Nga SKËNDER BUÇPAPAJ/
‘Ne’ të Republikës së Shqipërisë, në rreth një gjysmë shekulli, të paktën dy herë jemi shndërruar në hordhi. Herën e parë, më 1967, kur iu vërsuleshim kishave, xhamive, tyrbeve dhe teqeve. Dhe, herën e dytë, më 1997, kur i vërsuleshim gjithçkaje që na dilte përpara.
Herën e parë, ne ishim një hordhi në kazermë. Vërsulja kundër tempujve shpirtërorë ishte barabar me rrënimin flagrant të themelit mbi të cilin ishim vendosur dhe ndërtuar prej mijëvjeçarësh. Tashmë shoqëria jonë ishte një ndërtesë e mbështetur në ajër, më keq, në bosh.
Viti 1967 shënonte përfundimisht kapitullimin tonë tërësor, pa kushte përballë hipnozës që ushtronte ndaj nesh diktatura enveriste, si shoqëri me tru të hekurosur.
Herën e dytë, rrafsh tridhjetë vjet më vonë, ne ishim një hordhi klasike, kufizoheshim vetëm me vetveten tonë. Edhe atë çka kishte mbetur nga shteti, e rrënuam.
E kam përmendur edhe më parë. Mediat perëndimore në atë kohë habiteshin që zemërimi i shqiptarëve të shkonte përtej çdo parashikimi dhe të mos kursente asgjë, të mos kursenin çfarë kishte krijuar ajo vetë me mund e sakrifica mbinjerëzore. Konkluzioni i tyre ishte se shoqëria shqiptare kishte mbetur pa shtyllën kryesore, pa shtyllën shpirtërore që në vitin 1967, prej kur Republika e Shqipërisë ishte zyrtarisht vend ateist, madje i vetmi në botë. Dhe mediat parathonin se do të duhej kohë që kësaj shoqërie t’i kthehej shtylla më e domosdoshme, besimi.
Për të përkufizuar gjendjen tonë si shoqëri nuk kam përdorur fjalë më pranë burimit shqip si zhgan, skotë, lukuni, por, për hir të atyre me zell të tepëruar antiturk, kam përdorur fjalën hordhi, me burim turk – urdu. Në gjuhët perëndimore është dokumentuar për herë parë në vitin 1520. Dhe ka marrë këto kuptime: 1. Grupim i përkohshëm njerëzish për qëllime lufte, gjahu apo emigrimi edhe pa lidhje gjaku mes tyre: hordhitë e Hunëve. Kuptimi i zgjeruar: grupe të çrregullta të armatosura që kryejnë shkatërrime, plaçkitje e veprime të ngjashme – hordhitë barbare. 2. Me kuptim përkeqësues ose tallës – turmë, frotë.
Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në Republikën e Shqipërisë, me pjesëmarrjen masive dhe votën po aq masive kundër qeverisjes tetëvjeçare të Partisë Demokratike, shënuan një zgjim qytetar në rritje të shoqërisë. Atëherë unë jam shprehur se kjo votë ishte një valvul shkarkuese e zemërimit dhe pakënaqësisë ndaj një partie politike. Që në dështimin e parë të mundshëm të koalicionit të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ky zemërim dhe kjo pakënaqësi do të shkarkohej kundër krejt klasës politike. Dhe do të harrohej krejtësisht ajo çka pamë këto vitet e fundit në Greqinë fqinje.
Protestat masive të nëntorit dëshmuan se këtë zgjim qytetar e prin rinia shkollore dhe studentore. Kjo kategori përfaqëson njëkohësisht ndjeshmërinë, vetëdijën, përgjegjshmërinë e lartë qytetare. Ndërkaq protestave nuk iu mungoi një përmasë ekstremiste e tipit antiglobalist, antiperëndimor dhe vetizolues, një lloj rizgjimi i së majtës ekstreme tradicionale. Për t’u gjykuar në mënyrën më të saktë natyra e një proteste, patjetër shikohet përmbajtja e parullave, sidomos i atyre të shkruara. Në protestat e nëntorit, në 90 për qind të rasteve, nuk ishte në shënjestër qeveria apo kryeministri. Vetëm me përfshirjen e opozitës filluan të duken edhe parullat e këtij lloji. Me përfshirjen e grupeve me orientime nga më të ndryshmet në protesta, ne ishim dëshmitarë se ato, krahas masivizimit, patën edhe prirje për çorientim, për përhapje paniku, duke e çuar shoqërinë drejt një histerie kolektive.
Në kuadrin e kësaj histerie kolektive, doli në pah, në mënyrë më alarmante se kurrë, mungesa e një elite të vërtetë, sidomos mungesa e një elite të institucionalizuar. Kryeministri Rama e kishte rastin të hidhte një hap sado fillestar drejt institucionalizimit të kësaj elite të mundshme. Vendosja e dialogut me këtë elitë do të jetë çelësi i vetëm për të mos lejuar rrëshqitjen e shoqërisë drejt shndërrimit të saj në hordhi.
Edhe grupimet shoqërore më të specializuara, të përfshira protestat, ato ambjentaliste, nuk ishin bindëse në paraqitjet e tyre. Sepse askush prej atyre që morën fjalën në rrugë, sheshe, para protestuesve, para publikut nuk arritën të shpjegonin thelbin e shqetësimit të tyre. Në vend të ndriçimit të realitetit të pritshëm që krijonte ardhja e armëve kimike në Shqipëri, u krijua errësim i vërtetë, prej këtej panik dhe çoroditje. Në Perëndim, grupime të tilla, sipas tematikës së shqetësimeve, aktivizojnë në krye të veprimtarive të protestave, ekspertë të vërtetë të fushave përkatëse.
Krahu mediatik vuajti nga të njëjtat simptoma si ato të rrugës. Për më tepër ato morën rolin e komentatoreve të drejtpërdrejta të spektakleve që jepeshin në rrugë dhe sheshe. Nuk u vu re gati askund në mediat një zë i specializuar që të hidhte dritë mbi realitetin e vërtetë. Për këtë mjerisht nuk u treguan të interesuara as qeveria, as opozita.
Në mungesë të një elite, sidomos në mungesë të një elite të institucionalizuar, të një elite me autoritet të barabartë ndaj të gjitha grupimeve politike apo qytetare, do të kemi një shoqëri me tru të shpëlara, së paku me një shoqëri me tru lehtësisht të shpëlashme. Politikani amerikan Powell Clayton dikur thoshte: “Në predikimet e mia shigjetat gjithmonë kanë synuar ndaj hordhisë me tru të shpëlara.”
Mjerisht tiparin e truve të shpëlara duket se e dëshiron dhe e ushqen me qëllim politika në Shqipëri, si mënyrë për ta larguar shoqërinë nga thelbi racional i realitetit. Dhe kështu shoqëria kalon nga njëra fushatë histerizmi në tjetrën. E tillë ishte fushata që mori shkas nga vizita e kryeministrave Thaçi, Rama dhe Erdogan në Prizren, ku u spekullua me një thënie të pathënë nga kryeministri turk për një histeri anti Turqi dhe antiturke. E vetmja kritikë racionale ndaj këtij takimi, në fakt, ishte se ky takim zhvillohej në kuadrin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë dhe ishte një solidaritet elektoral ndaj Thaçit. Por as Turqia, as turqit nuk meritonin gjithë atë shfrim që pamë në mediat tona. Është e drejtë që urrejtjen apo antipatinë të mos e ushqejmë ndaj fqinjëve tanë. Po aq është e drejtë që këto ndjenja të mos i drejtojmë ndaj faktorëve të tjerë.
Shoqërisë sonë i shpëlahen trutë duke e trullosur një herë se rreziku i saj më i madh dhe më urgjent është ai turk. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku i saj më i madh e më ugjent është Xhamia e Madhe e Tiranës apo Xhamia e Madhe e Prishtinës. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku vjen nga zhbirja kolektive që ka emrin asgjësim i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Kështu logjika kolektive, vetëdija kolektive e shqiptarëve orientohet në mënyrat më të gabuara, më vetëshkatërruese të mundshme.
Lordi Byron thoshte për shoqërinë e kohës së tij: “Shoqëria është tashi një hordhi e polarizuar, e formuar nga dy palë të fuqishme, Bezdisësit dhe të Bezdisurit.” Kur nuk ekziston një faktor i tretë, atëherë hendeku i moskuptimit dhe i kundërvënies mes këtyre rritet. Dhe në raste si të shoqërisë sonë, ai shpërthen kundër vetvetes sonë. Në rrethanat e një bote të hapur, ata që nuk na e falin këtë mëkat janë të tjerët. Nuk ka pse të mos i mirëkuptojmë ata, aq më tepër kur janë miqtë tanë, aleatët tanë, partnerët tanë jetikë më të dëshmuar.