• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TEPËR VONË Z. KRYEMINISTËR I IZRAELIT

September 18, 2020 by dgreca

“Lëvdohet si mirënjohës ai që tregon për mirësinë e fituar; por më mirënjohës është ai që harron mirësinë për t’u kujtuar për bamirësin.”- Ludwig Börne (1786 – 1837) shkrimtar politik gjerman-

Shkruan:Eugjen MERLIKA/

            Në marrëveshjen Sërbi – Kosovë, të nënëshkruar më 4 gusht 2020, në të cilën çuditërisht ishin firmat e presidentit Trump e të kryeministrit të Kosovës, por jo ajo e presidentit të Sërbisë, në pikën e fundit të saj thuhet: “Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri tjetrin”.

            Është e vështirë të jepet një gjykim i saktë mbi këtë risi të dokumentit, ndoshta e vetmja risi e tij, mbasi u tha se 90 % e argumentave ishin biseduar më parë, kur nuk dihen mirë mendimet e veprimet që kanë paraprirë shpalljen e vendimit të thatë të njohjes. E parë nga jashtë, dukuria në kontekstin e takimit në Shtëpinë e Bardhë, duket më shumë si një vendim i Izraelit për të plotësuar kornizën e një ngjarjeje të rëndësishme, që ka lidhje me  një nga pikat më nevralgjike të kundërshtive në fushën ballkanike dhe evropiane, një nisme të marrë nga presidenti Trump, me synimin e hapur të një fitoreje vetiake në skenën ndërkombëtare, që do t’i vlejë në garën e pritme zgjedhore.

            Në këtë kuadër presidenti amerikan, që ka vendosur një raport të ri e të mirë marrëdhëniesh me demokracinë e vetme të Lindjes së Mesme, ndryshe nga para-ardhësi i tij, Obama, besoj se i ka kërkuar qeverisë së Izraelit një nder në lidhje me marrëveshjen Kosovë–Sërbi, njohjen diplomatike të Kosovës. Veprimi më logjik e i pritshëm në këtë nismë të SHBA do të kishte qënë trysnia mbi Sërbinë për të njohur Kosovën, sepse pa njohje të drejtpërdrejtë, është e vështirë të sendërtohen me vullnet të lirë të gjitha pikat e marrëveshjes. Por ndoshta kjo gjë ka qënë e pamundur për presidentin amerikan dhe ai, që e dinte mirë se marrëveshja që i ofrohej dy Vendeve ballkanike, çalonte nga ana e Kosovës, me një lëvizje të zgjuar është munduar të shpagonte disi atë mungesë me njohjen e saj nga Izraeli. Janë truket e zakonshme diplomatike, të hershme sa bota, por që vazhdojnë të kenë dobinë e tyre. Kjo njohje u prit me ngazëllim në Kosovë e në mjediset shqiptare në botë, duke mos kujtuar një ngjarje madhore të zhvilluar rreth tetëdhjetë vite më parë në trualllin e bashkuar shqiptar.

            Kujtesa historike duhet të jetë një nga pasuritë më të vyera për çdo popull. Duke e shmangur atë edhe veprimet e kohës janë të mangëta, mbasi vetë qenësia e një populli, rrugëtimi i tij në shtigjet e historisë, ka ligjet e tij që përkojnë me karakterin e tij, me veçantitë e formimit, me vlerat e trashëguara. Këto vlera shfaqen në çdo kohë, pavarësisht nga fakti se ata që e përfaqësojnë zyrtarisht një popull, mund të jenë më shumë apo më pak të prirur t’i lenë në vëndin e tyre, apo t’i mënjanojnë në emër të kundërvlerave që mund të zotërojnë në kohë të ndryshme.

            Duke u kthyer me mendim n’ata vite të luftës së Dytë botërore, kur shqiptarët shkruan një faqe të rrallë në kontekstin e kohës, po rendis disa fakte të vërtetuara me dokumenta, që i përkasin asaj kohe, një numur shumë të vogël t’atyre episodeve qëpërcaktuan njërën nga ndodhitë më të habitëshme, atë të mos dërgimit të asnjë hebreu nga toka shqiptare në kampet naziste të vdekjes.

            Shkruan Francesco Jacomoni, ish mëkëmbës i Mbretit në Shqipëri gjatë pushtimit italian: “Një shfaqje nga ana e Mustafa Krujës e asaj që ishte “burrnia” e tij, pra aftësia për të përballuar rrethanat me guxim e shpirtmadhësi, e pata pak mbas emërimit të tij në kryesinë e Këshillit të ministrave. Kishte shkuar tek ai konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë e i kishte paraqitur një notë gojore, me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e më shumë se treqind hebrenjsh që, të ikur nga Jugosllavia kishin gjetur strehë në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane në Beograd kishte dhënë lajme të sakta mbi emrat e tyre dhe mbi vëndet ku ishin strehuar në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja erdhi të më kërkonte lejen për t’i lënë të patrazuar në Shqipëri. Nuk kishte në të gjithë vendin ushtarë gjermanë që të mund t’i njimendësonin. Ishim të një mendimi se t’ikurit hebrenj do të shpërnguleshin shpejt për në zonën e Gjirokastrës, që kufizohej me zonën greke, të pushtuar nga trupat italiane. Ata do të pajiseshin me pashaporta shqiptare me emra të rremë e, aty ku do t’ishte e nevojshme të ndihmoheshin materialisht. Këto masa do t’i jepnin mundësi Mustafa Krujës t’i përgjigjej, mbas disa ditëve, konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë, se të gjitha kërkimet e kryera në Kosovë përsa i përket emrave të treguar, kishin qënë të kota….”

            Dekreti antihebraik i 14 majit 1939 i shpallur zyrtarisht në Itali, nuk u bë kurrë i njohur në Shqipëri, mbasi asnjë qeveri shqiptare nuk e vuri në zbatim.

            Shkruan studjuesi amerikan H.Sarner, duke mbajtur parasysh marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe komandës gjermane më 17 tetor 1943: “Fraza për mosndërhyrje në punët e brëndshme mori një rëndësi të posaçme për fatin e hebrenjve, kur komanda naziste i kërkoi Regjencës që të dorëzonte listat e tyre në tërë Shqipërinë” “Sedra kombëtare e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva i a doli që t’i bindëte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve.”

            Shkruan studjuesi Shaban Sinani, duke u mbështetur në dokumentët e Arkivit:

            “Njerëzit e thjeshtë kishin në dorë t’u jepnin hebrenjve bukë, punë dhe strehë. Njerëzit e thjeshtë nuk i kishin listat e tyre. Këto lista i kishin autoritetet qeverisëse dhe nuk i dhanë. Ata arin e Shqipërisë e dhanë, por këto lista jo. Ka pasur funksionarë të qeverive bashkëpunuese që jo vetëm nuk kanë dorëzuar lista hebrenjsh, jo vetëm kanë raportuar se në juridiksionin e tyre nuk ka hebrenj, por madje kanë kërkuar prej komandës naziste të lirojë ata hebrenj që ajo i kishte kapur gjatë mërgimit nga thellësitë e Ballkanit drejt Shqipërisë (Kruja, Hurshiti, Mulleti, Korça, Çoba, Preza)”.

            Përfundimi i gjithë kësaj politike, në nivelet më të larta të drejtimit shtetëror, ishte se nga 191 hebrenj që gjindeshin në Shqipëri më 1937, në fundin e vitit 1944 numëroheshin plot 2265 prej tyre me prejardhje nga shumë Vënde t’Evropës, në një kohë kur në Vendet fqinjë si Sërbia e Maqedonia nuk kishin shpëtuar as 10 % e tyre.

            Kaluan shumë vite që atëherë e në fundin e viteve 90 dukuria mizore e shfarosjes ra mbi popullin e Kosovës, mbasi sërbët, me Hitlerin komunist të tyre, Millosheviçin në krye, shtrënguan nëpërmjet terrorit më shumë se gjysmën e popullsisë kosovare, të braktiste banesat e tyre në kërkim  të shpëtimit të jetëve. Erdhi një çast në të cilin vetëdija njerëzore e botës së lirë u rebelua e detyroi politikën të ndërhynte me fuqinë e saj madhore të rivendoste rendin, që nuk mund t’ishte më ai i pari. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s i dha mundësi kosovarëve të ktheheshin në vatrat e tyre të shkatërruara.

            Kalaunedhe pak vite të tjerë e me shtysën e një tjetër presidenti amerikan, Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt 2007. Qe një ditë madhore për historinë e shqiptarëve. Bota e lirë, me pak përjashtime, e njohu menjëherë shtetin më të ri të kontinentit. Për çudinë e anakronizmit historik, i pari Vend që njohu Kosovën nuk ishte Izraeli, por Afganistani. Për atë që kishin bërë shqiptarët për hebrenjtë, njohja e menjëherëshme e Kosovës duhej t’ishte akti më i natyrshëm i qeverisë izraeliane. Fatkeqësisht, për turpin e tyre, shtetarët e Izraelit nuk e kthyen kokën mbrapa, për të kryer një detyrë morale e njerëzore mirënjohjeje kundrejt një populli të vogël i cili, dikur ndërmjet shumë të paktëve n’Evropë, dha një mësim universal duke respektuar vlerat e tij të trashëguara, e nuk lejoi që nga toka e tij të nisej për në kampet e vdekjes asnjë para-ardhës të popullit të sotëm t’Izraelit. Kjo ndodhte në Shqipërinë e bashkuar e të pushtuar nga trupat e huaja gjatë luftës së Dytë botërore.

            Por në vitin 2007, në politikën izraeliane, përmbi vlerat e larta të mirënjohjes njerëzore zotëruan arsyet e konjukurave rajonale e botërore deri sa një tjetër president i Amerikës t’i kërkojë me forcë asaj njohjen e Kosovës. Tani, mbas kaqë vitesh qeverisjeje, kryeministri Netaniahu, në një letër që i dërgon hebrenjve në Prishtinë, me rastin e viti të ri hebraik “i shtrin dorën e miqësisë popullit të Kosovës”, duke paralajmëruar “një erë të re që do të sjellë përfitime për të dy popujt”.

            Edhe po t’i marrim me mirëdashje si të sinqerta këto shprehje të kryeministrit izraelian nuk mund të mosi i themi: tepër vonë z. Kryeministër, jeni tejet i vonuar në mirësjelljen tuaj kundrejt Kosovës. Po të kishit respektuar edhe juve si komb vlerat njerëzore, siç bënë të parët tanë tetëdhjetë vite më parë, do të kishit qënë më shumë i nderuar, sepse do të kishit nderuar kujtesën tuaj historike. Në jetën e popujve ashtu si dhe n’atë të njerëzve, rrethanat e veprimet përcaktojnë herë herë edhe detyrime. Njohja e Kosovës ishte për Izraelin një detyrim moral e historik, por ai e bëri i 115-ti në botë në kushte të pasqaruara mirë. Ky akt nga një anë flet shumë por në tjetrën belbëzon. Uroj që e ardhmja të flasë më shumë, mbasi të gjithë jemi vdekëtorë të thjeshtë e mund të gabojmë herë herë në çdo hap të jetës sonë.

            Shkruajtësi i këtyre rradhëve është një mik i Izraelit që vlerëson shumë vështrime të jetës së tij: përparimin e shumëllojshëm në çdo fushë, vetmohimin e qytetarëve e qytetareve të tij në mbrojtje të Vendit të tyre, demokracinë e tij në një rajon të mbushur me regjime autokratike. Si i tillë nuk mund të mos vinte në dukje një mangësi të madhe të atij shteti, për të cilën ai u tregua i pavëmendshëm, në rastin më ndjellamirë, por për të cilën shpreson në t’ardhmen të shohë qëndrime të tjera.

            Shtator 2020- Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlikaj, Teper vone, z.Kryeminister i Izraelit

SHUMË PAK DHE TEPËR VONË!

September 1, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës po bëhen përgatitje për të shënuar shënjtërimin e Nënë Terezës më 4 shtator, 2016. Natyrisht se atë ditë vëmendja dhe sytë e botës do të drejtohen kah Vatikani dhe Roma, epiqendra e aktiviteteve, aty ku Papa Françesku do të kryesojë meshën dhe ceremoninë për lartësimin e Shënjtëreshës Nënë Tereza, bijës së kombit shqiptar dhe Nënës së më të varfërve anë e mbanë botës. Por nuk feston vetëm Vatikani dhe Kisha Katolike. Festojnë të gjithë njerzit vullnetmirë dhe dashamirës të paqës anë e mbanë botës. Festojnë shtete dhe organizata ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara. Këtë ditë e shënojnë komunitete dhe organizata fetare dhe bamirëse anë e mbanë botës.

Është e vërtetë se Nënë Tereza i takon botës. Por ajo pikëspari i takon kombit shqiptar. Ajo prej aty doli. Do e s’do dikush, ajo aty i ka rrënjët, si bartëse e virtyteve më të shëndosha të kombit shqiptar. Përfaqsuesja më e denjë e frymës së vëllazërimit më të kulluar midis njerëzve pa dallim, e cila gjatë gjithë jetës luftonte ndasitë midis besimeve, kulturave dhe kombeve. Ndërkaq, ndonëse isha në dijeni të shumë përgatitjeve anë e mbanë botës për shënjtërimin e Nënë Terezës, u turra të shoh se si do e kujtojë Shqipëria bijën e saj në këtë ditë të shënuar. Gjeta njoftimin e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë, të cilën lexuesi mund ta lexojë më poshtë – botuar më 31 Gusht, 2016, — vetëm tre ditë para ceremonisë në Vatikan — ku flitet për një ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare kushtuar shënjtërimit të Nënë Terezës. Tepër vonë dhe shumë pak, thashë me vete, pasi Vatikani kishte njoftuar datën e shënjtërimit shumë kohë më parë, pothuaj në fillim të këtij viti. Pa dashur të futem në polemika me askënd, lexuesi të vlerësojë vet nëse Shqipëria mund të bënte diçka më shumë dhe më heret, për tu përgatitur për këtë ditë. Por mu duk si një vendim marrë me gjysëm zemër, pa bindje dhe vullnet serioz se me të vërtetë duhej bërë diçka me këtë rast.

Do e s’do njeriu, ky moment të sjellë ndër mendë për ata që u kujtohet letra që qarkulloi kohët e fundit e që Nënë Tereza i kishte dërguar Ramiz Alisë, drejtuar, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”, më 2 shtator 1989 pas një vizite që kishte bërë në atdheun e saj. Në atë letër ajo shpreh kënaqësinë e saj që, "Pas shumë vjet lutjesh dhe dëshire për të vizituar vendin tim , më në fund i miri Zot ma dha këtë dhuratë të bukur të shoh popullin tim”. Në atë letër, Nëna Tereze i shkruan Ramiz Alisë se veprimtaria e saj, “nuk është çështje biznesi, as politike" dhe shton se, "Unë nuk kam as ar e as argjent, por juve do t’ju jap motrat". Kërkesa e Nënë Terezes bie në veshë të shurdhët dhe refuzohet kategorikisht nga Ramiz Alia, nga ai, të cilit Nënë Tereza iu drejtua si, “Zotit President të vendit tonë të dashur Shqipëri”.

Shqipëria e gjysëm shekulli më parë nuk kishte nevojë as për Nënë Terezën as për motrat e saja, i kishte shkruar Ramiz Alia, Nënë Terezës, pasi “Shqetësimi i juaj për njerëzit e varfër përbën detyrën humane e patriotike të mijëra e mijëra djem e vajzave të popullit tonë, që si mjekë e infermierë… i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë”. Kjo ishte atëherë, po sot pas 25 vitesh post-komunizëm?

Shpresohej për një mëkëmbje të vlerave, të kulturës dhe traditave të shtypura kombëtare nga regjimi komunist për pothuaj gjysëm shekulli. Kultura nuk është një njoftim ose grumbull njoftimesh, por është një fuqi gjykuese morale e vlerave për të cilat shquhej Nënë Tereza dhe për të cilat në këtë tokë ajo u vlerësua me çmimin më të lartë të kësaj bote, me Çmimin Nobel për Paqë. Ndërkaq të djelën më 4 shtator do t’i akordohet titulli më i lartë nga Kisha Katolike, Shënjtëreshë, që mund t’i jepet njeriut të vdekshëm, për meritat, veprimtarinë dhe trashëgiminë që la pas për mbarë botën.

Po të duam të jemi të saktë dhe të sinqertë me vetveten, duhet të pranojmë ashtu siç është prononcuar shpesh edhe ajo vet në shumë raste, Nënë Tereza i përket këtij grumbulli njerzish në këtë tokë, këtij kombi të quajtur shqiptar.

Jo vetëm, sa për sy e faqe, por ajo shprehimisht i përkiste këtij kombi me gjakun dhe zanafillën e saj si element i përbashkët i këtij kombi –megjithëse armiqtë e kombit shqiptar u përpoqën dhe gjithnjë përpiqen ta përvetësojnë atë si të tyren ose të pakën të hedhin tym rreth zanafillës së saj. Po mos ta kishte, kombi shqiptar do të duhej të çpikte një Nënë Tereze, dhe si të tillë duhej t’a mbajë në shuplakë të dorës, për nder të vet si bijë e këtij populli dhe për hir të së vërtetës, po se po, por edhe për sytë e botës. Kjo, në mos për asgjë tjetër, atëherë të bëhet jo vetëm për dëshirën, por edhe për nevojën që shqiptarët, me vlerat që përfaqëson Nënë Tereza, të marrin pjesë në valle me popuj të tjerë, jo si një popull i prapambetur në Europë, por si një komb i cili në venat e gjakut të tij ndjenë thellësisht nevojën për lartësimin moral dhe shoqëror, vlera këto mbi të cilat Nënë Tereza — bijë e këtij populli — kishte përqëndruar veprimtarinë dhe jetën e saj. Mungesa e nderimit dhe vlerësimit të duhur ndaj veprimtarisë së Nënë Terezës, sidomos në këtë moment historik, kam drojë se madje edhe në këtë periudhë post-komuniste, ve në pikëpyetje vullnetin dhe gatishmërinë e Shqipërisë së sotëme për tu ngjitë në shkallët dhe për tu venë në radhët qytetërore me kombet si motra të botës së përparuar.

***

Ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare kushtuar shenjtërimit të Nënë Terezës 3 – 10 shtator 2016 në BKSH

16-08-31-02-51-59big_nene_tereza_poster_nga_bksh

Biblioteka Kombëtare, në nderim të figurës së shquar të nënë Terezës dhe shenjtërimit të saj, fton publikun e kryeqytetit të vizitojë në datat 3-10 shtator ekspozitën “homazh” kushtuar Nobelistes së paqes përmes titujve dhe veprave që kanë në fokus jetën frymëzuese dhe veprimtarinë e saj shembullore.

Nga lutjet dhe poezitë e shkruara prej vetë shenjtores te poezitë që ajo u frymëzoi poetëve shqiptarë, nga albumet mbresëlënëse te monografitë studimore, intervistat, jetëshkrimet e deri dhe bibliografitë për të, kjo ekspozitë sjell në trajtë simbolike marrëdhënien e privilegjuar që vetë Shqipëria dhe shqiptarët, për të cilët lutjet ajo nuk i rreshti kurrë, kanë ngjizur tashmë mes Nënën e tyre të shenjtë, plot krenari e përkushtim.

Përmes një bashkëpunimi përherë të suksesshëm me Muzeun Historik Kombëtar dhe Ministrinë e Kulturës, në këtë ekspozitë do të ekspozohen edhe disa nga objektet personale të Nënë Terezës, si kryqi, rruzarja dhe shalli i saj, sot pronë e MHK.

Ju mirëpresim!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Nene Tereza, Teper vone

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT