KONSULLATA E PËRGJITHSHME E KOSOVËS URON KRYETARIN E RI TË VATRËS, Z. DRITAN MISHTO/
Komuniteti Shqiptar në SHBA e ka mirëpritur zgjedhjen e z. Dritan Mishto në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës. Organizata dhe individë nga komuniteti shqiptar i kanë dërguar z. Mishto urime të ngrohta duke shprehur besimin se Vatra, Organizata historike 105 vjecare e shqiptarëve të Amerikës, ashtu si për më shumë se një shekull do t’i shërbejë me përkushtim cështjes Kombëtare dhe do t’i prijë komunitetit shqiptar të Amerikës.
Gjatë ditës së djeshme kryetari i sapozgjedhur, z.Dritan Mishto, mori urime nga Konsullata e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork.
Po e sjellim të plotë urimin zyrtar të dërguar nga zonja Teuta Sahatcija, Konsulle e përgjithshme:
REPUBLIKA E KOSOVËS
KONSULLATA E PËRGJITHSHME NË NJU JORK
REPUBLIC OF KOSOVO
CONSULATE GENERAL IN NEW YORK
NJU JORK, 12 QERSHOR 2017
I nderuar z. Dritan Mishto,
Më lejoni fillimisht të shpreh mirënjohjen time për Ftesën bujare për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”. Do të ishte një nder dhe kënaqësi e madhe që t’Ju bashkohesha në këtë datë historike të 10 Qershorit, jo vetëm për faktin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por 10 Qershori shënon edhe një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, atë të tërheqjes së trupave okupatore dhe fundin e pushtimit të Serbisë mbi Kosovën.
Unë me kënaqësi mora lajmin për ardhjen Tuaj në krye të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”. Përfitoj nga ky rast, i dashur Dritan,t’ju përgëzoj përzemërsisht dhe t’ju uroj sukses në kryerjen e detyrave tuaja të reja. Dua gjithashtu të rikonfirmoj gatishmërinë time për të bashkëpunuar me Vatrën në dobi të interest të përgjithshëm.
Kujtojmë se Kosova është Republikë e pavarur, e njohur nga shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, në proces të integrimit në struktura euro-atlantike dhe pjesë e organizmave të shumta ndërkombëtare politike, ekonomike e sportive. Qytetarët e Kosovës, janë më të vendosur se kurrë, që në partneritet me SHBA-të dhe vendet e BE-së, ta bëjmë Kosovën shtet të denjë të familjes Europiane, pjesë të NATO-s dhe të zhvilluar ekonomikisht.
Duke dëshiruar t’ju shoh së shpejti tek vizitoni Misionin Diplomatik të Republikës së Kosovës në Nju Jork, Ju përshëndes me Konisderatat e mia më të larta!
Teuta Sahatcija
Ambasadore
Nju Jork, 12 Qershor 2017