• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË PRAGUN E 100 VJETORIT TË 10 SHKOLLAVE TË PARA SHQIPE NË RRETHIN E VLORËS

July 8, 2013 by dgreca

NGA KUJTIMET E MURAT TËRBAÇIT DHE MUÇO DELOS PËR “KOMBIARËT” E VLORES/

nga Albert R. HABAZAJ/ studiues

 Nga studimi i historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, marrim njohuri të reja dhe plotësojmë dijet tona për ata pishtarë dhe flamurtarë të Vendit të Shqipeve, të cilët u përpoqën si ata, për ta nxjerrë Shqipërinë nga guvat e errëta në dritë të mirësisë. Në ballë të kësaj lëvizjeje përparimtare e çlirimtare nga peshat e rënda të pushtimeve, ravijëzohet si parësor roli dhe kontributi i burrave me “gramë”, njerëzve të shkolluar, mësuesve të shkollave të para shqipe. Viti 2013 përkon me 100 vjetorin e hapjes së shkollave të para shqipe në rrethin e Vlorës. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më  1912, qeveria e Ismail Qemalit i kushtoi një kujdes të veçantë arsimimit të popullit me gjuhën amtare. Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, në thirrjen drejtuar mësuesve theksonte: “çështja e arsimit ka një rëndësi kryesore për rilindjen e kombit shqiptar…” Sipas vendimit të qeverisë së Vlorës, në vitin shkollor 1913 – 1914, u çelën 10 shkolla shqipe, 1 në qytet dhe 9 në fshatra, dhe, konkretisht në Kaninë, Tërbaç, Dukat,Vranisht, Kudhës, Tragjas, Oshëtimë,Drashovicë dhe Smokthinë. Viti shkollor filloi më 16 shtator 1913. Halim Xhelo ka qenë mësuesi i parë që çeli shkollën e parë shqipe në Matogjinin e largët të krahinëzës së Smokthinës. Mësues i parë i shkollës shqipe në Tërbaç u emërua Murat Miftari. Një ndër pishtarët e dritës ishte edhe Muço Delo, që me shtegun e dijes, hapur nga arsimtari shëtitës e patriot, Mihal Peço, qe arsimuar në Kolegjin e Shën Mitër Koronës, në Kalabrinë Arbëreshe, matanë detit. Përhapësit e arsimit kombëtar në Vlorë, si filiza të gjelbër të Bredhit të Lartë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mbushur me dritërim dituror e humanist, të gjithë ata, stafetëmbajtës të Kostandin Kristoforidhit, Sami Frashërit e Naimit të Madh, Pandeli Sotirit, Petro Nini Luarasit, Babë Dudë Karbunara, Jani Minga, Hamit Lumi, etj., edhe sot, pas një shekulli, na duket sikur i drejtohen vargmaleve të Vetëtimës dhe Këndrevicës, për t’u thënë: “Na hapni pak vend të bëjmë dritë edhe ne bashkë me diellin, që të ngrohim njerëzit tanë të mirë,që të bëhemi si pjesëtarët e tjerë të familjes së madhe  e të përbashkët europiane…!”

Mundësia dhe fati më ndihmuan të gërmoj në arkivat personalë të Murat Tërbaçit dhe Muço Delos, dy prej atyre mësuesve atdhetarë të fillimshekullit të XX, nga të cilat, mendoj se vlen të publikohen këto informacione burimore që kam përgatitur për gazetën “Dielli”, edhe si homazh për ata mësues me eshtër kombëtare, që duhet t’u falemi me nderim dhe respektin ndaj tyre, ta tregojmë duke vijuar misionin  e tyre fisnik në kushtet e sotme të edukimit, të përparimit dhe të zhvillimit. Murat Tërbaçi është edhe një nga 12 anëtarët e Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” të Luftës Çlirimtare të Vlorës, 1920, një nga 12 figurat simbolike të kësaj epopeje, në ballë të së cilës printe Osmën Haxhi Muhameti, Ezhdërhaja Osmën NURI, siç e mban mend kujtesa popullore.

Qysh në shekullin XIX, mjaft përfaqësues nga paria e Tërbaçit, sikurse edhe mesaplikas të tjerë të Lumit të Vlorës, kurveleshas, himariotë e burra të dëgjuar të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, që luftuan me shpirt, me pushkë e penë, për Mëmëdhenë, ishin të lidhur me “Kombiarët” e Vlorës, Delvinës, Gjirokastrës, Frashërit, Beratit e Janinës.

Në kujtimet e Murat Tërbaçit, flitet  dhe për ndikimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në këtë fshat malor. Midis atyre, që Mustafa Pashë Vlora dërgoi në Labëri e Tërbaç, për të mbështetur Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ishin dhe Avdulla Nota, Sulejman Aliko e Musa Bodo. Sipas porosisë së Mustafa Pashë Vlorës dhe një tartari (korieri, lajmëtar) të dërguar nga Himara prej Odise Kasnecit, nga Tërbaçi u mobilizuan 35 vetë në luftën kundër grekut në Lëkurës, më 1879.

Këto lidhje me “Kombiarët” e Vlorës vazhduan dhe në fillim të shekullit XX. Në motet 1900 – 1907, në Tërbaç, Mesaplik, Brataj, Bolenë,Vranisht, Kallarat e Dukat kanë ardhur si mësonjës shëtitës Beqir Velo, Kristo Karbunara, Hamit Lumi, Peço Kauri, Ibrahim Avdullau dhe Elmas Kanina.

Sipas Murat Miftarit, në shtator – tetor 1908: “Na thirri Alem Mehmeti në konakët e tij në Tragjas, ku gjetëm Ibrahim Avdullaun, Hamza Isain, Zaçe Xhelon e Ymer Radhimën,

( nga Tërbaçi kanë qenë Murat Tërbaçi, Laze Malo e Xhezo Balo). Këtu u bisedua  për dy çështje të mëdha:

E para qe për mbështetjen e Ismail Qemalit si deputet në parlamentin xhonturk. Pas takimit të Tragjasit, erdhi në Tërbaç Eqrem bej Vlora me suitën e tij në shtëpi të Kapo Miftarit, i cili kërkoi votat për babain e tij, Syrja bej Vlora, por ne i qëndruam Ismail Qemalit dhe bisedës që kishim bërë dhe fjalës që kishim dhënë më përpara  në Tragjas.

Çështja e dytë ishte që “Shoqëria e Përhapjes së Shkollave Shqipe”, që ishte formuar pas fitores së “Xhonëve” (1908), të merrte një emër të ri: Klubi “Labëria” i Vlorës, ku nga Tërbaçi morën pjesë pesë vetë.

Gjatë muajve shtator – tetor (1908), të gjithë njerëzia e Tërbaçit, Bratit, Vranishtit, Mesaplikut, gjer në Kudhës – Grehot, votuan për Ismail Beun. Këtë  e nxiti më tej ardhja e Ismail Qemalit në Mesaplik. Në Kuvend të Mesaplikut, në emër të popullit të Tërbaçit fola unë (Murat Miftar Habazaj Tërbaçi – shënimi im, A. H.), pas Memo Metes, Zaçe Xhelos e Pasho Ramadanit.

Edhe gjatë shpalljes së Pavarësisë e qeverisë së Ismail Qemalit, ne, mesaplikasit bashkëpunuam shumë me Ibrahim Abdullahun, Aristidh Rucin, Ahmet Xhafën, Ali Asllanin, Qazim Kokoshin, Alem Mehmetin dhe Ymer Çelon.

Më 1913, Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit, vizitoi shkollën e Matogjinit, ku ishte mësues HalimXhelo. Atë e shoqëronin Zaçe Xhelo, Memo Mete Brati, Toto Hosi, Jani Minga e Ibrahim Abdullau. U bë darkë në Mesaplik për Luigj Gurakuqin, në konak të Zaçe Xhelos, ku nga Tërbaçi morëm pjesë unë, [Murati], Xhezo Balo, si dhe 25 shpirt të tjerë (nga krahina).

Luigj Gurakuqi na lexoi urdhërin e Ismail Beut për të mbledhur vetëdashës dhe për të forcuar frontin e Janinës.

Pas ca ditëve, në Va të Tërbaçit (Ura e Vaut), u organizua një kuvend i madh nga tërë krahina, ku morën pjesë dhe personalitete kombëtare, si Mehmet Pashë Dëralla, ministër i Luftës dhe Nexhip Draga, gjeneral, delegat, deputet i Kosovës, si dhe shoqëruesit e tyre Ibrahim Abdullau, Hamza Isai e Sali Hallkokondi. Në mbledhjen e Urës së Vaut, si përfaqësues i qeverisë së Vlorës, për të drejtuar vetëdashësit për në frontet e luftimit, u caktua Memo Mete Brati. Trimërinë e I. Abdullaut, H. Isait, I. Çelos, A. Mehmetit, ne tërbaçiotët, e kishim njohur qysh më 1911 -’12, qysh në të ngriturit krye kundër xhonturqëve në Vlorë e Mallakastër, si dhe në Kuvendin e Urës së  Drashovicës. Mehmet Pashë Tetovari me përfaqësuesit e Qeverisë së Vlorës u ftuan nga Laze Malua, në konak të tij, ku u bë një darkë e madhe burrash.

Më 1914 u ndodha  në fshat, kur mua e Laze Malos na dërgoi një kartë Bexhet Shapati

( kushëri i Çajupit të madh) e Ibrahim Abdullai, me anën e Sali Hallkokondit nga Vranishti, ku na thoshnin: “Këto ditë u sos prej Evropës Ismail Beu dhe po prënjtet në shtëpinë e Xhemil Vlorës. Për të qarë hallet e vatanit, lutemi të vini në Vlorë më 15 të korrikut, në shesh të Namazgjasë (tek është Sahati sot – shënimi im, A.H.), ku do të mblidhet populli i krahinës. Me besë: Bexhet Shapati, Ibrahim Abdullau”.

Në këtë mbledhje, më 15 të korrikut, kur Ismail Beu u kthye nga takimi me princ Vidin, në Durrës, u bë një kuvend i madh me përfaqësonjës të të gjitha viseve jugore të Shqipërisë (rreth 2000 vetë), ku u xgjodh Komiteti i Shpëtimit Kombëtar, ku dhe unë,  Murat Tërbaçi, bëja pjesë në këtë Komision.

Në kohët më pas , me “Kombiarët” e Vlorës kam marrë pjesë në Komitetin e Vlorës dhe në hartimin e protestave e memorandumeve drejtuar Konferencave të Paqit.

Në Kongresin e Lushnjës, sipas letrës që na dërgoi Halim Xhelo (i cili qe shpirti organizator i  Kongresit të Lushnjës) dhe Besim Nuri, u poqa përsëri me Hamza Isain, Ahmet Lepenicën, Ibrahim Abdullaun, Dhimitër Qypin, Spiro Kolekën e Osman Haxhiun, që morën pjesë si përfaqësues të Vlorës vetëm ditët e fundit të Kongresit, pasi nuk kishin mandat delegati, sepse nuk i lejonte ushtria italiane. Pushtuesi dërgoi në Mbrostar forca për të penguar vlonjatët të shkonin në Lushnjë…

Mjaft interesante për Lëvizjen Kombëtare në Vlorë janë dhe kujtimet e veteranit të arsimit kombëtar, Muço Delo. Ndër të tjera, në këto kujtime mësuesi hero nënvizon:

“Ne, tërbaçasit kemi patur mjaft bashkëluftëtarë nga Vlora dhe krahinat e tjera, në kohët e zeza të robërisë turke e italiane, për fatin e Atdheut si Osman Haxhiu, Ibrahim Abdullau, Imer Radhima, Abaz Mezin, Halim Risilia, Duro Shaska, Zaçe Xhelo, Alem Mehmeti, Hamza Isai e Ali Asllani.

Motet 1917-1918, kur kishte rënë gripi spanjoll dhe ushtria italiane na kishte prerë rrugët e shtigjet për të vajtur në Vlorë, kur ishin arrestuar 25 vetë nga krahina e Mesaplikut e dergjeshin në burgjet italiane për “trazirat në Mesaplik”, na thirrën në Vlorë disa mësonjës e parësi te Osman Haxhiu, Ymer Radhima e Hamza Isai për të organizuar festimin e ditës së Flamurit, kundër pushtuesit italian. Ne kërkuam ndihmë nga Osman Haxhiu, Ymer Radhima e Ibrahim Abdullau dhe morëm në Picar edhe drithë falas, pasi katundi ishte pa bukë.

Në organizimin e Luftës së Vlorës, më 1920, të deleguar nga Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, përpara se të krijohej çeta e Tërbaçit, erdhën e na folën IbrahimAbdullai dhe Imer Çelua; erdhi dhe Halim Xhelua që po kthehej nga Kurveleshi, na foli si ai, e pastaj u formua çeta jonë, me komandant Selman Hysenin dhe zëvendës Selam Habazin e Selman Alikon.

Ibrahim Abdullau ka marrë pjesë në federatën “Atdheu” dhe ishte zëvendës i Avni Rustemit, si dhe, në vitet 1923 -’24, në shoqërinë “Bashkimi”. Sipas kujtimeve të Murat Tërbaçit e të Muço Delos dhe tërbaçiotëve të tjerë, këto figura të shquara të atdhetarisë së Vlorës kanë lojtur një rol të veçantë për gjallërimin e Lëvizjes Kombëtare në Tërbaç e Labëri. Ndërkohë një meritë të padiskutueshme për skalitjen historike të porteteve të këtyre pishtarëve të Lirisë dhe Diturisë në Vlorë e më gjerë ka Buldozeri i Kulturës Kombëtare, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh.

 *Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA.  Vlorë, më 08. 07. 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Albert R Habazaj, ne prag te 100 vjetorit, ne Vlore, te 10 shkollave, te para shqipe

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT