“Por i urti kurr nuk ngutet /
Prej burrnije e jo prej tutet”/ Atë GJERGJ FISHTA/
Shkruan: Eugjen MERLIKA
Në hapësirën e tri javëve (21 shtator – 14 tetor) Shqipëria tërhoqi vëmëndjen e opinionit politik e publik të botës, në një periudhë të ndërlikuar të këtij fillim shekulli që, në përftyresën e përgjithëshme në vitin madhor 1989, duhej t’ishte ai i paqes, i mirëkuptimit dhe i mirëqënies, por që sot po shfaq një pamje krejt tjetër.
21 shtatori, me vizitën e Papës Françesku në Tiranë, i dha njerëzimit të sotëm përfytyresën e një sprove të shkëlqyer, të një shembulli për t’u eksportuar në zona të gjëra të botës në kundërshti të vazhdueshme për motive fetare, nëpërmjet mirëshkuarjes së besimeve të një populli të vogël, drejtuesit e të cilit, njëqind vjet më parë, me shumë zgjuarësi e largpamje i kishin shtënë në ADN-n e tij shpirtërore respektin e dashamirësinë ndaj bashkatdhetarëve me besim tjetër.
14 tetori, në një ndeshje futbolli të zakonshme në stadiumin e Beogradit, nëpërmjet veprimesh të krahasueshme me faqet më të zeza të tifozerisë botërore, u mundua t’a errësojë e përgënjeshtrojë imazhin e 21 shtatorit. Në synimin e fqinjëve tanë serbë ndoshta ishte rrëzimi i “mitit” të 21 shtatorit, i imazhit të shqiptarëve simbol tolerance e mirëkuptimi, faktor paqeje e qëndrueshmërie të rajonit. Këtij synimi, sado pak, i u arrit në sajë të një ballone të telekomanduar që, në çfarëdo çasti të jetës së përditëshme, e ngritur në çfarëdo qielli të botës, do të quhej vetëm një zbavitje e atij që e kishte ideuar.
Në kuadrin e ndeshjes që zhvillohej në stadiumin Partizani, ndërmjet përfaqësueseve të Shqipërisë e të Serbisë, mori vulën e “provokacionit”, duke sjellë pasoja dramatike. Duke shqyrtuar objektivisht atë që ndodhi para dhe gjatë ndeshjes, na del përpara një kuadër me të vërtetë mjeran, tepër larg parametrave të qytetërimit, i gjithë organizimit të kësaj veprimtarie. Kufizimi i pajustifikuar dhe i paparë i sportdashësve shqiptarë në shoqërimin e skuadrës së tyre në kryeqytetin serb, masat e jashtzakonëshme të kontrollit edhe për ata pak të ftuar të FSHF-së, apo punonjësve të medias shqiptare e, mbi të gjitha, fishkëllimat e publikut kur ekzekutohej hymni kombëtar i skuadrës mike, duke arritur një kulm të turpshëm me korin “vrisni shqiptarët” që ishte bërë refreni i pambaruar i shkallëve të stadiumit Partizani, jepnin më shumë idenë e arenave të gladiatorëve të Romës së lashtë se sa atë të një shfaqjeje sportive n’Evropën e vitit 2014.
Në këtë mjedis, aspak ftues e miqësor, skuadrat zbritën në fushën e blertë për të zhvilluar një lojë të vlefshme për eliminatoret e kampionatit evropian të vitit 2016. I vetmi faktor pozitiv që ndihmonte në një masë të konsiderueshme, normalitetin e lojës ishte prirja e 22 futbollistëve për të luajtur futboll, pa u bërë pjesë e histerisë masive të shkallëve të stadiumit. Gjysëm ora e parë e ndeshjes tregoi një farë epërsie territoriale të vëndasve, më shumë pasojë e zgjedhjeve taktike të trainerit italian, por pa krijuar rrezikshmëri në portën e mbrojtur nga Berisha. Nga minuta e tridhjetë deri në ndërprerje loja ndërroi fizionominë e skuadra shqiptare pati dy raste të mira shënimi.
Ky është çasti vendimtar i përcaktimit të ecurisë së ngjarjes. Tifozëve, të tërbuar nga zhvillimi i lojës, nuk i mjaftuan më thirrjet për “vrasjen e shqiptarëve” dhe u shtynë më tej në shfaqjet e histerisë kolektive, duke hedhur në fushë objekte të ndryshme, madje edhe topa zjarri. Në kësi rastesh, zakonisht, gjyqtari ndalon përkohësisht lojën, thërret kapitenët e skuadrave, i jep një ultimatum publikut e, në rastin më të parë të përsëritjes s’atyre veprimeve, ndërpret përfundimisht lojën, duke i përcjellë raportin Komisionit disiplinar të UEFA-s, që i jep fitoren në tavolinë skuadrës mike. Kishte shumë gjasë që i tillë të kishte qenë përfundimi normal i kësaj ndeshjeje.
Por në çastin që tejshihej ky përfundim shfaqet në fushë droni me flamurin shqiptar dhe hartën e Shqipërisë etnike e portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit. Qe një “dorë nga qielli” për serbët, për t’u nxjerrë atyre “gështenjat nga zjarri”, që ata e kishin ndezur e rrezikonin të digjeshin vetë brënda. Pasojat e shfaqjes janë të njohura, por veprimi, në kuadrin e përgjithshëm së bashku me kundërveprimet më të ndryshme të politikave, të mediave, të opinioneve publike, meritojnë një shqyrtim objektiv e racional. Sa i përket pjesës serbe, deklaratave të botës politike, megjithë respektin e detyruar që qytetërimi imponon për mendimin ndryshe, më duket se nuk ka asgjë për të debatuar. Ato janë aq të varfëra në argumenta, aq të prapambetura në mendësi, aq absurde në përmbajtje, sa që bëhen hi e pluhur në përballimin me logjikën më të thjeshtë.
Logjika më e thjeshtë kërkon që organet e sigurisë serbe, brënda pak orësh duhet të kishin qartësuar para popullit të tyre e para botës se kush ishte autori i shfaqjes së dronit e cili ishte qëllimi i saj. Duhet të shpjegojnë edhe si mundi të sendërtohej një dukuri e tillë në stadiumin e blinduar të Beogradit. S’kanë bërë asgjë në këtë drejtim, gjë që ushqen dyshimin se mund të kenë qenë vetë ata ideatorët e shfaqjes.
Veshja e përgjegjësisë kuturu shqiptarëve, pa saktësuar faktet në imtësi, e pa nxjerrë përgjegjësitë konkrete, mund të jetë e vlefshme për metodologjinë komuniste të “luftës së ftohtë”, por jo për Evropën demokratike të ditëve tona. Megjithatë, fatkeqësisht, vendimi i fundit skandaloz i komisionit disiplinar të UEFA-s, për ndeshjen Serbi – Shqipëri, tregon se edhe segmente apo institucione të veçanta t’Evropës, jo gjithmonë respektojnë parimet themelore të saj. Besoj se shkallët e tjera të gjykimit do të venë në vend të drejtën e përfaqësuese sonë, e cila është mohuar jo n’emër të rregulloreve, por të real-politikës.
Por edhe kundërveprimi i shqiptarëve, në nivel politik e opinioni publik, mendoj se la mjaft për të dëshiruar. U ndoq “hullia serbe”, në metodikat e kundërveprimit, u përvehtësua deri në hymnizim dukuria e shfaqjes së flamurit, pa njohur të vërtetën e pa u thelluar në pasojat e saj. Dashuria ndaj Atdheut e simboleve të tij ka një mori mënyrash shfaqjeje e nderimi e nuk më duket se gjetja e Beogradit ishte më e mira e tyre. Ajo vuri në rrezik jetët e futbollistëve tanë që, në gjithë vorbullën e ngjarjes dramatike, qenë ata që merituan respektin e konsideratën e të gjithëve, si për atë që treguan në fushën e lojës ashtu edhe për shpjegimet e pohimet mbas kthimit n’atdhe, në të cilat spikat edhe vlerësimi për sjelljen e kolegëve serbë. Qenë ata më pranë mendësisë bashkëkohore të marredhënieve mes popujve, u treguan shqiptarë të mirë dhe evropianë të pjekur.
Poiltika dhe opinioni publik, në një masë të madhe, ra në grackën serbe, duke marrë në mbrojtje tërthoras një veprim që ishte arma e vetme (çfarë arme!) që i kishte mbetur serbëve e arsyetimeve të tyre mjerane e dashakeqe, të shprehura në deklaratat e Kryeministrit, të Presidentit apo të Ministrit të jashtëm. Autoritetet shtetërore, në mungesë të Kryeministrit, nuk patën kurajon të mohonin publikisht përgjegjësinë e tyre në një veprim pa autor, ose në rastin më të mirë, me një autorësi vetiake të papeshuar e kundërprodhuese. Në vazhdën e deklaratave serbe Kryetari i Opozitës i kërkoi Kryeministrit të anullojë vizitën e paracaktuar në Beograd.
Do të kishte qenë një gabim i madh, jo vetëm për faktin se binte ndesh me opinionet e aleatëve tanë, por do të ishte një tregues negativ edhe për aftësinë tonë, si shoqëri e si Shtet, për t’u ballafaquar me problemet e për të mbrojtur argumentat tona, në dobi të një imazhi që të tjerët, së pari serbët, mundohen t’a errësojnë.
Rama e Vuçiç, përfaqësues të një brezi të ri të politikanëve të Vendeve të tyre duhet të shpalosin një përceptim bashkëkohor dhe evropian të marredhënieve mes popujve të tyre, duke u shkëputur nga metodat e së shkuarës, por edhe duke e njohur e studjuar atë të shkuar, që daton së paku trembëdhjetë shekuj, shumica e të cilëve nuk janë shquar për luftëra, por edhe për bashkëpunim. Kjo vlen kryesisht për Kryeministrin serb, sepse shqiptarët objektivisht kanë pak ose aspak gjynahe kundrejt serbëve, të cilët nuk duhet të harrojnë bujarinë e fisnikërinë shqiptare në vitin 1915, kur 150 mijë ushtarë të tyre, të mbetur në një çoroditje të plotë në malsitë e veriut të Shqipërisë, u kthyen në atdhe pa u hyrë ferrë në këmbë.
Dy kryeministrat duhet të tregohen të vetëdijshëm për rolet e tyre në përballimin e problemeve të një gadishulli, që ka mbetur mbrapa zhvillimeve të kontinentit e që duhet të nisë revanin për të fituar kohën e humbur. Pavarësia e Kosovës ka hequr nga fusha e lojës pengesën më të madhe. Sot çështjet në diskutim mbeten vetëm pakicat shqiptare në Preshevë, Bujanovc e Medvegje dhe njohja zyrtare e Kosovës. Janë probleme që me pak vullnet të mirë, me pak realizëm politik e me më shumë shmangie të tabuve të së shkuarës, mund të gjejnë zgjidhje shumë të mira. Serbë e shqiptarë kanë në dorë të ndryshojnë përfytyresën e Ballkanit nga një “fuçi baruti”, nga një “shprehje gjeografike”, në një trevë ku Evropa, sa më shpejt të ndjejë frymëmarrjen e saj të plotë. Ky duhet të jetë synimi i së ardhmes, i pjesës më të mirë të shoqërive të këtyre Vendeve. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë në drejtim të Evropës, serbët i tundojnë përsëri sirenat e motrës së madhe, por brezi i ri kërkon vendin e tij n’Evropë.
Kjo politikë ndërtuese nuk do të thotë varrosje të problemit kombëtar shqiptar, por shtyrje të tij në kohë. Pohimi i Kryeministrit Rama se “Serbia normale do të jetë realitet veç kur Serbia reale do të kuptojë se Shqipëria e Madhe është makthi i tyre, jo projekti ynë.”, shkon mirë për t’u përdorur në gjuhën e politikës së jashtëme për çastin, por nuk mund të jetë vendimi i pakthyeshëm i fatit të një populli, që do të dijë të sendërtojë aspiratën e tij shekullore në kushtet e reja të një Evrope të re e të bashkuar.
N’atë Evropë, me të gjithë Ballkanin brenda, nuk do të ketë më vend për shfaqje mesjetare të urrejtjes e të dhunës si ajo e 14 tetorit 2014 në stadiumin e Beogradit.
Tetor 2014