Pamflet poetik nga Rafael Floqi/
“Nëse liria në fund të fundit do të thotë asgjë, kjo do të thotë të kesh drejtën t’u thuash njerëzve atë që nuk duan ta dëgjojnë.”– George Orwell/
Kush e pandehte/
këtë kohë /
pandemie/
që të gjitha vlerat tona sociale,/
të rrëkëlleheshin kthyer përmbys/
me vetëdije, /
tok me rumpallën në një theqafje proverbiale?/
E kur liria në zgrip të humnerës /
të na lutej ta pranojmë si normale,
në emër të ankthit për jetën,
në panikun e përmbysjes së botës,
një “arrest shtëpie” pa faje ?
Dhe
për ta shmangur,
për të larguar nga vetja paranojën
i lindi një ide
e klithi “Eureka! ”
pasi tani ia kishte më shumë nevojën
me zulmë dhe me tamtam
si të qe një sulltan
shpërtheu fort e plasi : “Tash e gjeta!”
U lehtësua disi,
dhe shpalli shpejt e shpejt
një kartë si një ferman
që ta kishte si mjet si ilaç
sa për derman,
për t’ia ndrequr mirë qejfin
këtij populli haram,
dhe shahu të kam dhjerë
që më s’ kuptoi asnjëherë
se ç’ gjeni kishte për lider.
“Në fillim tërmeti, tha,
dhe tani kjo flamë,
duket se më qëlloi për të mbarë,
pasi do të mund t’ua provoj
atë që as në ëndërr
ende ata s’e kanë parë.
Kam për t’ia nxjerrë zgërlaqin
s’i kurrë ndonjëherë më parë
e sikur pak hezitim të shfaqin,
apo të guxojnë e t’ më përqeshin
do t’ua ha siç thotë fjala
si zemrën ashtu edhe veshin.
Por si çdo ferman me vlerë
dhe për t’i ngjarë luanit
i duhej dhe një myhyr për vulë
e la mjekër si të Ismail Qemalit.
I dukej një titull i ri, disi filmik
ezoterik si “Lord of Rings”
që të ngjallte frikë,
të ngjallte dhe panik, shum panik
të ishte aktual
i duhej sa më shpejt, tani për tani
ndaj u bë nun i vetes, në “Selfi TV”
e thirri sa gjëmoi ekrani :
“Sot lindi “Lord of Corona”,
rroftë e qoftë sa malet tona!”
“Në shtigje të reja po shkel”,
i dha vetes bëju gajret,
kaq larg as baca Enver s’guxoi.
dhe për hajër ndoshta na del.,
Tani mund t’ua bëj rup- sup,
ashti si vëlla Erdogani më këshilloi,
“Bëj, para më tha, e mos u tut!”.
I duhej një hile, i duhej një pretekst
E gjeti, tek Covidi dhe tek Pandemia
Ndaj që sot urdhëroi me të madhe:
në tellalomedia:
Askush në rrugë pa lejen e tija.
“Ta marrë vesh ky popull halabak,
se erdhi më së tani dita e jona,
që të thonë babë, duhet dajak,
pasi ende s’ka parë gjë akoma”.
Dhe i kënaqur
siç u duk
u ul të flasë në Facebook,
takim gjuhë më gjuhë,
me popullin muhabet
dhe një selfi sa për t’u duk,
pasi deshi të dinte vërtet,
si po pritej “kjo luftë e re”.
Kishte kohë, mendoi
që kishte pritur diçka si kjo
një herë madje tentoi,
me ca mbetjet bërthamore
po nuk i doli gjë ajo.
Kjo pandemi qe superiore,
pasi në luftë askush s’të gjykon
pasi të gjithë i druhen asaj prore.
Covidi qe rasti që ai kish pritur
murtaja e lashtë s’qe gjë para tij,
dhe tani pasi e gjeti alibinë
i duhej të realizonte magjinë.
Ndaj, papritur doli në “Selfi-TV”
e u lut si myezini gjatë namazit
muzës së luftës të Zotit “Mars” :
e thirri “O Luftë, luftë ku je ti?”
Luftë ku je,
se po plas marazit.
Luftë,
po me kë?
Në ka luftë, ku është armiku
s’po sulmon njeri në kufi?
Luftë !
“Sa më e madhe gënjeshtra
aq më tepër e vërtetë”,
thoshte dikur Gëbelsi idhulli i tij,
librin e të cilit e lexonte çdo natë .
“Në luftë, krizë apo pandemi
fiksojini njerëzit mbi një ide
aq sinqerisht, aq jetike,
sa që në fund
t’i nënshtrohen të gjithë asaj
sa kurrë
të mos shpëtojnë pastaj
prej frike”.
Luftë!
Pa liri dhe pa dinjitet,
çfarë luftë pa luftë
luftë me ligj
dhe pa armiq ?!
“Të bëjmë, tha me vete,
dhe një provë tjetër,
se e kam 21 vjet që e kam fiksim,
të shembin edhe atë Teatrin e vjetër,
pasi sot e gjeta justifikim.
Kështu pra ,
edhe pse se rrëzoi dot tërmeti
do të kishte qenë më mirë
të shkallmohej me urdhër hyqymeti.
Ta rrënoj atë qafir.
Të dy zogj të vras me një gur
ta shembim me që s’i plotëson
kushtet e duhura të distancës sociale,
e që mos i bjerë kujt në mendje kurrë
t’u bjerë ndesh urdhrave personale.
Me Lali Erkën e ndreq vetë lehtë
se mjaft i mbulova ca palo skandale.
Budallai pret të më zërë vendin,
e me që s’ma mban menderi
le të firmosë ai për këtë punë me hile
le ta bëjë ky zagar xheloz nga zori.
atë që se bëri kuvend me ligje
se s’u bë fare prej qametit
mjafton t’ ia kujtoj prapë
se kanë mbetur ca shkallë pa lyer
qysh nga koha e tërmetit”.
Luftë
por asnjë bombë nuk ra
por vetëm njëra qe e paparë
e vetmja godinë që u shemb
qe ajo e Teatri Kombëtar
që popullit gjithëmbarë
më shumë se politikës
i dhembi.
“Po me teatrin ç’ patën”?,
kujtoi një aktor një batutë filmike.
Një tjetër ia ktheu papritur
me një referencë të lashtë historike:
”Njësoj si Neroni i marrë,
kur i vrarë si tiran
besonte se vdiq si artist
dhe tha fjalët
që mbetën” përherë
Qualis artifex pereo!” dha shpirt dha.
Por famëkeqit
koha s’i lë gjurmë tjetër
veç emrin e keq ndër shekuj,
pavarësisht seç pallat
ndërtoi më vonë.
vetëm për djegien e Romës
historia edhe sot e kujton.
Jo, jo mos mendoni ju,
se e gjitha kjo
është vetëm punë parash,
punë oligarkësh,
punë korrupsioni,
Jo, jo, ajo nisi më herët
si një hakmarrje e ftohtë
e një artistit dështak si Neroni.
Por ndoshta jemi popull pafaj,
që kemi si shprehje idiote
“ hapi udhë të marrit”,
dhe dihet pastaj rezultati
është i njëjtë si ai i zjarrit.
Si a i Neronit që dogji Romën dikur
dhe fajësoi për të krishterët
ky po e shkallmon Tiranën
dhe ky po fajëson për të tjerët ”.
Pasi ai mendon se këtij populli,
kaq ja pret
po s’u bind, s’e di,
ç’ ka për ta gjetur.
“Nëse nuk je dakord,
me ne o popull,
është vetëm për fajin tënd
pasi ti
s’je në lartësinë tonë të dëlirit
nuk je një popull me vizion
për të kuptuar vlerat e më të mirit,
se ti je popull bukëshkalë, pa fantazi
s’di asgjë tjetër përtej efirit,
me të cilin ne të ushqejmë.
Ndaj t’i s’na rrok dot,
nuk sheh aq lart aq sa ne
andaj rri urtë, mos pipëtij,
pasi ka edhe luftë tani
e në mos do të ikësh prej Covidit
t’i mund të vdesësh pa plumb
si mosmirënjohës së të “mirës,”
apo kotheren ta humbasësh papritur,
mendoje mirë ‘’Urtë e butë”
sa fiton dhe sa e sa humb
mos u trego kaq i lajthitur
dhe qëndro ca si urtë
pasi tani ka luftë.
Se kështu i do ti drutë…
Luftë.
Dhe urdhri nga Surreli gjëmon:
“Në burg aktorët, në burg gazetarët,
në burg politikanët dhe gjynahqarët,
në burg për qejfin e të parit
për paratë e marra prej kaparit
në mes të gjëmës së pandemisë,
në mes të gjëmës së panjerëzisë,
në mes të gjëmës së babëzisë
të ngremë kullat e marrëzisë
shpejt, shpejt
sa e kemi në dorë këtë ferman
o sot o kurrë, sot është dita
të shembim, të shembim, të shembim
si me antitank si ndonjë taleban
rruspa mbi artin e historinë e kombit.
“Të ndërtojmë, nuk na duhet tani”,
edhe pse ka ende njerëz me qiellin çati,
edhe pse ka njerëzit pa para
pa “pagën e luftës”- pa paratë e bukës,
diktatura shfaqi dhëmbët tani,
në arenën e brishtë të kulturës
aty ku kishte pikësynim e vjetër
sepse atëherë kishte ende s’e besonim
dhe se kishim parë akoma
që selia e memories së kombit
të shembej si bina pa leje me fadroma,
kur kishte ende njerëz brenda saj
dhe pa pritur të dilnin njerëzit akoma.
Ç’ rëndësi ka që 30 vjet që thërrasim
“poshtë diktatura”
kur shohim
si ngjallet diktatura brenda nesh
hap pas hapi, ditë pas dite
se s’ka drejtësi, se s’ka demokraci,
se s’mund të ketë art pa liri.
E ndoshta sot është vonë
asgjë të ligë çdo gjë me ligj.
E shembën Teatrin në mes të natës
në emër të luftës së kullave
dhe ne s’mundëm ta mbronim
se deshëm të mbronim muret,
kur zgërdhiheshim me batutat
kur ai përtallte artistet për poturet.
E kjo duket si hakmarrja e mediokrit
në emër gjoja të kohëve të reja
mbi korifejtë e artit të kombit
të një rilindje moderniste shterpë,
Sot s’kanë më rëndësi muret
ato ranë
por njerëzit?
E çfarë prisni,
o njerëz
çfarë prisni
të shihni më akoma?
Vërtet,
kohë e poshtër,
kohë e pështirë,
kohë pandemie,
kohë e mbrapshtë,
“Kohë, t’i thuash derrit dajë”,-
më thoshte një mik.
“Apo dajës derr”,
e ngatërronte një protestues tjetër.
Nga rumpalla në vend
në rrëmujë me rend.
Kohë të vështira,
kohë të pështira,
kohë të dyshimta,
të ndyra.
kohë pandemie
kohë
Ramalindje.
Në emër të jetës thonë
po vrasin lirinë
po vrasin memorien,
po mbysin nostalgjinë
po mbysin kujtimet
po zhbëjnë njerinë.
Është një kohë e mbrapshtë,
që lirinë e ka si cak.
Por shpejt jehona e kushtrimit
ajo do t’u kthehet nga pas
si bumerang nolian,
“Se mileti po gatitet
Se tirani lebetitet!”
O bij të shqipes,
në vend që të mendoni për qametin,
mendoni sa e bukur është bota.
Ne jemi të gjithë bashkë të rriskuar
por së bashku po bëhemi
më të mençur,
më të lirë,
për të fituar,
për t’u lartësuar
mbi vdekjen
për t’u ngritur
dhe mbi tiraninë
që ëndërron akoma,
në pragjet tona
“Lord of Corona”.
Ndaj zgjohuni,
ngrihuni,
çfarë prisni
çka për të parë
më tepër akoma?! ….
Michigan, 21 Maj, 2020