• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dosjet” zhgënjyese të Sigurimit të Shtetit

July 14, 2017 by dgreca

1 Alma-LicoNga Alma LIÇO*/

E vendosur në kodrën pranë liqenit artifiçial të Tiranës, ajo ndërtesë dy katëshe përcjell një pamje joshëse dhe relaksuese. Gjethet e pemëve të larta, krijojnë një  kurorë të blertë, që si aureolë qarkon atë vend. Fëshfërima e lehtë dhe ledhatuese, e shoqëruar me cicërima zogjsh, i ngjason një sinfonie tingujt e së cilës vijnë nga shumë larg. Veçanërisht atë ditë, ajo mrekulli e natyrës përpiqej modestisht të zbuste dilemat dhe pasiguritë e pritshmërive tona, të zvarritura pafundësisht në rrjedhën e viteve të postdiktaturës.1 dosjet-640x340

Në pjesën ballore të asaj ndërtese është vendosur një portë e hekurt, e cila vijon me një rrugë të ngushtë, gjithashtu të gjelbëruar. Institucioni i hapjes dhe bërjes “transparente” të dosjeve të Sigurimit të Shtetit kriminal komunist, i krijuar disa muaj më parë, është vendosur provizorisht aty, në rrëzë të asaj kodre.

Është mesi i qershorit dhe dielli në atë orë të ditës është disi përvëlues. Sakaq, një djalosh i sjellshëm me uniformë afrohet të kangjellat e portës hyrëse. Nëpërmjet një buzëqeshjeje të lehtë e konfidente, duket sikur kujtohet për në dhe vizitën tonë të mëparshme në atë vend. Një muaj e gjysëm më parë, se bashku me tim shoq, ishim paraqitur pranë autoriteteve të atij institucioni, me shtysën e natyrshme të njohjes me dosjet personale dhe ato të etërve tanë, të krijuara nga Sigurimi famëkeq i Shtetit.

Kanë kaluar 27 vite nga koha kur u përmbys regjimi diktatorial. Më shumë se një çerek shekulli, ku viktimat e regjimit, si në një lumë të trazuar, lundrojnë të çoroditur në ujra të turbullta, pa mundur të përballen me të vërtetat e bëmat monstruoze të atij shërbimi kriminal e shërbëtorëve të tyre. Të zhgënjyer, pa asnjë orientim, ata nuk u lejuan kurrë të njihen me intrigat kriminale të inskenuara në laboratorët vrastare të asaj makine të përbindshme. Përveç disa episodeve të shkëputura të një demagogjie qaramane e të pështirë, për asnjë çast të vetëm nuk u çfaq në horizont vullneti politik për të hedhur dritë e bërë drejtësi për atë të kaluar aq makabre, që viktimizoi e copëzoi qindra mijëra familje të pafajshme, të konsideruara kundërshtare të regjimit komunist. Për më tepër, shefat e sigurimit e xhelatët në shërbim të tyre, nuk u gjykuan e ndëshkuan kurrë për krimet e kryera në dhjetëra vite. Ata kriminelë, rrugëtuan e vazhdojnë të ngjiten të çpenguar në majat e piramidës së shtetit postdiktatorial. Fshikullim i pamëshirshëm dhe fyes deri në palcë për viktimat e asaj lufte të padrejtë.  Me tepër se dëshpëruese.

Si për ironi e ogur të mbrapshtë, mëngjesin e asaj dite isha ndeshur rastësisht me njerin prej tyre. I hipur në një makinë luksoze, më kishte hedhur një vështrim të mbushur me qesëndi shpotitëse. Ishte operativi i sigurimit që terrorizoi në internim familjen tonë. Në ato kohëra të tmerrshme, ai çfaqej herë pas here si hijenë që ushqehej me gjak e gulçima të pafajshmish, ashtu siç ishin mësuar të trajtonin të pambrojturit,  ata, monstrat e sojit të tij.

Hëmmm….si të mos mjaftonte pandëshkueshmëria dhe mos bërja e drejtësisë, një rastësi e pakëndshme, por aspak e habitshme, e solli ta kisha epror për disa vite në periudhën postkomuniste………ai mizori, që na kishte ngjallur krupën, ai shërbëtori i pashpirt që na kishte imponuar të duronim në heshtje kërcënimin e shpatës së “Demokleut”, ai kameleoni, ishte ngarkuar nga ish Partia e tij “e reformuar” të “godiste” padrejtësitë e diktaturës dhe të propagandonte vlerën e demokracisë!!!! ……Hipokrizi  ulëritëse!!!!

……Ai i paudhi, dhe përbindshat e llojit të tij, në emër të të njejtit ndëshkim përjashtues të stilit komunist, në pamundësi tashmë për t’i burgosur e internuar viktimat e tyre, hodhën në rrugë të madhe, të papunë, qindra, mijra të mbijetuar të regjimit. Me sa duket, maska e engjëjve është tejet e rëndë për ato qenie diabolike. Shëmbëlltyra  e djallit u shkon për shtat.

…….Disa minuta më pas, teksa ngjisnim shkallët e institucionit, gati po na mbyste dilema dhe padurimi për përgjigjet e pyetjeve që na mundonin prej një jete të tërë.  Vallë do gjenim në ato dosje të vërtetat që kishin shoqëruar persekucionin e familjeve tona? Do arrinim të identifikonim emrat apo pseudonimet e personave që ishin shkaktarë, apo të përfshirë në projektimin e atyre  krimeve makabre?

Tentativat hipokrite të post diktaturës për të zbardhur krimet e komunizmit, prej shumë vitesh na kishin vendosur nën pushtetin bllokues të një skepticizmi e mosbesimi të natyrshëm. Nje zë i brendshëm, i formëzuar nga përvojat e hidhura e të gënjeshtërta, na përsëriste se edhe këtë rradhë, gjithë kjo iniciativë propagandistike për të hedhur dritë mbi faqen më të errët të historisë së diktaturës, do të rezultonte një flluckë sapuni. Kriminelët komunistë kishin patur kohë të mjaftueshme për të pastruar e zhdukur gjithë implikimet e tyre në masakrat  kundra qindra,  mijëra shqiptarëve…….kësisoj krimi komunist nuk do të kishte përmasat e frikshme, të papërsëritshme, të pakrahasueshme me asnjërin prej vendeve që përjetuan ferrin e atij regjimi mizor.

Sakaq, na orientuan të hynim në një zyrë modeste, ku dy nëpunës mjaft të predispozuar e të sjellshëm, ishin të gatshëm të na informonin për kërkimet e kryera në arkiva…….

– Vallë, kush ishin kriminelët e përfshirë në masakrimin, dhe më pas djegijen e trupit të atit  të bashkëshortit  tim, dhe miqve të tij nacionalistë?

-Cilët ishin personat që terrorizuan tim atë, e më pas edhe familjarët e tjerë, ku nëpërmjet kërcënimeve e shantazhit, iu kërkua dhunshëm të shndërroheshin në  bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit?

– Kanë një emër të shkruar personat që projektuan degdisjen në internim të familjeve tona, në kampin me tela me gjemba të Tepelenës, e më pas në kampe të tjera?

….Nga këto pyetje të ethshme, por të heshtura, të bllokuara në kufijtë e një monologu kryengritës, na shkëputi zëri mbështetës i nëpunësit. Me entuziasmin e natyrshëm të një personi që ka nderin të përcjellë një sihariq,  na njoftoi se nuk rezultonte të kishim bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit….. a thua se nuk e njihnim këtë aspekt të jetës sonë. Në atë situatë tragji-komike nuk po e kuptoja dot nëse duhet të qeshja apo të qaja…..

Me tej, me ton dashamirës që nuk përputhej aspak me informacionin e mangët,  na siguroi se në dokumentat arkivore, nuk ekzistonte asnjë implikim për ne dhe etërit tanë…….me pak fjalë, nuk figuronim të ishim survejuar apo favorizuar nga Sigurimi i Shtetit. Dhjetra vite vuajtjesh të pashëmbullta, me përfshirje nga më çnjerëzoret të atyre qënieve monstruoze,  ishin përmbledhur me tre-katër fjalë ……….Nuk po u besonim veshëve.

Teksa dëgjoja këto shtrembërime të turpshme, përpiqesha të përfytyroja atin e tim shoqi, të cilin dashuria për Shqipërinë etnike, të çliruar nga pushtimi kriminal sllavo-komunist, e detyroi të hiqte dorë nga e ardhmja e ndritur, si student i shkëlqyer i inxhinierisë, në një nga universitetet e Italisë. Në një luftë të pabarabartë disa vjeçare kundër bandave terroriste të sigurimit, në mes të acarit dhe urisë, së bashku me miqtë e idealit, dha jetën e tij të re në malet e vendlindjes.

Përfytyroja gjithashtu tim atë të torturuar, të lidhur kokë e këmbë, tërhequr zvarrë për muaj të tërë. Përmes kërcënimeve për jetën e tij, të bashkëshortes dhe tre fëmijëve të mitur, nën peshën e dhunës fizike dhe psikologjike, ai duhej të pranonte të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Im atë duhej të nënshkruante një dokument. Një firmë e vetme që e damkoste me vulën e turpit. Një firmë nën terror, që e detyronte të përdhoste vlerat e familjes, e të pështynte mbi gjakun e të atit dhe qindra mijëra shqiptarëve të tjerë që u ekzekutuan për të mbrojtur lirinë e të drejtat njerëzore. Disa shkronja të shkruara nga një dorë e dridhur, që do ta obligonin t’u bënte gjëmën miqve të tij më të ngushtë. Ishte si të thuash një pakt i dëshpëruar me djallin, për të helmuar me tej jetët e njerësve që ishin po aq të vuajtur e fatkeqë sa ai……ai, ati im i dashur,  qëndroi….rezistoi…. Refuzimi i tij pasoi me internimin familjar që mori fund vetëm me rënien e diktaturës.

U befasuam. Skepticizmi i atij proçesi farsë, i tejkaloi dhe parashikimet tona më dekurajuese. Pritshmëria modeste për të njohur emrat e xhelatëve të dukshëm e të padukshëm, të njohur e të panjohur, rezultoi mision i pamundur. Funksionarët e Sigurimit të Shtetit i kishin zhdukur të gjitha përfshirjet e tyre në krimet mizore ndaj fateve të qindra, mijra bashkëvuajtësve tanë. Por ndërkohë, ishin të ngazëllyer të zbulonin emrat e viktimave të brishta,  që nën presion ishin thyer, ishin gjunjëzuar, duke pranuar dëshpërimisht bashkëpunimin me djallin.

Të helmuar, zbritëm me përtesë shkallët dhe u larguam nga ai institucion. Sakaq, vapa ishte bërë më përvëluese, dhe gjethet e pemëve kishin ndalur fëshfërimën e tyre. Dukej sikur kishin vendosur të heshtnin për t’u solidarizuar me zhgënjimin tonë. Një tjetër gënjeshtër, një tjetër tymnaje për të mos lejuar kurrë zbardhjen dhe dënimin e krimeve të komunizmit dhe të veglave të tyre gjakatare.

Vallë, ku janë ata kriminelë?  Kanë nevojë të jenë të padukshëm???….Përpiqen vallë të fshihen?… Aspak……..janë aq sfidues e të sigurtë në botën e tyre të mbrapshtë, të larë me lot dhe shuarje jetësh të pafajshme….e si mund të ndodhë ndryshe kur ekzekutimet, burgimet dhe internimet e qindra, mijëra bashkëkombasve, janë katandisur në fraza të thata e copa letrash pavlerë, që fshehin në heshtje dhimbjet e plagët e pakuruara,  që ende pikojnë gjak???

KJO ËSHTË FARSA DEMOKRATIKE E KOHËS QË PO JETOJMË.

 (Në kujtim dhe nderim të etërve tanë qëndrestarë, Ndoc Kol Mirakaj dhe Nevzat Muhamer Liço, si dhe gjithë bashkëatdhetarëve të tjerë që i rezistuan mizorisë dhe terrorit  të bishës komuniste,  ndonëse shumë prej tyre paguan me jetë).

Filed Under: Politike Tagged With: “Dosjet” zhgënjyese, Alma LIÇO, të Sigurimit të Shtetit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT