të ish-presidentit Viktor Janukoviç dhe më në fund në agresionin ushtarak të presidentit rus Vladimir Putin kundër sovranitetit territorial të Ukrainës — ishin një pasqyrim dhe një shpërthim i zemërimit dhe i moskënaqsive ndaj dhunës dhe korrupsionit të regjimit të ish-presidentit Janukoviç dhe bashkpuntorëve të tij të ngushtë.  Në të vërtetë, enti ndërkombëtar që kryeson përpjekjet anti-korrupsion, “Transparency International”, i cilësoi ngjarjet e fundit në Ukrainë si “një revolucion kundër korrupsionit”, megjithëse vendimi i Janukoviçit për të mos nënshkruar marrveshjet për lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian, në favor të marrëdhënjeve më të ngushta me Moskën, luajti gjithashtu një rol kryesor në shpërthimin e protestave.  Në një deklaratë, Transparency International tha se  mbështet  përpjekjet e ukrainasave për të jetuar një një shtet, ”pa politikanë dhe burokratë të korruptuar”.  Organizata anti-korrupsion  thotë se ndonëse regjimi Janukoviç mund të jetë rrëxuar nga pushteti dhe si përfundim, së shpejti do mbahen zgjedhjet,  kjo në vetvete nuk do të shërojë plagët e disa viteve të fundit dhe nuk do të zgjidhë problemet e mëdha që ai ka lën pas, ndërkohë që ukrainasit po shohin tani se çfarë jete luksoze bënte ish-presidenti i tyre Janukoviç, në pallatet e tija të shumta moderne, me makina luksoze antike, me restorante private, me llogari bankare jashtë vendit, e tjera.

Por korrupsioni nuk është vetëm një problem për Ukrainën, është një problem, në të vërtetë është më shumë se një problem, është një sëmundje globale.   Në raportin e fundit vjetor të Departmentit Amerikan të Shtetit (DASH) botuar muajin që kaloi mbi të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, theksohet se vitin që kaloi, korrupsioni ishtë njëri prej problemeve kryesore i shkeljes së të drejtave të njeriut në botë, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën.

Në raportin mbi Shqipërinë thuhet se problemet kryesore në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri, kanë të bëjnë “me korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë” përfshirë “bllokimin e reformave në lidhje me luftën kundër korrupsionit”.   Raporti thekson se pandëshkueshmëria është një problem kryesor në Shqipëri, duke shtuar se politikanë dhe zyrtarë të lartë, përfshirë edhe gjykatës si dhe përfaqsues të interesave të mëdha të biznesit, shpesh i ikin drejtësisë.  Raporti vjetor i DASH mbi të drejtat e njeriut thotë se megjithëse disa zyrtarë të nivelit të ulët janë ndëshkuar për keqpërdorime të pozitës së tyre, të tjerë zyrtarë më të lartë të qeverisë, që sipas raportit — ishin përfshirë qartazi në raste abuzimesh — thjeshtë janë hequr nga postet e mëparshme për tu vendosur në detyra të tjera qeveritare, pa kurrfarë ndëshkimi ligjor.

Edhe në Kosovë, sipas raportit të DASH ka korrupsion, ndërkohë që qeveria kishte ndërmarrë hapa për të ndjekur penalisht dhe për të dënuar zyrtarët që kanë kryer shkelje, si në shërbimet e sigurisë ashtu edhe në sektorë të tjerë të qeverisë, por megjithkëtë thekson raporti, shumë zyrtarë të lartë të Kosovës të dyshuar, ishin të përfshirë në korrupsion dhe vepruan pa asnjë ndëshkim nga ligji.

Në parathënje të raportit të DASH mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në botë, Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerri, tha se “Qeveritë që  zbatojnë dhe mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të cilat janë përgjegjëse për veprimtarinë e tyre ndaj qytetarëve të vet, janë më të sigurta, njëkohësisht mbështesin paqën dhe sigurinë ndërkombëtare dhe njëherazi gëzojnë gjithashtu begatinë e përbashkët me vendet e qendrueshme demokratike.  Ndërsa vendet të cilat nuk mbështesin zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, mund të përballen me privime ekonomike dhe izolim ndërkombëtar”, tha kryediplomati amerikan.

Por nuk është vetëm Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit ai që ka  theksuar lidhjen midis fenomenit të korrupsionit dhe mos respektimit të të drejtave të njeriut në botë.  Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Bashkimi Europian (BE) e kanë lidhur gjithashtu korrupsionin me mos zbatimin dhe me mos respektimin e të drejtave të njeriut të qytetarve.  OKB-ja thotë se, “Të drejtat e njeriut janë të pandara dhe të ndërvarura dhe se pasojat e një qeverisjeje të korruptuar janë të shumëta dhe se ato prekin të gjitha aspektet e të drejtave të njeriut — ato civile, politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore.  Korrupsioni çon në shkeljen e detyrimeve që kanë marrë përsipër qeveritë me nënshkrim, për të marrë masa — me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion — për realizimin dhe zbatimin e plotë të të drejtave që njihen nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.”  OKB-ja thotë se parimet bazë të të drejtave të njeriut, siç janë transparenca, llogari-dhënja,mos diskriminimi dhe pjesmarrja serioze në jetën politike të vendit — kur të zbatohen këto parime, ato janë mjetet më efektive për të luftuar korrupsionin.

Muajin që kaloi edhe Komisioni Europian botoi për herë të parë “Raportin mbi Korrupsionin” në vendet e Bashkimit Europian në të cilin pasqyrohen sukseset dhe dështimet në luftën kundër korrupsionit në eurozonë.  Raporti identifikoi të meta serioze në luftën e vendeve anëtare kundër korrupsionit anë e mbanë Europës.  Në një deklaratë për media, Transparency International, komentoi raportin e (BE) duke thënë se, “Besimi në udhëheqsit e Europës po bie sepse marrveshjet midis biznesit dhe sektorit publik bëhen në terr, pa transparencë, duke i lënë qytetarët të pa informuar dhe duke pyetur ata veten se interesat e kujt po merren parasyshë në këtë mes”.   Transparency International këshillon se “Për të zhdukur hendekun  e mos besimit midis politikës dhe popullit, duhet të ketë një transparencë më të madhe në jetën politike dhe se më shumë zyrtarë publikë e politikë duhet të mbahen përgjegjës për shkeljet dhe abuzimet e tyre korruptive.”

Korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë për Europën, sipas raportit të parë të posa botuar mbi këtë problem nga Komisioni Europian.  Sipas raportit, korrupsioni prek të gjitha vendet anëtare të BE-së, me një kosto prej 120 miliardë euro në vit, në dëm të ekonomisë.  Sipas disa sondazheve të kohëve të fundit, pothuaj gjysma e europianëve besojnë se korrupsioni në vendet e tyre është shtuar gjatë tre viteve të fundit.  Thuhet se gjatë kësaj periudhe, vendet anëtare kanë ndërmarrë një numër nismash për të luftuar korrupsionin, por Komisioni Europian thotë se duhet bërë më shumë për të parandaluar dhe për të ndëshkuar dukuritë e korrupsionit në çdo vend.  Ndërkaq, edhe Transparency International përkrah tezën se lufta kundër korrupsionit është njëherazi edhe luftë në mbështetje të të drejtave të njeriut, dhe si e tillë duhet të mbetet një objektiv i përbashkët i politikës, biznesit dhe i qytetarëve anë e mbanë Europës.

Prandaj siç dëshmuan ngjarjet e fundit në Ukrainë, një qeveri që në zemër të sistemit politik ka korrupsionin,i cili pasuron disa dhe varfëron shumicën, nuk mund të vazhdojë gjatë pa revoltuar masat mbarë popullore.  Kështu ndodhi edhe me diktatorin Viktor Janukoviçin e Ukrainës, pasi korrupsioni që ka prekur atë vend, ishte një prej arsyeve kyçe për protestat në masë dhe me dhunë në Kiev, protesta  këto të  cilat shkaktuan ngjarjet e fundit që tani po kërcënojnë jo vetëm paqën e sigurinë midis Ukrainës dhe Rusisë, por edhe të mbarë Europës dhe po rrezikon gjithashtu të zhytë botën në një luftë tjetër të ftohtë.

Ja, ky është çmimi i korrupsionit!

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, korrupsioni, te drejtat e Njeriut

GJËNDJA E TË DREJTAVE TË NJERIUT NË BOTË

April 23, 2013 by dgreca

Korrupsioni, problem kryesor në Shqipëri dhe në Kosovë /

Nga Frank Shkreli/

Të Premtën që kaloi, Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në çdo vend të botës. Në parathënien e raportit, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri thotë se raporti dokumenton rrugën, shpeshëherë të vështirë të zbatimit të të drejtave të njeriut, duke theksuar se megjithëse “është bërë përparim i dukshëm në disa vende, në një numër tepër të madh vendesh, qeveritë nuk ndajnë vizionin e “Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut”, për një botë ku njerëzit jetojnë, të lire, me dinjitet dhe me të drejta të barabarta”, duke shtuar se raporti i këtij viti, në terësi, e bën të qartë se shumë prej sfidave më të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane, sipas tij — në thelb — kanë të bëjnë, “me përpjekjet e pamohueshme dhe universale të njerëzve për liri dhe dinjitet.”  Në parathënien e tij të raportit mbi të Drejtat e Njeriut në botë, Zoti Kerri thotë se “në ato vende ku mohohen liritë dhe të drejtat bazë të njeriut, është shumë më e lehtë që të zënë rrënjë influencat negative, të cilat kërcënojnë jo vetëm  stabilitetin ndërkombëtar por edhe sigurimin tonë kombëtar.” Në raportin dërguar Kongresit amerikan, Zoti Kerri shkruan se “qeveritë dhe vendet që respektojnë të drejtat e njeriut janë më paqësore dhe më të begatshme, ato janë fqinjë më të mirë, aleatë më të fortë dhe partnerë më të mirë ekonomikë.   Sekretari i Shtetit Kerri tha gjithashtu se “Shtetet e Bashkuara përkrahin popujt dhe qeveritë që dëshirojnë he që mbështesin lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, duke pasur parasyshë përvojën tonë se puna drejtë një bashkimi më të përfeksionuar — të një demokracie të vazhdueshme dhe të qendrueshme edhe në vendin tonë — nuk do të marrë fund kurrë.”   Kryediplomati amerikan tha me këtë rast, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të flasin qartë dhe në mënyrë të përcaktuar në mbështetje të barazisë dhe dinjitetit bazë për të gjithë njerëzit kudo.”

Në raportin vjetor  të  DASH thuhet se nga Irani e deri në Venezuelë është shënuar shumë pak përparim në avancimin e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Raporti nënvijon edhe vështirsitë me të cilat përballen organizatat jo qeveritare – të cilat raporti i cilëson si një burim i pazëvendsueshëm për vitalitetin e një shoqërie të lirë dhe demokratike –si dhe aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarët,  duke nënvijuar se viti i kaluar ishte viti më vdekje-prurës për gazetarët ç’prej vitit 1997, dhe thotë se numëri i gazetarëve të burgosur është katërfishuar ç’prej vitit 2011.  Sipas raportit, shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut po regjistrohen në vendet e përfshira në të ashtuquajturën lëvizje e ”pranverës arabe”.  Raporti i DASH është kritik gjithashtu edhe ndaj Turqisë, vendi i cili sipas raportit, ka numërin më të madh të gazetarve të burgosur.  Kritikave të rënda për shkeljen e të drejtave të njeriut nuk u ikën as vendet si Rusia, Kina, Irani,  dhe Siria.

Raporti mbi të drejtat e njeriut,–si për çdo vend tjetër në botë — përfshinë komente edhe mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Kosovë.  Në përmbledhjen e raportit të publikuar për vitin 2012, DASH nënvijon se plaga e korrupsionit ka përfshirë të gjitha degët e qeverisë, përfshirë edhe sistemin gjyqësor. Raporti flet për ndarjet e theksuara në linja partiake para zgjedhjeve të këtij viti, kritikon konsolidimin e pushtetit nga partia në fuqi dhe fletz edhe për probleme të tjra në fushën e të drejtave të njeriut. Raporti flet gjithashtu edhe e për (mos) ndëshkimet e zyrtarëve të akuzuar për abuzime duke thënë se ndëshkimet ishin të rralla dhe jo të vazhdueshme. Në raport thuhet se “në përgjithësi, shumë zyrtarë qeveritarë dhe politikanë, si dhe gjykatës, gëzojnë imunitet nga ndjekja ligjore dhe ata që kanë interesa të mëdha biznesi, shpesh janë në gjëndje tu ikin ndëshkimeve”. Raporti thotë se ka patur raste ku “zyrtarë të nivelit të ulët janë ndëshkuar për abuzime, por shton se ndërkohë, “zyrtarë të qeverisë që qaartazi ishin të implikuar në abuzime, u transferuan nga një një post në një tjetër, pa pësuar ndonjë ndëshkim.”

Në një reagim ndaj raportit të DASH mbi gjeëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, Zyra e Avokatit të Popullit në Tiranë e vlerësoi këtë raport duke thënë në një deklaratë për shtyp se, “Në konstatojmë se Raporti i Departamentit të Shtetit është një vlerësim dhe analizë e thelluar dhe e vërtetë e gjendjes së të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe se në te gjëjnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura edhe nga institucioni ynë si gjëndja e minoritetit rom dhe atij egjiptian, problemet e personave me aftësi të kufizuar, gjakmarrja dhe pasojat e saj, gjëndja e të drejtave të njeriut në vendet e kufizimit të lirisë, të drejtat e komunitetit LGBT, dhuna në familje dhe veçanërisht ajo ndaj grave”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit të Shqipërisë.

Mbi gëjndjen e drejtave të njeriut në Kosovë, raporti flet për problemet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në atë vend, përfshirë ngritjen e bllokimit të rrugëve në pjesën veriore të vendit nga ekstremistët serbë të Kosovës, kufizimin e të drejtave bazë të njeriut, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe transportin e mallërave.  Në raport thuhet se “ekstremistët serbë ushtruan gjithashtu dhunë dhe kërcënime kundër kundërshtarëve të tyre në vend dhe ndaj forcave ndërkombëtare të sigurisë gjatë vitit 2012.”

Raporti i DASH mbi të drejtat e njeriut nënvijon se edhe në Kosovë, korrupsioni është problem serioz, duke thënë se disa nga problemet kryesore në fushën e të drejtave të njeriut në atë vend janë, “korrupsioni, favorizimet në burgje, mbajtja për një kohë të gjatë nën arrest para gjyqit, mungesa e efikasitetit juridik, kërcënimi i medias nga zyrtarët publikë dhe elementët kriminalë, përparimi i pamjaftueshëm në kthimin e personave të çvendosur në shtëpitë e tyre, korrupsioni në qarqet qeveritare, trafikimi i njerëzve dhe puna e fëmijëve në sektorin informal.” Në raport thuhet se qeveria mori masa për të gjykuar dhe ndëshkuar disa nga zyrtarët që kanë kryer abuzime ….. por shumë prej zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion i kanë shpëtuar ndëshkimit ligjor, thekson Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2012.

Në lidhje me Maqedoninë, raporti i DASH thekson si problemim më kritik dështimin e qeverisë për të respektuar plotësisht ligjin, duke përmendur dështimin e ndjekjes ligjore të procedurave parlamentare, ndërhyrjen në punët e gjyqësorit, si edhe nivelin shqetsues të korrupsionit në radhët e qeverisë dhe mos ndëshkimin e policisë për sjellje anti-ligjore.   Raporti përmend gjithashtu tensionet ekzistuese midis komunitetit shqiptar dhe atij maqedon, si një prej shqetsimeve kryesore të respektimit të të drejtave të njeriut në atë vend.  Raporti vjetor i DASH mbi të Drejtat e Njeriut mbulon të drejtat e njeriut të njohura ndërkombtarisht – dmth, të drejtat individuale, civile, politike dhe ato të puntorëve – siç janë përcaktuar në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, si dhe në amrrëveshje të tjera ndërkombëtare. Raporti përgatitet për çdo vit, si një kërkesë e bazuar në legjislacionin e Kongresit amerikan, për të gjitha vendet që marrin ndihma amerikane si dhe për vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.  Është këjo një praktikë që ka filluar zyrtarizimin e saj nga fillimi i viteve 1970, për të folur haptazi për zbatimin ose jo të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Në dokumentin e vitit 2010 mbi Strategjinë e Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara thuhet se ne e “konsiderojmë si një parim themelor të interesave tona kombëtare mbështetjen e paqës anë e mbanë botës – një bote në të cilën jo vetëm shtetet por edhe individët të gëzojnë të drejtat themelore që ata meritojnë.”  Prandaj, ky raport tha Sekretari Kerri, “dërgon një mesazh tepër të qartë se të gjitha qeveritë kanë përgjegjësi për të mbështetur dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”.  Njëkohësisht, raporti sipas ndihmës sekretares së shtetit për demokraci dhe të drejta të njeriut, Uzra Zeya, “shërben edhe si një gur themel faktesh mbi të cilin dhe në bazë të cilit përcaktojmë politikat tona”, ndaj vendeve të ndryshme të botës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kosove, ne bote, shqiperi, te drejtat e Njeriut

OKB-JA DHE TË DREJTAT E NJERIUT, VEPRA E JO FJALË!

February 26, 2013 by dgreca

Nga  Frank Shkreli/

Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara OKB) për të Drejtat e Njeriut filloi të hënën punimet në Gjenevë duke shënuar njëherazi edhe 20-vjetorin e miratimit të Deklaratës së Vjenës që çoi në krijimin e postit të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, qëllimi i të cilit është të mbështesë përpjekjet në mbrojtje të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës dhe të ritheksojë universalitetin e këtyre të drejtave, si edhe obligimin e shteteve anëtare për zbatimin e tyre.

Këshilli përbëhet nga 18 vende anëtare dhe  angazhohet të  “Zbatojë standardet më të larta në promovimin dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.”

Në këtë konferencë  që do të zgjasë katër javë, do të marrin pjesë udhëheqës shtetesh, diplomatë dhe personalitete të njohura botërore, dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe organizata jo-qeveritare  nga e gjithë bota, për të biseduar mbi çështje të ndryshme, që si bazë kanë të drejtat e njeriut — më konkretisht, respektimin ose jo të tyre anë e mbanë botës.

Në takimin e nivelit të lartë të Gjenevës, sipas burimeve të OKB-së,  përveç më shumë se 100-ministrave të jashtëm do të flasin edhe disidentë dhe persona që u kanë shpëtuar torturave dhe dëshmitarë të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe torturave në Rusi,  Kinë,  Iran,  Tibet,  Siri,  Korenë e Veriut dhe anë e mbanë  botës.   Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara  Ban Ki-moon, sipas njoftimeve të organizatës botërore, në një mesazh drejtuar konferencës së Gjenevës, tha se ”Ç’prej themelimit të Organizatës, vendet anëtare dhe partnerët nga shoqëria civile kanë punuar së bashku për të krijuar një numër programesh dhe marrveshjesh ndërkombëtare në mbështetje të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Deklarata Universale i përcakton të drejtat e njeriut si,  ”gur-themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqës në botë.”

Edhe Komisionerja e Lartë e OKB-ës për të Drejtat e Njeriut Navi Pillay në fjalën e saj drejtuar konferencës tha se, “është hera e parë që përfaqsues të qeverive dhe të shoqërisë civile flasin për të drejtat e grave në një konferencë kushtuar të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe jo të drejtave të grave në veçanti.   Por ajo shtoi se në këtë fushë mbetet shumë për t’u bërë pasi,”ashtu si edhe 20-vjetë më parë, gratë dhe vajzat vazhdojnë të jenë subjekte abuzimesh seksuale dhe fizike dhe se dhunuesit e tyre vazdojnë të jetojnë në liri”,   duke shtuar se anë e mbanë botës vazhdojnë dhunimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut dhe se, ”premtimi për respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit kudo, është ende një ëndërrë për shumë njerëz anë e mbanë botës”, tha Navi Pilay.

Zonja Pilay i tha mbledhjes së  Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut se ndërsa mirëpret një angazhim më të madh të shoqërive civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut,  ajo ndërkohë  ka venë re një rritje të rasteve ku qeveritë e ndryshme përsekutojnë mbrojtësit e të drejtave të njeriut, për arsye të natyrës së punës së tyre në mbrojtje të këtyre të drejtave.   ”Unë vazhdoj të marr raporte”, tha ajo, ”në lidhje me kërcënime, dhunime, burgosje dhe vrasje të gazetarëve, dhe mbështetsve të të drejtave të njeriut, vetëm e vetëm sepse ata kryejnë punën e tyre.” Një gjë e tillë, kundër atyre që me të drejtë kërkojnë angazhimin e organizmave ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut, shtoi Komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut — nuk duhet të tolerohet nga askush.

Punimet e Këshillit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojnë deri më 22 mars dhe pritet që të diskutohet për një numër çështjesh.   Në krye të listës siç duket është lufta në Siri, ku sipas Kombeve të Bashkuara thuhet se rreth 70-mijë veta mund të jenë vrarë, me qindra mijëra të tjerë janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre,  dhe ku mbi 4 milionë banorë, në një mënyrë ose në një tjetër,  janë prekur nga dhuna dhe kanë nevojë për ndihma emergjente humanitare.

Gjatë kësaj konference shumë pjesëmarrës të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara dhe të shteteve anëtare do të shprehin,  ”shqetsimet e tyre serioze” mbi shkeljet e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, do të bëjnë thirrje për paraqitjen e këtyre rasteve Gjykatës Ndërkomblëtare për ndëshkimin e individëve dhe të shteteve e qeverive që dhunojnë në mënyrë flagrante të drejtat themelore të qytetarëve të tyre, duke shkelur kështu edhe marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare që mbrojnë këto të drejta dhe që ato vet  i kanë nënshkruar.

Duhet thënë se gjatë 20-vjetëve të fundit, ç’prej miratimit të Deklaratës së Vjenës, janë bërë përparime aty këtu por jo të mjaftueshme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.  Andaj lind pyetja.   A është me të vërtetë  serioz komuniteti ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara se mbrojtja e të drejtave bazë të njeriut është me të vërtetë një prioritet me rëndësi i politikave të tyre në arenën ndërkombëtare?   Fjalët dhe retorika  janë të mira për konsumim publik, por veprat e tyre venë në dyshim angazhimet e tyre serioze ndaj zbatimit dhe respektimit universal të këtyre të drejtave.

Dy shëmbuj ilustrues që e bëjnë edhe vërejtësin e pa-anshëm të dyshojë në sinqeritetin e këtyre deklaratave  në  Gjenevë nga udhëheqsit e ndryshëm të  OKB-së.

Punimet e Këshillit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut i hapi kryetari i Asamblesë së Përgjithshme dhe ish-ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiq.    Duke iu referuar situatës në Siri, ai tha se dëshironte të  ”shprehte shqetësimin e tij të thellë ndaj tragjedisë më të tmershme humanitare të ditëve tona”.

”Për dy vjetë tani”, shtoi  ish-ministri i jashtëm serb, ”komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në përpjekjet e tija për të ndaluar këtë maskër.”

Tani, për lexuesin shqiptar nuk është e nevojshme të shpjegohet se kush është Jeremiqi dhe çfarë politike anti-shqiptare ndjekë ai dhe shteti i tij në Ballkan.  Për më tepër, Jeremiqi nuk tha në fjalimin e tij se Rusia dhe Kina, aleate të Serbisë, me të cilat ai punonte ngushtë për të penguar pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj — janë aleate të ngushta edhe të diktatorit sirian dhe të cilat në të njëjtën kohë kanë bllokuar vazhdimisht rezolutat e Këshillit të Sigurimit për t’i dhënë fund gjakderdhjes dhe dhunës në Siri, gjë për të cilën tani  Jeremiqi  shprehet gjoja tepër i preokupuar si zyrtar  i Kombeve të Bashkuara.

 

Kur e merr me mend se ç’bëri Serbia mbi Kosovën dhe në ish-Jugosllavi, dhe tani ish-ministri i jashtëm i saj që ishte njëri prej mbrojtësve më të zellshëm të asaj politike çfarosëse anti-shqiptare, fletë për të drejtat e njeriut, si njëri prej zyrtarëve më të lartë të OKB-së  — të pakën mua më  bën seriozisht  të dyshoj në seriozitetin   deklaratave të tij dhe në seriozitetin e OKB-së për të marrë ndonjë masë  për  të ndaluar  gjakderdhjen në Siri, apo kudo tjetër.

Një akt tjetër i turpshëm dhe absurd  i kësaj organizate, ndërsa filloi punimet në Gjenevë, ishte emërimi si nën-kryetar i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për 12 muajtë eardhëshëm,  i një përfaqsuesi të Mauretanisë.    Mauretania, sipas organizatave ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, por edhe sipas medias, ende praktikon skllavërinë.

Sipas Huffington Post, skllavëria praktikohet sistemakisht në Mauretani, ku afrikanët e pakicës me ngjyrë më të zezë, shërbejnë si skllevër për shumicën arabe.    Organizata  jo-qeveritare UN Watch me të drejtë   u shpreh e revoltuar se si është e mundur që Mauritania, një vend ky që mban në skllavëri me qindëra mijëra veta, mund  të  zgjidhet në detyrën e nën-kryetarit të Këshillit të OKB-së për te Drejtat e Njeriut?

Ky vendim, thotë UN Watch, përbën një mesazh të shëmtuar se, “organi kryesor i OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut,  nuk zbaton  në praktikë ato që predikon vet”, dhe misioni i të cilit është ekzaktërisht  mbrojtja e të drejtave të njeriut.

UN Watch,  organizata jo qeveritare e të drejtave të njeriut me qëndër në Gjenevë, e cila monitoron zbatimin e parimeve të Kartës së OKB-së, tha se ka ardhur koha që organi më i lartë i organizatës botërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të kalojë nga retorika boshe në vepra konkrete dhe njëkohësisht, nënvijoi ajo, ”mbrojtja e të drejtave të njeriut në botë fillon në secilin vend më së pari”,  dhe shtoi se,  ”Antarësimi  në  Këshillin e OKB-së  për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut është një pivilegj që bart përgjegjësi, dhe këto vende kanë dështuar në zbatimin e standardeve  bazë”,  të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut,  thotë organizata UN Watch.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, OKB, te drejtat e Njeriut

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT