Thanas L. Gjika/
(Shënime udhëtimi, 24 korrik – 7 shtator 2023, pjesa e II-të)
PËRKUJTOJMË NË THETH ALBANOLOGUN E SHQUAR ROBERT ELSIE.
Kur isha në ShBA u mora vesh me Prof. Dr. Dom Nikë Ukgjinin, klerik e punonjës shkencor në Institutin e Studimeve Teologjike dhe Filozofike Shkodër, që më 26 korrik të realizonim tek kisha e Thethit një meshë të thjeshtë për të kujtuar albanologun Prof. Robert Elsie, ku preheshin eshtrat e tij.
Dom Nikë Ukgjini është diplomuar në Zagreb dhe ka vite që shquhet si studiues dhe si punëtor i palodhur për rindërtimin e kishave të rënuara me vlera historike. Ai ka punuar fort për rindërtimin e Kishës në Kukël, ku kishte shërbyer Dom Ndre Mjedai, kishë tek e cila ai shkon vullnetarisht për të meshuar cdo të dielë. Përvec të tjerave ai ka punuar për rindërtimin e kishës së Gjon Pagëzorit në Mërqi të Lezhës, punë e cila është drejt përfundimit, monument historik me vlera të mëdha mbasi aty në janar të vitit 1703 u mbajt Kuvendi i Arbërit me porosi të Papës shqiptar Klementi I XI, Albani.
U nisa nga Tirana me taksi në ora 7:00 bashkë me studiuesin e shkrimtarin Kristaq Nanushi, marrëdhëniet miqësore me të cilin nuk i kam ndërprerë që nga vitet 60-të të shekullit të kaluar, kur ishim studentë e shokë dhome në konvikt. Në Shkodër tek Kryekisha na prisnin Dom Nika dhe gazetari e kameramani Ndoc M. Shaben. Dom Nika preferoi të vijonim rrugën me dy makina, ai mori në makinën e tij Ndocin dhe na priu, kurse shoferi ynë Besim Zorba, një tiranas i sjellshëm e i kujdesshëm u nis mbas tyre. Rruga ishte e gjitha e asfaltuar me bordura anësore të cilat e mbronin nga gurët që binin gjatë reshjeve të dendura. Kur arritëm në majë të Qafës së Bogës, Dom Nika doli nga rruga dhe mori majtas drejt një bregoreje prej ku dukej Thethi. Ndalëm te lokal i ri, Hotel-Restorant me arkitekturë karakteristike të atyre anëve: kati i parë me gurë të skalitur dhe dy katet e tjerë me trungje druri. Pronarët ishin vendali. Një vajzë simpatike mori porosinë dhe na solli kos, arra e mjaltë vendosur në tasa kristali. Kafet Kapucino i shoqëroi me ujë të ftohtë që sillej në lokal me tuba prej burimit aty pranë. Ujë bore. Vapa e korrikut nuk ndjehej në mbarë atë bjeshkë, rrethuar me maja të larta alpine.
Në ora 1:00 PM arritëm në Theth, ku kisha qenë si pushues në kampin e dikurshëm në vitet 70-të. Ndryshime të shumtë të binin në sy, rruga e gjerë, bujtina të reja të ndërtuara rrëzë malit. Thethi ishte kthyer në një qytezë turistike, ku vinin rrotull grupe turistësh, jo vetëm nga Europa Qendrore, cekë, kroatë, gjermanë, por edhe nga Afrika e Veriut. Në oborrin e kishës takuam një grup vajzash veshur bukur me rroba mëndafshi që mbanin shami në kokë. U bëra kurioz dhe i pyeta nga ishin. Më thanë se ishin nga Algjeria.
Dom Nika na priu e u futëm te kisha e vogël, ku ai zuri vend tek altari e ne u ulëm në stolat e sallës. Dëgjuam historikun e krijimit të kësaj kishe prej një prifti franceskan në vitin 1840, kur në Theth jetonin vetëm pak familje barinjsh. Ndërtesa e re e kishës ishte më e madhe se origjinalja, të cilën e kishin prishur gjatë fushatës antifetare që ndërmori qeveria në kohën e diktaturës. Unë lashë te tavolina një kopje të kujtimeve të printuar në 12 faqe, kujtime që kisha shkruar për Prof. Robert Elsie-n. T’i lexojnë vizitorët që do të shkojnë aty për ceremoni fetare…
Pastaj shkuam tek vorrezat e fshatit pranë kishës. Territori ishte i rrethuar me mure për t’i mbrojtur varret nga bagëtitë, por dhe nga kafshët e egra gjatë dimrit. Barëra të shumtë kishin mbirë e rritur në të gjitha rrugicat midis varrezave, madje dhe mbi varre. I papërtuari Ndoc, la më njanë kamerën dhe iu fut punës për shkuljen e barërave që kishin mbirë mbi varin e Robert Elsie-t. Dom Nika dhe ai kishin marrë pjesë dhe në ceremoninë e varrimit në vitin 2017 bashkë me një grup pedagogësh të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe disa autoritete te Shkodrës. Në varrin e tanishëm ishte vendosur tek kryet, në vend të gurit të hershëm, një gur i madh i harkuar, vepër arti, ku ishin gdhendur disa shenja te lashta dhe emri e mbiemri i albanologut të ndjerë, datat e lindjes e të vdekjes. Ky varr dukej si një djep i madh. Aty vendos tufat e luleve…
Dom Nika veshi përparsen dhe mbajti përshpirtjen duke lexuar pjesë nga ungjijtë. Në mbyllje tha lutjen e rastit. Të gjithë bashkë bëmë kryqin dhe shqiptuam me zë të lartë: “AMIN”! Dreken e hengrem te nje hotel restorant i ri.
I Përjetshëm qoftë kujtimi i albanologut Robert Elsie, që ia kushtoi jetën studimit të letërsisë, kuturës e traditave të popullit shqiptar!