Në kërkim të Fjalës së Urtë/
Me nji shkallë qi m’çon jashtë kohe/
Ngjitem shtat fill mbi qiell/
Në kërkim të Fjalës së Urtë,/
U ngjall apo s’u ngjall/
U mbrue apo s’u mbrue ai brumë i urtë i fjalës/
E zbres shtat pash nën dhe, e zbres e ngjitem/
Në kërkim të fjalës së urtë/
E zbres e ngjitem në nji shkallë qi m’çon jashtë kohe,
Po fjalën e urtë nuk e shqipton askush,
Fjalën e urtë qi dhemb në gjoks
E ther mendimin, atë ma të fismin
E ther mendimin e plagës qi lëngon mu n’zemër të tokës sonë.
A thue nga alkimi e kohës së pakohhë,
E asaj kohe të çmendun
I ka humbë pesha urtisë së gurtë të fjalës,
A thue nga alkimi e kohës së pakohë
I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit ?
*
Ju orkauj qi më rrini
Te kambët e kohës sonë të çoroditun
E më flisni me za Kasandre pa pushim
E shpallni me zhurmë e bujë
Se frut i urtë i fjalës ka ra
Siç bie nji frut i kalbun nga degë e pemës
Se guri nuk qenka ma i randë n’ vend të vet
E ai nuk qenka i randë as në dhe të huej
Shporrnju u tham, si Edgard Poe dikur korbit të zi
Mbi bustin borë të bardhë të Palladë Atenës,
Shporrnju nga busti i bardhë i fjalës e i kohës.
Po rishtas zani i tyne, ai za Kasandre
Gjimon kërcnues e ndjell kumbonët e vdekjes
E kumbonët bien në nji anë përzishëm
Përzishëm bien për vdekje të fjalës së urtë
Qi ra e bie nga pema si frut i kalbun
Kur unë në zgrip të fjalës sime, mu në zgrip
Pres se po bie nga pema frut i pjekun
I fjalës së urtë, i fjalës së ringjalljes
Për ty, o toka ime e djegun.
A thue nga alkimi e kohës së pakohë
I ka humbë pesha gurit të urtisë së fjalës
I ka humbë pesha gurit t’urtisë së malit?
*
Ju orakuj qi shpallni me zhurmë e bujë
Se s’ka ma peshë urtia e gurtë e fjalës,
Nuk mbin ma bar mendimi t’pjekun
E thahet bima e fisme e fjalës
E urta bimë e fjalës.
Shporrnju prej vargut tim, shporrnju që këtej
E qafën thefshi në kapërcyell të shtegut të lig të kohës,
Se mue urtinë e fjalës ma mësoi nji plak i bardhë
Me dy kokrra gruni në çdo qelizë të fjalës.
“Ç’do komb, – tha ai, – shkon udhës së kalvarit
E zbret e ngjitet prap, Sizif mundimesh të pathana,
çohet e rrxohet golgotave të kohëve
E atje pret kryqzimin e mbas çdo kryqzimi
Vjen fjala e urtë e ngjalljes, bekimi urtë i saj.
Kështu edhe për ty, o Tokai me e djegun
O toka ime e idhtë, o toka ime e ambel,
Do të rritet nji ditë bima e urtë e ngjalljes,
Bima e urtë e jetës.