Ne foto: Teodor Vaso/
Përgatiti për Diellin Vepror Hasani/
Për mjeshtrin e merituar Teodor Vaso, dekoruar me medaljen e artë për merita të shquara në sport, futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri pak vite më parë, vijnë një sërë vlerësimesh nga koleget e tij, nga trajnerët, gazetat vendase dhe të huaja. Bashke me emrin e Todo Vasos gjejmë dhe shumë emra të tjerë futbollistësh të talentuar. Të gjithë së bashku formojnë një konstelacion yjesh që nuk do të kenë të shuar. Cilët janë ata? Do t’i gjeni më poshtë.
Trajneri sovjetik N.M Lukshinov, nëntor 1960:
E gëzueshme për futbollin shqiptar është se kanë dalë mjaft të rinj: Halili, Pano, Bushati, Frashëri, Dingu, Pilika, T. Vaso, Mema etj, që janë një e ardhme e mirë e futbollit tuaj.
Gazeta Hurriyet, 14 aralik 1970, Turqi-Shqipëri:
Vlerëson me skedinë me nota yje ekipin shqiptar: Dinella 1 yll 2 zëvëndësues, Dhales 2, Berisha 2, Ziu 2, Vaso 4, Çeço 3, Ragami 3, Pano 3, Zhega 2. Gazeta vlerëson me 4 yje Teodor Vason si lojtarin më të mirë të ekipit shqiptar për ndeshjen
Gazeta “Hurryet”, 14 aralik 1970: Turqi-Shqipëri:
Golin e shënoi Ziu, kurse mesfushori rregullator i lojës Vaso dhe centëralfi Bizi ishin maja e shkëlqyer e lojës së tyre
Helmut shën, 17-12.1967: Unë dua t’i bëj një kompliment shumë të madh skuadrës shqiptare dhe trajnerit të sajm kolegut tim Loro Boriçi. Më pëlqyen Shllaku, Pano, Mema dhe Vaso. Shllaku është një kapiten i mirë. Dëshiroj që skuadra shqiptare të luajë përherë kështu: mirë, fort, bukur.
Helmut shën, 17.02.1971: ndonse fituam, barazimi do të ishte më i drejtë, pra do të isha dakord edhe me rezultatin 1-1. shqiptarët nuk shënuan më shumë se ne. më pëlqyen lojtarët tuaj sidomos Bizi, Vaso, Dinella e si ngaherë Pano
Koço Dinella, “Sporti popullor”, 26 tetor 1982:
Shembuj të një pune të tillë unë i gjeta aty në ekip: Janku, Frashëri, Vaso, Mema etj u bënë për mua frymëzues për stërvitje me ngarkesa të larta
Ilia Shuke, trajner i kombëtares shqiptare në lokalin “Berluskon”, pas bisedës në RTVSH: “30 vjet ndeshje me RFGJ”
Teodor Vaso është mbrojtësi i majtë më i mirë deri më sot i ekipit kombëtar shqiptar
Maksim Tuxhari, trajner i Skënderbeut 1974-1981:
Të jesh i suksesshëm duhet të jesh njeri me vlera dhe pikërisht ky është çelësi i suksesit në karrierën futbollistike të mikut tim Todo Vaso. Në memorien time nuk shlyhen kurrë pamjet e lojës së tij si mbrojtës i nivelit ndërkombëtar. Ai fiton gjithmonë duelet futbollistike me sulmuesit rivalë, por njëherësh duke u bërë konkludues i shquar i golave për skuadrën tonë Skënderbeun; si kapiten i ekipit ishte organizator i cilësuar.
Besnik Dizdari, “Sporti shqiptar” 26.03.1995:
Edhe unë, si shumë të tjerë, e dua Skënderbeun, historinë të cilën e ka bërë Samsuri, e Plluska, Servet Gora e Klani Marjani e madje dhe Anton Mazreku. Mbas luftës Skënderbeu është personifikim i koçes, Larës, Qirinxhiut, Ndinit, Lubonjës, Çelës, Miles, tuxharit, Prodanit, Dvoranit, Pilikës, e raqi piskut, të cilët vetëm luftuan të mbanin një traditë. Skënderbeu është i Todo Vasos – legjendës së kombëtares së Shqipërisë, stoikët e paharrueshëm të Gjermanisë
Sabah Bizi, gazeta “AKS” 3.4 qershor 1995
Të luaje me futbollistë të tillë shqiptarë, si F. frashëri, L.Shllaku, R. Ragami, T.Vaso, e P. Pano ose kundër Shnelinger, Overat, Bekenbauer, Myler, Xhoiç etj., është jo vetëm një kënaqësi por edhe obligim i madh
“Intervista”, 5 tetor 1998:
Todo Vaso, idhulli i tifozave korçarë
Dhimitër Xhambazi 1999, në shpalljen e 11 futbollistëve më të mirë korçarë për shekullin:
Idhulli im ka qenë Teodor Vaso. Unë u them brezave të futbollit që janë edhe sot, të mësojnë jo vetëm nga niveli futbollistik, por nga gjithë jeta e tij, nga gjithçka sesi ai jeton regjimin që ka vënë në shërbim të futbollit
Medin Zhega, trajner i kombëtares shqiptare 2001 nga biseda, , në RTV Shqiptar, mars 2001
Kishim një ekip me futbollistë shumë të talentuar, mund të them se këta janë këtu: Teodor Vaso, Ali Mema, që ishin anëtarë të atij informacioni të madh 1976, sigurisht edhe P. Pano, më i madhi futbollist shqiptar, S.Bizi, R. Ragami, unë thashë Teodor Vaso, Ali Mema, L. Shllaku, M. Gjika.
Besnik Dizdari, “Futbolli shqiptar- magazinë”, 08 tetor 2003:
Forca dhe elasticiteti i portierit Mikel Janku, përballë të cilit qëndronte treshja e pakalueshme e mbrojtjes Mihal Gjika- Spiro, Gjika- Teodor Vaso, e udhëhequr prej përvojës së pagabueshme të korçarit të madh, 11-shi i trajnerit Refik Resmja regjistronte në historinë e tij një kujtim madhështor të futbollit. Është një perlë që vazhdon të shndrisë. Dy ndeshje Partizani-Torino kupa e kupave të Evropës.
Ramazan Bigza, “Sporti shqiptar”, 4 maj 2006:
Dikur ka ekzistuar karakteri sportiv. Në fushat e futbollit nuk ka më futbollistë si Muhamet Dibra, Preng Gjeloshi, Skënder Halili, Refik Resmja, Frederik Çapaliku, Hajrullah Lekaj, Teodor Vaso, Sabah Bizi, Lefter Millo etj. Ata i dhanë lojës shpirtin e pastër, gjithçka, që do të thotë forcë karakteri. Është kjo arsyeja pra, forca e karakterit, që i ngriti ata në lartësitë e të quajturit symbol.
Kostaq Mizaku, “Panorama sport”, 9 shkurt 2006:
Emri më i madh i futbollit korçar në gjithë historinë e tij është ai i mjeshtrit të merituar të sportit Teodor Vaso, i cili pa asnjë dyshim përbën një nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar për shekullin e kaluar
Mexhit Haxhiu, Mjeshtër i madh, nëntor 2013:
Cilësitë e spikatura të lidershipit, kondicioni i shkëlqyer fizik
Pandi Balli, trajner kombëtar, në librin “100 vjet sfida sportive të qytetit tim”:
Vaso ka luajtur në të gjitha rolet përjashto portier në ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Është shënues i shumë golave, në veçanti me ekipin e Skënderbeut në sezonin 1968-1969. Futbollisti i talentuar, Teodor Vaso, nuk do t’i ndahet futbollit, vazhdon edhe në të ardhmen të japë kontributin e tij të çmuar si trajner me moshat e vogla dhe me të rinjtë. Vlerat e tij kanë qenë dhe mbeten tepër të mëdha. Shembull frymëzimi për brezat që do të pasojnë, shpirti i tij luftarak për t’u admiruar.
Vladimir Muzha, 4 nëntor 2013:-Është kënaqësi e veçantë për mua të shpreh mirënjohje dhe respekt për këtë figurë të shquar të sportit shqiptar dhe nder për Korçën që lindi këtë djalë. Pata rastin të takohem me Teodor Vason në Korçë pak javë më parë dhe u ndava i përmalluar dhe i pangopur për të shijuar mirësinë dhe kulturën e këtij sportisti të madh. Profesor Vaso, respekte!
Niko Faberi, takimi i Todo Vasos me trajnerin gjerman:Mund të them shumë për cilësitë sportive dhe morale të Vason, që janë faktuar gjatë 50 vjetëve. Dua të veçoj atë që nuk e kam lexuar në dhjetra vlerësime. Helmut Shën, trajneri i shquar i R.F Gjermane në përfundim të ndeshjes me kombëtaren tonë më 1967, përpara tribunës qendrore të stadiumit “Q. Stafa”, ka shkuar posaçërisht dhe i ka dhënë dorën Vasos për lojën e shkëlqyer që zhvilloi. Ja një personalitet që Bashkia e Korçës është e vonuar për ta bërë qytetar nderi.
Vladimir Ngjela-Teodor Vaso, një emër i madh i futbollit shqiptar, ka skalitur veprimtarinë e vet futbollistike në mermer për të mos u harruar kurrë. Me një shkëlqim të fortë në lojën e tij ai interpretonte me mjeshtëri të lartë veprimet mbrojtëse dhe sulmuese të lojës moderne në rolin e mbrojtësit të krahut.
Vepror Hasani
Legjenda e “Skënderbeu”-t të Korcës –Teodor Vaso rrëfen jetën e tij sportive
Teodor Vaso: Debati mes Beqir Ballukut dhe Mihallaq Ziçishtit që të luaja me “Partizanin”/
Bisedoi: Raimonda MOISIU/
E kush nuk do të dëshironte sot të kthehej ndër ato vitë të shekullit të kaluar, të sillte panoramën- kujtesë, mbresëlënëse dhe historike, elitën e shquar të sportit shqiptar, ata që bënë historinë e futbollit shqiptar, futbollistët legjendë dhe heronj të kohës që jetonin, të cilët me inteligjencë, pasion, talent e profesionalizëm, arritën të shkruanin historinë në nivel kombëtar, europian e botëror. Disa prej tyre prehen në Paqen e Amëshura, disa prej tyre janë aty edhe sot –fisnikë e krenarë, idhuj e legjenda, ata janë e do të mbeten figura madhore, jo vëtëm për gjeneratën që i përkisnin dhe të ardhmes, por edhe për ata ëndërrimtarët, sportistët e rinj, që dëshirojnë t’iu ngjajnë atyre; që bënë Epokën! Ndër ta është edhe legjenda, ikona e futbollit korcar dhe atij shqiptar-i pakalueshmi,-Teodor Vaso- një figurë sportive dominuese në ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare, që i dhanë famën dhe historinë e një futbolli më profesional, spektakolar, historik e mitik të shekullit të kaluar! Teodor Vaso është futbollisti mes më të mëdhenjve futbollistë shqiptarë, që ka njohur ndonjëherë historia e futbollit shqiptar, që me lindjen e tij. Më një karrierë të artë, që përputhet me biografinë e mahnitëshme e të pakalueshmit -Teodor VASO.
Ka lindur dhe aktualisht jeton në qytetin e Korcës. Është diplomuar në Institutin e Kulturës Fizike ”Vojo Kushi” në Tiranë. Trajner dhe Specialist futbolli pa ndërprerje, që nga viti 1972-, -55 vjet aktivitet sportiv. Në dy vitet e fundit, 2012-2013, në funksionin e të deleguarit të FSHF-së, për ndeshjet në qarkun e Korcës. Kampion kombëtar me ekipin”Partizani”në vitin futbollistik 1963-64 dhe fitues i Kupës së Republikës në atë vit dhe në vitin 1966-ë. Fitues i Kupës Ballkanike me klubet, në 1970 –ën, vecmas me ”Partizanin”. Fitues i anketës 5 Sportistët më Të Mirë të vitit 1967-ë, në përbërje të ekipit kombëtar të futbollit, që eliminoi RFGjermane, në 17-12-1967—ën. ”Mjeshtër i Merituar i Sportit”, dekoruar me “Medaljen e Artë” për merita të shquara në sport’, me rastin e 90 vjetorit të themelimit të Shoqërisë së parë kulturalo- sportive, në Korcë. Medalje e FSHF , me motivacionin për rezultate të larta në ndeshjet e futbollit me ekipet, që ka luajtur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Futbollisti ”Më i Mirë i Shekullit ” për Korcën, në anketën e bërë me rastin e 90 vjetorit në fjalë. Ka luajtur në të gjitha rolet e formacionit futbollistik, me përjashtim të rolit të portierit, në të gjitha ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka shënuar 26 gola duke qenë në role mbrojtëse, dhe ka qenë përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombetare, 18 ndeshje me kombëtaren shqiptare, 15 ndeshje me skuadrën”Partizani dhe 3 me skuadrën Korcare. Në këtë intervistë ekskluzive, – Teodor Vaso rrëfen historinë futbollistike të jetës së tij, sportit shqiptar dhe të plot kolegëve, që së bashku bënë Epokën e Futbollit shqiptar, -na rrëfen dritën që ata lanë pas.
Bisedoi Raimonda MOISIU
-Së pari ju faleminderit për këtë bisedë të ngrohtë e miqësore. Nuk na bashkon vetëm ndjenja e bashkëqytetarisë, të qenit korcarë, 24 karat, por kemi qenë edhe kolegë të gjimnazi “Themistokli Gërmenji”. Kjo njohje jonë e hershme më dha shansin e mrekullueshëm për këtë intervistë. Kush është Teodor Vaso dhe dicka nga fëmijëria tuaj?
Fëmijëria ime ka qenë e vështirë, si gjithë familjet në atë kohë, por jo në një varfëri të dukëshme, kjo falë përkushtimit, punës, vështirësive dhe sfidave të prindërve të mij. Mbaj mend mëmën, kur më merrte me vete ngado, vecmas për të blerë bukën e ditës, në një furrë në zemër të Korcës. Erdhi një ditë, që atë e quajtën ”Furra e Vdekjes”. Kjo më frikësoi më shumë dhe e ndiqja nga mbrapa mëmën, kur ende nuk i kisha mbushur 8 vjet. Në rradhë me gratë e tjera, në të ftohtë, por edhe kur i nxehti të përvëlonte, unë e prisja mëmën përballë rradhës së grave. E dalloja lehtë, që prej së largu, atë zonjën e bukur, të mirën e fisniken e bëshme dhe të fortë, me flokët e saj ngjyrë ari. Mëma ime përballonte shtrëngimet dhe shtyrjet e rradhës njerëzore, për të marrë pak jetë në duar. Këto vështirësi dhe sakrifica për të jetuar, jo vetëm më maturuan para kohe moralisht, por më forcuan edhe fizikisht. Shkoja në shkollën “7 Nëntori”, quhej atëhere, ndërsa sot është shkolla “ Sevasti Qiriazi”. Luaja shpesh futboll në shkollë dhe me sporte të tjera. Fillova stërvitje në një ekip boksi. Luaja vazhdimisht volejboll, ndërsa në grupin ‘Futbollisti i Vogël “, luaja përherë. Tharmi më kërkonte të gjendesha nën fanellën dhe tutat e një ekipi për t’u stërvitur. Një ditë u gjenda në ekipin e boksit e të mirënjohurit, Profesor Niko Mile. Të djelave me djemkat e rrugicës sime, frymën e mbanim përpara telave, që rrethonin terrenin dhe ambjentin, ku ishte fusha e futbollit të Korcës, për të parë skuadrën e qytetit tonë, “Puna” e Korcës. Zvarriteshim nën telat, për të hyrë vjedhurazi brenda, dhe të shihnim ata,- të magjishmit e lojës me top futbolli. Ruanim rojet, që sapo fillonte ndeshja, herë-herë shkonin pranë rradhëve të njerëzve në kornizën e fushës, për të parë dicka nga loja. Ne atëhere turreshim për të hyrë brenda. Disi kuptonim, që ata e bënin me qëllim, sikur nuk na shihnin duke na dhënë mundësinë, për t’u futur në stadium. Më pas u largova për të studiuar në politeknikumin “7 Nëntori”, Tiranë. Pas disa vjet, babai që shiste në pazar certurina, falimentoi. Erdhën dy të këqija bashkë. Babai mbeti pa punë, mua më prenë bursën në teknikumin “7 Nëntori” në Tiranë. Një masë kjo ndaj tregëtarëve të kohës. U ktheva në Korcë, pranë telave me gjemba të terrenit. Aty ku mbaronte qyteti në veri të tij, aty trokiti te unë shpirtambicja, për t’ju ngjarë lojtarëve, që kalonin para syve tanë, ëndrra dhe dëshira e papërmbajtur, për t’u futur në fushën e lojës. Borici, Gjinali, Resmja, Fagu, S.Jareci, Q.Vogli, P.Mirashi, Teliti, dukeshin të mëdhenj, shumë të mëdhenj, male, vecse malet nuk lëvizin. Ata lëviznin, qeshnin, përshëndetnin, shënonin, lodronin.
-Si trokiti te ju, dashuria për sportin, në mënyrë të vecantë për futbollin, ishte traditë familjare, sfidë e ambicjes së moshës apo rastësi?
Me djelmosha të tjerë të moshës, por edhe të lagjeve të tjera, luanim në sheshkat apo rrugicat e mëhallës, futboll dhe lojra të tjera. S’afron aspak kujtesa, për të thënë shkakun, pse nuk më pranuan në ekipin e futbollit, të moshave në Korcë. Pas boksit fillova atletikën. Brenda vetes më vlonin energji pa fund dhe diku duhej të shprehesha. Krejt rastësisht më rrëmbeu vala e aktivitetit sportiv. Që në moshën 15 vjecare, më dërguan në punë, për t’i dhënë krah familjes. Fillova punë si “nxënës”, në prodhim në lokalin Republika. E ndante vetëm një mur me kinema ” Moravën” sot “Milenium”. Shoh dy burra, që nxitonin në hapësirën mes tavolinave, dhe ndaluan para këmbëve të mija. Ti je Todo Vaso?- më pyetën. Kërkonin vrapuesa për kampionatin lokal të atletikës. Garova në 800 m. Para finishit, më kaloi një figurë sportive në vrap, vetëm një hap para meje, preu shiritin, atlehti Pandi Nika, kurse unë një hap pas finishit u rrëzova në tokë. Ashtu shtrirë ai rrëzim i beftë, më njohu me dy trajnerët e atletikës Kico Nuke dhe Andrea Berberi, të cilët u befasuan nga rezultati i një adoleshenti, që zbuloi një talent të ri. C’duhej të bëja? T’i gëzohesha dëftesës me nota maksimale! Erdhi një agim i ri në ditët e mija. Më lajmëruan që doli bursa përsëri, për në Shkollën e Rezervave të Punës, në Tiranë. Me mësues Osman Caslli trajner, konkuruam në kampionatin e shkollave të mesme të Tiranës dhe u shpallëm kampionë. Në parkun automobilistk të Tiranës, ku bëja praktikën mësimore, fillova të luaja në kampionatin e ndërrmarjeve. Më pas më zbuloi Usta Zini Gjinali, i cili kërkoi që stërvitjet t’i bëja me Dinamon. Në fund të vitit 1957-ë u rreshtova për herë të parë përballë trajnerit kampion, Gjinali dhe në krah të lojtarëve të ”Dinamos”së famëshme.
– C’mund të na thoni si u gjendët pjesë e ekipit të futbollit “Skënderbeu”?
Teksa u shkëputa nga mosha e rinisë dhe quhesha i rritur mbas dy titujve N/kampion në gara atletike dhe fitimit të titullit Kampion me të rinjtë e 17 Nëntorit -A. Rruga me të rriturit mori emër me shënimin e golit të parë, që në ndeshjen e parë kundër ekipit tim Dinamo, që më kishte lejuar të luaja me Tiranën. Dalja në publik nxiti shumë shpejt ofertat. Dinamo, pronarja ime e parë, 17 Nëntori, që kishte zyrtarizuar Federimin e parë dhe Skënderbeu, që u befasua, kur pa një atleht të tij të luante në formacionin e 17 Nëntorit me të rriturit në stadiumin “Qemal Stafa”, në Spartakiadën e Parë Kombëtare, në tetor të vitit, 1959-ë. Më propozuan kushtet, për të vazhduar karrierën me ekipet e tyre. Në shpirt trazonin dy nxitës; Familja, që priste krahë- hapur për ndihmë djalin e ri mekanik, me diplomën në xhep. Bashkë më të dhe brenga e madhe që më shqetësonte prej kohe; më thërriste, zëri i qytetit tim. Në stadiumin “Qemal Stafa”, ndeshja Dinamo -Skënderbeu përfundoi 1-0 . Goli u shënua nga Dinamo me një 11m, që aty në fushën e lojës nuk dukej gjëkundi, por vetëm në mendjen e gjyqtarit, Izet Cani. Skandali përfundoi me anullimin e ndeshjes, që në përsëritje Dinamo fitoi 5-0. Kjo më bëri që unë u ktheva në Korcë.
-Skuadra e Skënderbeut është shpallur kampion në vitin 1933. C’mund të na thoni rreth historikut të skuadrës korcare. Kur u themelua dhe kush kanë qenë lojtarët e parë të saj?
E para shoqëri sportive në Shqipëri, që u krijua dhe me karakter kulturor, e pa diskutueshme deri më sot, është shoqëria Kulturore-Sportive “Vllazëria”, e datuar me 14.04.1909-ë, në Korcë. Shoqëria e dytë është shoqëria “Vllaznia” e datuar me 16.02.1919-ë, të dyja janë ngritur nga i njëjti person -Hilë Mosi. Lindja e Skënderbeut nuk ka qenë e rastësishme. Pra, sa thashë më lart dhe e përsëris, se skuadra e parë në Korçë me emrin “Vllazëria” ishte krijuar më 14 prill të vitit 1909 nga Hil Mosi. Pas saj, gjatë viteve 1920-1922, në Korçë nisën të krijohen shoqëritë e para të futbollit, si; “Përparimi” apo Sport klub “Korça”; më 1917 u themelua shoqëria “Shpresa” e liceut frances në Korçë, ndërsa në vitin 1925 do të vinte në jetë Skënderbeu. Futbolli ishte kthyer në një ëndërr të madhe. Futboll luhej në çdo oborr shtëpie. Lagjet e Korçës përpiqeshin të nxirrnin skuadrat e tyre. Pas Skënderbeut, më 1926 u krijua shoqëria “Zhgaba”, ndërsa në vitin 1927 lagjet nxorrën skuadra të tilla, si; Leka i Madh, Pirro, Brekverdhit, Zjarri, Tigri, Diamanti etj, por Skënderbeu, kjo skuadër e qytetit, shkëlqente. Për sa i përket futbollit në vitin 1913–ë, jepet e faktuar e para ndeshje futbolli zyrtare ndërmjet skuadrës” Indipendenca” dhe skuadrës të ushtrisë Austro-Hungareze, që ndodhej në Shkodër. Ky fakt jep një argument, që fillesat e konfirmuara të lojës së futbollit në Shqipëri gjenden në Shkodër. Ja edhe një interpretim nga publicisti dhe gazetari sportive, më në zë në Shqipëri, Besnik Dizdari[shkodran], për atë kohë: “…është përkujtuar në Shkodër, viti 1905-ë, si viti i lindjes së futbollit në Shqipëri. Unë kam qenë gjithmonë skeptik, për këtë vit, përderisa nuk ka asnjë dokument autentik të ruajtur që e provon atë (Libri Historia e Kampionateve të Shqipërisë, vitet 30′ f.11). Historia e shkruar, duket që ka mbetur me mangësi, për fillesat më të herëshme të konfirmuara në dokumentacione, sepse historia për futbollin shkodran ka dy data zyrtare; 1-Data e parë për tërë Shqipërinë, ajo e zhvillimit të një ndeshjeje zyrtare,- është në vitin 1913-ë [korrik-gusht. 2-Data e dytë, është ajo e formimit të shoqërisë së parë shkodrane futbollistike me 16.02.1909. Në vitin 1925 dy skuadra, u formuan të tjera skuadra si ”Brekëverdhit”dhe ”Ylli i Mëngjezit”. Skënderbeu, mbas fillimit të kampionatit të parë të vitit 1930, pikërisht në vitin 1933-ë, në kampionatin e katërt i dhuroi Korcës -titullin e parë kampion, derisa pas tij, duhej të vinte viti i largët 2011-ës dhe të përsëritej një lavdi e tillë. Ai ekip i lavdishëm në kurorëzimin e titullit lexonte këta lojtarë: K.Marjani, T.Bimbli, A.Cani, A.Miti, L.Petra, F.Stasa, N.Dishnica, T.Ypi, TH.Vangjeli, S.Teofik Agaj, E.Kulla, V.Trebicka.Trajner Qemal Omari. Në këtë formacion mungonte Teli Samsuri, që është quajtur në publicistikën sportive të kohës , si më i miri i korcarëve dhe më i miri i futbollistëve shqiptarë të kohës – qendërsulmuesi model historik, produkt jo vetëm i vlerave futbollistike. Kampionja vinte natyrshëm nëpërmjet zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe kulturor në raport me gjendjen në Shqipërinë e asaj kohe. Mbas një lufte kundër tendencave klubiste të kohës, ku si dukshëm në historinë e futbollit shqiptar, Tirana impononte, skuadra korcare “Skënderbeu”, kapi një titull Kampion, dy N/Kampion dhe 4 në vend të katërt. Ajo do t’u mbijetonte vështirësive që do t’i dilnin përpra, madje edhe intrigave të politikës.
-Falë kontributit tuaj të cmuar energjik, i jashtëzakonshëm, brilant, plot talent e profesionalizëm, c’mund të na thoni, se cilat janë disa nga karakteristikat më të rëndësishme dhe aftësitë e nevojëshme për një futboll profesional e spektakolar? Çfarë ju motivonte për të mbajtur gjallë pasionin për futbollin?
Lëvizja e një trupi njerëzor në hapësirë me top, merr vlerë nga sinteza e disa cilësive.Vlera e tyre kushtëzohet nga aftësia e organizmit të njeriut në përgjigje të përmbushjes së kërkesës së disa faktorëve përbërës stë lojës së futbollit. Mënyra dhe cilesia e përfundimit të veprimit, japin vlerën e suksesit apo dështimit. Cilësitë janë:aftësitë fizike-teknike e përdorimit të topit në kohë dhe hapësirë në raport me vendosjen e rivalëve dhe të lojtarëve partnerë. Këto janë brenda fushës së lojës. Para se lojtari të bëhet aktor përpara spektatorëve është i domosdoshëm procedura mësimore stërvitore shumë vjecare, mbështetur në zbatim metodiko- shkencor të realizimit të elementeve përbërës të lojës së futbollit. Të tre pergatitjet e cilësive fizike, teknike, taktike këërkojnë përpunim mjeshtëror, duke e ushtruar atë tek elementi i seleksionuar me predispozitat fillestare premtuese të talentuar, të cilat janë të matura, por që seleksionohen nga dhuntia natyrale, që e dallojnë specialistët përkatës. Dallimi konsiston në aplikimin e njëkohshëm të disa veprimeve të përbashkëta, që kryen lojtari me virtuozitet apo ngathtësi. Këto duken në matjen e cilësive fizike në shprehitë lëvizore me top dhe aftësitë intelektuale, për t’u përshtatur dhe orientuar në situate, ku veprojnë disa elementë përbërës të lojës. Futbolli profesionist dallon nga ai diletant nga mënyra e veprimeve kolektive të grupit të skuadrës, ku respektohen detyrat e trajnerëve, sjelljet me rivalet dhe kolegët, demostrimi jovetëm të një loje mjeshtërore, por dhe sjelljeve me kulturë, që përcjellin tek spektatorët,- edukim dhe humanizëm. Motivimi është forcë e brendeshme mendore dhe psikollogjike, që e angazhon njeriun, për të realizuar dëshira apo qëllime të vecanta. Në zanafillë luaja për kënaqësi dhe argëtim. Jeta më coi tek ekipi i të rinjve të Tiranës. Tiranasit më dhanë shiritin e kapitenit të skuadrës së futbollit, që u kurorëzua Kampione e Shqipërisë për të rinj.Teksa në vesh më vinin fjalë lavdërimi, për lojrat e mija, pakaluar ende java nga gëzimi i titullit kampion, u rreshtova me të rriturit e 17 Nëntorit, kohë kjo kur kishin dalë Yjet e rinj të tij si; Panajot Pano, S.Halili, F.Frasheri. Ato ditë ndricoi në mendjen time një dritë e fortë dhe nëpër të përsëriteshin fjalët e kurajos; mundesh, mundesh, mundesh tashmë, të ngjitesh më lart. Shumë shpejt lindën motive të tjera. Korcari që sapo kishte lënë konviktin, duhet të gjente bazë jetese. Dinamo”pronarja” e parë e imja, 17 Nentori, që më dha ndeshjen e parë të startit me të riturit dhe ”Skënderbeu”, që nuk e njihte për lojtar futbolli, Teodor Vason, shikonte që atleti i të rinjve të Korcës në garat 400 dhe 800 m luante në formacionin e 17 Nëntorit për të rritur dhe kërkuan që të federohesha me ekipin e tyre. Vecse, ”Skënderbeu”, ishte skuadra, që nuk më shqitej nga mendja, ishte vendlindja. Korca më frymezonte, prindërit më prisnin si ujin e ftohtë. Komentet nga Korca përcillnin zëra, që në fushën e futbollit kishin filluar të dukeshin figura të talentuar futbolli: A.Pilika, M,Tuxhari, V.Bicolli, V.Samarxhiu, Dh.Dhami. Kjo bashkësi më motivonte, për t’u bërë bllok dhe për të kontribuar me ta në fillimin e ri, të dekadës 1960-‘70-ë. Dashuria, respekti, interesimi i disa korcarëve të punësuar në Tiranë, më frymëzoi idenë, që loja e futbollit, do të më jepte prestigj, personalitet, respekt. Ti je djali i Korcës dhe me shokët, do t’i jepni perspektivë të ardhmes së futbollit korcar, që lavdinë e ka lënë vite larg. Futbolli u bë qënje brenda qenies sime, që me nxiste, më motivonte, sepse larg tij do të tjetërsohesha. Pergatitja e brezave të rinj, më motivonte, për të ndihmuar e kontribuar në pergatitjen e brezave të rinj, të të cilëve e shoh se edhe tani[2014]-kam cfarë t’ju jap. Qindra futbollistë që më dërgojnë mesazhe, kujtojnë punën tonë me brezat kur dolëm, brenda 4 vjetëve -3 herë N/Kampion kombëtar për të rinj dhe shumë prej tyre: Dh.Xhambazi, M.Kërcic, P.Tole, G.Muhaxhiri, Gj.Kushe, Bledi Shkembi, L.Tiko, P.Dhëmbi, S.Lako,G.Qose,etj. Nëse ulem më poshtë se niveli i lojtarëve të ekipit kombëtar shpresa dhe të rinj, do të më duhet të shkruaj dhjetra e dhjetra emra të lojtarëve që kam pasur kënaqësinë në vijushmërinë e tyre t’i stërvit e t’i mësoj ata. Të jesh aktiv në stërvitje dhe në procesin mësimor edukativ, është motivi, që i jep jetës gjallëri, freski, kuptim. Misioni është jo vetëm professional, ai të mban të lidhur me jetën e rinisë, me kohën në kalim me atë që quhet punë e dobishme.
-Ku qëndronte forca e suksesit në fazat kulminante të skuadrës së Skënderbeut me skuadrat e tjera, që na dhuruan futbollin spektakolar të viteve ’70-ë?
Në historinë e skuadrave të futbollit botëror në etapa të ndryshme tek shumë ekipe është shfaqur një bum suksesi në nivelin e garave, që janë përfaqësuar.nSkuadra korcare ka kaluar deri sot[2014]tre “bume” të tillë. Në vitet 1930-ë, Skënderbeu u shfaq i magjishëm në fushat ku luhej me top futbolli. Korcarët më 1931-ë fitojnë 7-0 me Beratin[Muzaka], më 1933-e, fitojnë 9-1 me Kavajën, më 1934-n, fitojnë në Vlorë 5-0. Kjo është fare pak nga uragani i futbollit të Skënderbeut në ato vite. Duhet që pas 30 vjet lojrat e Skënderbeut të ngrinin peshë zemrat e sportdashësve korcarë. Pas vitit 1944-r,[pas luftës], futbolli korcar kaloi situata të vështira. Vetëm në vitin 1947-ë dhe 1957-ë, ai u përfaqësua denjësisht. Periudha tjetër kishte mjaft rezultate të dobeta. Në periudhën 1960-1973-e, Skënderbeu shpërtheu perseri. Duelet e tij me 3 skuadrat e kryeqytetit ishin problem kryesisht me dy superklubet ushtarake [Dinamo-Partizani], që kishin, përvec kapaciteteve të tyre futbollistike potenciale dhe suportin e emërtesave të tyre shtetërore. Para viteve ’60-ë, Korca mund të kapte ndonjë barazim me dy ekipet ushtarake dhe vetëm një fitore 1-0 , në 1957-ën, me Partizanin në Korcë. Spektatorët korcarë, që kishin parë futbollin korcar të viteve 1930-ë, u ngazëllyen përsëri dhe ndjesia e shtrënguar brenda qenies së tyre në vitet e zbrazësisë, u clirua dhe gufoi përsëri si dikur. Skënderbeu filloi të fitojë dhe të barazojë me të gjitha ekipet e qyteteve shqiptare. U krijua një ansambël potencial, në një gërshetim të vlerave ekzistuese të kontegjentit të qënët në ekip dhe grupit të lojtarëve të rinj, prurjeve te reja. Trajneri sovjetik pranë FSHF, në vitin 1960-ë, shkruante në shtypin sportive: “E gëzueshme për futbollin shqiptar është se kanë dalë mjaft të rinj, sikundër; Halili, Pano, Bushati, Frashëri, Dingu, Pilika, T. Vaso, që janë një e ardhme e mirë për futbollin tuaj. Dy emrat -Pilika dhe T.Vaso janë korcarë në elitën e futbollit kombëtar, të marrë për sipër me kontigjentin tjetër të Skënderbeut, për të përfaqesuar fort futbollin korcar. Kënaqësia e sportëdashësve për të shuar afshin e tyre, për të mundur korifenjtë e kohës u realizua. Fituam me Dinamon, Partizanin, 17 Nëntorin, brenda në Tiranë. Ishte koha kur sportdashësit korcarë që jetonin ndjesi ndrydhëse larg ëndrrave të tyre në vite e vite u cliruan. Tashmë kishte kaluar koha, kur tre ekipet e Korcës, Tiranës e Shkodrës i mposhtënin ekipet e rretheve të tjera dhe me rezultate bombastike mbi 7-0. U rikthyen duelet Tirana –Korca, që ishin dikur dhe të përkeqësuara. Njëherësh lindën duele të reja me dy ekipet ushtarake Dinamo Partizani. Loja e Skënderbeut ishte ngritur në nivelet e futbollit bashkëkohor modern me karakteristikat e futbollit total, të stilit hollandes i kohës. Nëpërmjet koncepteve të trajnerit Ilia Shuke, që kishte lënë detyrën e Pedagogut në Institutin e Lartë të Fiskulturës në Tiranë, Grupi i lojtarëve përbërës të Skënderbeut . tashmë si asnjëherë tjetër në hisrorinë e tij, kishte në përbërje 5 lojtarë të përfaqësueses shqiptare të futbollit; Todo Vaso, Koco Dinella, Aleko Pilika, Dhimitraq Dembo dhe Dhimitraq Xhambazi. Publiku jetonte Skënderbeun i tij, që kishte gjetur vetveten dhe pikën kulminante e arriti, që në një periudhë pandërprerjeje të bëjë 29 ndeshje pa asnjë humbje [Fitore dhe barazime] dhe me ndeshjet pergatitore miqësore. Befas doli në pah një dukuri e pa parë ndonjëherë në Korcë dhe në qytetet e tjera shqiptare me parullat: ”Skënderbeu Kampion”, duam ”Kupën Ballkanike”. Këtë epokë, që u quajt ”epoka e brezit të ri”, u paraqitëm me vlerat e konfirmuara në rezultate. Në vitin 1960-ë, Skuadra korcare u klasifikua në vëndin e katërt mes 10 ekipeve të kampionatit. Me 1962- u barazua në Tiranë, 1-1, me ekipin kampion Partizani dhe 0-0 me Dinamon, ndërsa me 17 Nëntorin fitoi 3-1. Në vitin 1963-e, fitoi në Tiranë 1-0, me Dinamon e Tiranës dhe fiton në Korcë 1- 0 me Partizanin. Në vitin 1965 kap finalen e Kupës së Republikës në ndeshje me Vllazninë e Shkodrës dhe klasifikohet e dyta në ndeshjet me 32 ekipe e Shqipërisë për Kupëmn. Një vit më vonë filloni”Epoka e Ilia Shukes’, me dy barazime 0-0 me dy ekipet më të Forta të Tiranës! 17 Nëntorin dhe Partizanin, sepse tashmë Dinamon e Madhe e kishte ”spostuar” 17 Nëntori. Korca fiton 2-0 në Vlorë, barazon në Kavajë 0-0, barazon në Tirane me Partizanin 0-0, që të treja në nëntor të vitit 1966-ë. Skënderbeu fitoi në Elbasan[1967], 4-0 në Berat 2-0 [1968], në 1969 fitoi në Tiranë 1-0 me Partizanin dhe 1-0 me 17 Nëntorin, kurse në Korcë me Tiranën 0-0. Vazhdojnë fitore dhe barazime në Kavajë, Fier me Vlorën 4-0 , në Korce dhe përsëriten rezultatet me tre ekipet e Tiranës. Dhe vjen një kulm. Më 17 shtator 1970 zbret, që nga veriu i Evropës në Tiranë ”Ajaksi” i frikëshm, i madhërishëm, fantastik dhe finalistët e kampionatit botëror të 1974, me RFGJ. 17 Nëntori barazon 2 – 2 me ta. Një rezultat impresionist dhe dinjitoz. Pikërisht, ballafaquar me këtë product, të një ekipi të madh, dy javë më vonë duken vlerat befasuese dhe bindëse, të një ekipi tjetër shqiptar, Skënderbeut të Korces ku reflektoheshin të gjitha dukuritë e futbollit modern. Ai fiton bindshëm në Tiranë 1–0 kundër 17 Nentorit, që sapo kishte bërë një shkëlqim historik në futbollin shqiptar. 17 nëntori jo vetëm barazoi me “Ajaksinë” e madh, por ai ishte dhe kampion kombëtar në vitin 1970-ë. Këtë periudhë, që vinte pas shkëlqimit të viteve 1930-ë të Skënderbeut kampion, publicisti model sportive B.Dizdari, e konfirmon në shkrimet e tij historike: “Pas luftës Skënderbeu është personifikim i Kocos, G.Larës, P.Qirinxhiut, M.Ndinit, S.Lubonjës, Celës, Miles, M.Tuxharit, Prodanit, Dvoranit, Pilikës, Raqi Piskut, të cilët vetëm luftuan të mbanin një traditë. Skënderbeu është i Todo Vasos, legjendës së Kombëtares së Shqipërisë, stoikut të paharrueshëm të gjermanëve; është i A.Pilikës, qendërsulmuesit, ndër më modernët e Shqipërisë, njeriu që e bëri Korcën sfiduese të 77-ës. Skënderbeu është i Koco Dinellës, portierit gjigand të Shqipërisë, por edhe i papërkulshmëve Dembo e Shule. Skënderbeu është i Jani Kacit, portierit mq elegant tq futbollit shqiptar. Skënderbeu është i Dhimitraq Xhambazi e Milutin Kërcic, modernët e fundit të Korcës. Skënderbeu është i Shqipërisë, pjesa e ndritur e futbollit kombëtar.”
-Prof. Vaso, ju kini qënë një nga mbrojtësat më të mirë të futbollit shqiptar, që ju jepte shansin të ishit titullar i formacionit të 11-tëshes të kombëtares sonë. Cila ka qënë ndeshja më cilësore për ju jashtë Shqipërisë, kur, në cfarë viti dhe ku?
Vlerat sportive të klasifikuara, i matin shifrat me metra, kilogram dhe sekonda [pas minutave, apo të qindat e sek.]. Këto kanë bango prove për kompionatet botërore, Olimpiadat apo garat kontinentale etj. Në lojrat sportive ato maten në garat e formateve të lart përmendura. Janë dy ndeshje ndërmjet shumë të tjerave. E para në lojën në Beograd më 12.11.1967 kundër kapitenit të kombëtares Jugosllave, sulmuesit të majtë më të mirë të Evropës të kohës Dragan Xhaic, i cili për bllokimin gjatë ’90, që ju bë nga unë u befasua dhe në prani të shumë sportdashësve kosovarë në stadium dhe në banketin pas ndeshjes, më uroi për lojën e shkëlqyer dhe u shpreh: ”më befasuat me lojën tuaj të cilën nuk e prisja kursesi”. Loja tjetër, që ka një kurorëzim të vecantë është kundër formacionit të kombëtares turke në Stamboll më 13.12.1970. Disa gazeta turke vlerësonin lojën e futbollistëve. jo me nota, por me yje, njëra prej tyre e ka cilësuar nga ekipi turk lojtarin e tyre Metin, dhe nga kombëtarja shqiptare me vlerësimin maksimal me 4 YJE- Teodor Vaso. Gazetën dhe një foto kundër futbollistit turk ma dhuruan në banketin mbas ndeshjes. Por vlerësimin më të madh e ka dënë trajneri legjendar i R.F. Gjermane – Helmut SHE, i cili në dy ndeshjet; në Tiranë kundër RFGJ me 1967ën, dhe 1971-ë, ka vlerësuar midis lojtarëve shqiptarë, dy herë vetëm –Panajot Panon dhe Todo Vaso.Këto vlerësime janë të botuara në gazetën ”Sporti Popullor”mbas dy ndeshjeve.
– Në vitin 1972, në prani të 50 mijë spektatorëve, Kombëtarja Shqiptare ka luajtur në stadiumin “Mitat Pasha” të Stambollit. Në formacionin e Kombëtares kanë qenë edhe dy futbollistë korcarë Teodor Vaso dhe Koco Dinella. Si arritët ju djemtë korcarë, të jeni pjesë e këtij formacioni, kur dihej që në 11-shen e Kombëtares, atë kohë luanin djemtë e “Bllokut”?
Prej vitit 1945-ë deri në vitin 1990–ë, fanellën e Kombëtares Shqiptare, e kanë veshur tre futbollistë korcarë;- i pari- Teodor Vaso, i dyti -Koco Dinella, dhe i treti – Jani Kaci, por u aktivizuan në formacionin e saj;- A.Pilika, Dh.Dembo, G.Ibro, dhe me kombëtaren shpresa Milutin Kërcic, Dh.Xhambazi, G.Lici, P.Tole, G.Rapo. Të gjithë nga familje puntore. Dy djemtë korcarë që luajtën në Stamboll, ishin Todo Vaso dhe Koco Dinella. Koco Dinella, më i madhi i ndeshjes me “Ajaksin” në Hollandë në fund të shtatorit 1970-ë dhe Todo Vaso, më i miri me 4 yje në fundin e vitit 1970-ë [13.12.1970], me kombëtaren turke. Shtypi hollandez shkroi për ndeshjen e “Ajaks-17 Nëntori”, vecanërisht për Koco Dinellën, ekzaktësisht: “Një skuadër e vogël [17 Nëntori] me një portier të madh”. Shtypi turk vlërësoi lojtarët më të mirë të ndeshjes Turqi-Shqipëri: Metin [Turk]dhe Vaso [Shqipëri] me 4 YJE, si lojtarët më të mirë të ndeshjes, me vlerësimin maksimal. Nuk ekzistonte asnjë lloj problemi futbollistik. që fanellën e kombëtares ta uzurponin fëmijët e ”Bllokut’, ‘po aq sa e vërtetë ishte cështja e ndikimit të futjes në përfaqësuese të lojtarëve të superklubeve shqiptare me qendër në Tiranë. Duhet të kujtojmë të vërtetat. Në atë kohë lufta e klasave përziente biografitë, kurse tani në kohën e sotme, në sport përzihen të vërtetat. Fëmijët e asaj kohë mund të futeshin në cdo ekip sportive, pa asnjë detyrim, tashmë, shumë fëmijë të talentuar, nuk mund të veshin kurrë këpucë futbolli dhe as t’i afrohen një ekipi, sepse nuk përmbushin dot detyrimet financiare të kërkesave të stërvitjeve dhe ndeshjeve.Është mëkat i madh!
– Cilat kanë qënë ndeshjet, dhe takimet me personalitete të rangut të lartë, që të kanë lënë më shumë mbresa? Ka rastisur që të kanë kritikuar gjatë karrierës tuaj?
Ata i shërbyen një sistemi tjetër të kaluar. Të vegjëlit, që sillen si të jenë të Mëdhenj, të mëdhenjtë, që bëhen njësh me të vegjëlit në sjellje. Ai zbriti nga makina i vetëm pa roje, pa salltanete, ma bëri me dorë. Këta janë në tërë kohërat. Ishim afër buzë detit në Durrës. Sikur të ishim të njohur me kohë u fut në bisedë. Pa lajmëruar më parë, ai priti aty –kohën- për të ardhur trajneri ynë i kombëtares, Loro Borici. Stërviteshim në fushën e futbollit të shtëpisë së pushimit të ushtarakëve. Do të shkonim, për ndeshje në Zvicër dhe në Irlandën e Veriut. Dy vite më parë futbolli ynë kombëtar pësoi një humbje në Danimarke 4–0, jo larg një vit më pas humbi në Hollandë 2–0 dhe po atë vit, kur do të luanim në dy ndeshjet e cilësuara, humbëm në Tiranë me Hollandën dhe Zvicrën, 2-0. Ky bilanc përbënte shqetësim për udhëheqjen e lartë. Zyrtari i lartë, natyrshëm e solli bisedën në mundësitë tona të situatës futbollistike, që ndodheshim. Kështqë unë, ashtu sikurse e përfytyroja gjendjen disi me një angazhim moral patriotic, i bëra një ekspoze të mundësive tona. Përfitova nga rastësia dhe e pyeta:- A mund të priste një nga shokët e mij? Sipër tij ishin vetëm Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, mundësia më e madhe për të zgjidhur problemin. “E njoh problemin tënd. Jashtë shtetit do të shkosh vetëm në vendet e lindjes”. Dhe aty shkuam, ishim të dy me ekipin Partizani një vit më vonë. Kaloi një vit tjetër dhe lufta e klasave, që u rindez përsëri ja preu rrugën. Pa lejën e tij nuk mund ta përmend emrin. Ai është miku im, është më i miri, miku im. Ndjesitë e mija nuk kanë të bëjnë, në e dua apo e urrej atë burrë që quhej – Ramiz Alia. Ai foli me mikun tim ngrohtë, miqësor, me respekt. Atë shumë kush mund ta urrejë, por e vërteta e atij takimi, është kjo që rrëfej, pa asnjë ekzagjerim. Na përshëndeti përzëmërsisht dhe hipi në benz-in e tij, sikur të udhëtonte me një taksi.Korrieri i Kom. Ekzutiv të Rrethit, la te prindërit në shtëpinë time, porosinë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, që:- Rezervisti Todo Vaso nuk do të shkojë në lojën e”Bodesë”[1968]. Ditën tjetër prapa portës, që trokiti pashë një oficer të ri:-Shoku Vaso, të pret në Shtëpinë e Oficerave gjeneral Petrit Dume!”. Kur ai po zbriste shkallët e katit të dytë me një grup ushtarakësh, që i vinin nga pas, adjutanti i tij më lajmëroi në Bar bufe, të dilja në holl. “Shkoni në detyrë,- u tha ai gjithë oficerëve prezent. Mbasi më takoi, dolëm përpara ndërtesës, në trotuari.
“Kaloi trauma e ndeshjes me gjermanët?-më pyeti.
“ Po, shoku general!”
“Nuk do të shkosh në lojën e “Bodesë”, që ka filluar edhe sikur të të lajmërojnë përsëri. Je bërë anëtar Partie?”
“Jo!”
“Duhet të të kishim bërë, që kur ishe në klubin tonë sportive”.
Pas disa hapave u gjendëm ballë për ballë me monumentin e Themistokli Gërmenjit. Ai hodhi shikimin nga luftëtari.
“Kjo trevë ka nxjerrë shumë luftëtarë trima”.
Atë cast meditova; Nuk di ku e fut veten me trimëritë e treguara për të”
“ Ne luftuam kundër gjermanëve me armë, Ju të dy me Dinellën, dy djem korcarë në atë ndeshje treguat, që dhe në fushën e futbollit, Korca ka luftëtarë të mëdhenj. Mirëupafshim!- teksa unë civil nuk di pse atë cast e nderova ushtarakisht. Tregonin që bëmat e tij ishin ngritur lart në emrin e një legjende, prandaj shumë kush e nderonte instiktivisht ushtarakisht.
Në fund të shtatorit të atij viti mbas fitores së bujëshme me “Torinon’” e madhe të Italisë në Tiranë, më thirri përsëri dhe më kërkoi mendim.
“A mund të bëjmë ndryshime në formacion për ndeshjen në Itali”?
“Më falni, por ju kini një staf shumë të specializuar të ekipit, Gjeneral?
“Po, por unë dua të tërheq mendimin dhe të teknikëve jashtë stafit, sepse mund të ketë dhe familjarizim me lojtarët vendas. Aty do të luajë dhe futbollisti i përfaqësueses francize, Kombin, i cili nuk luajti në Tiranë. Atij lojtari shtatlartë dhe solid, i përshtatet stoperi Gjergo Shule. Këtë ma kanë sugjeruar dhe disa specialistë futbolli. Të bqhet gati ai djalq, të pergatitet dhe moralisht.”-tha Gjeneral Petrit Dume.
Gjergo u befasua kur i thashë. Loja e tij shumë e mirë tregoi që varjanti i menduar, ishte një zgjidhje e drejtë.
Gjatë karrierës shumë vjecare jam takuar dhe biseduar me shumë personalitete të asaj kohe; Ramiz Alia, Beqir Balluku, Petrit Dume, me kryeminstrin pas {M.SHehut} Adil Carcani, Mihallaq Zicishtin Zv/Ministër i Punëve të Brendëshme, Pirro Kondi e Peti Shamblli, antarë te\ë KQPPSH, Ramadan Xhangolli Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë, Korcë, me Gjeneralët: R.Përllaku, Th.Xhixho, Q.Kapizyzi, T.Naci, V.Gjino-S.Avdija, H.Xhelo, etj., dhe me personalitete të tjerë të Partisë dhe pushtetit të kohës. Me duhet të jap pak dritë mbi një bisedë me zv/Kryeministrin Beqir Balluku, sepse ngjarja ka një sinonim me ngjarjen e mikut tim legjendë futbolli, Skender Halil, qendërmbrojtësin e përmasave Evropiane [tani i pa jetë], qe ju ”masakrua”karriera në kohën e lulëzimit të saj. Ja dhe ngjashmëria, por fundi krejt fatal për njërin nga ne të dy. Do të luanim një ndeshje shtesë për titullin kampion të vitit 1965-66, -17Nentori-Partizani –në 12 qershor. Të dy ekipet e mbyllën kampionatin me 38 pikë secila. Disi cuditshëm, aty në lulishten e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve në Durrës. Në orët e pushimit, u afrua një oficer të cilit i njihja vetëm fytyrën:
“-Vaso, eja se do të takohesh me një shok Partie.”
Në katin e dytë të ndërtesës së parë dykateëshe, pas asaj qëndrores, kur hyra brenda, në krye të dhomës, pashë Beqir Ballukun, veshur civil me këmishë të bardhë. Mbas dy muaj sipas ligjit të ri që kishte 2-3 vjet në funksion, duhet të kthehesha në Korcë, të luaja me Skenderbeun. Ai u interesua për gjendjen time familjare dhe kushtet e jetës të njerëzve të mij. Mbas një bisede futbolli dhe për ndeshjet ndërkombëtare, Balluku prerë më pyeti:
“Vaso, dëshiron të kethehet në Korcë, apo dëshiron të luajë me ”Partizanin”?
“Të dyja skuadrat më pëlqejnë shumë, por dëshira ime, lidhet me vazhdimin e studimeve, të cilat mund të bëhen vetëm në Tiranë, për një karrierë normale. Kam qënë nxënës me mesatare të lartë.”
“Me ”Partizanin” mund të qëndrosh, nëse do të lejohesh nga Korca, prandaj, duhet të bisedosh me shokun Mihallaq Zicishti.”
Dërgata të ndryshme nga KS Partizani, gjatë verës të vitit 1966-ë, në takim me Zicishtin u kthyen bosh. M. Zicishti, duke përdorur metaforën ”Sa të më punojë patllakja, që më ka dhënë E.Hoxha” ti Vaso, do të kthehesh në Korcë!”
Kështu m’u përgjigj ai kur i thashë që më ka dërguar B.Balluku.Dhe ashtu u bë! Në shtator 1966 u ktheva në vendlindje dhe vesha fanellën e Skënderbeut. Po sinonomi I ngjarjes të Skënder Halilit?!
Ja shkurtimisht ngjarja:Biseda e Skënderit u bë një vit më parë se ajo e imja. Mbeti një ngjarje e mjegulluar. Para fillimit të kampionatit 1964-65-ë, Skënderi që u lirua nga shërbimi ushtarak, kohë që luante me Dinamon e Tiranës, iu kërkua, që të mos kthehej tek skuadra e 17 Nëntorit, të qëndronte te Dinamo, duke deklaruar, që ai ishte vullneti i tij. E cuar në nivelet e larta të shtetit, këtë të ashtuquajtur marrëveshje, problemi mori karakter skandali, sepse atëhere kur pritej, që ai të dilte në ndeshjen e parë me fanellën e Dinamos, u pa i veshur me fanellën e 17 Nëntor-it. Dinamo nuk ja ”fali” këtë ”prerje” në besë dhe u gjet një gabim ordiner, që e cuan Skënder Halilin në burg, duke i burgosur përfundimisht dhe futbollin e tij. Më pyet se a ka rastisur të më kritikojnë gjatë karrierës sportive?! Në cilësinë e kësaj pyetjeje po iu rrëfej të vetmen kritikë në formën hipotetike: ”Pardje ne nuk e pamë Vason e zakonshëm, aq energjik dhe të sigurtë”, shkruhej në gazetën Sporti Popullor [16.05.1967], për ndeshjen Shqipëri – Jugosllavi në Tiranë, të cilën e humbem 0-2.
Karriera ime ka dy ngjarje të rënda dhe të cuditëshme, që shumkush i ka quajtur absurde. Në kampionatin e vitit 1973 – 74-ës, pas një ndeshjeje futbolli, një grup i madh sportdashësish protestuan përpara tribunës qëndrore, për një arbitrim të keq të ndeshjes. Me përjashtim të thirrjeve dhe fjalëve bombastike, nuk pati veprime prishëse. Befas në mbrëmje vonë, më thërresin në hetuesi, në një dhome më katër – pesë agjentë, ku më kërcënuan: “….ju po prishni rendin dhe frymëzoni masat e tifozëve për veprime huliganësh. Ne ja u presim ‘K…” që t’u tregojmë, se kush jeni ju.! Ik tani dhe kjo bisedë mbetet këtu midis nesh sakën se…!! Në të vërtetë nuk kishte kuptim përse duhej bërë fjalë, aty ku aludonin ata. Por, Sekretari i Komitetit të Partisë Enver Halili, i cili në atë kohë në Korcë, krijoi opinionin, që problemet i zgjidhte, i prirur nga toleranca dhe ndihmesa, më tha: “Vaso, unë kam mbaruar dhe fakultetin Juridik, hetuesia thërret njerës, për të marrë të dhëna, për cështje anti ligjore.Unë jam anëtar Partie dhe sipas ligjeve duhet të më përjashtojnë nga partia për të më thirrur në hetuesi. Do ta zgjith unë këtë problem, dhe e mbylli ai bisedën. Dhe u mbyll, por unë e njihja burimin nga kishte dalë orientimi, hetuesia vetëm sa kryente porosinë. Për të mos u marrë për karshillëk, jo shpejt, por pas disa muaj kërkova doëeheqjen, të cilën po Enver Halili e pranoi dhe në opinioin u duk sikur trajneri Teodor Vaso u shkarkua nga detyra. Kjo ngjarje u bë e njohur, kur unë pas ndryshimit të sistemit me 1990-ën, e tregoja në biseda me miqtë e mi. Për këtë ngjarje kam shkruar në gazetën Koha Jonë në vitin 1994-r, me autor gazetarin Pandi Konci. Ngjarja e dytë u bë e njohur publkisht në vitin arsimor 1996-97, përpara kolektivit të mësueseve të shkollës ”Stavri Themeli”. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF në vitet 1990-1997, tani Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Federatën Spanjolle të Futbollit, z.Eduard Dervishi, në një seminar futbolli në Tiranë më tha: “Eprorët e mij pyetën se cfarë ka bërë Todo Vaso, që e kanë pushuar nga puna mos ka ”vrarë”njeri?” Volejbollisti i shquar Pirro Demiri i dorëzoi triskën e antarësisë të Sindikatës, sepse asnjë mësues tjeter nuk protestoi apo kerkoi motivet e pushimit nga puna. Së bashku me gruan kaluam një vit shumë të vështirë, sepse edhe atë e pushuan nga puna ngaqë fabrika ku ajo punonte, u privatizua. Tashmë marr një pension të cunguar.U desh ndërrhyrja e organeve qëndrore të arsimit, që të rikthehem në punë në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”. Edhe kjo ngjarje absurde nuk ishte angazhimi i shtetit të asaj kohe apo i Partsë Demokratike, por i personave të vecante që vepronin duke thurrur intriga dhe dënime militantizmi absurd. Shumkush, as nuk e beson, por te e fundit, ngjarja dhe pasojat janë konsumuar dhe mbeten si ngjarje historike.
Vijon në numurin e ardhshëm
Bisedoi:Raimonda MOISIU