NGA PËLLUMB GORICA/
Zhvillimet e vrullshme të kohës drejt teknologjise dhe informacionit e kanë bërë Njerëzimin të rendë përpara për ta sfiduar. Kompjuterizimi dhe interneti, dominuese në këtë kohë si ekperiencë e re e me vlerë klasike, kanë krijuar dembelosje në përgjithësi. Kjo ka bërë të mundur që kontakti me librin të jetë i paktë, ose krejtësisht i mënjanuar. Edhe pse duhet pranuar se sot shumë pak lexohet libri artistik, vitrinat e librave mbushen plot përditë me tituj të rinj. Në fakt, katrahura e kohës po tregon një realitet tjetër. Një realitet të prekshëm që çdokush i dashuruar pas fjalës së shkruar ndjen keqardhje dhe dhimbje tek sheh se, ashtu si mielli i përzier me krundet, ka rendje drejt sasisë në dëm të cilësisë. Sepse interesi e kamercializmi,në një shoqëri të sëmurë janë bërë dhe po bëhen dominues. Pra, duke parë këmishën e parasë kësisoj shmangin krijuesin e vërtetë, atë që prodhon vlera.
Kështu, sot është bërë tregimtar, poet, romancier, apo monograf, ai që hedh para, duke u futur gjer në antologji, në varësi kjo edhe prej lulëzimit të biznesit mediatik e në dëm të artit, por edhe prej plagjiaturave të krijimeve. Sidoqoftë, të shkruarit masiv ka një të mirë të madhe se shtohet numri i njerëzve që komunikojnë artistikisht dhe poetikisht, por është bërë tepër shqetësuese, për ngritjen e ativlerave, si një nga plagët e “tregut të lirë”. Më shqetësuese është fabrikimi i librave e tregëtia fame që tregojnë me se miri fytyrën realitetit botues. Ky fenomen do vazhdojë përderisa merr penën në dorë kushdo që mundohet të lërë diçka pas në emër të krijimit artistik, e me një etje për lavdi, por që ka errësuar vlerat, ndaj është e vështirë të përcaktosh talentin e vërtetë. Po shkruajte libra, pretendimi i cilido është se ndjehet tregimtar, romancier poetë me delir madhështie. Ndodh që, redaktorët i pasurojnë krijimet e këtyre mediokërve me figuracione të errta, të cilët edhe ai që ka emrin në kapakët e librit nuk i kupton. Por, edhe e një morie artikullshkruesish, që bubërrijnë kafeneve, të shfaqen për të thurur kaq shumë lavde ndaj tyre, duke i bërë të njohur npërmjet reklamimeve publike në gazeta, portale, dhe ato vizive. Shkrimet kritike që gatuajnë këta redaktorë janë me superlativa për këta krijues mediokër dhe aq formale sa që rrallë, në vend të zhbirohen në to vlera me prirje analitike të mirfilltë, modifikojnë më shumë fjali të ngjeshura strukturale e estetikisht të dobëta. Jo rrallë këto shkrime nga mënyra e të kompozuarit, thellësia e konceptimit të mendimeve dhe këndvështrimit, janë kopje e njëra-tjetrës.
Gjithçka mund të ndodh në këtë botë rrëfenjash që, organizime krijuese dhe individë drejtues, redaktorë, të cilët në fakt nuk janë të tillë, pa asnjë nivel artistik e sekserë, kanë vënë në evidencë fitimin me marifete, që bien ndesh me moralin shoqëror. Kush mundet të shfrytëzojë me shumë rastin për “promovim vlerash”, ndërkohë që bëhet spekulative ajo e disa klubeve letrare, të cilat grumbullojnë rreth vetes fillestarë entuziastë për suksese krijuese. Ky është produkti i sotëm i “zhvillimit” të demokracisë dhe globalizmit. Para pak kohësh në Tiranë u botua nga një organizëm krijues, pompoz në dukje e gjoja të përhapur në botë, një antologji poetike (që e tillë nuk ishte) si shumë nga antologjitë private dhe miqësore, të cilat janë shfaqur si këpurdhat pas shiut. Shumica e emrave të antologjive janë të panjohur për lexuesit. Natyrisht nuk guxoj t’i quaj poetë, por thjesht bejtexhinj, mbasi ata, edhe pse kanë botuar, nuk kanë arritur të shpalosin para nesh profile vlerash poetike. Duhet pranuar se i njohur mund të bëhesh edhe thjesht me një poezi ose libër. Ndonëse këtë e kanë vërtetuar më së miri shekujt, dhe jehona e një poezie, apo një libri, vjen vetëm ndërmjet magjisë artistike. Poet, apo shkrimtar nuk të bën botimi në antologji e as elozhet e format e propogandë mashtruese të X organizëm krijues, apo X autori në rrjetet sociale internetike e mediat e shkruara. Nuk mund t’i ndalësh njerëzit të shkruajnë apo botojnë, por mund të kontrollohen dhe vlersohen konkurset me çmimet që u jepen gjithkujt dhe nga gjithkush. Koha po tregon se po mbushemi me “poetë, shkrimtar, historian”, që seicili lexon ato që ai vet ka shkruar. Natyrisht më vonë këto “talente” humbasin pa nam e nishan. Koha do t’i seleksionojë. Kështu ka ndodhur gjithmonë. Ç’mund të presësh kur në një gazetë botohen në çdo numër mbi njëqind autor (ejani se u bë deti kos), dhe thuajse të gjithë marrin çmime! Autorët e tillë mediokër botojnë me shumicë e u shitet pak libri, thuajse në kufijtë e asgjës, dhe përfundojnë si stoqe, e i gjejmë rrugëve në tortuare si mall i skaduar, madje, edhe aty ku dhurohen midis miqve e të njohurve, të cilët zverdhen kur marin në dorë një libër të dobët ato mbesin të palexuara. Ndërsa, të talentuarit e vërtetë, në përgjithësi, nuk kanë mbështetje financiare dhe përkrahje shoqërore për të botuar në gazeta, revista dhe librat e tyre. Në mëndje më vijnë fjalët e një poeti të njohur që kujton Migjenin, kur në fundvitet ’30 të shekullit të kaluar, i botonin në pak vend andej nga fundi i faqeve të gazetës vargjet e lira, sepse mbusheshin me paçavure poetësh, që sot koha i ka harruar. Ndërsa, vërejmë se poetë dhe shkrimtarë, që kanë një traditë të konsoliduar në art janë diferencuar e nuk po nxjerrin vëllime të shpeshta për të bërë bujë. Shtrydhin pjekurinë dhe librat e tyre lenë gjurëm tek lexuesi.
Ndaj, drejt vijueshmërisë së letërsisë së sotme, kjo prirje që, jo vetëm po thellohet e po shkon kah denigrimit, por, edhe po humb gjithnjë e më shumë e me tej besueshmërinë si te krijuesit e mirfilltë edhe te lexuesit që janë barometri i cili mat klimën artistike, ndaj duhet të minizohet si dukuri. Shpresojmë që koha të korrigjojë shumë gjëra, duke bërë një seleksionim më të mire të vlerave letrare, sepse gjithë kjo prurje shkrimesh pa fund shërben si dheu ku fshihen grimcat e arta. Duhet të ndëgjegjësohemi, që krijimtaria me vlera të mos shitet aq lirë tek matrapazët, që si qëllim kanë fitimin dhe jo vlerat e atyre që botojnë. Nuk ka rrugë tjetër në këtë kohë lirie pa limit, përveçse të kalohet indiferent para mediokritetit. Me anomalitë e theksuara, vlerat letrare, herët apo vonë, dalin në sipërfaqe, duke e gdhendur emrin në mermerin klasik të memorialit të letersisë sonë, në të gjitha gjinitë në përgjithësi. Një shoqëri e shëndoshë matet edhe nga fakti sesa ndihmohen e përparojnë të talentuarit. Për rolin paraprijës që ka arti kërkohet inkurajim, evidentim, por edhe origjinalitet. Kërkohet jo vetëm të zbulohen, afirmohen me realizëm të talentuarit, por edhe t’u krijohen hapësirat, klima e nevojshme për zhvillimin dhe rritjen e tyre, inkurajimin dhe konsolidimin e vet si një pikënisje përkrahëse të të aftëve, duke çelur udhë të reja në ecjen e bukur drejt majave që, në të ardhmen, të jenë vërtet një vlerë e krijimtarisë sonë letrare.