Mesazh për shqiptarët, jo thjesht për qeverinë!/
Shkruan:Dr.Enver Bytyçi/
Te Merkuren vjen për vizitë në Tiranë kancelarja e hekurt e shtetit gjerman, zonja Angela Merkel. Para Merkel vendin tonë e kanë vizituar personalitete të shumta gjermane. Më e përfolura mbetet vizita e politikanit të shquar të partisë si motër të CDU-së së Merkel, ish kryemnistrit bavarez, Frans Joseph Straus. Por Shqipërinë në këto 25 vite e kanë vizituar edhe kancelari Gerhard Schroeder, zv. kancelarët dhe ministra të Punëve të Jashtme Hans Dietrich Genscher dhe Klaus Kinkel. Ndërsa ndër personalitetet ndërkombëtare mund të veçojmë vizitën historike të presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush, vizitën e Papa Gjon Palit të II si dhe vizitën e vitit të kaluar të Papa Françeskut. Të gjitha këto vizita janë shënuar si ngjarje historike të shënuara, megjithëse të tilla për momentin historik në të cilin më 1990-91 kalonte Shqipëria mund të konsiderohen edhe vizita e Nënë Terezës, ajo e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Perez de Kuolar, si dhe sekretarit Amerikan të Shtetit, James Beker.
Vizita që bën në Tiranë Angjela Merkel është dhe do të mbetet gjithashtu historike, jo thjesht si kortezi e rastit, por në radhë të parë për mesazhin që ajo do të japë për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë e të shqiptarëve në rajonin tonë. Prej kur Otto von Bismarck në qershorin e vitit 1878 i këshilloi delegatët shqiptarë të Kongresit të Berlinit sesi duhej të silleshin me Europën, me qëllim që “Shqipëria të mos mbetej thjesht një nocion gjeografik”, e deri në ditët e sotme Gjermania ka qenë e gjithnjë e pranishme në jetën dhe fatin e shqiptarëve. Madje ajo ishte e pranishme në historinë tonë mijëravjeçare përmes kulturës dhe mesazheve që u ka dhënë shqiptarëve dhe dëshmive që i ka transmetuar botës perendimore për autoktoninë dhe historinë tonë.
Udhëtari gjerman Arnold von Harf shkroi në vitin 1497 fjalorthin e parë të vogël shqip, teksa po vizitonte portet shqiptare të Ulqinit, Durrësit e Sazanit, një fjalorth fjalësh e numrash, i cili i shërbeu atij për të komunikuar me banorët vendas. Më pas Dom Gjon Buzuku shkroi librin e parë në gjuhën shqipe i frymëzuar nga lëvizja progresiste e Martin Luterit në Gjermani, lëvizje e cila filloi me kërkesën që Bibla të përkthehej në gjuhën gjermane, sepse si e tillë ajo do të kuptohej më mirë, e në fund përfundoi me krijimin e protestantizmit, si një besim kristian që afronte popujt e kombet.
Por edhe më vonë, nga shekulli 17-të e 18-të e këtej, ishin studiuesit gjermanë e austriakë, ata të cilët zbuluan rrënjët ilire të shqiptarëve dhe hodhën tezën se origjina e tyre mund të shkojë deri te Pellazgët. Ishin po studiuesit gjermanë, ata të cilët e klasifikuan gjuhën shqipe si gjuhë indoeuropiane dhe i dhanë asaj statusin e një gjuhe të barabartë me gjuhët e tjera të Europës së Vjetër, ndonëse ishte dhe mbeti deri vonë si gjuhë e vetme e pashkruar. Nisur nga këto studime kancelari i parë gjerman, Otto von Bismarck, u tha delegatëve shqiptarë, Abdyl bej Frashëri, Ymer Prizreni e Mehmet Vrioni se “Në Europë as ka as do të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Shqipëria është një shprehje gjeografike po të mos shkruhet gjuha shqipe”, duke i paralajmëruar se kriteri themelor i kombësisë do të ishte gjuha, ndërsa për përfaqësimin në kanvelaritë europiane duhj të ishte kriteri fetar. Në vijmësi, prej fillimit e deri në fund, shkenca historike gjermane dhe austriake ka hulumtuar në favor të së vërtetës shqiptare. Madje dhe në rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës ishin ekspertët dhe shkenctarët gjermanë që i rekomanduan politikës të konfirmonte këtë njohje.
Nga pikëpamja politike Gjermania dhe Austria ishin dy nga Fuqitë e Mëdha europiane, të cilat e mbrojtën Shqipërinë nga synimet dhe ambicjet imperialiste të Rusisë dhe insistuan në krijimin e shtetit shqiptar, duke bërë të mundur që brenda këtij shteti të përfshihen dhe dy qendrat e nacionalizmit shqiptar e të Rilindjes Shqiptare, Shkodrës dhe Korçës, qytete këto të lakmuara prej Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë. Në Luftën e Parë Botërore Gjermania dhe Austro-Hungaria ishin fuqi humbëse të kësaj lufte, por vizioni i të dy këtyre vendeve për Ballkanin, ku edhe filloi konflikti i përgjakshëm, ishte i drejtë dhe me ndikim për stabilitetin e rajonit të Europës Juglindore. Ky vision u rikthye si zgjidhje e çeshtjeve ballkanike pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Murit të Berlinit. Vendimi i Bundestagut gjerman që për herë të parë të nxirrte ushtrinë nga kazermat në rastin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë dhe për çlirimin e Kosovës prej saj, përbën një rast unik në historinë e shtetit gjerman të pas Luftës së Dytë Botërore. Kontributet e Berlinit për shqiptarët dhe sidomos Kosovën janë kontribute të jashtëzakonshme, të cilat duhen shpërblyer kurdoherë me mirënjohje.
Kancelarja Merkel vjen tek ne krenare për shkak të kontributeve të vendit të saj në dobi të shqiptarëve në Ballkan, por edhe për shkak të angazhimit personal për zhvillimet aktuale në Shqipëri, Kosovë e në të gjithë rajonin. Samiti i vitit të kaluar mbajtur në Berlin, hapi për vendet e rajonit tonë një perspektivë të re të integrimit në Bashkimin Europian. Vendi ynë në 15 vitet e para të rrugëtimit në rrugën e demokracisë është parë më shumë si një vend nën kujdestarinë e vendeve fqinjë, Italisë dhe Greqisë, të cilat si gjithnjë në historinë e rajonit, nuk munguan të shfaqin rivalitet midis tyre sa i përket prezencës tek ne. Më pas orientimi i politikës shqiptare u fokusua përtej Atlantikut, duke krijuar një lidhje specifike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me objektivin madhor derisa në prillin e vitit 2009 u bëmë anëtarë të Aleancës më të fuqishme në botë, NATO-s. Kjo aleancë e veçantë u ruajtdhe ruhet me fanatizëm nga shqiptarët.
Por me ndërrimin e qeverisjes, trajektorja e marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë ndryshoi rrjedhën. Gjermania sot shihet si aleati më i afërt i shtetit shqiptar dhe qeverisë së Shqipërisë. Ndryshimi është substancial. Shqipëria për herë të parë në fillimin e viteve 2000 kapërceu statusin e të qenit nën kujdestarinë e fqinjëve të saj. Tani, pas pranimit të saj në NATO, ajo ka një objektiv të qartë e dobiprurës, anëtarësimin në Bashkimin Europian. Angazhimi i drejtpërdrejtë i Gjermanisë në realizimin e këtij objektivi është një ogur i bardhë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por baraspesha midis aleancës auroatlantike të simbolizuar nga SHBA-të dhe Bashkimit Europian perceptuar me Gjermaninë, është shumë e domozdoshme për ekulibrat e politikës së jashtme të Shqipërisë. Mbështetja në këto dy shtylla, vendin tonë do ta bëjë të sigurojë një të ardhme të sigurt në komunitetin e vllerave perendimore. Vizita e kancelares Merkel, e parë në këtë këndvështrim, është vërtet një ngjarje historike.
Por a jemi ne të gatshëm që ta meritojmë plotësisht mbështetjen gjermane për integrimet europiane dhe zhvillimin progresiv të vendit tonë? Kjo mbetet për t’u parë. Nëse SHBA-të na kanë toleruar në ndonjë aspekt për integrimin në NATO, BE nuk është unike në qëndrimet e saj, aq më pak kur mungon zbatimi i standardeve të integrimit nga ana e Shqipërisë. Dhe zonja Merkel është në dijeni të problematikave dhe sfidave që kalon dhe duhet t’i kapërcejë Shqipëria. Berlini zyrtar e njeh faktin se në vendin tonë demokracia është e brishtë dhe se politika shqiptare e mban qeverisjen në kufijtë hibridë të formës së saj. Berlini zyrtar megjithatë duket se është i përkushtuar që Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit në bllok të bëjnë hapa konkretë në rrugën e demokratizimit dhe integrimit europian.
Në këto kushte Angela Merkel vjen në vendin tonë për të inkurajuar reformat e thella e rrënjësore. Sinjalet e para dëshmojnë se kancelarja gjermane është e pakënaqur me këto reforma. Fakti që ajo nuk do t’i kushtojë as pesë minuta kreut të parlamentit dhe partnerit kryesor të zotit Rama ka një domethënie serioze. Me zotin Rama ajo do të ndajë shumë shqetësime dhe më së pari shqetësimin se zgjedhjet e 21 qershorit ishin shumë problematike. Me kryeministrin e Shqipërisë ajo do të ndajë gjithashtu shqetësimin e reformave, sepse tashmë ajo është informuar se një oligarki mafioze e politikës imponon reformat e deformuara si në sistemin e drejtësisë edhe në fusha të tjera të zhvillimit. Rasti tipik është ndikimi i kësaj oligarkie në reformën arsimore, me të cilën nuk sillet asnjë ndryshim tjetër thelbësor, veç faktit që plotëson interesat financiare të sistemit privat të arsimit të lartë tek ne.
Zonja Merkel ka informacionin e nevojshëm se politika në pushtet tek ne vazhdon në mënyrë të vrazhdë t’i imponohet drejtësisë së vendit dhe të mbrojë kriminelët e llojeve dhe formateve të ndryshëm. Ajo çfarë ka ndodhur me Arben Frrokun ose fakti që së paku 6 kryetarë të bashkive të kandiduar nga mazhoranca janë me precedente kriminale të frikshëm nuk mund të futen në thesin e zit ë plehrave dhe të përfundojnë në landfillin e Sharrës. Këto probleme serioze e të tjera që kanë të bëjnë me ekonominë dhe ndikimin e krizës greke në Shqipëri janë e do të mbeten shqetësim i kancelares së hekurt, sepsë në përceptimin e saj është absurde që një vend kandidat për në BE të përkeqësojë situatën e zgjedhjeve, të përqëndrojë të gjitha pushtetet në duart e një oligarkie mafioze dhe të imponojë në emër të numrave reformat e njëanshme e të ndikuara nga interesa mafioze në tregun e lirë të vendit.
Vizita e zonjës Merkel në Shqipëri do të pasohet me vizita në vendet e tjera të rajonit, në Beograd, Sarajevë e ndoshta edhe në Prishtinë. Por vizita në Tiranë pak ose aspak mund të lidhet me kryeqytetet e tjera të rajonit, ndonëse ka të njëjtin qëllim: Përgatitjen e këtyre vendeve për të kapërcyer sfidën e integrimit europian. Në Shqipëri kjo vizitë lexohet e duhet të lexohet edhe si nxitje për respektimin e parimeve të demokracisë liberale e të shtetit të së drejtës. Cënimi i këtyre parimeve ka qenë një tipar permanent, ndaj Shqipëria asnjëhere në këto 25 vite nuk doli nga lista e vendeve hibride demokratike. Por në dy vitet e fundit në vend të progresit Merkel e partnerët ndërkombëtarë, opozita dhe qytetarët shqiptarë brenda vendit shohin se treguesit e mirëqeverisjes janë përkeqësuar në drejtimin e paduhur, duke sjellë jo vetëm mungesën e lirisë në tërësi, por edhe frikën nga diskriminimi dhe arroganca e qeverisjes.
Për këto arsye vizita e kancelares gjermane në Tiranë ditën e sotme është më e rëndësishme për shqiptarët, sesa për qeverinë e tyre. Më e rëndësishme për të dobëtit e të vobegtët, sesa për shumë prej tutorëve të tyre në qeverisje, e që janë të lidhur me mafien dhe krimin e organizuar brenda e jashtë vendit. Më i rëndësishëm është për drejtësinë, sesa pë rata që duan të imponojnë reformat e padrejta e regressive në emër të drejtësisë.