NJË PËRFAQËSI E VATRËS U PRIT NGA KONSULLJA E PËRGJITHSHME E KOSOVËS, AMBASADORJA TEUTA SAHATÇIJA/
Nju Jork, 8 Shkurt- Të Mërkurën, 8 Shkurt 2017, një përfaqësi e Kryesisë së Federatës Panshqiptare të Amerikës”Vatra” u prit nga Konsullja e Përgjithshme e Repubikës së Kosovës, ambasadorja Teuta Sahatçija, si dhe z. Ylber Kryeziu- Ministër Këshilltar, dhe z. Fatmir Zajmi – Konsull. Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj shoqërohej nga nënkryetarët e Vatrës Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, sekretarja Nazo Veliu, arkëtari Marjan Cubi dhe editori i Diellit Dalip Greca.
Dr. Gjon Buçaj, e falenderoi ambasadoren Sahatçija për pritjen. Ai tha se kjo është një vizitë kortezie, kthim vizite, pasi ndër të parat vizita të saj në komunitetin shqiptar, Konsullja e përgjithshme në nisje të misionit të saj e pat bërë në Vatër, ashtu siç kishte bërë dhe paraardhësi i saj, ambasador Bekim Sejdiu, duke treguar vlerësim për Vatrën dhe vatranët. Kryetari Buçaj informoi për qëndrimet e Vatrës, veprimtaritë e saj, ruajtjen e vlerave të trashëguara që mbart Vatra, që nga themeluesit e saj. Është e vetmja organizatë e kohës së Rilindjes Kombëtare, që përbën vlerë jo vetëm për shqiptarët e Amerikës, por për të gjithë Kombin. Detyra jonë është jo vetëm ta mbajmë gjallë, e ta ruajmë të padëmtuar imazhin e saj historik, të trashëguar nga mendjet e ndritura që e themeluan, por edhe ta çojmë më tej misionin e saj Kombëtar.Vatrën e ka mbajtë gjallë idealizmi.
Ambasadorja Teuata Sahatçija falenderoi për vizitën dhe tha se ne duhet që të takohemi më shpesh, të organizojmë veprimtari të përbashkëta.Më pas ambasadorja Sahatçija informoi për situatën që po kalon Kosova,betejën e saj diplomatike, arritjet dhe përballja me problematikat, veçanërisht në veri. Edhe pak ditë, tha ajo ne së bashku festojmë 9 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë të Shtetit të Kosovës. Në këta 9 vjet kemi ecur drejt konsolidimit të shtetit me gjithë vështirësitë e mëdha që na ka nxjerrë Serbia, e Rusia pas saj. Ndjehemi mirë që kemi mbështetjen e fuqishme të Amerikës. Deklarata e Sekretarit Amerikan te mbrojtjes, James Mattis per mosndryshimin e qendrimit amerikan per Kosoven, dhe deklarata per Forcat Mbrojtese te Kosoves, janë në sinjale që ne duhet të vazhdojmë betejën tone. Edhe vizita e sekretarit te pergjithshem te NATO-s z. Jens Stoltenberg ne Kosove, perben nje tjeter mbeshtetje per Kosovën.
Kosova, tha ambasadorja Sahatçija, ka shënuar arritje në drejtim të sundimit të Ligjit; hapa pas hapi shteti i ri po ecën drejt BE-së, marrëveshjet e arritura, po hapin perspektiva të reja, kemi bashkëpunim të mirë me Shqipërinë etj.
Më pas u diskutua edhe për komentet e fundit të medias për opsionin e këmbimit të territoreve. Kryetari Buçaj, tha se Vatra, në asnjë rrethanë nuk i ka përkrahë dhe nuk do t’i përkrahë opsione të tilla. Ky është qëndrim i prerë.
Gjatë takimit e morën fjalën edhe zv/kryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, Nazo Veliu, Marjan Cubi dhe Dalip Greca.
Ambasadorja Sahatçija i dhuroi kryetarit të Vatrës botimet më të fundit që përcjellin vlerat, kulturen, historinë, pasuritë, arritjet e Republikës së Kosovës, të cilat do të jenë në dispozicion të vatranëve në bibliotekën e Vatrës.